ATV

Author: ATVLive

  • Kryeministri beson se peticioni është forma më e mirë për zgjedhjet në veri

    Kryeministri beson se peticioni është forma më e mirë për zgjedhjet në veri

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Peticioni në katër komunat veriore, po shihet si forma më e mirë për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, sipas kryeministrit Albin Kurti. Kryeministri shpreson që të mos përsëritet situata kur serbët i bojkotuan zgjedhjet e 23 prillit.

    “Ne mendojmë se mënyra e duhur për këtë është duke shfrytëzuar nenin 72 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili parasheh mundësinë e 20 për qind të trupit elektoral që të dalin dhe shprehin vullnetin e tyre për t’i ndërprerë mandatin e kryetarëve aktualë. Jemi të hapur për këtë. Është krijuar edhe një grup punues që do të bëjë rregullimin e çështjeve teknike administrative të dispozitave të këtij neni dhe këtij ligji”, tha Kurti.

    Megjithatë, këtë ide nuk e përkrah kryetari i Zubin Potokut. Izmir Zeqiri mendon se kryetarët duhet të japin dorëheqje.

    Kurse, kryeministri Albin Kurti mes tjerash, kërkoi nga Bashkimi Evropian, largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, pasi që, sipas tij, deeskalimi në veri ka ndodhur.

    “Sa i përket masave që janë marrë ndaj nesh, ne konsiderojmë se nuk janë fer. Janë pjesë e asimetrisë në raporte dhe sa më parë që të përfundojnë aq më mirë. Ne po bëjmë krejt çfarë mundemi dhe dimë, por do të duhej që edhe partnerët dhe aleatët tanë evropian sa më parë të përmirësojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës. Pasi një Republikë demokratike dhe progresiste siç është Kosova, meriton të ndihmohet me krejt çka munden ata dhe jo të ketë masa ndëshkuese”, tha Kurti.

    Teksa Bashkimi Evropian ka kërkuar datë për mbajtjen e zgjedhjeve, Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, ka themeluar Grupin Punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ, për caktimin e procedurave për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave në veri. Ky udhëzim, duhet të jetë gati deri më 1 shtator. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kurti viziton Maqedoninë e Veriut, rruga Tetovë – Prizren temë diskutimi

    Kurti viziton Maqedoninë e Veriut, rruga Tetovë – Prizren temë diskutimi

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Ishte njëri nga premtimet e kryeministrit Albin Kurti në kohë fushate. Madje, rrugën Tetovë – Prizren e kishte paralajmëruar edhe zëvendësministri Hysen Durmishi. Por, puna në terren nuk ka filluar ende, teksa nga Qeveria shpalosen detaje për fazën e projektit.

    “Pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet dy qeverive, ne kemi vazhduar me fazën tjetër të këtij projekti që është formimi i komisionit ndërshtetëror që udhëhiqet nga dy zëvendësministrat respektivë të Infrastrukturës, Hysen Durmishi dhe Bekim Rexhepi. Komisioni i përbashkët ka përzgjedhur variantin e që është varianti me tunelin 6.4 km”, tha zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

    Aktualisht, dy Qeveritë janë para nënshkrimit të marrëveshjes financiare për hartimin e projektit kryesor për këtë tunel që parashihet të ndërtohet bashkërisht.

    “Rrugën në pjesën e Kosovës e projektojmë dhe e ndërtojmë ne, kurse rrugën në territorin e Maqedonisë së Veriut e projekton dhe e ndërton Maqedonia e Veriut. Kosova ka bërë hapat parë në këtë drejtim, duke finalizuar hartimin e projektit kryesor nga dalja e tunelit e deri në kyçjen në autostradën “Ibrahim Rugova”, tha Kryeziu.

    Ndërkaq, pikërisht ky aks rrugor do të jetë temë diskutimi në vizitën që Kryeministri Albin Kurti të premten do ta zhvillojë në Maqedoni të Veriut.

    Kurti do të marrë pjesë në inaugurimin e rrugës së re që lidh fshatin Sellcë dhe fshatin Vicë që parashihet të rrisë kapacitetet e turizmit malor dhe do të përafrojë Tetovën me Prizrenin.

    Me ndërtimin e këtij aksi, rruga Tetovë-Prizren, nga rreth 3 orë sa është aktualisht, do të mund të kalohet vetëm për 30 minuta. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Fluks i lartë i pacientëve në kujdesin parësor shëndetësor

    Fluks i lartë i pacientëve në kujdesin parësor shëndetësor

    Përgatiti: Sara Shehu

    Si pasojë e ndryshimit të temperaturave, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, është rritur numri i pacientëve.

    Sipas Kryeshefit të qendrës, Valdet Hashani, pacientët më së shpeshti kanë nevojë për infuzione.

    “Për shkak të ndryshimit të këtyre temperaturave, ngritjes dhe uljes së temperaturave të përnjëhershme, kemi shumëzimin ose ndryshimin e infeksioneve, qoftë bakteriale ose virale, me çka u rrit edhe numri i pacientëve, të cilët kërkonin ndihmë shëndetësore. Me këtë u rrit edhe dhënia e infuzioneve, në qendrën tonë, ku QKMF-ja në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale të Shëndetësisë, kanë shpenzuar një sasi të mjaftueshme të mjeteve pikërisht për shkak të infuzioneve ose terapisë parainterale për rehidrimin e pacientëve… Në këto ditë ku është freskët vërehet që është rritë numri i gastroenteriteve, meqë edhe dhënia e infuzioneve në qendrat tona është rritur për 10 ose 20 për qind”, tha Hashani.

    Hashani tha se në fluksin e lartë të pacientëve, ka ndikuar edhe ardhja e mërgimtarëve.

    “Fillimisht ju e dini që vera erdhi me pak vonesë dhe temperaturat ishin shumë të ulëta, për një moment të caktuar, brenda dy-tri javëve të fundit, patëm një fluks, një temperaturë të madhe, pra ngritje të temperaturave, të cilat i arrijnë 40-gradëshin, të cilat ishin shumë të vështira për pacientët, sidomos tek ata të cilët ishin me sëmundje kronike, dhe fëmijët. Por, jo vetëm ata, ishte faktikisht rraskapitëse edhe për gjithë popullatën… Rritja e këtij fluksi u ngrit edhe me ardhjen e bashkatdhetarëve tanë, edhe me rritjen e gastroenteriteve”, tha Hashani.

    Sfidë për pacientët të cilët kërkojnë mjekim është se një pjesë e stafit janë nëpër pushime, ndërkohë që kujdesi parësor shëndetësor ofron shërbime për mbi 700 mijë qytetarë.

    Ndryshe, kryeshefi i QKMF-së paralajmëroi se prej javës së ardhshme, do të ketë rritje të kërkesave për shërbime shëndetësore, meqenëse, sipas tij, do të ketë rritje të temperaturave. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Një i vrarë e tre të plagosur në Runik të Skenderajt

    Një i vrarë e tre të plagosur në Runik të Skenderajt

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Një person është vrarë dhe tre janë plagosur kur dy persona të maskuar, hynë në këtë lokal në fshatin Runik të Skenderajt, në orët e para të mëngjesit. Të dyshuarit për kryerjen e kësaj vepre penale, sipas Policisë, janë në arrati.

    “Rreth orës 01:21, të datës 10 gusht 2023, Policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në një kafene, në fshatin Runikë të Skenderajt. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor. Bazuar në hetimet fillestare, nga arma e zjarrit lëndime kanë pësuar katër persona, njëri nga të lënduarit viktima N. L., 39 vjeç, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa, tre persona të tjerë të lënduar (po ashtu nga arma e zjarrit) janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK”, thuhet në njoftimin e Policisë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Hetuesit e Sektorit Rajonal janë duke punuar intensivisht për identifikimin dhe arrestimit e kryesit/ve, të veprës dhe zbardhjen e kësaj vepre penale.”

    Ndërkaq, viktima N.L. është 39 vjeç. Sipas dëshmitarëve, ai mbeti i vdekur nga plumbat e një kallashnikovi, që u shkrep brenda lokalit, ku ndodheshin rreth 12 persona.

    Tre të plagosurit nga të shtënat po marrin trajtim në Qendrën Klinike Universitare. Avdush Bajgora, shef në Qendrën Emergjente tha se të tre janë jashtë rrezikut për jetë por njërit i është amputuar këmba.

    “Rastet i kemi trashëguar nga ndërrimi i natës, gjithsej momentalisht në reanimacion janë dy pacientë të lënduar me armë zjarri në ekstremitetet e poshtme dhe një pacient është në mjekim intensiv. Pacientët kanë pësuar lëndime si rezultat i goditjes me armë zjarri, janë bërë të gjitha ekzaminimet imazherike, analizat laboratorike dhe gjendja e pacientëve është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë, përkundër lëndimeve të rënda që i kanë pësuar”, tha shefi i Qendrës Emergjente, Avdush Bajgora.

    Derisa autoritetet njoftuan se janë duke punuar në identifikimin dhe arrestimin e fajtorëve për këtë vrasje, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ngjarjen në fshatin Runik e cilësoi si vrasje të rëndë.

    Ngjarja në Runik e çon në tre numrin e vrasjeve të raportuara në javën e fundit në Kosovë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Deri në tri orë pritje për të dalë nga Kosova

    Deri në tri orë pritje për të dalë nga Kosova

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Mërgimtarët që tashmë janë nisur drejt vendeve ku jetojnë për të dalë nga Kosova detyrohen të presin me orë të tëra. Deri në 1 kilometër ishte kolona gjatë ditës në drejtim të daljes së kufirit në Merdar. Pritjet për ta kaluar atë ishin deri në 3 orë.

    Me një gjë të tillë po presin të përballen edhe në kufijtë e shteteve tjera.

    Gjendje përafërsisht e njëjtë ishte edhe në dalje të kufirit në Jarinjë. Sipas qendrës për menaxhim kufitar, në mesditë pritjet ishin deri në 2 orë, e në Mutivodë deri në 1 orë.

    Ndërkohë, me pritje shumë të gjata nuk u përballën ata që zgjodhën pikën kufitare Dheu i Bardhë e Muçibabë. Pritjet në mesditë ishin mesatarisht 25 minuta në dalje të kufirit në Muçibabë e 20 minuta tek Dheu i Bardhë.

    Derisa ata që po hyjnë në Kosovë përmes kufirit, Dheu i Bardhë, kanë pritur deri në 1 orë e gjysmë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Neymar dhe PSG do të ndajnë rrugët këtë verë

    Neymar dhe PSG do të ndajnë rrugët këtë verë

    Siç bëhet e ditur nga gazetari i njohur, Fabrizio Romano, Neymar dhe Paris Saint-Germain janë duke punuar së bashku, për të arritur një marrëveshje për shkëputje të kontratës.

    Neymar dhe PSG si duket nuk do të vazhdojnë të ardhmen së bashku, dhe të dy palët dëshirojnë që sa më shpejtë të arrihet marrëveshja për tu larguar këtë verë.

    Neymar ka oferta nga Arabia Saudite, respektivisht Al Hilal, si dhe nga Liga Amerikane (MLS).

    Në anën tjetër, Barcelona duhet të vendosë nëse dëshiron që të provojë rikthimin e Neymar në klub apo jo.

  • Arrestohet një person i kërkuar në Kaçanik

    Arrestohet një person i kërkuar në Kaçanik

    Një person i kërkuar u arrestua sot në Kaçanik.

    Policia informoi se i dyshuari A.P ishte i kërkuar në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Ferizaj për veprat penale “Kanosje” dhe “Dhunë në familje” me dënim burgimi prej tetë muaj e gjysmë burgim.

    “Sot, në ora 12:50 në fshatin Gërlic e Epërme të Kaçanikut, policët e stacionit në Kaçanik kanë ndaluar e më pas kanë arrestuar personin e kërkuar me urdhëresë të gjykatës , A.P (M/K), i moshës 30 vjeçar. Pas kompletimit të dokumentacionit, i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit.”, është bërë e ditur në njoftim.

    Policia ka fton qytetarët për bashkëpunim, sa herë që kanë informacione për personat e kërkuar nga organet e rendit, të njoftojnë menjëherë stacionin e policisë më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë” dhe në numrat kujdestarë: 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406.

  • ​Reali në panik, Courtois e pëson keq

    ​Reali në panik, Courtois e pëson keq

    Portieri i Real Madridit, Thibaut Courtois ka këputur ligamentin ACL gjatë stërvitjes së sotme me klubin.

    Lajmi është konfirmuar nga vetë gjiganti spanjoll, i cili tha se Courtois do t’i nënshtrohet operimit gjatë ditëve në vazhdim, raporton KosovaPress.

    “Pas testeve të bëra sot në lojtarin tonë Thibaut Courtois, ai është diagnostikuar me këputje të ligamentit ACL në gjurin e tij të majtë. Lojtari do t’i nënshtrohet operimit gjatë ditëve në vazhdim”, shkruante në komunikatën e Realit.

    Tani, siç bëhet e ditur nga gazetari i njohur, Fabrizio Romano, Reali është i përgatitur që t’i hyjë merkatos për një portier të ri, i cili do ta zëvendësojë Courtois gjatë mungesës së tij.

  • ​Policia e Kosovës parandaloi një rast të kontrabandës me mallra në veri të vendit

    ​Policia e Kosovës parandaloi një rast të kontrabandës me mallra në veri të vendit

    Policia Kufitare, në kuadër të luftës për parandalim dhe luftim të veprave të kundërligjshme ka intensifikuar kontrollet taktike dhe operacionale në terren, ku si rezultat i kësaj është identifikuar një rast i kontrabandës me mallra në veri të vendit.

    Njësia policore gjatë patrullimit në zonën kufitar, përkatësisht në liqenin e Ujmanit, ka vërejtur një mjet lundrues (barkë), të cilën e kanë përcjellë dhe kanë identifikuar vendin e ndaljes.

    “Njësitë policore, me të arritur në lokacion, në mes të rrugës kanë hasur në një veturë të braktisur, me targa të Serbisë. Vetura e braktisur, dyshohet se ishte ngarkuar me mallin që ndodhej në barkë. Gjatë kontrollit në veturë janë gjetur dhe sekuestruar mallra të ndryshme, si: telefona mobil (19 copë), cigare (830 pako) të llojeve të ndryshme, çanta, veshmbathje, mjete shkollore (lapsa, fletore, ngjyra, gërshërë etj), lodra për fëmijë, kozmetikë”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

    Rasti do të trajtohet nga njësitet përkatëse policore të Drejtorisë Rajonale Policore Kufitare-Veri në koordinim me organet e drejtësisë dhe Doganën e Kosovës.

  • ​Rriten pagat e mësimdhënësve për 15% në Bullgari

    ​Rriten pagat e mësimdhënësve për 15% në Bullgari

    Në Bullgari rriten për 15 për qind pagat e mësimdhënësve sipas aneksit të Marrëveshjes Kolektive të Punës për sistemin arsimor parashkollor dhe shkollor, të nënshkruar të enjten nga ministri i Arsimit dhe Shkencës Galin Tzokov dhe partnerët socialë. Rritja e pagës hyn në fuqi në mënyrë retroaktive nga 1 janari i vitit 2023, tha Ministria e Arsimit në një njoftim për shtyp.

    “Në këtë mënyrë, qeveria garanton prioritetin kombëtar për ruajtjen e nivelit të pagave të mësimdhënësve në 125% të pagës mesatare në vend”, tha Prof. Tzokov. Sipas tij, zgjidhjet më të mira për sistemin arsimor mund të gjenden vetëm përmes dialogut të mirë dhe konstruktiv me partnerët socialë. Ministri u shpreh i kënaqur që me buxhetin e shtetit garantohen si pagat e punonjësve të arsimit ashtu edhe vazhdimi i rinovimit dhe modernizimit të shkollave dhe konvikteve në të gjithë vendin.

    Me aneksin e nënshkruar, paga bazë mujore minimale për mësimdhënësit bëhet 1709 BGN. E njëjta gjë do të jetë për të gjithë specialistët e tjerë pedagogjikë – mësimdhënësit, edukatorët, logopedët, psikologët, këshilltarët pedagogjikë etj.

    Paga bazë minimale për mësimdhënësit e vjetër dhe edukatorët e vjetër do të bëhet 1763 BGN dhe për mësimdhënësit kryesorë dhe drejtuesit e arsimit – 1831 BGN. Drejtorët do të marrin të paktën 2,082 BGN në muaj dhe zëvendësdrejtorët – 1,926 BGN.

    524 milionë BGN nga buxheti i shtetit janë ndarë për rritjen e pagave të mësimdhënësit.

    Aneksi i Marrëveshjes Kolektive të Punës u nënshkrua nga Ministri i Arsimit Tzokov, presidentja e Sindikatës Bullgare të Mësimdhënësve me Konfederatën e Sindikatave të Pavarura në Bullgari (CITUB), Yanka Takeva, kreu i Sindikatës së Arsimit me Konfederatën e Punës të Podkrepës, Julian Petrov, kreu i Sindikatës së Pavarur të Mësimdhënësve me CITUB, Asparuh Tomov./BTA-KosovaPress/