ATV

Author: ATVLive

  • Kryeministri dhe ministrja e Drejtësisë mbrojnë Mimoza Kusari-Lilën

    Kryeministri dhe ministrja e Drejtësisë mbrojnë Mimoza Kusari-Lilën

    Audio-incizimet e publikuara nga gazeta online “Nacionale”, në të cilat shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, gjatë një takimi me Slako Simiqin e Listës, pranon se ka biseduar me Milan Radojçiqit, kryeministri Albin Kurti i vlerësoi luftë hibride të Serbisë ndaj Kosovës.

    Teksa incizimeve iu referua si të gjymtuara e të redaktuara, Kurti mbrojti Kusarin duke thënë se komunikimi me Simiqin ishte bërë në kuadër të punës si shefe e grupit parlamentar.

    “Asaj i është lëshuar në interfon të telefonit të Slavko Simiqit, gjë që s’mund të thuhet që është takim, andaj unë edhe një herë po e theksoj, pushteti ynë është demokratik, shteti ynë është i pavarur dhe të gjitha këto sulme në kuadër të luftës hibride, do të dështojnë”, tha Kurti.

    Kurti mohoi pretendimet që e implikojnë atë në audio-incizim.

    “As që jam takuar e as kam komunikuar ndonjëherë me personin në fjalë”, tha Kurti.

    Duke iu shmangur pyetjeve nëse Kusari-Lila duhet të shkarkohet ose të vihet para përgjegjësisë për bisedën me Radojçiqin, i cili është në arrati nga institucionet vendore dhe në listën e sanksioneve të SHBA-së, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, mbrojti shefen e grupit parlamentar të partisë së saj.

    “Lista Serbe nuk ka mundur të shantazhojë dhe t’i bëjë presion shefes së Grupit Parlamentar të LV-së, Mimoza Kusari-Lila. Po të kishin efektin e tyre dhe të shkonin përpara kërkesat e Listës Serbe ato nuk do të publikoheshin”, tha Haxhiu.

    Edhe Haxhiu mohoi implikimet nga përmendja që i bëhet në audio-incizim.

    Lidhur me incizimin e publikuar, në një intervistë në CONTEXT të ATV-së, Kusari Lila ka paralajmëruar padi ndaj Slavko Simiqit dhe gazetarit Berat Buzhala. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Mundësia e lëshuar për arrestimin e I.B. që tash akuzohet në mungesë

    Mundësia e lëshuar për arrestimin e I.B. që tash akuzohet në mungesë

    Meqë nuk u gjet askund në Kosovë e as në vendet me të cilat ka bashkëpunim, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë në mungesë ndaj Ilir Berishës.

    Por, sipas banorëve të Klinës, para tre vjetësh institucionet e Kosovës lëshuan një mundësi për arrestimin e romit që akuzohet për dëbim të shqiptarëve, djegie të shtëpive me njerëz të vrarë brenda, si dhe plaçkitje.

    “Dëgjova se e kanë pa në Klinë se ka ardhë me apliku në Klinë për pasaportë. Kur ka ardhë me marrë, i kam thënë Delisë (një polic) pse s’po e merrni. Unë vi deklaroj se çka kam pa për ta”, tha Asllan Morina, fqinj i të dyshuarit.

    Kështu, me insistim të dëshmitarit Asllan Morina, Policia e ndaloi përkohësisht Ilir Berishën.

    “E pyetshin, send nuk pranojke. Dikur i thashë: a muj me dalë unë ballë për ballë me të. Edhe kur e takova i thash: o ilir, ma ktheu: ku je kojshi, i thashë: ja ma s’ka kojshi. A e ke ba qita, e pranojke…”, tha Morina.

    Por, dëshmia dhe pranimi i fajësisë për disa nga veprat, sipas Morinës, nuk mjaftoi për ta mbajtur prapa grilave.

    “Edhe në fund kurrgjë, prapë u liru. I kam thanë Deliut, pse me u liru… Këto dëshmi për të bëmat e tij a nuk mjaftojnë a?”, u shpreh Morina.

    Policia e as Prokuroria Speciale deri në transmetimin e kësaj kronike, nuk janë deklaruar rreth intervistimit për të cilin flasin banorët e Klinës.
    Por Fondi për të Drejtën Humanitare sugjeron të bëhen më shumë përpjekje për sigurim të dëshmive.

    “Është shumë e rëndësishme për prokurorinë, në mënyrë që ta dëshmojë përgjegjësinë e të akuzuarit, dhe është për të ardhur keq nëse prokuroria nuk i ka intevristu të gjithë dëshmitarët…”, tha Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

    Nga fillimi i majit e deri në mesin e muajit korrik, Prokuroria Speciale ka ngritur 4 aktakuza në mungesë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Serbia dërgoi armë në Rusi? Belgjika i suspendon licencën

    ​Serbia dërgoi armë në Rusi? Belgjika i suspendon licencën

    Një kompani belge që prodhon makineri për prodhimin e municioneve u ndalua të martën të eksportonte në Serbi, pasi dyshohej se kjo e fundit kishte dërguar armë në Rusi.

    Mediat ndërkombëtare shkruajnë se ndalimi i eksportit është bërë ndaj kompanisë New Lachaussee.

    Kompania dyshohej se kishte shkelur sanksionet e BE-së të vendosura në vitin 2014, kur Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë të Ukrainës, duke dërguar makineritë e saj në Rusi nëpërmjet një ndërmjetësi në Serbi.

    Sipas mediave ndërkombëtare, kreu i administratës së Wallonisë, Elio Di Rupo, mori vendimin për të pezulluar licencat aktuale të eksportit të Neë Lachaussee “me efekt të menjëhershëm” për shkak të “një rreziku të mundshëm” të shkeljeve të sanksioneve, tha zyra e tij.

    E lidhur me këtë lajm ka reaguar edhe deputetja britanike, Alicia Kearns, e cila ka thënë se “Mbretëria e Bashkuar duhet gjithashtu të pezullojë licencat e armëve për Serbinë, për të lejuar një hetim të menjëhershëm të pajisjeve britanike”.

    “Kam bërë thirrje për një thyerje të ngjashme disa muaj më parë pas shqetësimeve më të gjera rreth keqpërdorimit të mundshëm të eksporteve të mbrojtjes”, ka shkruar ajo në Twitter, shkruan KosovaPress.

    Kujtojmë se Serbia refuzon të respektojë sanksionet perëndimore ndaj Rusisë.

  • Vitia lajmëron hapjen e një konkursi për 25 vende pune në Ministrinë e Shëndetësisë

    Vitia lajmëron hapjen e një konkursi për 25 vende pune në Ministrinë e Shëndetësisë

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftuar se është hapur konkursi për punësimin e 25 inspektorëve shëndetësorë.

    Vitia u ka bërë thirrje profesionistëve që të aplikojnë për punë.

    Ai ka thënë se shtimi i numrit të inspektorëve shëndetësorë është i nevojshëm për siguruar cilësinë e mbikëqyrjes së shërbimeve shëndetësore.

    Njoftimi i plotë i ministrit Vitia:

    HAPET KONKURSI PËR INSPEKTORË SHËNDETËSORË

    Për të siguruar cilësinë e mbikëqyrjen e nevojshme për shërbimet shëndetësore kemi planifikuar shtimin e numrit të inspektorëve shëndetësorë.

    Puna e inspektorëve shëndetësorë është mision në shërbim të drejtëpërdrejtë për sigurinë e pacientëve tanë kudo që ata janë duke u trajtuar.

    Andaj ju bëj thirrje të gjithë profesionistëve që plotësojnë kushtet që të aplikojnë pa hezitim.

    Angazhimi në fushën e inspektimit shëndetësor është jetik për transformimin e shumëpritur të shërbimeve shëndetësore.

    Të dhënat e aplikimit gjenden në këtë link: https://konkursi.rks-gov.net/jobs?servant=1&type=2

  • Mustafa dyshon në vërtetësinë e një dokumenti që i paraqitet në Speciale me nënshkrimin e tij

    Mustafa dyshon në vërtetësinë e një dokumenti që i paraqitet në Speciale me nënshkrimin e tij

    Rrustem Mustafa Remi e ka vazhduar edhe sot dëshminë në Gjykatën Speciale në Hagë.

    Gjatë dëshmisë atij i është paraqitur një dokument me nënshkrimin e tij.

    E për vërtetësinë e tij ai hodhi dyshime.

    Mustafës nuk iu duk as forma e as përmbajtja si e dokumenteve që i kanë përpiluara ata gjatë kohës së luftës.

    Prokurorja: A e njihini këtë nënshkrim

    Mustafa: Nënshkrimi duhet të jetë i imi, por unë befasohem me këtë dokument. Nuk është formë e dokumenteve tona që unë i kam nënshkruar. Forma përmbajtja po më duken interesant.

    Prokurorja: Z.Mustafa dua që ta lexosh paragrafin e parë, emrin datën dhe kohën që personi thuhet se është arrestuar

    Mustafa: Emrin nëse më lejoni do ta kursej sepse nuk dëshirojë që të ndihet familja e tij keq, apo ai personalisht. I lindur më 12.06.1965 , në Llapashticë të Poshtme ku edhe jeton, mbajtje në lokalet prej 04.01.1999 për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer vepër penale të vjedhjes.

  • ​Më pak çifte të shkurorëzuara në vitin 2022 sesa një vit më parë

    ​Më pak çifte të shkurorëzuara në vitin 2022 sesa një vit më parë

    Në vitin 2022, janë regjistruar 2 mijë e 88 shkurorëzime, ndërsa numri më i madh i shkurorëzimeve, sipas komunave, ishte në Prizren me 209 raste ose 10,0%, në Gjakovë janë regjistruar 172 raste ose 8,2% dhe në Ferizaj 145 raste ose 6,9%.

    Sipas kohëzgjatjes së martesës, dominon viti 5-9 me 31,5%, viti 10-14 me 14,5% dhe viti i katërt (4) me 9,1% e të shkurorëzuarve.

    Në raportin për Statistikat e Shkurorëzimeve për vitin 2022 të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës thuhet se shkurorëzimet e regjistruara brenda Kosovës janë më pak në vitin 2022, krahasuar me vitin 2021 që ishin 2 mijë e 160

    “Te shkurorëzimet sipas grup-moshave, te femrat dominonte mosha 25-29 vjeçare me 452 shkurorëzime, ose 21,6%, kurse tek meshkujt dominonte mosha 30-34 vjeç me 431, ose 20,6%”, thuhet në raport.

    Ndërsa, mosha mesatare e personave të shkurorëzuar të regjistruar gjatë vitit 2022 ishte 29 vjeç.

  • “Shpeshherë, gjatë namazit më kanë rrjedhë edhe lotët”, Babai i Bleros tregon emocionet që kishte përjetuar gjatë haxhit në Mekë

    “Shpeshherë, gjatë namazit më kanë rrjedhë edhe lotët”, Babai i Bleros tregon emocionet që kishte përjetuar gjatë haxhit në Mekë

    Bajram Muharremi, babai i këngëtarit Blerim Muharremi që njihet si Blero, këtë vit ka kryer haxhin, që është një nga pesë shtyllat e Islamit.

    Ai, në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin n’Frekuencë me Robin në ATV, ndau me shikuesit përjetimet e tij në vendin e shenjtë të Mekës si dhe qytetin e profetit Muhamed, Medinën.

    Bajrami tha se vizita e tij në Mekë, për të ishte një ndjenjë tepër e veçantë, ku i kishte ndodhur shpeshherë që gjatë namazit t’i rridhnin edhe lotët.

    “Unë do të jem shumë i sinqertë, vizitën time aty që ma mundësoi Zoti i Madhërueshëm të bëj aty, në Mekë, në harem ata e quajnë, shpeshherë ka ndodhur që gjatë namazit më kanë rrjedhë edhe lotët. Ishte e pamundur që të mundesh me përballu për pa të shku lotët”, rrëfeu Bajrami.

    Ai tha se kjo ishte vizita më e bukur në jetën e tij dhe shpreson se nuk do të jetë e fundit.

    “Ishte një ndjenjë e veçantë, ishte një kënaqësi e veçantë. Për mua ka qenë kjo vizita më e bukur në jetën time të cilën e kam bërë dhe do të jetë, ishalla nuk do të jetë hera e fundit që e vizitoj atë vend. Temperaturat kanë qenë jashtëzakonisht të larta”, u shpreh Bajrami.

    Gjatë vizitës së tij në Medine, ndjenjë e veçantë për të ishte edhe falja e namazit te varri i profetit Muhamed.

    “Pos Mekës, në Medine është xhamia e profetit Muhamed, e cila i zë një milion njerëz të falen brenda, po ashtu edhe përjashtë. Ka pasur raste që brenda ka qenë shumë vështirë të gjejmë një vend që të falemi. Vizita e vorrit, apo në xhami të profetit Muhamed ku e kem bërë, falë hoxhës nga Mitrovica Fuad Ferati, Asllan Fazliu edhe Kastriot Behrami, të cilët na mundësuan, ne katër kemi hyrë aty dhe jemi falë. Muhamedi e quan atë, “është bahqja e Xhenetit”. Aty i kemi falë katër reqate edhe lutje që i kemi bë aty. Ishte një ndjenjë e veçantë, aty brenda kur hyn, i ke prej kur profeti Muhamed ku e ka mbajtë namzin e vet, në atë xhami aty, 30 metra prej aty e ka pasur shtëpinë e vet, edhe ai e quan “ky është kopshti i Xhenetit”. Janë ndjenja shumë të veçanta, është kënaqësi shumë e madhe, je krejt në tjetër botë. Tu duket vetja që je i lidhur drejtpërsëdrejti dhe gjithmonë duhet me kanë ashtu, po me Zotin”, ka rrëfyer Bajram Muharremi. /atvlive.tv

  • Rama në Samitin e NATO-s takohet me Erdogan, flasin veçanërisht për Veriun e Kosovës

    Rama në Samitin e NATO-s takohet me Erdogan, flasin veçanërisht për Veriun e Kosovës

    Kryeministri shqiptar Edi Rama ka njoftuar se ka zhvilluar një takim bilateral me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan në kuadër të Samitit të NATO-s që po mbahet në Vilnius të Lituanisë.

    Rama tha se temë e takimit me të do të jetë situata në rajon me theks Veriu i Kosovës.

    “Vilnius, Lituani – Me Presidentin Erdoğan, në takimin bilateral për situatën në rajonin tonë dhe veçanërisht në Veriun e Kosovës”, ka shkruar Rama në Facebook, duke i bashkëngjitur edhe disa fotografi të takimit.

    Në Vilnius janë mbledhur liderët e shteteve anëtare të NATO-s me temë kryesore Ukrainën.

  • Kurti flet për audio incizimet: Unë as që kam komunikuar e as që jam takuar me Radojiçiqin

    Kurti flet për audio incizimet: Unë as që kam komunikuar e as që jam takuar me Radojiçiqin

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e ka mbrojtur Mimoza Kusarin për incizimin e dalë me Sllavko Simiqin e Listën Serbe derisa ka thënë që nuk ka komunikuar vetë e as nuk është takuar ndonjëherë me Radojiçiqin.

    E pyetur nga gazetarja e Nacionales për një koment mbi incizimin dhe nëse është takuar edhe ai, Kurti u shpreh:

    “Unë as që kam komunikuar e as që jam takuar ndonjëherë me personin në fjalë. Por, edhe njëherë ju lus të gjithëve sa i përket kësaj lufte hibride e cila bëhet nga Serbia kundër shtetit të pavarur dhe pushtetit demokratik në Kosovë.” – u shpreh kryeministri i vendit.

    Më tutje, Kurti e mbrojti në mënyrë të qartë Kusarin duke i thënë këto fjalë:

    “Gjatë takimit që ajo ka pasur me shefin e Listës Serbe kur ata ishin në Kuvend e kur e kishin Goran Rakiqin në qeveri aty asaj i është lëshuar në interfon të telefonit të Sllavko Simiqit, gjë që s’mund të thuhet që është takim.”

    Ai tutje u shpreh se duhej të kishim kujdes nga lufta hibride e Serbisë në kontekstin e këtij incizimi.

  • “Vetëm për një ditë ndërruan jetë 17 persona” – Babai i Bleros tregon për vizitën e tij në Mekë

    “Vetëm për një ditë ndërruan jetë 17 persona” – Babai i Bleros tregon për vizitën e tij në Mekë

    Bajram Muharremi, babai i këngëtarit Blerim Muharremi që njihet si Blero, këtë vit ka kryer haxhin, që është një nga pesë shtyllat e Islamit.

    Ai, në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin n’Frekuencë me Robin në ATV, ndau me shikuesit përjetimet e tij në vendin e shenjtë të Mekës si dhe qytetin e profetit Muhamed, Medinën.

    Bajrami tregoi se gjatë qëndrimit të tij atje, nuk kishte kaluar ditë që nuk kishin falur ‘namaz të xhenazës’, që është lutja për të vdekurin sipas traditës islame.

    “Ka pasur shumë raste, asnjë namaz që e kemi falë si në Mekë, si në Medine, nuk kem mujt me falë për pa falë edhe namaz të xhenazës. Një ditë në meke kanë qenë 17 vetë të vdekur. Jo që ka ndodh aksident a diçka, po në rrethinë që i sillshin aty në periferi, i pajshim ato veturat apo kamionat e veta të vogla, i sillshin aty edhe u flake namazi i xhenazes”, tregon Bajrami.

    Ai tha se nuk e di saktë nëse të vdekurit kanë qenë haxhinj apo njerëz që i kanë sjellë nga rrethi.

    “Nuk e di a kanë qenë vizitorë apo kanë qenë të rrethit, dua të jem shumë i sinqertë, nuk e di, por ne i kemi parë që i sillshin me ato kamionat e vogël me bateria edhe familja u shkojke, ne i kemi parë, por sigurisht kanë qenë edhe të rrethit, por ka pasur edhe haxhinj nga tjerat vise që kanë vdekë, por për fat të mirë, nga Kosova nuk ka vdekë asnjë haxhi, një ka vdekë në Medine, një përfaqësues i Shqipërisë, i cili ka qenë aty, ai ka vdekë dhe është varrosë aty”, tregon Bajram Muharremi. /atvlive.tv