ATV

Author: ATVLive

  • Hulumtuesja amerikane: Vuçiqi dëshiron vetëm paratë e BE-së, s’e do anëtarësimin

    Hulumtuesja amerikane: Vuçiqi dëshiron vetëm paratë e BE-së, s’e do anëtarësimin

    Hulumtuesja amerikane, Ivana Stradner, ka thënë se presidenti serb Aleksandër Vuçiq nuk e dëshiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por paratë e tij.

    Sipas Stradner, Vuçiq e do vetëm rrugën drejt BE-së pasiqë ka nevojë për para në mënyrë që të mbijetojë në politikë.

    Këto komente Stradner i bëri në rrjetin social “X” ku ka bërë share shkrimin e kryetarës së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila kishte shkruar rreth takimit që kishte pasur në Athinë me Vuçiqin.

    “Rruga në BE apo anëtarësim në BE?

    Vuçiq dëshiron rrugën drejt BE-së, sepse ai ka nevojë për paratë tuaja për mbijetesën e tij politike.

    Ai nuk dëshiron anëtarësimin në BE”, ka thënë Stradner.

    Ndërsa der Leyen ka shkruar se me presidentin serb ka folur “për nevojën e angazhimit konstruktiv për të de-përshkallëzuar situatën në veri të Kosovës dhe përparimin e Serbisë në rrugën e saj drejt BE-së”.

    “Kam folur me presidentin Aleksandër Vuçiq për nevojën e angazhimit konstruktiv për të de-përshkallëzuar situatën në veri të Kosovës dhe përparimin e Serbisë në rrugën e saj drejt BE-së. Integrimi më i ngushtë midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor është jetik, veçanërisht përballë luftës ruse kundër Ukrainës”, ka thënë der Leyen.

  • PSG tronditë Realin, zbulon çmimin e Kylian Mbappes

    PSG tronditë Realin, zbulon çmimin e Kylian Mbappes

    Paris Saint Germain është gati të lërë Kylian Mbappen të largohet këtë verë, por vetëm nëse ndonjë skuadër është e gatshme të paguajë 250 milionë euro.

    Superylli e bëri rikthimin e tij në ekipin e parë me një gol në barazimin 1-1 të PSG-së me Toulouse të shtunën, ku ai dukej se tregonte se e ardhmja e tij, të paktën për disa muajt e ardhshëm, do të ishte në kryeqytetin francez.

    Por pas thashethemeve për një kohë të gjatë që Real Madridi po përgatit një ofertë prej 120 milionë euro për të siguruar shërbimet e tij këtë verë, PSG thuhet se ka caktuar një çmim të lartë për 24-vjeçarin, përcjellë KosovaPress

    Sipas gazetës spanjolle “AS”, skuadra pariziene po mban shpresë për të rënë dakord për një kontratë të re me sulmuesin, kontrata e të cilit skadon në më pak se 12 muaj.

    Por megjithatë janë të gatshëm ta lënë atë të shkojë nëse oferta e duhur paraqitet nga gjigantët e La Liga-s.

  • Michel: E rëndësishme zgjidhja e mosmarrëveshjeve dypalëshe me vendet kandidate për në BE

    Michel: E rëndësishme zgjidhja e mosmarrëveshjeve dypalëshe me vendet kandidate për në BE

    Zgjidhja e mosmarrëveshjeve dypalëshe me vendet kandidate për në BE është e një rëndësie të madhe, veçanërisht për sa i përket mosmarrëveshjeve që lidhen me të drejtat e pakicave, vuri në dukje presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, pas darkës së udhëheqësve në Athinë.

    Më konkretisht, ai nënvizoi se zgjerimi është një proces i dyanshëm.

    “Vendet kandidate duhet të reformojnë, por edhe BE-ja duhet të përgatiten. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve dypalëshe është parësore, veçanërisht ato që lidhen me të drejtat e pakicave”, ka thënë ai, shkruan ana-mpa, transmeton KosovaPress.

    Bëhet e ditur se sipas të njëjtit, takimi joformal në Athinë ishte një rast i mirë për të diskutuar zgjerimin me partnerët, ndërsa u theksua se mbështetja për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës mbetet e palëkundur.

    Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, nënvizoi se debati për zgjerimin është shumë i ndezur dhe ne duhet momenti.

    “Qëllimi nuk është vetëm zgjerimi, por edhe BE-ja të bëhet më e fortë”.

  • ​Rritet papunësia, ASK: Dy të tretat e popullsisë në moshë pune

    ​Rritet papunësia, ASK: Dy të tretat e popullsisë në moshë pune

    Rreth dy të tretat e popullsisë në Kosovë ose 1 milionë e 173 mijë e 978 janë popullsi në moshë pune, kurse 56 mijë e 520 më pak se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

    Ndërkaq, persona aktivë ishin 29 mijë e 508 persona më pak se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, kurse persona joaktivë ishin 27 mijë e 10 më pak se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

    Sipas rezultateve të Anketës së Fuqisë Punëtore për tre mujorin e katërt 2022 (TM2022), persona të punësuar ishin 8 mijë e 789 më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

    Po ashtu në raportin thuhet se persona të papunësuar ishin 38 mijë e 298 më pak se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

    Sipas ASK-së shkalla e papunësisë në vend është 11.8% në TM4 2022 ose 1 për qind më e lartë se në TM3 2022 sa ishte 10.8%.

    “Shkalla e papunësisë në Kosovë 11.8%, ndërsa, rreth dy të tretat e popullsisë në Kosovë (1 173 978) janë popullsi në moshë pune (56 520 më pak se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak). Persona aktivë ishin 29 508 persona më pak se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Persona joaktivë ishin 27 010 më pak se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Persona të punësuar ishin 8 789 më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Persona të papunësuar ishin 38 298 më pak se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak”, thuhet në raportin e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

    Po ashtu sipas ASK-së përqindja e meshkujve të punësuar ishte 4,1% më e lartë sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Kurse, përqindja e femrave të punësuara ishte 0,3% më e lartë sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak).

    “Shkalla e punësimit ishte 2,3% më e lartë se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Shkalla e papunësisë ishte më e ulët për (-7,2%) sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Kurse tek të rinjtë (15-24 vjeç), shkalla e papunësisë ishte më e ulët për (-15,6%) sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak”, thuhet në raport.

    Ndërkaq, shkalla e jo-aktivitetit vazhdon të mbetet mjaftë e lartë (61,5 %), duke u rritur me 0.6 përqind krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak.

    “Shkalla e joaktivitetit tek femrat ishte shumë e theksuar 78.8 %, krahasuar me meshkujt, 44.2 %”, thuhet në raport.

    Tregtia, ndërtimtaria dhe arsimi prijnë me punësim

    Sipas ASK-së, sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 18,7%, ndërtimtaria 12,1%, arsimi me 10,3%, administrata publike dhe mbrojtja me 9,2%, prodhimi me 8,2%, etj.

    “Femrat ishin të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 55,2% të tyre. Ndërsa, meshkujt ishin kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë, administratës publike dhe mbrojtjes, prodhimit, si dhe në sektorët e aktivitetit për akomodim dhe shërbim me ushqim, me 62,6%”, thuhet në raport.

  • Gjermania, vendi më i kërkuar nga kosovarët

    Gjermania, vendi më i kërkuar nga kosovarët

    Kanë mbetur edhe katër muaj kur qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Perëndimit.

    Nga janari i vitit të ardhshëm, Kosova edhe zyrtarisht do të jetë vendi i fundit në Ballkan që nuk do të vuajë më regjimin me viza.

    Por pavarësisht kësaj, numri i atyre që dëshirojnë të pajisen me vizë turistike, pune e familjare, vazhdon të jetë i lartë.

    Madje, sipas një përgjigjeje elektronike të Ambasadës gjermane në Prishtinë, dhënë për RTK-në, vetëm në vitin 2022 kjo ambasadë ka lëshuar në përgjithësi 73,686 viza.

    “Në vitin 2022, Ambasada gjermane i ka lëshuar 48,937 viza Shengen për nënshtetas të Kosovës, të cilët dëshirojnë të qëndrojnë në Gjermani përkohësisht me qëllim të turizmit, afarizmit etj, dhe 17.479 viza nacionale, ndër to 9.309 viza pune (përfshirë viza për shkencëtarë, trajnime profesionale, praktika, punë vullnetare). Ndërkohë, janë lëshuar edhe 7,270 viza me qëllim të bashkimit familjar për nënshtetas kosovarë të të gjitha moshave”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës gjermane.

    Se kosovarët kanë përbërë numrin më të madh në botë të atyre që kanë kërkuar ta kenë një vizë nga ky shtet, e tregon edhe kjo përgjigje.

    “Në po të njëjtin vit, Ambasada gjermane në Prishtinë ka qenë një nga ambasadat gjermane në mbarë botën e cila ka lëshuar më së shumti viza”.

    Qytetarët vazhdojnë të aplikojnë për një vizë në këtë vend.

    Në zyrën e aplikimit për vizë pune të Austrisë në Prishtinë, Astrit Ismaili nga Vitia e kishte sjellë shokun e tij që të aplikojë këtu. Ai tha se pothuajse të gjithë shokët e kanë marrë rrugën e Perëndimit.

    E njëjta situatë është edhe te Qendra e Aplikimit për Viza në Zvicër e Britani të Madhe.

    Megjithatë, një anketë e realizuar nga SchengenVisaInfo.com zbulon se 62.3 për qind e të anketuarve kosovarë, të cilët janë kryesisht nga mosha 25 deri në 34 vjeç, thonë se nuk mendojnë të transferohen në BE, krahasuar me 37.7 %, të cilët thonë të kundërtën, se planet e tyre janë që një ditë të largohen nga Kosova.

  • ​Deklarata e Athinës, ja çka përmban

    ​Deklarata e Athinës, ja çka përmban

    Njëmbëdhjetë liderë të vendeve të Ballkanit, përfshirë Greqinë në takimin në Athinë, shprehën “mbështetje të palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht, bazuar në vlerat e demokracisë dhe sundimit të ligjit” përballë agresionit rus, të hënën mbrëma.

    Pas një darke joformale të mbajtur nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, 11 liderët lëshuan Deklaratën e Athinës në të cilën ranë dakord gjithashtu se “nuk mund të ketë mosndëshkim për krimet e luftës dhe mizoritë e tjera” dhe thanë se të gjithë ata që janë përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi, shkruan amna, transmeton KosovaPress.

    Në prani të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, ata theksuan “rëndësinë e vendosjes (…) të një objektivi për plotësimin e vizionit të një BE-je të pasuruar me Ballkanin Perëndimor, Ukrainën dhe Republikën e Moldavisë”.

    Deklarata e Athinës:

    Ne, presidenti Aleksandar Vuçiq, presidentja Maia Sandu, presidenti Volodymyr Zelenskyy, presidenti Jakov Milatovic, kryeministri Kyriakos Mitsotakis, kryeministri Ion-Marcel Ciolacu, kryeministri Albin Kurti, kryetarja e Këshillit të Ministrave Borjana Krishna, kryeministri Dimitar Kovachevsky, kryeministri Nikolai Denkov dhe kryeministri Andrej Plenkoviq lëshuam sot në Athinë, në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, njëzet vjet pas Samitit historik BE-Ballkani Perëndimor në Selanik, deklaratën e mëposhtme:

    1. Pushtimi rus i Ukrainës është një moment kyç për Evropën, duke krijuar një nivel të ri ndërgjegjësimi për parimet e përbashkëta, unitetin dhe të ardhmen e përbashkët brenda BE-së. Kjo është kohë kritike për sigurinë, paqen dhe stabilitetin e kontinentit tonë evropian. Ligjet dhe parimet që kontribuan në një rend sigurie të qëndrueshme dhe të parashikueshme evropiane për kaq shumë kohë janë shkelur dhe ne jemi dëshmitarë të shfaqjes së efekteve katastrofike të revizionizmit.

    2. Përballë agresionit rus, ne shprehim mbështetjen tonë të palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht, bazuar në vlerat e demokracisë dhe sundimit të ligjit.

    3. Në diskutimet tona sot në Athinë, ne shprehëm mbështetjen dhe vlerësimin për përpjekjet e zellshme të Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky në përcaktimin e parimeve për paqen në përputhje me Kartën e OKB-së, në Formulën e tij të Paqes. Ne mirëpritëm gjithashtu përpjekjet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për të promovuar një paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë.

    4. Ne ramë dakord se nuk mund të ketë mosndëshkim për krimet e luftës dhe mizoritë e tjera, siç janë sulmet kundër civilëve dhe shkatërrimi i infrastrukturës dhe të gjithë ata që janë përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi.

    5. Njëzet vjet më parë, Samiti i Selanikut pranoi se Ballkani Perëndimor i përket Bashkimit Evropian. Ne besojmë fuqishëm se sot kjo deklaratë mbetet më e rëndësishme se kurrë. Lufta e përshkallëzuar e agresionit kundër Ukrainës zbuloi nevojën urgjente për një BE të fortë, elastike dhe gjithëpërfshirëse si një gur themel i paqes dhe prosperitetit midis popujve tanë gjatë këtyre kohërave sfiduese.

    6. Theksuam se Ballkani Perëndimor, Ukraina dhe Republika e Moldavisë, gjeografikisht ngjitur me Shtetet Anëtare të BE-së, kanë një trashëgimi të përbashkët evropiane, histori dhe një të ardhme të përcaktuar nga mundësitë dhe sfidat e përbashkëta. Si një investim strategjik për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Evropë, është e rëndësishme që këto rajone të përqafohen si anëtarë të plotë të familjes evropiane.

    7. Sot në Athinë diskutuam rrugën përpara, për ta bërë realitet këtë vizion të Evropës. Ne nënvizuam rëndësinë për t’i vendosur vetes një objektiv për plotësimin e vizionit të një BE të pasuruar me Ballkanin Perëndimor, Ukrainën dhe Republikën e Moldavisë. Ne nënvizuam nevojën për një proces zgjerimi të ri-energjizuar dhe të ri-fokusuar që të jetë i qartë dhe i besueshëm, pa rrugë alternative më të shkurtra për kushtet e vendosura. Ne shprehëm angazhimin tonë për të mbështetur Ukrainën dhe Moldavinë për të ndërmarrë hapat e ardhshëm në procesin e tyre të anëtarësimit sapo të kenë përfunduar reformat e nevojshme.

    8. Ne besojmë fuqishëm se 20 vjet pas Samitit të Selanikut dhe në dritën e realitetit të ri gjeopolitik, ka ardhur koha për të miratuar një qëllim përfundimtar të guximshëm dhe ambicioz që do të shërbejë si udhërrëfyes, frymëzim dhe kontekst.”

  • Joseph paralajmëron Zelenskyn: Mos bjerë në grackën e Vuçiqit, flet marrëzi për “neutralitetin”

    Joseph paralajmëron Zelenskyn: Mos bjerë në grackën e Vuçiqit, flet marrëzi për “neutralitetin”

    Analisti amerikan dhe ligjëruesi i Universitetit të “Johns Hopkins”, Edëard Joseph ka folur për takimin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe atij serb, Aleksandër Vuçiq. Ai ka paralajmëruar Zelenskyn se do të dëgjojë shumë marrëzi për gjoja ‘neutralitetin’ serb ndaj agresionit rus kundër Ukrainës.

    Ai i ka kërkuar po ashtu Zelenskyt që të mos bjerë në grackën e përpjekjes për të kërkuar mbështetjen e Vuçiqit, në takimin e tyre kokë më kokë.

    “Marrëdhënia e Vuçiqit me Rusinë – dhe fuqia e tij – mbështetet në izolimin e Kosovës. Si Rusia ashtu edhe Serbia e shfrytëzojnë Kosovën për të mbështetur agresionin kundër vendit tuaj. Në të vërtetë, ministri i Mbrojtjes i Vuçiqit – dhe kreu i partisë së tij politike – sapo fajësoi promovimin perëndimor të pavarësisë së Kosovës për pushtimin e Rusisë në vendin tuaj. Këtu hyn Ukraina”, ka thënë analisti amerikan në rrjetin social “X”, shkruan KosovaPress.

    Sipas tij, marrëdhëniet Beograd-Moskë prishen kur asnjë kryeqytet nuk mund ta izolojë Kosovën.

    “Njohja e Kosovës nga Kievi do të katalizojë 4 shtetet jonjohëse të NATO-s që të ndjekin shembullin. Siç e dini, rruga për anëtarësimin në NATO është çelësi. Pasi të përfundojë izolimi ruso-serb i Kosovës, është fundi i lojës për sharadën e Vuçiqit. Beogradi do të ketë vetëm një opsion: atë që ju dhe qytetarët tuaj e keni zgjedhur, të mirëpresë dhe pranojë NATO-n dhe BE-në. Një zgjidhje përfundimtare dinjitoze e çështjes së Kosovës do t’i shkaktojë një goditje të madhe Putinit”, ka shkruar ai mes tjerash.

    “President Zelensky, ji i gatshëm të dëgjosh shumë marrëzi për “neutralitetin” serb ndaj agresionit rus kundër vendit tënd. Siç e dini, e vetmja gjë më e keqe se neutraliteti është neutraliteti i rremë. Serbia jo vetëm që refuzon të zbatojë sanksione ndaj Rusisë, por Beogradi shpërfill hapur politikën e BE-së duke mirëpritur mediat RT dhe Sputnik, duke përkrahur narrativat pro-ruse në të gjithë rajonin. Vuçiq ka lënë në krye të inteligjencës bashkëpunëtorin e Rusisë, të sanksionuar nga SHBA, Vulinin”, ka shkruar Joseph.

    Sipas tij, Vuçiq dhe Vulin e dinë me siguri se sa municione serbe shkojnë në Ukrainë.

    “A e dini se sa municione serbe mbërrijnë në Rusi? Presidenti dhe kryeministri serb pranojnë se votat për rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënojnë Rusinë kanë të bëjnë me ruajtjen e pretendimit të Serbisë ndaj Kosovës – nuk kanë të bëjnë me solidaritetin me Ukrainën. Serbia anashkaloi Samitin e Platformës së Krimesë me më shumë se 40 vende, duke ekspozuar ‘shqetësimin’ mashtrues për sovranitetin e Ukrainës. Serbia ka dyfishuar naftën ruse, duke ndërtuar një tubacion të ri me Hungarinë. Nëse vendi juaj, Ukraina, përfundon tranzitin e gazit rus në Hungari, Beogradi do ta zëvendësojë atë me gazin rus. E shikoni? Serbia ruan marrëdhëniet e saj energjetike me Rusinë, ashtu si Vuçiç e ruan marrëdhënien e tij me Putinin. Dikush që është ‘neutral’ do të kishte qëndruar i qetë gjatë kryengritjes së Ëagnerit; në vend të kësaj, Vuçiç përkrahi “reagimin e vendosur, të qartë dhe me vullnet të fortë” të Putinit, duke pretenduar se vetëm Putini mund të kishte pasur sukses. Nuk është çudi që Rusia gëzon mbështetje në Serbi”, ka shkruar ai.

  • Arti tradicional, profesioni që përmbush piktoren Mirena Toma

    Arti tradicional, profesioni që përmbush piktoren Mirena Toma

    Mes botës moderne me ritme të shpejta, të mahnitur nga teknologjia dhe trendët dixhitale, profesioni i pikturës, dikur i nderuar për fuqinë transformuese, tani duket se ka mbetur disi në hije. Ndërsa fotot digjitale dominojnë vëmendjen, mishërimi i krijimtarisë artistike rrezikon të zbehet.

    Përkundër këtij ndryshimi kulturor, 20-vjeçarja Mirena Toma, ka gjetur lumturinë tek arti tradicional, ku ajo gjen lumturi dhe përmbushje të thellë në rrugën e saj të zgjedhur.

    Në një bisedë për rubrikën “Nëpër art” në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, Mirena tregon si ka filluar tek ajo pasioni për pikturë.

    “Në Kosovë, nëse e flasim realitetin, nuk është që vlerësohet aq shumë, edhe pse kanë vazhdu ndoshta me u eduku edhe kanë vazhdu me marrë përsipër diçka, mirëpo prapë se prapë është një ndër gjërat e lënë pas dore. Unë e kam vazhdu ëndrrën time, nuk e kam lënë asgjë njerëzit që kanë folë ose diçka tjetër, prapë se prapë unë jam tu u marrë dhe po kam shumë sukses, kështu që nuk ka qenë ndonjë problem shumë i madh për mua”, thotë Mirena.

    Ajo tregon se hapat e parë në këtë profesion i ka marrë nga motra e saj, Marigona Toma, e cila është po ashtu një piktore mjaft e suksesshme në Kosovë.

    “Gjatë gjithë jetës time, unë kam pikturua mirëpo viteve të fundit e kam parë më shumë motrën Marigona Toma, ajo ka qenë një piktore shumë e suksesshme në Kosovë. Kam vazhdu me i marrë ndoshta pak ngjyrat te ajo, pastaj kam fillu me i ba nëpër pëlhura dhe e kam parë që ndoshta po mundem edhe unë me arritë diçka më këtë. Kështu që, sa herë që kam pikturu, më ka hyrë më shumë në qejf piktura dhe tash jam këtu që jam. Ka qenë një periudhë kohore ku nuk kam punu në fund të vitit të kaluar, ndoshta 2-3 muaj nuk kam asnjë pikturë, më ka mungu shumë piktura, pastaj kur fillova këtë vit, thash jo nuk kam me e lënë anash se mu duk që e lash këtë si të dorës së dytë, kështu që vazhdova menjëherë, ndërsa tani jam mundu me u rikthy”, rrëfen Mirena.

    Në këtë bisedë, ajo flet edhe për pikturat e saj të cilat i ka bërë së fundmi. /atvlive.tv

    Bisedën e plotë të piktores Mirena Toma e gjeni në videon më poshtë:

  • Rruga e Edisona Bylykbashit drejt përsosjes së artit të thonjve

    Rruga e Edisona Bylykbashit drejt përsosjes së artit të thonjve

    Pasioni i Edisona Bylykbashit kishte filluar shumë vite më parë, kur dëshira për t’i rregulluar thonjtë e saj, por edhe të familjarëve filloi të mendohej si një profesion.

    Në një bisedë për rubrikën “Profesionet”, në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, ajo tregon se fillimet në këtë profesion, për të nuk kanë qenë të lehta.

    “Momenti kur ua kam parë të tjerëve thonjtë është diçka që më ka pëlqy shumë me u marrë dhe kam thënë se unë po du me u marrë me këtë profesion. Si çdo fillim i ka vështirësitë e veta, por me praktikë dhe me punë të pandalshme, normal që tani i kam të gjitha klientët që janë të gjitha të kënaqura”, thotë ajo.

    E rëndësishme në rrugëtimin e saj ishte përkrahja e familjes. Edisona fillimisht ka nisur të punonte hë studio të tjera, deri në momentin kur ka hapur studion e saj, ku tashmë është adresa e shumë klientëve.

    “Si shumë familje tjetër, edhe familja e ime normalisht që ka dashur që unë me e pasë një fakultet ose diçka tjetër, jo me me u marrë me një zanat. Por me që mua më ka pëlqy, normal që më kanë mbështetë. Fillimisht kam fillu duke iu bërë thonjtë motrave të mia, pastaj normal shoqërisë së ngushtë. Kam punu diku tjetër, kam pasur përvoja të punës diku tjetër në studio të tjera, por në moshën 20 vjeçare kam startu me studio time”, rrëfen ajo. /atvlive.tv

    Bisedën e plotë të Edisona Bylykbashit e gjeni në videon më poshtë:

  • Zhduket një burrë në Vushtrri, prej 4 ditësh nuk dihet se ku gjendet

    Zhduket një burrë në Vushtrri, prej 4 ditësh nuk dihet se ku gjendet

    Policia e Kosovës ka njoftuar se janë njoftuar për një rast në Vushtrri për një person të zhdukur.

    Që nga data 19 gusht e këtij viti, burri ka dalë nga shtëpia dhe nuk është kthyer më.

    Policia tashmë i ka nisur hetimet lidhur me këtë rast, thuhet në raportin e Policisë.

    “Me datën 21.08.2023, ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se më datën e cekur ka dalur nga shtëpia viktima mashkull kosovar dhe nga ajo kohë nuk dihet vendndodhja e tij. Rasti në hetime”, thuhet në raport.