ATV

Author: ATVLive

  • IPK kërkon suspendimin e një rreshteri në veri

    IPK kërkon suspendimin e një rreshteri në veri

    Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) njofton se dje (e mërkurë) si rezultat i veprimeve hetimore ka parashtruar kërkesë drejtorit rajonal të Policisë Kufitare Veriu për suspendim në kohëzgjatje deri në tri ditë (3) ndaj një zyrtarit policor me gradën rreshter, i cili shërben në Stacionin Policor për Mbikëqyrje Kufitare Leposaviq – Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare Veriu.

    Kjo kërkesë, sipas IPK është nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i Pozitës apo Autoritetit Zyrtar” nga neni 414 i KPRK-së.

    “Ky rast në koordinim me Prokurorin e Shtetit është duke u trajtuar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

  • ​Qytetarët në Portugali të lumtur me vetëm 4 ditë punë në javë

    ​Qytetarët në Portugali të lumtur me vetëm 4 ditë punë në javë

    Rreth dy muaj pas fillimit të pilot projektit të javës katërditore të punës, Sekretari i Shtetit për Punën, po bën një vlerësim pozitiv të projektit, duke thënë ai ka indikacione se punëtorët dhe organizatat janë të kënaqur.

    Bilanci përfundimtar i përvojës që mbulon 39 kompani dhe rreth 1000 punëtorë, e cila filloi më 5 qershor, do të bëhet vetëm në fund të gjashtë muajve të projektit, por sekretari i Shtetit për Punën, Miguel Fontes, i cili po vizitonte një nga kompanitë pjesëmarrëse, Crioestaminal, në Cantanhede, tha për Lusën se ai kishte, për momentin, “indikacione pozitive” nga pjesëmarrësit.

    “Informacioni që na vjen është shumë pozitiv, në të cilin personat që po punojnë katër ditë në javë janë veçanërisht të kënaqur me këtë mundësi, ata mendojnë se cilësia e punës dhe e jetës së tyre është përmirësuar”, tha ministri, raporton Lusa.

    Sipas Miguel Fontes, përvoja në këto kompani mund të tregojë se, me javën katërditore të punës, “ulen mungesat në punë, rritet niveli i atraktivitetit të këtyre kompanive”, duke u bërë kështu më konkurruese.

    “Nga këndvështrimi i organizatave, ajo që na dëshmojnë është se kjo i ka detyruar të ridizajnojnë proceset e punës, të riorganizojnë metodologjitë e punës, por që tani për tani nuk mendojnë se ka ndonjë rezultat më pak pozitiv për shkak se i janë bashkuar projektit të javës katërditore”, ka shtuar ai, duke theksuar megjithatë se “është ende herët” për një vlerësim përfundimtar.

    Pilot projekti filloi më 5 qershor, me 39 kompani dhe rreth 1,000 punëtorë që iu bashkuan nismës.

    Projekti synon të vlerësojë zbatimin e javës katërditore, me uljen përkatëse të numrit të orëve të punës, pa ulur pagën dhe ka për qëllim punëdhënësit dhe punonjësit që dëshirojnë të bashkohen vullnetarisht, sipas urdhëresës së publikuar në Diario da Republica, gazeta zyrtare e qeverisë.

    Parashikohet që subjektet që regjistrohen në programin pilot do të vlerësohen para, gjatë dhe pas programit, nëpërmjet treguesve që lidhen me kompaninë, si produktiviteti dhe kostot e ndërmjetme, si dhe me punëtorët, përfshirë shëndetin dhe mirëqenien.

    IEFP – Instituti i punësimit dhe trajnimit profesional merr përsipër kostot dhe shpenzimet që lidhen me zhvillimin e programit pilot deri në një shumë të përgjithshme maksimale prej 350,000 euro.

  • Babai i argjentinases që u vra në Kosovë: Janë gjetur informata të rëndësishme për shkakun

    Babai i argjentinases që u vra në Kosovë: Janë gjetur informata të rëndësishme për shkakun

    Drejtësia në Kosovë vijon hetimet për rrethanat në të cilat humbi jetën 27-vjeçarja argjentinase në Fushë Kosovë.

    I dashuri i saj, Endrit Nika, është ende në paraburgim, pasi dyshohet për vrasje

    Facundo Urdangaray, babai i María Clara Urdangaray, 27-vjeçares argjentinase që vdiq në Kosovë pasi u rrëzua nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë Kosovë derisa ishte me të dashurin e saj, dha detaje të reja për ecurinë e hetimeve dhe gjithashtu raportoi se familja e saj ende po lufton për të riatdhesuar trupin e të resë.

    Burri shpjegoi se mjekësia ligjore gjeti lëndime që nuk përputhen me rënien nga lartësia, pra ato ishin të mëparshme.

    Edhe pse ende nevojitet më shumë ekspertizë, kjo do ta komplikonte Endrit Nikën, të dashurin e saj zviceran nga Kosova, i cili ndodhet në paraburgim në Kosovë, pasi rasti po hetohet si një femicid i mundshëm.

    “Ata kanë gjetur shenja në trupin e vajzës sime se ka pasur lëndime të mëparshme. Mavijosje në krahët e saj. Kur një person bie nga një lartësi e tillë, ai ka lëndime të caktuara, por nëse ju shtrëngojnë fort krahët, ato lëndime nuk janë prej rënies,” shpjegoi Urdangaray për Radio 221 në Argjentinë.

    Nga ana tjetër, babai i së resë ka insistuar në kërkesën e tij që -pas ekspertizës përkatëse- të riatdhesojnë trupin e Klarës.

    Prindërit e María Clara Urdangaray ngritën një fushatë për të mbledhur fondet e nevojshme, por ata duhej të bllokonin llogarinë bankare.

    “Filluan të më hynin para që nuk mund t’i justifikoja, që nuk mund t’i faturoja dhe hynin para. Kështu që më duhej të bllokoja llogarinë”, tha ai për mediat argjentinase.

    Urdangaray tregoi gjithashtu se sa do të kushtonte riatdhesimi, sipas asaj që u informua.

    “Ndoshta dikush nga shteti argjentinas merr përgjegjësinë për këtë. Flitet nga 4000 deri në 8000 euro. As unë nuk e di cila është e vërteta, një gjë të thonë dhe një tjetër del, nuk e di saktësisht sa”, tha ai.

  • Lajmi i fundit nga QKUK, kjo është gjendja e të plagosurve në Runik të Skenderajt

    Lajmi i fundit nga QKUK, kjo është gjendja e të plagosurve në Runik të Skenderajt

    Tre personat e plagosur në Runik të Skenderajt janë dërguar në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa njëri prej tyre është në kujdes intensiv.

    Avdush Bajgora nga Emergjenca e QKUK-së, tha se njëri nga të plagosurit do të vazhdojë trajtimin jashtë vendit.

    Ai bëri të ditur se lëndimet kanë qenë serioze, ndërsa sipas tij parametrat e pacientëve të pranuar në reanimacion janë stabile.

    “Në qendrën emergjente kanë kërkuar ndihmë tre pacientë si rezultat i lëndimit me armë zjarri nga të cilët njëri i është nënshtruar intervenimit kirurgjikal dhe ndodhet në mjekim intensiv, njëri nga pacientët është dërguar në Klinikën e Ortopedisë ndërsa njëri pritet se do të vazhdojë trajtimin jashtë vendit. Lëndimet kanë qenë serioze ndërsa sa i përket paramertrave vitale flas gjithmonë për pacientët të cilët kanë qenë në reanimacion, parametrat janë stabile, ndërsa lëndimet janë serioze”, tha Bajgora.

    Specialisti anesteziolog në repartin intensiv, Betim Merdiu, tha se gjendja e njërit nga të plagosurit është e rëndë, duke treguar se këmba e tij është e amputuar poshtë gjurit.

    “Në orën e mëngjesit është sjellë një pacient nga salla e kirurgjisë urgjente, gjerësisht si pasojë e lëndimeve të marra nga armët e zjarrit, është punuar nga ekipa kujdestare nga mjeku ortoped dhe kirurg vaskular, kirurg plastik dhe nga ekipa e anestezionit. Në mjekimin intensiv pacienti trajtohet me produkte te gjakut si pasojë e shokut hemorragjik, gjendja e pacientit vazhdon të jetë e rënduar, është bërë amputimi nën gjurin e këmbës si pasojë e plagëve të ndërmarra, është bërë intervenimi kirurgjik. Për momentin gjendja është e rënduar, pacienti i gjinisë mashkull mosha 31 vjeçare. Në mjekimin intensiv është pranuar vetëm një pacient prej plagëve të marra dhe si pasojë e përkeqësimit të gjendjes”, tha ai.

    Vrasja e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në një kafiteri në fshatin Runik të Skenderajt, ku ka mbetur i vrarë një person dhe tre të tjerë janë plagosur.

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka bërë të ditur për KosovaPress se ngjarja ka ndodhur rreth orës 1:21.

    Siç tha ai, njëri nga të lënduarit, viktima N. L 39-vjeçar, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa, tre të plagosurit janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK./kp

  • Prishtina nuk e nis sezonin e ri në “Fadil Vokrri”

    Prishtina nuk e nis sezonin e ri në “Fadil Vokrri”

    Përmes një komunikate zyrtare, skuadra e Prishtinës e ka bërë të ditur se dy ndeshjet e para të sezonit të ri të Superligës së Kosovës si vendase nuk do t’i zhvillojë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

    Dy ndeshjet e para si vendase Prishtina do t’i zhvillojë në kampin nacional në Hajvali.

    Në xhiron e parë Prishtina luan kundër Feronikelit, kurse në xhiron e tretë me Malishevën, të dyja këto ndeshje që ishin paraparë të zhvillohen në “Fadil Vokrri”.

    “FC Prishtina ka pranuar këtë akt për të mirëkuptuar ndeshjet kualifikuese të Kosovës për muajin shtator”, bëri të ditur Prishtina në komunikatën zyrtare.

    Prishtina e nis sezonin e ri të Superligës së Kosovës këtë të shtune (12 gusht), ku me fillim nga ora 17:00 do të përballet me Feronikelin.

  • Katër vrasje për 10 ditë – Rexhepi: Po ballafaqohemi me pasojat e posttraumës, plagët e luftës janë të freskëta

    Katër vrasje për 10 ditë – Rexhepi: Po ballafaqohemi me pasojat e posttraumës, plagët e luftës janë të freskëta

    Neuropsikiatri, Sami Rexhepi i tha Ekonomia Online, se si pasojë e luftës dhe e pandemisë është rritur ankthi dhe për rrjedhojë edhe mundësia për konflikte është më e madhe shkak i uljes së pragut të durimit.

    Ai thotë se plagët e luftës ende janë të freskëta dhe se pandemia pa shkaktuar izolim total dhe se tash po ballafaqohemi me pasojat të posttraumës. Rexhepi theksoi se ndonëse të rinjtë janë gjeneratë e pasluftës, janë rritur me traumat që ka lënë si pasojë kjo e fundit.

    Por sipas tij, si shoqëri, e poashtu mediumet është mirë të krijojnë një platformë debati ku fokus të jetë ofrimi i asaj se çka popullata ka nevojë e jo se çka profesionistët duan të ofrojnë.

    “Po flasim për një shoqëri e cila i ka ende plagët e freskëta të një lufte shumë të dhunshme, me pasoja shumë të mëdha. Po flasim për një shoqëri e cila sa ka dal prej një pandemie e cila ka shkaktuar një izolim të plotë dhe jemi duke u ballafaquar me pasojat të posttraumës”.

    “Një pjesë e madhe e të rinjve janë gjeneratë e pasluftës, mirëpo pasojat e luftës dhe të traumës janë ende në familje, dhe janë rritur këta fëmijë me këto pasoja. E dyta; jemi duke folur për një periudhë kohore kur shumë prej bashkatdhetarëve tanë kthehen në shtëpi, por ata të rinj të cilët janë të rritur me një vend tjetër, me një kulturë tjetër, të cilëve u kanë thënë se tradita dhe kultura jonë është e prapambetur dhe të cilët duan të ikin nga ky sistem i prapambetur, por ata ende nuk e kanë marrë një kulturë apo traditë të një vendi tjetër, dhe çka ndodhë është se është larguar një sistem i vlerave i cili nuk është i mirë dhe i përshtatshëm, nuk është marrë tjetri dhe defacto ne kemi mbetur pa sistem të vlerave”.

    Rexhepi përmendi edhe ardhjen e mërgimtarëve duke theksuar vrasjen e argjentinases, të cilën dyshohet se e hodhi nga kati i gjashtë, i dashuri i saj nga Drenasi, e i cili jeton në Zvicër.

    Ai tha se tek bashkatdhetarët tanë ka dyzim të kulturave ku nganjëherë mospërshtatshmëria apo konflikti midis kulturave i lë pa ndonjë sistem vlerash fare.

    “Apo t’i marrim të rinjtë të cilët janë këtu; me një shkallë shumë të lartë të papunësisë, me një shkallë shumë të lartë të varfërisë, me një shkallë ku promovohet vlera se dikush vjen vetëm nëse ka një ekzistencë shumë të mirë ekonomike, apo nëse është i pasur, dhe vlera e tij llogaritet në euro apo në dollarë dhe e kemi humbur një sistem të vlerave të cilin ne e kemi e që është më e madhja; familja. Nuk e kemi humbur ende, është në zbehje e sipër e që do të ketë pasoja. Nuk është dhuna tek ne më shumë se në vendet e tjera, nëse e marrim me e krahasuar me sport, ne kemi sportistë individualë që kanë arritur rezultate kulmore, dhe kemi një qëndrueshmëri në ato sporte”.

    “Cilin sport kolektiv ne e kemi të mirë? Ne si individë funksionojmë por jo si kolektivitet. Nuk mund të flasim për shëndetin mendor duke akuzuar vetëm profesionistët e shëndetit mendor, tash kemi shumë më shumë psikologë, numri i psikiatërve nuk është rritur dhe do të jetë në rënie për një kohë. Por për një mirëqenie të mirë, për një shëndet mendor të mirë, posaçërisht po flas për të rinjtë, nuk është vetëm çështje e policisë se a po funksionon siç duhet, ose vetëm e gjyqësisë, apo e arsimit. Problemi është se nuk ka një interaksion të këtyre profileve që do të ofronin një siguri më të madhe”.

    Ai pohon se shoqëria jonë funksionon shumë më mirë individualisht se kolektivisht dhe se fajin nuk e hedh tek një sferë e vetme. Sipas tij, ka mungesë të bashkëpunimit me qëllim ofrimin e sigurisë më të madhe për të gjithë.

    Gjithashtu neuropsikiatri Rexhepi tha se e sheh të arsyeshme që për individët që kanë interaksion të punohet me ta, si dhe se të organizohen aktivitete e turne ku të rinjtë të munden të lirojnë energjinë e tyre, raporton EO.

    “Ne i kemi të rinjtë me plot energji, qysh kur unë kam qenë student, që është më shumë se 40 ose 45 vite, ne atëherë kemi pasur gara, turnine të ndryshme, qysh prej gjimnazit. Këto aktivitete sot mungojnë. Ata të rinj duhet diku ta zbrazin atë energji. Nuk mund ta fajësojmë gastronominë, merreni me mend nëse ju shkoni në një lokal të pini kafe, dhe duke hy brenda dikush ju bastisë, si do të ndiheni. Kështuqë nuk mund ta fajësojmë gastronominë, ata i kanë truprojat, rojat aty, por edhe ata e kanë të kufizuar qasjen me mysafirë. Ka rënë pragu i durimit shumë, ne nuk kemi problem vetëm në lokalet apo klubet e natës, ne i kemi të njëjtat probleme në semaforë, ku ndalemi të presim, ne i kemi të njëjtat probleme në parkingje, poashtu në markete e në qendrat për blerje. Kudo që ka më tepër njerëz. Më pas i kemi personat të cilët shërbejnë. Thjesht nuk janë të interesuar se ata do të kenë punë dhe do ballafaqohen me njerëz me prag të ndryshëm të durimit. Nuk është sikurse dikush ta ofron një kafe me një buzëqeshje e sikur kur vetëm ta lëshon në tavolinë”.

    “Ne si shoqëri duhet të punojmë për ta parandaluar ose minimizuar dhunën në familje. Si pasojë e luftës dhe e pandemisë është rritur niveli i ankthit, është ulur pragu i durimit dhe mundësia për konflike është shumë më e madhe për shkak se shumë shpesh vjen në shprehje imulsiviteti i individit dhe nuk duhet shumë për të arritur tek një konflikt. Kjo është ajo ku ne si shoqëri, ju si medie, do ta krijoni mundësinë e debateve të ndryshme ku do të shkëmbehen mendime edhe të profesionistëve por edhe të popullatës. Sepse nuk duhet popullatës t’i ofrojmë atë çka ne kemi ose atë çka ne mundemi, ne thjesht duhet të ndërgjegjësohemi që popullatës t’i ofrohet ajo për çka ka nevojë jo ajo që ofrojmë ne”.

    Përgjatë këtyre ditëve, kanë ndodhur katër vrasje një grua dhe tre burra. Për vrasjen e argjentinases është arrestuar i dyshuari, mirëpo për tri rastet tjera, ka ende të dyshuar në arrati. Për rastin në Klinë është Tush Frroku, ndërsa për atë në “Bon Vivant” është Dukagjin Nikollaj dhe një i dyshuar tjetër nuk është identifikuar.

    Të paidentifikuar janë edhe dy persona tjerë që dyshohet se e kanë vrarë sot një person dhe kanë plagosur tre të tjerë në Skenderaj.

    Tashmë është bërë i ditur edhe identiteti i të vrarit dhe i të plagosurve. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka mbetur i vrarë Negjmedin Loshi, 39 vjeç, ndërkaq janë plagosur Qëndrim Januzi 26 vjeç, Fidan Januzi 41 vjeç dhe Muhamet Ramadani 35 vjeç. Akoma nuk dihen motivet e vrasjes.

  • Spajiq shpallet mandatar për formim të Qeverisë në Mal të Zi

    Spajiq shpallet mandatar për formim të Qeverisë në Mal të Zi

    Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq e ka zgjedhur liderin e partisë Evropa Tani, Millojko Spajiq si mandatar për kryeministër dhe formim të Qeverisë së re.

    Ai e ka marrë këtë vendim dy muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme në këtë shtet.

    Spajiq i ka tani 90 ditë për të formuar koalicion dhe për ta formuar Qeverinë.

    “Pres përgjegjësi dhe përshtatshmëri nga Spajiq, dhe të gjithë aktorët politikë që marrin pjesë në negociatat për formim të Qeverisë”, ka thënë Millatoviq.

    “Besoj se në këtë moment, Mali i Zi ka nevojë për Qeveri stabile, të pandarë nga profili evropian”.

    Partia Evropa Tani ka dalë e para në zgjedhjet parlamentare të qershorit.

    Përbërja e Qeverisë në ardhje do të ofrojë një pasqyrë të asaj se kah do të drejtohet ky vend, ndonëse vazhdimisht përmendet synimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    Zgjedhjet e qershorit janë mbajtur vetëm disa muaj pasi udhëheqësia politike e Malit të Zi është goditur nga humbja e ish-presidentit Millo Gjukanoviq në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të prillit.

    Prej formimit të saj më 2022, partia Evropa Tani është zotuar për të çuar përpara platformën pro evropiane dhe është zotuar për rritje të pagave e kryerje të reformave.

  • ​Kurti viziton KOK-un: Presim që rezultatet e sportistëve të mos ndalen

    ​Kurti viziton KOK-un: Presim që rezultatet e sportistëve të mos ndalen

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK), ku shprehu mbështetjen ndaj këtij institucioni sportiv dhe nënvizoi pritjet për organizimin e lojërave mesdhetare në Kosovë “Prishtina 2030”.

    Ai tha se pret që rezultatet e sportistëve dhe sportisteve të mos ndalen, por vetëm të shtohen të arriturat.

    “Unë jam shumë mirënjohës për punën sistematike që po e bëjnë, për kontributin që po e japin dhe besoj se tash e tutje do të kemi edhe më shumë suksese, nga bashkëpunimi ynë si qeveri dhe institucion shtetëror. Presim që si rezultatet e sportistëve dhe sportisteve tona, ashtu edhe pjesëmarrjes së Kosovës në arenën ndërkombëtar, si pjesëmarrëse dhe tash edhe si kandidate për të qenë nikoqir i lojërave mesdhetare këtu në Kosovë “Prishtina 2030”, nuk do të na ndalen por vetëm sa do të na shtohen të arriturat”, tha ai.

    Ndërkaq, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, tha se vizita e kryeministrit Kurti është e rëndësishme, sidomos para vendosjes për organizimin e lojërave mesdhetare 2030.

    “Kjo vizitë është shumë e rëndësishme, pikërisht para (kandidaturës) për lojërat mesdhetare në të cilat me 8 shtator shpresojmë që të jemi nikoqir i këtyre lojërave. Falënderove kryeministrin dhe zëvendësministren e Sportit për përkrahjen dhe besoj se shumë shpejtë të gjithë ne së bashku do të festojmë marrjen zyrtare të lojërave mesdhetare më 8 shtator, kur prezentë do të jemi edhe ne, kryeministri dhe shumica e anëtarëve të bordit të KOK-ut”, shtoi Krasniqi.

    Më 8 shtator gjatë asamblesë gjenerale të ISMG-së, do të vendoset për Lojërat e 21-ta Mesdhetare dhe për Lojërat e katërta Mesdhetare në Plazh.

    Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, mund të jetë mikpritëse e mijëra sportistëve që do të marrin pjesë në këtë garë prestigjioze.

    Kosova është treguar mjaft e suksesshme në pjesëmarrjet e saj në Lojërat Mesdhetare, mbi të gjitha në sportin e xhudos, duke fituar medalje të arta, të argjendta dhe të bronzta./KP

  • ​Kurti: Peticioni mënyra e duhur për zgjedhjet në veri, BE t’i largojë masat sa më parë

    ​Kurti: Peticioni mënyra e duhur për zgjedhjet në veri, BE t’i largojë masat sa më parë

    Mënyra më e duhur për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri është peticioni, thotë kryeministri Albin Kurti. Ai për KosovaPress thekson se vetëm kur 20 për qind e trupit elektoral shprehin vullnetin për t’ia ndërprerë mandatin kryetarëve aktual jepen dëshmi se nuk mund të ketë bojkot të pjesëmarrjes në zgjedhje, qoftë si votim apo kandidim.

    Në anën tjetër, kreu qeveritar, thotë se deeskalimi në veri në masë të madhe ka ndodhur, derisa kërkon nga Bashkimi Evropian që sa më parë t’i largojë masat ndëshkuese dhe të përmirësojë qëndrimin ndaj Kosovës.

    Kurti për KosovaPress thotë se po punojnë që sa më shpejtë të bëhet rregullimi i çështjeve teknike dhe administrative për zgjedhjet e reja në veri.

    “Sa i përket zgjedhjeve të reja të parakohshme, ne qysh nga fillimi kemi thënë se nuk jemi të kënaqur me daljen e qytetarëve në zgjedhjet më 23 prill të këtij viti dhe me ato çfarë mësuan si përqindje me 24 prill të nesërmen. Andaj kemi ofruar mundësinë që të kemi zgjedhje të parakohshme, por natyrisht dëshirojmë të mos na përsëritet situata, në të cilën sërish do të kemi bojkot të pjesëmarrjes në zgjedhje, qoftë si votim apo si kandidim. Ne mendojmë se mënyra e duhur për këtë është duke shfrytëzuar nenin 72 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili parasheh mundësinë e 20 për qind të trupit elektoral që të dalin dhe shprehin vullnetin e tyre për t’i ndërprerë mandatin e kryetarëve aktual. Jemi të hapur për këtë. Është krijuar edhe një grup punues që do të bëjë rregullimin e çështjeve teknike administrative të dispozitave të këtij neni dhe këtij ligji. Tash ta presim punën e tyre, sa më shpejtë aq më mirë, por edhe një herë po e them nuk besoj se ka arsye më që të ketë ndokush dyshime se Kosova nuk është palë konstruktive. Përkundrazi ne jemi palë konstruktive që është dëshmuar me ide kreative dhe përkushtim për të gjetur zgjidhje”, thotë Kurti.

    Ai shton se Kosova është e interesuar për deeskalim të plotë në veri, mirëpo sipas tij duhet të jenë të kujdesshëm nga mundësia e rieskalimit të situatës atje.

    “Ne e kemi një grup punues tash që e bënë vlerësimin e gjendjes së sigurisë, ku Policia e Kosovës konsultohet edhe me EULEX-in edhe me KFOR-in. Si rezultat i këtyre vlerësimeve të këtij grupi profesional ne dy herë nga 25 për qind e kemi zvogëluar praninë e policisë sonë në tri ndërtesat në tri komunat veriore të Kosovës. Jemi të interesuar për deeskalim të mëtutjeshëm, ndonëse është konstatim i përgjithshëm se në masë të madhe deeskalimi tashmë ka ndodhur. Nuk kemi protesta të dhunshme, s’kemi incidente veçse duhet të jemi të kujdesshëm nga potencialiteti i rieskalimit. Dihet që adresa për këtë nuk ndodhet në Republikën e Kosovës, por në kryeqytetin e fqinjit tonë verior”, deklaron kryeministri Kurti.

    Duke folur për masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, kryeministri Kurti thotë se të njëjtat nuk janë fer dhe duhet të hiqen sa më parë.

    Sipas tij BE-ja të përmirësojë qëndrimin ndaj Kosovës.

    “Sa i përket masave që janë marrë ndaj nesh, ne konsiderojmë se nuk janë ferë. Janë pjesë e asimetrisë në raporte dhe sa më parë që të përfundojnë aq më mirë. Ne po bëjmë krejt çfarë mundemi dhe dimë, por do të duhej që edhe partnerët dhe aleatët tanë evropian sa më parë të përmirësojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës. Pasi një Republikë demokratike dhe progresiste siç është Kosova meriton të ndihmohet me krejt çka munden ata dhe jo të ketë masa ndëshkuese”, thotë ai.

    Në anën tjetër, Kurti e mirëpret edhe letrën e ligjvënësve evropianë dhe amerikanë, ku kërkohet mbështetje më e madhe ndaj Kosovës dhe qasje më e ashpër ndaj Serbisë.

    “Nëpër parlamentet e shteteve të perëndimit demokratik, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjithnjë e më shumë ka ligjvënës, përfaqësues të popujve liridashës dhe demokratik të cilët dëshirojnë që qasja ndaj Kosovës të përmirësohet dhe ndaj Serbisë të ashpërsohet. Ne mendojmë se një iniciativë e tillë është e drejtë dhe dobishme”, përfundon Kurti.

  • Për 10 ditë katër vrasje, ende të dyshuar në arrati e persona të paidentifikuar

    Për 10 ditë katër vrasje, ende të dyshuar në arrati e persona të paidentifikuar

    Sot është dita e dhjetë e muajit gusht. Përgjatë këtyre ditëve, Kosova nuk ka gjetur qetësi pasi kanë ndodhur katër vrasje – një grua dhe tre burra. Për vrasjen e argjentinases është arrestuar i dyshuari, mirëpo për tri rastet tjera, ka ende të dyshuar në arrati. Për rastin në Klinë është Tush Frroku, ndërsa për atë në “Bon Vivant” është Dukagjin Nikollaj dhe një i dyshuar tjetër nuk është identifikuar. Të paidentifikuar janë edhe dy persona tjerë që dyshohet se e kanë vrarë sot një person dhe kanë plagosur tre të tjerë në Skenderaj.

    Në orët e para të 1 gushtit në Fushë Kosovë, Endrit Nikaj dyshohet se e ka gjuajtur nga kati i gjashtë të dashurën e tij, shtetase të Argjentinës, Maria Clara Urdangaray. Ajo u dërgua në QKUK, mirëpo nuk arriti t’iu bëjë ballë lëndimeve që kishte pësuar.

    “VRASJE: Fushë Kosovë 01.08.2023 – 01:59. Nga QKUK-ja është raportuar se ka ndërruar jeta viktima femër shtetase e Argjentinës si pasojë e lëndimeve të marra, që dyshohet se ka rënë nga një lartësi e objektit ku ka qenë duke qëndruar së bashku me te dyshuarin mashkull shtetas Zvicran. Me vendim të prokurorit kujdestar, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje. Rasti ne procedure hetimore”, thuhej në raportin 24 orësh të Policisë.

    Për këtë rast kanë raportuar mediat në Argjentinë e Zvicër, ndërkaq babai i të ndjerës ishte i bindur se vrasja e bijës së tij është femicid.

    “Vajza ime kishte folur me mamanë e saj dhe e kishte përshkruar të dashurin si një femëror dhe shumë xheloz. Është një femicide, jam i bindur,” tha Facundo Urdangaray, babai i Maria Clara.

    Endrit Nika është arrestuar dhe tani ndodhet në paraburgim.

    Gazeta zvicerane “Blick” ka raportuar se 32 vjeçari e kishte futur ilegalisht të dashurën e tij në Kosovë, duke e fshehur në bagazh të veturës. Express ka dërguar pyetje në Polici dhe MPJD, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

    Një tjetër krim goditi Prishtinën mbrëmjen e 4 gushtit. Një përleshje që nisi në një tavolinë të kafiterisë “Bon Vivant” përfundoi me një të vrarë e rreth 17 të plagosur.

    Për këtë rast janë arrestuar Andi Pajaziti i njohur si “Italiani”, Gëzim Zakuti dhe Hisni Gecaj. Atyre u është caktuar masa e paraburgimit prej 1 muaji, mirëpo “Italiani” ende është duke u trajtuar në Klinikën e Ortopedisë për shkak të lëndimeve.

    Mirëpo, një tjetër person është në arrati për këtë rast. Bëhet fjalë për Dukagjin Nikollajn, i njohur me nofkën “Duka”. Ai ishte i kërkuar nga FBI, dhe qysh prej natës tragjike, ai nuk është kapur ende nga Policia e Kosovës. Bazuar në fletëkërkimin e FBI-së, bëhet e ditur se 40-vjeçari ishte i përfshirë në trafikim të marihuanës në periudhën e viteve 2003-2007.

    I vrarë nga përleshja e armatosur ka mbetur Kastriot Ramadani nga fshati Zabel i Ulët i Drenasit. Ai u varros ditën e nesërme. Mirëpo sipas dosjes së Prokurorisë, Kastrioti ishte ai i cili e nisi përleshjen, pasi fillimisht e nxori armën nga brezi e më pas e goditi me shishe në kokë “Italianin”.

    “Në atë moment me të vërejtur që në lokal kanë hyrë të pandehurit Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti,, në atë moment i ndjeri Kastriot Ramadani e ka nxjerrë armën e zjarrit nga brezi kurse i pandehuri Dukagjin Nikollaj e ka nxjerrë armën e zjarrit nga një çantë e dorës, ashtu që për një moment fillojnë të përleshen fizikisht fillimisht Andi Pajaziti me të pandehurin Dukagjin Nikollaj, më pas Kastriot Ramadani e godet me një shishe qelqi në kokë disa herë Andi Pajazitin, në atë moment Andi Pajaziti nxjerr armën e zjarrit nga brezi dhe shkrepë në drejtim të Kastriot Ramadanit, kurse i pandehuri Dukagjin shkrep me armë zjarri në drejtim të Andi Pajazitit si dhe i ndjeri Kastriot Ramadani shkrep në drejtim të Andi Pajazitit e me ç’rast kanë rrezikuar edhe jetën e personave tjerë”, përshkruante Prokuroria.

    Për këtë rast është edhe një i dyshuar, që ende nuk është identifikuar.

    Ndërsa tri ditë më vonë, një krim tjetër ndodhi në një kafiteri tjetër. Por kësaj here në qytetin e Klinës.

    Atje Tush Frroku hyri në një kafiteri dhe shtiu shtatë herë mbi tashmë të ndjerin, Anton Prela, të cilin e kishte dhëndërr.

    Frroku pas kryerjes së krimit ka ikur nga vendi i ngjarjes dhe akoma nuk është kapur nga organet e sigurisë. Madje për gjetjen e tij, Prokuroria Themelore ka aktivizuar dronë dhe Policia e ka shpallur në kërkim, duke ia publikuar edhe fotografinë e të dhënat.

    Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, ka thënë për Express se fillimisht i dyshuari e ka ftuar viktimën jashtë lokalit e më pas viktima është futur brenda.

    Sipas tij, viktima dhe i dyshuari ishin familjarë mes vete.

    “Viktima ishte i martuar me motrën e të akuzuarit. Ndërsa edhe ky i fundit, ishte i martuar me motrën e viktimës”, tha ai.

    Ndërkaq sot zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka bërë të ditur se një person ka mbetur i vrarë e tre të tjerë janë plagosur pasi dy persona të maskuar kanë hyrë brenda në një kafiteri në fshatin Runik të Skënderajt dhe kanë gjuajtur me armë zjarri.

    Të dyshuarit më pas kanë ikur nga vendi i ngjarjes.

    “Rreth orës 01:21, të datës 10 gusht 2023, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në një kafiteri në fshatin Runikë të Skenderajt. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor. Bazuar në hetimet fillestare, nga arma e zjarrit lëndime kanë pësuar katër persona, njëri nga të lënduarit viktima N. L., 39 vjeçar, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa, tre persona të tjerë të lënduar ( po ashtu nga arma e zjarrit ) janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK. Nga hetimet e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja”, ka thënë Zahiti për Express.

    Ai ka thënë se hetuesit janë duke punuar për identifikimit dhe arrestimin e të dyshuarve.

    “Hetuesit e Sektorit Rajonal, janë duke punuar intensivisht për identifikimin dhe arrestimin e kryesit/ve të veprës si dhe zbardhjen e kësaj vepre penale.”

    Ndërsa, zëdhënësja e QKUK-së, Mirlindja Qyqalla për Gazetën Express tha se njëri nga të lënduarit është në gjendje të rëndë ndërsa dy tjerët janë jashtë rrezikut për jetë.

    “Nga Qendra Emergjente e QKUK-së jemi njoftuar që tre presona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, të lënduar me armë zjarri. Sipas ekipit mjekësor, aktualisht, njëri nga të lënduarit është në gjendje pak më të rënduar, ndërsa dy të tjerë janë jashtë rrezikut për jetë”, ka thënë Qyqalla.

    Tashmë është bërë i ditur edhe identiteti i të vrarit dhe i të plagosurve. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka mbetur i vrarë Negjmedin Loshi, 39 vjeç, ndërkaq janë plagosur Qëndrim Januzi 26 vjeç, Fidan Januzi 41 vjeç dhe Muhamet Ramadani 35 vjeç.

    Akoma nuk dihen motivet e vrasjes.

    Pra për vrasjen në Klinë dhe Skënderaj ende nuk ka të arrestuar, ndërsa për vrasjen në Bon Vivant një i dyshuar është ende në arrati. Pavarësisht kësaj, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, po shijon pushimet në Plazhin e Gjeneralit.