ATV

Author: ATVLive

  • Ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB: Sanksione të tilla, të palogjikshme

    Ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB: Sanksione të tilla, të palogjikshme

    Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të vendosura të shtunën, ish- Ambasadori i Shqipërisë në OKB, Agim Nesho i ka vlerësuar të palogjikshme, ndërsa ka theksuar se Evropa “po zgjedh rrugën më të lehtë”.

    “Dëshira e saj në shumë raste vë dhe sanksione të tilla të palogjikshme, se e ka më të lehtë në dy drejtime. Ne jemi dashamirës ndaj perëndimit dhe në shumë raste bëhemi qesharak me pranimin e çështjeve që ata shtrojnë dhe këtu kemi një element për herë të parë Osmanin dhe Kurtin, të cilët kanë dhënë gjoksin dhe nuk pranojnë presione të tilla dhe për çështjen kombëtare është më se e sigurt që duhet të mbash qëndrime të tilla dhe nuk mund të bësh kompromis për çështjen kombëtare”, tha Nesho.

    Propozimin e kryeministri shqiptarë, për mbylljen e liderëve të Kosovës e Serbisë në një konferencë deri në zgjidhjen e situatës, Nesho e konsideron të rrezikshme.

    “Çështja e konferencës nuk ishte nga padituria ose mënyra për të shprehur diçka origjinale gjë që gjithmonë kryeministri shqiptar e ka bërë. Projekti i fundit edhe deklarata e Ramës që të mbyllen në një konferencë është tepër e rrezikshme për t’ju dhënë mundësi serbëve për të ridiskutuar çështjet historike tashmë të mbyllura”, tha Nesho.

    Lidhur me Projektin e propozuar për asociacionin e komunave me shumicë serbe, Nesho thotë se Rama “nuk ka aftësi intelektuale” të jetë i përfshirë në projekte të tilla.

    “Çështja e projektit të asociacionit të paraqitur nga Rama, është thjesht dhënia oksigjen Vuçiqit, i cili kërkon të realizojë projekte të tij, por jo t’i zgjidhi as çështjen e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, as të bëhet pjesë e perëndimit. Çështja e Asociacionit është gozhda që Vuçiqi kërkon për të destabilizuar dhe të mbajtur një konflikt artificial në veri të Kosovës”, tha Nesho.

    Prej 26 majit situata në komunat më veriore të Republikës është tensionuar, ndërsa gjatë kësaj kohe kemi parë një rol shumë aktiv të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në zgjidhjen e kësaj situate, ndërsa ka pasur mospajtime të hapura me kryeministrin Albin Kurti. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Masat e përkohshme, të padrejta sipas Kurtit

    Masat e përkohshme, të padrejta sipas Kurtit

    Masat që BE-ja, I vendosi karshi Kosovës, Kryeministri I Kosovës Albin Kurti I ka konsideruar të pa drejta.

    Kurti, ka thënë se do të vazhdojnë më zbatimin e programit qeveritar dhe se shpresojnë se këto masa të përkohshme do të jenë shumë të shkurtra.

    “Këto nuk janë sanksione, por është e vërtetë se janë masa të përkohshme, por të padrejta, për shkak se Kosova dhe Qeveria saj janë edhe shteti dhe ekzekutivi më demokratik, më pro-evropian, progresist. Në anën tjetër kemi një përballje të vazhdueshme me format e ndryshme të agresionit të Serbisë që është shtet edhe autokratik, pro Rusisë, i pa ballafaquar me të kaluarën kriminale në hapësirën e ish Jugosllavisë ku i shkaktuan katër luftëra. Sido që të jetë, ne e bëjmë punën tonë, por le të mos harrojmë se nuk mundemi të bëjmë kompromis as me sundimin e ligjit, as me kushtutshmerinë në e vendin tonë. Andaj, ne do të vazhdojmë më zbatimin e programit tonë qeveritar dhe shpresojmë se këto masa të përkohshme do të jenë shumë të shkurtra, ashtu që edhe mbështetja, ndihma evropiane të jetë e plotë, mbase edhe të rritet për shkak se Kosova është një vend që ka nevojë për mbështetje në zhvillimin e saj”, tha Kurti.

    Derisa Kurti ka vlerësuar se Kosova është e gatshme dhe e interesuar më shumë se Serbia për normalizim me njohje de-facto në qendër, ndër masat e BE-së është edhe ajo që përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare.

    Masë tjetër ndëshkimore pritet të përfshihet edhe puna e përbashkët e grupeve që ekzistojnë mes Kosovës dhe BE-së, e të cilat janë krijuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).

    Për këto masa kanë reaguar edhe krerët të partive opozitare në Kosovë.

    Kryetari I Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se Kryeministri Albin Kurti po e izolon Kosovën nga jashtë, duke i sjellë edhe sanksione nga aleatët kryesorë, dhe po e vështirëson mirëqenien dhe jetën e qytetarëve.

    Në anën tjetër edhe I pari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova me këtë kryeministër po hyn në një rrugë pa krye, para pak ditësh kërkova mocion për shkarkimin e Albin Kurtit.

    Këto masa ndaj Kosovës, sipas kryetarit të LDK-së janë avancim për Serbinë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Vdes ish-presidenti i Serbisë, ishte akuzuar për krime lufte në Kosovë

    Vdes ish-presidenti i Serbisë, ishte akuzuar për krime lufte në Kosovë

    Ish-presidenti i Serbisë, Milan Milutinoviq, ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare. Ai ishte president i Serbisë nga dhjetori 1997 deri në dhjetor 2002, shkruan Danas, transmeton Paparaci.

    Krahas atij posti, ai ishte Sekretar për Arsimin dhe Shkencën e Serbisë, ambasador Jugosllav në Greqi dhe ministër i Punëve të Jashtme të Jugosllavisë.

    Pas përfundimit të mandatit të tij presidencial në Serbi, në dhjetor 2002, ai u dorëzua në Tribunalin e Hagës, ku u akuzua për krime lufte gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    Ai u lirua më 26 shkurt 2009 dhe u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat. Milutinoviq ishte në proces gjyqësor në Hagë së bashkë me pesë persona të tjerë, të akuzuar për krime lufte gjatë shtypjes barbare serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë në fund të viteve 1990.

    Prokurorët e akuzonin atë për bashkëpunim me ish-presidentin e Jugosllavisë, Slobodan Miloshevq, për ta mbajtur Kosovën nën kontrollin serb duke larguar me forcë mijëra shqiptarë.

  • Gazmend Muhaxheri rizgjidhet kryetar i Degës së LDK-së në Pejë

    Gazmend Muhaxheri rizgjidhet kryetar i Degës së LDK-së në Pejë

    Gazmend Muhaxheri është rizgjedhur kryetar i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Pejë.

    Muhaxheri ka falënderuar anëtarët e LDK-së për besimin e dhënë, ndërsa u zotua se do të jap maksimumin për të mbështetur aspiratat dhe nevojat e qytetarëve, transmeton Telegrafi.

    “Sot, në Kuvendin e X-të zgjedhor të degës sonë, jam rikonfirmuar Kryetar i Degës së LDK-së në Pejë. Kuvendi e zgjodhi edhe kryesinë e re dhe 32 delegatët që do ta përfaqësojnë degën e Pejës në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së. Është një nder i madh për mua të vazhdoj të jem në krye të degës në Pejë. Dua të falënderoj çdo anëtar të LDK-së në Pejë që kanë shprehur besimin e tyre në mua dhe më kanë dhënë mundësinë të udhëheqi me këtë degë. Do të vazhdoj ta jap maksimumin tim për të mbështetur aspiratat dhe nevojat e qytetarëve tonë”, ka thënë ai.

    Tutje, ai ka falënderuar edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    “Njëherazi, dua të shpreh një falenderim të veçantë për kryetarin tonë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për besimin dhe mbështetjen e tij të pakursyer gjatë kësaj faze zgjedhore. Lumiri padyshim është një udhëheqës i shquar dhe një burim frymëzimi për të gjithë ne. Ju ftoj që të merrni pjesë aktivisht në debatet dhe diskutimet tona dhe të na sugjeroni për nismat dhe idetë tuaja. Fuqia dhe zëri i secilit prej jush janë thelbësore për suksesin tonë kolektiv. Edhe njëherë – faleminderit për mbështetjen tuaj në rrugën tonë drejt përparimit”.

  • Schneeberger: ShBA-ja e BE-ja po i bëjnë presion Kosovës për t’ia dhënë Vuçiqit Asociacionin, BE-ja t’i tërheq masat

    Schneeberger: ShBA-ja e BE-ja po i bëjnë presion Kosovës për t’ia dhënë Vuçiqit Asociacionin, BE-ja t’i tërheq masat

    Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger, ka thënë se një rezultat i zgjedhjeve duhet të njihet dhe zbatohet, edhe nëse ato bojkotohen, siç ka ndodhur në veri të vendit.

    Ajo në një intervistë për Klankosova tha se kërkesa e ShBA-së dhe BE-së që kryetarët në veri të punojnë në një vend alternativ e jo në zyrat e tyre është e pakuptimë.

    “Me këtë pozicionim të paqartë – së pari mbështetje, pastaj asnjë mbështetje për zgjdhjet – ata kanë mbështetur bojkotin e udhëhequr nga Vuçiqi. Mbështetja e këtij cirku nga ShBA-ja dhe BE-ja është një gabim i madh dhe është një faktor vendimtar për destabilizimin e situatës”.

    “Këtu ka diçka seriozisht që nuk shkon. SHBA-ja dhe BE-ja duhet të largohen nga rruga anti-demokratike e javëve të fundit dhe të mbështesin demokracinë dhe shtetin e së drejtës, jo autokracinë dhe përshkallëzimin”, tha ajo.

    Më tej, ajo foli edhe për masat e vendosura nga Bashkimi Evropian më 28 qershor, për të cilat tha se “duhet të tërhiqen menjëherë” dhe se janë “kundërproduktive”, ndërsa kryediplomatin evropian, Josep Borrell dhe emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, Schneeberger i quan si të anshëm për Serbinë.

    “Edhe Borrell edhe Lajçak nuk janë persona të pavarur për këtë çështje. Ata janë qartazi në anën e Vuçiqit, jo vetëm sepse vijnë nga vende që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Persona të tillë të njëanshëm nuk janë të përshtatshëm për të ndërmjetësuar në një konflikt. Ekziston një nevojë urgjente për njerëz të tjerë që janë të pavarur, mund të arrijnë zgjidhje të qëndrueshme dhe të kenë guximin për të ndërmarrë hapat e nevojshëm”, tha Schneeberger.

    Sipas Schneeberger, arsyeja se pse Kosovës po i bëhet presion i madh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian është themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

    “ShBA-ja dhe BE-ja po bëjnë presion të madh mbi Kosovën për t’i dhënë Vuçiqit atë që dëshiron – Asociacionin e tij. ShBA-ja dhe BE-ja nuk po ndihmojnë për të de-përshkallëzuar situatën, por po e përkeqësojnë atë. Ata po braktisin partnerin demokratik dhe po mbështesin agresorin”, tha ajo.

    Më poshtë mund ta gjeni intervistën e plotë:

    Klan Kosova: Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështetën mbajtjen e zgjedhjeve në veri dhe njohën rezultatet e zgjedhjeve. Por ata (ShBA-ja dhe BE-ja) thonë se kryetarët e komunave nuk duhet të punojnë në zyrat e tyre. Si e shihni këtë?

    Schneeberger: Është shumë e qartë se zgjedhjet e reja mbahen kur një përfaqësi politike nuk është më në gjendje të veprojë për shkak se të zgjedhurit e saj kanë dhënë dorëheqjen. Një rezultat zgjedhor duhet të njihet dhe zbatohet, edhe nëse zgjedhjet bojkotohen. Në fund të fundit, në një vend demokratik, të gjithë kanë të drejtë të votojnë, por edhe të mos votojnë. E njëjta gjë vlen edhe për kandidimin për zgjedhje.

    Pse më pas SHBA dhe BE nuk i lënë mandatarët e zgjedhur të punojnë në tavolinat e tyre, nuk e kuptoj. Me këtë pozicionim të paqartë – së pari mbështetje, pastaj asnjë mbështetje për zgjedhjet – ata kanë mbështetur bojkotin e udhëhequr nga Vuçiq. Nuk është e pranueshme që politikanët nga jashtë të vendosin se kush zgjidhet në një vend dhe përfaqëson interesat e qytetarëve.

    Ju lutem mos harroni se edhe kandidatët serbë kanë garuar në zgjedhje dhe janë zgjedhur. Problemi për Vuçiqin, megjithatë, është se ata nuk i përkasin listës që ai kontrollon. Mbështetja e këtij cirku nga SHBA dhe BE është një gabim i madh dhe është një faktor vendimtar për destabilizimin e situatës.

    Klan Kosova: Shkuarja e kryetarëve të komunave në veri në zyrat e tyre, të rrethuar nga forcat policore, u prit me protesta dhe dhunë nga serbët atje. Si e shihni situatën, a është e drejtë të bëhet presion ndaj qeverisë pas tensioneve atje?

    Schneeberger: Deri më tani, nga ana e shtetit kosovar kam parë vetëm veprime normale për një shtet demokratik. Ashtu siç do të ndodhte në çdo shtet tjetër demokratik funksional. Pas zgjedhjeve, politikanët e zgjedhur fillojnë punën e tyre në ambientet e caktuara për ta. Ekzekutivi siguron këtë proces dhe vepron kur është e nevojshme për të parandaluar ose ndaluar veprimet përçarëse.

    Është absurde që shtetet dhe institucionet që e konsiderojnë demokracinë si vlerën e tyre më të rëndësishme, të mos lejohen ta bëjnë këtë. Është absurde që shtetet dhe institucionet që e konsiderojnë demokracinë si vlerën e tyre më të rëndësishme, të minojnë pikërisht këtë dhe në këmbim të forcojnë armiqtë e demokracisë që e bojkotojnë dhe e prishin atë dhe i mbështesin ata në përshkallëzimin e situatës.

    Këtu ka diçka seriozisht që nuk shkon. ShBA-ja dhe BE-ja duhet të largohen nga rruga anti -demokratike e javëve të fundit dhe të mbështesin demokracinë dhe shtetin e së drejtës, jo autokracinë dhe përshkallëzimin.

    Klan Kosova: Pse mendoni se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i bëjnë presion Qeverisë së Kosovës e jo Qeverisë së Serbisë pasi që dihet se protestuesit serbë kanë plagosur tre ushtarë të KFOR-it me plumba dhe u lënduan 30 gjithsej, u sulmuan edhe Policia e Kosovës dhe gazetarët. Serbia madje e ngriti nivelin e ushtrisë në gjendjen më të lartë të gatishmërisë! A është Kosova vendi ndaj të cilit Bashkimi Evropian duhet të vendosë sanksione si shkaktar i dhunës në veri?

    Schneeberger: ShBA-ja dhe BE-ja kanë frikë se një zonë tjetër lufte do të shfaqet në Ballkan. Ata duan ta parandalojnë këtë me çdo mënyrë. Megjithatë, ata po përdorin të njëjtat masa të gabuara si me Putinin, pra qetësimin e agresorit. Ata duket se nuk kanë mësuar asgjë nga e kaluara. Politika e zbutjes ka çuar në të kundërtën, ka përshkallëzuar situatën dhe tani jemi dëshmitarë të një lufte mizore agresioni kundër Ukrainës.

    Dhe tashmë po shohim që politika e zbutjes ndaj Vuçiqit nuk po funksionon. Vuçiq po i lejon vetes gjithnjë e më shumë sepse e ka kuptuar se asgjë nuk do t’i ndodhë nëse ai ndërmerr hapa agresivë kundër Kosovës. Krejt e kundërta.

    ShBA-ja dhe BE-ja po bëjnë presion të madh mbi Kosovën për t’i dhënë Vuçiqit atë që dëshiron – Asociacionin e tij. ShBA-ja dhe BE-ja nuk po ndihmojnë për të de-përshkallëzuar situatën, por po e përkeqësojnë atë. Ata po braktisin partnerin demokratik dhe po mbështesin agresorin.

    Masat e BE-së kundër Kosovës janë turp dhe krejtësisht kundërproduktive. Ndërkohë që Vuçiq vazhdon të financohet, fondet e Kosovës janë shkurtuar dhe Kosova sërish është e përjashtuar dhe e izoluar. Këto masa duhet të tërhiqen menjëherë.

    Klan Kosova: Si i shihni qëndrimet e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe të Dërguarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ndaj dy palëve të përfshira?

    Schneeberger: Edhe Borrell edhe Lajçak nuk janë persona të pavarur për këtë çështje. Ata janë qartazi në anën e Vuçiqit, jo vetëm sepse vijnë nga vende që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Persona të tillë të njëanshëm nuk janë të përshtatshëm për të ndërmjetësuar në një konflikt. Ekziston një nevojë urgjente për njerëz të tjerë që janë të pavarur, mund të arrijnë zgjidhje të qëndrueshme dhe të kenë guximin për të ndërmarrë hapat e nevojshëm.

    Klan Kosova: Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka dhënë shumë rezultate kohëve të fundit. Serbia ka refuzuar të nënshkruajë dhe zbatojë marrëveshjet e arritura me Kosovën. Borrell dhe Lajçak kanë paralajmëruar sanksione për çdo palë që refuzon ta bëjë këtë. Pse nuk është bërë asgjë kundër Serbisë?

    Schneeberger: Le ta shohim nga ana e Serbisë. Pse duhet të zbatojnë diçka? Cilat janë pasojat nëse nuk zbatojnë asgjë? Tashmë me njoftimin e gëzueshëm se “Ne kemi një marrëveshje” ishte e qartë se kjo marrëveshje nuk kishte asnjë shans për t’u zbatuar.

    1. nuk është nënshkruar. Prandaj, Vuçiq nuk ndihet i detyruar të zbatojë asgjë.
    2. Kosova duhet të japë së pari diçka, para se Serbia të dorëzojë ndonjë gjë thelbësore.

    Kushtet perfekte për të marrë gjithçka që dëshironi pa pasur nevojë të dorëzoni asgjë më pas. Një marrëveshje e përkryer për Vuçiqin. Ai mund të ulet duarkryq dhe të shikojë sesi BE-ja i bën presion Kosovës për të zbatuar pikën e parë të marrëveshjes.

    Klan Kosova: Ju e keni kërkuar dorëheqjen e Borrellit, Lajçakut dhe Koopmanit nga pozitat e tyre. Pse?

    Schneeberger: Ata janë njerëzit e gabuar në pozicionet e tyre. Ata janë të njëanshëm dhe veprojnë gabim. Në vend që të de-përshkallëzojnë situatën dhe të mbështesin një zgjidhje të qëndrueshme, ata po e ndihmojnë Vuçiqin për të de-përshkallëzuar situatën. Ata veprojnë në afat të shkurtër dhe duan të qëndrojnë në zonën e tyre të rehatisë. Vetëm pa trazira. Thjesht pa punë. Pa asnjë përpjekje. Dhe thjesht mos e mërzit Vuçiqin dhe mos e vendos atë në disavantazh. Ky është qëndrimi i gabuar. Ne kemi nevojë për njerëz që janë të guximshëm dhe që janë të gatshëm dhe të aftë për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme.

    Klan Kosova: Dhe, pyetja e fundit, cila është rruga për të dalë nga kjo situatë sipas jush?

    Schneeberger: Ne kemi nevojë për njerëzit e duhur për të mbështetur procesin e normalizimit. Ata duhet të jenë të guximshëm, të arsyeshëm, të pavarur dhe të kenë në mendje një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme, jo një luftë afatshkurtër kundër simptomave. Shkaqet e konfliktit duhet të adresohen dhe zgjidhen.

    Për Vuçiqin nevojiten limite të qarta dhe jo sanksione për zbatimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit. Hapat drejt demokracisë dhe sundimit të ligjit duhet të shpërblehen, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. Të gjitha hapat drejt çmontimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, ruajtjes dhe forcimit të strukturave autokratike, promovimit të korrupsionit dhe kriminalitetit duhet të ndalen, nëse është e nevojshme me sanksione.

    Në bisedat e mia me njerëzit – veçanërisht në veri të Kosovës – kam dëgjuar për shumë iniciativa dhe ide që mbështesin procesin e normalizimit në nivel lokal. Një shkurtim i financimit të BE-së shkatërron këto iniciativa kaq të rëndësishme. Këto masa të pakuptimta, kundërproduktive të BE-së duhet të tërhiqen menjëherë. Ata shkatërrojnë gjithçka për të cilën tashmë është punuar dhe ndërtuar me mund.

    Unë kam themeluar një shoqatë në Austri të quajtur “Kosovo goes Europe” për të mbështetur rrugën e Kosovës drejt BE-së. Përveç njohjes nga 5 vendet e mbetura të BE-së, kjo natyrisht përfshin edhe mbështetjen për procesin e normalizimit. Në këtë fushë janë duke u planifikuar disa projekte. Jemi në shkëmbim të ngushtë me shoqërinë civile dhe politikën lokale në Kosovë. Në punën tonë ne mund të përdorim mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së dhe jo sanksionet penguese.

  • Eurodeputeti holandez godet Brukselin: Vuçiq, një politikan autokrat

    Eurodeputeti holandez godet Brukselin: Vuçiq, një politikan autokrat

    Në Parlamentin Europian po shtohen deputetët që kritikojnë qasjen e Miroslav Lajçak ndaj Kosovës.

    Përfaqësuesi i Bashkimit Europian për dialogun akuzohet se po favorizon Serbinë në krizën e fundit, ndërsa po bën përgjegjëse vetëm Prishtinën.

    Fakti që ai vjen nga një shteti si Sllovakia, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, po ngrihet gjithashtu si shqetësim.

    Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, nga partia laburiste, tha në një intervistë për Euronews Albania se BE nuk është duke reaguar në mënyrë e duhur ndaj qëndrimit autokrat të presidentit Aleksandër Vuçiç në lidhje me Kosovën prej 10 vjetësh.

    Sipas tij, Vuçiç është një politikan autokrat dhe këtë e ka dëshmuar jo vetëm me qasjen ndaj Kosovës, por edhe me politikën që ndjek brenda vendit të vet, që siç tha është demokraci vetëm në letër.

    “Kemi qenë shumë kritikë ndaj qasjes së përgjithshme të BE dhe Lajçak, ajo që BE nuk po arrin të bëjë është të shikojë çfarë ndodhi në fund të majit në Veri. Po merremi për më shumë se një dekadë me një president autokrat në Serbi që është duke luajtur me ndërkombëtarët. BE nuk është duke reaguar në mënyrën e duhur ndaj këtij qëndrimi”, tha eurodeputeti.

  • Përfundon programi me nxënësit në dy kazerma, ministria: Fituan shkathtësitë e sigurisë dhe mbrojtjes

    Përfundon programi me nxënësit në dy kazerma, ministria: Fituan shkathtësitë e sigurisë dhe mbrojtjes

    Në kuadër të programit “Edukim për Siguri” në kazermën “Newborn” në Gjilan dhe kazermën në Gjakovë, janë zhvilluar ligjëratat dhe është realizuar pjesa praktike me nxënësit e klasëve të 11-ta.

    Ministria e Mbrojtjes njofton se me përfundimin e këtij programi intensiv nxënësit kanë fituar shkathtësitë e nevojshme sa i përket sigurisë dhe mbrojtjes, “njohuri që do u shërbejnë gjatë gjithë jetës”.

  • Nesho: Ideja e Ramës për konferencën ndërkombëtare është e rrezikshme

    Nesho: Ideja e Ramës për konferencën ndërkombëtare është e rrezikshme

    Ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB, Agim Nesho, krition ashpër kryeministrin Edi Rama në lidhje me idenë e një konference ndërkombëtare për Kosovën, duke thënë se është shumë e rrezikshme pasi iu jep serbëve mundësinë për të diskutuar çështjet historike tashmë të mbyllura më 1999 dhe 2008.

    Në një intervistë për KosovaPress, Nesho thotë se Rama nuk duhet të kishte propozuar as draft për Asociacionin ndërsa komenton edhe masat ndëshkuese ndaj Kosoves të vëna nga Bashkimi Evropian.

    Prej 26 majit situata në komunat më veriore të Republikës është tensionuar, ndërsa gjatë kësaj kohe kemi parë një rol shumë aktiv të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në zgjidhjen e kësaj situate.

    Fillimisht, ai propozoi një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe e më pas propozoi mbylljen e liderëve në një konferencë deri në zgjidhjen e situatës.

    Nesho, që shërbeu në OKB në vitet kur po ndodhnin ndryshimet historike në Kosovë 1997-2006, thotë se Rama “nuk ka aftësi intelektuale” të jetë i përfshirë në projekte të tilla dhe se me këto ide nuk po i shërben interesit kombëtar.

    Ambasadori shqiptar thotë se Asociacioni është thjesht një tjetër mjet i presidentit serb Aleksandër Vuçiq për të mbajtur një konflikt artificial në veri të Kosovës.

    Ideja tjetër e kryeministrit Edi Rama për një koferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë, për ambasadorin Nesho është e papranueshme. Sipas tij, këto janë ide që i shërbejnë vetëm projekteve serbo-ruse për ndryshime të reja gjeopolitike në Ballkan.

    Nesho deklaron për KosovaPress se presidenti serb Vuçiq dëshiron që të mbajë në pafundësi situatën nën tension në veri me shpresën që një ditë edhe çështja e Rusisë të rikthehet dhe të bëhen ndryshimet gjeopolitike që ëndërron.

    Nesho flet edhe për masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, duke thënë se janë të palogjikshme por Evropa “po zgjedh rrugën më të lehtë”.

    Ai thotë se Perëndimi nuk është mësuar t’i thonë jo asnjëherë dhe shpesh shqiptarët kanë qenë qesharakë.

    Ambasadori shqiptar deklaron se është e paimagjinueshme që Kosova të dalë kundër interesave të saj pas çdo kërkese nga ndërkombëtarët. Sipas tij, shqiptarët duhet të jenë unik për t’i treguar botës së provokimet vijnë nga Serbia.

    Nesho thekson se liderët e Kosovës e kanë dëshmuar që qëndrojnë besnik parimeve por nuk duhet të këmbëngulin në pafundësi. Sipas tij, Kurti mund të tregohet më elastik në disa kërkesa, siç është që kryetarët e Komunave të mos shkojnë në objektet e Kuvendeve Komunale.

    Së fundmi, një pjesë e opinonit publik në Kosovë si dhe disa eurodeputetë në Parlamentin Evropian kanë adresuar kritika ndaj përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak për njënshmëri duke i mbajtur anën Serbisë.

    Nesho, me një gjuhë diplomatike, thotë se kritikat e eurodeputetëve “tregojnë që diçka nuk shkon”, mirëpo thotë se më shqetësuese është fakti se disa shtete evropaine i besojnë shumë ish-ministrit të Millosheviqit, Aleksandër Vuçiq.

    Ndryshe, tensionet në veri të Kosovës kanë filluar më 26 maj, kur kryetarët e zgjedhur në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq kanë shkuar në objektet komunale, të asistuar nga Policia e Kosovës. Situata ka eskaluar më datën 29 maj, kur grupet kriminale kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, ku rreth tridhjetë prej tyre kanë mbetur të lënduar ndërsa në vazhdimësi janë sulmuar edhe gazetarët e kameramanët shqiptarë.

    Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit Kurti, lidhur me situatën në veri: Shtensionimin e situatës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ndërsa, Kurti ka paraqitur pesë pika për situatën në veri, ku fokus sipas tij, duhet të jetë sundimi i ligjit në katër komunat veriore.

  • Sanksionet e BE-së: Si u panë nga ndërkombëtarët e partitë opozitare dhe kritikat ndaj Qeverisë

    Sanksionet e BE-së: Si u panë nga ndërkombëtarët e partitë opozitare dhe kritikat ndaj Qeverisë

    Bashkimi Evropian ka vendosur disa masa ndaj Kosovës, për shkak se ka konsideruar se nuk janë ndërmarrë veprime për shtensionim të situatës në veri të vendit.

    Është thënë se është pezulluar përkohësisht puna në organet punuese në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, dhe po ashtu Kosova nuk do të ftohet në takimet të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre që kanë në fokus adresimin e tensioneve në veri.

    Madje nga BE-ja kanë deklaruar se për këto masa Qeveria e Kosovës ishte njoftuar më 28 qershor, dhe se të njëjtat mund të tërhiqen mbrapa varësisht nga zhvillimet dhe vendimet e kryeministrit Albin Kurti.

    E pas këtij vendimi të BE-së, kanë ardhur reagime të shumta si nga politikanët vendor por edhe ata të huaj. Për paralajmërimet e BE-së për vendosjen e këtyre masave, ka folur edhe kryeministri Albin Kurti.

    Kurti gjatë mbledhjes së qeverisë ditë më parë, tha se Bashkimi Evropian tek Kosova e gjen aleatin më të sinqertë e më të qëndrueshëm.

    Ai po ashtu theksoi se me raste kanë qenë kritikë ndaj BE-së, por asnjëherë cinikë e të hidhëruar.

    “Komisioni Evropian ka prezantuar dje para Parlamentit Evropian një listë të masave kundër Kosovës. Bashkimi Evropian tek Kosova e gjen partnerin e saj dhe aleatin më të sinqertë dhe të qëndrueshëm në rajon të vlerave evropiane, parimeve demokratike dhe interesave afatgjate. Kosova të tillë e ka qeverinë, të tillë e ka popullin. Me raste kemi qenë kritikë ndaj BE-së por asnjëherë cinike e të hidhëruar. E nuk jemi as sot. Vitin e kaluar dorëzuam aplikimin tonë për anëtarësim e atë e bëmë duke besuar se meritojmë që në një të ardhme të parashikueshme të jemi pjesë e këtij unioni”, ka thënë Kurti.

    Reagime ka pasur edhe nga opozita në Kosovë, të cilët kanë kritikuar kryeministrin Kurti për qasjen e tij ndaj BE-së dhe SHBA-së.

    Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se nuk janë shumë të rëndësishme vlerat e humbura nga sanksionimi sa është i madh dëmi që i është bërë Kosovës në raport me ndërkombëtarët.

    Përmes një postimi në Facebook, Çitaku ka thënë se

    “Kosova sot është e përçarë nga brenda, dhe e sanksionuar nga aleatët. Ky është rezultati i qeverisjes së Albin Kurtit. Vlerat monetare të humbura nga ky sanksionim janë pakrahasimisht më të vogla se dëmi që i është bërë kredibilitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar ajo.

    “Unë e di që Kurtit nuk i bëhet vonë as për MSA e as për IPA. Tek e fundit ai dhe VV nuk kanë votuar për ratifikimin e MSA në Kuvend. Por, Kosova nuk i takon një njeriu”, ka shkruar Çitaku.

    Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar duke thënë se Albin Kurti dhe politika e tij nuk e bën dot Kosovën shtet evropian.

    Abdixhiku ka shkruar në Facebook se Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht se sa sot, derisa ka shtuar se Serbia nuk ka pasur kurrë më shumë përkrahje se sa tani.

    “Pezullim i fondeve të BE-së; Pezullim i MSA-së, Pezullim i takimeve të nivelit të lartë, Pezullim i vizitave bilaterale. Sanksione Kosovës, avancim për Serbinë. Si qenka kjo fitore për ne? Teksa ne përjashtohemi nga programet ushtarake me NATO-n; Serbia vazhdon misionet paqeruajtëse me ta”, ka shkruar Abdixhiku.

    Ai thotë se “Albin Kurti dhe politika e tij nuk e bën dot Kosovën shtet evropian. Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht se sa sot. Serbia nuk ka pasur kurrë më shumë përkrahje se sa tani. Koha e fundit për një rrugë të re pa Kurtin dhe politikën e tij të izolimit”, ka shkruar Abdixhiku.

    Në anën tjetër, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se masat e BE-së ndaj Kosovës dhe paralajmërimet e ShBA-së, e dëshmojnë se sa e rrezikshme është gjendja.

    “I vetëdijshëm se Kosova me këtë kryeministër po hyn në një rrugë pa krye, para pak ditësh kërkova mocion për shkarkimin e Albin Kurtit”, ka shkruar Haradinaj.

    Më tej ai ka thënë se “sanksionet e BE-së ndaj Kosovës dhe paralajmërimet e SHBA-së se Qeveria e Kosovës është në rrugë të gabuar, e dëshmojnë se sa e rrezikshme dhe e pashpresë është gjendja, e cila fatkeqësisht do të shkojë duke u përkeqësuar gjithnjë e më shumë”.

    E kritikë ndaj BE-së, për qasjen ndaj Kosovës kanë pasur gazetari gjerman Michael Martens, dhe eurodeputeti gjerman Reinhard Butikofer.

    Ata kanë hedhur dyshime në kredibilitetin e përfaqësuesit të Lartë të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, derisa e kanë quajtur absurde vendimin e BE-së për vendosjen e sanksioneve ndaj Kosovës, por jo edhe ndaj presidentit serb, shkruan telegrafi.

    Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

    Serbët kundërshtuan këtë dhe që atëherë po zhvillojnë protesta duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të njësive speciale policore.

    Bashkësia ndërkombëtare i ka paraqitur Kurtit tri kërkesa kryesore: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

    Ndërkaq, nga Beogradi është kërkuar që të sigurojë që serbët të marrin pjesë pa kushte në zgjedhjet eventuale lokale.

    Kurti ka paraqitur një plan prej pesë pikash që parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por për mbajtjen e tyre, ai ka thënë se nevojitet shtet ligjor.

  • Azemi: Mbi 80% e kompanive kanë mungesë të punëtorëve

    Azemi: Mbi 80% e kompanive kanë mungesë të punëtorëve

    Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka thënë për Ekonomia Online se mbi 80% e kompanive kanë mungesë të punëtorëve.

    Azemi theksoi se nga 2021, mbi 100 000 punëtorë kanë ikur nga Kosova. Gjithashtu ai tha se deri në fund të vitit do ketë “qetësim” të ikjeve pasi të rinjtë do presin liberalizimin për t’u kursyer nga shpenzimet e aplikimeve për viza nëpër ambasada.

    Kjo ikje sipas tij, më së shumti po prek bizneset duke u shprehur në veçanti i shqetësuar për numrin në rënie të punëtorëve të kualifikuar.

    “Kompanitë e mëdha po edhe të vogla sot kanë problem; mbi 80% e kompanive kanë mungesë të punëtorëve. Po flasim për punëtorë të profileve të ndryshme sepse punëtorë krahu edhe sot gjenden, ndonëse jo në një numër të dëshirueshëm. Por numri i punëtorëve të kualifikuar është në rënie e sipër në Kosovë”.

    Kryesindikalisti i sektorit privat tha se paga minimale për këtë vit duhet të jetë 450 euro ndërsa për vitin tjetër 500.

    Madje sipas tij, paga në sektorin privat janë rritur, por jo edhe për punëtorët që kryejnë shërbime në institucionet publike, e që punojnë për kompani private.

    “Realisht ka rritje të pagave në sektorin privat aty ku nuk ka prekje shteti. Ju e dini që një pjesë bukur e madhe e punëtorëve të sektorit privat kryejnë shërbime nëpër institucionet shtetërore dhe aty ku ne kryejmë shërbime nëpër institucione shtetërore pagat janë pothuajse mizerje, kemi pagën diku prej 170 euro dhe deri diku mesatarisht 300 euro”.

    “Faktikisht janë pagat më të mëdha, aty ku nuk ka prekje shteti janë sidomos në ndërtimtari, paga në të cilat ndonëse kemi lëvizje pozitive por megjithatë nuk është as për së afërmi ajo e dëshirueshmja”, tha ai.

    Azemi shprehet i zhgënjyer me mos përkrahjen nga institucionet duke thënë se janë të neglizhuar, raporton EO.

    “Realisht domethënë punëtorët e sektorit privat të Kosovës kanë qenë dhe janë në një stuhi për të cilën po themi askush nuk merret me këtë çështje. Me neve merren vetëm atëherë kur vijnë ditët e zgjedhjeve për të cilat mendoj se tashmë punëtorët e sektorit privat të Kosovës janë të ngopur me proklamimet, janë të ngopur me deklaratat se ne do të bëjmë këtë ose atë”.