ATV

Author: ATVLive

  • Shpërthimi i fuqishëm në objektin e prokurorisë në Meksikë, vriten 3 policë, 10 plagosen

    Shpërthimi i fuqishëm në objektin e prokurorisë në Meksikë, vriten 3 policë, 10 plagosen

    Tre oficerë policie u vranë dhe 10 persona të tjerë mbetën të plagosur nga një shpërthim i fuqishëm në godinën e prokurorisë në shtetin e Jalisco-s në Meksikë.

    Guvernatori Enrique Alfaro e cilësoi sulmin një akt frikacakësh që tregoi edhe njëherë se çfarë janë në gjendje të bëjnë grupet e krimit të organizuar në Meksikë.

    Sipas raportimeve të rrjetit lokal Televisa, shpërthimi ndodhi pranë një automjeti në të cilin po udhëtonin zyrtarët e sigurisë.

    Shteti perëndimor i Jalisco është baza e operacioneve të kartelit “New Generation”, një nga grupet më të fuqishme të trafikut të drogës në Meksikë, i cili kontrollon një pjesë të madhe të vendit dhe është i përfshirë në luftime të përgjakshme me sindikatat e tjera të drogës.

  • Analisti Mustafa Nano emërohet ambasador në Zvicër

    Analisti Mustafa Nano emërohet ambasador në Zvicër

    Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka pranuar të gjitha propozimet e qeverisë Rama për të liruar dhe emëruar disa diplomatë shqiptarë dhe për t’i zëvendësuar ata me ish-deputetë të Partisë Socialiste.

    Bajram Begaj ka firmosur lirimin nga detyra të Visha Ajazi Likës, ish kreut të SHISH, i cili shërbente si ambasador në NATO. Në këtë post Qeveria Rama ka vendosur të caktojë ish-deputetin e PS-së, Ilir Gjoni, ky i fundit ka qenë dhe kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare.

    Po ashtu me dekret, Begaj ka liruar nga detyra, ambasadorin e Britanisë së Madhe, Qirjako Qirko dhe në këtë post ka emëruar Uran Ferizin. Nga ana tjetër, si ambasadorë të rinj janë emëruar, analisti Mustafa Nano, i cili do shërbejë në Zvicër në vend të Ilir Gjonit.

    Ndërkohë që ish deputeti i PS-së, Fatmir Velaj, piktori i njohur, do të jetë ambasador në Austri, në vend të Roland Bimos. Ish-deputetja tjetër e PS, Vasilika Hysi do të shkojë në Gjenevë, post që e mbante Ravesa Lleshi, vajza e ish-ministrit te Mbrojtjes se komunizmit, Ismail Lleshit. Kjo e fundit u lirua po sot me dekret të propozuar nga qeveri Rama.

  • Bislimi: Ka ardhur momenti që Serbia t’i përmbahet zotimeve, nuk mund të fshihen më

    Bislimi: Ka ardhur momenti që Serbia t’i përmbahet zotimeve, nuk mund të fshihen më

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi njoftoi mbrëmë për marrëveshjen me emisarin e Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak për shtensionimin e situatës në veri, duke thënë se veprimet “do tё finalizohen brenda njё periudhe dyjavore”.

    Bislimi tha se tani “ka ardhur momenti që “Serbia t’i përmbahet zotimeve të saj përpara BE-së dhe t’i zbatojë marrëveshjet e dakorduara”. Ai javën e ardhshme pritet të shkojë në Bruksel për t’u takuar me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq, ku synohet të bëhet finalizimi i planit tё sekuencimit pёr Marrёveshjen drejt Normalizimit, pas tё cilit pritet tё fillojё zbatimi i saj.

    “Ka ardhur momenti që Serbia t’i përmbahet zotimeve të saj përpara BE-së dhe të zbatojë marrëveshjet e dakorduara. Nuk mund të fshihen më prapa tentativave për tensione e kriza, për eskalim të situatës. Ka ardhur momenti që marrëveshja të zbatohet, në mënyrë të drejtë, të pakushtëzuar e të balancuar”, shkroi Bislimi në Facebook.

    Kryenegociatori i Kosovës foli për konstruktivitetin në dialog që, siç tha ai, Kosovës nuk i ka munguar asnjëherë.

    “E këtë po e dëshmojmë në vazhdimësi. Asnjëherë nuk kemi vepruar apo kontribuar në eskalimin e situatës në veri, por vetëm në mbrojtje të kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë në vend. Në këtë frymë i marrim të gjitha vendimet e hapat tonë”, shkroi Bislimi në Facebook.

  • Ministrja Haxhiu në mbrojtje të Mimoza Kusarit: S’iu është bindur asnjë urdhri të Listës Serbe

    Ministrja Haxhiu në mbrojtje të Mimoza Kusarit: S’iu është bindur asnjë urdhri të Listës Serbe

    Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka dalë në mbrojtje të Shefen e Grupit Parlamentar të LVV-së Mimoza Kusari-Lila, ku kësaj të fundit iu publikuan përgjimet në një bisedë me ish-shefin e GP-së Slavko Simiq.

    Haxhiu ka thënë se Kusari-Lila nuk i është bindur asnjë urdhri të Listës Serbe.

    “Zonja Kusari-Lila e sqaruar edhe mbrëmë tendencën për të shpërfaqur të deformuar dhe duhet ta kuptoni që Lista Serbe është një parti politike që përfaqëson komunitetin serbë në Kosovë por në mënyrën më të keqe. Lista Serbe që është themeluar nga partitë opozitare, në vend që të punonte për interesat serbe merret me Vuçiqin.

    Haxhiu mes tjerash ka thënë se arsyeja e vetme e publikimit të përgjimeve, janë publikuar për të vetmen arsye për ta shantazhuar Kusari-Lila.

    “Ato që janë publikuar janë publikuar për një arsye të vetme, sepse Lista Serbe nuk ka mundur ti bëjë presion dhe as ta shantazojë shefen e GP-së Mimoza Kusari-Lila. Prej kohës kur eshtë bërë ky përgjim kemi një sërë veprimesh që konfirmojnë sundimin e ligjit në veri të Kosovës”.

  • Ilir Meta mbështetë apelin e Von der Leyen për zbatimin e pakushtëzuar të marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë

    Ilir Meta mbështetë apelin e Von der Leyen për zbatimin e pakushtëzuar të marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë

    Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, përmes një postimi në facebook, ka mbështetur apelin e presidentes së KE-së, Ursula von der Leyen, për zbatimin e plotë dhe të pakushtëzuar të marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ai ka thënë se është e rëndësishme që Serbia të heqë dorë nga veprimet nxitëse të dhunës dhe ashtu siç Kosova e ka shprehur vullnetin konstruktiv, që tu përmbahet zotimeve të saj përpara BE-së dhe të zbatojë marrëveshjet e dakorduara.

    “E mbështes thirrjen e sinqertë të Kryetares së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen për nevojën jetike të rikthimit tek dialogu Kosovë-Serbi dhe zbatimit të plotë, të drejtë dhe të pakushtëzuar të marrëveshjeve të negociuara përmes BE dhe SHBA, si rruga e vetme për normalizimin përfundimtar të situatës dhe të marrëdhënieve mes dy shteteve. Është shumë e rëndësishme që Serbia të heqë dorë nga veprimet nxitëse të dhunës dhe ashtu siç Kosova e ka shprehur vullnetin konstruktiv, t’i përmbahet zotimeve të saj përpara BE-së dhe të zbatojë marrëveshjet e dakorduara”, ka shkruar Meta.

  • Qeveria e procedon sërish Projektligjin për KPK-në, por me disa ndryshime

    Qeveria e procedon sërish Projektligjin për KPK-në, por me disa ndryshime

    Qeveria e Kosovës e ka miratuar Projektligjin e ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pasi versionin e parë e shfuqizoi Gjykata Kushtetuese.

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ky projektligj parasheh reformë në KPK, synon eliminimin e grupeve të interesit dhe korporatizimit brenda KPK-së, eliminimin e ndikimeve politike dhe synohet përmbushja e mandatit kushtetues të KPK-së, raporton EO.

    Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar me prioritet këtë çështje.

    Ajo ka thënë se në projektligj parashihet që si anëtarë të përhershëm të Këshillit të jenë 7 prokurorë, tre prej tyre të zgjedhur nga Kuvendi.

    “Propozojmë si anëtar permanent të jenë 7 anëtarë, 3 prokurorë dhe Kryeprokurori sipas detyrës zyrtare, dhe 3 anëtarë joprokurorë por duke ndryshuar mënyrën e zgjedhjes së tyre në Kuvend duke adresuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, tha Haxhiu.

    Ajo ka bërë të ditur se përbërjes aktuale deri në vitin 2026 do t’i shtohen edhe disa anëtarë joprokurorë.

    “Natyrisht që ne nuk mund të presim deri në vitin 2026 duke penguar sundimin e ligjit, Proozojmë që në përbërjen aktuale të kemi edhe një numër shtesë të anëtarë joprokurorë deri në vitin 2026, duke mundësuar që KPK-ja të funksionojë në përputhje me Kushtetutën”, ka thënë ajo.

  • Vuçiq: Si ka sanksione kundër Vulin, por jo sanksione ndaj Xhelal Sveçlës?

    Vuçiq: Si ka sanksione kundër Vulin, por jo sanksione ndaj Xhelal Sveçlës?

    Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha sot se Thesari i SHBA-së nuk ka vendosur sanksione ndaj kreut të Agjencisë së Inteligjencës së Sigurisë (BIA) Aleksandar Vulin për ndonjë krim dhe korrupsion, por për shkak të marrëdhënieve të tij me Rusinë.

    Madje ai pyeti pse këto sanksione u vendosën ndaj Vulin-it e jo ndaj Ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla.

    “Pyetja ime është se si ka sanksione kundër Vulin, por jo sanksione ndaj Sveçlës? Epo, nuk jam budalla, e di se çfarë kam folur gjatë gjithë këtyre muajve dhe çfarë të kam thënë dhe çfarë më është thënë mua”, ka thënë Vuçiq.

    “Nuk do të ketë sanksione për të, sepse ne e dimë se si duhet të vendoset një ekuilibër. U vendosën sanksione kundër meje në vitet ’90 dhe nuk më interesonte shumë sepse as amerikanët dhe as rusët nuk do ta udhëheqin politikën time. Politika që unë drejtoj duhet të jetë e mirë për Serbinë dhe popullin serb” tha Vuçiq.

  • Si u bë Shqipëria pika kryesore turistike në verën e 2023?

    Si u bë Shqipëria pika kryesore turistike në verën e 2023?

    Përgatiti: Beatrisa Culaj

    Sa më shumë t’i referohesh një destinacioni si një vend krejtësisht i ndryshëm, aq më shumë do të bëhet një pikë e nxehtë turistike.

    Shqipëria, e cila po gëzon një rritje të madhe të numrit të turistëve, së fundmi i janë referuar si ‘Kroacia e Re’,

    ‘Maldivet e Evropës’, ‘Karaibet e Evropës’ e ‘Greqia e ardhshme’.

    E ashtuquajtura “Toka e Shqiponjave” është shpërndarë kudo në rrjetet sociale kohët e fundit, ku mund të shihen turistët duke shijuar diellin në plazhet e saj me rërë, duke u zhytur në ujërat e paeksploruara dhe duke kërcyer në festivalet e saj.

    Nga viti 2010 deri në vitin 2019, numri i turistëve që shkojnë në Shqipëri çdo vit u trefishua në 3,3 milionë, ku 120.000 prej vizitorëve ndërkombëtarë ishin nga Britania e Madhe.

    Së shpejti parashikohet që vendi të vizitohet nga miliona turistë britanikë.

    Mirëpo për dekada me radhë, Shqipëria njihej si vendi më i izoluar në Evropën Lindore, i cili nuk i hapi dyert deri në fund të viteve ’80, duke ekzistuar si një shtet komunist i mbyllur për pjesën tjetër të botës.

    Kur Enver Hoxha vdiq në vitin 1985, turistët filluan të vërshonin drejt vendit, deri në vitin 1989 ku vetëm 10.000 njerëz në të gjithë globin shkonin në Shqipëri çdo vit.

    Vizitat filluan të rriteshin në fund të viteve ’90, kur industria evropiane e turizmit filloi të zbulonte potencialin e Shqipërisë për të konkurruar në Mesdhe.

    Megjithëse vendi ende përballej me ndërprerje të energjisë elektrike, probleme me ujin e papijshëm dhe ujërat e zeza, në vitin 2003 Ministria e Turizmit vendosi të shkatërronte ndërtesat për të zbukuruar plazhet dhe për të riemërtuar kombin.

    Në vitin 2017, ishte vetëm një linjë udhëtimi me “British Airways” nga aeroporti “Gatwick” i Londrës në Tiranë, ndërsa tani, ka mbi dhjetë linja.

    Numri i pasagjerëve është rritur 27% në gjysmën e parë të vitit në 2023, krahasuar me të njëjtën periudhë në 2022.

    Për të përmbushur kërkesën, është rritur kapaciteti për të kryer 19 fluturime në javë me një linjë ajrore.

    Pritet që numri i turistëve drejt Shqipërisë të vazhdojë të rritet, një besim që ka çuar në investime nga e gjithë bota dhe ndërtimin e një aeroporti me vlerë 125 milionë dollarë në Vlorë, i cili është në punime e sipër, deri në përfundimin e tij në prill të 2024.

    Shumë njerëz, tërhiqen kryesisht nga festivalet. “Kala”, një festival i nisur në vitin 2018 nga “Mainstage Festivals” dhe i vendosur në Rivierën Shqiptare, ka fituar shpejt zemrat e vizitorëve.

    “Ne nuk mund të marrim meritën e plotë për rritjen më të gjerë të turizmit, mendoj se festivalet tona muzikore kanë ndihmuar që Shqipëria të vendoset në hartë për një numër të madh të rinjsh
    që nuk kishin dëgjuar më parë për të”, tha Juan J. Lopez, drejtor i Marketingut në “Mainstage”.

    “Shqipëria ofron peizazhe mahnitëse mesdhetare, ujëra të mrekullueshëm bruz, plazhe të paprekura, ushqim të shkëlqyeshëm dhe çmime shumë të përballueshme”, shtoi ai.

    Shqipëria u bë virale verën e kaluar, veçanërisht resorti i plazhit Ksamil, shkëlqimi i të cilit nuk po shuhet.

    Gushti do të jetë i çmendur dhe kjo për shkak të TikTok-ut, sepse vitin e kaluar të gjithë ripostonin vendodhjet e tyre.

    Krahas figurave të njohura si Rita Ora dhe Bebe Rexha, ekziston gjithashtu efekti “Dua Lipa”.

    Ajo është bërë një vajzë që promovon vendin përmes postimeve.

    Në fund të vitit të kaluar, ajo u bë qytetare nderi dhe madje përmbylli turneun e saj botëror “Future Nostalgia” në Tiranë.

    “Një shkak i zakonshëm i arratisjes së shqiptarëve nga vendi i tyre është gjakmarrja”, shkruhet në “The Guardian”, duke shpjeguar se shumë prej tyre përballen me kërcënimin e sulmeve hakmarrëse nga familje të tjera, që zgjasin me breza.

    Fatkeqësisht, shumica e njerëzve nuk dinë shumë për Shqipërinë dhe mbështeten thjesht në stereotipe negative.

    “Megjithatë, kjo është në avantazhin tonë, pasi aventurierët kur vijnë në Shqipëri habiten shumë kur zbulojnë se të gjitha këto paragjykime janë larg realitetit”, tha Lopez.

    Sidoqoftë, duket se pushuesit e verës 2023 do të thyejnë industrinë e turizmit të Shqipërisë.

    Ashtu si çdo vend në zhvillim, ekziston rreziku drejt një kolapsi te turizmit, që numëron mbrapsht drejt erozionit kulturor.

    Nëse të ardhurat nga turizmi rrjedhin në ekonominë lokale, kjo mund të çojë në një rezultat pozitiv për të gjithë.

  • Kurti jep detaje për arritjen e marrëveshjes për shtensionim: Zgjedhjet në veri pas verës

    Kurti jep detaje për arritjen e marrëveshjes për shtensionim: Zgjedhjet në veri pas verës

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në fjalimin e tij para fillimit të mbledhjes së Qeverisë, ka konfirmuar se të hënë zv.kryeministri Besnik Bislim dhe emisari Miroslav Lajçak janë dakorduar për një marrëveshje që përmban 4 pika për de-eskalim të situatës, raporton EO.

    Kurti tha se katër pikat do të krijojnë parakushte nё zbatimin e plotё dhe tё pakusht tё Marrёveshjes Bazike tё 27 shkurtit dhe aneksit tё Ohrit tё datёs 18 mars.

    Tutje, Kurti është shprehur se Kosova mbështet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs.

    Më tej, kreu i Qeverisë tha se dakordimi që ndodhi në Bratisllavë, do të ndihmojë në vendosjen e barazisë midis palëve, që sipas tij, ndihmon zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike dhe aneksit të saj.

    “Z.Bislimi ka arritur një dakordim me emrirasin Lajçak për këto pika. E para zvogëlimi nё masën e 25% tё prezencës policore nё dhe rreth ndërtesave komunale. E dyta Policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerësojnë gjendjen e sigurisë. E treta Qeveria e Kosovës do të bëjë një deklaratë publike ku do të mbështes mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore. E katërta ka të bëjë me ftesë që BE do të bëjë për kryenegociatorët për finalizimin e planit tё sekuencimit pёr Marrëveshjen drejt Normalizimit”.

    “Marrëveshje duhet të zbatohet në plotëni, zbatimi i marrëveshjeve nuk duhet që të kushtëzohet, duhet që të negociojnë në mënyrë të barabartë. Si përfundim dakordimi i Bartisllavës do të ndihmojë. Reforma në drejtësi është prioritet i ynë , puna për të nuk ka ndaluar asnjëhërë. Ka më shumë se 4 muaj që jemi në pritje të Gjykatës Kushtetuese. Sot do të shqyrtojmë edhe Projektligjin për Këshillit Prokurorila”, tha ai.

  • ​Rritet qarkullimi i tregtisë përmes postës

    ​Rritet qarkullimi i tregtisë përmes postës

    Në muajin prill 2023, indeksi i qarkullimit të tregtisë me pakicë kishte rritje më të madhe te tregtia me pakicë jo në dyqane, tezga ose tregje me 66,2% dhe tregtia me pakicë jo në dyqane përmes postës ose internetit me 34,2% krahasuar me muajin e njëjtë të viti paraprak prill 2022.

    Ndërsa, rënie të qarkullimit kishte te sektori i tregtisë me pakicë e pajisjeve të tjera shtëpiake në dyqane të specializuara me 10,5%, tregtia me pakicë e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit, në dyqane të specializuara po ashtu me 5,9%, krahasuar me muajin e njëjtë të viti paraprak (Prill 2022).

    “Në muajin prill 2023, indeksi i qarkullimit të tregtisë me pakicë kishte rritje më të madhe te: Tregtia me pakicë jo në dyqane, tezga ose tregje (66,2%); Tregtia me pakicë jo në dyqane, (përmes postës ose internetit) (34,2%), krahasuar me muajin e njëjtë të viti paraprak (Prill 2022). Ndërsa rënie kishte te: Tregtia me pakicë e pajisjeve të tjera shtëpiake në dyqane të specializuara (-10,5%); Tregtia me pakicë e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit, në dyqane të specializuara (-5,9%), krahasuar me muajin e njëjtë të viti paraprak (Prill 2022)”, thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave për qarkullimin e tregtisë me pakicë dhe numrit të të punësuarve prill 2023.

    Ndërkaq, në muajin prill 2023, indeksi i numrit të të punësuarve, kishte rritje më të madhe te tregtia me pakicë e pajisjeve informatike dhe të komunikimit, në dyqane të specializuara me 6,9% dhe te tregtia me pakicë e mallrave të tjerë në dyqane të specializuara me 3,8%.

    Ndërsa sipas ASK-së rënie të punësimit kishte te tregtia me pakicë jo në dyqane, tezga ose tregje me 27,2%, dhe te tregtia me pakicë e mallrave kulturore dhe të argëtimit, në dyqane të specializuara 9,6%.