ATV

Author: ATVLive

  • Liderët e BE-së kërkojnë shtensionim në Kosovë, ndryshe do të ketë pasoja

    Liderët e BE-së kërkojnë shtensionim në Kosovë, ndryshe do të ketë pasoja

    Udhëheqësit e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian në samitin që u mbajt në Bruksel, të premten kërkuan shtensionim të menjëhershëm të situatës në Kosovë dhe paralajmëruan “pasoja negative” nëse nuk bëhet një gjë e tillë.

    Në konkluzionet e miratuara në fund të samitit dyditor në Bruksel, një version të të cilit Radio Evropa e Lirë e kishte parë më herët, liderët përsëritën “përkushtimin e tyre të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin në BE”.

    Më tej u ritheksua “mbështetja për përshpejtimin e procesit të pranimit të bazuar në merita dhe reforma përkatëse”.

    Një paragraf i veçantë i konkluzioneve u kushtohet tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe në samit raporti iu dorëzua liderëve të BE-së nga shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

    “Këshilli Evropian dënon incidentet e fundit të dhunshme në veri të Kosovës dhe bën thirrje për një shtensionim të menjëhershëm të situatës, bazuar në elementet kyçe që Bashkimi Evropian i ka theksuar tashmë më 3 qershor 2023. Palët duhet të krijojnë kushte për zgjedhjet e parakohshme në të katër komunat e veriut të Kosovës. Dështimi i shtensionimit të tensioneve do të ketë pasoja negative”, theksuan liderët në konkluzionet e miratuara.

    Ata theksuan se është thelbësor vazhdimi i dialogut me ndërmjetësimin e BE-së dhe zbatimi i shpejtë i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe Aneksit të saj.

    Në konkluzione, shtohet se këtu përfshihet edhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    Edhe pse konkluzionet u përgatitën me kohë dhe nuk u kontestua përmbajtja e tyre, miratimi ishte i pasigurt deri në momentin e fundit, sepse ishte një paketë konkluzionesh me të gjitha temat që ishin në rend dite gjatë dy ditëve sa u zhvillua samiti.

  • Qytetarët e fajësojnë BE-në për sanksionet e mundshme ndaj Kosovës: Po ia mban anën Serbisë

    Qytetarët e fajësojnë BE-në për sanksionet e mundshme ndaj Kosovës: Po ia mban anën Serbisë

    Qytetarët janë shprehur të shqetësuar me mundësinë që Kosovës t’i vendosen sanksione nga Bashkimi Evropian, ndërkaq fajësojnë BE-në se po i mban anën Serbisë, raporton EO.

    Ndër veprimet që janë përmendur pezullimi i programit të fondeve për Kosovën, pezullimi i mbështetjes së vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimin e kontratave, pezullimin e pjesëmarrjes në ngjarjet e nivelit të lartë, e kështu më radhë.

    Por qytetari Hasan Syla, konsideron se BE-ja po i mban krahun të fortit (Serbisë) e po e shkel të dobëtin.

    Thotë se grupet kriminale nuk po dënohen nga ndërkombëtarët.

    “Gjithmonë më të fortit ia kanë mbajtur krahun, e të dobëtin e kanë shkelur. E gjithë bota na ndihmoi, e tani e gjithë bota kundër neve. Nuk e di pse. E gjithë bota po e sheh çka po bëjnë kriminelët në veri dhe ne po mbesim fajtorë ata jo”, u shpreh ai.

    Ndërsa Shaqir Syla, e ka quajtur hipokrizi paralajmërimet e Bashkimit Evropian për të vendosur sanksione ndaj Kosovës.

    Syla ka përmendur gjenocidin e Serbisë të kryer në Kosovë, me ç’rast thotë se serbët kanë më shumë të drejta se në çdo vend të botës.

    “Kjo është hipokrizi e BE-së me miqtë e tonë ndërkombëtarë, por ne më parë kemi thënë mik nuk është ai që nuk të ndihmon e që e don armikun tënd. Ai nuk është mik. Ne kemi pasur nevojë për aso miq që janë të drejtë dhe të fortë, por ka ndryshuar bota, janë rreshtuar kah i forti. Ai qe 20 vite na ka djegur, shkelur, na ka bërë llom, na ka përzënë prej këtu. Sot atë po e favorizojnë, e neve po na dënojnë, pa bërë asgjë. Ne nuk kemi dalur andej kufirit, ata kanë hyrë brenda kufirit. Është dashur BE dhe SHBA-ja mos ta lejojnë Serbinë të flasë për Kosovën. Ne jemi shtet i pavarur. Mundemi të bisedojmë për të drejta të serbëve këtu, të drejta të cilat nuk i ka askush në Evropë. S’kam dëgjuar që ka dikush të drejta më shumë se serbët që kanë këtu. Është hipokrizi i llojit të vetë dënimi i Kosovës”, u shpreh ai.

    Bajram Arifaj, po ashtu qytetar nga Prishtina ka thënë së nuk është e drejtë që BE-ja ta dënoj Kosovës, pasi sipas tij, Kosova nuk ka faj në këtë rast.

    Fidaim Berisha, tha se veprimet e policisë në veri të vendit i konsideron të ligjshme, pasi sipas tij, ata kanë qenë në mbrojtje te territorit.

    “Po për mendimin tim këto janë punë politike se ata kanë bërë gjenocid ndaj policisë së ton, ndaj KFOR-it kanë bërë dhunë. Edhe policia e Kosovës ka mbrojtur popullatën dhe ka mbrojtur territorin tonë. Mirëpo tash një punë politike po sjellët, në as një shtet nuk mundet me ndodh që të bëjnë presion ndaj një populli, ndaj policisë edhe të quhet Kosova agresore, Albin Kurtin, kur Albin Kurti veç do ta mbroj vendin edhe territorin e vetë”, tha ai.

  • MKRS thotë se lista e OJQ-ve përfituese në thirrjen për art dhe trashëgimi ishte fshirë për shkak të disa gabimeve teknike, ripublikon sërish atë

    MKRS thotë se lista e OJQ-ve përfituese në thirrjen për art dhe trashëgimi ishte fshirë për shkak të disa gabimeve teknike, ripublikon sërish atë

    Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit(MKRS) ditën e enjte ka publikuar listën e Organizatave Joqeveritare (OJQ-ve) përfituese në thirrjen për art dhe trashëgimi, por të njëjtën e kishte fshirë menjëherë pas publikimit.

    Kjo ngjalli reagime të shumta nëse do të ndryshonte lista, a do të shtohej, ose a do të largohej nga lista ndonjë organizatë, ose nëse do të ndryshohej shuma e fitimit të secilës organizatë.

    Për Portalin Dukagjini nga MKRS kanë thënë se “lista është ripublikuar sot”.

    Sipas tyre, lista ishte fshirë nga uebfaqja e Ministrisë për shkak të disa gabimeve teknike.

    “Kjo është lista për pyetjet që i keni parashtruar. Lista është ripublikuar sot për shkak të përvjedhjes së disa gabimeve teknike”, thuhet shkurtimisht në përgjigjen e MKRS-së.

  • Mitrovica e Veriut i bashkohet Asociacionit të Komunave të Kosovës

    Mitrovica e Veriut i bashkohet Asociacionit të Komunave të Kosovës

    Mitrovica e Veriut i është bashkuar Asociacionit të Komunave të Kosovës. Një të tillë e ka konfirmuar asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Doli.

    Ajo ka shkrua se sot në Kuvendit Komunal është votuar pro këtij vendimi dhe se bashkëpunimi dhe bashkërendimi i komunave janë thelbësore për të adresuar sfidat.

    “Sot, në Kuvendin Komunal, në Veriun e Mitrovicës, u votua pro bashkimit të Komunës Veriore të Mitrovicës në Asociacionin e Komunave të Kosovës. Kjo votë tregon përkushtimin dhe mbështetjen për bashkëpunimin e fortë dhe përforcimin e qeverisjes lokale. Bashkëpunimi dhe bashkërendimi i komunave janë thelbësore për të adresuar sfidat dhe për të ndërtuar një shoqëri më të bashkuar dhe më të qëndrueshme për të gjithë”, ka shkruar ajo.

    Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura me 23 prill, Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje është zgjedhur kryetar i Mitrovicës së Veriut.

  • Aksident në Veternik, goditet një person

    Aksident në Veternik, goditet një person

    Një aksident ka ndodhur në Veternik të Prishtinës para pak çastesh, ku si pasojë është goditur një person.

    Në fotot e siguruara nga ATV, duket se policia ka mbërritur tashmë në vendngjarje. Megjithatë, ende nuk dihet gjendja aktuale dhe lëndimet e personit të goditur.

    Për më shumë detaje, ATV do t’ju informojë me kohë.

  • Shorti për kualifikimet e Champions League, kampioni i Kosovës luan ndaj kampionit të Shqipërisë

    Shorti për kualifikimet e Champions League, kampioni i Kosovës luan ndaj kampionit të Shqipërisë

    Është hedhur ditën e sotme në selinë qendrore të UEFA-s, në Nyon të Zvicrës, shorti i raundit të parë të Ligës së Kampioneve të Evropës në futboll për femra.

    Ekipi kampion i Kosovës, Hajvalia do të luaj në fazën e parë ndaj Vllaznisë së Shkodrës. Ndeshjet e kësaj faze do të luhen në formën e një mini-turneu.

    Në raundin e parë të këtij kompeticioni marrin pjesë 41 skuadra, të ndara në 11 grupe, ku 8 prej tyre janë me nga katër skuadra, ndërsa 3 me nga tri skuadra.

    Gjysmëfinalet e grupeve janë programuar të luhen më 6 shtator, ndërsa finalet, nga ku do të dalin edhe fitueset që kualifikohen për në raundin e dytë, më 9 shtator.

  • Dodik padit veten

    Dodik padit veten

    Lideri i entitetit serb në Bosnje njoftoi ka ngritur padi ndaj vetes dhe ndaj disa zyrtarëve të tjerë të lartë, në përpjekjen e tij të fundit për të sfiduar autoritetin qendror të shtetit.

    Millorad Dodik, president i entitetit të Republikës Sërpska, njoftoi se ka ngritur padi penale ndaj vetes, kryetarit të Parlamentit boshnjak dhe dhjetëra ligjvënësve lidhur me legjislacionin që rregullon kompetencat e zyrtarëve.

    Lëvizja e Dodikut është pjesë e rezistencës së kamotshme ndaj autoriteteve qendrore të Bosnjës dhe është pjesë e një mospajtimi lidhur me votimin në Asamblenë e Republikës Sërpska për të mos njohur më vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës.

    Më 27 qershor, Asambleja e Republikës Sërpska votoi një sërë hapash të orkestruara nga Dodiku dhe aleatët e tij serbë, që synojnë të refuzojnë strukturat e ndarjes së pushtetit që ekzistojnë në Bosnje. Këto ndarje të pushtetit janë përcaktuar në Marrëveshjen e Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnje.

    Marrëveshja e arritur më 1995 ka ndarë funksionet qeveritare, administrative dhe funksionet e tjera përmes vijave etnike mes shumicës boshnjake, serbe dhe kroate.

    Legjislacioni që ka marrë mbështetjen e Dhomës së Ulët të Parlamentit të Republikës Sërpska, duhet të marrë edhe mbështetjen e Dhomës së Lartë dhe miratimin e nivelit presidencial në këtë entitet.

    Nëse merr këtë mbështetje, legjislacioni mund të hyjë në fuqi në gusht. Nëse ndodh kjo, atëherë do të ishte një goditje për kontrollet e pushteteve në Bosnje.

    Përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt, po ashtu mund të anulojë legjislacionin, për të ofruar funksionim të institucioneve civile në Bosnje e Hercegovinë.

    Gjykata Kushtetuese e Bosnjes po ashtu mund të shfuqizojë legjislacionin pasi ai të hyjë në fuqi, por Dodik dhe aleatët e tij me shumë gjasa do ta sfidonin autoritetin e këtij institucioni.

    Ministria e Jashtme gjermane tha më 30 qershor se lëvizja e fundit e Asamblesë së Republikës Sërpska për të injoruar vendimet e Gjykatës Kushtetuese boshnjake “shkelin frymën e kushtetutës së shtetit dhe Marrëveshjes së Paqes së vitit 1995”.

    Zëdhënësi i kësaj ministrie, Christofer Burger, paralajmëroi se votimi “është një hap më tej serioz drejt shkëputjes nga identifikimi me shtetin si tërësi” dhe tha se kjo “kërcënon unitetin dhe integritetin territorial të shtetit”.

    Burger shtoi se këto veprime rrezikojnë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian që Bosnja fitoi dhjetorin e kaluar.

    Edhe më herët, Dodik ka ngritur padi ndaj vetes për të tentuar që të përçojë një mesazh më të gjerë politik. Tetë vjet më parë, ai ngriti një padi penale kundër vetes për t’u tallur me akuzat e opozitës se ai ishte i korruptuar.

    Më 2017, djali i tij, Igori, ngriti padi penale ndaj vetes si gjoja “bashkëfajtor” me babanë e tij për organizimin e ngjarjeve të Ditës së Republikës Sërpska, festë që është e ndaluar. /rel

  • Kurti thotë se po punojnë që të krijohen mundësi të barabarta për të gjitha komunitetet

    Kurti thotë se po punojnë që të krijohen mundësi të barabarta për të gjitha komunitetet

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marr pjesë në tryezën e rrumbullakët me komunitetin egjiptian, organizuar me rastin e shënimit të Ditës së flamurit të këtij komuniteti.

    Me këtë rast Kurti tha se Qeveria e tij po punon për krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë. Ai i ka falënderuar komunitetet për kontributin e dhënë.

    Kurti sqaroi se kanë mbështetur 123 biznese nga komunitetet, ku 21 kanë qenë të komunitetit egjiptian. Kurse tash tha sa kanë ndarë 3 milionë euro.

    “Jam këtu për të diskuara edhe për sfidat të cilat mbeten. Ju falënderoj për të gjithë kontributin e dhënë për Kosovën. Gjatë këtij vitit kisha kënaqësinë t’i takoj polic të komunitete egjiptian, studente që janë mbështetur më bursa dhe organizata e komuniteteve”.

    “Kam dëgjuar prej tyre për ndikim që kanë pasur masat që i kemi marr. Kemi mbështetur 123 biznes të vogla për komunitete jo shumicë, prej të cilave 21 ishin për komunitetin egjiptian. Tani i kemi ndarë edhe 3 milionë euro për komunitete”.

    “Qeveri jonë po punon për krijimin e mundësive të barabarta, për arsim e punësim. Në vjeshtë fillon regjistrim i popullsisë dhe për herë të parë për çdo shtëpi do të jetë një regjistrues që i përket atij komunitete. E di që ka përsëri sfidat, por ato do t’i përballojmë bashkë”, tha ai.

    Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se ka thënë se me fillimin e qeverisë Kurti komuniteti egjiptian është mbështetur dhe përkrahur.

    Ai po ashtu përmendi edhe projektet që janë mbështetur e janë duke u realizuar, raporton EO.

    “Tryeza që është organizuar për ditën memoriale është përtej simbolikës së zakonshme, është një ogur i mirë, sinjal i qartë dhe mesazh i drejtpërdrejt se komunitet do të përfshihen në secilin plan, program dhe projekt qeveritarë”.

    “Me fillimin e qeverisë Kurti komuniteti egjiptian është mbështetur dhe përkrahur. Ne e njohim mirë se si ka qenë gjendja në të kaluarën dhe për këtë jemi mirënjohës partnerëve”, tha ai.

    Deputeti Fridon Lala, tha se komunitete kanë gjetur gjithmonë përkrahjen e kryeministrit Kurti. Sipas tij, për këto vite qeverisje ka ndodhur shumë ndryshime.

    “Për këto dy vite ka ndodhur shumë ndryshime, shumë politika në të mirë të komunat që janë evdiente dhe domosdoshmërish kanë ndikuar në përmasimin e gjendjes së përgjithshme secili ekonomike së komunitetit”.

    “Për herë të parë kemi një shpërndarje apo decentralizmi të fokusit qeveritar sa i përket trajtimit të grupeve minoritare, për dallim me vitet e kaluar. U thanë shumë projekte që nuk kanë ndodhur për vitet të tëra për komunitete”, tha ai.

  • Kurti nuk e konsultoi as Mbretërinë e Bashkuar për shpalljen e dy organizatave terroriste

    Kurti nuk e konsultoi as Mbretërinë e Bashkuar për shpalljen e dy organizatave terroriste

    Qeveria e Kosovës nuk është konsultuar me aleatët ndërkombëtarë të saj për shpalljen e “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” organizata terroriste.

    Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar tha sot se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Londrën sa i përket shpalljes së dy formacioneve ilegale në veri si organizata terroriste.

    Në një përgjigje me shkrim për Paparacin të premten, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar tha se “nuk ishte konsultuar” për vendimin e qeverisë.

    “Mbretëria e Bashkuar nuk ishte e konsultuar [për vendimin]”, tha shkurt për Paparacin një zëdhënës i Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë.

    Edhe Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania thanë të premten se nuk janë koordinuar nga Qeveria e Kosovës për vendimin.

    Qeveria e Kosovës më 29 qershor i shpalli “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadat e Veriut” si organizata terroriste.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha gjatë arsyetimit të vendimit se këto dy organizata, që veprojnë në veri, paraqesin “kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë në Kosovë”.

    “Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shpallur këto grupe si organizata terroriste nuk ka qenë i koordinuar me SHBA-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ky vendim do të duhej të koordinohej me partnerët më të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata të cilët kanë përgjegjësinë primare për të siguruar stabilitetin e Kosovës. Ne sërish i bëjmë thirrje Kosovës që të përmbahet nga hapat e njëanshëm përderisa ne po punojmë me të gjitha palët për të zgjidhur krizën aktuale”, tha një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.

    Sipas Kurtit, këto dy organizata kanë kryer veprime “me elemente terroriste”, si: sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX dhe ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

  • FBK reagon për arrestimin e Arbnor Rifatit dhe Daut Mehmeti

    FBK reagon për arrestimin e Arbnor Rifatit dhe Daut Mehmeti

    Trajneri kosovar, Arbnor Rifati dhe gjyqtari Daut Mehmeti janë arrestuar sot nga Policia e Kosovës.

    Nën akuzat për kurdisje të ndeshjeve, trajneri Rifati dhe gjyqtari Mehmeti, janë arrestuar sot pas një aksioni nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës.

    Lajmin për KosovaPress e konfirmoi zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.

    “Policia e Kosovës, në këtë rast Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike, ka realizuar dy operacione të ndara në tri rajone si në Prishtinë, Prizren dhe Pejë. Operacionet policore deri më tani kanë rezultuar me shoqërimin e tre personave të dyshuar”, tha Kelani për KosovaPress.

    Ndërkaq, tani vjen edhe reagimin nga Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) e cila u shpreh e gatshme për të bashkëpunuar me organet e rendit për këtë rast që të sjell para drejtësisë personat e përfshirë në dukuritë negative në sport.

    “Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) njofton të gjithë opinionin sportdashës se, është duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet dhe organet e rendit lidhur me arrestimet e fundit, të raportuara në media.

    Ne e kemi raportuar menjëherë pranë Këshillit për Parandalimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive të themeluar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit rastin sapo na është bërë i ditur, kemi marrë të gjitha masat e nevojshme për të bashkëpunuar me organet e rendit që nga viti i kaluar si dhe i kemi marrë masat e duhura për të iniciuar dhe zhvilluar procedurat e brendshme disiplinore ndaj personave të apostrofuar, gjithë kohën në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me FIBA.

    FBK mirëpret vendimet e organeve të rendit dhe shpresojmë në zgjidhje të shpejtë të rastit dhe sjelljen para drejtësisë së të gjithë personave të përfshirë në fenomene negative në sportin tonë”, ishte reagimi i FBK-së.

    Më poshtë e gjeni komunikatën e plotë të FBK-së.