ATV

Author: ATVLive

  • ​FFK vjen me ndryshim të rëndësishëm që prek të gjitha klubet

    ​FFK vjen me ndryshim të rëndësishëm që prek të gjitha klubet

    Federata e Futbollit e Kosovës ka hedhur hapat e para drejt një ndryshimi të rëndësishëm dhe inovativ, duke filluar procesin e decentralizimit të shërbimeve në Lidhjet Rajonale. Ky ndryshim do të sjellë një përparim të dukshëm në mënyrën se si klubet dhe palët e tjera të interesuara do të lidhen me FFK-në dhe do të marrin shërbimet e tyre.

    Decentralizimi do të përfshijë digjitalizimin e shërbimeve kyçe, të cilat deri më tash ishin ofruar vetëm në selinë kryesore të FFK-së. Printimi i ID kartelave për regjistrimin e lojtarëve dhe pranimi i faturave për pagesa të ndryshme ishin procese që kërkonin përqendrim fizik dhe koordinim të kohës me FFK-në. Por me procesin e digjitalizimit, kjo gjë do të ndryshojë në aspektin pozitiv.

    Në fakt, tani të gjitha këto shërbime do të mund të kryhen në Lidhjet Rajonale. Klubet, shkollat e futbollit dhe palët tjera nuk do të jenë më të detyruara të paraqiten në selinë e FFK-së për të marrë faturat apo për të printuar ID kartelat e lojtarëve. Në vend të kësaj, ata do të mund të kryejnë të gjitha këto procese në zyrat Lidhjeve Rajonale të FFK-së që janë të vendosura në 7 regjionet e Kosovës.

    Ky ndryshim shërben për të lehtësuar dhe përshpejtuar shërbimet e nevojshme për klubet dhe individët e interesuar. Digjitalizimi i Lidhjeve Rajonale është projekt në kuadër të programit UEFA HatTrick, i cili synon të forcojë dhe të promovojë zhvillimin e futbollit dhe qeverisjen e mirë në të gjitha nivelet.

    Tashmë ky proces ka filluar në Lidhjen Rajonale të Prishtinës dhe pritet që shumë shpejt të finalizohet edhe në Lidhjet tjera rajonale.

  • Vdes një person në Prishtinë, ra nga një lartësi derisa po punonte

    Vdes një person në Prishtinë, ra nga një lartësi derisa po punonte

    Policia e Kosovës (PK) njofton se një person ka ndërruar jetë, si pasojë e lëndimeve që mori pasi ra nga lartësia e vendit ku po punonte.

    Në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se rasti ka ndodhur të hënën, rreth orës 20:26 dhe është iniciuar si “Hetim i vdekjes.

    “Viktima mashkull kosovar ka pësuar lëndime vdekjeprurëse pasi që i njëjti duke punuar kishte rënë nga një lartësi dhe kishte pësuar lëndim të rënda trupore. Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë dërgohet në IML për obduksion”, thuhet në njoftim.

  • Kaloi ilegalisht kufirin, arrestohet serbi

    Kaloi ilegalisht kufirin, arrestohet serbi

    Policia e Kosovës ka arrestuar në Kamenicë një shtetas të Serbisë, pasi i njëjti kishte kaluar ilegalisht kufirin.

    Në raportin 24-orësh, Policia ka bërë të ditur se me vendim të prokurorit, rasti shko në procedurë të rregullt.

    “Fshati Novosellë, Kamenicë – 19:30. Është shoqëruar në stacionin policor i dyshuari mashkull shtetas i Serbisë, pasi kishte kaluar kufirin ilegalisht. Me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

  • ​Ja në cilën pjesë të ditës punonjësit bëjnë më shumë gabime

    ​Ja në cilën pjesë të ditës punonjësit bëjnë më shumë gabime

    Punonjësit nuk arrijnë të jenë plotësisht produktivë gjatë gjithë orarit të punës. Në artikullin në vazhdim, AkademiPune ju tregon kohën kur punonëjsit janë më së paku produktivë dhe kur janë të prirur të bëjnë më së shumti gabime.

    Bazuar në një studim të fundit të publikuar nga revista shkencore PLOS ONE, produktiviteti dhe saktësia e punonjësve ulet gjatë pasdites. Studiuesit janë marrë për dy vjet me studimin e pothuajse 800 punonjësve të cilët punojnë nga zyrat.

    Ndryshe nga studimet e tjera që analizojnë produktivitetin e punonjësve duke u mbështetur në vetëvlerësimet e punonjësve ose vlerësimet e menaxherëve, në këtë analizë, studiuesit gjurmuan metrikat e përdorimit të kompjuterit si shpejtësia e shtypjes së tasteve, lëvizja e mausit dhe gabimet gjatë shtypit. Gjatë pasditeve punonjësit ishin të prirur të bënin shumicën e gabimeve në shkrim. Më konkretisht pasditeve të së premtes ka pasur ulje të aktivitetit kompjuterik dhe rritje të gabimeve.

    “Kjo përputhet me gjetjet e ngjashme që numri i detyrave që punonjësit kryejnë rritet në mënyrë të qëndrueshme nga e hëna në të mërkurë, pastaj zvogëlohet të enjten dhe të premten”, ka thënë Taehyun Roh, bashkautor i studimit dhe një profesor asistent në departamentin e epidemiologjisë dhe Universitetit A&M të Teksasit.

    Autorët e studimit thonë se ky hulumtim dëshmon se vendet e punës duhet të lejojnë më shumë fleksibilitet në mënyrë që të mos detyrojnë orar të stërzgjatur në kohën kur produktiviteti i punonjësve është i ulët. Kështu punëdhënësit kanë më shumë gjasa edhe të parandalojnë konsumimin e punonjësve dhe gjasat e tyre për ta lënë punën.

    Qasjen pozitive të punonjësve për fleksibilitet sipas ankesave e kanë mirëpritur shumica e punonjësve. Sipas një sondazhi të Monster, 61%, thonë se më mirë do të punonin një javë pune të sistemuar dhe 33% thonë se do ta linin punën për një javë me një javë të shkurtuar.

    “Aranzhimet fleksibël të punës, të tilla si puna hibride ose një javë pune katër-ditore, mund të ndihmojnë në zbutjen e efekteve negative të javëve të gjata të punës dhe të promovojnë mirëqenien dhe produktivitetin më të mirë të punonjësve,” shkruajnë autorët e studimit.

    Ata rekomandojnë që punëdhënësit të jenë më të hapur për t’i lejuar punonjësit të punojnë nga shtëpia ditëve të premte ose të zbatojnë javë të shkurtuara pune me të premten pushim ose me gjysmë-orari.

    Si të keni punonjës më produktivë?

    Pandemia e ka ndryshuar totalisht tregun e punës dhe ka rritur dëshirën e punonjësve për më shumë produktivitet. Tani është më e rëndësishme se kurrë për kompanitë që t’i mbajnë punonjësit e tyre të lumtur dhe produktivë. Lumturia e punonjësve është një nga faktorët më të rëndësishëm në drejtimin e një kompanie të suksesshme dhe fitimprurëse. Punonjësit e lumtur dhe të angazhuar priren të performojnë më mirë dhe të mbështesin inovacionin e kompanisë. Kur punonjësit janë të lumtur, besnikë dhe të përkushtuar, fitimet e kompanisë janë shumë më të larta – dhe qarkullimi i punëtorëve është shumë më i ulët.

    Megjithatë, kur punonjësit ndihen të pakënaqur dhe të pamotivuar, produktiviteti ulet, qarkullimi rritet dhe kompania pëson. Zëvendësimi i një punonjësi mund të kushtojë deri në 33% të pagës së tyre vjetore. Në fakt, punonjësit e pakënaqur u kushtojnë kompanive amerikane deri në 550 miliardë dollarë në vit.

    Mund të jetë e vështirë të kuptosh saktësisht se si t’i mbash punonjësit të lumtur në mjedisin e sotëm ekonomik. Përveç kësaj, faktorët e jashtëm mund të kenë një ndikim në lumturinë e punonjësve dhe ata shpesh janë jashtë kontrollit tuaj./ AkademiPune

  • Mënyra e pazakontë se si Steve Jobs i intervistonte njerëzit për t’i marrë në punë

    Mënyra e pazakontë se si Steve Jobs i intervistonte njerëzit për t’i marrë në punë

    Drejtuesi i ndjerë i “Apple”, Steve Jobs, thuhet se bënte një test birre para së të merrte në punë punonjësit e rinj.

    Zbuluesi i “Apple”, dëshironte të thyente trendin e zakonshëm të intervistave, ku duhet të memorizosh një listë të gjatë përgjigjesh, duke dhënë madje edhe përgjigje me shkrim.

    Kështu që Jobs kishte vendosur ta linte pas formalitetin dhe të ishte sa më i thjeshtë.

    Jobs i merrte kandidatët potencialë për një shëtitje dhe pinin diçka së bashku dhe më pas vendoste nëse do t’i punësonte apo jo. Kështu që në vend të bënte pyetje rreth pozicionit të punës, ai thjesht i pyeste se çfarë kishin bërë verën e kaluar.

    Ai nuk kërkonte për një përgjigje të saktë apo të gabuar, ai thjesht kërkonte të njihte më mirë kandidatët. Dhe duket se kjo metodë e të intervistuarit i ka dhënë frytet e veta, pasi “Apple” ka avancuar kaq shumë dhe kjo falë punonjësve të përzgjedhur nga vetë ai.

  • Në kufirin në Merdar pritjet deri në pesë orë

    Në kufirin në Merdar pritjet deri në pesë orë

    Mërgimtarët po presin deri në pesë orë për të dalë nga Kosova në pikë-kalimin kufitar në Merdar.

    Siç bën të ditur Qendra Kombëtare për Menaxhim Emergjent në përditësimin e orës 06:33 pritjet për të dalë nga Kosova në pikën kufitare shkojnë deri në pesë orë, ndërkaq për të hyrë në Kosovë nuk ka kolona.

    Pritje ka edhe në pikëkalimin kufitare Dheu i Bardhë dhe Muçibabë, por jo sikurse në Merdar.

    Te Dheu i Bardhë pritjet për të dalë nga Kosova janë 20 deri në 30 minuta, ndërkaq në Muçibabë deri në 15 minuta.

    Në pikat tjera kufitare nuk raportohet për kolona dhe pritje të gjata.

  • Vrasje në tentativë në Prishtinë

    Vrasje në tentativë në Prishtinë

    Një tentim vrasje ka ndodhur dje në Prishtinë.

    Një burrë ka njoftuar policinë, se një person i panjohur ka shtënë me armë disa herë në drejtim të tij.

    Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar 6 gëzhoja dhe një telefon mobil. Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për procedura të mëtutjeshme hetimore.

    “Prishtinë 14.08.2023 – 12:59. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se një person i panjohur nga vetura ka shtënë disa herë në drejtim të tij. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar 6 gëzhoja dhe një telefon mobil. Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për procedura të mëtutjeshme hetimore”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Eksperimenti zbulon se gjenet njerëzore mund të kontrollohen me energji elektrike

    Eksperimenti zbulon se gjenet njerëzore mund të kontrollohen me energji elektrike

    Eksperimenti zbulon se gjenet njerëzore mund të kontrollohen me energji elektrike
    Sipas hulumtimit të ri të kryer nga shkencëtarët nga ETH Zurich në Zvicër, e ardhmja mund të presë një pajisje portative që mund të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e shëndetit tonë. Gjatë eksperimentit, shkencëtarët përdorën impulse të vogla të energjisë elektrike për të nxitur prodhimin e insulinës në minjtë laboratorikë me ind pankreatik njerëzor të projektuar posaçërisht.

    Kjo “ndërfaqe elektrogjenetike”, sipas shkencëtarëve, mund të përdoret në të ardhmen për të shkaktuar gjenet e synuara.

    “Pajisjet elektronike të veshura po luajnë një rol në rritje në mbledhjen e të dhënave shëndetësore të individëve për ndërhyrje mjekësore të personalizuara. Megjithatë, ato ende nuk mund të programojnë terapi direkte sepse nuk ka një ndërfaqe të drejtpërdrejtë elektrogjenetike. Ne ofrojmë hallkën që mungon”, thanë ata.

    Stimulimi i drejtpërdrejtë i prodhimit të insulinës mund, për shembull, të ndihmojë dikë me diabet. Konkretisht, gjatë studimit, ekspertët implantuan qelizat e pankreasit njerëzor te minjtë me diabet të tipit 1 dhe më pas i stimuluan me rrymë direkte nga gjilpërat e akupunkturës.

    Eksperimenti përdori teknologjinë e rregullimit të drejtuar nga rryma direkte (DART), e cila, sipas shkencëtarëve, kombinon teknologjinë dixhitale të pajisjeve tona dhe teknologjinë analoge të trupave biologjikë.

    Domethënë, ne kemi lindur me një grup të caktuar gjenesh. Edhe pse ky kod gjenetik nuk ndryshon shumë gjatë gjithë jetës, zakonet tona dhe procesi i plakjes mund të ndryshojnë mënyrën se si gjenet aktivizohen. DART mund të bëhet një mjet për të ndryshuar disa nga këto ndryshime, shkruan sciencealert.

    Duke përdorur këtë metodë, shkencëtarët ishin në gjendje të nxisin që niveli i sheqerit në gjakun e minjve me diabet të kthehet në kufijtë normalë. Sigurisht, ne jemi ende shumë larg nga një Fitbit që menaxhon diabetin, por është një provë emocionuese e konceptit.

    Shkencëtarët që qëndrojnë pas këtij projekti janë të bindur se teknologjia mund të zhvillohet dhe zgjerohet më tej, domethënë mund të përdoret për disa procese të tjera, jo vetëm për prodhimin e insulinës. /Telegrafi/

  • ​Flet Mancini, zbulon arsyen e vërtetë të dorëheqjes nga Italia

    ​Flet Mancini, zbulon arsyen e vërtetë të dorëheqjes nga Italia

    Roberto Mancini ka thyer heshtjen e tij dhe ka fajësuar presidentin e Federatës së Futbollit në Itali Gabriele Gravina për largimin e tij të papritur nga posti i trajnerit të Italisë.

    Trajneri ishte nën kontratë deri në korrik të vitit 2026, por dha dorëheqje të shtunën në mbrëmje dhe ajo u konfirmua të dielën në mëngjes me një njoftim zyrtar nga Federata.

    Tani Mancini ka folur për gazetën “La Repubblica” dhe ka dhënë versionin e tij të ngjarjes, duke fajësuar hapur Presidentin Gravina.

    “I shpjegova se në këta muaj duhej të më jepej mbështetje dhe qetësi, por ai nuk e bëri këtë dhe kështu dhashë dorëheqjen”, ka thënë Mancini, përcjellë KosovaPress.

    “A duhej ta kisha bërë më herët? Ndoshta. Por unë u largova me 25 ditë para ndeshjes tjetër, jo tre ditë.”, shtoi ai.

    Tutje ai ka shtuar se Gravina kërkonte të ndërhynte në stafin e tij, gjë e cila u bë pengesë e madhe në raportet e tyre.

    “Gravina kishte një vit që po përpiqej të revolucionarizonte stafin tim. U përpoqa t’i thoja se më së shumti mund të shtonte dy fytyra të reja. Nëse ka ndonjë gjë, duhet të jem unë që vendos të zëvendësoj një anëtar të stafit tim.”

    Mancini gjithashtu konfirmoi se dëshironte të eliminonte klauzolën në kontratë që lejon Federatën ta shkarkojë atë nëse ai nuk kualifikohej për në EURO 2024.

  • Takim lamtumirës për Mehajn, Kurti: Me insistimin e tij pagat në FSK u rritën për 30%

    Takim lamtumirës për Mehajn, Kurti: Me insistimin e tij pagat në FSK u rritën për 30%

    Kryeministri Albin Kurti, mbrëmjen e së hënës në “Ballkonin e Hapur”, ka organizuar pritjen lamtumirës për ish-ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, në të cilën ishin të pranishëm anëtarë të kabinetit qeverisës, diplomatë të shumtë, përfaqësues të lartë të KFOR-it, udhëheqës të ndryshëm të institucioneve vendore e ndërkombëtare, deputetë të Kuvendit të Republikës e bashkëpunëtorë të afërt.

    Në këtë pritje, Kurti përmes një fjale rasti vlerësoi se prej se u themelua ajo, Armend Mehaj është më punëtori, më i përkushtuari dhe më i suksesshmi në krye të Ministrisë të cilën e udhëhoqi, thuhet në komunikatën për media.

    “Gjatë 29 muajve sa ishte në detyrë ish ministri Mehaj, pothuajse është dyfishuar numri i ushtarëve, duke iu shtuar radhëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës 2,240 të rinj e të reja. Blerja e armatimit është rritur për 191%, do me thënë gati trefish më shumë sesa kur e ka marrë detyrën”, tha kryeministri derisa shtoi se “buxheti për ushtrinë sot është mbi dy herë më i madh sesa para dy vjetëve, duke shënuar rritje nga 67 milionë euro sa ishte në vitin 2021, në 141 milionë euro sa e kemi sot”.

    Sipas tij, “me insistimin e Armendit, ushtarët e thjeshtë dhe oficerët e rinj të FSK-së, tashmë gëzojnë një rrogë dinjitoze, mbi 30% më të lartë se pagat e tyre paraprake. Ditët e fundjavës si ministër, Armendi i shfrytëzonte jo për të pushuar pas një jave të mbushur me punë dhe aktivitete, por për të vizituar dhe falënderuar familjet e dëshmorëve, të cilët kanë bërë sakrificën më të madhe të mundshme, duke dhënë bijat dhe bijtë e tyre, që ne të jetojmë në liri në Kosovën e pavarur”.

    Duke e vlerësuar për punën e tij si ministër, Kurti tha se ish-ministri Mehaj ka bashkëpunuar me kolegët e tij të kabinetit qeveritar, bashkëpunim ndërministror i cili sipas kryeministrit ka dhënë fryt në disa drejtime të rëndësishme.

    “Arritjet e ish ministrit Mehaj janë dëshmuar edhe në bashkëpunimin e tij të dendur dhe të ngushtë me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë. Nën udhëheqjen e tij, Ministria e Mbrojtjes dhe e FSK-së e ka rritur dukshëm profilin ushtarak të Republikës në rang botëror, duke realizuar misionin e parë paqeruajtës në Kuvajt dhe misionin ndërkombëtar në Ishujt Falkland. Dhe, pas tërmetit shkatërrues në Turqi, në shkurtin e këtij viti, ekipi i FSK-së nisi menjëherë në një mision të kërkim-shpëtimit. E gjatë këtij misioni, ushtarët tanë arritën të shpëtojnë disa jetë njerëzish, duke përfshirë aty edhe dy fëmijë”, tha Kurti.

    Më tej, Kurti tha se “suksesi i ish-ministrit Mehaj në arenën ndërkombëtare është shfaqur edhe në përpjekjet e tij për ta avancuar Kosovën në rrugëtimin e saj drejt NATO-s. Ai e ka kuptuar thellë, se NATO-ja ka qenë jo vetëm kontribuese në çlirimin dhe sigurimin e Kosovës, por është edhe destinacioni ynë”.

    Kryeministri gjithashtu veçoi se ditët e fundjavës si ministër, Armendi i shfrytëzonte jo për të pushuar pas një jave të mbushur me punë dhe aktivitete, por për të vizituar dhe falënderuar familjet e dëshmorëve, të cilët kanë bërë sakrificën më të madhe të mundshme, duke dhënë bijat dhe bijtë e tyre, që ne të jetojmë në liri në Kosovën e pavarur.

    Në fund të fjalës së tij Kryeministri Kurti e ka falënderuar ish ministrin Mehaj me fjalët “Armend, në emrin tim, dhe në emrin e të gjithë Qeverisë, të faleminderit përzemërsisht për punën dhe shërbimin tënd gjatë këtyre dy vjet e pesë muajve të fundit. Faleminderit që, edhe pse fizikisht larg Kosovës, kurrë s’ke qenë larg me mendje e me zemër. Dhe kurrë se ke harruar se sa shumë i kemi borxh atdheut tonë, Republikës së dashur të Kosovës. Faleminderit”.

    Ndërkaq, ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, pasi përshëndeti të gjithë të pranishmit tha se i beson motos e cila thuhet në ushtri ‘Krah për krah’, “nëse ecim krah për krah atëherë i arrijmë edhe qëllimet e përbashkëta”.

    Pasi falënderoi kryeministrin për fjalët dhe besimin e dhënë ai tha se ka bërë vetëm punën e tij pasi siç tha ai “këtë ia kemi borxh atdheut dhe çdo dëshmori të kombit”. Më tej ish ministri Mehaj tha se qëllimi i përbashkët i të gjithëve është integrimi i Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian.