ATV

Author: ATVLive

  • Viti i ri shkollor nisi me probleme të shumta në sigurimin e teksteve shkollore

    Viti i ri shkollor nisi me probleme të shumta në sigurimin e teksteve shkollore

    Përgatiti: Jeta Selmanaj

    Të premten me një shtator filloi viti i ri shkollor 2023/2024.

    Për dallim nga vitet e kaluara kur zakonisht problem ishin grevat, këtë vit problem është pajisja me tekste shkollore, të cilat ka 15 vite që sigurohen përmes Ministrisë së Arsimit dhe nxënësit i marrin falas në objekte shkollore.

    Por, këtë vit MASHT-i bëri një ndryshim që librat i blejnë prindërit me paratë subvencionuara nga Qeveria e Kosovës e që për këto para prindërit u udhëzuan të aplikojnë sistemin elektronik E-Kosova.

    Kjo gjë ndodhi në arsyetimin e MASHT-it për transparencë dhe menaxhimin e mirë të buxhetit të shtetit.

    “Për të filluar mbarë vitin e ri shkollor dy mijë e njëzet e tre-dy mijë e njëzet e katër, me qëllim të rritjes së transparencës dhe menaxhimit të mirë të buxhetit, mjetet për sigurimin e teksteve do të deponohen në xhirollogaritë e prindërve”, kishte thënë ministrja Nagavci në video mesazhin përmes të cilit u bëri thirrje prindërve të aplikojnë për subvencionimin e teksteve shkollore.

    Por, kaq e thjeshtë sa për Ministrinë e Arsimit nuk ishte për prindërit. Aplikimi në E-Kosova për rimbursim hapi probleme të reja, prindër pa xhirollogari bankare, prindër që patën probleme në aplikim, komuna që nuk kanë librari e prindër që u detyruan të shkojnë në komuna të tjera për blerjen e librave.

    “Vëshir është sepse më së pari ti duhet me shku me kerr. Pa pasë kerr nuk mund shkon në Ferizaj a në Prishtinë. Tash normal duhet me qenë një librari këtu në Kaçanik”, thotë një prind.

    Mundësitë e ulëta financiare që librat t’i blejnë para një shtatorit, para se t’i marrin subvencionet e shumë probleme të tjera, për këtë çështje u deklaruan edhe njohësit e arsimit.

    Në anën tjetër, ndarja e shumave për blerjen e librave për fëmijët nga klasa e parë deri në të pestën nga pesëdhjetë euro për tekste shkollore dhe tridhjetë euro për mjete shkollore nga librashitësit u konsiderua e mjaftueshme.

    “Mendoj që është çmim i favorshëm kështu se pesëdhjetë euro bëhet kompleti i librave, tridhjetë euro mbesin për këto produkte tjera harxhuese”, thotë një shitës në një librari.

    Pavarësisht kësaj, me një shtator pati fëmijë që klasën e parë e filluan pa libra, sepse subvencionet për to nuk kanë dalë ende për të gjithë dhe jo të gjithë prindërit patën mundësi financiare t’i blejnë librat për fëmijët e tyre, para se paratë dalin nga shteti.

    “Do t’i blej sivjet librat edhe kështu që unë nuk kena ba kurrafr pyetjeje a duhet me i siguru shkolla apo dikush tjetër”, thotë një prind.

    “Po thonë që me i ble, po ne s’kemi mundësi me i ble, ku me marrë me ble pa punë, pa sen…”, thotë një prind tjetër.

    Pikërisht për këtë arsye edhe mësimdhënësit ankohen se këto vonesa do të shkaktojnë probleme në procesin mësimor.

    “Sigurisht do të jetë shumë e vështirë nëse nuk pajisen me libra për shkak që neve do të na mbesin orë të pazhvilluara, sipas planifikimit, por ne po urojmë që do të do të gjejnë zgjidhje prindërit dhe nuk do të humbasim mësim as fëmijët, po edhe ne nuk do të mbesim prapa për sa i përket planprogramit”, thotë një mësimdhënëse.

    Me 29 gusht përfunduan procedurat e pagesave për Grupin e parë të aplikuesve, e që ishin tetëdhjetë e një mijë aplikime, sipas njoftimit të Ministrisë së Arsimit.

    Ndërkaq, Grupi i dytë i aplikuesve do të rimbursohet ditë dhe në vazhdim, sipas MASHT-it.

    Kjo ministri gjithashtu ka njoftuar që aplikimi në e-Kosova do të mbetet i hapur deri më tridhjetë shtator.

    Po ashtu, Ministria e Arsimit ka premtuar se do të ofrohet ndihmë e nevojshme të gjithë prindërve që hasin në probleme në sigurimin e teksteve shkollore dhe se asnjë fëmijë nuk do të mbesë pa libra.

    Më shumë detaje rreth kësaj çështje i gjeni në emisionin “A LIVE”, të cilin e gjeni në videon më poshtë:

  • Kushtetuesja pezullon zbatimin e nenit që parasheh faljen e 100 eurove të tatimit në pronë

    Kushtetuesja pezullon zbatimin e nenit që parasheh faljen e 100 eurove të tatimit në pronë

    Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme për nenin 5 të Ligjit për tatimin në pronë, i cili parasheh faljen e 100 eurove të tatimit për qytetarët.

    Kjo është bërë pasi që Komuna e Prizrenit, para dy javësh e kishte dërguar ligjin për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.

    “Gjykata, njëzëri, ka vendosur që (i) kërkesa për vendosjen e masës së përkohshme lidhur me aktin e lartcekur të miratohet në kohëzgjatje deri më 30 nëntor 2023; dhe për pasojë (ii) të pezullohet menjëherë zbatimi i nenit 5 të Ligjit Nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme dhe zbatimi i vendimeve të nxjerra në bazë të këtij neni deri në afatin e lartcekur”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

  • Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, nis dëgjimi i dëshmitarit të 20-të

    Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, nis dëgjimi i dëshmitarit të 20-të

    Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, seanca e të hënës ka filluar me dëgjimin e dëshmitarit të 20-të (me kodin 04368) në këtë çështje.

    Dëshmia e tij pritet të zgjas një ditë dhe atë parashihet se prokurorisë i duhet 1 orë, mbrojtësit të viktimave gjysmë ore dhe ekipeve mbrojtëse 5 orë për ta marr në pyetje të njëjtin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Seanca po vazhdon në sesion publik.

    Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

    Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

    Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.

    Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.

    Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.

    Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq me 15 qershor ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit i nëntë.

  • KFOR me ushtrime stërvitore, do të shtojë trupat në dy zona – përfshirë Manastirin e Deçanit

    KFOR me ushtrime stërvitore, do të shtojë trupat në dy zona – përfshirë Manastirin e Deçanit

    Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i ka njoftuar se nga data 5 deri më 7 shtator, do të zhvillojë një stërvitje ushtarake në Kosovën perëndimore.

    Sipas njoftimit, për shkak të ushtrimeve ushtarake, ushtarët dhe automjetet e KFOR-it gjatë kësaj periudhe do të vendosen në afërsi të Krushevës dhe Manastirit të Deçanit.

    “Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO do të zhvillojë një stërvitje rutinë ushtarake në Kosovën perëndimore nga data 5 deri më 7 shtator 2023. Aktiviteti stërvitor do të kryhet nga Komanda Rajonale-Kontingjentet Shumëkombëshe Perëndimore dhe do të fokusohet në procedurat dhe përgatitjen e gatishmërisë operacionale të njësisë. Ushtarët dhe automjetet e KFOR-it gjatë kësaj periudhe do të vendosen në afërsi të Krushevës dhe Manastirit të Deçanit”, thuhet në njoftim.

    Aty jepen edhe detaje tjera.

    “Aktivitetet stërvitore do të përfshijnë lëvizje si ditën ashtu edhe natën në terren. Do të ketë gjithashtu autokolona mjetesh ushtarake të përbëra nga pajisje të rënda inxhinierike që do të udhëtojnë në rrugët kryesore dhe dytësore brenda zonës. KFOR-i i kryen këto ushtrime rutinë për qëllime provash dhe trajnimi për të ofruar reagim në kohë dhe të sigurt sa herë që kërkohet. KFOR-i kërkon të sigurojë ndikim minimal në popullatën civile gjatë gjithë kohës gjatë stërvitjes dhe kërkon bashkëpunimin e komuniteteve lokale gjatë këtij aktiviteti”, vijon njoftimi.

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Për ditën e sotme në vendin tonë parashihet të mbajë mot kryesisht me intervale të shkurtra diellore ku pas ditës pritet të ketë edhe reshje të shiut.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 11 gradë Celsius, ndërsa atë maksimalen do ta mbajë Prizreni me 23 gradë Celsius.

    Edhe në ditën e nesërme parashikohet të mbajë mot kryesisht me kthjellime dhe vranësira të herë pas hershme.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 11 gradë Celsius, ndërsa atë maksimalen do ta mbajë Peja me 25 gradë Celsius.

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Rrugëtimi frymëzues i atletit Erzen Zyberaj drejt titullit të kampionit të vrapimit malor prej 100 kilometrash në garën ndërkombëtare në Turqi

    Rrugëtimi frymëzues i atletit Erzen Zyberaj drejt titullit të kampionit të vrapimit malor prej 100 kilometrash në garën ndërkombëtare në Turqi

    Atleti Erzen Zyberaj ka treguar klasin e tij në një garë shumë të vështirë, në 100 kilometra, që u zhvillua në Uludag të Turqisë, ku doli kampion i kësaj gare, duke befasuar të gjithë të pranishmit.

    Ai në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, tregoi se, përkundër që kishte disa probleme shëndetësore, ai vazhdoi garën ku u shpallë edhe kampion.

    “Gara ka qenë e vështirë sepse unë kam pasur disa probleme shëndetësore, sepse realisht është dashur me e ndërpre atë garë, mirëpo unë nuk e kam ndërprerë, e kam vazhduar edhe në fund jam shpallur kampion”, tregoi Erzen.

    Ai tha se kjo ishte pjesëmarrja e tij e tretë në gara ndërkombëtare të vrapimit nëpër mal në Turqi. Në dy të parat, ai kishte pasur disa probleme, ndërsa në të tretën u shpallë kampion, garë kjo që ishte më e vështira në krahasim me garat e tjera.

    “Në vitin 2021, kur kam marrë pjesë për herë të parë, e kam lënduar këmbën dhe më është dashur ta ndërpres garën, pastaj vitin tjetër një garë tjetër, 60 kilometra, aty kam qenë duke fituar, por për shkak të disa problemeve që e kemi humbur shtegun, është dashur me u kthy prapë, me ba kilometra më shumë, edhe aty pastaj kam dalë i dyti, ndërsa këtë vit dola i pari. E treta e vërteta”, u shpreh Erzeni.

    Ai thotë se fitorja më e madhe për të ka qenë bindja e vet-vetës se mund t’ia dalë të vrapojë në një distancë prej 100 kilometrash, në terren tejet të vështirë me përpjetëze e tëposhtëze të mëdha.

    “Ultra maratonat, pra vrapimet mbi 40 kilometra, kërkojnë një ushtrim më specifik, duhesh me vrapu pak më gjatë, duhesh me ndejt në këmbë tua një kohë më të gjatë, duhen stërvitje, edhe fitnes, biçikletë, kërkon goxha kohë e mund. Unë prej që kam fillu prej tri viteve kam arritë me ndryshu. Unë them se jam kampion për veten time për faktin se kam arritë me e ndryshu veten time, me e bindë veten që unë mundem me vrapu 100 kilometra, sepse ne fillim kur kam fillu, thosha me vete “qysh munden njerëzit me vrapu 100 kilometra”. Ndërsa tash i bëj 100 kilometra dhe kënaqem”, tha Erzeni.

    Ai tregon se në garën e fundit në Uludag të Turqisë, ka arritur t’i bëjë 100 kilometra për 12 orë e 35 minuta, në të cilën ka pasur rreth 4600 metra ngjitje. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë të mëngjesit për ditën e sotme e gjeni në videon më poshtë:

  • Kelmendi: Si trajnere po i shijoj më shumë sukseset e xhudos

    Kelmendi: Si trajnere po i shijoj më shumë sukseset e xhudos

    Majlinda Kelmendi ka filluar të jap rezultate impresionuese tashmë edhe si trajnere e xhudos.

    Nën drejtimin e saj dhe të Driton Kukës, xhudistët kosovarë fituar tetë medalje të arta individuale si dhe u shpallën kampion ballkanik në garën ekipore.

    Këto suksese Kelmendi tha për KosovaPress se ishin duke i pritur, por që edhe u befasuan nga disa prej xhudistëve të rinj.

    “Realisht për ditën e djeshme, në gara individuale, ka shkuar më mirë se sa e kemi pritur. Sigurisht qe prej Lorianës, Akilit, Distrisë kemi pritur medalje të arta, mirëpo Muhamedin Veseli edhe Dion Sharapolli na kanë befasuar për të mirë, kjo tregon që në xhudon e Kosovës do të dalin në të ardhmen edhe emra të rinj. Kështu që në përgjithësi ka shkuar jashtëzakonisht mirë. Jemi kënaqur, garat ekipore në përgjithësi janë me adrenalinë, shumë interesant, kështu që ka qenë atmosferë jashtëzakonisht e mirë, garuesit kanë qenë jashtëzakonisht të motivuar”, tha Kelmendi.

    Ajo shtoi se garuesit u motivuan shumë nga fakti se kjo garë u zhvillua në Kosovë, e posaqërisht në qytetin e Pejës.

    “Sigurisht që po, nëse Kampionati Ballkanik do të ishte mbajtur në ndonjë shtet tjetër jam e sigurt që asnjëri prej garuesve nuk do të kishte shprehur vullnet të marrë pjesë, por, përderisa është mbajtur në Kosovë, në qytetin tonë, në qytetin e Pejës, secili ka qenë i gatshëm të marrë pjesë për vet faktin që ndoshta janë familjarët këtu, janë bashkëqytetarët, kështu që me kënaqësi kanë marrë pjesë.”, thekso Kelmendi.

    Tutje, Kelmendi theksoi se tani do të përgatiten për Kampionatin Evropian të xhudos që zhvillohet po ashtu në Kosovë në muajin dhjetor dhe se aty synojnë suksese të tjera.

    “Po besoj që po, jemi duke punuar intensivisht, jemi duke u përgatitur në maksimum edhe Kampionati Evropian do të jetë jashtëzakonisht i fortë. Presim shumë më shumë njerëz të vijnë, ta shohin garën, do të jetë shumë interesant, do të marrin pjesë yjet botërore, kështu që po besojmë që do të kemi sukses edhe atje.”, shtoi më tutje ish-kampionia olimpike.

    Ajo thekson se për dallim nga koha kur garonte dhe e kishte presionin e fitimit të medaljeve, tani si trajnere po e shijon shumë më shumë këtë sport.

    “Sigurisht që po, po e shijoj në maksimum. Si garuese kam pasur shumë stres, shumë ngarkesë dhe presion, ndoshta për vet faktin që të gjithë shqiptarët presin që Majlinda të jetë e para, kështu që tani si trajnerë po e shijojë shumë më shumë.”, tha në fund ajo.

  • Ngjyrat dhe stilet e preferuara të veshjeve dhe grim-it në sezonin e vjeshtës

    Ngjyrat dhe stilet e preferuara të veshjeve dhe grim-it në sezonin e vjeshtës

    Koha e vjeshtës është një moment i veçantë në vit, ku natyra ndryshon ngjyren dhe klima bëhet e freskët.

    Ndërkohë që jemi gati në fund të periudhës së relaksuar të verës, ndjenjat ndryshojnë dhe dëshira për një gardërobë të re dhe të përshtatshme për stinën e re bëhet akoma më e fortë.

    Në këtë kohë të ndryshimit, për të ndier bukurinë e vjeshtës në stilin tuaj, disa kombinime që duhet t’i keni në radhët tuaja janë pantallonat e buta dhe xhinset në ngjyra të ndryshme të vjeshtës.

    Kombinimi i tyre me një bluzë të rahatshme dhe këpucë të rehatshme të krijojnë një pamje të përsosur të stilit të vjeshtës.

    Një bluzë e hollë në ngjyrë të ngrohtë, si bordeaux, kombinuar me xhinse të errët, krijon një pamje të mrekullueshme për kohën e vjeshtës.

    Triko dhe pantallona të gjera gjithashtu preferohen gjatë kësaj stine.

    Ngjyra ushtarake ka arritur t‘i rezistojë modës edhe këtë sezon.

    Kombinimi i ngjyrave të stinës së vjeshtës me stile të ndryshme mund të krijojë pamje tërheqëse dhe të përshtatshme për çdo rrethanë.

    Kepucët e thella të larta janë krijojnë një pamje të sofistikuar dhe të ngrohtë të cilat mund të kombinohen me një xhaketë të elegante.

    Vjeshta sjell një larmi të ngjyrave, materialeve dhe mundësive për të eksperimentuar me stilin tuaj personal.

    Sa i përket ngjyrave për grimin në stinën e vjeshtës, preferohen të jetë ngjyra e kafesë, ngjyra bordo dhe ngjyrat e kuqe të errëta.

    Këto ngjyra janë karakteristike për vjeshtën dhe sjellin një ndjenjë të pasionit dhe ngrohtësisë. Aksesorët më të shkëlqyeshëm janë shallet të thurura po ashtu si rrathët, byzylykët dhe orët. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë të mëngjesit për ditën e sotme e gjeni në videon më poshtë:

  • Gjendet pa shenja jete një burrë në Kamenicë

    Gjendet pa shenja jete një burrë në Kamenicë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se një burrë është gjetur pa shenja jete në Kamenicë.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës rasti ka ndodhur dje rreth orës 18:20.

    Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

    “VDEKJE E DYSHIMTË – Kamenicë 03.09.2023-18:20 Është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësorë në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.”

  • Gjendet një person pa shenja jete në Rahovec

    Gjendet një person pa shenja jete në Rahovec

    Një person është dërguar pa shenja jete në QKMF’në e Rahovecit.

    “HETIM I VDEKJES – Rahovec 03.09.2023-18:40. Në QKMF është dërguar pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësorë. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, shkruan në raportin e Policisë së Kosovës.