ATV

Author: ATVLive

  • Tetë vjet nga vdekja e akademik Esat Stavileci

    Tetë vjet nga vdekja e akademik Esat Stavileci

    Sot mbushen shtatë vjet qëkur u nda nga jeta akademik Esat Stavileci.

    Ai u lind më 11 korrik 1942 në Gjakovë, ku kreu shkollimin fillor dhe të mesëm, ndërsa Fakultetin Juridik në Prishtinë. Studimet pasuniversitare i vijoi dhe i mbaroi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Zagrebit.

    Studimet e Larta të së Drejtës Krahasimtare i vijoi në disa qendra të tjera evropiane.

    Doktoroi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Sarajevës në vitin 1974. Prej vitit 1965 deri në pensionim, punoi si profesor në Fakultetin Juridik të Prishtinës, ku edhe pas pensionimit ishte i angazhuar në studimet master dhe të doktoratës. Nga viti 2000 ishte anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK).

    Krijimtaria e tij shtrihet në shumë fusha të interesimit shkencor, veçanërisht në ato juridike-kushtetuese, në fushën e sistemeve politike-krahasimore, administratës dhe administrimit publik në përgjithësi, metodologjisë së shkencave shoqërore dhe juridike, si dhe në fushën e terminologjisë juridike./KP

  • ​Osmani sot viziton Dragashin

    ​Osmani sot viziton Dragashin

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të vizitojë sot Dragashin, në kuadër të vizitave në komunat e vendit.

    Sipas njoftimit, Osmani pritet të zhvillojë një sërë takimesh.

    Në orën 11:00, ajo do të pritet në takim nga kryetari i Komunës, Bexhet Xheladini. Në orën 11:40, do ta vizitojë Asamblenë Komunale të Dragashit, ku do të mbajë fjalim, ndërsa në ora 12:10, Osmani dhe kryetari i Xheladini do të deklarohen për media.

  • Nuk arriti ti mbijetoj plagëve, vdes njëri nga të aksidentuarit te rrethrrotullimi në Prishtinë

    Nuk arriti ti mbijetoj plagëve, vdes njëri nga të aksidentuarit te rrethrrotullimi në Prishtinë

    Kjo është konfirmuar për Klan Kosova nga Shaqir Uka, shef i repartit të Mjekimit Intensiv.

    “Tek ne ka qenë një 17-vjeçar. Fatkeqësisht nuk ka mundur t’ju bëjë ballë pasojave të lëndimeve. I njëjti ka ndërruar jetë rreth orës 22:00”, tha Uka.

    Theksojmë se gjatë mesnatës të së Hënës rreth orës 03:00 ndodhi një aksident i rëndë.Vetura e aksidentuar ra poshtë urës, me ç’rast tre persona u lënduan, e njëri nga ta rëndë.

  • ​Profesori i Antropologjisë : Zbulimi në Ulpianë sjell evidenca të reja për historiografinë

    ​Profesori i Antropologjisë : Zbulimi në Ulpianë sjell evidenca të reja për historiografinë

    Profesori i Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës, Tahir Latifi, e ka quajtur të jashtëzakonshëm zbulimin e mbishkrimit të përandorit Justinian në parkun arkeologjik “Ulpiana”.

    “Ekspedita arkeologjike e kësaj vere në Ulpianën Antike vjen me zbulime të jashtëzakonshme. Përmendja e Justinianit të Madh dhe gruas së tij Theodora si themelues të qytetit dhe dedikues të kishave gjigante në qytetin e Dardanisë, Justiniana Secunda, paraqesin dëshmi të rëndësishme historike, duke sjell kësisoj evidenca të reja për historiografinë”, ka shkruar ai në Facebook.

    Sipas tij, përmendja “Urbem Dardaniae” (Qyteti i Dardanisë) në mbishkrimin e sapo zbuluar konfirmon faktin që dardanët dhe Dardania vazhdojnë të qëndrojnë si një identitet dhe territor i rëndësishëm edhe në shek. VI.

    “Ndërsa Justiniani i Madh (527-565), përmes këtij mbishkrimi, na dëshmohet se ka ruajtur lidhjet me vendin e tij të origjinës – Dardaninë”, vijon ai.

    Profesori universitar ka bërë të ditur se gërmimet udhëhiqen nga kolegu i tij, Arben Hajdari (Departamenti i Antropologjisë / UP), Christophe Goddard (ENS) dhe Milot Berisha (IAK).

    “Pjesë e këtij projekti është edhe kolegu Ilir Culaj dhe një numër i madh i studentëve dhe ish-studentëve nga Departamenti i Antropologjisë. Përgëzime për kolegët nga Departamenti i Antropologjisë / UP, Arben Hajdari dhe Ilir Culaj, përgëzime për gjithë kolegët/et pjesëmarrës në gërmime!”, ka shkruar në fund ai.

    Një ekip i arkeologëve në përbërje të Christophe Goddard, Arben Hajdari e Milot Berisha gjatë hulumtimeve shkencore kanë zbuluar “një mozaik që përmban një dedikim për kishën nga perandori bizantin Justiniani i Parë dhe gruaja e tij Teodora”. Mozaiku përmban edhe emrin e Dardanisë. Zbulimit po i bëhet jehonë nga vizitorë të rëndësishëm që kanë vërshuar këto ditë aty.

    Që prej se është bërë e ditur për këtë zbulim, në parkun arkelogjik të Dardanisë kanë zbarkuar figura të larta të politikës dhe diplomacisë të akredituar në Kosovë.

    Ministri Hajrullah Çeku ka shkruar se ky është “një zbulim që formëson historinë, një dedikim i fuqishëm nga Perandori Justinian është zbuluar në Lokalitetin Arkeologjik Ulpiana”

    “Ekipi i arkeologëve në përbërje nga Christophe Goddard, Arben Hajdari e Milot Berisha gjatë hulumtimeve shkencore kanë zbuluar një mbishkrim monumental me rëndësi të jashtëzakonshme historike nga Perandori Justinian (527-565) i qytetit Justiniana Secunda, i përshkruar si qytet Dardan, një qytet në provincën e Dardanisë (krijuar nga paraardhësi i tij Diokleciani në fillim të shek. IV pas e.s.) dhe i kishës së tij”, shkruar ai.

    Sipas Cekut mbishkrimi paraqet një dëshmi shumë të rrallë dhe dëshmon afërsinë e perandorit ndaj provincës së origjinës.

    “ Kisha paraqet një prej zbulimeve më të mëdha të Perandorisë së vonshme romake dhe perandorëve më të rëndësishëm”, ka theksuar Ceku.

    Për zbulimin në këtë park arkelogjik ka shkruar edhe Presidentja Osmani pasi ka bërë një vizitë atje.

    “Ulpiana është një udhëtim nëpër kohë që zbulon thesaret e fshehura të së kaluarës sonë. Çdo gërmim zbulon fragmente të qytetërimit tonë të lashtë.

    Nga Mbretëria e Dardanisë e deri te Perandori Justinian janë shekuj të trashëgimisë sonë të prekshme, e cila ndërlidhë të tashmen tonë me të kaluarën e largët.

    Zbulimet e fundit në Ulpianë (Justiniana Secunda), paraqesin evidenca të rëndësishme për historinë e Dardanisë dhe dardanëve gjatë Antikitetit të vonë-Mesjetës së hershme” ka shkruar osmani.

    Duke shkruar për gërmimet në bazilikën e shekullit të gjashtë, e cila u zbulua vjet në Ulpianë, profesori i Filozfisë Blerim Latifi shkruan se gërmimet kanë nxjerrë në dritë një zbulim tjetër fantastik: një mozaik që përmban një dedikim për kishën nga perandori bizantin Justiniani i Parë dhe gruaja e tij Teodora.

    “Në mbishkrimin e dedikimit përmendet edhe Dardania. Kjo tregon peshën e madhe që ky vend kishte për sundimtarin më të madh të Bizantit, i cili edhe vetë ishte me origjinë nga Dardania” shkruan Latifi.

    “Dhe një gjë tjetër: edhe sa dëshmi të tjera duhet të dalin në dritë, në mënyrë që stërhollimet skolastiko- etimologjike për emrin e Prishtinës, që e lidhin origjinën e këtij emri me gjëra krejtësisht periferike, me folje e ndajfolje, me parashtesa e prapashtesa fjalësh, me emra përrockash e me dreqin e t’birin, të marrin fund dhe të pranohet se Prishtina e ka marrë emrin nga Justiniani i Parë, Primus Justinianus. Me njeriun që ndërtoi Hagia Sofinë, dhjetëra e dhjetëra kisha të tjera, nga Mali Sinai në Lindje e deri në Ravena në Perëndim, që kodifikoi të drejtën romake dhe ngriti qindra fortifikime kundër dyndjes së sllavëve në Ballkan. Me njeriun që nga një bari dhensh në fushat e Dardanisë, u bë figura e fundit madhështore e qytetërimit romak” shkruan Latifi.

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, gjatë fundjavës ka vizituar Parkun Arkeologjik të Ulpianës të cilin e ka quajtuar të klasit botëror.

    Ai lavdëroi punën e një ekipi që po punon për të dokumentuar trashëgiminë kulturore të Kosovës.

    “Kisha privilegjin të vizitoja Parkun Arkeologjik të Ulpianës sot, ku një ekip mahnitës po rrit njohuritë dhe po dokumenton trashëgiminë kulturore të Kosovës në këtë lokacion të klasit botëror”, ka shkruar Hovenier.

    Hovenier publikoi edhe disa pamje nga atje ku shihet i përfshirë në punët që po kryhen aty.

  • Von Cramon: Kosova po humbet kredibilitetin e saj ne mesin e komunitetit ndërkombëtar

    Von Cramon: Kosova po humbet kredibilitetin e saj ne mesin e komunitetit ndërkombëtar

    Eurodeputetja Viola Von Cramon, ka deklaruar se Kosovës po i mungon kredibiliteti në mesin e faktorit ndërkombëtar.

    Ajo thotë se Kosova duhet t’i përmbush obligimet e saj para se të flas për palën serbe.

    “Problemet e juaja nuk i zgjidhni duket e kërkuar fajin diku tjetër.”

    Kështu po i komenton zhvillimet e fundit politike në Kosovë, eurodeputetja gjermane Viola von Cramon.

    Ajo thotë se Kosovës po i mungon kredibiliteti në mesin e komunitetit ndërkombëtar, prandaj ajo bënë thirrje që sa më shpejtë të nis zbatimi i marrëveshjeve me Serbinë.

    “Momentalisht nuk po shoh vullnet politik nga asnjëra palë për zbatimin e marrëveshjeve. Kosova është mirë të fokusohet më shumë tek vetja dhe t’i kryej obligimet që i ka marrë përsipër. Ju nuk bëni kurrfarë ndryshimi nëse e drejtoni gishtin diku tjetër. Së paku ky është qëndrimi i institucioneve kryesore të Bashkimit Evropian. Nëse Kosova dëshiron të bëhet një lojtare e rëndësishme në mesin e komunitetit ndërkombëtar atëherë duhet ta dëshmojë fillimisht se është një lojtare kredibile por këtë nuk është duke e treguar”, shton ajo.

    Cramon thotë se do ishte një veprim i duhur nga Prishtina, nëse largohen tërësisht njësitet Speciale të Policisë së Kosovës nga objektet komunale në veri.

    Ajo nënvizon rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të qetësohet situata në pjesën veriore të vendit.

    “E gjithë rrëmuja që është krijuar në pjesën veriore të Kosovës duhet të rregullohet. Lidhur më këtë çështje tashmë ka një marrëveshje dhe ajo vetëm duhet të respektohet. Pra do të ishte veprim i duhur që të largohen njësitet speciale të Policisë së Kosovës nga objektet komunale në veri. Para se të flisni për palën serbe është më mirë që fillimisht ti kryeni detyrat e juaja ”, shprehet ajo për Tëvë1.

    Bashkimi Evropian ende nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

  • ​Vela: Në Beograd po promovohet propaganda ruse kundër NATO-s

    ​Vela: Në Beograd po promovohet propaganda ruse kundër NATO-s

    Beogradi po shndërrohet një kryeqytet të ideologjive politike ekstreme dje po promovon propagandën ruse kundër NATO-s, ka thënë Blerim Vela, shef i stafit të presidentes së Kosovës Vjosa Osmani.

    Ai ka shkruar në “X” se kryeqyteti i Serbisë, në muajin korrik ishte mikpritës i lëvizjeve rinore të majta ekstreme (komuniste).

    “Beogradi po kthehet në kryeqytet të ideologjive ekstreme politike, si nga e djathta ashtu edhe nga e majta. Në korrik 2023, Beogradi ishte mikpritës i një mbledhjeje të lëvizjeve rinore të majta ekstreme/komuniste WFDY. Në Beograd ka frymë të theksuar të së djathtës ekstreme, edhe ajo si dhe e majta ekstreme përfaqësojnë qëndrimin kundër Kosovës”, ka shkruar ai.

    Sipas tij, e djathta ekstreme në Serbi, por edhe e majta, kundërshtojnë NATO-n për ndërhyrjen në vitin 1999.

    “Natyrisht, obsesioni i tyre është promovimi i propagandës ruse kundër NATO-s dhe Kosovës”, vijoi ai.

  • Vazhdon edhe sot gjykimi në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Vazhdon edhe sot gjykimi në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë vazhdon gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve me dëshminë e dëshmitarit të ZPS-së.

    Dëshmitari i ri i ZPS-së në gjykimin kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit është dëshmitari i mbrojtur W03879. Ky është dëshmitari i gjashtëmbëdhjetë deri tani.

    Dje dëshmitari i 16-të është përgjigjur në pyetjet e ZPS-së, konkretisht prokurorit Matt Halling.

    Kurse, në pjesën më të madhe të kohës seanca është zhvilluar në sesion privat.

    Dje avokati i Thaçit, Gregory Kehoe në fillim të seancës ka kërkuar nga trupi gjykues që tregojë se akuza ndaj ish krerëve të UÇK-së në këtë çështje nuk ka të bëjë me trafikim organesh.

    Kurse Çarls Smith III, kryesues i Trupit Gjykues, tha se për këto çështje, avokati duhet t’i adresojë me shkrim në mënyrë që trupi gjykues të japë udhëzimet e nevojshme.

    Po ashtu dje Trupi gjykues refuzoi si provë një video që prokuroria tha se është ceremoni betimi e UÇK-së.

  • Sot ka protestë në Policinë e Kosovës

    Sot ka protestë në Policinë e Kosovës

    Sot në Policinë e Kosovës do të protestojnë Flota Operative dhe punëtorët e Departamentit Mbështetës Operativ për të shprehur pakënaqësitë për pagat, përkatësisht për mosrregullimin e vlerës së koeficientëve sipas pozitave të tyre. Kështu bëri të ditur për KosovaPress kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri i cili theksoi se kjo protestë do të ndikojë edhe në punën e Policisë së Kosovës, sipas të cilit nuk mund të funksionojnë pa këto dy grupe.

    Kryetari në këtë sindikatë, Zeqiri tha se Ministria e Punëve të Brendshme ka tre muaj kur ka premtuar se do të rregullojë vlerën e koeficientit për të njëjtit punëtorë, mirëpo ende nuk ka reagim nga MPB-ja.

    Ai thotë se për këtë çështje ka dërguar shkresë për takim sot edhe tek Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, por ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

    “Arsyeja është se në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë premtuar para tre muajve se do të rregullojnë vlerën e koeficienteve sipas pozitive që kanë, ku në këtë grup janë, automekanik, autolimarët, muratorët, ujë-instaluesit, elektricistët e shumë kategori të mjeshtërive, ku me Ligjin e ri të pagave janë diskriminuar shumë”, thotë Zeqiri.

    Zeqiri tha se numri i këtyre punëtorëve që do të protestojnë është rreth 100.

    Ai derisa tha se këtyre punëtorëve ju ka humbur durimi të presin më gjatë, shtoi se kategoritë e lartpërmendura kanë mbetur në kategorinë e koeficientit të një mirëmbajtësi.

    Ai në fund shtoi se me Ligjin e punës, zyrtarët policorë nuk kanë të drejtë të hyjnë në grevë.

    Ligji për paga, i cili është në fuqi nga muaji shkurt, kishte përcaktuar vlerën e koeficientit të pagës në sektorit publik 105 euro.

    Megjithatë, ky ligj është në Gjykatën Kushtetuese të cilin më 7 prill Avokati i Popullit e ka dërguar në Kushtetuese.

    Lidhur me këtë, Avokati i Popullit kishte pranuar ankesa nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, zyrtarë komunal të arsimit, infermierë, mjekë, Sindikata e Policisë së Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe institucione e organizata të tjera. /kp

  • Bullgari, BNB do të emetojë vetëm monedha përkujtimore 2 euro pas ndryshimit të euros

    Bullgari, BNB do të emetojë vetëm monedha përkujtimore 2 euro pas ndryshimit të euros

    Banka Kombëtare Bullgare (BNB) do të lejohet të emetojë monedha përkujtimore vetëm me një emërtim prej 2 euro pas hyrjes së Bullgarisë në eurozonë, e cila është planifikuar për fillimin e vitit 2025. Përveç kësaj, ajo do të jetë në gjendje të emetojë edhe monedha koleksioni , të cilat megjithatë duhet të jenë të prerjes, ngjyrës dhe madhësisë së ndryshme nga monedhat në qarkullim për t’u dalluar prej tyre, ka thënë Banka Qendrore, cituar nga e përditshmja Telegraf.

    Çdo vend që përdor euron si monedhë zyrtare mund të emetojë dy monedha përkujtimore në vit. Këto monedha kanë të njëjtat veçori, veti dhe anë të përbashkëta si monedhat normale 2 euro. Ajo që i bën ata të ndryshëm është dizajni përkujtimor në anën e tyre kombëtare. Vetëm prerja prej 2 euro mund të përdoret për monedha përkujtimore, thuhet në faqen e internetit të Bankës Qendrore Evropiane (ECB).

    Si rregull, çdo vend mund të lëshojë vetëm dy monedha përkujtimore prej 2 eurosh në vit. Përjashtimisht, një monedhë e tretë mund të emetohet, me kusht që të jetë emetuar bashkërisht nga të gjitha vendet e eurozonës dhe përkujton një ngjarje me rëndësi në mbarë Evropën.

    Këto monedha të përbashkëta kanë një dizajn të përbashkët në anën kombëtare, si dhe emrin e vendit emetues dhe ngjarjen e përkujtuar në gjuhën ose gjuhët përkatëse kombëtare. Monedhat përkujtimore 2 euro janë kurs ligjor në të gjithë zonën e euros. Kjo do të thotë se ato mund të përdoren – dhe duhet të pranohen – ashtu si çdo monedhë tjetër euro.

    Shumica e monedhave përkujtojnë përvjetorë të ngjarjeve historike ose tërheqin vëmendjen ndaj ngjarjeve aktuale me rëndësi kulturore. Për shembull, monedha e parë përkujtimore 2 euro u emetua nga Greqia për të festuar Lojërat Olimpike në Athinë në 2004.

    Ndërsa ECB është përgjegjëse për miratimin e volumit maksimal të monedhave që çdo vend mund të lëshojë, duke përfshirë monedhat përkujtimore, dizajni dhe emetimi i tyre mbeten një kompetencë kombëtare, thuhet në faqen e internetit të Bankës Qendrore Evropiane.

    Në dy vitet e fundit, interesi për monedhat përkujtimore të BNB ka qenë i madh. Çdo monedhë e sapoprerë mbaron brenda një ose dy ditësh. Për të përmbushur interesin e lartë, BNB po prezanton një praktikë të re nga viti 2024 – duke vënë në qarkullim deri në katër monedha përkujtimore ari në vit, të cilat nuk kanë prerje të paracaktuar. Dizajni i përgjithshëm i anës së pasme është vendosur të përdorë ikonën e Hyjlindëses Molla e Artë, e rekomanduar nga Sinodi i Shenjtë. Kjo ikonë e Nënës së Zotit daton nga shekulli i 17-të dhe ruhet në kishën në lagjen Gorni Voden të Asenovgradit.

    Monedhat e para të arit pa emetim të paracaktuar do të dalin në janar 2024. Katër monedhat e “Shën Virgjëreshës Mari – Molla e Artë” do të emetohen në fillim të çdo viti kalendarik, me ndryshimin e vetëm të vitit të emetimit në anën e përparme. Në fund të vitit do të ndërpritet prerja dhe do të shpallet prerja përkatëse për katër llojet e madhësive të ndryshme./BTA-KosovaPress/

  • Hovenier: Vlerësojmë përpjekjet e Rashiqit për kthimin e serbëve në Kosovë

    Hovenier: Vlerësojmë përpjekjet e Rashiqit për kthimin e serbëve në Kosovë

    Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, njofton se sot e ka takuar ministrin serb të Qeverisë së Kosovës, Nenad Rashiq, i cili drejton Ministrinë për Komunitete dhe Kthim.

    Hovenier është ndalur te detyrat e Rashiqit për kthimin e serbëve në Kosovë, duke thënë se i vlerësojnë përpjekjet e tij dhe të ekipit të tij për çështjen e kthimi të serbëve që duan të kthehen.

    “Takim i mirë me Ministrin për Komunitete dhe Kthim, Rashiq. I vlerësojmë përpjekjet e ministrit dhe ekipit të tij për të përkrahur të gjithë ata që cilët duan ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për kthim në kushte të dinjitetshme dhe të sigurta”, thuhet në postimin në llogarinë e Ambasadorit, në Twitter.

    Hovenier tutje ka shkruar se çështja e kthimit “mbetet një prioritet i lartë për Shtetet e Bashkuara dhe partnerëvë tanë”.