ATV

Author: ATVLive

  • Banorët e “Bairit” jetojnë në ankth në shtëpitë e tyre të dëmtuara

    Banorët e “Bairit” jetojnë në ankth në shtëpitë e tyre të dëmtuara

    Që nga janari, Bujar Avdiu, që banon në lagjen “Bair” të komunës së Mitrovicës, as gjumin nuk e bën rehat në shtëpinë e tij.

    Ai çdo ditë frikësohet që dheu do të rrëshqasë sërish, e muret e shtëpisë do t’ia zënë fëmijët.

    “Kjo ka ndodhë prej vërshimeve, jemi shumë në rrezik, problem shpija më ka flejt. Edhe është shumë rrezik se janë do çamje mrena. Rrezik shumë. A keni mendu me shku diku tjetër? Kemi mendu, po s’kemi ku se komuna nuk na ka bo zgjidhje”, tha Bujar Avdiu, banor.

    Vërshimet që ndodhën në janar të këtij viti, bënë që shumë shtëpi të kësaj lagje të dëmtohen e disa të tjera të plasariten.

    “Mu shpija më ka flejt, problemi është prej shiu, rrezik është boll se çdo ditë po i nijmë do kërsima, e për qeta është problem me banu këtu”, tha Muharrem Selmani, banor.

    “Dheu po rrëshqet, kemi telashe se kanë nisë me lëviz edhe shpijat. Nuk mundemi me banu këtu. Komuna na ka thanë që nuk kanë nevojë me mbulu koston që me ndalu këtë fatkeqësi. Po këtu toka po lëviz saherë që po bien shi”, tha Besim Hasani, banor.

    Por këta banorë të paktën edhe këtë vit do të përballen me këtë frikë pasi që komuna tek vitin e ardhshëm planifikon të marrë masa.

    Behar Maxhuni, drejtor i emergjencave në këtë komunë, thotë se komuna nuk ka kapacitete për të ndërtuar shtëpi për secilin banor, e për këtë ai kërkoi ndihmë edhe nga shoqatat humanitare.

    “Për shkak të reshjeve ka ardhur deri te rrëshqitja e dheut, fillimisht kanë qenë katër shtëpi, të cilave ua kemi dhënë nga një ndihmë solide 2500 euro. Ne nuk kemi kapacitete më shumë se t’ua paguajmë qiranë, pritet për vitin e ardhshëm, të ndahet buxheti. Familjarët të cilët kanë troje ose blejnë pritet t’iu ndërtohet ndonjë shtëpi nga shoqatat humanitare, në këtë raste si ajo e Halil Kastratit”, tha drejtori i Emergjencave në Komunën e Mitrovicës, Bahtir Maxhuni.

    Ndërkaq, në këtë lagje që nga janari 7 shtëpi janë rrënuar tërësisht, 11 prej tyre janë të pabanueshme. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • 85 infermierë fillojnë punën në QKUK, numri vlerësohet i vogël

    85 infermierë fillojnë punën në QKUK, numri vlerësohet i vogël

    85 infermierë të rinj kanë filluar punën këtë të martë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    Mirëpo, kjo shifër e të punësuarve, sipas Odës së Infermierëve, nuk është e mjaftueshme për t’i plotësuar nevojat e QKUK-së.

    Në një përgjigje me shkrim, kryetarja e Odës së Infermierëve, Nexhmije Gori, ka thënë se me numrin aktual të infermierëve nuk mund të pritet efikasitet në punë.

    “Nga biseda me kryeinfermierët e klinikave, shumica deklarohen se infermierët e sapopranuar nuk janë të mjaftueshëm për të plotësuar mungesën e nevojave nëpër reparte. Shumica deklarohen se me këtë numër të infermierëve nuk mund të pritet një punë efikase, duke pasur parasysh se mungesa e infermierëve është e madhe ngase ende nuk është plotësuar numri i infermierëve që kanë dalë në pension, kanë lëshuar punën, janë nëpër pushime të lehonisë, kanë dalë jashtë vendit etj., por shpresojmë që të ketë konkurse tjera sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në reagimin e sipas Odës së Infermierëve.

    Anëtarë të Odës së Infermierëve thonë se edhe përzgjedhja e tyre nuk është bërë në mënyrë të drejtë.

    Për mungesën e infermierëve dhe vështirësitë që kanë disa klinika, të gatshëm u treguan të flasin edhe disa drejtorë e kryeinfermierë të klinikave të caktuara në QKUK, por të cilët nuk u lejuan nga SHSKUK-ja, të flasin para kamerave.

    SHSKUK-ja autorizoi të flasin dy drejtorë nga klinikat që kishin marrë numër më të madh të infermierëve.

    Nga 85 infermierët e pranuar së fundmi, 70 janë me kualifikim bachelor dhe 15 me shkollim të mesëm. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Sëmundja e gruas, arsye për dorëheqjen e Mehajt

    Sëmundja e gruas, arsye për dorëheqjen e Mehajt

    Arsyeja pse Armend Mehaj dha dorëheqje nga pozita ministrit të Mbrojtjes, është se gruaja e tij është diagnostifikuar me një sëmundje të rrallë!

    Kështu ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

    “Ministri Armend Mehaj ka kërkuar lirim nga detyra për shkaqe familjare. Gruaja e tij është diagnostifikuar me një sëmundje të rrallë dhe për çka i duhet tretman dhe kujdes në një qytet tjetër nga ai i Oslos”, ka thënë Kryeziu.

    Tutje, ai ka treguar se çifti i ka tri vajza të moshës së mitur dhe ministri Mehaj ka kërkuar që të ndodhet pranë familjes në këtë kohë.

  • Hovenier: E falënderoj Mehajn për partneritetin tonë të ngushtë gjatë mandatit të tij

    Hovenier: E falënderoj Mehajn për partneritetin tonë të ngushtë gjatë mandatit të tij

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka falënderuar tashmë ish-ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehajn për bashkëpunimin e ngushtë.

    Hovenier, i ka uruar Mehajt më të mirat në të ardhmen.

    “E shfrytëzojë mundësinë për të falënderuar ish-ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehajn, për shërbimin e tij, bashkëpunimin dhe partneritetin tonë të ngushtë gjatë mandatit të tij. Duke ia uruar të gjitha të mirat në objektivat e tij të ardhshëm”, shkroi Hovenier.

    Kujtojmë, Ejup Maqedonci, është ministri i sapo emëruar i Mbrojtjes, pasi Mehaj dha dorëheqje, për siç tha ai, për arsye familjare.

  • Kurti mirëpret letrën e politikanëve perëndimorë ndaj Kosovës: E mirëseardhur pas veprimeve agresive të Serbisë

    Kurti mirëpret letrën e politikanëve perëndimorë ndaj Kosovës: E mirëseardhur pas veprimeve agresive të Serbisë

    Kryeministri Albin Kurti ka falënderuar politikanët nga Europa dhe SHBA për letrën e dërguar në Bruksel, Ëashington dhe Londër, përmes së cilës kërkohet qasje e barabartë ndaj Kosovës dhe Serbisë dhe ku ankohen për anim kah Beogradi.

    Kurti i ka falënderuar me emra tre nga më kryesorit e kësaj letre, si dhe të gjithë nënshkruesit e tjerë. Ai ka përmendur edhe kërcënimin që vjen nga Serbia.

    “Faleminderit Alicia Kearns [deputete britanike], Senatorit [amerikan] Bob Menendez dhe Michael Roth [Kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Bundestagut gjerman], si dhe pjesa tjetër e kryetarëve të komisioneve të punëve të jashtme dhe parlamentarëve të lartë të cilët kanë bërë thirrje për solidaritet me Kosovën dhe një qasje ndaj rajonit më të vëmendshme ndaj kërcënimit që vjen nga qëndrimi dhe veprimet agresive të Serbisë”, ka shkruar Kurti në Twitter.

    Më 7 gusht, dhjetëra politikanë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara i dërguan një letër shefit të diplomacisë të bllokut evropian, Josep Borrell, kryediplomatit amerikan, Antony Blinken, dhe atij britanik James Cleverly. Përmes kësaj letre, ata kërkuan ndryshim të qasjes ndaj Kosovës dhe Serbisë.

    Deputetja britanike, Alicia Kearns, që publikoi letrën, tha se atë e kanë nënshkruar dhjetë kryetarë të komiteteve për punë të jashtme dhe 56 deputetë.

    “Qasja aktuale nuk po funksionon. Ne kërkojmë nga komuniteti ndërkombëtar që të mësojë nga e kaluara jonë dhe të sigurohemi që ne nuk do të miratojmë politika për Ballkanin që anojnë nga Beogradi. Ne po ashtu u kërkojmë që të shqyrtoni mundësinë e miratimit të një politike të diplomacisë parandaluese për të shmangur përshkallëzim të mëtejmë të situatës së sigurisë dhe asaj politike në veri të Kosovës, me balancë dhe proporcionalitet në çdo deklaratë dhe çdo ndëshkim apo sanksion që ndërmerret, dhe që ata të cilët respektojnë sundimin e ligjit dhe demokracinë të mos ndëshkohen”, u tha ndër të tjera në letër.

  • Bie sërish euro

    Bie sërish euro

    Ekspertët e tregut të këmbimit valutor theksojnë se tashmë duhet pritur disa ditë për të parë tendencën dhe efektin e ndërhyrjes së fundit.Por megjithatë pritshmëritë mbeten të zbehta në një kohë që jemi në pikun e sezonit turistik.

    Gjatë gushtit shënohen fluksi më i madh i turistëve të huaj por edhe i emigrantëve shqiptar që vijnë në Shqipëri duke shtuar ndjeshëm fluksin e eurove që janë në treg.

    Në total parashikohet që përgjatë vitit 2023 të blihen rreth 300 milionë euro ndërsa më herët ishte planifikuar një fashë prej 160-220 milionë eurosh nga tregu i brendshëm me qëllim rritjen e rezerves.

    Analizat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se arsyet e forcimit të kursit të këmbimit të lekut në tregun e brendshëm valutor lidhen me ecurinë ekonomike të vendit, shtimin e investimeve të huaja dhe blerjen e pasurive të paluajtshme nga të huajt./abcnews.al

  • ​Ministri i ri i Mbrojtjes: Kam nisur një kapitull të ri por me të njëjtat synime

    ​Ministri i ri i Mbrojtjes: Kam nisur një kapitull të ri por me të njëjtat synime

    Ministri i ri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se e ka filluar një kapitull të ri si ushtarak por mbetët brenda së njëjtës shtëpi e me të njëjtat synime, që sipas tij janë forcimi i vazhdueshëm i ushtrisë dhe anëtarësimi në NATO.

    Maqedonci i cili uniformën e ushtarit e ka veshur 25 vjet më parë, ka thënë se ndjehet i nderuar që është vendosur në krye të ministrisë që i bën politikat e mbrojtjes dhe të zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Ky është reagimi i ministrit Maqedonci:

    Sot paradite, jam emëruar Ministër i Mbrojtjes nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti!

    Pasi e ka liruar nga detyra ministrin e deritanishëm Armend Mehajn, në një takim të përbashkët edhe me Komandantin e FSK-së Gjenerallejtënant Bashkim Jasharin, Kryeministri Albin Kurti më ka ngarkuar mua me detyrën e Ministrit në Ministrinë e Mbrojtjes të Kosovës. Me këtë rast, dua ta falënderoj Kryeministrin Kurti për besimin dhe mbështetjen e deritanishme dhe të mëtutjeshme ndaj meje!

    Jam i nderuar dhe i privilegjuar të vihem në krye të dikasterit qeveritar që i bën politikat e mbrojtjes dhe të zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, trashëgimtares së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Që nga 18 marsi i vitit 1998 kur e kam veshur uniformën e UÇK-së dhe deri më 10 korrik 2023 kur jam demobilizuar nga FSK-ja, jam përpjekur me tërë kapacitetet dhe qenien time fillimisht për lirinë e Kosovës dhe deri sot për ndërtimin e ushtrisë së saj. Në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës jam në shtëpinë time, andaj ishte aq i natyrshëm pranim dorëzimi i detyrës sot në mesditë nga ish-Ministri Armend Mehaj në prani të Komandantit të FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jasharit. E falënderoj ish-Ministrin Mehaj për bashkëpunimin veçanërisht në periudhën e fundit.
    Pas 25 vitesh me uniformë, nga sot ka nisur një kapitull i ri për mua si ushtarak, por që mbetet brenda të njëjtës shtëpi dhe me të njëjtat synime: forcimin e vazhdueshëm të ushtrisë së Kosovës dhe anëtarësimin e shtetit tonë në NATO, krah partnerëve tanë dhe veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Ju falënderoj të gjithëve për urimet që më keni dërguar. Shumë punë na presin përpara, bashkë me Kryeministrin Albin Kurtin, me Komandantin Bashkim Jasharin dhe me institucionet e Republikës së Kosovës.

  • Zhvillimet politike e të sigurisë – senatori Jack Reed në Kosovë, takohet me Osmanin

    Zhvillimet politike e të sigurisë – senatori Jack Reed në Kosovë, takohet me Osmanin

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim një delegacion të kongresit të kryesuar nga Senatori Jack Reed, raporton Ekonomia Online. Në këtë takim mediet janë lejuar që të marrin pamje vetëm në fillim të takimit.

    Jack Reed, i cili është kryetari i Komitetit të Senatit për Shërbimet e Armatosura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është duke zhvilluar vizitë zyrtare në Ballkanin Perëndimor, ai në Kosovë dhe rajon gjendet për të parë nga afër zhvillimet e sigurisë dhe politikës dhe ndikimin e tyre në sigurinë kombëtare të Amerikës.

    Senatori do të takohet me diplomatë dhe përfaqësues ushtarakë amerikanë, si dhe do të zhvillojë bisedime me liderë të huaj të rangut të lartë për të diskutuar marrëdhëniet ShBA-Kosovë, situatën e sigurisë dhe marrëdhëniet dypalëshe të Amerikës me partnerët e tjerë në rajon.

    Reed planifikon të takohet me ushtarët e Rhode Island në terren për t’i falënderuar ata për shërbimin e tyre në mbështetje të misionit paqeruajtës ndërkombëtar të NATO-s, KFOR. Ky do të jetë udhëtimi i tretë i senatorit Reed në Kosovë.

    Pos Kosovës, Reed do të jetë edhe në vende të tjera të rajonit. Ai do të ndalojë gjithashtu në Komandën Evropiane të SHBA-së dhe në Komandën e Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë për t’u takuar me udhëheqësit ushtarakë dhe për të diskutuar luftën e Rusisë në Ukrainë dhe përpjekjet ndërkombëtare për të pajisur dhe trajnuar njësitë ushtarake të guximshme ukrainase ndërsa luftojnë për të mbrojtur sovranitetin e tyre.

    Ai do të shqyrtojë gjithashtu programet e bashkëpunimit të sigurisë së SHBA-së me partnerët dhe aleatët në të gjithë Evropën dhe përpjekjet e vazhdueshme të NATO-s për t’iu përgjigjur ndryshimeve drastike në peizazhin e sigurisë evropiane.

    Në çdo ndalesë të udhëtimit, senatori Reed planifikon të bëjë të qartë mbështetjen e Amerikës për demokracinë, diplomacinë, të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe përpjekjet kundër korrupsionit.

  • Vrasja në Klinë, prokuroria: Janë aktivizuar edhe dronë për gjetjen e të dyshuarit

    Vrasja në Klinë, prokuroria: Janë aktivizuar edhe dronë për gjetjen e të dyshuarit

    Një person është vrarë gjatë së hënës në Klinë.

    Lidhur me rastin janë deklaruar nga Prokuroria Themelore e Pejës.

    Zëdhënësi Shkodran Nikçi, tha për Klan Kosovën, ka treguar se si ka ndodhur ngjarja.

    “Fillimisht i dyshuari, e ka ftuar jashtë lokalit viktimën, pastaj viktima është futur brenda. I dyshuari ka hyrë dhe ka qëlluar me armë zjarr shtatë herë”, tha ai.

    Sipas organit të akuzës, nuk ka raste të raportuara më herët se kanë pasur mosmarrëveshje.

    “I dyshuari ishte i akuzuar edhe për raste të tjera më parë. Ndërsa janë aktivizuar edhe dronë për të gjetur lokacionin e të dyshuarit”. theksoi Nikçi për Klan Kosova.

    Zëdhënësi shtoi se viktima dhe të dyshuarit janë familjlar mes vete.

    “Viktima ishte i martuar me motren e të akuzuarit. Ndërsa edhe ky i fundit, ishte i martuar me motrën e viktimës”, theksoi ai.

    Ende nuk dihen motivet e këtij rasti.

  • Afrim Muqiqi komenton meçin e shumëpërfolur të Robin Haxhi Krasniqit

    Afrim Muqiqi komenton meçin e shumëpërfolur të Robin Haxhi Krasniqit

    Këngëtari Afrim Muqiqi, në emisionin “n’mal An’det” në ATV, komentoi meçin, tashmë shumë të përfolur të Robin Krasniqit dhe Nadjib Mohammed.

    Ai tha se nuk e ka parë vetë këtë meç, por shtoi se në bazë të atyre që ka lexuar, ajo çfarë ka ndodhur atë natë nuk i qet hije të mirë sportit kombëtar.

    “Edhe unë isha në dasmë. Kam qenë shumë kureshtar me e shiku meçin. Robinin e kam më së pari mik, i kam këndu në dasmë kur është martu, edhe e kam mik të mirë. Mirëpo, në bazë të komenteve që unë i pash, përfundimisht jam i dëshpëruar sepse, në qoftë se veç është e saktë, ato që po i lexojmë, atëherë… Robini është një kampion që na ka bërë krenarë në shumë meçe, mirëpo nuk i qet hije të mirë komplet sportit kombëtar, sepse fundja ne jemi një Kosovë që kemi fillu ngadalë me dalë në arenën ndërkombëtare, kështu që me dinjitet duhet me e kry, mirëpo krejt në bazë të atyre që i kam lexu sepse nuk e kam pa vet”, tha Muçiqi.

    Bisedën e tij të plotë në ATV e gjeni ën videon më poshtë: