ATV

Author: ATVLive

  • ​36 persona humbën jetën nga zjarret e furishme në Hawai

    ​36 persona humbën jetën nga zjarret e furishme në Hawai

    Të paktën 36 persona kanë vdekur nga zjarret në të gjithë qarkun Maui në Hawaii, thonë zyrtarët.

    Zjarret janë ndezur nga erërat e forta nga uragani Dora, duke shkatërruar qindra ndërtesa dhe duke djegur disa zona, raporton BBC.

    Mijëra njerëz janë detyruar të evakuojnë shtëpitë e tyre në ishullin Maui dhe është shpallur një gjendje e jashtëzakonshme.

    Një operacion i madh kërkim-shpëtimi është duke u zhvilluar dhe helikopterët kanë hedhur ujë mbi zjarret nga lart.

  • Prokuroria jep detaje për vrasjen në Skenderaj

    Prokuroria jep detaje për vrasjen në Skenderaj

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë ende nuk ka arritur t’i identifikojë dy persona të dyshuar për vrasjen në Skenderaj. Kjo pasi që të njëjtit kanë qenë të maskuar.

    Kështu ka bërë të ditur për Nacionalen zëdhënësi i Prokurorisë në Mitrovicë, Valon Preteni.

    “Prokurorja ka qëndruar 3-4 orë në vendin e ngjarjes. Ajo çka dihet është se një person ka mbetur i vrarë, dy persona të dyshuar kanë qenë me maska sipas dëshmitarëve. Ende nuk janë identifikuar personat pasi që kanë qenë me maska, mirëpo jemi duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore”, ka thënë Preteni.

    Si pasojë e të shtënave me armë zjarri në Runik të Skënderajt një person ka mbetur i vrarë e tre të tjerë janë lënduar. Njëri prej tyre rëndë.

  • Nënkryetari i Mitrovicës:  Paguam miliona euro  borxhe të trashëguara, situata është menaxhuar

    Nënkryetari i Mitrovicës: Paguam miliona euro borxhe të trashëguara, situata është menaxhuar

    Nënkryetari i Komunës në Mitrovicë të Jugut, Arian Tahiri, gjatë një interviste për KosovaPress, ka bërë të ditur se viti i kaluar për Komunën e Mitrovicës ka qenë sfidues për shkak të obligimeve financiare të trashëguara, ku si pasojë është dashur të paguhen mbi 6 milionë euro borxhe, ndërsa tani thotë se situata është menaxhuar dhe se kjo Komunë është duke operuar me buxhetin pa ngarkesa.

    Sipas tij, sfidë e tanishme mbetet realizimi i të hyrave nga Drejtoria e Urbanizmit, për çka shpreson se edhe kjo gjendje do të tejkalohet shpejt, pas finalizimit të procesit të hartave zonale.

    Në lidhje me zërat se mandatin e ardhshëm Tahiri mund të jetë kandidat për kryetar komune nga radhët e PDK-së, 29-vjeçari nuk ka dashur të flasë shumë, duke thënë se është nderi më i madh që mund ta ketë ndonjëherë në jetën e tij, mundësia që në moshën e tij t’i shërbejë qytetit dhe qytetarëve të Mitrovicës.

    “Vitin e kaluar kemi arritur që të paguajmë mbi 6 milionë euro borxhe të trashëguara dhe këtë vit jemi pa obligime dhe jemi duke promovuar me buxhetin të cilin e kemi pa ngarkesa dhe duke i realizuar pagesat në kohë për të gjithë operatorët… Pra, viti i parë ka qenë sfidues për shkak të obligimeve, ndërsa tash veç është menaxhuar, është rregulluar, janë paguar dhe tani nuk ka komplikime dhe probleme të natyrës çfarë kemi pasur vitin e kaluar… Tash është një sfidë tek realizimit i të hyrave nga Drejtoria e Urbanizmit, mirëpo pasi të finalizohet procesi i hartave zonale, pres që të shpërthehet edhe ajo pjesë dhe do të performohet në mënyrë të shkëlqyeshme”, thotë ai.

    Sipas tij, tashmë zonat strategjike në Mitrovicë kanë marrë drejtim pozitiv.

    “Është e rëndësishme të theksohet se i kemi dhënë drejtim pozitiv zonave strategjike çdo herë duke gërshetuar kërkesat dhe interesat e qytetarëve, që të krijohen horizonte dhe perspektivë e qytetit të Mitrovicës, si te banimi kolektiv edhe te banimi individual, të ruhen zonat e gjelbëruara, që të promovohen hapësirat publike që në të ardhmen të krijohen sa më shumë, në mënyrë që qyteti i Mitrovicës të jetë sa më i bukur, ku jeta mund të zhvillohet me mirëqenie të plotë, si dhe të promovohen të mirat natyrore të cilat këtij qyteti ia ka falë Zoti”, thotë Tahiri.

    Duke theksuar se viti 2023 është një vit i mbarë për Komunën e Mitrovicës, Tahiri përmend projekte të shumta infrastrukturore që janë në zhvillim e sipër, për të cilat tha se përveç që do të jenë vlerë shtesë për qytetin, do ta përmirësojnë dukshëm edhe jetën e vetë qytetarëve.

    “Jemi në fillim të projektit të sheshit të qytetit i cili ka tri pozicione, pra po flasim për sheshin ‘Adem Jashari’, ku do të vendoset shtatorja e komandantit legjendar dhe do të rregullohen pjesët përcjellëse përreth… Pozicioni i dytë brenda sheshit është sheshi ‘Mehë Uka’… dhe më pas do të jetë edhe sheshi ‘Isa Boletini’… vazhdimi i punimeve në lumin Ibër, një projekt i lënë në gjysmë…gjithashtu jemi në procedurë për shkollën e muzikës, është një projekt brilant dhe i shkëlqyeshëm, shumë modern… për bibliotekën e qytetit… është projekt poashtu i rëndësishëm QKMF-ja, punimet janë duke vazhduar me intensitet shumë të lartë, personalisht jam shumë i kënaqur me punët të cilat janë duke u bërë. Aty jemi në bashkëfinancim me shoqatën ‘Jetimat e Ballkanit’ dhe hoxhën Halil Kastrati… do të jetë QKMF-ja më e avansuar në Ballkan”, thekson Tahiri.

    Ai premton se të gjitha këto projekte do të përfundojnë deri në vitin 2025.

    Tahiri thotë se masat e BE-së ndaj vendit, nuk e kanë prekur Mitrovicën, edhe pse ka përmendur një projekt për trajtimin e ujërave të zeza që është duke u zhvilluar në kuadër të programit të BE-së, për të cilin thekson se nuk është ndërprerë.

    Ka ndodhur një vonesë, shton ai, sa i përket ndërtimit të ambulantës së re në Lagjen ‘Ilirida’ në Mitrovicë, e cila është dashur të realizohet në bazë të një memorandumi të nënshkruar mes Komunës dhe një shoqate nga Katari, por kjo vonesë ka ndodhur për shkak të tensioneve të fundit në veri dhe jo si rezultat i masave të BE-së.

    “Këto projekte krejt pres që të përfundojnë brenda mandatit tonë. Pra një pjesë e tyre do të përfundojë këtë vit, një pjesë vitin e ardhshëm dhe pjesa tjetër do të përfundojë në vitin 2025… Komuna e Mitrovicës e ka një projekt me IBAD-në, për trajtimin e ujërave të zeza… Kontrata me konsulentin është nënshkruar më herët sesa BE-ja të vendosë masat, dhe deri tani sa kam informacion nuk kam parë që ky projekt është ndalur si rezultat i atyre masave, por projekti është duke vazhduar… Projekte tjera nuk ka pasur në Komunën e Mitrovicës të cilat janë lidhur drejtpërdret nga BE-ja’. Ajo që ka ndodhur si rezultat i gjendjes në qytetin e Mitrovicës për shkak të tensioneve në pjesën veriore dhe që na ka penalizuar, është se ne kemi nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me shoqatën e Katarit për një ambulantë të re në Lagjen ‘Iliridë’… dhe është vonuar fillimi i punimeve për shkak të situatës, mirëpo ne jemi në komunikim me ta dhe përfundimisht ata do të vinë dhe do të fillojë ndërtimi i kësaj ambulante”, vijon Tahiri.

  • Gjilan, humb jetën gruaja që ra në bunar

    Gjilan, humb jetën gruaja që ra në bunar

    Një grua ka vdekur të mërkurën në Gjilan, pasi ka rënë në bunar.

    “Ankuesi mashkull kosovar ka njoftuar se gruaja e tij ka rënë në një bunar. Njësitë policore kanë bërë sigurimin e vendit të ngjarjes. Në lidhje me rastin janë njoftuar njësiti i Zjarrfikësve te cilët e kanë nxjerr trupin e pa jetë nga bunari.”, ka bërë të ditur Policia.

    Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

    Rasti vazhdon të hetohet.

    Rasti është cilësuar si “Vdekje e dyshimtë”./KP

  • Gjermani dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e kosovarit

    Gjermani dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e kosovarit

    Një gjerman është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një kosovari.

    Vendimi u mor të martën nga Gjykata e Freiburgut.

    Vrasja ka ndodhur në muajin janar në Freiburg-Betzenhausen , shkruajnë mediat gjermane përcjell Klankosova.tv

    Gjermani e kishte qëlluar në gjoks me armë zjarri kosovarin, i cili ishte i dashuri i ish-gruas së tij.

    Ngjarja e rëndë ndodhi në përballë banesës së gruas në Freiburg.

    Ndërkaq viktima vdiq në spital dhe u varros disa ditë më vonë në Kosovë.

    Në seancën gjyqësore ishin të pranishëm edhe familjarët e kosovarit, të cilët duartrokitën kur gjykata vendosi dënimin burg përjetë.

    Pas vendimit, avokati i të akuzuarit tha se do të ankohet.

    30-vjeçari gjerman dënimin e dëgjoi në heshtje, ndërkaq pasi kryetari i trupit gjykues e lexoi vendimin dhe arsyetimin e dënimit, ai u shtri përtokë dhe qante.

    Raportohet se i akuzuar kishte shkuar me veturë tek banesa e ish-gruas.

    Ai donte të shihte vajzën e tyre tetëvjeçare.

    Papritur ai ka nxjerrë revolen dhe e kishte qëlluar në kraharor (kosovarin), partnerin e ish-bashkëshortes së tij.

    Banorët e asaj lagje kanë pasur kritika për ekipet e shpëtimit.

    Thuhet se ata kanë mbërritur tek i plagosuri gjysmë orë pas policisë, por që këto akuza u mohuan nga autoritetet.

  • ‘Se prekshe pak me nxeh’ – Ja çka i ndodhi malësorit që deshi ta bëjë për vete një vajzë të re

    ‘Se prekshe pak me nxeh’ – Ja çka i ndodhi malësorit që deshi ta bëjë për vete një vajzë të re

    Emisioni veror i ATV-së, “n’mal An’det”, vazhdon të sjellë për shikuesit argëtim, intervista dhe eksplorim kulturor.

    Në këtë emision, pos rubrikave të shumta argëtuese, është edhe rubrika me tregime popullore, të cilat i interpreton aktori Bislim Muçaj.

    Mbrëmë, në ciklin e tregimeve popullore, u rrëfye një ngjarje e një djaloshi që ishte bërë merak në një vajzë, por nuk dinte si ta bënte për vete.

    Pas shumë tundimesh, ai më në fund ia shprehë atë që ndjenë për të, ndërsa merr një përgjigje të papritur nga ajo.

    Tregimin e plotë mund ta shikoni në videon më poshtë.

  • Zvicra zbardhet nga bora në gusht, e pak kilometra më larg kombajnat në vapë po korrin grurin

    Zvicra zbardhet nga bora në gusht, e pak kilometra më larg kombajnat në vapë po korrin grurin

    Bernë, 10 gusht – Reshjet e papritura të dëborës në muajin gusht dje dhe sot kanë zënë në befasi shumëkënd pasi ka mbuluar disa pjesë të Zvicrës. Vija e borës ka zbritur deri në 2000 metra, e në disa zona të lokalizuara edhe më e ulët. Është interesante se në mes të kësaj skene dimërore, kombajnat po mbledhin me zell grurin nën diellin përvëlues, raporton gazeta Le Canton27.ch.

    Për shkak të reshjeve të konsiderueshme gjatë natës, disa kalime malore zvicerane janë mbuluar me një shtresë dëbore. Pamjet e shpërndara në internet portretizojnë gjallërisht spektaklin e reshjeve të borës në gusht. Kalimi i Oberalp, Grimsel Pass, Gotthard Pass dhe Flüela Pass u janë nënshtruar të gjitha shenjave fillestare të ardhjes së dimrit.

    Gjithsesi, bora pritet të zhduket së shpejti. Temperaturat parashikohen të rriten mesatarisht në krahasim me leximet e së dielës. Ajri më i ngrohtë do të përfshijë nga jugperëndimi gjatë gjithë ditës, duke bërë që pika e ngrirjes të rritet përtej 3500 metrave deri në mbrëmje – dhe madje t’i afrohet afro 4000 metrave në rajonet e largëta perëndimore.

    Ky trend pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Temperaturat lokale që mund të arrijnë deri në 30 gradë të enjten. Pavarësisht kushteve me diell, është e rëndësishme të theksohet se rreziku i stuhive do të rishfaqet duke filluar nga e enjtja.

  • Zbulohet identiteti i tre të plagosurve nga ngjarja e rëndë në Skenderaj

    Zbulohet identiteti i tre të plagosurve nga ngjarja e rëndë në Skenderaj

    Një vrasje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Skenderaj ndërsa tret ë tjerë mbetën të plagosur. Njëri nga ta është në gjendje të rëndë ku po trajtohet në QKUK.

    Personi I vrarë është Negjmedin Loshi ndërsa Insadjeri zbulon emrat e të plagosurve.

    Ata janë Qendrim Januzi, Fidan Januzi dhe Muhamet Ramadani.

    Viktima është 39 vjeç nga fshati Pemishtë i Skenderajt.

  • Shefi i EULEX-it viziton Teodosijen në Manastirin e Graçanicës, tregon çka biseduan

    Shefi i EULEX-it viziton Teodosijen në Manastirin e Graçanicës, tregon çka biseduan

    Shefi i EULEX’it, Giovanni Pietro Barbano, të mërkurën ka vizituar peshkopin e Kishës Ortodokse Serbe, Teodosije.

    Giovanni Pietro Barbano ka treguar se me Teodosije folur për situatën e sigurisë si dhe dhe të drejtat e komuniteteve.

    “Gjatë diskutimeve të hapura, dëgjova brengën lidhur me situatën e sigurisë në Kosovë dhe respektimin e të drejtave të njeriut për komunitetet joshumicë”, ka shkruar Barbano.

    “E sigurova atë që EULEX do të vazhdojë mbështetjen për rend dhe ligj dhe se nga afër do ta monitorojë sistemin e drejtësisë në terma procedural, ligjor dhe të të drejtave të njeriut, përfshirë trajtimin e barabartë për të gjitha komunitetet”, ka shkruar ai në Twitter.

  • Zeqiri nuk do peticion, propozon dorëheqje

    Zeqiri nuk do peticion, propozon dorëheqje

    Kryetari i Zubin Potokut, nuk preferon nismën e qeverisë qendrore për shkarkimin e kryetarëve të komunave, nëpërmjet procedurës së peticionit.

    Izmir Zeqiri, që u zgjodh në këtë pozitë në zgjedhjet e 23 prillit që u bojkotuan nga pakica serbe që në veri të republikës janë shumicë, do donte një ide tjetër për zgjedhje të reja.

    “Për mendimin tim kishte me qenë më mirë, do të thotë të kishte një marrëveshje politike të themi kështu, dhe një vullnet i dorëheqjeve të kryetarëve”, tha Zeqiri për Klan Kosova.

    Në fakt ai po vazhdon të kryejë detyrën e kryekomunarit jo nga zyra qendrore, por nga një alternative në fshatin Çabër.

    Në zyrën e tij në Zubin Potok, fizikisht shkoi vetëm me 26 maj, kur sikur kryetari i Zveçanit dhe ai i Leposaviqit, me asistencë policore ju mundësua hyrja në godinat komunale.

    “Kemi informacion ditor rreth gjendjes në komunë dhe rreth komunës. Kështu që në momente të caktuara ose të duhura, neve do të shkojmë kur krijohen kushtet e duhura. Me krejt kabinetin do të shkojmë edhe atje, mirëpo për momentin po funksionojmë edhe nga këtu”, shtoi ai.

    Ndërkohë në ndërtesën e komunës së Liqenit të Ujmanit, ka një telashe estetike. Sipas pretendimeve të disa politikanëve e aktivistëve lokalë është se mbishkrimin e komunës që ishte në alfabetin cirilik, e hoqi dikush me qëllim.

    Zeqiri thotë se shkronjat i rrëzoi era dhe se pretendimi që ato i hoqi policia nuk qëndron dhe se kur përmbushen kushtet mbishkrimi do sanohet.

    I pari i Zubin Potokut është kryekomunari i dytë që bashkë me atë të Zveçanit, Ilir Peci, kryejnë detyrat nga ambiente alternative.

    Ndërsa, Lulzim Hetemi, që udhëheq Leposaviqin, po qëndron brenda në komunë qe më shumë se dy muaj.