ATV

Author: ATVLive

  • ​Rritet numri i pacientëve shkaku i ndryshimit të temperaturave

    ​Rritet numri i pacientëve shkaku i ndryshimit të temperaturave

    Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, është rritur numri i qytetarëve që kërkojnë mjekim nga stafi shëndetësor, si pasojë e ndryshimit të temperaturave. Fëmijët deri në moshën pesëvjeçare, personat me probleme kronike si dhe ata në moshë të shtyrë janë më të prekurit nga simptomat, të cilat vijnë si pasojë e ndryshimeve të motit. Simptoma këto, të cilat manifestohen me kokëdhimbje, temperaturë, vjellje dhe diarre. Nga QKMF-ja thonë se është rritur për 10 apo 20 përqind dhënia e infuzioneve si shkak i rritjes së numrit të pacientëve pas ndryshimit të temperaturave.

    Kryeshefi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Valdet Hashani, për Kosovapress tha se ndryshimi i temperaturave ka ndikuar që të ketë rritje të numrit të dhënies së infuzioneve tek pacientët.

    “Për shkak të ndryshimit të këtyre temperaturave, ngritjes dhe ules së temperaturave të përnjëhershme, kemi shumëzimin ose ndryshimin e infeksioneve qoftë bakteriale ose virale, me çka u rrit edhe numri i pacientëve, të cilët kërkonin ndihmë shëndetësore. Me këtë u rrit edhe dhënia e infuzioneve, në qendrën tonë, ku QKMF-ja në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale të Shëndetësisë, kanë shpenzuar një sasi të mjaftueshme të mjeteve pikërisht për shkak të infuzioneve ose terapisë parainterale për rehidrimin e pacientëve… Në këto ditë ku është freskët vërehet që është rritë numri i gastroenteriteve, meqë edhe dhënia e infuzioneve në qendrat tona është rritur për 10 ose 20 përqind”, tha Hashani.

    Tutje, Hashani për KosovaPress tha se fluksi i madh i pacientëve përveç verës së vonshme, erdhi edhe si shkak i ardhjes së bashkatdhetarëve.

    “Fillimisht ju e dini që vera erdhi me pak vonesë, dhe temperaturat ishin shumë të ulëta, për një moment të caktuar, brenda dy-tri javëve të fundit, patëm një fluks, një temperaturë të madhe, pra ngritje të temperaturave, të cilat i arrijnë 40 gradëshin, të cilat ishin shumë të vështira për pacientët, sidomos tek ata të cilët ishin me sëmundje kronike, dhe fëmijët. Por, jo vetëm ata, ishte faktikisht rraskapitëse edhe për të gjithë popullatën… Rritja e këtij fluksi u ngrit edhe me ardhjen e bashkatdhetareve tanë, edhe me rritjen e gastroenteriteve”, u shpreh Hashani.

    Tutje, Hashani tregon se kush po pëson më shumë nga ky problem dhe se cilat janë simptomat me të cilat po ballafaqohen pacientët.

    “Pikërisht ndryshimi i temperaturave, ashtu si edhe parashihet më të ndjeshmit në këtë janë fëmijët sidomos ata të pesëvjeçarit të parë të jetës, por edhe personat që kanë probleme kronike, qofshin ato gastrointestinale, qofshin ato kardiovaskulare, endokrine e kështu me radhë. Pra, personat që janë me sëmundje kronike dhe me moshë të shtyrë, kanë pasur probleme më të mëdha…03:59 Kemi vjelljen, kemi kokëdhimbjen, kemi diarrenë, kemi temperatura që nënkupton se mund të jenë infeksione qofshin ato virale apo bakteriale edhe konform këtyre simptomave ne e kemi edhe terapinë nga stafi ynë të cilët janë jashtëzakonisht profesionalë”, u shpreh i pari i QKMF-së.

    Hashani potencoi se ky fluks i madh i pacientëve që kërkojnë mjekim është sfidues për ta, për shkak se një pjesë e stafit është në pushime, duke theksuar se ofrojnë shërbime për mbi 700 mijë qytetarë, që dallon sipas tij prej asaj se çfarë thuhet në regjistrimin UNMIK-ut, që janë rreth 200 mijë banorë.

    “Gjithashtu është mirë të ceket se këto kohën e pushimeve faktikisht meqë jemi në fazën e pushimeve, edhe numri i stafit tonë të cilët gjenden tani disa në pushim e kanë vështirësuar pak organizmin e punës, por jo pengimin në asnjë mënyrë të saj, meqë janë ekipet të cilat shërbejnë qoftë 24 orë në katër qendra që i kemi apo këto të cilat janë me orar 12 orësh, ose tetë orësh, e kryejnë punën e vet por me shumë vështirësi, marrë parasysh se Prishtina ka staf shëndetësor për, sipas regjistrimit të UNMIK-ut me 200 mijë banorë, ndërsa ne realisht ofrojmë shërbime për 700 mijë banorë ose edhe më tepër, meqë edhe ju e dini se në Prishtinë si kryeqytet, gravitojnë edhe të gjithë ata punëtorë të cilët vijnë, qoftë në administratën shtetërore ose private, dhe të gjithë ata kërkojnë shërbime shëndetësore” tha Hashani për KosovaPress.

    Kryeshefi i QKMF-së tha se prej javës së ardhshme, pritet që të ketë rritje edhe më të madhe të pacientëve që do të kërkojnë ndihmë nga stafi shëndetësor, sepse sipas tij do të ketë rritje të temperaturave./KP

  • “Kqyre ku shkon menja e shqiptarit”, anekdota në Drenicë

    “Kqyre ku shkon menja e shqiptarit”, anekdota në Drenicë

    Emisioni veror i ATV-së, “n’mal An’det”, vazhdon të sjellë për shikuesit argëtim, intervista dhe eksplorim kulturor.

    Në emisionin e mbrëmshëm, u transmetua një reportazh i ATV-së, i cili u zhvillua në Komunën e Skenderajt gjatë një aktiviteti kulturor tashmë tradicional në këtë komunë, “Sofrën e Drenicës”, i cili këtë vit u organizuar për mërgimtarët.

    Plateja e shtëpisë së Kulturës në Skenderaj, të martën mbrëma u kthye në një odë të madhe, e cila ishte e mbushur me mërgimtarë të shumtë.

    Komuna e Skenderajt e shtroi “Sofrën e Drenicës”, por kësaj radhe sofra nuk u shtrua për mysafirë, por për mërgimtarë e shumtë të kësaj komune, të cilët erdhën nga e gjithë bota për ta festuar së bashku këtë sofër, tashmë tradicionale.

    Është komuna e Skenderajt në bashkëpunim me ansamblin e këngëve dhe valleve “Drenica”, të cilët organizuan një aktivitet, në vazhdën e aktiviteteve të shumta gjatë muajit të diasporës.

    Në këtë ambient tejet të veçantë nuk mungoi muzika tradicionale shqiptare, rrëfimet popullore si dhe anekdota të shumta të Drenicës.

    Për më shumë, shikoni videon e më poshtme:

  • ​Grafitet kundër Kosovës, ekspertët: Luftë speciale e Serbisë

    ​Grafitet kundër Kosovës, ekspertët: Luftë speciale e Serbisë

    ë rrezikshme po konsiderohen grafitet në Serbi që bëjnë thirrje për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Si të tilla vlerësohet se janë produkt i bashkëpunimit të ekstremit të djathtë dhe organeve serbe të sigurisë.

    Ekspertët e sigurisë thonë për KosovaPress se grafitet që së fundmi janë shfaqur në masë të madhe në Serbi, kanë përmbajtje nacionaliste, ekstremiste dhe bëjnë thirrje për dhunë.

    Së fundmi, shumë rrugë të Serbisë janë mbushur me grafitë ku shkruhet “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”. Për herë të parë ky slogan është parë në një ndeshje futbolli, në të cilën ka marrë pjesë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

    Hulumtuesi i lartë në Institutin “Octapus”, Taulant Elshani thotë se këto mesazhe janë produkt i bashkëpunimit të ngushtë të ekstremit të djathtë dhe organeve serbe të sigurisë.

    “Përmes këtyre grafiteve po mendohet të tregohet se gjoja është zëri i lirë ose një shprehje e lirë e qytetarëve. Por në fakt ne mendojmë që është një bashkëpunim i ngushtë i ekstremit të djathtë dhe organeve serbe të sigurisë. Kjo është produkt absolutisht i këtij bashkëpunimi…Ideja e këtyre grafiteve është që të ndikohet në opinionin publik, që të ndikohet në psikologjinë kolektive”, thotë ai.

    Madje, ai i konsideron si rrezik këto thirrje në Serbi, për çka shton se ndikojnë edhe në nxitje të urrejtjes.

    “Padyshim që paraqesin rrezik, sepse nxisin. Vet përmbajtja e mesazhit është nxitja e urrejtjes. Nëse lexoni dhe shikoni, analizoni me kujdes ato mesazhe janë me përmbajtje nacionaliste, ekstremiste, ku bëhet thirrje për dhunë. Mesazhi i fundit në Beograd thotë që ‘kur ushtria të kthehet në Kosovë’, pra është një mesazh me përmbajtje të fortë nacionaliste. Mesazhi i njëjtë është paraqitur edhe në Podgoricë, pra e kemi parë ‘kur ushtria të kthehet në Kosovë’ dhe një flamur i madh i Serbisë”, shton Elshani.

    Hulumtuesi i lartë në “Octapus” shton se duhet të investohet më shumë në demokratizimin e Serbisë dhe ndryshimin e klasës politike në Serbi.

    Edhe eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi deklaron se kjo është një luftë speciale e krerëve të institucioneve në Serbi.

    “Kjo është një luftë speciale që kreu i qeverisë serbe, sidomos shefi i inteligjencës, i cili është edhe kështu është person non-grata, Vulini, edhe ky vet i prodhon këto me qëllim të propagandojë duke ndjellë edhe një lloj urrejtje në aspektin e subjektivitetit të shtetit të Kosovës, por edhe të ndjenjës së qytetarëve tjerë përveç ekstremistëve serbë që janë në veri të Kosovës. Tek këta ndjellë që kinse do të kthehet ushtria, që realisht e dini që në kërkesën e kreut të një vendi fqinj, Serbisë edhe KFOR, por edhe nivelet evropiane edhe ShBA-të ju përgjigjen me mënyrë strikte se nuk ka më kthim prapa të asnjë strukture qoftë ushtarake, apo policore”, thotë Ibishi.

    Për këto grafite ka pasur reagime të ashpra në Kosovë si dhe disa personalitete ndërkombëtare.

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se thirrjen për dhunë janë të pandërprera dhe ka krahasuar këtë ngjarje me ngjarjen e vitit 1990.

    “Në vitin 1990, tifozët e klubit serb të futbollit Crvena Zveza, të udhëhequr nga mafiozi serb i paditur nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Arkan, u revoltuan kundër Kroacisë. Për disa, kjo ishte një shkëndijë e lufëtarëve që pasuan. Dje Crvena Zvezda bëri thirrje që ushtria serbe të kthehet në Kosovë. Thirrjet për dhunë janë të pandërprera”, ka shkruar Kurti.

  • Haradinaj: Qeveria do të mbahet përgjegjëse për përkeqësimin e gjendjes së sigurisë në vend

    Haradinaj: Qeveria do të mbahet përgjegjëse për përkeqësimin e gjendjes së sigurisë në vend

    Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka reaguar pas vrasjeve që tronditën Kosovën në ditët e fundit.

    Ai tha se vendi është duke u përballur me sfida të shumta të sigurisë, duke përmendur veriun, vrasjet, lëndimet e rënda trupore, armët pa leje e prezencën e narkotikëve.

    Ai ka shkruar se siguria publike është duke u sfiduar nga banda të armatosura të cilat nuk zgjedhin as cak e as vend për të terrorizuar qytetarët.

    “Fatkeqësisht siguria publike ne vend, tashmë është duke u sfiduar nga banda të armatosura të cilat nuk zgjedhin as cak e as vend për të terrorizuar qytetarët. Vrasjet e ditëve të fundit, përfshirë edhe vrasjen e një shtetasi të huaj, janë treguesi më i mirë për pasigurinë dhe kërcënimin që ju kanoset qytetarëve si në rrugë, ashtu dhe në ambiente publike, lokale hoteliere e gjetiu”, ka shkruar Haradinaj.

    Haradinaj ka thënë se “mungesa e vizionit dhe përkushtimit të Qeverisë dhe MPB-së ngrit dyshime se niveli i lartë i cenimit të sigurisë publike dhe neglizhenca institucionale për të parandaluar këto lloje të krimeve nga të cilat çdo ditë është duke u tronditur vendi, ka për qëllim zhvendosjen e vëmendjes së opinionit nga skandalet dhe aferat e shumta korruptive të qeverisë, ku së fundmi u mësua edhe për planifikim të kontrabandës ndërkombëtare me armë nga ana e sekserëve të afërt me qeverinë”.

    Haradinaj ka shkruar se qytetari ka mbetur i pa mbrojtur, i pa përkujdesur nga kjo qeveri e cila ka mungesë të madhe profesionale për të trajtuar çështje komplekse siç është siguria

    Në fund ai ka thënë se kjo Qeveri do të mbahet përgjegjëse për përkeqësimin e gjendjes së sigurisë në vend.

  • Aysu Turkoglu bëhet gruaja e parë turke që noton përgjatë Kanalit të Veriut

    Aysu Turkoglu bëhet gruaja e parë turke që noton përgjatë Kanalit të Veriut

    Aysu Turkoglu, një notare 22-vjeçare, u bë gruaja e parë turke që kaloi me not Kanalin e Veriut të mërkurën.

    Turkoglu, e cila ishte gjithashtu atletja më e re turke që notoi nga Irlanda e Veriut në Skoci, duke përfunduar një udhëtim pothuajse 40 kilometra (24 milje) në Kanalin e Veriut në 11 orë, 48 minuta dhe 19 sekonda, shkruan AA.

    Në vitin 2022, Turkoglu notoi Kanalin Anglez për 16 orë e 28 minuta duke u bërë notarja më e re turke që ka bërë ndonjëherë këtë kalim, transmeton KosovaPress.

    Të mërkurën, ajo filloi të notonte në orën 04:45 GMT në Bangor të Irlandës së Veriut, derisa delfinët në Kanalin e Veriut e shoqëronin.

    Turkoglu krenare shfaqi një flamur turk kur përfundoi kalimin e saj. Temperatura e ujit në Kanalin e Veriut është rreth 12-14C (54-57F) – shumë më e ftohtë se në Kanalin Anglez.

    Pas kalimit të saj në Kanalin e Veriut, Turkoglu dëshiron të thyejë rekordin Guinness duke përfunduar kanalet “7 Oqeanet” brenda pesë viteve.

    Sfida e notit maratonë “O7” përfshin kanalin Catalina në SHBA, kanalin Molokai në Hawaii, Ngushticën Cook në Zelandën e Re, Ngushticën e Gjibraltarit midis Spanjës dhe Marokut, ngushticën Tsugaru në Japoni, Kanalin e Veriut midis Irlandës dhe Skocisë dhe Kanalin anglez midis MB dhe Francës.

  • ATK-ja verifikon mallrat pa origjinë

    ATK-ja verifikon mallrat pa origjinë

    Administrata Tatimore e Kosovës, ua ka rikujtuar të gjithë tatimpaguesit se në bazë të Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat, kërkohet dokumentimi i origjinës së mallit.

    Sipas njoftimit, “aktivitetet e ATK-së, në vazhdimësi do të përqendrohen pikërisht te tatimpaguesit, të cilët posedojnë mallra pa origjinë”.

    “Secili tatimpagues duhet të ofrojë dokumentacionin mbështetës, i cili arsyeton prejardhjen e mallit si në vendndodhjen, apo vendndodhjet e tatimpaguesit, ashtu edhe për mallrat në qarkullim jashtë vendndodhjes së tatimpaguesit”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

    “Po ashtu, secili tatimpagues duhet të dokumentojë të gjitha mallrat nga koha e pranimit (qoftë përmes importimit, blerjes, shkëmbimit apo mënyrave tjera) deri sa ato të jenë shitur apo ndryshe të jenë sistemuar, përfshirë dokumentacionin e shitjes apo sistemim tjetër”.

    Kësisoj, ATK ka inkurajuar të gjithë tatimpaguesit që t’i përgjigjen në mënyrë të saktë detyrimeve tatimore, në të kundërtën “ATK, do të detyrohet që të ndërmarrë masat ndëshkuese sipas legjislacionit tatimor”.

    “Me kryerjen e detyrimeve tuaja tatimore, ju do të kontribuoni direkt në financimin e programeve qeveritare siç janë: ofrimi i shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, mirëqenies shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore”.

  • FMN: Nëse masat e BE-së mbesin gjatë në fuqi do të jenë pengesë për zhvillimin ekonomik

    FMN: Nëse masat e BE-së mbesin gjatë në fuqi do të jenë pengesë për zhvillimin ekonomik

    Një ekip i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), nën udhëheqjen e Gabriel Di Bella ka realizuar një vizitë stafi në Prishtinë, nga 31 korriku deri më 4 gusht 2023 për të diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit makroekonomike dhe zhvillime të tjera, përfshirë progresin në zbatimin e Marrëveshjes parandaluese Stand-By (SBA) dhe Instrumentit të Reziliencës dhe Qëndrueshmërisë (RSF).

    Pas përmbylljes së vizitës, Di Bella ka thënë se në kontekstin sfidues global, kushtet makroekonomike në Kosovë për vitin 2023 deri më tani kanë mbetur të favorshme, duke shtuar se inflacioni vazhdon të shënojë rënie dhe deficiti i llogarisë rrjedhëse ka filluar të ngushtohet.

    “Të hyrat fiskale vazhdojnë të rriten me ritëm të qëndrueshëm, ka filluar të rritet zbatimi i programit të investimeve publike dhe rezervat fiskale kanë mbetur në nivele të duhura. Megjithatë, paqëndrueshmëria e ngritur në nivel global dhe tensionet në Kosovën veriore mbeten rreziqe perspektive të cilat, nëse materializohen, mund t’i rëndojnë sfidat e politikave.”, është shprehur ai.

    Bella ka folur për masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, për të cilat është shprehur se mund të bëhen pengesë për investimet e huaja direkte dhe zhvillimin ekonomik.

    “Në veçanti, zhvillimet e kohëve të fundit në katër komunat veriore çuan në masa të përkohshme dhe të kthyeshme nga disa donatorë dhe partnerë tradicionalë që kufizojnë bashkëpunimin e ri ekonomik dhe financiar. Përderisa, nëse hiqen në afat të shkurtër, nuk pritet që këto masa të kenë ndikim në perspektivën ekonomike, ato mund të bëhen pengesë për investimet e huaja direkte dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi nëse vazhdojnë të qëndrojnë për një kohë më të gjatë.”, ka shtuar tutje ai.

    Gjatë vizitës, ekipi i FMN-së ka diskutuar për zhvillimet e fundit makroekonomike dhe të politikave, si dhe progresin me projektbuxhetin për vitin 2024. Ekipi gjithashtu ka vlerësuar progresin e shënuar në përmbushjen e angazhimeve kryesore në kuadër të programeve të mbështetura nga fondi.

  • Vrasja në Runik, gazetari i ATV-së sjell detajet e fundit nga vendi i ngjarjes

    Vrasja në Runik, gazetari i ATV-së sjell detajet e fundit nga vendi i ngjarjes

    Në fshatin Runik të Komunës së Skenderajt, ku sot gjatë orëve të hershme të mëngjesit, përkatësisht në orën 01:21, një person ka mbetur i vdekur dhe tre të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

    Këtë e ka konfirmuar për ATV-në zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili tha se dy të dyshuarit ishin të maskuar, të cilët ishin futur brenda në lokal dhe kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të njerëzve të cilët ishin brenda këtij lokali, ku si pasojë mbet i vdekur një 39-vjeçar dhe tre të tjerë mbeten të plagosur.

    Gazetari i ATV-së, Kastriot Tahiri, nga vendi i ngjarjes tregon se trupi i pajetë, me vendim të prokurorit është dërguar për në mjekësinë ligjore, ndërsa të lënduarit po trajtohen në QKUK, ku njëri prej tyre po trajtohet në Qendrën e Mjekësisë Intensive, sepse të njëjtit i është dashur t’i amputohet këmba, ndërsa dy të tjerët po vazhdojnë trajtimin në Klinikën e Ortopedisë, ku deri më tani mësohet se gjendja e tyre është stabile dhe janë jashtë rrezikut për jetë. /atvlive.tv

    Lajmet e orës 11:00 në ATV i gjeni në videon më poshtë:

  • Vrasja e tretë brenda një jave në Kosovë

    Vrasja e tretë brenda një jave në Kosovë

    Një 39-vjeçar ka vdekur të enjten në Skenderaj si pasojë e të shënave me armë zjarri, ka njoftuar Policia e Kosovës.

    Përmes një komunikate për media, Policia ka thënë se vrasja ka ndodhur në fshatin Runikë të Skendarajt dhe përveç viktimës, në vend të ngjarjes janë plagosur edhe tre persona tjerë.

    Ata është thënë se po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    “Nga hetimet e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri, kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Në cilësi të provave materiale, në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja”, ka thënë Policia.

    Autoritetet është thënë se janë duke punuar në identifikimin dhe arrestimin e fajtorëve për këtë vrasje.

    Ky rast e çon në tre numrin e vrasjeve të raportuara në javën e fundit në Kosovë.

  • Shkencëtarët: Marsi po rrotullohet më shpejt, ditët po i shkurtohen

    Shkencëtarët: Marsi po rrotullohet më shpejt, ditët po i shkurtohen

    Shkencëtarët e agjencisë amerikane të hapësirës (NASA) zbuluan se Marsi ka filluar të rrotullohet gjithnjë e më shpejt, gjë qe cila ka rezultuar me shkurtimin e ditës në Mars, transmeton Anadolu.

    Studimi i cili u publikua në revistën “Nature” tregon se rrotullimet e Marsit janë përshpejtuar ndoshta për shkak të ndryshimit të masës së saj, për çka ditët në Mars u bënë më të shkurta.

    “Sky News” raportoi se shkalla e rrotullimit të Marsit rritet me 4 milisekonda (njësia e këndit që përdoret për matjen e distancës midis yjeve në astronomi) çdo vit dhe për këtë arsye ditët në Mars shkurtohen me rreth një të mijtën e sekondës.

    Shkencëtarët e NASA-s që vëzhgojnë këto ndryshime mendojnë se ndryshimi i masës shkaktohet nga akumulimi i akullit në polet e Planetit të Kuq ose nga rikthimi që përjetohet kur ekspozohen masat tokësore nën akull pas një epoke akullnajash.

    NASA thekson se ndryshime të tilla në masën e planetit mund të shkaktojnë përshpejtimin e planetit, ashtu siç rritet shpejtësia e rrotullimit kur një patinator mbyll krahët e tij gjatë rrotullimit. Ndryshimi në shkallën e rrotullimit u zbulua nga shkencëtarët duke shqyrtuar të dhënat e 900 ditëve të para nga mjeti tokësor InSight në Mars.

    Zbulimi u arrit përmes bashkëpunimit të InSight dhe rrjetit të NASA-s, Deep Space Network, një grup ndërkombëtar i antenave të mëdha radio në Tokë. Sebastien Le Maistre, drejtuesi i ekipit hulumtues, tha se ndryshimi ishte vetëm disa dhjetëra centimetra të distancës që Marsi përshkon në një vit.

    Shkencëtarët besojnë se ekzaminimi i të dhënave që mbledh InSight mund të zgjasë shumë vite dhe mund të ofrojë shumë informacione të reja. InSight qëndroi në sipërfaqen e Marsit për katër vjet, por misioni i tij u ndërpre më 21 dhjetor 2022.