ATV

Author: ATVLive

  • Zëdhënësi i VV-së ftohet nga Prokuroria Speciale

    Zëdhënësi i VV-së ftohet nga Prokuroria Speciale

    Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, është ftuar nga Prokuroria Speciale, pasi kishte reaguar lidhur me lirimin e Dejan Pantiqit.

    Lajmin e ka bërë të ditur vetë Manxhuka, i cili përmes një postimi në facebook, ka thënë se është aktive sipas tij, kur ka të bëjë me qytetarë që ndërlidhen me VV-në.

    “Prokuroria Speciale nuk është se ishte pasive, përkundrazi ajo është më aktive se kurrë në përndjekje të qytetarëve me prefixin VV. Pra, ky është keywordi që i bënë përshtypje kësaj Prokurorie”, ka shkruar Manxhuka.

    Postimi i plotë i tij:

    Rreth 250 denoncime të shkeljeve e proceseve korruptive janë bërë nga ana e ministrive përgjatë kësaj kohe të qeverisjes. Veprimet e prokurorisë jo që ishin të mangëta, por shpeshherë rrëzuan raste me situatë të qartë.

    Por, Prokuroria Speciale nuk është se ishte pasive, përkundrazi ajo është më aktive se kurrë në përndjekje të qytetarëve me prefixin VV. Pra, ky është keywordi që i bënë përshtypje kësaj Prokurorie.

    Në këtë linjë, për nesër jam ftuar për intervistim nga Prokuroria Speciale, në lidhje me reagimin tim në rastin e lirimit të kriminelit/terrorist Dejan Pantiq. Detajet besoj do t’mi jep nesër prokurorja.

    Unë i plotësoj të gjitha kushtet për të marrë ftesë nga prokuroria si për nga prefixi ashtu edhe nga keywordi, por kjo përpjekje e nomenklaturës së moçme si në politikë ashtu edhe në Prokurori për të frikësuar qytetarin e Kosovës, aktivistin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! është dëshmuar të jetë e kotë.

    Nuk do të ja dalin.

  • Hovenier e Kurti nënshkruajnë marrëveshje për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar

    Hovenier e Kurti nënshkruajnë marrëveshje për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar

    Qeveria e Kosovës dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë nënshkruar marrëveshje mbi masat e sigurisë me qëllim të mbrojtjes së informacionit të klasifikuar, raporton EO.

    Marrëveshja u nënshkrua nga ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier dhe kryeministri Albin Kurti. Ambasadori Hovenier e quajti shumë të rëndësishme këtë marrëveshje.

    Me këtë rast kryeministri Kurti tha se marrëveshja parasheh veprimet e të dy palëve në raport me informacionin e humbur, mënyrën e asgjësimit të informacionit të klasifikuar, e ndarjes së tij në raport me palët e autorizuara.

    “Koncepti i sigurisë kombëtare është udhërrëfyes i qeverisjes së përgjithshme. Qeveria e ka për detyrë të sigurohet që qytetarët janë të mbrojtur, dhe një gjë e tillë e bën përmes veprimeve të mençura politike, ekonomike, diplomatike e ushtarake”.

    “Siguria kombëtare është e drejtë dhe nevoje. Ajo përkthehet në vullnetin dhe obligimin e Qeverisë te merr vendime me të cilat garanton pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit, detyrë kjo e cila kërkon jo rrallë ruajtjen e informacionit si konfidencial”.

    “Mbrojta e atillë e informacionit parashihet me ligi dhe siguron mbrojtje përderisa interesi kombëtar dikton një gjë të tillë. Prandaj sot, se bashku me ambasadorin Hovenier u dakorduam që informacioni i kategorizuar si i tillë do ruhet ashtu siç e parasheh legjislacioni nacional dhe nuk do zbulohet përveç ndaj atyre që posedon certifikatë të sigurisë, pa marrë parasysh pozitën apo titullin që personi i interesuar në informacion të klasifikuar gëzon”, tha Kurti.

  • Zelensky: Ukraina nuk ka asnjë lidhje me vdekjen e raportuar të Prigozhinit

    Zelensky: Ukraina nuk ka asnjë lidhje me vdekjen e raportuar të Prigozhinit

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka thënë se Ukraina nuk ka asnjë lidhje me vdekjen e raportuar të udhëheqësit të Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, sipas agjencisë ruse të lajmeve “Interfax”.

    Është raportuar se Prigozhin ka vdekur pas rrëzimit të një aeroplani në rusi, por këto raportime ende nuk janë konfirmuar, shkruan Sky News.

    Ndërkaq, akuza në lidhje me këtë rast ka pasur ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, por ky deri më tani nuk ka bërë ndonjë koment.

  • Reagon vëllai i Oliver Ivanoviqit: Vuçiq u vonua shumë për kërkim falje

    Reagon vëllai i Oliver Ivanoviqit: Vuçiq u vonua shumë për kërkim falje

    Miroslav Ivanoviq, vëllai i Oliver Ivanoviqit, ka thënë se kërkim falja nga Gjermania për deklaratën e ministrit serb të policisë Bratisllav Gashiq se vrasësit e ish-liderit të Iniciativës Qytetare “Serbia, Demokracia, Drejtësia” janë nën mbrojtjen e shtetit gjerman, ishte dashur të bëhet shumë më herët mga presidenti Aleksandar Vuçiq.

    “Një deklaratë e tillë, si ajo e Gashiqit, nuk tolerohet dhe nuk harrohet në botën diplomatike. Dhe për këtë duhet të merren disa masa me dëshmi për një kërkim falje serioze për ta nxjerrë këtë vend nga ky skandal”, ka thënë Mirosllav Ivanoviq, për gazetën serbe Danas

    Siç ka shtuar ai, “është e sigurt që së paku duhej të përmendet edhe familja e Oliverit në të gjitha këto, sepse ata nuk e kuptojnë dhe nuk e kanë idenë se çfarë do të thotë publikimi i një informacioni të tillë, madje edhe shumë më të butë, për familjen dhe disponimin e familjes”.

    Aleksandar Ivanoviq, nipi i Olliver Ivanoviqit, tha se “ky është një turp i madh që sigurisht nuk mund të zgjidhet duke i kërkuar falje Gjermanisë dhe duke mbetur ministri Bratisllav Gashiq në postin e ministrit të Policisë”.

    Ai ka vlerësuar se pas këtij skandali, Gashiq do të duhet të japë dorëheqje ose të shkarkohet me procedurë urgjente.

    “Pas kësaj, i takon prokurorit të vërtetojë arsyet pse ministri Gashiq, tashmë është e qartë për të gjithë, qëllimisht ka mashtruar opinionin kur së fundi e ka valëvitur dosjen e Oliver Ivanoviqit në Kuvendin e Serbisë dhe ka thënë se rasti është zgjidhur, se dihet kush është vrasësi dhe ku është, nën mbrojtjen e shtetit gjerman”, ka theksuar Ivanoviq.

    Dje Vuçiqi i ka kërkuar falje Gjermanisë për pretendimin e Gashiqit, duke deklaruar se Serbia kishte folur me pjesëtarët e shërbimit gjerman dhe kishte marrë garanci dhe prova se ata nuk i fshehin të dhënat.

  • Abazoviq takohet me komandantin e KFOR-it

    Abazoviq takohet me komandantin e KFOR-it

    Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në takim me komandantin e KFOR-it, Angelo Michelle Ristuccia, ka thënë se Mali i Zi gjithmonë ka kontribuar në stabilitetin rajonal dhe paqen në Ballkanin Perëndimor.

    Abazoviq, në një postim në Facebook, ka shkruar se vendi i tij i jep mbështetje të plotë KFOR-it, në misionin e tij për ruajtjen e sigurisë.

    “Mali i Zi gjithmonë kontribuon në stabilitetin rajonal dhe paqen në Ballkanin Perëndimor. Mbështetje e plotë KFOR-it në misionin e tij dhe punën e mëtejshme për ruajtjen e sigurisë. Sot, diskutova me komandantin e forcave ushtarake ndërkombëtare në Republikën e Kosovës, gjeneralin italian, Angelo Ristuccia, për shumë tema me interes të ndërsjellë”, ka shkruar Abazoviq.

  • Wagner paralajmëron hakmarrje: Po nisemi, na prisni

    Wagner paralajmëron hakmarrje: Po nisemi, na prisni

    Rusët pretendojnë se kreu i grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin ka humbur jetën nga rrëzimi i aeroplanit privat në afërsi të Moskës, saktësisht dy muaj pas rebelimit të tij të dështuar kundër ushtrisë ruse.

    Kanali Grey Zone në Telegram që ka lidhje me grupin mercenar rus Wagner, pretendon se aeroplani është rrëzuar qëllimshëm.

    “Po ai ka vdekur”, thuhet në kanalin e Telegramit që ka lidhje të afërta me Wagner-in, transmeton Telegrafi.

    “Madje është në ferr do të jetë më i miri. Slava Rusia”, thuhet ndër tjera në kanalin që Prigozhin e përdorte për shpërndarjen e videove.

    Pas “vdekjes” së tij shtrohet pyetja se çfarë do të ndodhë tani me Wanger. E ata duket se po kërkojnë hakmarrje. Në kanalet e ndryshme në Telegram dhe rrjetet e tjera sociale, ata paralajmërojnë hakmarrje.

    “Po flitet shumë për atë se çfarë do të bëjë Wagner në këtë situatë. E themi vetëm një fjalë. Jemi nisur, na prisni”, thuhet ndër tjera në video.

  • PDK me aksion simbolik para Qeverisë, në emër të VV-së hap konkurs për diller të drogës

    PDK me aksion simbolik para Qeverisë, në emër të VV-së hap konkurs për diller të drogës

    Partia Demokratike e Kosovës përmes një aksioni simbolik ka reaguar përsëri për aferën “Droga”, ku ishte i përfshirë asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Besnik Mujeci, i cili javën e kaluar u arrestua si pjesë e një grupi kontrabandues në Shqipëri, pasi iu zunë mbi 11 mijë e 300 doza drogë, që kapin shumën rreth gjysmë milioni euro.

    Rinia e PDK-së ka vendosur një baner para Qeverisë së Kosovës me mbishkrimin “Konkurs për Diller të Drogës”, raporton Ekonomia Online.

    Kryetari i Rinisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë, Trim Syla ka thënë se sot, në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, po e shpallin këtë konkurs.

    “Siç e dini, asamblisti i kësaj partie është zënë me drogë, me 11.300 doza ekstazi, prandaj, e kuptojmë që kanë mbetur keq për shpërndarës të drogës brenda dhe jashtë Kosovës”, theksoi ai.

    Syla tha se Qeveria Kurti mund të mos ketë libra dhe bukë për qytetarët, po drogë ka me bollëk.

    “Sot, kur po flasim, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nga mbi 1.2 milion qytetarë në moshë pune, mbi 77 mijë janë të papunë dhe mbi 750 mijë janë ekonomikisht joaktivë. Ndërkaq, rreth 100 mijë të rinj e kanë lëshuar vendin në dy vitet e fundit. As nuk po mund ta paramendojmë edhe sa të tjerë do të ikin nga janari. Përdorimi dhe shpërndarja e drogës nga partia në pushtet, po i ndihmon edhe njërës edhe tjetrës. Kjo Qeveri ndoshta libra edhe bukë nuk ka, po drogë ka sa të duash”, shtoi ai.

  • Bullgarja që e bën shqiponjën me duar, thotë fjalë të mëdha për shqiptarët

    Bullgarja që e bën shqiponjën me duar, thotë fjalë të mëdha për shqiptarët

    Emisioni veror i ATV-së, “n’mal An’det”, vazhdon të sjellë për shikuesit argëtim, intervista dhe eksplorim kulturor.

    Në këtë emision, vend të veçantë zënë mërgimtarët, të cilët bëjnë rrëfimet e tyre të ndryshme nëpër të cilat kanë kaluar.

    Në emisionin e mbrëmshëm, në studio ishte i ftuar një mysafir i veçantë. Bëhet fjalë për një bullgare me emrin Dobi Trendafilova, e cila ka shprehur interesim për ta mësuar gjuhën shqipe.

    Ajo thotë se edhe pse shqipja është e vështirë për ta mësuar si gjuhë të huaj, asaj i pëlqen shumë sepse tingëllon shumë bukur.

    “Për të qenë i sinqertë, po, vetëm sepse është kaq e ndryshme nga gjithçka tjetër. Për shembull, bullgarishtja është një gjuhë sllave. Ju mund të kuptoni shumë gjuhë të tjera nëse dini bullgarisht, por shqipja është kaq e ndryshme, veçanërisht shqiptimi, tingëllon kaq ndryshe, por tingëllon shumë bukur të them të drejtën”, thotë Dobi.
    Ajo tregon se edhe shoqërisë së saj i ka folur shumë për Shqipërinë dhe Kosovën, madje shpesh sa herë bëjnë foto, e bëjnë shqiponjën me duar.

    “Me shoqet e mia, ne shkojmë gjithmonë në pushime dhe gjithmonë u them ‘hajde shkojmë në Shqipëri, shkojmë në Shqipëri, por nuk kam arritur t’i bind akoma, ende pse ato tashmë e pëlqejnë Shqipërinë, sepse i kam prezantuar. Kosova sigurisht dhe po unë fillova ta bej këtë (shqiponjën me duar) dhe tani me të gjithë miqtë e mi, kur bëjmë foto, thjesht e bëjmë edhe ketë (shqiponjën me duar). Historia është vërtetë interesante”, tregon Dobi.

  • Përfituan 1.4 miliardë dollarë gjatë pandemisë, SHBA po heton 3000 persona

    Përfituan 1.4 miliardë dollarë gjatë pandemisë, SHBA po heton 3000 persona

    Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës njofton se ka sekuestruar mbi 1.4 miliardë dollarë të vjedhura nga fondet e ndihmës për të përballuar pandeminë e koronavirusit, teksa në të gjithë vendin po hetohen mbi 3 mijë persona për vjedhje.

    Sipas Zërit të Amerikës, akuza federale janë ngritur kundër 371 të dyshuarve për vepra që lidhen me mashtrime që kapin vlerën mbi 836 milionë dollarë.

    “Kjo çështje, që përfshin mbi 300 të pandehur dhe mbi 830 milionë dollarë në mashtrime, duhet të dërgojë një mesazh të qartë: situata emergjente e krijuar nga pandemia mund të ketë përfunduar, por puna e Departamentit të Drejtësisë për të identifikuar dhe ndjekur penalisht ata që vodhën fondet e pandemisë nuk ka përfunduar”, tha në një deklaratë Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland.

    Shtetet e Bashkuara po hetojnë shumë raste mashtrimi të lidhura me programet e ndihmës së qeverisë. Në maj të vitit 2021, prokurori Garland formoi një grup pune për të hetuar mashtrimet me ndihmat kundër pandemisë.

    Sipas një agjencie federale, ka të ngjarë që të jenë vjedhur mbi 200 miliardë dollarë nga programet e ndihmës kundër COVID-19, kjo edhe për arsye se në përpjekje për të përshpejtuar ndarjen e fondeve për pandeminë, administrata kishte ulur masën e kontrollit.

  • Vdekja e gruas në Malishevë pasi heqi dhëmbin, kërkohet paraburgim për dy të arrestuarit

    Vdekja e gruas në Malishevë pasi heqi dhëmbin, kërkohet paraburgim për dy të arrestuarit

    Një grua rreth moshës 35 vjeçare ka humbur jetën në Malishevë, pasi që e njëjta ishte paraqitur në një klinikë në këtë komunë për hequr një dhëmb ku më pas i ishte komplikuar gjendja shëndetësore.

    Pas komplikimit të gjendjes shëndetësore e njëjta ishte dërguar për trajtim në QKUK, mirëpo viktima kishte arritur pa shenja jete.

    Lidhur me rastin Policia e Kosovës të mërkurën njoftoi se ka arrestuar dy persona, një burrë dhe një grua të dyshuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.

    E tashmë Prokuroria Themelore në Gjakovë ka parashtruar kërkesën për paraburgim për dy të arrestuarit.

    Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zyrtari i lartë për bashkëpunim profesional në këtë Prokurori, Hekuran Batusha.

    “Prokurori i rastit ka parashtruar kërkesën për paraburgim ndaj të dyshuarit XH.K për veprën penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor” dhe veprën tjetër penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”.

    Ndërkaq për të dyshuarën H.K gjithashtu është bërë kërkesa për paraburgim për veprën penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” si dhe “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve””, ka thënë Batusha.

    Ministria e Shëndetësisë gjatë të mërkurës në një njoftim për media, tha se institucioni privat shëndetësor në Malishevë, në të cilin u trajtua 35-vjeçarja që shkoi për ta hequr një dhëmb e vdiq pasi iu komplikua gjendja, ka ushtruar veprimtari ilegale.

    Në një njoftim për media lidhur me këtë rast, Ministria ka bërë të ditur se përmes Inspektoratit Shëndetësor, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, “menjëherë kanë ndërmarrë të gjitha veprimet konform kompetencave pas rastit tragjik që rezultoi me fatalitet për një qytetare”.

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka reaguar lidhur me këtë rast, ku tha se të gjithë janë të tronditur.

    Ai ka deklaruar se ky rast tragjik shënon një moment vendimtar për ndalimin e pandëshkueshmërisë dhe papërgjegjshmërisë në praktikat e licencimit.

    “Kam kërkuar me gjithë fuqinë që më jep ligji që të kontrollohet çdo hap e veprim i komisionit vlerësues që i paraprinë licencimit. Dhe çdo procedurë. Ndaj përgjegjësve, do të ketë masa. Në rast të evidentimit të shkeljeve penale ato do të procedohen menjëherë në organet e drejtësisë”, ka shkruar Vitia.