ATV

Author: ATVLive

  • Ismaili: Kjo Qeveri e dështuar të jap llogari për bashkëpunimin me Radojçiqin – zgjedhjet janë zgjidhje

    Ismaili: Kjo Qeveri e dështuar të jap llogari për bashkëpunimin me Radojçiqin – zgjedhjet janë zgjidhje

    Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, zbardhjen e bisedës mes Kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, dhe Shefit të Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Slavko Simiq, ku ajo fyen Ismailin dhe akterë tjerë të PDK-së, e ka cilësuar si skandalin më të madh politik të pushtetit, raporton Ekonomia Online.

    Ismaili në një konferencë për media tha se këto incizime dëshmojnë bashkëpunimin e fshehtë të i Lëvizjes Vetëvendosje me Listën Serbe.

    “Dëshmohet qe ky pushtet ka komunikuar dhe është koordinuar me një njeri të kërkuar nga Policia e Kosovës dhe i ndodhur ne listën e zezë të SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe, Milan Radojçiq. Dëshmohet bashkëpunimi i fshehtë i Lëvizjes Vetëvendosje me Listën Serbe, ndërkohë që Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se s’kanë as koalicion e as bashkëpunim. Dëshmohet edhe një herë mendësia e këtij pushteti, që kurdo në çfarëdo rasti përqesh dhe denigron veprën e UÇK-së, por kësaj here para përfaqësuesit të Milan Radojçiqit, duke u ankuar për veteranët dhe kërkesat e tyre. Ky është skandali më i madh politik i këtij pushteti. Ky bashkëpunim rreth çështjeve me rëndësi – siç është energjia në veri, zgjedhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, votimi kundër tërheqjes së parave të Trustit, të gjitha janë ose në koordinim me Milan Radojçiqin, ose me bekimin e tij”, theksoi Ismaili.

    Ismaili kërkoi që kryeministri Albin Kurti dhe Mimoza Kusari-Lila të japin llogari para qytetarëve dhe para drejtësisë për këto deklarata.

    “Bashkëpunimi me një parti që përfaqeson qytetarët serbë në Kuvendin e Kosovës, në vete nuk është problem. Por, duke e mbajtur të fshehtë këtë bashkëpunim, e duke i gënjyer qytetarët se asnjëherë nuk kanë pasur bashkëpunim me ta, është një tjetër hipokrizi e pushtetit aktual. Kryeministri Kurti dhe Mimoza Kusari-Lila kanë obligim që të japin llogari për tërë këtë situatë. Tendenca për ta normalizuar koordinimin dhe komunikimin me Milan Radojçiq veçse e thellon dhe e bën bashkëpjesëmarrëse tërë Qeverinë në këtë skandal. Milan Radojçiq është një person i kërkuar nga Policia e Kosovës, si për Mimoza Kusarin, edhe për Albin Kurtin, dhe nuk mund ta trajtojmë këtë bashkëpunim si diçka të zakonshme e normale. Propaganda e shfajësimi nuk janë e vërteta. E vërteta është se biseda me Radojçiqin ka ndodhur, është pranuar nga Mimoza Kusari-Lila, dhe çdo gjë perpos llogaridhënies para qytetarëve dhe drejtësisë është tentim për të vazhduar fshehjen e së vërtetës”, tha ai.

    PDK e konisderon të pamoralshme dhe të pafalshme njollosjen e veterenaëve të UÇK-së nga Mimoza Kusari-Lila përballë përfaqësuesve të Listës Serbe.

    “Ushtria Çlirimtare e Kosovës është historia e lavdishme e kombit tonë dhe secili ushtar e ushtare meriton vlerësim të përjetshëm nga gjithë ne. Rrëfimi i saj para përfaqësuesit të Milan Radojçiqit për gjendjen dhe situatën me veteranët e UÇK-së, është i pafalshëm dhe denigrues për secilin qytetar.

    Ismaili ripërsëriti kërkesën e PDK-së për zgjedhje të parakohshme, si e vetmja mundësi për të dalë nga kriza dhe stagnimi, që ka prodhuar Qeveria Kurti.

    “Ky skandal nuk është problemi i vetëm i këtij pushteti. Stagnimi në ekonomi, shëndetësi, arsim, çmimet e larta dhe migrimi i vazhdueshëm, e izolimi i Kosovës, janë dështime të vazhdueshme të kësaj Qeverie. Dalja nga kjo krize dhe ky stagnim – prodhuar nga kjo Qeveri – ka vetëm një rrugë: zgjedhjet, duke i dhënë mundësinë qytetarëve që me vote ta ndryshojnë për të mirë jetën në Kosovë”, tha ai.

  • Avokati Besnik Berisha shoqërohet në Polici

    Avokati Besnik Berisha shoqërohet në Polici

    Avokati kosovar, Besnik Berisha, është shoqëruar në stacion policor mëngjesin e sotëm.

    Berisha aktualisht është duke dhënë intervistë në Departamentin e Krimeve të Rënda, mirëpo nuk dihet ende arsyeja e shoqërimit të tij në Polici, raporton Sinjali.

    Krejt çka dihet deri më tani është se e gjithë kjo lidhet me punën e tij si avokat dhe ligjshmëria e veprimeve do të shqyrtohet nga Gjykata.

  • Lista Serbe: E vërteta konfirmohet pas katër vjetësh

    Lista Serbe: E vërteta konfirmohet pas katër vjetësh

    “Pas katër vjetëve të persekutimit politik dhe juridik dhe maltretimeve të anëtarit të Kryesisë së Listës Serbe, Ivan Todosijeviq dhe familjes së tij, Gjykata Supreme e Kosovës më në fund konfirmoi atë që të gjithë e dimë dhe atë që pretendojmë që nga viti 2019, kur filloi kjo procedurë monstruoze, se Ivani është i pafajshëm, dhe se nuk ka kryer asnjë vepër penale, dhe se si çdo njeri i lirë, ka të drejtën e mendimit dhe qëndrimit të tij”, ka kumtuar Lista Serbe pas vendimit lirues.

    “Vendimi i sotëm konfirmoi të vërtetën që të gjithë e dinim që në fillim, por nuk duhet harruar se kjo e vërtetë u prit për katër vjet, ndërsa Ivani dhe familja e tij, si dhe mbarë populli serb, ishin të shqetësuar sepse ishte vendosur rregulli që i akuzuari serb është gjithmonë i detyruar të dëshmojë pafajësinë e tij”, pretendohet në deklaratë.

    Siç pretendohet në kumtesë, “problemet e persekutimit të pabazë nuk kanë mbaruar”, sepse, theksojnë ata, ende ka serbë “të pafajshëm” nëpër burgjet e Kosovës.

    “Prandaj u bëjmë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë që të bëjnë presion mbi Prishtinën dhe të lirojnë serbët e pafajshëm, të gjithë ata dhe familjet e tyre nuk e kanë problem të vazhdojnë procedurat, sepse duhet hequr njolla nga emrat e tyre, por mbajtja ata në paraburgim me vite pa prova në paraburgim është një dënim në vetvete pa aktgjykim”, përfundon deklarata.

  • Gërvalla shpjegon marrëveshjen me BE për shtensionimin e situatës

    Gërvalla shpjegon marrëveshjen me BE për shtensionimin e situatës

    Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla në një intervistë për Euronews Albania tha se dakordimi mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për 4 çështjet nuk është tërheqje e Albin Kurtit dhe e qeverisë së Kosovës.

    Gërvalla u shpreh se kërkesat e mëhershme të BE ndaj Kosovës ishin të tepruara dhe të papranueshme në momentin kur janë artikuluar.

    Ajo përmendi kërkesën për tërheqjen e policisë nga komunat në Veri, që siç tha nuk mund të pranohej në kohën kur në këto komuna sundonte dhuna.

    “Që në ditën e parë ku Serbia ka nisur të reagojë dhunshëm përmes grupeve ekstremiste kemi thënë që prania e policisë nuk është qëllim në vetvete, por domosdoshmëri nisur nga situata. Marrëveshja është që menjëherë të largohet 25 për qind e policisë jo nga Veriu por ndërtesat dhe zonat rreth tyre. Nuk ka nevojë për polici nëse nuk nevojitet. Nuk është tërheqje e Kurtit, por maturi dhe mençuri në gjetjen e zgjidhjeve me partnerët. Kërkesat kanë qenë të tepruara dhe s’e kemi ndjerë veten komodë. P.sh, largimi në atë kohë i policëve kur aty ka pasur dhunë masive nuk ishte gjëja e duhur. Ka pasur shumë më tepër kërkesa ditën e parë, si tërheqja e menjëhershme e kryetarit të Leposaviçit”, tha Gërvalla.

  • Paraqitja interesante e liderëve të shteteve të NATO-s në një video, pjesë edhe Rama

    Paraqitja interesante e liderëve të shteteve të NATO-s në një video, pjesë edhe Rama

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka shpërndarë një video në të cilën shfaqen të gjithë liderët e shteteve anëtare të NATO-s.

    Vizualizimi i videos ishte më ndryshe ku i paraqite të gjithë politikanët në uniforma ushtarake në bazë të shtetit që e drejtojnë.

    Në mesin e këtyre liderëve ishte edhe Edi Rama. Pos kësaj, aty tregohej edhe viti për secilin shtet kur janë bërë pjesë e NATO-s.

    “Mirëmëngjesi dhe me këtë video plot humor nga Samiti i NATO-s ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar Rama në Facebook.

    Në fund një pjesë iu kushtua edhe Ukrainës, duke lënë të nënkuptohet se ende nuk ka një përgjigje që ky vend t’i bashkohet aleancës Veri-Atlantike.

    Videon e gjeni duke klikuar KETU.

  • Të zgjidhim dilemën e vjetër: Me cilën anë të lugës përzihet kafja?

    Të zgjidhim dilemën e vjetër: Me cilën anë të lugës përzihet kafja?

    Gjithnjë e më shpesh në kafene shohim lugë të vogla të cilat na hutojnë, sepse nuk dimë se si t’i përdorim.

    Te lugët e vogla plastike të cilat na rikujtojnë ato të cilat i përdorin në shtëpi gjërat janë të qarta – e dimë se me cilën anë e përziejmë kafen, dhe në cilën anë e mbajmë lugën, transmeton Telegrafi.

    Mirëpo, si të veprojmë me lugën e formës së këtillë? Cila pjesë zhytet në kafe, dhe cilën pjesë e mbajmë me gishta?

    Në mënyrë që sërish të mos gaboni dhe të përballeni me shikimet kureshtare të njerëzve të cilët qëndrojnë ulur pranë jush në kafene, kemi pyetur ekspertët që të na tregojnë se si ta përdorim lugën e këtillë.

    – Pjesa e hollë e lugës mbahet në dorë, ndërkaq pjesa e gjerë e cila ka katror të vogël apo është kënddrejtë zhytet në kafe.

    Edhe pse pas kësaj rregulle nuk ka arsye konkrete, rregullat janë rregulla.

    Tani është çdo gjë më e lehtë. Kushtoni kujdes këshillës sonë dhe më nuk do të përzieni gabimisht kafen.

  • “Të kthehen serbët në polici, pastaj zgjedhjet në veri”

    “Të kthehen serbët në polici, pastaj zgjedhjet në veri”

    Tërheqja e të gjithë pjesëtarëve të njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu, kthimi i serbëve në polici dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja – këto janë hapat që Slavisha nga Zubin Potoku i sheh si zgjidhje për shtensionimin e plotë të situatës në veri të Kosovës.

    “Të kthehen policët tanë… do të thotë, që ne të kthehemi në punë në [sistemin] e Kosovë. Përderisa janë këtu, do të jetë e vështirë”, thotë ky i intervistuar nga Radio Evropa e Lirë (REL).

    Me të pajtohen Miroslav dhe Nemanja nga Zubin Potoku dhe shtojnë se serbët nga veriu duhet të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.

    Serbët në veri braktisën institucionet e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar, si formë e kundërshtimit të procesit të ri-regjistrimit të automjeteve nga targat serbe në ato të Kosovës. Që atëherë ka pasur një varg krizash dhe protestash të serbëve.

    Tensionet e fundit, të cilat u rritën në fund të majit për shkak të ardhjes së kryetarëve shqiptarë në krye të komunave, vazhdojnë edhe më tej.

    Danijela nga Mitrovica e Veriut, e sheh zgjidhen e krizës në veri si një proces gradual. Ajo beson se serbët, si pjesë e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të tërhiqen nga protestat para komunave.

    “Se çfarë mund të shkojë keq në ndërkohë, nuk jam e sigurt, por evidente është se nuk do të ketë tërheqje të plotë të njësive speciale nga ndërtesat komunale dhe para komunave, gjë që në fakt nuk e përmbushë plotësisht kërkesën e serbëve”, deklaron ajo.

    Më 10 korrik, BE-ja dhe Kosova konfirmuan se kanë arritur një marrëveshje për shtensionimin e situatës dhe një një ditë më vonë u prezantuan hapat konkretë: tërheqja e 25 për qind e policisë nga dhe rreth ndërtesave komunale në veri, organizimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme vendore pas verës dhe rikthimi në dialog për normalizimin e marrëdhënieve.

  • Abdixhiku: Rruga e ardhshme e Kosovës është rrugë pa Kurtin

    Abdixhiku: Rruga e ardhshme e Kosovës është rrugë pa Kurtin

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se rruga e tretë do të jetë pa kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke përjashtuar çdo mundësi bashkëpunimi me të.

    “Ka një rrugë të tretë, që me aleatë e mundim Serbinë, me aleatë i luftojmë edhe bandat në veri. Sot jemi të dobët, pa aleatë dhe prodhues të krizave”, tha ai në .

    Sipas tij, Kurti mbahet përgjegjës për të gjitha skandalet e dështimet e sotme.

    “Shikoni çfarë bëri në veri, e tensionoi situatën, morëm dënime, sanksione. E kuptoni sa e trishtë është kjo?”.

    “Të gjitha këto trazira për t’u kthyer sërish kryetarët serbë në komunat në veri. Çfarë arritje është kjo? Për teket e një njeriu që të mbuloj paaftësinë e tij në sektorët e tjerë”, deklaroi ligjvënësi opozitar. /rtv21

  • Vjen reagimi i Krasniqit për audio-incizimet e Kusarit me Listën Serbe

    Vjen reagimi i Krasniqit për audio-incizimet e Kusarit me Listën Serbe

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar sonte pas publikimit të audio-incizimeve ku shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila dëgjohet duke biseduar me përfaqësuesit e Listës Serbe Sllavko Simiq dhe përmes tij edhe me kriminelin në kërkim Millan Radoiqiq me të cilët ndër të tjera ka folur dhe i ka fyer veteranët e UÇK-së, qytetarët e Kosovës që kërkonin tërheqjen e disa mjeteve nga TRUST-i dhe tema tjera duke sulmuar kolegët e saj shqiptarë tek Lista Serbe.

    “Ofendimi i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i heroit Enver Zymberi – që ra në detyrë duke mbrojtur sovranitetin e shtetit, si dhe i kolegëve të mi të Partisë Demokratike të Kosovës nga eksponentja kryesore e pushtetit të Albin Kurtit në Kuvendin e Kosovës, është manifestimi më i hapur i mentalitetit tinëzar, mashtrues e pa dinjitet, që e ka kjo mazhorancë që sot e drejton vendin. Aq më shumë kur krejt këto paskan ndodhur gjatë serive të koordinimit me punëtorët e Milan Radojçiqit”, tha Krasniqi në faqen e tij në Facebook.

    Ai ka thënë se këto ofendime të shefes së deputetëve të VV-së janë të papranueshme dhe përbëjnë dëshminë e radhës se me këtë mentalitet, Kosova jo vetëm që s’ka të ardhme, por rrezikon ta cenojë edhe të kaluarën e saj të lavdishme.

    “Qeverisja e Albin Kurtit e ka degraduar çdo sferë të jetës. Stagnim në ekonomi, komë në diplomaci, kolaps në shendetësi, degradim në arsim, izolim ndërkombëtar e kërcënim të fjalës së lirë. Tashmë edhe dëshmi konkrete për veprime të koordinuara mes Kurtit e Radojçiqit, përmes mashave të tyre Kusari-Lila e Simiq”, tha lideri i opozitës.

    Kreu i PDK-së tha se ka vetëm një rrugë për ta ndalë këtë degradim të gjithanshëm: “zgjedhje të parakohshme sa më shpejt, për ta kthyer Kosovën në drejtimin e duhur!”.

  • Stoltenberg: Samiti i NATO-s në Vilnius përfundon me mbështetje të fortë për Ukrainën

    Stoltenberg: Samiti i NATO-s në Vilnius përfundon me mbështetje të fortë për Ukrainën

    Samiti i NATO-s në Vilnius përfundoi dje me mbështetje të fortë për Ukrainën, pasi aleatët ranë dakord për një paketë trepjesëshe “për ta sjellë Ukrainën më afër aleancës”, ndërsa vendet e G7-tës nënshkruan një deklaratë të përbashkët mbi garancitë e sigurisë të Kievit.

    Në fjalën e tij përmbyllëse, shefi i NATO-s Jens Stoltenberg tha se aleatët sapo përfunduan një samit “historik” në Lituani me marrëveshje mbi “planet më të detajuara dhe më të fuqishme të mbrojtjes që nga Lufta e Ftohtë”.

    Duke nënvizuar se riafirmuan gjithashtu për ta sjellë Ukrainën më afër aleancës dhe për të rritur mbështetjen për një kohë të gjatë, Stoltenberg tha se NATO dhe Ukraina do të takohen në Këshillin NATO-Ukrainë për të diskutuar çështjet si partnerë të barabartë tani e tutje.

    “Unë mirëpres gjithashtu njoftimet e reja të mëdha të mbështetjes ushtarake të bëra nga aleatët e NATO-s në këtë samit”, tha ai.

    Duke kujtuar ndihmën ushtarake të ofruar nga aleatët me vlerë dhjetëra miliarda dollarë dhe trajnimin e dhjetëra mijëra trupave ukrainase nga aleatët, ai tha se “ndërsa Ukraina vazhdon të çlirojë territorin, ne do të qëndrojmë pranë tyre për aq kohë sa të duhet”.

    Ai përmendi gjithashtu paketën e re shumëvjeçare të ndihmës për Ukrainën, e cila u miratua të martën, për të ndihmuar në kalimin e Ukrainës nga standardet e epokës sovjetike në ato të NATO-s dhe për t’i bërë forcat e saj plotësisht të ndërveprueshme me NATO-n.

    “Ukraina është tani më afër NATO-s se kurrë më parë”, tha Stoltenberg, duke iu referuar heqjes së kërkesës për një plan veprimi anëtarësimi për Ukrainën.

    “Ne do të lëshojmë një ftesë për Ukrainën për t’u bashkuar me NATO-n kur aleatët të bien dakord që kushtet janë përmbushur”, përsëriti ai. “Kjo dërgon një mesazh të qartë, të fortë dhe të bashkuar nga samiti ynë i Vilniusit”, shtoi shefi i NATO-s.

    Lidhur me takimin e tij me partnerët e Indo-Paqësorit, Stoltenberg tha se “vetëbesimi global i Pekinit dhe lufta e Moskës kundër Ukrainës kërkojnë një koordinim edhe më të ngushtë midis NATO-s, BE-së dhe partnerëve tanë të Indo-Paqësorit”.

    NATO po përballet me situatën “më serioze” të sigurisë në dekada, por aleatët po i bëjnë ballë sfidës, tha ai dhe shtoi se “NATO është më e bashkuar se kurrë, duke qëndruar e fortë në mbrojtje të popullit tonë dhe vlerave tona”.

    Ai falënderoi gjithashtu presidentin lituan Gitanas Nauseda dhe qeverinë e vendit për pritjen e samitit historik. /Abc news