ATV

Author: ATVLive

  • Dhuna në Kuvend, reagon presidentja ​Osmani

    Dhuna në Kuvend, reagon presidentja ​Osmani

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas rrahjes që ndodhi sot në seancën plenare mes deputetëve të PDK-së dhe kabinetit qeveritar.

    Osmani ka thënë se dhuna në Kuvend është dëmi më i madh që mund t’i bëhet institucioneve të Kosovës, të ndërtuara me shumë mund e sakrificë.

    “Përdorimi i dhunës fizike si mjet për t’i adresuar pakënaqësitë, dallimet apo mosmarrëveshjet politike është dëmi më i madh që mund t’i bëhet institucioneve që janë ndërtuar me aq shumë mund e sakrificë. Kuvendi është gurthemeli i shoqërisë sonë demokratike, ku zëra të ndryshëm bashkohen për t’i përfaqësuar interesat e qytetarëve, ndaj dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë dhe nuk mund të shndërrohet në mjet politik”, ka thënë ajo përmes një reagimi.

    Osmani ka apeliar për riafirmim të përkushimit ndaj demokracisë, mendimit ndryshe, sikurse edhe respektit të ndërsjellë, duke u mbështetur në sundimin dhe respektimin e ligjit.

  • Mergim Lushtaku jep versionin e tij si ndodhi ngjarja në Kuvend

    Mergim Lushtaku jep versionin e tij si ndodhi ngjarja në Kuvend

    Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, para gazetarëve dha versionin e tij se si kishte ndodhur ngjarja e përleshjes së sotme në Kuvendin e Kosovës, raporton ATV.

    Ai tha se fillimisht ishte sulmuar nga zëvendëskryeministri Besnik Bislmi me një shishe plot me ujë, ndërsa më pas, ai rrëfen se ka ardhur ministrja Albulena Haxhiu me qëllim që ta shtyjë atë.

    “Duke i parë të gjitha këto sulme siç i keni pa, prandaj unë duke parë të gjitha këto sulme që janë bërë në drejtim timin por edhe të kolegëve, ku fizikisht më është gjuajtur me shishe me plotë me ujë nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, nga Albulena Haxhiu shihet çartë se ka ardh me tentim për të më shtyrë, pastaj edhe nga ministri i Financave ishte me një mjet të fortë, dhe natyrisht pas atij sulmi, edhe unë natyrshëm kam reagu. Asnjëherë nuk e kisha në plan ta kem një reagim të dhunshëm. Veprimi i im ka qenë politik dhe si i tillë, unë kam vepru vetëm me gjuajtje të ujit”, tha Lushtaku. /atvlive.tv

    Edicionin special në ATV për zhvillimet e fundit në Kuvend e gjeni në videon më poshtë:

  • Hoxha: U sulmuam nga Besnik Bislimi, Albulena Haxhiu dhe Hekuran Murati

    Hoxha: U sulmuam nga Besnik Bislimi, Albulena Haxhiu dhe Hekuran Murati

    Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, në një konferencë për media tha se janë provokuar dhe sulmuar nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe ministri Hekuran Murati.

    “Përballë skandalit më të madh të aferës “Zdravo”, e cila shpërfaqi bashkëpunimin e këtij pushteti me Milan Radoiçiq, sot në vend të dhënies së llogaridhënies dhe përgjegjësisë që deputetët kërkuan, ne u dhunuam. Sot deputetët e PDK-së erdhën në Kuvend për të kryer detyrat, për të kërkuar nga kjo Qeveri llogaridhënie për këtë skandal dhe për koordinimin me Milan Radoiçiqin dhe Listen Serbe. Aksioni i ynë simbolik opozitar dhe jo i dhunshëm, irritoi zëvendëskryeministrin, i cili më pas sulmoi kolegun time Mërgim Lushtaku, i cili as nuk e gjuajti me molotov, as me zollë, as me gaz lotsjellës, as me vezë as me shishe, përveç që i freskoi pak në këtë situatë të tensionuar pas përgjimeve. Ne ishim aty për të kryer obligimin tonë si deputetë dhe u provokuam e u sulmuam nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe ministri Hekuran Murati”, tha Hoxha. /atvlive.tv

    Edicionin special në ATV për zhvillimet e fundit në Kuvend e gjeni në videon më poshtë:

  • Korenica: Vendosja e fotografisë me kryeministrin ka qenë provokim

    Korenica: Vendosja e fotografisë me kryeministrin ka qenë provokim

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, në një prononcim për gazetarët, tha se prej fillimit të seancës ka pasur provokime nga ana e opozitës, raporton ATV.

    “Provokime ka pasur prej fillimit të seancës. Nuk them që ka fillu prej zëvendëskryeministrit, unë po them prej fillimit. Po shembull vendosja e fotografisë me kryeministrit, është provokim. Po, s’po e mohoj nuk po e mohoj, por na po flasim për provokime ,nuk po mohoj çka ka ndodhë në të kalumen, ne kemi gjuajtë edhe me vezë të kalumen, ne kemi gjuajtë edhe me sprej të kalumen”, tha Korenica.

    Ai tha se ajo çfarë ka ndodhur në Kuvend nuk është në përgjegjësinë e tij ta gjykojë, pasi që sipas tij, me këtë do të merren organet e drejtësisë.

    “Nuk është në përgjegjësinë time me e gjyku, sepse janë organe që do të gjykojnë gjithë atë çfarë ka ndodhë përbrenda. Atë çfarë ne si deputetë mund të themi është që duhet të sillemi në mënyrë të civilizuar, brenda përgjegjësive që i kemi si përfaqësues të popullit. Provokime do të ketë çdoherë. Opozita është aty për me bo opozitarizëm, në të njëjtën kohë pozita për me argumentu veprimet e saj. Sigurisht që dikujt mundet mos me i pëlqy shtrimi i sovranitetit në mënyrë të plotë në kuvend, dikujt ndoshta edhe e sheh ndryshe veprimin e qeverisë, por natyrisht që nuk kërkojmë secili në mendje të njëjtë dhe kjo nuk mund të më bëhet asnjëherë, por megjithatë të mundohemi secilit të nesh të japim maksimumin tonë, të japim kontributin tonë edhe prej pozicionit opozitar po edhe prej pozicionit të pozitës, në mënyrë që kuvend të ecë përpara” u shpreh Korenica.

    Sipas tij, vazhdimi i senacës do duhej të kthehej në normalitet dhe të vazhdohet që deputetët t’i kryejnë përgjegjësitë e veta që i kanë marrë.

    “Do duhej të kthehej në normalitet nuk ka formë dhe mënyrë tjetër. Çdo provokim i ardhshëm prapë do të kthejë mbrapa dhe kjo nuk i kontribon askujt. Çka i kontribuon vendit është me pasë institucione të përgjegjshme me funksionu gjithçka si duhet në normalitet edhe vazhdojmë të kryejmë përgjegjësitë tona që e kemi marrë”, u shpreh Korenica. /atvlive.tv

    Edicionin special në ATV për zhvillimet e fundit në Kuvend e gjeni në videon më poshtë:

  • Rrahja në Kuvendin e Kosovës, reagon kryeministri Rama

    Rrahja në Kuvendin e Kosovës, reagon kryeministri Rama

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas përplasjeve fizike që ndodhën këtë të enjte në Kuvendin e Kosovës.

    Në një postim në Twitter, Rama ka thënë se shprehja e kundërshtisë ndaj kryeministrit Kurti përmes gjuajtjes me ujë është jodemokratike.

    “Të mos jesh dakord me kryeministrin është demokratike, ta shprehësh kështu kundërshtinë është të njollosësh veten, zgjedhësit e tu dhe krejt shtetin me një turp që sot i bën dëm Kosovës edhe ndërkombëtarisht, më shumë se sa çfarëdo qëndrimi politik që po ia kundërshton kryeministrit!”, tha Rama.

    “Imagjinojini si ndjehen aleatët dhe miqtë e pazëvendësueshëm të Kosovës e të shqiptarëve, kur shohin se si kapen për fyti shqiptarët, aty ku duhet të luftohet me ide e me fjalë, jo me sharje e me grushta! Uroj shumë që opozita të distancohet nga kjo sjellje e turpshme dhe t’i shërbejë Kosovës me forcën e shembullit, jo me shembullin e forcës!”.

  • Kurti lëshon sallën e Kuvendit

    Kurti lëshon sallën e Kuvendit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është parë duke lëshuar sallën e Kuvendit bashkë me disa ministra të kabinetit të tij qeveritar, pas rrahjes që ndodhi sot mes zyrtarëve të LVV-së dhe PDK-së.

    Nga ana tjetër, jashtë sallës të Kuvendit të Kosovës është shtuar prezenca e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

    Po ashtu, edhe te shkallët që çojnë në sallën e kuvendit, është pozicionuar sigurimi i kuvendit, të cilët nuk po lejojnë lëvizjen pa përcjellje.

    Aktualisht, Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pauzë për dy orë me kërkesë të kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, i cili tha se për momentin nuk janë kushtet për ta vazhduar seancën plenare.

    “Kjo që ndodhi në Kuvendin e Kosovës është me të vërtetë e papranueshme; përdorimi i dhunës është edhe i ndëshkueshëm, i dënueshëm nga të gjithë ne”, tha ai.

    “Nëse ka pasur sulm fizik në Kuvendin e Kosovës, ai do të trajtohet prej ligjit, ashtu siç thonë ligjet tona dhe organet e rendit”.

    Gjatë seancës së sotme, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë sulmuar fizikisht kryeministrin Albin Kurti dhe pjesëtarë tjerë të Qeverisë.

    Kurti ishte duke folur për situatën në veri të Kosovës, kur fjalimi i tij u ndërpre nga deputetët e opozitës që brohorisnin “rrenc”.

    Fillimisht, në drejtim të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi u hodh ujë nga deputeti Mërgim Lushtaku, pasi Bislimi largoi dhe grisi nga foltorja një foto-montazhë të kryeministrit me hundë të zgjatur që opozita ia kishte vendosur aty.

    Më pas, situata u rëndua me sulme fizike edhe me ministrin e Financave, Hekuran Murati.

  • Shtyhet seanca, deputetët lëshojnë Kuvendin pas përleshjes

    Shtyhet seanca, deputetët lëshojnë Kuvendin pas përleshjes

    Kryeparlamentari, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se Kuvendi shkon tashmë në pauzë dyorëshe, pas situatës së krijuar nga rrahja mes deputetësh ndërsa kryeministri Albin Kurti po mbante fjalim.

    Konjufca tha se tek pas këtij pushimi, merret vendim nëse do rifillojë seanca me pikat e parapara, ose jo,

    Ai tha se nëse ka pasur sulm fizik në kuvendin e Kosovës organet e rendit do të merren me rastin.

  • Cakolli: Me ngjarjen në Kuvend, sot Kosova u bë gaz i botës

    Cakolli: Me ngjarjen në Kuvend, sot Kosova u bë gaz i botës

    Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se Kosova është bërë gaz i botës pas pamjeve që sot kanë ndodhur në Kuvendin e Kosovës ku janë përplasur e rrahur fizikisht deputetët e pozitës, opozitës dhe ministrat e kabinetit qeveritar.

    Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se qytetarët e vendit nuk e meritojnë një gjë të tillë.

    “Ata deputetë e anëtarë të ekzekutivit që me dhunë ose provokime i zgjidhin mospajtimet, s’i meritojnë ato mandate e ato pozita”.

    “E qytetarët, s’e meritojnë këtë skenë turpi, e aq më pak këtë Kuvend. Gaz i botës!”, ka thënë Cakolli.

  • Rrahja në Kuvend, reagon PDK-ja

    Rrahja në Kuvend, reagon PDK-ja

    Sikur të mos u mjaftonte fyerja që i bënë shtetit të Kosovës, veteranëve të UÇK-së, akterëve politik shqiptarë, popullit të Kosovës, para shërbëtorëve të Radojçiqit, sot, në Kuvendin e Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në vend që të ndihej i turpëruar dhe të jepte llogari për përgjimet, provokoi opozitën duke i hequr fotografinë që ata i vendosën në foltore.

    Madje, ishte pikërisht zëvëndëskryeministri Bislimi i cili i pari e goditi me mjete të forta, shishe, deputetin Mërgim Lushtaku.

    Në një moment kur Kryetari i Kuvendit u desh që të reagojë dhe të mos e lejoj atë që të ndodhë, ai u bëri thirrje Policisë së Kosovës që të ndërhyjnë dhe të arrestojnë deputetët e opozitës.

    Futja e Policisë së Kosovës në Kuvend nuk është lejuar të ndodhë as në momentin më të errët në historinë e Kuvendit të Kosovës, kur Lëvizja Vetëvendosje hidhte gaz lotsjellës dhe rrezikonte jetën e deputetëve.

    Tani, gjithçka është e qartë. Kjo Qeveri, ky kryeministër, ky pushtet, shihet qartë se duke tentuar të fshehë koordinimin dhe bashkëpunimin me Millan Radojçiqin, po përdorë çdo mjet, edhe dhunën, ndaj deputetëve opozitarë. Ky Kuvend dhe kjo Qeveri nuk kanë më kurrfarë kuptimi dhe asnjëlloj kredibiliteti.

    Një Qeveri që bashkëpunon me kriminelët serbë, në dëm të interesit të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës, duhet të shkoj në shtëpi një orë e më parë.

    Kosova ka nevojë për zgjedhje të reja, nga të cilat, qytetarët me votën e tyre do të zgjedhin një Qeveri kredibile e cila do ta kthej vendin në rrugën e duhur drejt integrimit euro-atlantik.

  • Rrahja në Kuvend, reagon LV-ja: I patrembur para krimit të 20 vjetëve!

    Rrahja në Kuvend, reagon LV-ja: I patrembur para krimit të 20 vjetëve!

    Në Kuvendin e Kosovës të enjten ka ndodhur një përleshje masive, teksa po mbante fjalim, kryeministri Albin Kurti.

    Sipas pamjeve të publikuara, shihet se Kurti është spërkatur me ujë nga deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.

    Lushtaku u tentua të pengohet nga ministri i Financave, Hekuran Murati, por pa sukses. Për veprimin e ligjvënësit opozitar është nervozuar Besnik Bislimi, zëvendëskryeministri i Kosovë, për çka e gjuan me shishe Lushtakun.

    Për këtë incident ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje, partia në pushtet.

    Nga LVV-ja kanë publikuar një pjesë të videos kur Kurti shihet në mes të turmës pas përleshjes së ndodhur, i rrethuar nga deputetë, ministra e policë që i qëndronin afër.

    “I patrembur para krimit të 20 vjetëve”, thuhet në përshkrimin e LVV-së në Facebook, sipër videos së shpërndarë.