ATV

Author: ATVLive

  • Murtezaj: ATK shënoi rritje në të hyrat tatimore për 68 milionë

    Murtezaj: ATK shënoi rritje në të hyrat tatimore për 68 milionë

    Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka shënuar rritje në të hyrat tatimore për 68 milionë më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

    Në një konferencë për media, drejtori i këtij institucioni, Ilir Murtezaj tha se në periudhën janar-qershor të këtij viti të hyrat e grumbulluara nga tatimet janë 423.2 milionë euro, ose 19 për qind më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

    Murtezaj tha se pavarësisht sfidave që po ballafaqohet vendi nga ana ekonomike, falë punës që po bëjnë kanë arritur të shënojnë progres në këtë drejtim.

    Mes tjerash, duke folur për inkasimin e borxheve, Murtezaj tha se ka ulje të borxheve në këtë drejtim.

    Ai ka theksuar se sfidë kryesore e ATK-së është identifikimi dhe trajtimi i personave, të cilët nuk deklarojnë të ardhurat e tyre personale.

  • Aksident i rëndë në Podujevë, vdes një grua dhe lëndohen tre persona

    Aksident i rëndë në Podujevë, vdes një grua dhe lëndohen tre persona

    Një person ka vdekur dhe tre të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur dje në Podujevë.

    “Si pasojë, lëndime trupore kanë pësuar katër persona dhe të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor. Rreth orës 01:30 e datës 07.07.2023 në QKUK si pasojë e lëndimeve të marra ka ndërruar jetë viktima femër kosovare dhe e njëjta me vendim të prokurorit dërgohet në IML për obduksion.”, ka informuar Policia.

    Aksidenti ka ndodhur në mes të dy veturave.

  • U kërcënua nga Vuçiqi pas deklaratës se Serbia po kontrabandon armë me autoambulanca, Kearns merr përkrahje të shumta

    U kërcënua nga Vuçiqi pas deklaratës se Serbia po kontrabandon armë me autoambulanca, Kearns merr përkrahje të shumta

    Ambasadori i Kosovës në Britani të Madhe, Ilir Kapiti dhe analisti i Ballkanit Perëndimor nga Instituti “New Europe”, Jakub Bielamowicz i kanë dalë në mbrojtje deputetes britanike, Alicia Kearns e cila një ditë më parë u kërcënua nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas deklaratave të saj se Serbia po kontrabandon armë me autoambulanca drejt kishave ortodokse në Kosovë.

    Ambasadori i Kosovës në Londër, Ilir Kapiti në një postim në Twitter shkruan se Aleksandar Vuçiq, ministri famëkeq i informimit në kohën e Slobodan Millosheviqit është i njohur për aftësitë e tij dinake për orkestrimin e skemave komplekse.

    Ndërkaq, njohësi i proceseve në Ballkanin Perëndimor, Jakub Bielamowicz thekson se është sulm i turpshëm i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq që po kërcënon me hetim deputeten Kearns për deklaratat e saja.

    “Një sulm i turpshëm nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i cili po kërcënon me një hetim kundër Alicia Kearns, kryetare e Komitetit të Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, e cila ka folur për agresionin e Serbisë, përfshirë kontrabandë armësh me autoambulanca në kishat serbe në Kosovë”, shkruan ai.

    Edhe deputeti gjerman, Michael Roth i ka dalë në mbrojtje deputetes britanike.

    “Thjesht e neveritshme. Solidaritet i plotë me kolegun tim të madh”, shkruan ai.

    Ndryshe, ditë më parë është ngritur një debat në opinion lidhur me pretendimet për kontrabandë të armëve nga Serbia për në Kosovë përmes autoambulancave.

    Deputetja britanike, Alicia Kearns pak ditë më parë ka thënë se Serbia kontrabandon armë me autoambulanca drejt kishave ortodokse në Kosovë.

    Ajo madje tha se për këtë është në dijeni KFOR-i.

    Por, KFOR-i të mërkurën në një përgjigje për Telegrafin mohoi një gjë të tillë. KFOR-i ka theksuar se nuk ka asnjë provë për atë që është raportuar, dhe se deputetja i referohet ngjarjes së vitit 2022, kur Batalioni Mbretëror Fusilier (regjiment ushtarak britanik), u punësua në Kosovë.

    “Nuk ka asnjë dëshmi në lidhje me kontrabandën e supozuar të kryer përmes vijës kufitare administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kishat ortodokse me autoambulanca”, deklaroi KFOR-i.

    Ndërkaq, pas deklaratave të deputetes britanike, ka reaguar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke e kërcënuar Kearns me hetime ndaj saj.

    Ai ka thënë Kearns “është e njohur për aktivitetet e saj antiserbe”.

    “Tani, së bashku me veprimet policore, po futin elemente të reja, që është sulm ndaj dy shtyllave të tjera të popullit serb në Kosovë, Kishës Ortodokse Serbe dhe shëndetësisë”.

    Vuçiq tha se ndaj saj kanë nisur edhe një hetim.

    “Mos u shqetësoni zonjë, ne tashmë po kryejmë një hetim kundër jush, për të parë pse po e bëni këtë, nëse qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nuk reagon, ne jemi të detyruar të bëjmë”. /Telegrafi

  • Temperatura përvëluese në 10 ditët e ardhshme

    Temperatura përvëluese në 10 ditët e ardhshme

    Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror ka bërë sot të ditur se në 10 ditë e ardhshme temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 37 gradë Celsius.

    Në njoftimin e Departamentit Meteorologjik thuhet se duke marr parasysh sasinë e madhe të lagështisë sipërfaqësore prezentë nga reshjet enorme të javëve dhe muajve të fundit, ndjeshmëria e këtyre temperaturave përvëluese do të jetë edhe më e lartë dhe rënduese për shëndetin.

    Lexoni të plotë njoftimin:

    Nga dita e shtunë, nën dominimin gradual dhe prezencës së shtypjes së lartë atmosferike, si dhe depërtimit të masave ajrore afrikane, nga mot i paqëndrueshëm mbi vendin dhe rajonin tonë, gradualisht do të mbizotërojë mot stabil, me vranësira të pakta dhe temperatura gjithnjë në rritje të cilat në pjesën e dytë të javës së ardhshme do të arrijnë edhe maksimalet deri në 37°C.

    Shtuar kësaj edhe sasinë e madhe të lagështisë sipërfaqësore prezentë nga reshjet enorme të javëve dhe muajve të fundit, ndjeshmëria e këtyre temperaturave përcëlluese do të jetë edhe më e lartë dhe rënduese për shëndetin.

  • ShBA-ja do t’i japë Ukrainës bomba thërrmuese

    ShBA-ja do t’i japë Ukrainës bomba thërrmuese

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme të dërgojnë municione thërrmuese në Ukrainë për të ndihmuar ushtrinë ukrainase të shpërndajë dhe të largojë forcat ruse.

    Një paketë e re ndihme ushtarake me vlerë 735 milionë eurosh pritet të shpallet nga administrata e Biden të premten, thanë njerëz që kanë njohuri mbi vendimin për agjencinë e lajmeve AP në kushte anonimiteti, shkruan Euronews, transmeton Klan Kosova.

    Kjo vjen pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, pretendoi se dërgesat e ngadalta të armëve në Ukrainë po zhgënjejnë kundërsulmimin e saj, duke lejuar Rusinë të forcohet në zonat e pushtuara me mina.

    Dërgimi i municioneve të ndaluara në Kiev pritet të shkaktojë zemërim nga disa aleatë dhe grupe humanitare që kanë kundërshtuar prej kohësh përdorimin e bombave thërrmuese.

    Municionet thërrmuese janë një opsion tërheqës, sepse ato do ta ndihmonin Ukrainën të shkatërronte më shumë objektiva me më pak raunde.

  • Komuna e Prishtinës i jep 70 euro për regjistrim të fëmijëve në institucione parashkollore private

    Komuna e Prishtinës i jep 70 euro për regjistrim të fëmijëve në institucione parashkollore private

    Nga shtatori i këtij viti pritet të filloj subvencionimi i familjeve në vlerë prej 70 euro për regjistrim të fëmijëve në institucione parashkollore private.

    Këtë e konfirmoi drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Besianë Musmurati.

    “Por prej shtatorit pritet me fillu”, tha ajo për Front Online.

    Prej kësaj shume, do të përfitojnë rreth 120 familje.

    “Mjetet do të ndahen diku për rreth 120 familje, tani kemi me bërë vetëm verifikimin, a do ja kërkojmë trustin, xhirollogarinë bankare, që mos me mund me na gënjyer njerëzit, kjo është”, tha ajo

    Për këtë vit janë ndarë 100 mijë euro.

    Por, Musmurati nuk përjashton mundësinë që vitin tjetër do të rritet buxheti për këtë subvencionim.

    “Po kjo është për një vit, ndoshta vitin tjetër e rrisim buxhetin, kjo është hera e parë që po e bëjmë, të shikojmë njëherë sa aplikime po kemi, qysh po shkon puna”, deklaroi ajo

    Përveç kriterit që është për ato familje që kanë të ardhura mujore më pak se 500 euro, Musmurati thotë se do të ketë edhe kritere të tjera.

    “Tani jemi duke e bërë listën e kritereve të sakta, dhe listën e çerdheve që janë të licencuara prej ministrisë, çerdhet private, dhe mandej vazhdojmë”, tha ajo.

    Musmurati më parë ka thënë se janë detyruar të bëjnë një bashkëpunim të tillë me kopshtet private, pasi që është numër tejet i vogël i kopshteve publike.

    Komuna e Prishtinës ka miratuar vendimin për subvencionimin e familjeve në vlerë prej 70 euro për regjistrim të fëmijëve në institucione parashkollore private.

  • 14 vjeçari vret me pushkë gjuetie vëllain 12 vjeçar në Serbi

    14 vjeçari vret me pushkë gjuetie vëllain 12 vjeçar në Serbi

    Në fshatin Međuluzhje afër Mlladenovcit në Serbi, dje rreth orës 13.00 ka ndodhur një tragjedi e tmerrshme familjare, ku Aleksandar L. 14 vjeçar me pushkë gjuetie ka vrarë vëllain e tij Nikola L. 12 vjeçar.

    Siç mëson Novosti, djemtë ndodheshin në shtëpi me gjyshen e tyre, ndërsa prindërit e tyre ishin në punë. Ata po luanin në oborr dhe më pas, gjoja, u grindën se cili nga të dy do të hynte i pari në pishinë për të notuar. Më pas vëllai i madh ka hyrë në shtëpi dhe ka marrë një pushkë gjuetie. Ai vrapoi jashtë, i drejtoi pushkën vëllait të tij dhe e qëlloi. Sulmi fatal e ka goditur Nikolën në kokë dhe e ka vrarë.

    Duke parë se çfarë ndodhi, gjyshja e djalit vrapoi në oborr, dhe filloi të thërrasë fqinjët duke bërtitur: “Thirrni ambulancën dhe policinë, shpejt”.

    Ndërkohë, babai i djalit u njoftua për tragjedinë dhe ai pothuajse erdhi me vrap në shtëpi. Gjatë asaj kohe, djali i madh filloi të ikë nga oborri duke bërtitur: ”

    Kam vrarë vëllanë, kam vrarë vëllanë, çfarë do të bëj tani?”

    Policia dhe ambulanca kanë mbërritur në vendngjarje në shtëpinë e djalit. Për fat të keq, për Nikollën nuk pati shpëtim dhe Aleksandri shpejt u gjet dhe u dërgua në paraburgim. Policia ndaloi edhe gjyshen e djemve me dyshimin se e mbante pushkën e gjuetisë, e cila me shumë gjasa i përkiste bashkëshortit të saj tashmë të ndjerë, të siguruar në mënyrë joadekuate dhe pa leje.

  • ZKM ndan disa foto të Kurtit nga festa e ambasadës për 4 Korrikun

    ZKM ndan disa foto të Kurtit nga festa e ambasadës për 4 Korrikun

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka organizuar mbrëmë një ceremoni për të shënuar 4 Korrikun – Ditën e Pavarësisë së SHBA-së, ku kanë marrë pjesë edhe Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti dhe Kryeparlamentari Glauk Konjufca.

    Disa fotografi të Kurtit nga kjo ceremoni i ka ndarë Zyra e Kryeministrit, por në asnjërën prej tyre Kurti nuk shihet me Ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier.

    Kurtit nuk iu dha fjala gjatë kësaj ceremonie, por sipas ZKM’së, Kurti e ka uruar Hovenier për 4 Korrikun, “me dëshirat më të mira për kombin amerikan, aleatin e madh të Republikës së Kosovës”, raporton Express.

    Fjalim ka mbajtur vetëm Presidentja Vjosa Osmani, e cila ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk janë thjesht një aleat, por një udhërrëfyes për Kosovën.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë shumë kritike ndaj vendimeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti lidhur me veriun e Kosovës. Sekretari Amerikan, Antony Blinken kishte kundërshtuar mënyrën se si Kurti ka vepruar pa koordinim për Veriun, derisa në një deklaratë të Departamentit Amerikan të Shtetit ishte thënë se veprimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës do të kenë ndikim edhe në raportet ndërshtetërore SHBA-Kosovë.

    Pas këtyre kritikave, SHBA ka marrë edhe masa. Kosova është përjashtuar nga operacioni ushtarak Defender Europe, ndërkohë që ka pasur edhe parlajmërime se mund të ketë masa edhe ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti personalisht.

  • Formula 1, drejtori i Red Bull Christian Horner:  Kemi mundësitë për të fituar të gjitha garat në këtë sezon

    Formula 1, drejtori i Red Bull Christian Horner: Kemi mundësitë për të fituar të gjitha garat në këtë sezon

    RedBull këtë edicion të Formula 1 vazhdon të mos ketë kundërshtar, duke dominuar edhe garën e fundit në fundjavën që lamë pas në pistën e Austrisë, aty ku Max Verstappen përveç garës, fitoi edhe garën e dytë Sprint të sezonit.

    Rivalët e skuderisë austriake si Ferrari e Mercedes vazhdojnë të kenë probleme, dhe konkurrenca me Red Bull duket thuajse mision i pamundur.

    Këtë edicion Red Bull është duke tentuar të thyej rekordin e vendosur nga McLaren, në vitin e largët 1988, ku skuaderia britanike ia doli të koleksiononte 11 fitore radhazi.

    Në një intervistë për ‘’Sky Sports’’, Drejtori Red Bull Christian Horner u shpreh se skuadra e tij mund të thyej këtë rekord.

    “E pranoj se i kemi mundësitë për të fituar të gjitha garat në këtë sezon. Por, ne mendojmë garë pas gare, i marrim me radhë ato. A do t’ia dalim? Ndoshta’’, tha ndër të tjera Horner.

    Kujtojmë se gara e ardhshme e Formula 1, do të zhvillohen në shtegun e Silverstone në Britaninë e Madhe, ku Red Bull fitoren e fundit në këtë pistë e ka arritur, në vitin 2012.

  • Ky është personi i parë me 1 milion ndjekës në Threads

    Ky është personi i parë me 1 milion ndjekës në Threads

    MrBeast është shpallur personi i parë që ka arritur 1 milion ndjekës në aplikacionin e ri të quajtur Threads.

    Ky mjet i komunikimit i cili u lansua për të rivalizuar Twitterin, doli në përdorim më 5 korrik.

    Youtuberit, emri i vërtetë i të cilit është Jimmy Donaldson, iu deshën vetëm disa orë për t’u ndjekur nga një milion njerëz, raportoi të enjten “GuinnessWorldRecords”.

    Teksa teknikisht llogaria e tij nuk ishte e para që e arriti këtë numër, të tjerat i përkisnin organizatave si Instagram dhe National Geographic.

    Ai i ka bërë vetëm tri postime në Threads. Në postimin e tij të parë, pak pasi aplikacioni doli në internet, MrBeast ka shkruar: “Pra, sa kohë do të ndodhë që të jemi të varur nga ky aplikacion?”.

    Ai gjithashtu ftoi fansat e tij ta pëlqejnë një postim nëse mendojnë se Mark Zuckerberg i Metës duhet ta bëjë atë drejtor ekzekutiv të aplikacionit.

    MrBeast gjithashtu bëri shaka duke thënë: “Më duket sikur po e tradhtoj Twitterin duke e përdorur këtë aplikacion”.

    Aplikacioni Meta Threads u prezantua si një alternativë “miqësore” ndaj Twitterit. Ashtu si Twitter, përdoruesit mund të postojnë duke përfshirë foto dhe video, dhe të tjerët mund t’i pëlqejnë, t’u përgjigjen dhe t’i ndajnë ato me ndjekësit e tyre.

    Postimet janë të kufizuara në një maksimum prej 500 karakteresh. Dhe për t’i bërë gjërat më të lehta për përdoruesit e rinj, njerëzit mund të identifikohen përmes Instagramit, të importojnë fotografitë e profilit dhe biografitë e tyre, dhe madje të ndjekin të gjithë ata që ndjekin tashmë në Instagram me një klik të një butoni.

    Raportohet se Threads se ka tërhequr më shumë se 10 milionë përdorues nga grupi i tij prej 2 miliardë llogarive ekzistuese në Instagram.

    Jimmy Donaldson, i njohur si MrBeast, është Youtuberi burrë me më së shumti ndjekës, gjithsej 162 milionë.

    Ai ka bërë famë me videot e tij në të cilat ndihmon njerëzit. Ai në disa raste ka ndarë shifra deri në miliona, vetëm që njerëzit të kryejnë sfida, të cilat nuk janë të paarritshme.