Dy persona janë plagosur me armë në orët e mbrëmjes në një lokal në Shëngjin, përkatësisht te “Rana e Hedhun”, ka njoftuar Policia e Shtetit.
Të plagosurit janë shtetas të Shqipërisë dhe kanë pranuar tretman mjekësor dhe janë jashtë rrezikut për jetë.
Organet e rendit në Shqipëri kanë bërë të ditur se kanë identifikuar autorët e plagosjes por ata janë ende në arrati.“Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe si rezultat i veprimeve të shpejta kanë bërë të mundur identifikimin e autorëve, konkretisht shtetasit B. C., F. C. dhe K. C., dhe vijon kontrolli i zonës për kapjen e tyre. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit”- thuhet në njoftim.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka ka njoftuar se të prindërit nga e premtja mund të aplikojnë për subvencionimin e teksteve shkollore.
Ajo ka njoftuar se do të ndahen nga 80 euro për blerjen e librave për nxënësit nga klasa e parë deri në të 5-ën si dhe nga 30 euro shtesë si mbështetje për materiale të tjera shkollore për nxënësit nga klasa e 6-të deri në të 9-tën.
Postimi i plotë i saj:
Të dashur prindër,
📚Nga nesër mund të aplikoni për subvencionimin e teksteve shkollore. Mjetet do të dalin në xhirollogaritë tuaja që nga fillimi i javës së ardhshme.
🟢Do të ndahen 80 euro për nxënësit nga klasa 1 deri në klasën e 5 për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore.
🟢Po ashtu, për herë të parë për nxënësit nga klasa 6 deri në klasën e 9 të cilët tashmë i kanë të siguruara tekstet mësimore, do të ndahen 30 euro si mbështetje për materiale të tjera shkollore.
📍Platforma e aplikimit bashkë me instruksionet do të publikohet nesër. Çmimet e teksteve do të publikohen nga shtëpitë botuese ku lista e teksteve të përzgjedhura nga aktivet profesionale tashmë është e gatshme andaj, ftojmë të gjithë prindërit të konsultohen me mësimdhënësit se cilat tekste duhet t’i blejnë.
Veturat e blinduara të Shërbimit Korrektues, në Pallatin e Drejtësisë po sjellin Bedri Krasniqin e Alban Dezdarin.
Para se t’i zbresin të akuzuarit për vrasjen e dy policëve në vitin 2004, numër i madh i policëve sigurojnë perimetrin.
Brenda sallës, tashmë i prisnin familjarët me të cilët patën mundësi të përshëndeten.
Që në fillim të seancës, Dezdarit ju aprovua kërkesa për t’ia bërë disa pyetje Krasniqit lidhur me ditën kritike.
Por, kur i erdhi koha të deklarohej vet, Dezari kërkoi të mbyllet seanca.
Bedri Krasniqi e Alban Dezdari akuzohen se në mbrëmjen e 23 marsit të vitit 2004, kishin vrarë një pjesëtar të UNMIK-ut dhe një polic të Kosovës, duke shtënë mbi 108 herë me kallashnikov në drejtim të veturës me të cilën po udhëtonin.
Të akuzuar për këtë rast ishin edhe Bajram Kiqmari dhe Faik Shaqiri, por ishin liruar nga Gjykata Supreme. Ish-Gjykata e Qarkut e Prishtinës, më 9 nëntor 2007, e kishte shpallur fajtor për sulmin që ishte konsideruar si terrorist vetëm Shkumbin Mehmetin.
Kronikën e plotë e gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:
Ndonëse njihet për pasuritë nëntokësore, Kosova nuk e di saktësisht çfarë ka në shtresat që tejkalojnë thellësinë e 100 metrave.
Që nga përfundimi i luftës nuk janë kryer studime të thella që do të mund të zbulonin potencialin nëntokësor, përtej mineraleve të ndryshme në Trepçë dhe zonat përreth në veri, por edhe thëngjillit në pjesën qendrore apo zona të tjera.
Për të zbuluar potencialin nëntokësor të Kosovës, Qendra Shqiptare për Studime Strategjike në Tiranë, ndër vite, u ka propozuar qeverive në Prishtinë, përfshirë aktuales, realizimin e një studim i përgjithshëm gjeologjik.
Mos kryerjen e një studimi që do të tregonte për depozitat eventuale të karbonit, gazit dhe naftës, 24 vjet pas luftës, Geri Selenica nga kjo qendër e vlerëson turp.
“Kam biseduar me një kryeministër disa kohë më parë dhe ai harxhoi 500 mijë euro për flamuj për festën kombëtare dhe nuk kanë harxhuar 3 milionë euro për të bërë një studim se çka ka Kosova poshtë. Duhet të kuptoni që Kosova është rezerva e dytë më e madhe elektrike në Evropën kontinentale. Aty ku ka qymyre ka edhe hidrokarbure tjera. Kështu që, si duket, faktikisht Jugosllavia këtë e ka ditur, por në Kosovë nuk ua kanë bërë me dije. Ky është studimi numër një që duhet të bëjë Kosova”, tha Selenica.
Mes tjerash, në propozimin e Qendrës – bashkëngjitur me disa oferta konkrete, thuhet se ekspertët e gazit dhe naftës janë pozitivë lidhur me praninë eventuale të rezervave të naftës dhe gazit, që mund të identifikohen gjatë studimit.
Studimi me dy hallka, sipas Selenicës, si hap të parë do të kishte studimin e përgjithshëm gjeologjik të formacioneve në Kosovë.
“Dhe e dyta, duhet bërë një studim bërë një studim gjeo-fizik. Inxhinierët tanë e kanë përcaktuar shumë saktë se ku është zona potencialisht që mund të ketë naftë dhe gaz në Kosovë dhe ky do një studim gjeo-fizik. Jo studim të rëndë gjeofizik, por një studim gjeofizik me një teknologji që quhet tiluromangetike, dhe me shkarkesa elektrike, ti arrin të shikosh deri në 4 kilometra. Aq mjafton që të kuptosh nëse ke shtresa naftëmbajtëse ose gazmbajtëse”, tha Selenica.
Në kontekstin e politikave strategjike, ai i vlerësoi si shumë të rëndësishme zhvillimet e fundit lidhur me naftën në Shqipëri.
“Sa i përket lajmit të mirë nga Shqipëria, ky është nj lajm që kemi ditur, se ka 50 vjet që janë zbuluar këto rezerva nafte dhe gazi, dhe janë gjigante. Është zona midis Beratit dhe Elbasanit. Por, nuk kemi pasur teknologjinë për ta nxjerrë naftë dhe gazin nga thellësi 6000 deri në 7000 metra”, tha Selenica.
Nafta e zbuluar në zonën e Shpiragut, sipas Selenicës është e cilësisë shumë të lartë – deri në 39 API dhe se në total do të arrijë kapacitetin, deri në 50 mijë tonë në ditë.
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Që nga fillimi i muajit korrik, për një litër naftë kosovarët kanë paguar mesatarisht 20 deri në 30 centë më shumë se çmimi i importit, përfshirë taksat.
Në muajin gusht, sipas të dhënave të Doganës, çmimi mesatar i importit për një litër naftë, pa taksa ishte, 73 centë, ndërsa me taksa 1 euro e 28 centë.
Ndërkaq, në pikat e shitjes një litër naftë, tash e disa javë, shitet deri në 1 euro e 49 centë.
Në muajin korrik, çmimi mesatar i importit për një litër naftë ishte më pak se 1 euro e 16 centë – derisa qytetarëve u shitej deri në 1 euro e 43 centë.
Pavarësisht faktit se vendimi i Qeverisë për çmimin tavan parasheh që naftëtarët të fitojnë 12 centë për 1 litër naftë, me çmimin aktual ata fitojnë rreth 20 centë.
Ndonëse pranoi se ka kompani që nuk e respektojnë çmimin tavan, ministri i Financave, Herkuan Murati nuk tregoi për masat qe do të ndërmerren.
“Pra mund te flitet për një marzhë të caktuar ka disa kompani të cilat nuk e kanë respektuar dhe janë në procedura te mëtejme dhe MINT-i do te marrë masat e duhura” , tha Murati.
Pavarësisht konstatimit të ministrit dhe gjendjes në terren, nga Shoqata e Naftëtarëve thanë se vendimi po respektohet.
“Sa i përket vendimit të ministrisë vendimi në bazë informatave është duke u respektuar. 12 centë marzha e fitimi për pikat e karburantit me pakicë dhe 2 centë marzha e fitimit për import”, thotë Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve.
Sipas kryetarit të Shoqatës se Naftëtarëve, kosovarët po shërbehen me çmimet më të volitshme në rajon.
Kronikën e plotë e gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:
Ferizaj është njëra nga komunat që po dëmtohet nga grandet për shkak të vonesave në regjistrimi të popullsisë.
Kjo pasi që sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2011, Ferizaj rezulton te këtë 108 mijë banor, rreth 15 mijë më pak sa është aktualisht, ndërsa buxheti ndahet në bazë të statistikave të vjetra.
Për shkak të mos regjistrimit të popullsisë, sipas Ajetit po rrezikohen edhe fondet nga Bashkimi Evropian.
Njohës të ekonomisë vlerësojnë se vonesat në regjistrimin e popullsisë mund të shkaktojnë edhe pasoja tjera për vendin.
Përmes një vendimi Qeveria, dje shtyu procesin e regjistrimit të popullsisë me 1 nëntor më arsyetimin se nuk janë kryer të gjitha përgatitjet, ani pse ishte paraparë të fillonte nga 1 shtatori.
Kronikën e plotë e gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:
Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier e ka uruar Ukrainën në Ditën e saj të Pavarësisë.
Sipas tij, ShBA-ja e përsërit angazhimin e saj për ta mbrojtur pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës.
“Ndërsa urojmë Ukrainën për këtë ditë historike, ne përsërisim angazhimin tonë të palëkundur për të mbrojtur pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e saj”, shkroi Hovenier në Twitter.
Ai ka publikuar një fotografi të një banderole të madhe të vendosur në objektin e ambasadës amerikane në Prishtinë me mesashin “Të bashkuar me Ukrainën.
“Siç tha Presidenti Biden muajin e kaluar, ‘Angazhimi ynë ndaj Ukrainës nuk do të dobësohet. Ne do të qëndrojmë për lirinë dhe lirinë sot, nesër dhe për aq kohë sa të duhet’. E thënë me fjalë të thjeshta: pushtimi brutal dhe në shkallë të plotë i Presidentit Putin në Ukrainë është një veprim që kërcënon paqen dhe sigurinë jo vetëm të një vendi, por të gjithë Europës dhe më gjerë”, thuhet në deklaratën e Hovenier, të cilën e ka shpërndarë në një postim në Twitter.
Po ashtu, diplomati amerikan theksoi se “solidariteti i Kosovës ka rëndësi dhe ka pasur ndikim”, transmeton Paparaci.
“Solidariteti i Kosovës ka rëndësi dhe ka pasur ndikim. Siç e kam thënë edhe më parë: ajo që ju, Kosovë, qëndroni dhe me kë qëndroni, ka rëndësi. Populli i Kosovës është pjesë përbërëse e kësaj përpjekjeje globale për ta refuzuar sfidën brutale të Putinit ndaj një kombi të pavarur dhe sovran. Shtetet e Bashkuara, Kosova dhe partnerët tanë do të vazhdojnë të qëndrojnë të bashkuar me Ukrainën sot, ndërsa ne e kremtojmë së bashku ditën kombëtare të Ukrainës dhe çdo ditë në mbështetjen tonë për vlerat demokratike dhe sigurinë evropiane”, thuhet në deklaratën e tij.
Hulumtuesja e lartë në institutin “Octopus”, Arta Haxhixhemajli, ka reaguar pas deklaratave të autorit të librit “Zemra serbe e Johanit”, Veselin Dzeletoviq, se me bashkëpunëtorët nga Hollivudi po xhirojnë një filmin bazuar në librin e tij. Ajo në formë pyetëse ka lënë të nënkuptohet se mbështetja e Hollivudit në këtë mënyrë i bën jehonë propagandës ruse.
Libri “Zemra serbe e Johanit” ka përmbajtje propagandistike. Prandaj, po konsiderohet se mesazhi ose përmbajtja e filmit mund të përputhet me disa nga idetë që propaganda ruse po promovon.
Duke theksuar se ky libër flet për “trafikimin e organeve në Kosovë”, Haxhixhemajli ka apeluar për vetëdijësim për historitë që promovohen dhe shpërndahen.
“Autori Veselin Dzeletoviq diskuton filmin ‘Serbsko srce Johanovo’ mbi trafikimin e organeve në Kosovë. A i bën jehonë mbështetja e Hollivudit shqetësimeve të propagandës ruse? Le të jemi të vetëdijshëm për historitë që promovojmë dhe shpërndajmë”, ka shkruar ajo në “X”.
Ndërsa autori serb, Veselin Dzeletoviq ka deklaruar për Kurir se “buxheti për filmin është 15 milionë euro” dhe se “po vijnë bashkëproducentët nga Hollivudi”.
“Shpresoj, besoj në Zotin, që në muajt e ardhshëm të fillojmë xhirimet e atij filmi të madh hollivudian. Bashkëproducentët tanë vijnë nga Hollivudi. Ata sjellin një shumë të mirë parash. Është një film i madh, buxheti ynë është 15 milionë euro. Ne po bëjmë gjithçka me kaq shumë kujdes dhe kujdesemi për gjithçka, sepse është një histori që, për mendimin tim, mund të ndryshojë shumë gjëra. Kushdo që e ka lexuar romanin e di se çfarë po ndodh atje poshtë”, pretendon ai sipas mediave serbe.
Bordi Drejtues i SHSKUK’së sot ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme, me kërkesë të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.
Sipas njoftimit të SHKUK’së, pika e vetme e rendit të ditës ka qenë vdekja e pacientit në dhomën e Klinikës së Psikiatrisë.
“Pas diskutimeve, Bordi Drejtues ka kërkuar nga drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së, konform përgjegjësive dhe autorizimeve ligjore të bëjë vlerësim të gjendjes dhe bazuar në kompetencat e tij të ndërmarrë veprimet ligjore ndaj personave përgjegjës. Po ashtu, do të ndërmerren veprime të tjera ligjore, me qëllim të parandalimit të rasteve të tilla”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë:
Sot, Bordi Drejtues i ShSKUK-së, me kërkesë të ministrit të Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme ku pikë e vetme e rendit të ditës ishte ngjarja e fundit e ndodhur në Klinikën e Psikiatrisë.
Pas diskutimeve, Bordi Drejtues ka kërkuar nga drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së, konform përgjegjësive dhe autorizimeve ligjore të bëjë vlerësim të gjendjes dhe bazuar në kompetencat e tij të ndërmarrë veprimet ligjore ndaj personave përgjegjës.
Po ashtu, do të ndërmerren veprime të tjera ligjore, me qëllim të parandalimit të rasteve të tilla.