ATV

Author: ATVLive

  • Rrahje në Burgun e Sigurisë së Lartë, i përfshirë i dënuari për vrasjen e Triumf Rizës

    Rrahje në Burgun e Sigurisë së Lartë, i përfshirë i dënuari për vrasjen e Triumf Rizës

    I dënuari me 35 vjet burgim për vrasjen e Triumf Rizës, Arben Berisha, është përfshirë në një rrahje së bashku me të burgosurin tjetër O.K., në Burgun e Sigurisë së Lartë.

    Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Express, Florent Gashi, zëdhënës në Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK).

    Ai tha se fillimisht ka pasur fjalosje mes dy të përmendurit më lartë, e cila më pas ka eskaluar në rrahje.

    “Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftojmë se në Burgun e Sigurisë së Lartë ka ndodhur një fjalosje mes dy të burgosurve, O.K dhe A.B. Fillimisht ka pasur fjalosje, e cila ka përfunduar me rrahje, por pa lëndime”, tha Gashi.

    Sipas Gashit, situata është vënë në kontroll si shkak i reagimit të stafit korrektues.

    “I menjëhershëm ka qenë reagimi i stafit korrektues, të cilët kanë marr të gjitha masat e nevojshme dhe kanë vënë situaten nën kontrollë. Fatmirësisht rrahja ka përfunduar pa pasoja apo ndonjë nevojë për intervenime të stafit mjekësor”, ka deklaruar ai.

    Lidhur me rastin është inicuar procedurë disiplinore, tha Gashi, teksa tha se për rezultatet do të njoftohet gazeta me kohë.

  • Fero e lë muzikën shkaku i fesë: Po i fali 5 vakte, mos i dëgjoni më këngët e mia

    Fero e lë muzikën shkaku i fesë: Po i fali 5 vakte, mos i dëgjoni më këngët e mia

    Reperi i njohur kosovar, Fero, ka marr një vendim në lidhje me karrierën e tij.

    Ai ka vendosur te heq dorë përfundimisht nga muzika. Sipas tij deri tek ky vendim ka ardhur pasi kohëve të fundit, ai ka studiuar të studioi fenë islame dhe të falet.

    Postimi i plotë:

    ”Përshëndetje miq , deshta t’ju njoftoj se kohëve të fundit kam pasur disa sfida në jetën time , të cilat me ndihmën e Allahut i kam kalu. Unë kam vendosur që përfundimisht të largohem prej muzikës, arsyeja kryesore është se kohëve të fundit kam studiuar rreth Fejës Islame dhe më është bërë e çartë se muzika është e ndaluar në islam. Për këtë arsye kam vendosur që ta lë muzikën dhe t’i përkushtona fejës islame dhe familjes time.

    Unë dua t’ju njoftoj se falem 5 herë në ditë, dhe pendohem te Allahu Krijuesi i gjithësisë për çdo këngë që e kam kënduar

    Dhe çdo tekst që e kam shkruar, pastaj i kërkoj falje familjes time dhe gjithëkujt që i kam bë padrejtësi , ju kërkoj që t’ma bëni
    hallall.

    Unë kam një mesazh për çdo kënd që dëgjon këngët e mija le t’i fshin ato këngë ose mos t’i dëgjon asniher, le të largohet nga kjo gjë e kotë.
    Secili njeri është i lirë të zgjedh mënyrën se si ta jeton jetën e tij.

    Gjithashtu ju thërras të gjithë juve që të falni namazin ndiqni shembullin tim të udhëzimit dhe të largoni nga shembulli i devijimit

    E di se do të ketë njerëz që do t’më paragjykojnë , do të thonë se a e dini se çfarë mëkate ke bë etj etj mirëpo mua më mjafton fjala e Allahut të Lartësuar:

    “Thuaj: “O robërit e Mi, ju që e keni ngarkuar veten me shumë gabime, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, se vërtet Allahu i fal të gjitha mëkatet.” Ez Zumer 53.

    Me respekt Feronit Shabani.” thuhej në njoftimin e reperit.

  • ​AKP inkason mbi gjysmë milion euro borxhe nga qiramarrësit gjatë muajt gusht

    ​AKP inkason mbi gjysmë milion euro borxhe nga qiramarrësit gjatë muajt gusht

    Agjencia Kosovare e Privatizimit njofton se vetëm gjatë këtij muaji (nga data 1 deri me datë 17 gusht), AKP ka arritur të inkasoj vlerën e përgjithshme monetare të borxhit për të gjithë qiramarrësit e NSh-ve në shumë 524 mijë e 334 euro, që sipas kësaj agjencie është rezultat i krijimit të një disipline tek qiramarrësit.

    Siç njofton AKP-ja një shumë e konsiderueshme e borxhit është arritur të inkasohet nga qiramarrësit e hapësirave në Hotelin Grand.

    “Vlen të përmendet se një shumë e konsiderueshme e borxhit është arritur të inkasohet nga qiramarrësit e hapësirave në Hotelin Grand. Vetëm për pjesën e parë të këtij muaji janë inkasuar 167 mijë e 234 euro nga qiramarrësit, ndërsa po të llogaritet edhe muaji paraprak (korriku), Agjencia ka inkasuar borxhe të papaguara nga qiramarrësit në Hotelin Grand shumën 263 mijë euro”, thuhet në njoftim.

    Bordi i Drejtorëve në mbledhjen e saj kërkoi nga menaxhmenti mbikëqyrje rigoroze e respektim të obligimeve kontraktuale e ligjore pa lëshime e pa dallime.

    “Në këtë frymë, Agjencia ka iniciuar një numër të qiramarrësve në përmbarim dhe ndërprerje të kontratës si pasojë e mos shlyerjes së borxheve dhe shkeljeve të kontratave me AKP-në dhe do të veprohet njëjtë me të gjithë qiramarrësit e papërgjegjshëm”, thuhet në komunikatë.

    Për më tepër, Bordi diskutoi edhe në lidhje me procesin e rivlerësimit të qirave për pronat e ndërmarrjeve shoqërore, me qëllim që çmimet e qirave të jenë sa më të përafërta me çmimet e tregut.

    Vetëm në takimin e fundit Bordi ka miratuar vlerësimin e 73 qirave me një rritje mesatare prej 37% të çmimit të qirasë dhe ka kërkuar nga menaxhmenti që deri në fund të muajit tjetër të bëhet rivlerësimi i çmimeve të qirasë për të gjithë qiramarrësit në mënyrë që këto çmime të jenë sa më të përafërta me çmimet e tregut.

    Përfundimisht, Bordi miratoj edhe 21 qira të reja (të pa tenderuara më parë) përmes një procesi të hapur dhe transparent dhe me qëllim të shfrytëzimit sa më racional të pronave që ka nën menaxhim.

  • ​PDK: Dështimi i MASHTI-it me tekste shkollore, dëmtohen financiarisht prindërit

    ​PDK: Dështimi i MASHTI-it me tekste shkollore, dëmtohen financiarisht prindërit

    Drejtorët e Arsimit nga radhët e PDK-së në nivel komunal, kanë shprehur pakënaqësitë e tyre karshi propozimit të fundit të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci që librat të blihen nga prindërit duke i rimbursuar ato me arsyetimin se shtëpitë botuese kanë ofruar çmime të larta.

    Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati i ka quajtur të paaftë Qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit sa i përket këtyre veprimeve.

    Musmuarati tha se propozimi i ri i Ministrisë së Arsimit për rimbursimin e prindërve për blerjen e librave është shembulli i fundit dhe më i freskët i keq-qeverisjes në arsim, ashtu si edhe në sektorët tjerë.

    “Tentativat për të fshehë dështimin në arsim me arsyetime e fshehje pas gabimeve të së kaluarës duhet të marrin fund. Gabimet nuk përmirësohen me gabime më të mëdha. Prindërit gjithandej nëpër Kosovë janë tejet të shqetësuar me situatën e re e cila pritet të krijohet, ku edhe shtatori i dytë nën qeverisjen Kurti po i gjenë nxënësit me probleme për të nisur vitin shkollor”, tha Musmurati.

    Ajo tha se mbi 300 mijë familje kosovare do të detyrohen t’i blejnë librat për fëmijët e tyre, duke shtuar se janë të pasigurt nëse ndonjëherë do t’u rimbursohen ato të holla.

    “Në vend se Qeveria ta zvogëlojë barrën financiare të shkollimit të fëmijëve prindërve kosovarë, ajo po kontribuon që të dëmtohen financiarisht edhe prindërit, po edhe vetë buxheti i shtetit. Ministria e Arsimit po përpiqet që dështimin e tyre për furnizim të nxënësve me libra ta mbulojë me arsyetime e improvizime”, ka thënë Musmurati.

    Ajo tha se pasojat që do t’i bartin nxënësit janë të mëdha pasi do të humbasin orë mësimi.

  • Ndahet nga jeta ish-futbollisti, Ismet Pllana

    Ndahet nga jeta ish-futbollisti, Ismet Pllana

    Ka ndërruar jetë ish-futbollisti dhe ish-gjyqtari jonë, Ismet Pllana.

    Ismet Pllana njihet për kontributin e madh që e ka dhënë për futbollin mitrovicas dhe atë kosovarë ndër vite, sikurse futbollist i Trepçës ashtu edhe si gjyqtar i futbollit, raporton KP.

    “Me dhimbje të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, ish-futbollistit dhe ish-gjyqtarit, Ismet Pllana, andaj më lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së, klubeve dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë të ju shpreh ngushëllimet tona më të sinqerta.

    Ai njihej si njeri i urtë, punëtor i madh sportiv dhe gjyqtar me autoritet. Ishte i nderuar kudo në mesin e sportistëve, ndaj si të tillë do ta kujtojmë përherë”, shkruante në një komunikatë të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

  • Nis punimet në Bernë konferenca vjetore e ambasadorëve zviceranë që janë të angazhuar në 170 shtete të ndryshme në botë

    Nis punimet në Bernë konferenca vjetore e ambasadorëve zviceranë që janë të angazhuar në 170 shtete të ndryshme në botë

    Nga data 21 deri më 24 gusht 2023, në Bernë po zhvillohet konferenca vjetore e ambasadorëve zviceranë. Mbledhja e konsujve të nderit, e organizuar çdo katër vjet, zhvillohet në të njëjtën kohë.

    Në këtë konferencë po marrin pjesë rreth 240 pjesëmarrës, të cilët do të diskutojnë veçanërisht rregullimet që ky vend duhet të bëjë në strategjinë e politikës së jashtme për të përballuar sfidat globale.

    Nga 170 ambasada në botë, ambasada e fundit të cilën e ka hapur Zvicra në një shtet brenda kontinentit të Evropës është ajo në Kosovë, shtetin më të ri në Evropë, njofton gazeta zvicerane në shqip Le Canton27.ch.

    Përfaqësuesit e Zvicrës në mbarë botën u mblodhën në Bernë

    Konferenca e Ambasadorëve të Zvicrës zhvillohet nga 21 deri më 24 gusht 2023 në Bernë. Diskutimet e zhvilluara në kuadër të kësaj platforme të shkëmbimeve me të gjithë rrjetin e jashtëm kontribuojnë në zhvillimin e projekteve të ndryshme të politikës së jashtme. Këtë vit, strategjia e politikës së jashtme për periudhën 2024-2027 do të jetë në qendër të diskutimeve.

    Është një traditë e vjetër. Çdo vit, ambasadorët e dërguar jashtë vendit takohen në tokën zvicerane. Gjatë katër ditëve, më shumë se 240 pjesëmarrës që përfaqësojnë Zvicrën në mbarë botën marrin pjesë në edicionin e vitit 2023. Takimi katërvjeçar i konsujve dhe konsujve të nderit, si dhe takimi vjetor i atasheve të mbrojtjes, zhvillohen njëkohësisht. Ky takim unik ofron një mundësi për të diskutuar sfidat aktuale të politikës së jashtme me të gjithë rrjetin e jashtëm, duke përfituar nga njohuritë dhe përvoja e diplomatëve. “Shkëmbimet mes Bernës dhe jashtë vendit zhvillohen gjatë gjithë vitit, por kjo në asnjë mënyrë nuk zëvendëson ato që mundësohet nga konferenca”, nënvizon kreu i Departamentit Federal të Punëve të Jashtme (FDFA), Ignazio Cassis, sipas gazetës zvicerane Le Canton27.ch.

    Politika jonë e jashtme përcaktohet në Bernë, së bashku nga Këshilli Federal dhe popullata, dhe zbatohet nga përfaqësitë zvicerane në mbarë botën. Kjo në përmendore përmbledh punën që diplomatët e vendit tonë kryejnë jashtë vendit. Të ndarë në të katër anët e globit në rreth 170 lokacione, zëdhënësit e diplomacisë tonë kanë për detyrë të mbrojnë interesat e Zvicrës. Ata janë, në njëfarë mënyre, sytë dhe veshët e Zvicrës jashtë vendit.

    “Konferenca bën të mundur vendosjen e pozicionimeve të hartuara në Bernë në përputhje me realitetet në terren dhe perceptimin e tyre në vend. Prandaj është thelbësore që shkëmbimet mbi sfidat aktuale të politikës së jashtme të mund të zhvillohen me të gjithë rrjetin e jashtëm dhe që njohuritë dhe përvoja e ambasadorëve tanë të postuar në të gjithë botën të përdoren mirë.”, shpjegon Alexandra Baumann, përgjegjëse për organizimin e Konferencës. Në FDFA, Alexandra Baumann është Kryetare e Divizionit të Prosperitetit dhe Qëndrueshmërisë dhe Kryetare e Grupit Ndërdepartamental të Punës për Rindërtimin e Ukrainës.

    Dhe për të ilustruar pikëpamjen e tij me një shembull që lidhet me situatën në Ukrainë: “Në kontekstin e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, qëndrimet e Zvicrës nuk kuptohen gjithmonë nga partnerët tanë të politikës së jashtme. Në njëfarë mënyre, rrjeti i jashtëm monitoron se si perceptimi dhe imazhi i Zvicrës evoluon jashtë vendit”. Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme që qëndrimet e Zvicrës të kuptohen dhe të përfaqësohen në mënyrë të besueshme dhe që diplomatët të marrin pulsin e politikës së brendshme. Zgjedhja e fjalës « rrjet » nuk është rastësi: përfaqësimet e FDFA janë të ndërvarura dhe konferenca vjetore bën të mundur ruajtjen e lidhjes me
    Bernën. Këto takime zhvillohen pikërisht në momentin e përcaktimit të strategjisë së politikës së jashtme për vitet e ardhshme.

    Ekspertiza e përfaqësive zvicerane jashtë vendit është e integruar në strategjinë e re të politikës së jashtme

    Këtë vit, tema e konferencës është “avokimi nën kujdesin e ri”. Një titull që pasqyron ndryshimet dhe nevojën për të gjetur zgjidhje inovative. Me pandeminë COVID-19 dhe agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, bota po përballet pothuajse njëkohësisht me dy ngjarje me pasoja të gjera globale. Konkurrenca mes fuqive të mëdha botërore është rritur gjithashtu, duke përmbysur situatën gjeopolitike. « Pjesëmarrësit e konferencës do të diskutojnë rregullimet që Zvicra duhet të bëjë në strategjinë e saj të politikës së jashtme dhe prioritetet për t’u marrë me këtë mjedis në ndryshim, » vazhdon Alexandra Baumann.

    FDFA aktualisht është duke punuar në Strategjinë e Politikës së Jashtme 2024-2027, e cila është fokusi i konferencës së këtij viti. “Gjatë procesit të hartimit,
    ambasadorët japin kontributin e tyre. Një version i parë është tashmë gati. Konferenca bën të mundur finalizimin e përmbajtjes”, shpjegon Alexandra Baumann.
    Konferenca analizon rregullimet që Zvicra duhet të bëjë në strategjinë e saj të politikës së jashtme për t’u përballur me një realitet që ndryshon vazhdimisht. (Alexandra Baumann)

    Tema të tjera në axhendë përfshijnë luftën në Ukrainë dhe pasojat e saj për Zvicrën, politikën evropiane dhe mandatin e Zvicrës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Titulluar “Vlera e Shtuar e Zvicrës”, gjysma e ditës do t’i kushtohet ekonomisë. “Në bashkëpunim me economiesuisse, kemi organizuar vizita të kompanive me qëllim forcimin e marrëdhënieve ndërmjet rrjetit të jashtëm dhe sektorit privat. Është gjithashtu e rëndësishme që përfaqësitë të ndërgjegjësohen për sfidat që kompanitë po përballojnë aktualisht,” shpjegon Alexandra Baumann.

    Strategjia e re e politikës së jashtme për periudhën 2024-2027, aktualisht në përgatitje, do të jetë një nga temat kryesore të këtij viti. Objektivat, thekset e reja tematike, si dhe instrumentet e propozuara për zbatim, do të komunikohen dhe diskutohen. Në të vërtetë, kontributet mbi prioritetet dhe përmbajtjen e dokumenteve strategjike shpesh bëhen të dukshme nga kjo konferencë.

    Me pandeminë COVID-19 dhe luftën kundër Ukrainës, në një kohë të shkurtër janë shfaqur dy ngjarje me pasoja të ndjeshme globale. « Konferenca ka temën « avokimi nën kujdesin e ri » dhe do të shqyrtojë rregullimet që Zvicra duhet të bëjë në strategjinë dhe prioritetet e saj të politikës së jashtme për t’u përballur me këtë mjedis në ndryshim, » shpjegon Alexandra Baumann, Shefe e Divizionit për Prosperitet dhe Qëndrueshmëri në FDFA dhe përgjegjëse për organizimin e konferencës, në një artikull në faqen e internetit të departamentit. Promovimi i interesave të Zvicrës është bërë vërtet më i ndërlikuar duke pasur parasysh sfidat globale.

    Kontekstet ose çështjet aktuale gjithashtu do të trajtohen gjatë seminareve rajonale dhe tematike: veçanërisht lufta kundër Ukrainës dhe pasojat e saj për Zvicrën, marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, si dhe ulëseja e Zvicrës si anëtare e zgjedhur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

    Konferenca gjithashtu mundëson diplomatëve të marrin pulsin e politikës së brendshme në Zvicër, veçanërisht përmes ndërhyrjeve të të gjithë anëtarëve të Këshillit Federal. Gjithashtu do të zhvillohen takime me përfaqësues nga bota e ekonomisë për të diskutuar sfidat me të cilat përballet sektori privat në kontekstin e një bote në ndryshim.

    Konferenca e ambasadorëve dhe konsujve mbahet që nga viti 1887. E ndërprerë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ajo rifilloi që në vitin 1945. Që nga viti 2011, konferenca e konsujve dhe konsujve të nderit zhvillohet njëkohësisht, por çdo katër vjet. Më shumë se 150 prej tyre janë gjithashtu të pranishëm në Bernë këtë gusht. Ata do të diskutojnë lajmet politike dhe konsullore, si dhe komunikimin ndërkombëtar.

  • Klinikat operojnë me “rezervat e fundit” të gjakut

    Klinikat operojnë me “rezervat e fundit” të gjakut

    Përkundër vapës së madhe mesditën e 21 gushtit, Nezir Gerbeshi priste para Qendrës së Transfuzionit të Gjakut në Prishtinë, për të dhuruar gjak.

    Pensionisti 64-vjeçar ka dhuruar gjak plot 128 herë gjatë jetës së tij.

    Shumë herë është ofruar vetë, por në shumë raste është ftuar edhe nga autoritetet shëndetësore.

    “Mbi 40 herë më kanë ftuar këta të qendrës, sidomos për trombocite. Sot kam ardhur sepse kam dëgjuar se ka mungesë të gjakut këtu në transfuzion”, rrëfeu ai për Radion Evropa e Lirë.

    Po atë ditë, në Klinikën e Ortopedisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, REL-i bisedoi edhe me Hajdin Podvoricën, i cili sapo kishte dhuruar gjak për një familjar të vetin.

    “Më thanë se duhet të vij këtu dhe të jap gjak se nuk ka”, tha 51-vjeçari.

    Zyrtarë të Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut (QKKTGJ) e konfirmojnë këtë mungesë, duke thënë se aktualisht po operojnë me “rezervat e fundit”.

    “Deri te mungesat e llojeve të grupeve të gjakut ka ardhur pas kërkesave të mëdha nga klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, sidomos nga Klinika Emergjente”, thotë për Radion Evropa e Lirë Albana Gashi, zyrtare për promovimin e dhurimit të gjakut në QKKTGJ.

    Sipas saj, mungesa e një numri më të madh të dhuruesve të gjakut ka ndikuar, po ashtu, që të mos ketë sasi të bollshme.

    Mungesat theksohen shpesh gjatë muajve të verës, kur qytetarët – dhurues potencialë të gjakut – janë në pushime, ndërsa aktivitetet në ambiente të jashtme janë më intensive.

    Por, disa mjekë thonë se ky sezon është ndër më të rëndët.

    Merita Morina-Bujupi, doktoreshë në QKKTGJ, thotë se shumë raste të rënda shëndetësore që janë trajtuar në QKUK, janë shkaktuar nga aksidentet në trafik apo qitjet me armë.

    Shumica prej tyre kanë pasur nevojë për gjak.

    “Kemi pasur raste urgjente, të cilat kanë kërkuar doza të mëdha të gjakut. Një rast mund të nisë me 2, 3 apo 4 doza [dhe të përfundojë] me 30 apo 40”, thotë Morina-Bujupi.

    Sasia e dozave varion – mund të shkojë deri në 300-400 mililitra.

    Në QKKTGJ nuk tregojnë se sa doza do ta stabilizonin gjendjen, apo sa janë të nevojshme mesatarisht në një vit, por thonë se vazhdimisht organizojnë aktivitete për grumbullimin e gjakut.

    Aty pohojnë se numri i dhuruesve është në rritje nga viti në vit, por theksojnë se edhe kërkesat janë të mëdha.

    “Gjaku ma ka shpëtuar jetën”

    Njazi Sherifi, brenda dhjetë ditësh, ka marrë tetë doza gjaku.

    I shtrirë në Klinikën e Gastroenterologjisë të QKUK-së, ai thotë se familjarët e tij nuk kanë mundur të dhurojnë gjak dhe se dozat që i janë dashur, ia ka siguruar spitali.

    “Fillimisht kam marrë tri doza, pastaj edhe tri, e kështu me radhë. Tash po ndihem më mirë. Gjaku që kam marrë, ma ka shpëtuar jetën… Unë kështu mendoj”, thotë Sherifi, i cili vjen nga komuna e Ferizajt.

    Autoritetet shëndetësore thonë se dozat më të mëdha të gjakut i thith Klinika Emergjente e QKUK-së.

    Sipas një raporti që ka siguruar REL-i prej tyre, në këtë klinikë, gjatë gjithë muajit korrik deri më 21 gusht, janë trajtuar 1.213 raste. Shumica prej tyre kanë pasur nevojë për një ose disa doza gjaku.

    Si sigurohen dozat e gjakut?

    Rreth 90 për qind e nevojave të pacientëve për gjak në institucionet publike shëndetësore të Kosovës plotësohen nga dhuruesit vullnetarë të gjakut, përkatësisht nga QKKTGJ-ja, ndërsa pjesën tjetër e mbulojnë familjarët e pacientëve.

    Dhurimi i një doze gjaku zgjat rreth 15 minuta. Sipas mjekëve, burrat dhe gratë në moshë jofertile mund të dhurojnë gjak çdo tre muaj, ndërsa gratë në moshë fertile mund të dhurojnë dy herë në vit.

    Përveç gjakut, mund të dhurohen edhe përbërës të veçantë të tij, si për shembull trombocite.

    Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që të gjitha dhurimet e gjakut, të kontrollohen për infeksione përpara se të përdoren.

    “Transfuzioni i gjakut shpëton jetë dhe përmirëson shëndetin… Sigurimi i gjakut të sigurt dhe adekuat duhet të jetë pjesë integrale e politikës dhe infrastrukturës kombëtare të kujdesit shëndetësor të çdo vendi”, thekson OBSH-ja.

  • Dogana arrin rekord të hyrash, mbledh 1 miliard euro

    Dogana arrin rekord të hyrash, mbledh 1 miliard euro

    Dogana e Kosovës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se është arritur një rekord i të hyrave, ku deri me sot janë mbledhur 1 miliard euro. Kësisoj, siç njofton Dogana, është tejkaluar viti i kaluar me 71 milionë euro apo 7.62%. Në komunikatë theksohet se, suksese rreth kësaj është bashkëpunimi me institucionet relevante, komunitetin e biznesit si dhe publikun në përgjithësi.

    Komunikata e plotë:

    Dogana e Kosovës arrin edhe një rekord në të hyra, mbledh 1 miliard euro për buxhetin e Republikës së Kosovës.

    Prishtinë 22 gusht 2023 Dogana e Kosovës deri më sot ka arritur të mbledh 1 miliard euro, duke tejkaluar vitin e kaluar me 71 milion Euro apo 7.62%. Duke ditur se edhe viti i kaluar ka pasur trend shumë pozitiv të rritjes dhe njëkohësisht është rritur efekti kundërveprues i thellimit të shkallëve të marrëveshjeve të tregtisë së lirë e në anën tjetër nuk ka ndryshim në politika fiskale, tejkalimi me këtë krahasim dëshmon qartazi vijimësinë e përkushtimit të pashembullt të Doganës së Kosovës në luftimin e ekonomisë jo formale dhe promovimin e praktikave që përkrahin konkurrencën fer dhe të ndershme. Suksese të theksuara ne këto përpjekje janë rezultat edhe i bashkëpunimit me institucionet relevante, komunitetin e biznesit dhe publikun në përgjithësi, andaj ju jemi shumë mirënjohës për përpjekjet e përbashkëta që kanë rezultuar me këto suksese.

    Dogana e Kosovës ka aplikacionin eDogana për pajisjet e mençura android dhe ios, i cili mundëson lajmërim të parregullsive dhe sjelljeve jo profesionale me komunikim të sigurt dhe gjithashtu ofron shërbime tjera me qëllim të shërbimit ndaj qytetarëve dhe komunitetit të prodhuesve dhe tregtisë në përgjithësi.

  • Shqipëria afër të gjejë një burim të madh të naftës në malet e Beratit, Edi Rama jep njoftimin

    Shqipëria afër të gjejë një burim të madh të naftës në malet e Beratit, Edi Rama jep njoftimin

    Kryeministri Edi Rama ka ndarë këtë të martë një postim në Facebook ku flet për gjetjen e naftës në malin e Shpiragut në Berat. Ai shkruan se në 6.1 kilometra thellësi është bërë zbulim i rëndësishëm i cili sipas tij sjell edhe shpresën e nxjerrjes së një pasurie të konsiderueshme për Shqipërinë dhe shqiptarët.

    “Sot në Shpirag, ku zbulimi i rëndësishëm i kryer 6.1km në thellësi të tokës naftëmbajtëse, mbart bashkë me premtimin e madh të nxjerrjes së një pasurie të konsiderueshme për Shqipërinë dhe shqiptarët, edhe sfidën e testit përfundimtar teknik të vlerësimit të qëndrueshmërisë së presionit të fluksit të gazit e të naftës, deri mbi sipërfaqen e tokës. Në fund të këtij viti do ta mësojmë këtë, ndërkohë që po punojmë paralelisht për projektin e Fondit Sovran që do të administrojë këtë pasuri të madhe kombëtare, duke u nisur nga studimi i vëmendshëm i praktikave botërore të fushës, si fondet sovrane të Norvegjisë, Arabisë Saudite, Azerbajxhanit e me radhë. Paçim fat tanimë kur kjo përpjekje thuajse dhjetëvjeçare, po i afrohet orës vendimtare të së vërtetës”,- shkruan kryeministri Rama.

  • Kreu i OBSH-së: Ndryshimi klimatik nuk është një kërcënim i largët

    Kreu i OBSH-së: Ndryshimi klimatik nuk është një kërcënim i largët

    Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, theksoi se ndryshimi klimatik nuk është një kërcënim i largët dhe se ai ndikon jetët dhe ekosistemet, transmeton Anadolu.

    Ghebreyesus bëri një vlerësim lidhur me ndryshimin e klimës përmes një postimi nga platforma e medias sociale X, njohur më parë si Twitter.

    “Ndryshimi klimatik nuk është një kërcënim i largët. Aktualisht po realizohet, po ndikon jetët dhe ekosistemet. Të mblidhemi, të reduktojmë emetimet, të mbështesim qëndrueshmërinë dhe të krijojmë një rrugë të vazhdueshme”, deklaroi Ghebreyesu.

    Kreu i OBSH-së ka tërhequr vëmendjen se përveç përmbytjeve dhe zjarreve shkatërruese në të gjithë botën po përjetohen valë e motit të nxehtë dhe thatësira afatgjata.

    Ghebreyesus theksoi se e ardhmja e botës dhe e brezave të rinj varet nga këto hapa që do të hidhen në çështjen e klimës.

    Kohët e fundit në të gjithë botën po përjetohen ngjarje ekstreme natyrore, ku korriku 2023 është regjistruar si muaji më nxehtë deri më tani.