ATV

Author: ATVLive

  • Vëllezërit Lushtaku deklarohen të pafajshëm për sulmin ndaj policëve

    Vëllezërit Lushtaku deklarohen të pafajshëm për sulmin ndaj policëve

    Vëllezërit Nuredin, Faton dhe Arif Lushtaku krah njëri-tjetrit u paraqitën në Gjykatën Themelore të Prizrenit.

    Ata akuzohen se mu kështu pranë njëri-tjetrit, mbrëmjen e 2 korrikut të 2022, sulmuan dy zyrtarët policorë: Mërgim Geci dhe Enver Berisha, të cilët kishin shqiptuar dënim ndaj Arbër Lushtakut, të birit të Nuredinit për mosvendosje të rripit të sigurisë.

    Arbër Lushtaku kishte thirrë në telefon prindin e tij Nuredin Lushtaku, i cili menjëherë vjen me automjetin e tij, së bashku me dy vëllezërit e tij Faton e Arif Lushtaku, ku i pandehuri Nuredin kishte filluar të fjaloset me zyrtarin policor Enver Berisha. Lushtaku: pse e ke ndalë këtë djalë, çka është problemi, çka ka bërë djali’ dhe kur i dëmtuari-polici i është përgjigjur se e kemi ndal për shkak të mosvendosjes së rripit të sigurisë, i pandehuri Nuredin i drejtohet policit: ‘djali dhe shokët e tij e kanë pasë’, ‘ti je një idiot’. I dëmtuari E.B i përgjigjet me fjalët: ‘unë kam respekt për ty’, ndërsa i pandehuri Nuredin ia kthen me fjalët: ‘nuk më duhet respekti juaj… ta q* nanën”, tha prokurorja e Shtetit, Sahide Sefa.

    Gjatë përleshjes, u plagos njëri polic.

    “Vëllezërit Llushtaku kanë nxjerrë armët duke ua drejtuar Policëve. Pastaj edhe Policët kanë nxjerrë armët. Polici Enver Berisha ka urdhëruar verbalisht që t’i ulin armët dhe ka shtënë me armë dy herë në ajër. Pastaj ka fillu përleshja. Vëllezërit kanë tentu me ia marrë armën policëve. U plagos njëri polic”, tha Sefa.

    Lidhur me akuzat për sulm ndaj personit zyrtar”, “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ish-kryetari i Skenderajt, Nuredin Lushtaku, dhe vëllai i tij Fatoni u deklaruan të pafajshëm.

    Vëllezërit Lushtaku që jetojnë në Skenderaj, vazhdojnë të mbrohen në liri. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Qëllimet e njëjta nuk e largojnë ngërçin për mënyrën e deeskalimit

    Qëllimet e njëjta nuk e largojnë ngërçin për mënyrën e deeskalimit

    Deeskalimi i situatës si hap i parë, përcjellë nga zgjedhjet e reja në katër komunat në veri dhe kthimi te dialogu për normalizim, janë pika të njëjta në udhërrëfyesin e Bashkimit Evropian dhe të propozimit të kryeministrit Albin Kurti.

    Por, ende nuk ka pajtueshmëri për mënyrën dhe veprimet sipas radhës.

    Fitim Mulolli nga POLCON vlerëson se kjo situatë është ngërç i qëllimshëm dhe përpjekje nga të dyja palët, për t’i ikur zbatimit të marrëveshjes bazë dhe shtojcës.

    “As kryeministri Kurti as presidenti serb Vucic nuk e duan marrëveshjen e Ohrit, nuk e duan zbatimin e saj. Prandaj, të gjitha këto tensione, gjithë kjo stërzgjatje janë tentim për t’iu shmangur zbatimit të atyre dispozitave. Tani, sa më i madh të jetë presioni për të zbatuar marrëveshjen e Ohrit, aq më shumë do të ketë stërzgjatje të hapave drejt deeskalimit të situatës në veri”, tha Mulolli.

    Teksa pajtimin në thelb për tri pikat e vlerëson pozitiv, Arbër Fetahu nga GLPS vë në dyshim strategjinë e Qeverisë për këmbëngulje në modalitete.

    “Kjo lloj strategjie nuk po del e suksesshme në aspektin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe ka dalë, deri në këtë moment, e dështuar në kuptimin e pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, tha Fetahu.

    Rezistencën e Qeverisë karshi kërkesave të BE-së ai e lidh me disa kërkesa.

    “Kërkohen garanca të mëdha që komuniteti serb të marrë pjesë në zgjedhje, përfshirë partitë politike serbe, në kuptimin që procesi të mos dështojë dhe të kemi zgjedhje që shkojnë në mënyrë efikase… Të ketë garancë edhe për implementimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit”, tha Fetahu.

    Duke iu referuar ngecjeve eventuale, Mulolli përmend dorëheqjet nga kryetarët dhe peticionet nga qytetarët, si forma të shkaktimit të zgjedhjeve.

    “Mendoj se opsioni i dytë është më i arsyeshëm edhe në qoftë se serbët e veriut e kanë me seriozitet se do të marrin pjesë në zgjedhjet që do të organizoheshin më vonë. Atëherë ky është një indikator se a kanë seriozisht pjesëmarrjen në zgjedhje apo jo”, tha Mulolli.

    Si shkak i dështimit të Qeverisë për të vepruar menjëherë në raport me udhërrëfyesin e propozuar, BE-ja i ka vendosur masa ndëshkuese Kosovës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Projektligji për skemat pensionale ngjall reagime

    Projektligji për skemat pensionale ngjall reagime

    Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e ka detyruar Qeverinë e Kosovës që ta miratojë plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale, thonë njohës të fushës.

    “Projektligji për skemat pensionale është planifikuar në vitin 2021, pastaj në vitin 2022, por nuk është bërë. Vetëm pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese projektligji është miratuar në Qeveri. Hipotetikisht nëse nuk do të kishte një aktgjykim që do ta shfuqizonte ligjin më 15 korrik 2023, atëherë Qeveria ndoshta nuk do ta kishte sjellë këtë vit. Do të kishim diskriminim të mijëra pensionistëve edhe këtë vit. Ndoshta vitin e ardhshëm do të miratohej, por detyrimisht jemi edhe 10 ditë para datës 15 korrik 2023 dhe sot po miratohet projektligji”, tha Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi.

    Por Jakaj nuk pret që ky projektligj të kalojë shpejt edhe në Kuvendin e Kosovës, për shkak të bojkotit të punës së Kuvendit nga partitë opozitare.

    “Duke ia shtuar kësaj faktin që tashmë opozita ka lajmëruar bojkotin nga ana e saj dhe kjo do ta pamundësojë ndoshta kalimin e këtij projektligji në procedurë të rregullt, edhe në procedurë të përshpejtuar, në mënyrë që ligji të hyjë në fuqi sipas Kushtetutës”, tha Jakaj.

    Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, tha se ky projektligj është shumë i paqartë, meqenëse, sipas tij, nuk u është nënshtruar të gjitha procedurave.

    “Vendimi i djeshëm nuk ka të bëjë asgjë me vullnetin praktik dhe premtimin e dhënë në kampanjat zgjedhore, por ka të bëjë me një imponim nga Gjykata Kushtetuese. Ky ligj, sipas rregullës, është dashur t’iu nënshtrohet të gjitha procedurave legale, të hartimit, të debatit publik, debatit parlamentar, të debatit në komisione funksionale të Kuvendit për shëndetësi dhe mirëqenie sociale, dhe pastaj të vihet për aprovim. Të gjitha këto procedura kanë shkuar me një rrugë të torturuar, madje as debat publik fare nuk kemi pasur”, tha Dreshaj.

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha të mërkurën, pas mbledhjes së qeverisë, se me këtë vendim do të përfitojnë rreth 70 mijë pensionistë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kyçje ilegale në rrjetin elektrik, KEDS aksion në Prizren e Suharekë

    Kyçje ilegale në rrjetin elektrik, KEDS aksion në Prizren e Suharekë

    U nisën nga Prishtina e destinacion e kishin Prizrenin.

    Ekipet e KEDS-it, ditën e filluan me aksion në qytetin e Prizrenit, për t’i shkyçur nga rrjeti elektrik, konsumatorët që janë të kyçur ilegalisht.

    Intervenimi i parë u bë në një lokal afarist.

    “Konsumatori në fjalë, e ka njehsorin smart, i cili është i shkyçur për shkak të borxhit, e gjatë kontrollit e kemi pa që ai ka anashkaluar njehsorin elektrik dhe është kyçur me një kabllo, që do të thotë se e gjithë energjia që është duke u shfrytëzuar nga ky objekt është duke u vjedhur”, tha Fatos Çeku, menaxher në KEDS.

    Aksione të ngjashme nga KEDS-i, kohëve të fundit janë shtuar.

    “KEDS-i ka intensifikuar së fundmi aksionet për kontroll te konsumatorët, të cilët dyshohet që po e keqpërdorin energjinë elektrike. Në mbarë Kosovën, janë bërë mbi 45 mijë kontrolle, 2300 keqpërdorime, e vetëm në qershor mbi 6 mijë, e qëllimi është që me ua bë me dije që keqpërdorimi nuk lejohet, është i papranueshëm dhe i dënueshëm”, tha Lulzim Krasniqi, zëdhënës në KEDS.

    Mirëpo, veç shkyçjeve, KEDS-i ka bërë të ditur se një numër i lartë i konsumatorëve do të përballen edhe me organe të drejtësisë.

    “Këtë vit në gjashtëmujorin e parë, kemi dorëzuar në gjykatat përkatëse më shumë se një mijë lëndë, për keqpërdorim të energjisë elektrike. Dënimi që e bën KEDS-i është në suaza të kompetencave, pra konsumatori shkyçet dhe detyrohet ta paguajë borxhin që ka”, tha Krasniqi.

    Veç Prizrenit, aksioni vazhdoi edhe në Suharekë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Krivaqa mbrohet në heshtje, Sejdiu deklarohet për vrasjen e Marigona Osmanit

    Krivaqa mbrohet në heshtje, Sejdiu deklarohet për vrasjen e Marigona Osmanit

    I akuzuar për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit, Dardan Krivaqa, nuk ka pranuar të deklarohet para trupit gjykues lidhur me akuzat duke shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje.

    Krivaqa tha se nuk është në gjendje të sqarojë çfarë ka ndodhur në ditën kritike.

    Por, ndryshe veproi i akuzuari tjetër, Arber Sejdiu. Sejdiu për rreth 3 orë u deklarua para trupit gjykues lidhur me ngjarjen e 21 gushtit.

    Sejdiu deklaroi se e kishte dëgjuar Krivaqën, duke e kërcënuar Marigonën por edhe e kishte parë duke e goditur me shkop.

    “E ka marr shkopin ka hy në dhomë unë kom shku jak om largu shkopin..”, ka deklaruar Sejdiu.

    Sejdiu shtoi se gjendjen e vërtetë të viktimës e kuptoi kur i akuzuari i parë i kërkoi për të parë nëse e ndjera ishte gjallë.

    “I jepte frymë prej gojës, më duket ndihmën e parë, ajo qitke gjak, zi ka qitë dhe i kam thënë Dardanit veshe e ço në spital”, deklaroi Sejdiu.

    Sejdiu po ashtu tha se nuk qëndron prapa deklaratës që e ka dhënë në polici, pasi ishte nën ndikimin e substancave narkotike.

    Krivaqën prokuroria e ngarkon me veprën penale “vrasje e rëndë” dhe “dhunim”, kurse Sejdiu po akuzohet për veprën penale “vrasje e rëndë” dhe “ndihmë në kryerjen e dhunimit”.

    Pas më shumë se një vit që nga fillimi i procesit gjyqësor, në fillim të gushtit pritet që Gjykata në Ferizaj të marrë vendim lidhur me vrasjen e Marigona Osmanit. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Gjykata në veri, shumë seanca dështojnë shkaku i situatës

    Gjykata në veri, shumë seanca dështojnë shkaku i situatës

    Gjykimi për vrasjen në tregun e Mitrovicës në vitin 2021, ka vazhduar të enjten në Gjykatën Themelore të Prizrenit.

    Avokati Mahmut Halimi thotë se transferimi i kësaj lënde nga gjykata e Mitrovicës po u shkakton vështirësi palëve.

    Megjithatë, palët në disa raste kanë pasur vështirësi të jenë prezent edhe në Gjykatën në veri, shkaku i tensioneve të fundit në këtë rajon.

    Kjo dhe mungesa e prokurorëve në tremujorin e fundit kanë ndikuar që shumë seanca të dështojnë.

    Por, Kutllovci gjatë raportimit në Këshillin Gjyqësor të Kosovës tha se pavarësisht situatës me të cilën janë ballafaquar, ka rritje të numrit të lëndëve të zgjidhura.

    Për punën gjatë tre muajve të fundit, para Këshillit Gjyqësor raportuan edhe drejtuesit e gjykatave të tjera në vend.

    Kryesuesi i KGJK-së kërkoi zbatim të rregullores për normën e punës së gjyqtarëve.

    Ka tetë muaj që gjyqtarët dhe stafi administrativ i nacionalitetit serb dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre në gjykatën në veri, shkaku i vendimit të Qeverisë për targa dhe arrestimit të ish-drejtorit të Policisë në këtë pjesë.

    Në mungesë të stafit, KGJK-ja në mars të këtij viti mori vendim të transferojë rreth 70 lëndë në gjykatat e tjera themelore në vend. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Dështon votimi në komision i kandidatëve për bordin e Trust-it

    Dështon votimi në komision i kandidatëve për bordin e Trust-it

    Mungesa e anëtarëve, përfshirë edhe e atyre të partisë në pushtet, në Komisionin për Buxhet bëri që të dështojë mbledhja, në të cilën kishin për t’u votuar emrat e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Trustit, që është jashtë funksionit për më shumë se 4 muaj.

    Me këtë votim do t’i hapej rruga votimit të këtyre emrave edhe në seancë të Kuvendit.

    Por për këtë dështim, Ministri i Financave, Hekuran Murati, e akuzoi opozitën, e cila, sipas tij, nuk ka interesim për funksionimin e institucioneve.

    “U dëshmua se nuk e ka për mirëfunksionim të shtetit, por e kanë kryesisht për luftë politike dhe as që ju intereson se si funksionojnë institucionet. Gjithëve na kujtohet se si para disa muajve kishin ankesa se si po bllokohet fondi pensional se si po rrezikohen investimet, ndërsa sot kur i kemi pru kandidatët, opozita nuk merr pjesë. Pra nuk janë në përputhje me qëndrimet e tyre fillestare se gjoja po shqetësohen se si funksionon trusti pensional”, tha Murati

    Por opozita konsideron se fajin për këtë e ka pozita e cila ka mundësi t’i votojë emrat e anëtarëve të bordit, pasi e ka shumicën.

    “Ata i kanë 51%, kanë mundësi t’i votojnë emrat. Këtë punë është dashur ta bëjnë para 1 viti e jo ky proces të vazhdojë ende deri më tani”, tha deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

    “Deklaratat e ministrit janë të pabaza. Ne kemi qëndrimin tonë, nuk marrim pjesë në votim. Ata i kanë numrat. Ky proces është stërzgjatur për shkak të tyre”, tha deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

    Ndërkohë, kandidatët për Bordin e Fondit të Kursimeve Pensionale që i janë propozuar Kuvendit janë: Emanuel Bajra, Shpresim Vranovci, Mimoza Mustafa, Cyril Demaria- Bengochea, si dhe Trim Shala. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • “Auditimi”, LV-ja në Prishtinë do t’iu drejtohet organeve të drejtësisë

    “Auditimi”, LV-ja në Prishtinë do t’iu drejtohet organeve të drejtësisë

    Asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, do t’iu drejtohen organeve të drejtësisë, për, siç kanë thënë ata, gjetjet e raportit të auditimit. Sipas tyre, në bazë të raportit, Komuna e Prishtinës mund të përballet me vepra penale.

    “Sipas standardeve të auditimit, opinioni i kualifikuar jepet në rastet kur janë zbuluar keqdeklarime ose mospajtueshmëri, kur e tejkalojnë nivelin e materialitetit për pasqyrat financiare. Baza për opinion të kualifikuar ka rrjedhur: si rezultat i planifikimeve buxhetore të gabuara, ku komuna ka paguar 2 milionë e 453 mijë e 137 euro nga investimet kapitale, shpenzime që për nga natyra u takojnë mallrave dhe shërbimeve”, ka thënë asambleistja e LV-së, Violeta Salihu.

    “Duke i bërë thirrje kryetarit Rama për reflektim në shërbim të drejtë të qytetarëve, po i njoftojmë qytetarët se disa nga këto gjetje do t’i adresojmë te organet e drejtësisë, sepse ka indikacione të veprave penale”, tha asambleisti e LV-së, Ermal Osman.

    Po ashtu, asamblisti Ermal Osmani thotë se te gjetjet e raportit, por edhe rekomandimet flitet edhe për keqklasifikim në kategoritë ekonomike.

    “Po fillojë me mashtrimin e parë që ka tentuar të bëhet, duke keqklasifikuar në kategoritë ekonomike, ku nga buxheti për investime kapitale janë paguar 2 milionë e 453 mijë e 137 euro shpenzime, që për nga natyra nuk i takojnë investimeve kapitale. Prezantim i pasaktë i llogarive të arkëtueshme me taksat e infrastrukturës, ku kemi shumë të mbivlerësuar për 98 mijë e 78 euro dhe të arkëtueshme nga lejet e ndërtimit ishin të nënvlerësuara për 250 mijë e 309 euro”, tha Osmani.

    Sipas asamblistëve, janë evidentuar shkelje edhe në ngritjet në detyrë, me ç’rast është theksuar se të gjitha këto kanë ndodhur pa u zhvilluar proces konkurrues. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Konjufca takohet me Ramën

    Konjufca takohet me Ramën

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca e ka pritur në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

    Takimi është zhvilluar pa praninë e medieve. Rama fillimisht është pritur në takim nga e para e shtetit Vjosa Osmani.

    Takimin me Ramën e ka refuzuar kreu i Qeverisë, Albin Kurti. Ai ka thënë se me Ramën do të takohet vetëm në mbledhjen e dy qeverive.

  • Takimi me Ramën – deklarohet Osmani tregon se çka u diskutua

    Takimi me Ramën – deklarohet Osmani tregon se çka u diskutua

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmanii është deklaruar pas takimit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, të enjten në Prishtinë.

    Osmani ka deklaruar se me Ramën kanë diskutuar për proceset e ardhshme në agjendën ndërkombëtare, me fokus në Samitin e NATO-s dhe Samitin e Procesit të Berlinit

    ”Me Kryeministrin Edi Rama diskutuam sot proceset e ardhshme në agjendën ndërkombëtare, me fokus në Samitin e NATO-s dhe Samitin e Procesit të Berlinit“, ka shkruar Osmani.

    Gjithashtu njoftoi se është folur edhe për raportet në mes dy shteteve.

    “Forcimi i mëtejmë i bashkëpunimit në mes të dy shteteve tona është në të mirë të qytetarëve tanë dhe në të mirë të së ardhmes sonë të përbashkët euroatlantike“, ka thënë ajo.

    Nuk dihet nëse do të ketë takim mes kryeministrit Albin Kurti dhe Edi Ramës.