ATV

Author: ATVLive

  • Regjistrimi i diasporës – Berisha: Të dhënat merren nga familjarët në Kosovë dhe në ambasada e konsullata

    Regjistrimi i diasporës – Berisha: Të dhënat merren nga familjarët në Kosovë dhe në ambasada e konsullata

    Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Ilir Berisha, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se regjistrimi i diasporës në procesin e regjistrimit të popullsisë i cili parashihet që të bëhet gjatë këtij viti, ka një rëndësi shumë të madhe në aspektin social e ekonomik.

    Sipas tij, nga procesi i regjistrimit të popullsisë, të ekonomive familjare e të banesave përfitimet më të mëdha do të jenë për vetë popullsinë dhe më këtë rast ai bënë thirrje që qytetarët t’i përgjigjen pozitivisht regjistrimit.

    U.d i kryeshefit të ASK-së, tha se duke parë rëndësinë e regjistrimit të diasporës kanë dizajnuar edhe pyetësorin për t’i mbledhur të dhënat.

    “Regjistrimi i diasporës ka një rëndësi të veçante, ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe në aspektin socio-ekonomik për Kosovën. Andaj përkundër asaj që udhëzuesit e Kombeve të Bashkuar për regjistrimin popullsisë konsiderojnë që të mos bëhet regjistrimi i popullsisë jo rezidente, ne duke parë këtë rëndësi të jashtëzakonshme kemi dizajnuar një pyetësor të veçantë për të nxjerr indikatorët e nevojshëm, të cilët kanë një ndikim jashtëzakonisht të madh në aspektin social dhe ekonomik në Kosovë”.

    Berisha tha se pjesën më të madhe të të dhënave për diasporën do ta marrin nga vetë familjarët që janë në Kosovë, por sipas tij, në bashkëpunim me Ministrin e Punëve të Jashtme mbledhjen e të dhënave do të organizojnë edhe nëpër ambasada e konsullatat.

    “Është finalizuar pyetësori, ne e konsiderojmë një pjesë të madhe të të dhënave do t’i marrim nga vetë familjarët që janë në Kosovë. Mirëpo vlerësojmë që bashkëpunimi me Ministrin e Punëve të Jashtme të organizojmë edhe nëpër ambasadat tona, nëpër konsullatat tona ose në forma të tjera që ti mbledhim të gjitha informacionet për diasporën”.

    Berisha tha se ndryshimet e mëdha demografike kanë ndikim të theksuar në zhvillimet e ardhshme të popullsisë dhe zhvillimet socio-ekonomike.

    Sipas tij, këto ndryshime nuk përcillen plotësisht me regjistra administrativ dhe për këto statistika mund të grumbullohen vetëm përmes regjistrimit të popullsisë, të ekonomive familjare e të banesave.

    “Në ndryshimet e mëdha demografike për një kohë të shkurtë si në numër dhe se këto kanë ndikim të theksuar në zhvillimet e ardhshme të popullsisë dhe në zhvillimet e tjera sociale-ekonomike. Këto ndryshime nuk përcillen plotësisht me regjistrat administrativ, andaj statistikat e detajuar për zonat të vogla dhe për grupet e vogla të popullsisë mund të prodhojmë vetëm përmes regjistrimit të popullsisë, të ekonomive familjare e të banesave”.

    U.d i kryeshefit të ASK-së theksoi se të dhënat që dalin nga ky regjistrim kanë shfrytëzim të gjerë ku nga kjo përfitim do të kenë vetë popullata, e për këtë arsye sipas tij, është e rëndësishme që popullsia t’i përgjigjet regjistrimit.

    “Të dhënat e gjeneruar nga regjistrimi kanë përdorim të gjerë dhe shfrytëzues të shumtë. Shfrytëzuesit kryesore janë politikë-bërësit, niveli qendror dhe niveli lokal për shkak se më të dhëna i orientojmë fondet për nevojat e grupeve të vogla ku jetojnë ato”.

    “Përpos politikë-bërësve është më rëndësi edhe për nivelet edhe për hulumtuesit, për botën akademike, për specialist, për lëvizje të popullsisë. Gjithashtu është në interes edhe për vetë komunitet, vetë popullsinë që të jetë aktiv të përgjigjet regjistrimit të popullsisë për shkak se ata do të jenë përfituesit më të mëdhenj të këtyre fondeve”, tha ai.

  • Mbi 1 mijë e 500 gjoba trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    Mbi 1 mijë e 500 gjoba trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    1 mijë e 566 gjoba trafiku janë shqiptuar në 24 orët e fundit në vendin tonë.

    Sipas statistikave të përgjithshme të policisë, gjatë kësaj kohe kanë ndodhur 28 aksidente me të lënduar dhe 30 me dëme materiale.

    Gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar gjashtë persona dhe tre janë dërguar në mbajtje.

  • Trazirat në Francë, sulmohet shtëpia e kryetarit të bashkisë, plagosen gruaja dhe një nga fëmijët

    Trazirat në Francë, sulmohet shtëpia e kryetarit të bashkisë, plagosen gruaja dhe një nga fëmijët

    Gjatë natës, sulmuesit në një makinë kanë përplasur shtëpinë e kryetarit të periferisë së Parisit, L’Haÿ-les-Roses, thonë autoritetet.

    Sulmi ndodhi në orën 01:30 (23:30 GMT), kur Vincent Jeanbrun ishte në zyrën e tij.

    “Në orën 1:30 të mëngjesit, ndërsa isha në bashkinë e qytetit si tre netët e kaluara, disa individë u përplasën me makinën e tyre në banesën time përpara se t’i vinin zjarrit për të djegur shtëpinë time, brenda së cilës flinin gruaja ime dhe dy fëmijët e mi të vegjël,” tha kryebashkiaku Vincent Jeanbrun i L’Haÿ-les-Roses.

    “Gjatë përpjekjes për të mbrojtur fëmijët dhe për t’u shpëtuar sulmuesve, gruaja ime dhe një nga fëmijët e mi u plagosën.”

    Ishte “një tentativë vrasjeje e një frikacaku”, tha kryebashkiaku Jeanbrun. Policia ka nisur një hetim.

    Franca është tronditur nga një valë protestash pas vdekjes së Nahel Merzouk, një 17-vjeçari me origjinë algjeriane, i cili u qëllua nga një oficer policie në Nanterre në fillim të javës dhe funerali i të cilit u bë të shtunën në një xhami në Nanterre, mes një pranie të madhe sigurie.

  • Një shtetase e huaj gjobitet në aeroport

    Një shtetase e huaj gjobitet në aeroport

    Një shtetase e huaj është gjobitur mbrëmë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ”Adem Jashari”, pasi ka tentuar të udhëtojë duke prezantuar pasaportën e huaj në emër të një personi tjetër.

    “E dyshuara femër shtetase e huaj, ka tentuar që të udhëtoj nga aeroporti i Prishtinës për në Londër duke prezantuar pasaportën e huaj në emër të një personi tjetër. Pasi që e dyshuara ka bërë shkelje të ligjit për të huaj, të njëjtës i është shqiptuar një gjobë.”, ka bërë të ditur Policia.

    E dyshuara pas përfundimit të rastit ka kërkuar azil.

  • Osmani: Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut shënoi kthesën historike për liri e pavarësi

    Osmani: Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut shënoi kthesën historike për liri e pavarësi

    Presidentja Vjosa Osmani ka uruar 2 korrikun, me ç’rast ka thënë se Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990, e shpallur nga 114 delegatët e Kuvendit të Kosovës ka hapur rrugën për përmbushjen e ëndrrës shekullore për Kosovën Republikë.

    Osmani, siç është bërë e ditur në komunikatë, ka theksuar se Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut është ngjarje emblematike, e cila shënoi kthesën tonë historike për liri dhe pavarësi.

    “Delegatët e asaj kohe i gërshetuan këto të tria, duke vërë gurin themeltar të shtetit të Kosovës, i cili u vulos më 17 shkurt 2008. 2 Korriku mbetet një nga datat më të rëndësishme për shtetin tonë, ngase themelet e tij qëndrojnë mbi vendimin e delegatëve të asaj kohe.”, është shprehur Osmani.

    Sot mbushen 33 vjet që kur delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës kanë miratuar Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut. Në këtë ditë historike, Kosova është shpallur njësi e veçantë, në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave.

  • Opozita kërkon largimin e kryeministrit Kurti, pasi BE-ja konfirmoi sanksionet financiare ndaj Kosovës

    Opozita kërkon largimin e kryeministrit Kurti, pasi BE-ja konfirmoi sanksionet financiare ndaj Kosovës

    Opozita ka kërkuar largimin kryeministrit Kurti, pasi BE-ja bëri të ditur se masat ndaj Kosovës, si përgjigje për mosndërmarrjen e veprimeve për shtensionimin e situatës në veri tashmë kanë hyrë në fuqi.

    Madje siç u bë e ditur, këto masa i janë komunikuar Qeverisë qysh të mërkurën e 28 qershorit, lajm ky që ende nuk është kumtuar nga Qeveria e Kosovës.

    Siç është bërë e ditur është pezulluar përkohësisht puna në organet punuese në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, gjithashtu Kosova nuk do të ftohet në takimet të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen.

    Kosova po ashtu është pezulluar nga programi 7.5 miliardësh të financuar nga Bashkimi Evropian.

    Ndërkohë takimet që s’do të pezullohen janë ato që janë të fokusuara në adresimin e Kosovës në veri të Kosovës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

    Partitë opozitare kanë reaguar një nga një duke kërkuar largimin e kryeministrit Kurti.

    Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar duke potencuar se Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht sesa sot, nën qeverisjen e Albin Kurtit, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Abdixhiku shton se është “koha e fundit për një rrugë të re pa Kurtin dhe politikën e tij të izolimit”.

    “Teksa ne humbasim nga programi 7.5 miliardësh për zhvillim dixhital, shtetet e rajonit ecin me hapa të mëdhenj. Kam takuar në vazhdimësi biznese nga komuniteti i IT-së, punëdhënës të jashtëzakonshëm, me potencial dhe më të madh. Sot, humbasin ata dhe të rinjtë që do të punësonin në vazhdimësi.

    Albin Kurti dhe politika e tij nuk e bën dot Kosovën shtet evropian. Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht se sa sot. Serbia nuk ka pasur kurrë më shumë përkrahje se sa tani. Koha e fundit për një rrugë të re pa Kurtin dhe politikën e tij të izolimit”, shkruan ndër të tjera ai.

    Ndërkaq, nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka thënë se Kosova sot është e përçarë nga brenda dhe e sanksionuar nga aleatët si rezultat i qeverisjes së kryeministrit, Albin Kurti.

    Sipas saj, vlerat monetare të humbura janë më të vogla se dëmi që i është bërë kredibilitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

    “Por, Kosova nuk i takon një njeriu.”, shkroi Çitaku në Facebook.

    E kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, sërish ka kërkuar front të përbashkët kundër Kurtit, duke thënë mocioni për shkarkimin e tij, sot është interes kombëtar.

    Sipas tij, hezitimi për të vepruar në një kohë krizë është bashkëfajësi.

    “Prandaj sot është koha të veprohet dhe të bashkohen të gjithë ata që interes parësor e kanë Kosovën, qofshin në opozitë ose edhe deputetë të shumicës, e ta jetësojnë mocionin për shkarkimin e kësaj Qeverie. Hezitimi për të vepruar në kohë të një krize kaq të thellë e me pasoja të paimagjinueshme për vendin është bashkëfajësi. Mocioni për shkarkimin e Albin Kurtit, sot është interes kombëtar!”, ka shtuar Haradinaj.

    Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar që Kuvendi të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar dhe dakorduar për kursin e veprimeve.

    Shtensionimi i situatës, zgjedhjet e reja dhe rikthimi në dialog janë tri pikat e përmendura nga ndërkombëtarët si kërkesa për Kosovën dhe Serbinë.

    Edhe gjatë ditës së djeshme liderët e BE-së, pas një takimi dyditor kanë bërë thirrje për deeskalim të menjëhershëm të situatës bazuar në tri pikat e propozuara nga Bashkimi Evropian.

  • Aksident i rëndë në Lipjan, vdes shoferi

    Aksident i rëndë në Lipjan, vdes shoferi

    Një person ka mbetur i vdekur pasi u aksidentua me veturën e tij mbrëmë në fshatin Konjuh të Lipjanit.

    Sipas policisë i dyshuari mashkull kosovar derisa ka qenë dukë drejtuar veturën, në rrethana të panjohura është aksidentuar me një veturë të parkuar. Si pasoj i njëjti ka pësuar lëndime trupore.

    Viktima është dërguar për ndihmë mjekësore, por mjeku ka konstatuar se është pa shenja jete.

    Njoftimi i plotë i policisë:

    AKSIDENT TRAFIKU ME FATALITET/Konjuh, Lipjan 01.07.2023-15:20. Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar derisa ka qenë dukë drejtuar veturën, në rrethana të panjohura është aksidentuar me një veturë të parkuar. Si pasoj i njëjti ka pësuar lëndime trupore. Viktima është dërguar në Ambulancën në Lipjan ku mjeku kujdestar ka konstatuar se viktima është pa shenja jete. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës dërgohet në IML për obduksion.

  • Politikani gjerman: Kosova ka bërë gabime serioze, por s’është e mençur të kërcënohet vetëm ajo me sanksione

    Politikani gjerman: Kosova ka bërë gabime serioze, por s’është e mençur të kërcënohet vetëm ajo me sanksione

    Politikani gjerman, Michael Roth, ka thënë se standardet e BE-së dhe SHBA-së sa i përket Ballkanit Perëndimor “kanë rrëshqitur”.

    Roth ka konstatuar se Kosova ka bërë gabime të mëdha, por thotë se gjë e pa mençur të kërcenosh vetëm Kosovën me sanksione, dhe t’i bëhet qortim më i lehtë preisdnetit të Serbisë për provokimet e tij të përhershme dhe që s’po e pengon Dodikun në Bosnje.

    “Standardet e BE-së dhe SHBA-së kanë rrëshqitur në Ballkanin Perëndimor. Kosova ka bërë gabime të rënda. Por është e pa mend që të kërcënohet Kosova me sanksione, dhe të ketë qortim të çalë për presidentin Vucic që lejon Dodikun të vazhdojë në Bosnej”, ka shkruar Roth.

  • Propozimi i Ramës për konferencë ndërkombëtare, Kryeministri Kurti reagon për herë të parë

    Propozimi i Ramës për konferencë ndërkombëtare, Kryeministri Kurti reagon për herë të parë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e cilëson idenë e një konference ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë si një zgjidhje potenciale për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, por thotë se zgjidhja është zbatimi i marrëveshjes së arritur në Bruksel.

    “Ne kemi pasur konferenca ndërkombëtare në të kaluarën dhe tash kemi një marrëveshje bazike, nga 27 shkurti i këtij viti në Bruksel dhe gjithashtu nga 18 marsi në Ohër me aneksin e zbatimit”, tha Kurti, gjatë një vizite në Prizren.

    Ai shtoi se ajo çfarë duhet bërë është që pa kushte të zbatohet ajo marrëveshje bazike në tërësinë e saj dhe në mënyrë të drejtë.

    “Krejt çfarë duhet bërë është që pa kushte të zbatohet ajo marrëveshje bazike në tërësinë e saj dhe në mënyrë fer [të drejtë] e të balancuar. Kjo duhet të bëhet, dhe ne për këtë angazhohemi në Bruksel në takimet që kemi”, shtoi ai.

    Idenë për mbajtjen e një konference ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë e shpalosi më 27 qershor kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Atë ditë, Rama bisedoi në Bruksel më zyrtarë të lartë evropianë, përfshirë presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili mbështeti këtë ide.

    “Mendoj se ka ardhur koha të kemi një qasje globale dhe të bëjmë hapa të qartë drejt normalizimit [të marrëdhënieve Kosovë-Serbi]”, tha Michel më 29 qershor.

    Kosova dhe Serbia janë pajtuar në shkurt të këtij viti në Bruksel për një Marrëveshje bazë për normalizimin e marrëdhënieve. Më pas, në mars në Ohër, ato janë pajtuar edhe për aneksin e zbatimit.

    Por, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë i ka shtuar situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe. Tash e një muaj, banorët lokalë atje kundërshtojnë kryetarët shqiptarë të komunave, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit.

    Protestat e tyre janë përshkallëzuar edhe në përleshje të dhunshme mes demonstruesve serbë dhe ushtarëve të misionit të NATO-s, KFOR. Ka pasur, po ashtu, disa raporte për sulme me granata dore dhe mjete të tjera në atë zonë.

    Kosova dhe Serbia kanë fajësuar njëra-tjetrën për situatën e krijuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar ka hedhur përgjegjësinë kryesisht mbi Kosovën.

    BE-ja, më herët, ka dalë me një plan për uljen e tensioneve, i cili, mes tjerash, përfshin shpalljen e zgjedhjeve të reja në veri dhe tërheqjen e njësisë speciale të policisë së Kosovës nga zona. Plani kërkon, po ashtu, nga Serbia që të sigurojë pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e reja eventuale. Komuniteti serb i ka bojkotuar zgjedhjet e prillit.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur pro mbajtjes së zgjedhjeve të reja, por, siç ka thënë, brenda kornizave ligjore të shtetit.

    Kurti vazhdimisht këmbëngul se “nuk mund të bëjë kompromise me republikën demokratike”./REL

  • BE-ja konfirmon se masat ndaj Kosovës kanë hyrë në fuqi

    BE-ja konfirmon se masat ndaj Kosovës kanë hyrë në fuqi

    Një zëdhënës i Bashkimit Evropian në një përgjigje për Gazetën Express ka konfirmuar se Bashkimi Evropian ka marrë disa masa për Kosovën për shkak të mos marrjes së veprime për de-eskalim të situatës në Veri të Kosovës.

    Siç është konfirmuar, është pezulluar përkohësisht puna në organet punuese në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, gjithashtu Kosova nuk do të ftohet në takimet të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen.

    Ndërkohë takimet që s’do të pezullohen janë ato që janë të fokusuara në adresimin e Kosovës në veri të Kosovës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

    “Kemi pezulluar përkohësisht punën e organeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Kosova gjithashtu nuk do të ftohet në ngjarje të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre të fokusuara në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë ky zëdhënës i BE-së për Gazetën Express.

    Gjithashtu ka konfirmuar se program i fondeve për Kosovën në kuadër të IPA 2024 janë suspenduar. Propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), siç ka konfirmuar ky zëdhënës i BE-së, s’janë dorëzuar fare për shqyrtim në Bordin e WBIF në takimin e mbajtur më 29 dhe 30 qershor.

    “Programimi i fondeve për Kosovën në kuadër të ushtrimit programor IPA 2024 është vënë gjithashtu në pritje. Propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) nuk janë dorëzuar për shqyrtim në Bordin e WBIF më 29-30 qershor”, ka thënë ky zëdhënës.

    Për këto masa BE-ja ka njoftuar institucionet e Republikës së Kosovës më 28 qershor, ka konfirmuar ky zëdhënës i BE-së për Express.

    Hyrjen në fuqi të këtyre masave e ka konfirmuar dje menjëherë Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhiley, kur ka treguar se Kosova s’është përfshirë në ndarjen e një fondi 2.1 miliardë euro që është mirtaur dje nga Bordi Operativ i Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF).

    Ky zëdhënës i BE-së, ka sqaruar se masat e vendosura ndaj Kosovës janë të përkohshme dhe të kthyeshme në varësi të zhvillimeve në terren dhe vendimet për de-eskalim që mund të merren nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    “Këto masa janë të përkohshme dhe plotësisht të kthyeshme në varësi të zhvillimeve në terren dhe vendimeve për deeskalim të marra nga kryeministri Kurti”, kanë thënë nga Brukseli.

    Ndërkohë thuhet se Bashkimi Evropian është duke monitoruar nga afër edhe përmbushjen e kërkesave të Brukselit zyrtar nag Serbia, dhe se janë të gatshëm që të marrin masa nëse s’do të ndodh një gjë e tillë.

    “BE-ja po monitoron gjithashtu nga afër përmbushjen e kërkesave tona nga Serbia dhe është e gatshme të marrë masa në rast të mospërputhjes”.

    Ky zëdhëns i BE-së ka thënë se situata në veri të Kosovës është duke e shqetësuar në mënyrë serioze BE-në, siç është shprehur edhe nga Përfaqësuesi i Lartë Josep Borell më 3 qershor në emër të 27 shteteve anëtare.

    Nga Brukseli zyrtar për Express kanë thënë se s’mund të përballojnë paqëndrueshmëri, tensione dhe dhunë.

    “Ne kemi dënuar dhunën dhe vazhdojmë thirrjet për de-përshkallëzimin e menjëhershëm nga të dyja palët. Përfaqësuesi i Lartë Borell në emër të vendeve anëtare të BE-së ishte shumë e qartë për hapat e pritshëm për de-përshkallëzimin e menjëhershëm”, ka thënë tutje ky zëdhënës i BE-së.

    Bashkimi Evropian pret nga Kosova që të veprojë për de-përshkallëzim dhe të pezullojë operacione policore në afërsi të objekteve komunale në veri të Kosovës, që kryetarët e e komunave duhet të kryejnë përkohësisht detyrat e tyre nga objekte të ndryshme dhe zgjedhjet e parakohshme të shpallen sa më shpejt në katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithpërfshirëse.

    “Kjo do të thotë me pjesëmarrjen e plotë dhe të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës”, ka thënë ky zëdhënës i BE-së.

    Këtu përmendet që është thelbësore që të bëhet zbatimi i shpejt i Marrëveshjes së Ohrit, përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.

    Nga Brukseli thonë se Kosova fatkeqësisht nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm, prandaj Josep Borell siç ka treguar në emër të shteteve anëtare, ka vendosur të zbatojë një sërë masazh.

    “Kosova fatkeqësisht ende nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm. Prandaj BE-ja – siç tregohet në deklaratën e HRVP-së në emër të shteteve anëtare të 3 qershorit – ka vendosur të zbatojë masat ndaj Kosovës”, përfundon ky zëdhënës i BE-së për Express.