ATV

Author: ATVLive

  • S’ka qartësi kur dhe si hiqen masat e BE-së, pas hapit të parë nga Kosova

    S’ka qartësi kur dhe si hiqen masat e BE-së, pas hapit të parë nga Kosova

    Tërheqja e një pjese të Policisë që ishin vendosur në dhe përreth katër ndërtesave komunale në veri, është hapi i parë që Kosova ndërmori, sipas dakordimit me Bashkimin Evropian, për shtensionim të situatës.

    Pas veprimeve fillestare nga Qeveria, presidentja Vjosa Osmani pret që BE-ja t’i heqë masat ndëshkuese – të cilat i vendosi në fund të muajit të kaluar.

    “Ne shpresojmë që BE-ja t’i tërheqë masat të cilat janë ndërmarrë ndaj Kosovës padrejtësisht dhe ne mund të vazhdojmë me më shumë suksese në dialog. Sa u përket procedurave për përgatitjen e zgjedhjeve nuk ka nevojë për shumë kohë. Ligjet e japin mundësinë për organizimin e zgjedhjeve”, tha Osmani.

    Heqja e masave, sipas kryeministrit Albin Kurti, duhet të bëhet para takimit të javës së ardhshme të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi, dhe Petar Petkovic, për sekuencimin e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe shtojcës së Ohrit.

    “Të dyja palët duhet të kenë mundësinë të negociojnë nga pozicione të barabarta, gjë që është cenuar prej vendosjes së masave të përkohshme kundër Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian”, tha Kurti.

    Bashkimi Evropian nuk tregoi kur ose nëse ka filluar me heqjen e masave, dhe nëse heqja e tyre do të bëhet gradualisht apo përnjëherë.

    Në një reagim të mërkurën, edhe pse dakordimit për hapat fillestarë iu referua si lajm i mirë, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se pret nga Kosova edhe hapa të mëtejmë pozitivë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • KPK-ja e quan Projektligjin e ri tentativë për cenim të pavarësisë

    KPK-ja e quan Projektligjin e ri tentativë për cenim të pavarësisë

    Gati katër muaj pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që e rrëzoi Ligjin për Këshillin Prokurorial, ekzekutivi miratoi në Qeveri projektligjin e ri.

    Sipas këtij projektligji, sërish parashihet që institucioni i Avokatit të Popullit të ketë të drejtën që t’i ofrojë dy propozime për anëtarë joprokurorë, të cilët do të veprojnë si përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.

    Sipas aktgjykimit të Kushtetueses, Avokati i Popullit nuk e ka këtë kompetencë.

    Përveç anëtarëve aktualë të Këshillit, deri në vitin 2026, KPK-së, sipas projektligjit, do t’i shtohen edhe 8 anëtarë joprokurorë, të cilët do të zgjidhen nga Kuvendi me shumicë të thjeshtë votash.

    Ndërsa, kuorumi do të jetë me 12 anëtarë.

    “Nga tetë (8) anëtarët joprokurorë, dy (2) prej tyre zgjidhen në bazë të katër (4) nominimeve që pranohen nga Avokati i Popullit për përfaqësues nga radhët e anëtarëve të organizatave të shoqërisë civile, ndërsa një (1) pozitë rezervohet për profesorët universitarë të drejtësisë. Mandati i tetë (8) anëtarëve të zgjedhur zgjat deri më 11 janar të vitit 2026”, thuhet në Projektligjin për KPK-në.

    Ndërkohë, Këshilli Prokurorial i Kosovës përmes një reagimi me shkrim ka thënë se miratimi i këtij projektligji është përpjekje e re për të cenuar pavarësinë e këtij institucioni.

    Sipas KPK-së, Qeveria e ka miratuar projektligjin me nxitim dhe në mënyrë të njëanshme pa përfillur Strategjinë për Sundimin e Ligjit dhe procesin e reformës në drejtësi.

    “Kjo nismë ligjore është dashur të realizohet në kohën e duhur, andaj çdo rikthim i iniciativave dhe i vendimeve të këtij lloji, pa respektuar ndarjen e pushteteve dhe pa koordinimin e ndërsjellë, siç ka ndodhur në të kaluarën dhe siç po ndodhë edhe tani nga ana e Qeverisë së Kosovës, është kthim i madh prapa dhe sjell dështim, andaj KPK-ja paralajmëron se do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore dhe kushtetuese për ta kontestuar përmbajtjen e Ligjit të ri të KPK-së, pasi që ai cenon mandatin kushtetues dhe pavarësinë e sistemit prokurorial, si dhe anashkalon standardet ndërkombëtare, duke pamundësuar funksionalizimin e tij dhe duke e bërë atë lehtësisht të ndikuar nga politika”, thuhet në reagimin e Këshillit Prokuorial të Kosovës.

    Ligji për KPK-në u miratua gjatë vitit të kaluar, por u dërgua në Kushtetuese, nga dy partitë opozitare, PDK-ja dhe LDK-ja. Pas gati nëntë muajsh, Gjykata vendosi që ligjin ta shpallë të pavlefshëm.

    Kushtetuesja kishte gjetur ndër të tjera vërejtje për mënyrën e propozimit të anëtarëve joprokurorë nga Avokati i Popullit, balancimin dhe përfundimin e mandatit para kohës të anëtarëve aktualë në KPK-së. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Naftëtarët blejnë naftë 1.13 centë, ndërsa e shesin 1.34 centë

    Naftëtarët blejnë naftë 1.13 centë, ndërsa e shesin 1.34 centë

    Vetëm dy centë paguan më shtrenjtë naftëtarët për furnizim me naftë, në dy javët e para të korrikut, sesa në muajin qershor.

    Por në disa pika derivatesh, qytetarët blejnë naftë deri në 15 centë më shtrenjtë.

    Sipas të dhënave të doganës, naftëtarët në dy javët e para të korrikut, blenë naftë me çmim mesatar prej 1.13 centësh, por në disa pika, nafta shitej me çmim prej 1.34 centësh, apo thënë ndryshe 21 centë më shtrenjtë sesa paguajnë vetë.

    Megjithatë, sipas Shoqatës së Naftëtarëve, në rritjen e çmimeve ka ndikuar rritja në bursë, derisa dallimin në çmime nëpër pika karburantesh e arsyetojnë me tregun e lirë.

    “Kosova është treg i lirë dhe çmimin e përcakton Berza dhe organizata prodhuese Opek. Kjo është e mirë që çmimet janë të ndryshme nëpër pika karburantesh, ku dihet që para disa viteve ka pasur shumë kompani të cilat janë nëpër gjykata për shkak se është çmimi i njëjtë. Treg i lirë dhe i hapur, konkurrenca, oferta e bën çmimin”, tha Berjani.

    Andaj, pikërisht tregu i lirë, sipas njohësve të ekonomisë, favorizon tregtarët që të rrisin çmimet si të duan, veçanërisht tash me ardhjen e mërgimtarëve.

    “Këtë po e shfrytëzojnë në formë perfide tregtarët në Kosovë ku po i rrisin çmimet dhe po lulëzon ekonomia spekulative që nuk i bën nder as qytetarëve e as Kosovës e më së paku diasporës”, tha eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu.

    Andaj, sipas Gërxhaliut, edhe rritja në bursë nuk është se qëndron pasi që ka ulje të inflacionit.

    “Është një dukuri shumë interesante që duhet të analizohet, derisa kemi ulje të inflacionit në Evropë dhe në Eurozonë, kemi edhe në Kosovë dhe kur e kemi këtë ulje të inflacionit, pse duhet të kemi këtë rritje të çmimeve të produkteve strategjike”, tha Gërxhaliu.

    Megjithatë, sipas Gërxhaliut, fajin për këtë mund ta ketë bllokimi i mallrave nga Serbia, nga e cila Kosova importon goxha naftë.

    Vetëm në vitin 2022, vlera monetare e importit të derivateve nga Serbia, kalon mbi 60 milionë euro. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Banorët e “Muharrem Fejzës” protestojnë për mungesë të kontejnerëve

    Banorët e “Muharrem Fejzës” protestojnë për mungesë të kontejnerëve

    Zgjodhën heshtjen, i lanë fotografitë të flasin.

    Kështu në sallën e Kuvendit Komunal të Komunës së Prishtinës banorët e lagjes “Muharrem Fejza”, në kryeqytet, shprehën pakënaqësitë e tyre për gjendjen me mbeturina në lagjen e tyre.

    Edhe pse në numër të vogël, thonë se arritën të përcjellin mesazhin e tyre.

    “Është vapë, kanë filluar ditët e verës dhe ne atje jemi duke jetuar në një deponi mbeturinash, kundërmimi është i jashtëzakonshëm. Na është premtuar 8 muaj më parë që ky problem do të zgjidhet shumë shpejt, por që është një injorim total, nuk kapacitete për kontejner, as orari për tërheqjen e mbeturinave e as i zgjidhjeve problematike e që shumë shpejt ka mu shfaq ndonjë epidemi”, tha organizatori i protestës, Dren Shahini.

    Nënkryetari i komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, u premtoi zgjidhje të menjëhershme të këtij problemi.

    “Ju premtojmë që ky problem do të rregullohet shumë shpejt, kemi shpallur tenderin për blerjen e kontejnerëve dhe kemi shpallë tenderin për blerjen e kamionëve të rinj, të cilët deri në një masë do ta përmirësojnë situatën. Ne po përballemi me një problem që është i trashëguar dhe po mundohemi ta zgjidhim. Pastrimi menaxhohet nga një ndërmarrje publike regjionale, e cila ka probleme të jashtëzakonshme”, tha Zogaj.

    Por për Shahinin kjo nuk është e mjaftueshme.

    “Çështja jonë nuk është veç me ardhë e me na vizitu, por me mbajtë takime me qytetarë 1 orë, më të shpeshta, me thirre takim me qytetarë, që me i dëgju problematikat e tyre që të kthehet një feedback, e jo që nuk marrim asnjëherë përgjigje”, tha Shahini.

    “Ne jemi të hapur, ju ftojmë në takime, por ju ftojmë edhe në kësi lloj forma të protestës, e çmojmë, veç mos me na ndodhë situata si në Kuvendin e Kosovës”, tha Zogaj.

    Komuna e Prishtinës, ka ndarë buxhet prej 300 mijë eurove për menaxhimin e mbeturinave. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • PSD-ja me aksion simbolik para Qeverisë, përleshet me Policinë

    PSD-ja me aksion simbolik para Qeverisë, përleshet me Policinë

    As hapësirat përreth Kuvendit sot nuk ishin të qeta.

    Partia Social Demokrate teksa po mbante një aksion simbolik para Qeverisë, u ballafaqua me Policinë e Kosovës.

    Përplasja mes policëve dhe anëtarëve të PSD-së, erdhi si rezultat i mbishkrimeve “veç 2-3 minuta”, që protestuesit po i vendosnin në makinat zyrtare, duke ironizuar me shefen e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila.

    Aktivistja e PSD-së, Teutë Rrusta, teksa u shpreh e shqetësuar sa i përket përleshjes me policinë, tha se qeveria duhet të japë dorëheqje pasi, sipas saj, ka bashkëpunuar me Listën Serbe.

    “Shefja e Grupit Parlamentar të LV-së ka dalë duke folur me ton shumë dashamirës me kryesuesin e Listës Srbska, i cili del që ishte një ndërlidhje me Milano Radojiçiq, në ndërmjetësim për t’i koordinuar hapat si për Ligjin për Paga ku bëhet fjalë për veteranë, për të cilin kemi protestuar që ata të trajtohen në mënyrë të duhur”, tha Rrusta.

    Rrusta tha se Qeveria e Kosovës po mban atë që ajo e quajti “maskë të moralit”.

    “Gjithë çfarë po shohim sot është një degradim i kësaj dhe anën tjetër këta që na kanë mbajtë këtë diplomën e moralit se nuk koordinohen e nuk bashkëpunojnë, se janë autonomë dhe të pavarur, gjithë çfarë po del është se këta e bëjnë këtë gjë, por e bëjnë fshehur. E kur ju del kjo, këta e denoncojnë atë që e ka bërë të madhe. Por, duhet me pasë të qartë se ‘vegëza’ është një fije që edhe heq gjithë këtë maskën e madhe që po duket se e ka ky pushtet. Le të bjerë njëherë dhe përfundimisht kjo maska morale që po e mbajnë këta”, tha Rrusta.

    Kjo protestë është një ndër reagimet e shumta në sferën publike të Kosovës pas publikimit të audio-incizimeve, ku shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila, dëgjohet teksa flet me ish-deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq.

    Mes tjerash, në këto audio-incizime Mimoza Kusari – Lila pranon se ka komunikuar me Milan Radojqiqin, i cili është i kërkuar nga autoritetet kosovare dhe është në listë të zezë të ShBA-së. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Opozita kërkon llogari për bisedën mes Kusari-Lilës e Simiqit

    Opozita kërkon llogari për bisedën mes Kusari-Lilës e Simiqit

    Me të filluar seanca plenare e së enjtes, në qendër të vëmendjes ishte shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

    Partitë opozitare nuk lanë pa ia përmendur bisedën me nënkryetarin e Listës Serbe Slavko Simiq. Partia më e madhe opozitare, PDK, kërkoi që Kusari-Lila të kërkojë falje publike për bisedën.

    Kurse, partitë e tjera opozitare kërkuan të dinë nëse kryeministri ishte në dijeni për bisedën e zhvilluar mes Kusari-Lilës e deputetit Simiq.

    Por opozita nuk mori përgjigje. Gjatë fjalimit të tij, Albin Kurti akuzoi qeveritë e kaluara, të cilat, sipas tij, kanë bashkëpunuar me Milan Radoiçiqin, i cili përmendet në bisedat e Kusari – Lilës.

    Seanca më pas u ndërpre pas përleshjes fizike që filloi mes deputetëve. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Dënohet dhuna në Kuvend

    Dënohet dhuna në Kuvend

    Dëm të madh ndaj institucioneve demokratike, e ka cilësuar presidentja Vjosa Osmani, përdorimin e dhunës fizike në parlamentin e Kosovës.

    Sipas presidentes, dhuna nuk mund të shndërrohet në mjet politik.

    “Kuvendi është gurthemeli i shoqërisë sonë demokratike, ku zëra të ndryshëm bashkohen për t’i përfaqësuar interesat e qytetarëve, ndaj dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë dhe nuk mund të shndërrohet në mjet politik.
    Duhet ta riafirmojmë përkushtimin tonë ndaj demokracisë, mendimit ndryshe, sikurse edhe respektit të ndërsjellë, duke u mbështetur në sundimin dhe respektimin e ligjit”, tha Osmani.

    Grushtet në Kuvend i ka dënuar edhe ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, duke shtuar se në çdo demokraci ka dallime të forta, por ato duhet të zgjidhen përmes diskursit e jo dhunës.

    “Është për të ardhur keq ajo çfarë ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës. Do të dëshiroja të mos e thosha këtë: dhuna kurrë nuk është mjet i pranueshëm për të shprehur pakënaqësi. Në çdo demokraci shpesh ka dallime të forta. Por, dallimet duhen të zgjidhen përmes diskursit – një qëllim themelor i legjislaturës së çdo demokracie”, tha Hovenier.

    Me tone kritikuese ndaj opozitës, për ngjarjet në Kuvend reagoi edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

    “Imagjinojini si ndihen aleatët dhe miqtë e pazëvendësueshëm të Kosovës e të shqiptarëve, kur shohin se si kapen për fyti shqiptarët, aty ku duhet të luftohet me ide e me fjalë, jo me sharje e me grushte! Uroj shumë që opozita të distancohet nga kjo sjellje e turpshme dhe t’i shërbejë Kosovës me forcën e shembullit, jo me shembullin e forcës!”, tha Rama.

    Derisa dhuna u dënua edhe nga shoqëria civile, partia opozitare, Lidhja Demokratike, është distancuar nga përleshjet në Kuvend. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Grushte mes pushtetit e opozitës në Kuvend, në përleshje nuk u përfshinë LDK-ja e AAK-ja

    Grushte mes pushtetit e opozitës në Kuvend, në përleshje nuk u përfshinë LDK-ja e AAK-ja

    Seancat e Kuvendit të Kosovës shpesh janë të zhurmshme. Por, seanca e së enjtes ishte edhe e dhunshme. Debati eskaloi në përleshje fizike mes ministrave dhe deputetëve të pushtetit me ata të PDK-së.

    Fillimisht PDK-ja ngjiti pllakate në foltore të Kuvendit, duke e paraqitur kryeministrin si Pinokio. Fotografia qëndroi fare pak meqë atë e laroi zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi.

    Pavarësisht këtyre lëvizjeve, kryeministri Albin Kurti vazhdoi të fliste. Atij më pas iu afrua për ta lagur me ujë deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.

    Reagim të shpejtë karshi tij pati ministri Hekuran Murati, derisa zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e sulmoi me shishe Lushtakun.

    Në përleshje brenda sekondash u përfshinë edhe ministra e deputetë të tjerë.
    Reagoi edhe sigurimi i kryeministrit. Gjatë kacafytjes, kryekuvendari kërkonte qetësi e në një moment e ftoi policinë brenda sallës.

    Ata qëndruan brenda në sallë derisa kryeministri u largua. Në përleshje në të cilën u dhanë shumë grushte nuk u përfshinë fare dy partitë e tjera opozitare, LDK e AAK.

    Rreth tre orësh pas përleshjes, deputetët u kthyen në sallë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Mediat botërore: Grushte pas “Pinokios” në Parlamentin e Kosovës

    Mediat botërore: Grushte pas “Pinokios” në Parlamentin e Kosovës

    Ngjarja e sotme në Kuvendin e Kosovës, ku deputetët e të dyja kampeve, pozitë dhe opozitë, u përleshën fizikisht, ka zënë vend të rëndësishëm në mediat ndërkombëtare.

    “Përleshje me grushte shpërthyen në Parlamentin e Kosovës pasi deputeti e spërkati kryeministrin me ujë”, është titulli i agjencisë “Reuters”.

    “Politico” i ka vënë këtë titull shkrimit të saj për ngjarjet e sotme në Kuvendin e Kosovës. “Përleshje masive në kuvendin e Kosovës për shkak të karikaturës së Pinokios dhe hedhjes së ujit”.

    AP-ja e ka zgjedhur këtë titull: “Parlamenti i Kosovës shpërtheu në përleshje pasi u hodh ujë në drejtim të kryeministrit”.

    Ngjashëm kanë raportuar edhe shumë media tjera në mbarë botën në gjuhë të ndryshme.

    Kujtojmë se sot në orët e paradites, teksa po mbahej seanca e rregullt plenare, deputetë të PDK-së kanë vendosur disa pankarta para kryeministrit Kurti e para ministrave tjerë të qeverisë, por edhe në folësen e Kuvendit.

    Më pastaj, te folësja e Kuvendit, ku po mbante fjalim kryeministri, është vendosur edhe një fotografi e tij e përpunuar me hundë të gjatë që simbolizon karakterin fiktiv dhe protagonistin e romanit për fëmijë, Pinokio, të cilit i rritet hunda sa herë gënjen.

    Kjo nuk i pëlqeu numrit dy të qeverisë, Besnik Bislimit, i cili u ngrit nga vendi dhe e hoqi atë fotografi, të cilën e shqeu.

    Pas këtij veprimi, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku ngrihet nga vendi dhe niset në drejtim të kryeministrit, të cilin edhe e lag me ujë.

    Këtu nis edhe përleshja fizike mes pushtetit e opozitës./klankosova

  • Rrahja në Kuvend, Prokuroria nis hetimet dhe të përfshirët do të intervistohen

    Rrahja në Kuvend, Prokuroria nis hetimet dhe të përfshirët do të intervistohen

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka iniciuar hetimet në drejtim të veprës penale “Sulmi” lidhur me rrahjen që ka ndodhur sot në Kuvendin e Kosovës.

    Prokuroria ka autorizuar policinë për t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, përfshirë deklaratat e palëve të përfshira në rast.

    “Prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, do t’i ndërmerre të gjitha veprimet konform dispozitave ligjore të KPPRK-së, deri në sqarimin e plotë të çështjes në fjalë.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Ky është njoftimi i plotë:

    Prishtinë, 13 korrik 2023– Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit ka iniciuar hetime në drejtim të veprës penale “Sulmi”, sipas KPRK-së, lidhur me incidentin i cili ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Kuvendin e Kosovës, si dhe ka autorizuar Policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, përfshirë po ashtu marrjen e deklaratave të palëve të përfshira në këtë rast.

    Prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, do t’i ndërmerre të gjitha veprimet konform dispozitave ligjore të KPPRK-së, deri në sqarimin e plotë të çështjes në fjalë.