ATV

Author: ATVLive

  • Korporata Rugove dhe Dauti Komerc sjellin Ujë Rugove në Maqedoninë e Veriut

    Korporata Rugove dhe Dauti Komerc sjellin Ujë Rugove në Maqedoninë e Veriut

    Dauti Komerc, një distribues i shquar i produkteve cilësore, dhe Korporata Rugove, prodhuesi i njohur i ujit burimor Ujë Rugove, me kënaqësi njoftojnë publikun për një partneritet strategjik me synimin për të prezantuar ujin e shkëlqyer burimor Ujë Rugove te konsumatorët e Maqedonisë së Veriut.

    Bashkëpunimi mes Dauti Komerc dhe Korporata Rugove shënon një hap të rëndësishëm në misionin për ta bërë Ujë Rugove, ujin e famshëm burimor nga Kosova, të qasshëm lehtësisht për konsumatorët e Maqedonisë së Veriut. Ky partneritet bazohet në një angazhim të përbashkët për të ofruar produkte të shkëlqyera dhe për të siguruar kënaqësi për klientët.

    Dauti Komerc, themeluar para 30 viteve në fshatin Bojanë, sot është një konglomerat i fuqishëm biznesi, i pranishëm në 4 shtete të Ballkanit, me mbi 800 të punësuar, me furnizues nga 82 shtete të botës dhe në mesin e 50 kompanive më të fuqishme në Maqedoninë e Veriut.

    Dauti Komerc është një emër i besuar në industrinë e distribucionit, i njohur për përkushtimin ndaj cilësisë së lartë dhe shërbimit të përkryer. Me një rrjet të gjerë dhe ekspertizë në treg, Dauti Komerc ka arritur me sukses të prezantojë shumë brende të njohura në Maqedoninë e Veriut

    Korporata Rugove, me një trashëgimi të pasur që daton që nga viti 2006, ka arritur të konsolidohet si një prodhues kryesor i ujit burimor natyral në rajon. Ujë Rugove, i buruar nga malet e pastra të Rugovës në Kosovë, njihet për pastërtinë e tij të jashtëzakonshme dhe shijen e freskët. Uji kalon teste rigoroze dhe masa kontrolli cilësie për të garantuar që atë e përmbushin standardet ndërkombëtare më të larta.

    Duke bashkuar forcat, Dauti Komerc dhe Korporata Rugove synojnë të plotësojnë kërkesën e rritur për ujë burimor cilësor në Maqedoninë e Veriut dhe t’i ofrojnë konsumatorëve një përvojë hidratuese të pa krahasuar. Me rrjetin e gjerë të shpërndarjes së Dauti Komerc dhe njohuritë strategjike të tregut, në bashkëpunim me përkushtimin e Korporatës Rugove ndaj cilësisë dhe qëndrueshmërisë, ky partneritet është gati të riformulojë tregun e ujit në Maqedoninë e Veriut.

    Përmes Dauti Komerc, Ujë Rugove do të jetë prezent në Maqedoninë e Veriut me të gjithë gamën e saj të produkteve, duke filluar nga shishet e plastikes 0.33l, 0.5l dhe 1.5l, shishet e qelqit 0.25l, 0.33l, 0.75l dhe 1l, karton 0.5l dhe 1l, gotën 200ml dhe bidon 10l.

    Përmes këtij bashkëpunimi, konsumatorët në Maqedoninë e Veriut mund të presin me ngazëllim të zbulojnë dhe të shijojnë karakteristikat unike të ujit burimor Ujë Rugove. pH-ja natyrale e ekuilibruar dhe kombinimi ideal me kripëra e minerale e bëjnë atë zgjedhjen perfekte për ata që kërkojnë hidratim dhe freski.

    Partneriteti mes Dauti Komerc dhe Korporatës Rugove jo vetëm që zgjeron disponueshmërinë e ujit Ujë Rugove, por gjithashtu forcon lidhjen mes popullit të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Ai simbolizon një vizion të përbashkët për të promovuar bashkëpunimin dhe për të prezantuar produkte të jashtëzakonshme që reflektojnë pasurinë dhe diversitetin e rajonit.

    Për më shumë informacione rreth Dauti Komerc dhe Korporatës Rugove, ju lutemi vizitoni faqet e tyre të internetit:

    Dauti Komerc: http://dauti.com.mk/

    Korporata Rugove: https://rugove.eu/

  • Demolohet minibiblioteka “Sofra Poetike” në Drenas një ditë pas përurimit të saj

    Demolohet minibiblioteka “Sofra Poetike” në Drenas një ditë pas përurimit të saj

    Minibiblioteka “Sofra Poetike” në Drenas është demoluar një ditë pas përurimit të saj, raporton ATV.

    Në foton e më poshtme të siguruar nga ATV, shihet se minibibliotekës i janë thyer xhamat, ndërsa ende nuk dihet nëse mungon ndonjë nga materialet që gjendeshin aty.

    Kështu dukej dje minibiblioteka “Sofra Poetike” në Drenas pas përurimit të saj.

  • Sveçla: Përndjekja e tre policëve nga Serbia do të vazhdojë edhe në liri

    Sveçla: Përndjekja e tre policëve nga Serbia do të vazhdojë edhe në liri

    Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla pas lirimit të policëve ka thënë se Serbia vazhdon me lojërat e saj.

    Ai në një postim në Facebook ka shkruar se policët sot kthehen në Republikën e Kosovës, në familjet e tyre e në radhët e Policisë së Kosovës.

    Ka shtuar se ata do të bashkohen me kolegët e tyre në misionin e përbashkët për rend e ligj, siguri e sovranitet në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

    “Ndonëse lirimi i tyre sot është lajm i mirë, përndjekja e tyre nga Serbia do të vazhdojë në liri. Konfirmimi i aktakuzës dhe lirimi në procedurë të rregullt është vazhdim i orvatjeve të Serbisë për të mbuluar agresionin policoro-ushtarak brenda territorit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.

    Ka shtuar se policët kanë qenë në detyrë zyrtare, brenda territorit të Republikës dhe duke kryer detyrën e tyre në mbrojtje të integritetit, sovranitetit të vendit dhe luftim të kontrabandës.

    Sipas tij, ata duhet të lirohen pa kushte dhe Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për cenimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

  • “BE po i mbyll sytë karshi politikave fashiste të Serbisë”, protestohet para zyrës së BE-së në Prishtinë

    “BE po i mbyll sytë karshi politikave fashiste të Serbisë”, protestohet para zyrës së BE-së në Prishtinë

    Para Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë është protestuar të hënën me kërkesën që BE “të hap sytë” ndaj shkeljeve dhe politikave fashiste të Serbisë.

    Në aksionin simbolik, anëtarë të organizatës “Lëvizja për Demokraci” kanë qëndruar me sy mbyllur, mbi të cilët ishte flamuri i BE-së.

    Kryetari i “Lëvizjes për Demokraci”, Mexhid Ramusa tha se Bashkimi Evropian po i mbyll sytë karshi shkeljeve që po bën Serbia ndaj Kosovës, transmeton KP.

    “Arsyeja pse e kemi mbajtur këtë aktivitet është sepse BE po i mbyll sytë karshi politikave fashiste të Serbisë. Vuçiqi është pasardhës i politikave të Millosheviqit dhe plani i tyre është i qartë, spastrimi etnik i shqiptarëve. Ne duhet t’i tregojmë BE-së se Serbia është e njëjta nuk ka ndryshuar aspak. Me një shtet të pavarur vjen dhe t’i rrëmben dhe kidnapon policët dhe të gjithë heshtin, arsyeja është sepse jemi shqiptarë. Po të kishte ndodhur kjo që t’i kishim rrëmbyer ne, atëherë do të na vërsuleshin të gjithë neve. BE duhet të kujdeset për shumë arsyeje, sepse të gjitha ushtrimet që i bën ushtria e Serbisë është si ta poshtërojnë Kosovën”, tha ai.

    Edhe anëtari tjetër i organizatës, Driton Ismajli i ka bërë thirrje BE-së që të bëjë presion mbi Serbinë.

    “Bashkimi Evropian është duke i dhënë një dozë të tepruar të mbështetjes, Serbisë. Prandaj ajo po e gjen formën dhe motivin të sillet në këtë mënyrë. Kohëve të fundit kemi deklarata nga BE të cilat e cenojnë edhe ekzistencën e BE-së. Sepse, BE do të duhej të funksiononte të paktën mbi bazën e politikave të cilat janë neutrale. Nga vendimet dhe veprimet e fundit realisht nuk kemi parë diçka të tillë. Kemi parë vetëm politika të anueshme nga përfaqësuesit e ndryshëm të Bashkimit Evropian. Ne i bëjmë thirrje BE-së që presionin të cilin e ka drejtuar kundrejt Kosovës, le ta drejton nga shteti i cili është agresiv në raport me Kosovën. Kemi akte terroriste të cilat e cenojnë thellë edhe ekzistencën e shtetit të Kosovës, kemi akte të cilat tregojnë për shkeljen e marrëveshjeve të nënshkruara më herët. BE duhet t’i hap sytë dhe ta sheh të vërtetën, jo të sillet në raport me Kosovën kështu siç është duke i sjellë deri më tani”, shtoi ai.

    Tre policët kosovarë të rrëmbyer në brenda territorit të Kosovës, janë liruar ditën e sotme. Të njëjtit ishin rrëmbyer me 14 qershor nga forcat e Serbisë.

  • Namazi i Kurban-Bajramit falet të mërkurën në orën 05:38

    Namazi i Kurban-Bajramit falet të mërkurën në orën 05:38

    Bashkësia Islame e Kosovës ka bërë të ditur se namazi i Kurban Bajramit falet të mërkurën më 28 qershor 2023, në orën 05:38.

    Në njoftimit e BIK-ut manifestimi qendror për territorin e Kosovës, mbahet në “Xhaminë e Madhe” në Prishtinë.

    “Kurban – Bajrami, të mërkurën më 28 qershor 2023 (Namazi i Kurban-Bajramit falet në orën 5.38 min.) Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës njofton besimtarët dhe opinion e gjerë se dita e parë e festës së Kurban – Bajramit, është ditën e mërkurë më 28 qershor 2023.Manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban – Bajramit, mbahet në “Xhaminë e Madhe” në Prishtinë. Namazi i sabahut falet në orën 4.23 min”.

    “Ligjëratën tematike kushtuar festës së Kurban – Bajramit do ta mbajë dr. Selatin Mehani-pedagog në Medresenë “Alaudin” në Prishtinë.Namazi i Kurban-Bajramit falet në orën 5.38 min, të cilit do t’i prijë Burhanudin ef. Hashani- kryeimam i Prishtinës, ndërsa hytben – mesazhin e Kurban – Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava. Me rastin e festës së Kurban – Bajramit, ditën e parë, më 28 qershor 2023, Kryesia e BIK-ut, si tradicionalisht organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë, nga ora 9:00-12:00”, thuhet në njoftim.

  • ​Kryeministri hungarez, Viktor Orban merr meritat për lirimin e tre policëve

    ​Kryeministri hungarez, Viktor Orban merr meritat për lirimin e tre policëve

    Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka reaguar për lirimin e tre policëve kosovarë të rrëmbyer nga autoritetet serbe dy javë më parë.

    Orban duke marrë meritat për lirimin e tre zyrtarëve policorë, ka shkruar në Twitter se Kryeministri se serb Aleksandar Vuçiq sapo e ka njoftuar në përputhje me kërkesën e bërë në takimin e tyre javën e kaluar, autoritetet serbe së shpejti do t’i lirojnë nga paraburgimi tre policët e Kosovës të arrestuar më parë.

    “Presidenti serb Aleksandar Vuçiq sapo më njoftoi se në përputhje me kërkesën e bërë në takimin tonë javën e kaluar, autoritetet serbe së shpejti do t’i lirojnë nga paraburgimi tre policët e Kosovës të arrestuar më parë. E vlerësojmë shumë hapin e presidentit Vuçiq, të cilën ai e mori në një periudhë sfidash serioze dhe vendim i cili është një dëshmi e qartë e bashkëpunimit strategjik mes vendeve tona dhe e përkushtimit tonë të ndërsjellë për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit”, shkruan Orban.

  • Lirimi i policëve të rrëmbyer nga Serbia, Osmani falënderon SHBA-të

    Lirimi i policëve të rrëmbyer nga Serbia, Osmani falënderon SHBA-të

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka reaguar pas lirimit të tre policëve të rrëmbyer nga Serbia. Për këtë ajo ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Osmani, në konferencë për media pas takimit me guvernaatoren Kim Reynolds, ka thënë se aleanca e Kosovës me ShBA-të është ekzistenciale.

    Ajo shtoi se nënshkrimi i marrëveshjes me shtetin e Iowa-s për bashkëpunim me Kosovën do të thellojë miqësinë mes dy vendeve./KP

  • Ish-kreu i CIA-s paralajmëron Prigozhinin: Mos qëndro afër dritareve të hapura

    Ish-kreu i CIA-s paralajmëron Prigozhinin: Mos qëndro afër dritareve të hapura

    Ish-drejtori i CIA-s e ka paralajmëruar liderin e Grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, të jetë i kujdesshëm kur ndodhet pranë dritareve të hapura.

    Gjenerali në pension, ish-udhëheqës i CIA-s, David Petraeus përmendi disa raste të rusëve – kundërshtarë të Putinit – që kanë vdekur në rrethana të paqarta, duke përfshirë rënien nga dritaret.

    Si pjesë e marrëveshjes që Yevgeny Prigozhin të ndalonte marshimin e Wagnerit drejt Moskës, ai pranoi të shkonte në mërgim në Bjellorusinë fqinje, udhëheqësi i së cilës është një aleat i presidentit rus Vladimir Putin.

    “Prigozhin e siguroi jetën, por humbi grupin e tij Wagner”, tha Petraeus për CNN.

    Ai më pas shtoi se Prigozhin duhet të jetë shumë i kujdesshëm rreth dritareve të hapura në mjedisin e tij të ri në Bjellorusi.

  • ​Haxhiu reagon pas lirimit të policëve, ka një kërkesë për ndërkombëtarët

    ​Haxhiu reagon pas lirimit të policëve, ka një kërkesë për ndërkombëtarët

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas lirimit të tre policëve të rrëmbyer nga Serbia. Ajo ka thënë se kjo dëshmon vërtetësinë për skemat e krijuara nga Beogradi, me qëllim të destabilizimit të Kosovës.

    Haxhiu ka thënë se rrëmbimi i tyre nuk kishte të bënte me drejtësi por me agresionin e Serbisë.

    “Lirimi nga paraburgimi në Serbi i tre policëve të Kosovës, është lajm i mirë që dëshmon edhe më tej vërtetësinë për skemat e krijuara nga Beogradi me qëllim destabilizimin në veri të vendit. Kidnapimi i tre policëve nuk kishte të bënte me drejtësi por me agresionin e Serbisë në Kosovë. Këtë fakt duhet ta njohin dhe pranojnë edhe miqtë tanë ndërkombëtarë të cilët duhet të kërkojnë përgjegjësi ndaj autoriteteve serbe për hyrjen e tyre të jashtëligjshme në Kosovë dhe rrëmbimin e tre policëve kufitarë”, ka shkruar Haxhiu.

  • Publikohet fotoja e parë pas lirimit të tre policëve kosovarë

    Publikohet fotoja e parë pas lirimit të tre policëve kosovarë

    Gjykata e Kralevës sot ka vendosur për lirimin e tre policëve të Kosovës të kidnapuar nga forcat policore të Serbisë. Ndërkohë, tanimë ata janë liruar edhe nga burgu.

    Sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli ka publikuar një fotografi me tre policët derisa ka shkruar “më në fund”.

    Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafë Shemi, u kidnapuan më 14 qershor brenda territorit të Kosovës.