ATV

Author: ATVLive

  • Kuka: Japonia vendin tonë të ri e njeh përmes xhudos dhe heroinave tona

    Kuka: Japonia vendin tonë të ri e njeh përmes xhudos dhe heroinave tona

    Driton Kuka, trajneri i ekipit kosovar të xhudos, e ka nisur ditën me një foto të postuar në “Facebook”, ku shihen tri të artat tona olimpike, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova.

    Gjatë stërvitjes së sotme, Kuka bëri të ditur se kishin mysafirë ambasadorin kosovar në Japoni, Sabri Kiçmari, raporton KosovaPress.

    Kuka tha se Japonia e njeh shtetin tonë përmes xhudos dhe heroinave tona që atje janë shumë të njohura.

    “Japonia shteti ndër më të fuqishmit në Botë,shtetin tonë të ri e njeh përmes xhudos dhe heroinave tona që atje janë shumë të njohura!”, shkroi Kuka në “Facebook”.

    Postimin e plotë të Kukës e gjeni më poshtë.

  • KFOR: S’ka dëshmi për armë në kisha, për sundim të ligjit përgjegjëse është Kosova

    KFOR: S’ka dëshmi për armë në kisha, për sundim të ligjit përgjegjëse është Kosova

    Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka reaguar pas deklaratave të deputetes britanike, Alicia Kearns, ku ka ngritur alarmin për kontrabandën e armëve nga Serbia në Kosovë.

    Sipas KFOR-it, deklaratat e deputetes britanike i referohen vitit 2022, kur Batalioni Mbretëror Fusilier u punësua në veri të Kosovës në misionin e KFOR-it, dhe se nga hetimet “nuk ka dalë asnjë dëshmi nga ajo që është raportuar”.

    Nga ky mision theksohet se “ky lloj aktiviteti i takon sundimit të ligjit, që është nën përgjegjësin e organizatave të sigurisë së Kosovës”.

    “Prania ilegale e armëve u raportua në zyrat e KFOR-it, por pas hetimeve shtesë në mënyrë që të konfirmohet kjo, asnjë dëshmi nga ajo që u raportua nuk doli. Nuk ka asnjë dëshmi as për kontrabandën e supozuar të kryer përmes vijës kufitare administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kishat ortodokse me autoambulanca. Për informata të plota, ky lloj aktiviteti i takon sundimit të ligjit, që është nën përgjegjësinë e organizatave të sigurisë së Kosovës”, thuhet në reagimin e KFOR-it.

    Ndryshe, deputetja Kearns në Parlamentin britanik ka thënë se “Serbia kontrabandon armë me autoambulanca drejt kishave ortodokse në Kosovë”.

  • Skuadra angleze bëhet me trajnere femër

    Skuadra angleze bëhet me trajnere femër

    Një skuadër angleze ka shkruar historinë duke emëruar në krye një trajnere femër.

    Bëhet fjalë për Forest Green Rovers, që ka emëruar Hannah Dingley në postin e trajnerit të përkohshëm pas largimit të Duncan Ferguson, raporton KosovaPress.

    Në një lëvizje historike në futbollin anglez, Dingley tani ka marrë përkohësisht drejtimin e skuadrës që garon në Ligën e Dytë të Anglisë, pas largimit të befasishëm të Ferguson.

    Dingley, e cila ka një licencë UEFA Pro, bëhet femra e parë në histori, pavarësisht se është në postin e trajneres përkohësisht, që drejton një skuadër angleze të djemve në Angli.

    Forest Green do të përballet sonte me Melksham Town në ndeshjen e parë para-sezonale, ku Dingley do të jetë në detyrë.

    “Hannah ishte zgjidhja natyrale për ne, për të qenë trajnere e përkohshme e ekipit të parë. Ajo ka bërë një punë fantastike duke udhëhequr akademinë tonë, dhe është tejet e lidhur me vlera e klubit”, tha pronari i Forest Green, Dale Vince.

  • Kisha ortodokse serbe reagon ndaj akuzave të deputetes britanike për kontrabandim me armë

    Kisha ortodokse serbe reagon ndaj akuzave të deputetes britanike për kontrabandim me armë

    Dioqeza Rashkë-Prizren (KOS) thotë se e ka pranuar me shqetësim të thellë deklaratën e deputetes britanike, Alicia Kerns, të bërë në Parlamentin Britanik.

    Gjatë fjalimit të saj, deputetja Kearns akuzoi drejtpërdrejt Kishën Ortodokse Serbe, se është përfshirë në kontrabandim të armëve nga Serbia në Kosovë.

    “…Qeveria është e vetëdijshme, me Fusilierët që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen përmes kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona bëhen të vetëdijshme për këtë dhe përpiqen të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, lejet zgjasin shumë. Deri në momentin që ka leje – çuditërisht – një ambulancë është paraqitur në kishë dhe ka nxjerrë përsëri të gjitha armët”.

    Sipas Dioqezës Rashkë-Prizren, kjo deklaratë e deputetes britanike “paraqet një akuzë tejet të rrezikshme që kriminalizon Kishën Ortodokse Serbe dhe tashmë po shfrytëzohet nga disa media kosovare me qëllim të nxitjes së urrejtjes fetare dhe etnike”.

    “Këto akuza përbëjnë gjithashtu një kërcënim të drejtpërdrejtë për klerin, manastiret dhe vendet fetare”, thuhet në këtë reagim.

    Dioqeza Rashkë-Prizren (KOS) thotë më tej se “ka kundërshtuar qartë çdo formë të dhunës përmes veprimeve dhe deklaratave të saj gjatë tridhjetë viteve të fundit, si para dhe pas” luftës në Kosovë.

    Dhuna, thuhet më tej në deklaratë, “është në kundërshtim me parimet themelore të Ungjillit dhe me misionin e Kishës. Prandaj, dëshirojmë ta trajtojmë këtë çështje me seriozitet dhe përgjegjësi të plotë”.

    Tutje, thuhet se akuzat e deputetes Kearns duhet të verifikohen urgjentisht.

    “Prandaj, ne kërkojmë publikisht, përmes kësaj deklarate, që misioni i KFOR-it, në të cilin ishte vendosur njësia e lartpërmendur britanike (Royal Fusiliers), t’i bëjë të ditur publikut nëse mund të konfirmojnë pretendimet e deputetit të MB-së. Është e pamundur që ushtarët e Mbretërisë së Bashkuar në KFOR ta kenë këtë informacion dhe të mos ua komunikojnë eprorëve të tyre në komandën e KFOR-it. Nëse këto pretendime rezultojnë të vërteta, çdo zyrtar(ët) i kishës që zbulohet se është i përfshirë në keqpërdorimin e supozuar të ambienteve të KOS-it dhe shërbimit kishtar për transportin ose ruajtjen e armëve do të përballet me dënimet më të rënda të kishës dhe nuk do të jetë në gjendje të vazhdojë shërbimin e tyre publik. Mirëpo, nëse KFOR-i nuk mund të konfirmojë vërtetësinë e këtyre pretendimeve, Dioqeza Rashkë-Prizren do të kërkojë një falje publike nga deputetja e lartpërmendur përmes ambasadës britanike në Prishtinë, për shkak të pretendimeve të saj nxitëse dhe të pasakta që kanë pasoja të rënda”, thuhet në deklaratën e Dioqezës Rashkë-Prizren.

  • Eurodeputeti slloven: Vuçiq po e mashtron ShBA-në dhe BE-në për Kosovën

    Eurodeputeti slloven: Vuçiq po e mashtron ShBA-në dhe BE-në për Kosovën

    Anëtari i Parlamentit Evropian, Klemen Groshelj tha në një intervistë për “Balkan Talks” në Euronews Albania se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq po mashtron Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian në lidhje me Kosovën.

    Eurodeputeti ishte i mendimit se Serbia është një vend ku parimet themelore të demokracisë nuk funksionojnë.

    “Është shumë e thjeshtë, sepse Serbia shihet si një nga lojtarët kryesorë në Ballkanin Perëndimor. Pra, të gjithë presin që të sigurojmë që Serbia të jetë lojtari pozitiv në Ballkan. Por mendoj se duhet të diferencojmë midis asaj se cila është qeveria e Vuçiçit në Serbi dhe cilat janë aspiratat e popullit serb. Besoj akoma, jam shume i bindur, se populli serb do të jetë pjesë e familjes dhe komunitetit në Bashkimin Europian. Ndërsa Vuçiçi dhe elita politike në Serbi po luan një lojë tjetër, duke përdorur këtë aspiratë të popullit serb vetëm për të ndenjur në pushtet. Sepse kur procesi i vërtetë i pranimit do të fillojë, kur të zbatohen këto reforma, është shumë e dukshme që mbretërimi i Vuçiçit në Serbi do të fillojë të zvogëlohet. Do të ketë një sërë mundësish për pikëpamje të ndryshme në Serbi. Këtë po mbron tani Vuçiçi tani.

    Fatkeqësisht, mendoj se shumica e komunitetit ndërkombëtar po përqendrohet më shumë te zgjidhja e këtij problemi. Të bëjmë diçka për të ndaluar tensionet që janë të pranishme tani, pastaj do të përpiqemi t’i zgjidhim më vonë problemet e tjera. Kjo është vërtetuar se s’ka qenë kurrë e suksesshme dhe nëse shikoni ç’ndodhi në Bosnje pas marrëveshjes se paqes ne Dejton, këto janë mësimet që duhet të kujtojmë të gjithë. Duhet të kemi zgjidhje gjithëpërfshirëse, jo të përkohshme,” – u shpreh Groshelj.

  • Pas Kosovës, Lajçak shkon në Beograd

    Pas Kosovës, Lajçak shkon në Beograd

    Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq sot do të takohet me të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak.

    Siç është paralajmëruar, takimi Vuçiq-Lajçak është caktuar për në ora 11:00, në Presidencën e Serbisë dhe tema kryesore pritet të jetë gjendja aktuale në Kosovë dhe hapat drejt deeskalimit të krizës në veri.

    Lajçak gjatë ditës së djeshme ka qëndruar në Prishtinën, ku ka zhvilluar takime me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Kjo është vizita e parë e të dërguarit special në Prishtinë dhe Beograd që kur Komisioni Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës për mosndërmarrjen e hapave për deeskalim në terren.

  • Zyrtarëve të administratës Biden u limitohet kontakti me firmat e rrjeteve sociale

    Zyrtarëve të administratës Biden u limitohet kontakti me firmat e rrjeteve sociale

    Një gjykatës federal i SHBA-së ka kufizuar komunikimet e administratës Biden me kompanitë e mediave sociale, të cilat synojnë të moderojnë përmbajtjen e tyre.

    Në një vendim prej 155 faqesh të martën, gjykatësi Terry Doughty ndaloi zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë dhe disa agjenci qeveritare të kontaktojnë firmat për “përmbajtje që përmban fjalën e mbrojtur të lirë”.

    Është një fitore për republikanët që kanë akuzuar zyrtarët për censurë.

    Demokratët thanë se platformat kanë dështuar në adresimin e dezinformatave.

    Çështja ishte një nga betejat më të ndjekura të Amendamentit të Parë në gjykatat e SHBA-së, duke ndezur një debat mbi rolin e qeverisë në moderimin e përmbajtjes, të cilën ajo e konsideronte të rreme ose të dëmshme.

    Shtëpia e Bardhë tha se Departamenti Amerikan i Drejtësisë po shqyrtonte vendimin dhe po vendoste për hapat e tij të ardhshëm.

    “Pikëpamja jonë konsistente mbetet se platformat e mediave sociale kanë një përgjegjësi kritike për të marrë parasysh efektet që platformat e tyre kanë tek populli amerikan”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.

    Ai shtoi se platformat duhet të “bëjnë zgjedhje të pavarura në lidhje me informacionin që paraqesin”.

    Vendimi vjen pas një padie nga prokurorët e përgjithshëm republikanë të Misurit dhe Luizianës që pretendonte se zyrtarët amerikanë kishin ushtruar presion mbi platformat e mediave sociale për të adresuar postimet mbi tema, duke përfshirë politikat Covid-19 dhe sigurinë e zgjedhjeve.

    Gjykatësi Doughty, i cili ishte i emëruar nga ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se paditësit kishin “paraqitur prova thelbësore në mbështetje të pretendimeve të tyre”.

    “Dëshmitë e prodhuara deri më tani përshkruajnë një skenar pothuajse distopian,” tha zoti Doughty në vendimin e tij.

    Vendimi kufizoi komunikimet nga agjencitë qeveritare, duke përfshirë Departamentin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore dhe FBI-në.

    Ai gjithashtu kufizoi zyrtarët amerikanë, përfshirë Sekretarin e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas dhe Jen Easterly, e cila drejton Agjencinë e Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës.

    Megjithatë, ajo bëri përjashtime për kontaktimin e firmave për t’i paralajmëruar ato për rreziqet ndaj sigurisë kombëtare dhe veprimtarisë kriminale.

    Gjykatësi Doughty iu referua gjithashtu disa shkëmbimeve me e-mail midis drejtuesve të Shtëpisë së Bardhë dhe kompanive të mediave sociale.

    Kjo përfshinte një email të prillit 2021 nga Rob Flaherty, i cili më parë ishte drejtor i strategjisë dixhitale të Shtëpisë së Bardhë, drejtuar punonjësve në gjigantin e teknologjisë Google.

    Në email, z. Flaherty tha se platforma e Google për ndarjen e videove, YouTube, po i “grydhte” njerëzit në hezitimin e vaksinave.

    “Ky është një shqetësim që ndahet në nivelet më të larta (dhe dua të them më të lartat) të ËH,” shkroi ai.

    Google nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të BBC për koment.

    Platforma e mediave sociale Tëitter, e cila është në pronësi të multimiliarderit Elon Musk, nuk iu përgjigj drejtpërdrejt një kërkese për koment.

    Ndërkohë, pronari i Facebook dhe Instagram Meta nuk pranoi të komentonte vendimin.

  • Kriza me punëtorë i kushton Zvicrës miliarda franga

    Kriza me punëtorë i kushton Zvicrës miliarda franga

    Zvicra po përballet me një krizë stafi – dhe kjo do t’i kushtojë ekonomisë miliarda.

    Një studim nga kompania konsulente Oliver Wyman tregon se mund të mungojnë 300,000 punëtorë të kualifikuar deri në vitin 2035.

    Por, raporti sugjeron që duhet të bëhet më shumë për të ndihmuar ata me prejardhje sociale të pafavorizuara.

    Drejtuesit e biznesit thonë se mungesa e talentit është frena e tyre më e madhe për rritjen, shkruajnë mediat zvicerane, përcjell albinfo.ch.

    Shumë të larguar nga shkolla me prejardhje më të varfër thonë se e kanë të vështirë të zgjedhin një karrierë. Raporti thotë se atyre u mungojnë modelet dhe nuk marrin mbështetje të mjaftueshme nga sektori i arsimit.

    Ata gjithashtu nuk janë në gjendje të financojnë trajnimin e tyre.

    Raporti tregon se pabarazia arsimore është një faktor kryesor ekonomik.

  • Rama: Parku Arkeologjik i Apollonisë ndër destinacionet më të vizituara këtë vit

    Rama: Parku Arkeologjik i Apollonisë ndër destinacionet më të vizituara këtë vit

    Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka thënë se Parku Arkeologjik Kombëtar i Apollonisë është ndër destinacionet më të vizituara këtë vit në Shqipëri.

    Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, u ka uruar të gjithëve një dit të mbarë.

    “Mirëmëngjesi dhe me magjinë e udhëtimit në kohë e një qytetërimi si ai që ofron Parku Arkeologjik Kombëtar i Apollonisë, një ndër destinacionet më të vizituara këtë vit, ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar Rama.

  • Qeveria merr vendim për pensionet e viteve të 90-ta, punëtorëve do t’u njihen kontributet

    Qeveria merr vendim për pensionet e viteve të 90-ta, punëtorëve do t’u njihen kontributet

    Qeveria e Kosovës ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Skemat Pensionale të financuara nga shteti, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, raporton EO.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati është shprehur se kjo ka qenë një padrejtësi e madhe të cilës po i vjen fundi.

    “Ka pasur një diskriminim në aspektin që është mbajtur pragu për 15 vite stazh pune por nuk është marrë parasysh heqja e dhunshme nga puna. Si rezultat i largimit të dhunshëm kanë mbetur shumë persona që kanë kontribuar mbase 14 vite e 11 muaj, por s’kanë arritur ta plotësojnë kushtin. Ne po e zhbëjmë këtë diskriminim sepse do t’u llogaritet drejt plotësimit të kushteve prej 15 vitesh ndërsa lartësia e pensionit do të përcaktohet në bazë të viteve të kontributeve”.

    Sipas tij, rreth 70 mijë persona kualifikohen si përfitues nga ndryshimi i këtij ligji.

    “Më duhet të them disa statistika, nga ky ndryshim plotësim teorikisht përfitojnë 70 mijë persona që do të plotësonin kushtin, megjithatë duhet të marrim parasysh se disa mund të kenë ndërruar jetë e disa ende mund të mos e kenë arritur moshën e pensionimit. Në skemën e pensionit bazik janë rreth 70 mijë persona dhe do të kualifikoheshin për pensionin parcial kontributpagues të moshës. Shpresojmë që edhe Kuvendi t’i marrë masat e nevojshme”.

    Murati gjithashtu thotë se shpreson që Kuvendi do t’i marrë masat e nevojshme për procedimin e këtij ligji.

    Kjo Gjykatë në fund të vitit 2022, kishte marrë vendim që të largojë nenin 8 të Ligjit për Skemat pensionale. Ky nen përcaktonte se të gjithë punëtorët që nuk i kanë 15 vite punë para datës 1 janar 1999, nuk e gëzojnë të drejtën për pension kontributdhënës.