ATV

Author: ATVLive

  • Zelensky lavdëron ukrainasit për “luftën për liri” në Ditën e Pavarësisë

    Zelensky lavdëron ukrainasit për “luftën për liri” në Ditën e Pavarësisë

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e lavdëroi popullin ukrainas për luftën për “liri” në një fjalim të mbajtur më 24 gusht për ta shënuar Ditën e Pavarësisë së vendit, që për herë të dytë po festohet përderisa në disa zona të Ukrainës vazhdojnë luftime të ashpra kundër pushtimit rus.

    “Sot ne festojmë 32 vjetorin e pavarësisë sonë – pavarësinë e Ukrainës. Një festë e njerëzve të lirë”, tha Zelensky, në një deklaratë të publikuar në rrjete sociale.

    Liria “është një vlerë për secilin prej nesh dhe ne po luftojmë për të”, tha Zelensky, në një kohë kur lufta në Ukrainë po hyn në muajin e saj të 19-të.

    Shefi i inteligjencës ushtarake të vendit, Kyrylo Budanov, tha në platformën Telegram se lufta për pavarësi “vazhdon edhe sot e kësaj dite – tani me agresorin perandorak”, duke iu referuar Rusisë.

    Shefi i shërbimit të sigurisë së Kievit, Vasyl Maliuk, tha gjithashtu në Telegram se festa ka marrë tani “kuptime të reja” shkaku i luftës me Rusinë.

    “Ajo u bë jo vetëm personifikimi i së drejtës sonë për jetë dhe liri, por edhe një simbol i heroizmit dhe trimërisë”, tha Maliuk.

    Një seri ngjarjesh janë planifikuar në të gjithë Ukrainën për ta shënuar këtë ditë. Në Kosovë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës organizoi pritje zyrtare për gazetarët ukrainas që janë zhvendosur në Kosovë pas fillimit të luftës në Ukrainës, përmes programit “Journalists in Residence – Kosovo” – të iniciuar nga dy organizata evropiane të gazetarëve dhe të mbështetur financiarisht nga Qeveria e Kosovës.

    Në Bruksel, ndërtesat e qeverisë së BE-së u ndriçuan me ngjyrat e flamurit të Ukrainës gjatë natës dhe flamujt ukrainas u ngritën përkrah atyre të BE-së.

    Shefja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, përgëzoi ukrainasit për “guximin, forcën dhe shpresën e tyre të qëndrueshme në një të ardhme paqeje dhe prosperiteti në një Evropë të bashkuar”.

    “Ata janë një frymëzim për të gjithë evropianët”, tha ajo në rrjete sociale./rel

  • Kurti feston Ditën e Pavarësisë së Ukrainës në Ballkonin e Qeverisë, flet për Zelenskyn

    Kurti feston Ditën e Pavarësisë së Ukrainës në Ballkonin e Qeverisë, flet për Zelenskyn

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendësen e tij, Donika Gërvalla-Schwarz, mirëpritën sot qytetarët ukrainas të strehuar në Kosovë, në mesin e tyre edhe gazetarët ukrainas për të shënuar bashkërisht Ditën e Pavarësisë së Ukrainës në ballkonin e Qeverisë.

    Të mbledhur për të përkujtuar këtë moment historik, kryeministri Kurti bashkë me të ftuarit vlerësuan qëndrueshmërinë, vendosmërinë, por edhe unitetin e popullit ukrainas, të cilët ndonëse kanë kaluar 32 vite pas shpalljes së pavarësisë, sot e gjejnë veten përsëri në pozicionin që duhet ta mbrojnë sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të vendit të tyre kundër pushtimit rus.

    Në adresimin e tij, kryeministri tha se Republika e Kosovës qëndron plotësisht prapa Ukrainës në këtë mision të shenjtë, duke përmendur së fundmi edhe pjesëmarrjen e Kosovës në Deklaratën e Përbashkët të G7 për Mbështetjen për Ukrainën.

    “Vetëm këtë javë, ne iu bashkuam Deklaratës së Përbashkët të G7 për Mbështetjen për Ukrainën. Duke vepruar kështu, ne shprehim gatishmërinë tonë për të kontribuar gjithçka që mundemi për mbrojtjen e Ukrainës, në këtë kohë nevoje”, tha kryeministri Kurti. Ai veçoi edhe takimin që pati të hënën në Athinë me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, teksa u shpreh me shpresë që në takimet e ardhshme të mund të diskutojnë se si Kosova dhe Ukraina mund të punojnë bashkë në promovimin e vlerave që ndajmë dhe interesave të përbashkëta që kemi.

    Bashkë me urimin për Ditën e Pavarësisë, kryeministri Kurti uroi gjithashtu herën tjetër e së shpejti të mund të takohemi përsëri, por kësaj radhe për të festuar triumfin e Ukrainës kundër dhunës, brutalitetit dhe agresionit rus, ndërkohë tha se “jemi krenarë që ju kemi mirëpritur në vendin tonë dhe të lumtur që Kosova është shtëpia juaj e dytë”.

    Gazetarët ukrainas në këtë takim u shoqëruan edhe nga Kryetari i Associacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha dhe përfaqësues së Qendrës Europiane të Lirisë dhe Shtypit të Medias, Drejtori Menaxhues, Lutz Kinkel dhe Flutura Kusari.

  • Gërvalla takon gazetarët ukrainas: Do të festojmë bashkë fitoren

    Gërvalla takon gazetarët ukrainas: Do të festojmë bashkë fitoren

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla tha se Kosova e dinë se çfarë nënkupton pavarësia.

    Sipas saj, gjithë qytetarët e Kosovës e kanë ndjerë agresionin dhe luftën.

    “Kjo ditë është histori, qëndresë dhe pavarësi. Ju e keni ndjerë vet, por do të mundohem të shpjegoj se pse ju jeni të veçantë. Unë isha e detyruar ta lë Kosovën, gjithçka që e kishim e lamë prapa. Ne ishim vetëm një familje, në mesin e mijëra familjeve. Ne jemi më të vogël se Ukraina, sa i përket agresionit ne e ndjemë në lëkurën tonë se si është të jesh target i agresionit. E dimë që historia juaj po mohohet”, tha ajo.

    Kështu u shpreh ajo në diskutimin me gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë, në kuadër të programit “Journalists-in-Residence Kosovo”.

    Gërvalla shtoi se Kosova mbështet Ukrainën dhe është e bindur se do të fitojë.

    “Kosova qëndron me Ukrainën e re, dëshiron të ju mbrojë juve. Ukraina do të gëzojë sovranitetin dhe pavarësinë e plotë. Jam e bindur se do të festojmë bashkë me ju fitoren”, shtoi ajo.

  • Haradinaj uron Ukrainën për Ditën e Pavarësisë: E kuptojmë më së miri luftën e popullit ukrainas

    Haradinaj uron Ukrainën për Ditën e Pavarësisë: E kuptojmë më së miri luftën e popullit ukrainas

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka uruar Ukrainën me rastin e Ditës së Pavarësisë së saj.

    Haradinaj ka thënë se Kosova dhe populli i saj e kuptojnë më së miri luftën e popullit të Ukrainës.

    “Kosova dhe populli i saj e kupton më mirë se kushdo tjetër luftën e popullit të Ukrainës për liri e për mbrojtje të shtetit, prandaj jemi rreshtuar përkrah botës demokratike në mbrojtje të vlerave universale të lirisë, që sot me aq vendosmëri po i mbron populli ukrainas”, është shprehur Haradinaj.

    Urimi i plotë:

    Ukrainë, gëzuar Dita e Pavarësisë!

    Kosova dhe populli i saj e kupton më mirë se kushdo tjetër luftën e popullit të Ukrainës për liri e për mbrojtje të shtetit, prandaj jemi rreshtuar përkrah botës demokratike në mbrojtje të vlerave universale të lirisë, që sot me aq vendosmëri po i mbron populli ukrainas.

    Kur rrugët e lirisë dhe fatet janë të ngajshme, edhe urimet janë të përzemërta!

    Ukrainë, urime Dita e Pavarësisë e me fitore të reja drejt lirisë së plotë!

  • Begaj mesazh urimi Zelenskyt: Shqipëria qëndron e palëkundur ndaj integritetit territorial të Ukrainës

    Begaj mesazh urimi Zelenskyt: Shqipëria qëndron e palëkundur ndaj integritetit territorial të Ukrainës

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj i ka dërguar një telegram urimi homologut ukrainas, Volodymyr Zelenskyt për Ditën së Pavarësisë së Ukrainës.

    Begaj përmend marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve dhe rithekson qëndrimin e palëkundur ndaj integritetit territorial, sovranitetit dhe të pavarësisë së Ukrainës.

    Ky urim i Begajt vjen në 32-vjetorin e pavarësisë së Ukrainës, e cila është duke u përballur me pushtimin nga ana e Rusisë.

    Ky është mesazhi i plotë i Begajt:

    “I nderuar Zoti President!

    Kremtimi i Ditës së Pavarësisë së Ukrainës më jep mundësinë dhe kënaqësinë që edhe në emër të popullit shqiptar t’Ju përcjell Juve dhe popullit mik të Ukrainës urimet më të mira e të përzemërta.

    Më lejoni që me këtë rast të shpreh kënaqësinë për marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve tona, të cilat këtë vit kremtojnë 30-vjetorin e tyre, por edhe të vlerësoj lidhjen e sinqertë midis dy popujve tanë, falë edhe diasporës së hershme shqiptare në Ukrainë. Në këtë 30-vjetor, si shenjë e dëshirës dhe e vullnetit tonë për të qenë sa më pranë Ukrainës dhe për të intensifikuar më tej bashkëpunimin, Shqipëria ka vendosur ta ngrejë nivelin e pranisë së saj diplomatike në Kiev.

    Përfitoj nga rasti të ritheksoj qëndrimin e qartë dhe të palëkundur të Shqipërisë në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe të pavarësisë së Ukrainës. Ju siguroj se Shqipëria do të vazhdojë të kontribuojë në Këshillin e Sigurimit dhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por edhe me mbështetje diplomatike e ushtarake, pasi ndajmë vlera dhe interesa të përbashkëta euroatlantike.

    Me urimet më të mira në këtë ditë të shënuar për vendin Tuaj, Ju lutem pranoni Zoti President, shprehjen e respektit dhe të konsideratës sime më të lartë”.

  • “Në Prishtinë ka shumë libra dhe njerëzit janë shumë miqësor” njihuni me Holandezin që flet shqip

    “Në Prishtinë ka shumë libra dhe njerëzit janë shumë miqësor” njihuni me Holandezin që flet shqip

    Emisioni veror i ATV-së, “n’mal An’det”, vazhdon të sjellë për shikuesit argëtim, intervista dhe eksplorim kulturor.

    Në këtë emision, vend të veçantë zënë mërgimtarët, të cilët bëjnë rrëfimet e tyre të ndryshme nëpër të cilat kanë kaluar.

    Në emisionin e mbrëmshëm, në studio ishte i ftuar një mysafir i veçantë. Bëhet fjalë për një holandez me emrin Gerard Spaans, i cili ka shprehur interesim për ta mësuar gjuhën shqipe.

    “Në Prishtinë ka shumë libra”, thotë ai në gjuhën shqipe.

    “Njerëzit janë shumë miqësorë, ushqimi është vërtet i mirë, më pëlqejnë malet. Kam studiuar gjuhët indieuopiane dhe tani shikoj huazimet nga greqishtja e vjetër në shqip”, tha Gerard-i.

    Ai tregon se ka tetë muaj që e mëson gjuhën shqipe.

  • Prigozhin “vdiq” në një aksident avioni në vitin 2019, tri ditë më vonë u zgjua i gjallë dhe mirë

    Prigozhin “vdiq” në një aksident avioni në vitin 2019, tri ditë më vonë u zgjua i gjallë dhe mirë

    Në Rusi, askush nuk e ka thënë ende zyrtarisht se Yevgeny Prigozhin ka vdekur, edhe pse të gjitha agjencitë kanë njoftuar se emri i tij ishte në listën e pasagjerëve në aeroplanin që u rrëzua dje pranë Moskës.

    Pra, ka ende dyshime nëse Prigozhin ka vdekur. Kështu besojnë edhe ushtarët e tij, mercenarët e Wagnerit.

    Sidoqoftë, kjo nuk do të ishte hera e parë që Prigozhin do ngrihej nga ‘të vdekurit’. Shumë njerëz sot kanë kujtuar një përplasje avioni kur kreu i Wagnerit ishte shpallur i vdekur vetëm për t’u rishfaqur i gjallë dhe mirë para kamerave televizive tre ditë më vonë.

    Në tetor të vitit 2019, një avion ushtarak An-27 u rrëzua në Republikën Demokratike të Kongos. Asokohe, ishte njoftuar se Prigozhin ishte në mesin e të vrarëve, por vetëm tre ditë më vonë doli se ai ishte ende gjallë.

    “Të mos çuditemi nëse ai së shpejti shfaqet në një video të re nga Afrika”, tha Keir Giles, një analist britanik.

    Daily Mail shkruan edhe për videon në të cilën shfaqet Prigozhin me zëvendësin e tij, i cili është edhe ndër të vdekurit në këtë aksident, duke thënë se ‘vdekja nuk është fundi’ dhe se ‘të gjithë do të shkojmë në ferr’.

    Në atë regjistrim, Dmitry Utkin i thotë Prigozhinit se “vdekja nuk është fundi, por fillimi i diçkaje tjetër”, dhe Prigozhin i përgjigjet: “Po, ne të gjithë do të shkojmë në ferr dhe në ferr do të jemi më të mirët”.

  • Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane e Malit të Zi, iu ndalua hyrja në Serbi

    Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane e Malit të Zi, iu ndalua hyrja në Serbi

    Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane e Malit të Zi Jovana Maroviq nuk është lejuar të hyjë në Serbi.

    Këtë informacion Maroviq e ka publikuar në Twitter.

    “Më refuzuan hyrjen në Serbi për shkak të mbrojtjes së sigurisë së Republikës së Serbisë dhe qytetarëve të saj. Faleminderit Aleksandër Vuçiq që më bëre heroinë”, ka shkruar ajo.

  • Mbi 200 anije të bllokuara në Kanalin e Panamasë pas rënies së nielit të ujit

    Mbi 200 anije të bllokuara në Kanalin e Panamasë pas rënies së nielit të ujit

    Më shumë se 200 anije, që mendohet se transportojnë mallra me vlerë miliona dollarë, janë bllokuar në të dy anët e Kanalit të Panamasë për shkak të ndalesave të detyrueshme që vijnë nga thatësira.

    Daily Mail raporton se vendimi i autoriteteve për të ndalur transitet ditore përmes Kanalit të Panamasë në 32 anije deri më 2 shtator, si përgjigje ndaj thatësirës së vazhdueshme, ka çuar në bllokime të rënda në trafikun detar, shkruan AA.

    Efekti kumulativ i anijeve të bllokuara ka çuar në një humbje të llogaritur të të ardhurave prej 200 milionë dollarë, transemton KosovaPress.

    Vlerësohet se mallrat me vlerë miliona dollarë kalojnë përmes rrugës ujore 80 kilometra që lidh oqeanin Atlantik dhe Paqësor.

    Mes bllokimit të kanalit, disa kompani thuhet se po eksplorojnë rrugë alternative për të shmangur vonesat.

  • Biden: Nuk jam i befasuar, Putini qëndron prapa

    Biden: Nuk jam i befasuar, Putini qëndron prapa

    Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden komentoi aksidentin me avion në të cilin vdiq lideri i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin.

    Ai tha se nuk është i befasuar nga ngjarja.

    “Nuk jam i sigurt se çfarë ka ndodhur saktësisht, por nuk jam i befasuar”, u tha Biden gazetarëve në Kaliforni, ku ndodhet me pushime.

    I pyetur nëse mendon se pas çdo gjëje qëndron presidenti rus Vladimir Putin, Biden tha se “nuk ka shumë gjëra që ndodhin në Rusi pas të cilave Putini nuk qëndron”.

    Megjithatë, ai shtoi se ai “nuk di mjaftueshëm për të qenë në gjendje t’i përgjigjet asaj pyetjeje me saktësi”.

    Në qershor, Prigozhin udhëhoqi një rebelim ushtarak kundër presidentit rus që ishte sfida më e madhe për regjimin e Putinit në dy dekada.