ATV

Author: ATVLive

  • Moti për sot dhe nesër

    Moti për sot dhe nesër

    Dita e sotme në vendin tonë do të jetë me temperatura të larta dhe me rreze dielli.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 17 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 32 gradë Celsius.

    Edhe gjatë ditës së nesërme do të kemi mot kryesisht të kthjellët dhe me diell.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 17 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 33 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Trump thotë se do ta arrestojnë në Georgia

    Trump thotë se do ta arrestojnë në Georgia

    Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se do të dorëzohet vullnetarisht në drejtësinë e shtetit amerikan Georgia, që ngriti aktakuzë kundër tij, bazuar në ligjin për pjesëmarrje në një organizatë kriminale.

    Donald Trump, që tashmë është akuzuar në tre raste të ndryshme, është paraqitur në gjykatë në New York, Miami dhe Ëashington muajve të fundit, transmeton Telegrafi.

    Edhe pse deri më tani ka shmangur me sukses procedurën e zakonshme të arrestimit që përfshin marrjen e shenjave të gishtërinjve dhe shkrepjen e dy fotografive – Georgia mund të jetë më pak falëse.

    “Pavarësisht statusit tuaj, jemi të gatshëm t’ju fotografojmë”, ka theksuar para gazetarëve në fillim të këtij muaji Patrick Labat, sherifi i qarkut Fulton i angazhuar në këtë rast.

    Trump në rrjetin e tij social Truth Social ka mohuar akuzat, duke theksuar se do ta arrestohet nga prokurorja Fannie Willis.

    “Është gjueti shtrigash e orkestruar nga Joe Biden”, ka shkruar Trump ndër tjera në profilin e tij në Truth Social.

    Në kohën e arrestimit të Trumpit në atë rajon do të ketë forca të shumta të policisë. E për t’u mbrojtur në liri Trump do të duhej të paguante 200 mijë dollarë.

    Ish-presidenti amerikan ka konfirmuar ditë më parë se nuk do të marrë pjesë në debatet e Partisë Republikane, në kuadër të zgjedhjeve partiake për kandidatin për president të vendit që do të mbahen të enjten.

  • Deri në 30 minuta pritjet në dalje të Merdares dhe Dheut të Bardhë

    Deri në 30 minuta pritjet në dalje të Merdares dhe Dheut të Bardhë

    Deri në gjysmë ore janë pritjet në dalje të pikës kufitare në Merdare.

    Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, kolonat në dalje të Merdares janë deri në 100 metra.

    E njëjta situatë është tek Dheu i Bardhë, atje pritjet për në dalje janë deri në 30 minuta, kurse kolonat kanë arritur deri në 100 metra.

    Ndërkaq, në Mutivodë dhe Muçibabë pritjet në dalje janë deri në 10 minuta.

  • Kurti i thotë Von der Leyen se është e rëndësishme që BE-ja t’i largojë masat

    Kurti i thotë Von der Leyen se është e rëndësishme që BE-ja t’i largojë masat

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përderisa po qëndron në Athinë, zhvilloi një takim miqësor me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

    Sipas Kryeministrisë, një ndër temat kryesore të këtij diskutimi ishin çështjet bilaterale mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, me theks të veçantë në zbatimin e reformave.

    ZKM-ja tha se Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor (EU Growth Plan), të prezantuar nga vetë Presidentja Von der Leyen në Bratisllavë, zbatimi i marrëveshjeve nga Tregu i Përbashkët Rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit, si dhe dialogu në Bruksel ishin ndër tema kryesore të diskutimit.

    “Kryeministri Kurti u shpreh se Kosova ka shënuar progres ekonomik edhe në këtë vit. Ai theksoi se rritja ekonomike reale për çerekun e parë të vitit 2023 është 3,9%. Në gjysmën e parë të 2023-tës të hyrat janë shtuar për 15,8%. Ndërkaq nënvizoi se inflacioni ka rënë nga 11,9% sa ishte në janar në 2,8% në qershor. Inflacioni këtë vit vlerësohet që të jetë në 5.2%”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

    Ai kujtoi takimin e Bratisllavës me 10 korrik për de-eskalim dhe theksoi se për rreth dy muaj nuk ka asnjë incident e as protesta të dhunshme në katër komunat në veri të Kosovës, ndërkohë që kemi edhe numër të shtuar të punëtorëve në ndërtesat komunale. Kosova ka zbatuar zotimet e saj dhe është e rëndësishme që BE të largojë masat.

    “Tutje, në bashkëbisedim ai i kushtoi vëmendje edhe rëndësisë së zbatimit të marrëveshjeve, duke përfshirë marrëveshjet në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal që janë nënshkruar në Berlin në nëntorin e kaluar si pjesë e Procesit të Berlinit”, njofton ZKM-ja.

    “Kryeministri Kurti sonte do të marrë pjesë në darkën e ftuar nga kryeministri grek, Mitsotakis, për liderët e Ballkanit Perëndimor, e cila po mbahet në 20-vjetorin e Samitit të Selanikut.”.

  • Haradinaj: Serbia ta ndalë gjuhën kërcënuese ndaj vendeve njohëse, mos ta harrojë planin franko-gjerman

    Haradinaj: Serbia ta ndalë gjuhën kërcënuese ndaj vendeve njohëse, mos ta harrojë planin franko-gjerman

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se gjuha të cilën është duke e përdorur Serbia, është gjuhë e cila i ka shkaktuar tragjeditë, plagët e të cilave po i vuajmë ende.

    Haradinaj ka thënë se kjo gjuhë i takon të kaluarës.

    “Serbia po flet me gjuhën e të fuqishmit dhe po kërcënon vendet e rajonit që e kanë njohur Kosovën, dhe po paralajmëron edhe vendet e tjera që do ta njohin Kosovën. Kjo gjuhë i takon të kaluarës dhe kjo gjuhë i shkaktoi tragjeditë, plagët e të cilave ende i vuajnë popujt e Ballkanit”, është shprehur Haradinaj.

    Haradinaj ka shtuar se Serbia duhet të ndal kërcënimet dhe të mos harrojë se ka një marrëveshje me Kosovën, që është e njohur si plani franko-gjerman.

    “Vendet e lira, në vendimet e tyre të bazuara në interesin e tyre nacional, e kanë njohur Kosovën. Serbia duhet ta ndal gjuhën e të fuqishmit, të ndal kërcënimet dhe mos të harrojë se e ka një marrëveshje me Kosovën, planin franko-gjerman të përkrahur nga Amerika, dhe t’i kthehet gjuhës së arsyes”.

    “Kosova nuk do të ndalet nga rruga e vet drejt integrimeve euroatlantike. Do të ishte e mençur për Serbinë, që të lëviz nga “status quo” në të cilën gjendet”, ka përfunduar Haradinaj.

  • Bütikofer: Masat e BE-së nuk janë fer, nuk është dashur t’i vihen Kosovës

    Bütikofer: Masat e BE-së nuk janë fer, nuk është dashur t’i vihen Kosovës

    Eurodeputeti gjerman, Reinhard Bütikofer, ka komentuar situatën në të cilën gjendët aktualisht Kosova. Ai ka thënë se masat që BE i ka vënë Kosovës nuk janë reciproke, nuk janë fer dhe nuk është dashur t’i vihen Kosovës.

    Bütikofer pret që Shefi për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, tani pas pushimeve të verës, të takohet me komisionin për punë të jashtme të Parlamentit Evropian, për të cilët thotë se janë të pakënaqur me shumicën e qëndrimeve të Borrell.

    Ai po ashtu ka konfirmuar se po kërkon nga politikëbërësit në Gjermani të marrin një rol më aktiv, në zhvillimet nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës.

    “Këto masa kundër Kosove janë të njëanshme, dhe natyrisht nuk jam me të gjitha i pajtimit se çka Qeveria e Kosovës ka bërë muajt e fundit, janë edhe disa gabime që i ka bërë, mirëpo nëse shohim në anën tjetër me çka dhe si po e kalon situatën Vuçiqi, kam përshtypjen që këto masa nuk janë reciproke, nuk janë fer dhe nuk bën që t’i vihen Kosovës”, tha ai, në RTK.

    Bütikofer thotë se Qeveria e Kosovës duhet të dialogojë dhe se nuk duhet të fokusohemi në renditje të numrit të sanksioneve që po përballet njëri ose tjetri vend, dhe se në Bruksel e SHBA ende ka zëra që mendojnë se është herët të hiqen masat.

    “BE dhe SHBA duhet që të koncentrohen që të bëjnë një agjendë dinamike, që zgjidhja të jetë përfundimtare, pra duhet të fokusohen në zgjidhje e jo vetëm të ankohen për njërën apo tjetrën palë”, tha ai.

    “Borrell duhet të vijë në Parlamentin Evropian në Komisionin për Politike të Jashtme dhe të dëgjoj zërin tonë, dhe ne ta vegjojmë atë, dhe të diskutojmë për qëndrimet e Borrell, me shumicën prej të cilave ne nuk pajtohemi, dhe mendoj se edhe pse ne si parlament formalisht nuk kemi të drejtë vendimmarrje në politiken e jashtme të BE-së, por do të ishte mirë që Borrell të vijë në komision dhe të bisedojmë”, tha Bütikofer.

  • Kurti, Vuçiq, Zelensky – del fotografia e përbashkët e takimit BE- Ballkani Perëndimor në Athinë

    Kurti, Vuçiq, Zelensky – del fotografia e përbashkët e takimit BE- Ballkani Perëndimor në Athinë

    Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka publikuar një fotografi bashkë me liderët e Ballkanit Perëndimor, presidentin e Ukrainës, Zelelensky, si dhe përfaqësues të BE-së e Moldavisë.

    Aty është edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka zhvilluar takime gjatë ditës.

    Michel ka thënë se Ballkani Perëndimor, Ukraina dhe Moldavia kanë një trashëgimi, histori dhe të ardhme të përbashkët evropiane.

    ”Zgjerimi mbetet një prioritet kryesor për BE – një mjet i fortë për të nxitur paqen, sigurinë dhe prosperitetin në kontinentin tonë”.

    ”Ne duhet të gjejmë rrugën përpara për ta bërë realitet këtë vizion të Evropë”, ka shkruar ai në Twitter, të hënën.

    Ky organizim po mbahet me iniciativë të Greqisë dhe nuk po merr pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

    Gjatë ditës ka pasur edhe takime veç e veç, ku është folur edhe për paqen dhe stabilitetin në rajon.

  • Jasharaj: Kjo është një lojë, Nagavci po harron që jeton në Kosovë

    Jasharaj: Kjo është një lojë, Nagavci po harron që jeton në Kosovë

    Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në konferencën e fundit ka deklaruar se është duke e shqyrtuar mundësinë e kalimit të përgjegjësisë për blerjen e teksteve shkollore te prindërit.

    Ajo bëri të ditur se mjetet për blerjen e teksteve shkollore do të paguhen nga buxheti i shtetit përmes rimbursimit, ku mjetet do t’u kalohen prindërve përmes platformës e-kosova.

    Ndërsa, Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj në një prononcim për IndeksOnline ka thënë se ky vendim është qesharak dhe se Ministrja Nagavci ka gabuar rëndë.

    Ai deklaratat e Ministres i quajti naive dhe të papërgjegjshme.

    “Kjo është e çuditshme, unë e kam pritur që Nagavci sot do të kërkojë falje për vonesën e teksteve shkollore dhe të thotë që çështja është përfunduar. Ajo doli më një moment të ri duke thënë se kanë pasur përplasje për çmimet e teksteve shkollore që i paskan paraqitur disa shtëpi botuese që është krejt faji i znj.Nagavci dhe të gjithë të tjerëve që i kanë zgjedhur autoret edhe shtepitë botuse që në qershor të komunikojnë më ta dhe të bejnë marrëveshje në menyrë që librat ti keni ja që ajo frika ime doli e vertëtë”, ka thënë Nagavci.

    Ndër tjerash, Jasharaj theksojë se kjo ideja e e-Kosovës ja kujton idenë e Muratit me mendimin që familjarët nuk do anëtarsohen për t’i marrë mjetet e rimbursimit.

    “Ne nuk do të kemi libra më një shtator dhe ideja e Nagavcit me e-Kosoven ma kujton idenë e Muratit i cili duke tentuar t’i fusë sindikatat dhe duke menduar që ata nuk do të anëtarësohen ja paraqiti prapë kusht e-Kosovën”, tha ai.

    “Sa kuptova Nagavci ju thotë prindërve shkoni në librari bleni tekstet më këto cmimet që i sheshin botuesit e të cilin ajo i kritikojë e pastaj Nagavci dhe Murati do t’i rimbursojnë ato shpenzime që i kanë berë”, ka thënë Kryetari i SBASHK-ut.

    Jasharaj tha se nëse Ministrja nuk është pajtuar me shtëpitë botuese për shkak të çmimit të shtrenjtë, prindërit përsëri do t’i blejnë ato libra po më atë çmim.

    “Është deklaratë naive dhe jo e përgjegjshme të thuhet ne u idhnuam më botuesit se po na lypin çmimet e larta, ju shkoni i bleni e na ju rimbursojmë në të ardhmen. Kjo është një lojë, sepse Nagavci që nga koha që është bërë ministre e harron jetën në Kosovë. Ata që i kanë ka 3-4 femijë nuk kanë mundësi që të kryejnë ketë obligim prindëror tashmë e për të pritur kur t’i teket Muratit tu ja rimbursojë mjetet për tekstet”, vijojë Jasharaj.

    Ai gjithashtu tha se Nagavci është dashur që të bisedojë më shtëpitë botuese për librat në qershor e jo në fund të gushtit.

  • Ekskluzive: Meriton Korenica pritet t’i bashkohet skuadrës turke Manisa FK

    Ekskluzive: Meriton Korenica pritet t’i bashkohet skuadrës turke Manisa FK

    Futbollisti fantastik i Ballkanit, Meriton Korenica pritet të vazhdojë karrierën në futbollin turk.

    26 vjeçari do t`i bashkohet klubit Manisa, pas dy ndeshjeve që skuadra e Ballkanit do t’i zhvillojë përballë Bate Borisov në kuadër të Play Offit në Konferencë Ligë.

    Sipas burimeve të ATV SPORT, ka qenë Nderim Nexhipi, drejtori aktual i Manisës ai i cili e ka bindur mesfushorin me tipare sulmuese të vazhdojë karrierën në Turqi.

    Kur jemi te Nexhipi, kujtojmë që ai për dy vite ishte drejtor edhe te klubi i Ballkanit.

    Përndryshe, Meriton Korenica do të bëhet shitja e dytë e Ballkanit këtë merkato. Më parë nga klubi Kampion i Kosovës është shitur edhe sulmuesi Albion Rrahmani.

    22 vjeçari Albion Rrahmani u transferua në futbollin rumun te skuadra Rapid Bukuresht për 600 mijë euro.

  • Në shtator udhëzimi gati, zgjedhjet e reja në veri në duar të votuesve serbë

    Në shtator udhëzimi gati, zgjedhjet e reja në veri në duar të votuesve serbë

    Pas 1 shtatorit, zgjedhjet e reja në veri të vendit do të mbeten në vullnetin e votuesve në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi tha se procesi do të determinohet këto ditë. Kryesuesi i grupit punues që po e harton një udhëzim administrativ për këtë çështje tregoi se çfarë mbetet deri në zgjedhjen e kryetarëve të rinj atje.

    Procesi i zgjedhjeve të reja në veri do të determinohet në ditët në vijim, tha sot ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Një grup zyrtarësh në këtë ministri që nga fillimi i këtij muaji po punojnë për ta hartuar një udhëzim administrativ që do t’i hapte rrugë zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të vendit, duke i larguar fillimisht kryetarët aktualë nga detyrat.

    Krasniqi tha se si ministër e ka kryer pjesën e tij të punës për zgjedhjet, duke mos dashur të flasë më shumë për produktin (udhëzimin administrativ), që pritet të dalë më 1 shtator.

    “Sa i përket zgjedhjeve në veri, është një proces që do të determinohet në ditët në vijim. Si ministri dhe si ministër kam mbuluar përgjegjësinë time duke filluar me udhëzimin administrativ, i cili parasheh të drejtën e qytetarëve për mbledhjen e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve nga detyra”, tha ai gjatë një vizite në Gjakovë.

    “Kjo nuk është për veriun, kjo mund të aplikohet nesër edhe për kryetarin e Gjakovës dhe cilindo kryetar të komunave të Kosovës. Kështu që në këtë moment nuk dua të diskutoj më shumë rreth produktit për shkak se në fund të muajit do të kemi një produkt nga grupi punues dhe atëherë mund të bashkëbisedojmë për përmbajtjen e tij”, shtoi Krasniqi.

    Deri tash, ministri tha se “gjithçka është në rregull” dhe se “është duke shkuar mirë” puna e grupit punues për hartimin e udhëzimit administrativ. Ai tregoi se zyrtarët i kanë zhvilluar dy takime, duke theksuar se “nuk mund të jap asnjë detaj shtesë”.

    Pas udhëzimit administrativ, çka mbetet deri në zgjedhje?

    Besim Myrtezani, kryesues grupit punues të caktuar nga Ministria, i tha Gazetës Express se po i përgatisin “krejt detajet” që do t’i përmbajë udhëzimi administrativ për caktimin e procedurave dhe afateve për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave.

    Ai tregoi se udhëzimi administrativ do t’i përmbajë të gjithë hapat që duhen ndjekur deri në largimin e kryetarëve.

    “Parashihen krejt hapat, prej fillimit të procedurës, iniciativës qysh shkon deri te pjesa e dërgimit të peticionit në KQZ. E KQZ-ja i organizon votimet për largim”, tha Myrtezani

    Projekt-dhëzimi administrativ parashihet të procedohet te zyra e sekretarit të përgjithshëm të MAPL-së deri më 1 shtator dhe siç tregoi kryesuesi, atë “e nënshkruan ministri”.

    “Dhe pas shpalljes në Gazetën Zyrtare dhe hyrjes në fuqi, qytetarët kanë të drejtë ta nisin iniciativën pas udhëzimit”, tha ai.

    Myrtezani tha se më pas mbetet në vullnetin e qytetarëve të vendosin nëse duan të nisin peticion për largimin e kryetarëve. Nëse procedohet edhe me peticionin, në votime nevojiten 50% plus një votë për t’i larguar kryetarët aktualë nga detyrat.

    Sipas nenit 72 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, kërkesa për largimin e një kryetari të komunës duhet nënshkruar nga 20% e votuesve dhe duhet t’i dorëzohet kryesuesit të kuvendit të komunës, “i cili e paraqet çështjen në institucionin përkatës për administrimin e votimit”.

    “Nëse shumica e votuesëve të regjistruar votojnë për largimin e kryetarit, zgjedhjet e reja për kryetar duhet të bëhen në pajtim me Ligjin mbi zgjedhjet”, thuhet në pikën 3 të këtij neni.

    Kryeministri Albin Kurti pati thëmë më 26 korrik se po bëheshin gati për zgjedhje të reja në veri, saktësisht dy muaj pasi kryetarët e rinj shqiptarë atje u futën në objektet komunale me ndihmë të Policisë. Pak ditë më pas, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nisi procedurën për hartimin e udhëzimit administrativ lidhur me iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave.

    Lëvizja e Qeverisë drejt zgjedhjeve të reja erdhi pasi me Bashkimin Europian më 10 korrik u arrit një marrëveshje për për shtensionimin e situatës në veri të vendit, e nënshkruar nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe emisari i BE-së, Miroslav Lajçak në Bratisllavë.

    Qeveria u pajtua, siç njoftoi vetë, që “pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs” dhe që ta “shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve”.

    BE-ja preferonte që zgjedhjet të bëheshin përmes dorëheqjeve të kryetarëve aktualë për shkak të rrugës më të shkurtër, por kryeministri Albin Kurti insistoi se nuk mund t’i detyrojë ata që ta bëjnë këtë gjë. Shefi i Qeverisë e theksonte vazhdimisht nenin 72 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale që parasheh rrugën drejt zgjedhjeve përmes ndërmarres së iniciativës për këtë nga vetë votuesit.