ATV

Author: ATVLive

  • Krasniqi: Kostoja e librave është trefishuar, pabarazi fundamentale mes nxënësve

    Krasniqi: Kostoja e librave është trefishuar, pabarazi fundamentale mes nxënësve

    Në mungesë kuorumi, seanca e jashtëzakonshme për librat në Kuvendin e Kosovës nuk ka filluar, raporton EO.

    Mirëpo, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka bërë një përjashtim duke i lejuar kryetarët e partive të flasin.

    “Nuk ka numra që të fillojmë me seancë të jashtëzakonshme. Mirëpo, po e bëjmë një përjashtim. Le të flasin vetëm kryetarët e grupeve parlamentare”, ka thënë Konfjuca.

    I pari fjalën e mori kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili e ka quajtur të turpshëm dhe të jashtëligjshëm vendimin e Ministrisë për librat. Ai ka pyetur ministren Nagavci nëse ka përfitime personale nga trefishimi i kostos së librave.

    Krasniqi, po ashtu ka thënë se për herë të parë, pas shpalljes së Pavarësisë, qeveria i ka lënë fëmijët e Kosovës pa libra shkollorë.

    “Është për keqardhje që po na imponohet për shkak të papërgjegjësisë së kësaj shumice paralametnare që cdo sesion parlamentar ta fillojmë me seancë të jashtëzakonshme sepse gabimet, veprimet e vendimet e kësaj qeverie po e sjellin situatën të jashtëzakonshme.

    “Sot do të duhej të diskutonim për reformën në arsim, në një situatë normale, për mundësitë e reja që i ka krijuar kjo qeveri për nxënësit tonë, por si opozitë e kemi thirrur këtë seancë për diçka që askush s’e kishte paramenduar, që për herë të parë, pas shpalljes së Pavarësisë, kjo qeveri i ka lënë fëmijët e Kosovës pa libra shkollorë”.

    “Kjo është e turpshme, e për më tepër është shkelje e ligjit. Përtej përgjegjësisë politike, këta njerëz e kjo ministre ka përgjegjësi penale. E kanë shkelur ligjin, e kanë trefishuar koston e librave duke u thirrur në kursime. Në vend se t’iu kushtonte 4.8 milionë, sot po i shpenzojnë 12 milionë euro”, është shprehur ai.

    Ai shtroi pyetje për ministren Nagavci dhe për qeverinë se çfarë plani kanë që t’i kompensojnë humbjet e orëve që I kanë shkaktuar.

    “Do ta imponojnë humbjen e kohës, humbjen e orës për vitin e dytë me radhë. Vitin e kaluar i kanë fajësuar mësimdhënësit, duke i quajtur të paaftë e po prodhojnë analfabetë funksionalë, e sivjet prindërve ua kanë qit edhe një barrë të re, të vrapojnë poshtë e lart që t’i blejnë librat. A di kjo ministre të na tregojë se a ka interesa personale, financiare apo tjerë, që prej 4.8 milionë euro e ka bërë koston 12 milionë euro, që t’iu japë pikërisht atyre që i kritikonte, shtëpive botuese”.

    “A mund të na tregojë kjo ministre e kjo qeveri se çfarë plani ka që t’i kompensojë humbjet e orëve që e kanë shkaktuar tashmë. A mund të na tregojë se si do ta trajtojnë pabaraziën fundamentale që po e krijojnë për herë të parë në Kosovë duke i bërë disa nxënës pa libra e disa nxënës me libra. Dhe, a mund të na tregojë se kush po aplikon tek e-Kosova, sa kanë aplikuar dhe a janë krejt të Kosovës apo edhe ka të tjerë që s’janë rezidentë fare këtu”.

    “100 pyetje është dashur të bëhen në këtë seancë, unë e di që asnjë përgjigje s’e kishim marrë prej këtyre njerëzve, por a ka diçka më të turpshme sesa ikja e shumicës. Nuk jeni duke ikur prej nesh, por prej qytetarëve”.

    “Turp ju qoftë”, ka përfunduar ai.

    Në seancë nuk ka marrë pjesë asnjë deputet i Vetëvendosjes, ndërsa nga kabineti, prezente ka qenë vetëm ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

  • VV-ja s’del në seancë të jashtëzakonshme por thërret konferencë për media

    VV-ja s’del në seancë të jashtëzakonshme por thërret konferencë për media

    Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka thirrur konferencë për media nga ora 13:00, ndonëse një seancë e jashtëzakonshme për çështjen e teksteve shkollore është thirrur nga ora 12:00.

    Seanca e jashtëzakonshme aktualisht nuk ka nisur, pasi asnjë deputet i Vetëvendosjes nuk është në sallë, ndërsa nga kabineti, prezente është vetëm ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

    Në sallë tashmë kanë mbërritur vetëm disa deputetë të opozitës, gjë që nuk ua mundëson kuorumin për të nisur seancën.

    Deputetët e Vetëvendosjes as përkundër thirrjes së kryetarit të kuvendit, Glauk Konjufca, që të gjitha grupet parlamentare të marrin pjesë në seancë, nuk i janë përgjigjur ftesës së të tij.

  • Deputetja e LDK-së: Sot Qeveria e popullit nuk është në Kuvend, po ikin e s’po ballafaqohen me argumentet tona

    Deputetja e LDK-së: Sot Qeveria e popullit nuk është në Kuvend, po ikin e s’po ballafaqohen me argumentet tona

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka hedhur akuza në drejtim të mazhorancës për mospjesëmarrje në seancën e jashtëzakonshme, ku po diskutohet për furnizimin me teksteve shkollore, raporton EO.

    Bajrami ka marrë si shembull mungesën e bibliotekës në Kaçanik, e që prindërve detyrohen të shkojnë në Ferizaj për të blerë tekste shkollore.

    Sipas Bajramit, ka prindër që i kanë vizituar disa librari për t’i kompletuar librat e fëmijëve.

    “Qeveria e majtë e vrau elementin e barazisë të nxënësve në shkolla. Ata çdo 1 shtator kanë nisur mësimin me libra në banka…Sot Qeveria nuk është në kuvend. Nuk po e dimë prej kujt po ikni. Nëse e keni me të drejtë këtë veprimin e juaj që është antiligjor, nga kush po ikni? Kemi parë prindër që i kanë shëtitur deri në 5 librari për t’i kompletuar librat”, është shprehur ajo.

    Deputetja e partisë opozitare ka theksuar se do të ketë nxënës që nuk do të mund t’i kenë të gjitha tekstet shkollore deri në fund të vitit shkollor.

    Bajrami, lëshoi edhe kritika për mazhorancën dhe ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.

    “Me 1 qershor këtë vit ministrja Nagavci ka thënë se nxënësit do t’i kenë librat, tash ndryshoi vendimi dhe nga klasa 6 deri 9, nxënësit t’i marrin librat e vjetër. Sot qeveria e 51% nuk është në Kuvend. Nuk e dimë prej kujt po ikni, në qoftë se e keni me të drejtë, atëherë pse sot nuk i keni deputetët e mazhorancës në Kuvend të përballen me kritikat tona”, u shpreh ajo.

    Bajrami, ka thënë se do të ketë nxënës që deri në fund të vitit shkollor, “nuk do t’i kenë librat në bankë”.

  • Hoti: Kundërshtuesit e Marrëveshjes së Washingtonit po i bartin sot pasojat

    Hoti: Kundërshtuesit e Marrëveshjes së Washingtonit po i bartin sot pasojat

    Ish-kryeministri i Kosovës, njëherit deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka shkruar se Marrëveshja e Washingtonit, e nënshkruar tri vjet më parë mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, ishte kundërshtuar nga populistët që sot janë në pushtet.

    Ai ka deklaruar në Facebook të hënën se për këtë Marrëveshje, që e kishte nënshkruar sa ishte kryeministër, ishte ofenduar e sharë, derisa ka shtuar se ajo është marrëveshja më e rëndësishme për Kosovën që nga shpallja e pavarësisë.

    “Janë thënë shumë të pavërteta për Marrëveshjen e Uashingtonit nga opozita e atëhershme. Cilësimi i një marrëveshje që është arritur në Shtëpinë e Bardhë si e dëmshme dhe e rrezikshme për Kosovën ishte gabim strategjik. Pasojat po i bartin çdo ditë. Unë personalisht jam fyer e sharë nga opozita e atëhershme. Ata populistë sot janë në Kuvend, Qeveri dhe Presidencë. Sot, është e qartë se ato epitete i meritojnë ata, jo unë. Sot, është e qartë se ata persona: ose janë mashtrues, ose janë naivë në marrëdhëniet ndërkombëtare, ose kanë tjetër orientim për Kosovën. E di secili prej tyre se në cilën kategori bien. E di edhe unë”, ka shkruar Hoti.

    Deputeti i partisë opozitare ka shtuar se pas arritjes së kësaj marrëveshjeje me Serbinë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kishte nisur dialogu në Bruksel për njohje reciproke, “bazuar në parimin se nuk bisedohet për territore dhe as për organizimin kushtetues të shtetit”.

  • Osmani në Tiranë: Kryefjala e vizitës sime, strategjia e përbashkët me Shqipërinë për politikën e jashtme

    Osmani në Tiranë: Kryefjala e vizitës sime, strategjia e përbashkët me Shqipërinë për politikën e jashtme

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha bashkërendimi për një strategji dhe veprim të unifikuar me Shqipërinë në politikën e jashtme është kryefjala e vizitës së saj në Tiranë.

    Pas takimit me presidentin shqiptar, Bajram Begaj, Osmani theksoi mbështetjen e madhe që tha se e mori atje, duke shtuar se ajo “nuk ka munguar”.

    “Kryefjala e vizitës sime është bashkërendimi për një strategji dhe veprim të unifikuar të politikës së jashtme”, tha Osmani.

    Ajo foli për Serbinë që tha se “akoma vazhdon me logjikën e zhdukjes sonë nga faqja e dheut”. “Është detyrim i secilit prej nesh që interesat kombëtare t’i vëmë para se gjithash, të koordinohemi në baza ditore, të flasim me një zë të unifikuar. Në qoftë se ndonjëherë kemi ndonjë dallim në strategji, atëherë duhet të ulemi dhe t’i tejkalojmë ato si një familje, sepse një familje jemi”, tha Osmani.

    “Siç kemi pasur nevojë edhe më parë, sërish kemi nevojë për mbështetjen e fuqishme të Shqipërisë, sidomos që të jetë zëri ynë në të gjitha instancat ndërkombëtare ku Kosova ende nuk ka përfaqësim”, tha ndër tjerash Osmani, duke përmendur synimin e vendit për t’u anëtarësuar në NATO e BE.

    Përderisa politika shtetërore e Serbisë vazhdimisht po e sfidon integritetin territorial të Kosovës dhe angazhohet në agresion institucional kundër Kosovës në baza të rregullta, Osmani tha se “ne do të kemi nevojë për përkrahjen e Shqipërisë, e po ashtu edhe për përkrahjen e partnerëve euroaltantikë”.

    “…Natyrisht që pajtohem me presidentin Begaj që koordinimi me miqtë dhe aleatët tanë është parakusht për suksesin tonë kudo e kurdo”, tha ajo.

    Osmani tha se Begaj ka qenë “shumë aktiv” në arenën ndërkombëtare, duke kërkuar anëtarësimin e Kosovës në çdop organizëm ndërkombëtar.

  • Policia raporton për pesë raste të dhunës në familje gjatë javës së kaluar

    Policia raporton për pesë raste të dhunës në familje gjatë javës së kaluar

    Policia në Ferizaj ka njoftuar se gjatë javës së kaluar, janë raportuar pesë raste të dhunës në familje, prej tyre 2 raste në Ferizaj , 2 raste në Shtërpcë dhe 1 rast në Kaçanik.

    Me vendim nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, 4 persona janë ndaluar në mbajtje, ndërsa 1 person është liruar për procedurë të rregullt të mëtejme hetimore.

    “Policia apelon tek qytetarët që të raportojnë rastet e dhunës në familje dhe fton qytetarët që të bashkëpunojnë më policinë. Për të gjitha rastet e dhunës në familje të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406.”

  • Rama përmend sukseset në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, përgëzohet nga LDK-ja e PDK-ja

    Rama përmend sukseset në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, përgëzohet nga LDK-ja e PDK-ja

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se gjatë qeverisjes së tij, Kryeqyteti ka marrë një transformim të madh, ndërsa sfiduese e sheh çështjen me mbeturinat, raporton Ekonomia Online.

    Në raportin e punës për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, Rama ka përmendur ndërtimin e shkollave të reja, zgjerimin të “Termokosit”

    Kreu i Prishtinës ka thënë se kanë arritur t’i shtrojnë qindra rrugë në zonat urbane e rurale.

    “Kryetari i komunës së Prishtinës, Perparim Rama, ka raportuar para asamblesitëve të kësaj komune për punën që kanë bërë gjatë gjashtë mujorti të parë të këtij viti.

    Në seancën e mbajtur të hënë, e cila u bojkotua nga Grupi i Asamblistëve të Vetëvendosjes dhe të AAK-së, Rama tha se komuna e udhëhequr nga ai ka bërë punë të mëdha gjatë gjysmës së parë të këtij muaji.

    “Këtë vit e filluam me përkushtim për përmbushjen e vizionit për transformim të kryeqytetit. Një nuëmr i madh i projekteve kanë filluar që të zbatohen. Nismë një prej projekte e më të mëdha rrugën ‘Xhim Xhema’, një rrugë që pos që zgjidh problemi me kolektorët do të krijoj një jete të re për rreth 20 mijë qytetar të Prishtinës. Kemi zgjeruar rrjetin e ‘Termokosit’ për 40 mijë qytetarë shtesë”, ka thënë Rama.

    “Kemi nënshkruar edhe ndërtimin e 5 shkollave, tri të tjera janë në ndërtim e sipër. Javën që lamë pas isha në Japoni ku pata takime të shumta, u dakorduam për avancim të bashkëpunimit ne fushën e kulturës, artit e teknologjisë. Jam duke u dizajnuar disa projekt të mëdha që do transferojnë kryeqyteti. Bashkë më këto janë duke u dizajnuar edhe platformat ndërlidhëse. Spitali i Prishtinës tanimë është duke u dizajnuar punët dhe do të fillojë së shpejti. Kemi ende sfida siç është problemi me mbeturinat, ku kemi ndarë mjete për blerje e 8 kamionëve dhe 140 kontejnerëve të rinj… Për bujqit kemi ndarë 19 sera, 54 kultivator, kemi dyfishuar subvencionet për gratë… Jemi duke instaluar sistemin ‘smart’ në Kryeqytet. Kemi rigjeneruar shkallët e Postës. Janë asfaltuar edhe shumë rrugë. Këto nuk janë të gjitha projekt por vetëm një numër i selektuar”, tha ai.

    E përgëzime për këto punë, mori nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Shefja e asamblesitëve të kësaj partie, Jeta Rafuna-Hasani, tha se kryetari Rama e ka dëshmuar vetën për transparencë e punë për Kryeqytetin.

    “Kryetari Rama edhe një herë po dëshmon që ka transparencë për punën që bënë. Në këtë raport shihte se kryetari dhe drejtorët kanë bërë punë të mirë. Këto po dëshmoj ë që Prishtina po transformohet”, u shpreh ajo.

    Përgëzime Rama mori edhe nga partia tjetër në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës. Fatmir Dervishi nga kjo parti, tha se në këtë raport do të duhej që të vendoseshin të dhënë më të qarta.

    “Raportin e kemi lexuar është një raport i përgatitur mirë vizualisht. Mendoj që në raport është mirë që të përfshihen edhe disa të dhënë më të qarta. Në raport të gjitha projekt të përmbajnë edhe datën e fillimit. Me që raportimi është gjashtë mujor të përshkruhet edhe faza deri ku do të mbërrij. Te raporti nëse e analizojmë ka punë të mira i përgëzoj të gjithë ata që kanë punuar. Një planifikim i mirë do të ja mundësonte një jetë më të mirë për qytetarët. Mendoj që duhet të plotësohet raporti dhe për secilën drejtori të plotësohet puna dhe shpenzimet”, tha ai.

  • ​Bagaj: Nevojitet koordinim më i ngushtë me ndërkombëtarët për veriun

    ​Bagaj: Nevojitet koordinim më i ngushtë me ndërkombëtarët për veriun

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në konferencën e përbashkët me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani tha se Shqipëria dhe Kosova janë dhe duhet të mbeten faktorë stabiliteti në rajon.

    Ai foli edhe për dialogun, për të cilin u shpreh se është rruga e vetme drejt paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve.

    “Shqipëria dhe Kosova janë dhe duhet të mbeten faktorë stabiliteti në rajon dhe vende kontribuese të rëndësishme për sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por jo vetëm”.

    “Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja dhe i mbështetur fuqimisht nga SHBA-ja është rruga e vetme drejt paqes, normalizimit të marrëdhënieve si dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe atë të organizatës së Kombeve të Bashkuara”, u shpreh ai.

    Begaj tutje bëri të ditur se me presidenten Osmani diskutuan edhe për procesin e njohjeve të Kosovës.

    “E sigurova presidenten Osmani për mbështetjen e plotë dhe angazhimin e Shqipërisë për të kontribuar me të gjitha mundësitë e saj në mënyrë konstruktive në funksion të këtij dialogu. Sa i përketë procesit të njohjeve të Kosovës, ndamë mendimin se është i nevojshëm një koordinim dhe bashkërendim më i mirë i punës mes institucioneve të dy vendeve”, u shpreh tutje ai.

  • Arrestohet një mjek në QKUK, dyshohet për marrje ryshfeti

    Arrestohet një mjek në QKUK, dyshohet për marrje ryshfeti

    Prokuroria e Shtetit ka urdhëruar ndalimin e një mjeku të QKUK-së, të dyshuar për marrje të ryshfetit.

    I dyshuari është S.D., ka bërë të ditur Prokuroria e Shtetit.

    ”Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Departamenti për Krime të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka urdhëruar ndalimin e personit me inicialet S.D., në cilësinë e mjekut në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.

    Prokuroria në koordinim me Policinë është duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë çështje penale.

  • Njohësja e arsimit: Nxënësit nuk kanë mbetur pa libra, qeveria ka subvencionuar edhe pajisjet shkollore që më parë s’kanë qenë

    Njohësja e arsimit: Nxënësit nuk kanë mbetur pa libra, qeveria ka subvencionuar edhe pajisjet shkollore që më parë s’kanë qenë

    Njohësja e arsimit, Salie Gajtani-Osmankaq, në një intervistë në emisionin A LIVE në ATV, duke komentuar fillimin e vitit të ri shkollor për sivjet, ku shumë nxënës e kanë nisë pa libra, tha se problemi kryesor ka qenë vonesa e informimit.

    Sipas saj, nxënësit nuk kanë mbetur pa libra, madje thotë ajo, këtë vit Qeveria majde ka subvencionuar edhe pajisjet shkollore, e cila nuk ak qenë më parë.

    “Këtu unë lidhem gjithmonë dhe e kam kritiku vazhdimisht qeverisjen qendrore, në kuptimin që pse është lënë të informohen prindërit në këtë kohë, do të thotë pak ditë para fillimit të mësimit të vitit shkollor. Sikur kjo informatë t’u bëhej e ditur prindërve në qershor, sot do të kishim një situatë tjetër, do të thotë debati do të zbriste deri në këtë nivel, kur kemi të drejtë e s’kemi të drejtë e hallet e problemet, por e para prindërit do të kishin kohë të mjaftueshme që të kontaktonin me mësimdhënësit se cilat libra duhet t’i sigurojnë, si t’i sigurojnë, e kështu me radhë, si dhe do të ndanin ç’është më e rëndësishmja, nga buxheti i tyre familjar, sado që do të thotë qeveria e ka bërë të ditur se do subvencionojë shpenzimet, madje do të japë edhe për pajisjet shkollore që nuk e kanë pasë më herët, mirëpo krejt problemi për mua është koha, koha e shkurtër e cila si dhe mungesa e buxhetit familjar, edhe pse janë nderë një shumë e madhe e mjeteve tashmë, sipas informatave që kam, janë nderë në llogaritë e prindërve, atyre që kanë apliku në e-Kosova, megjithatë prindërve u ka mungu kjo pjesë e ndarë e buxhetit për sigurimin e librave shkollor”, u shpreh Gajtani-Osmankaq.

    Ajo thotë se për dallim me vitet e kaluara ku kishin greva, çështja e fillimit të vitit të ri shkollor këtë vit ka kaluar në një debat tjetër dhe se tani problemi është i zgjidhshëm.

    “Sikur e kemi bërë njëfarë rutine që në çdo fillimvit shkollor me ndodhë diçka. Do thotë, s’po du me përmendë vitet e pandemisë, ato telashe që i patëm edhe në nivel vendor sikur gjithë bota. Por, ja që pas pandemisë sërish çdo vit shkollor po e nisëm me shumë debat, me shumë huti, me shumë dilema. Vjet t’i kishim grevat, të gjithë jemi dëshmitarë çfarë ndodhi, si ndodhi, çka shkoi keq. Sivjet na ndodhi kjo me librat, që në fakt nuk e prisnim, por ja që ndodhi. Mirëpo, po du me e theksu që tani kemi zbritur në një nivel tjetër të debatit dhe ndonëse ka pasur mjaft revoltë me thanë ashtu në mesin e prindërve dhe huti, nuk mund të themi që ky është problem i pazgjidhshëm. Do thotë, unë po shoh tani shumë reagime, të cilat do thotë sidomos nga aspekti spektri politik, flasin sikur librat nuk janë fare, kjo nuk është e vërtetë, sepse librat do të jenë mbi tavolinë, ai ka të gjithë fëmijët jo”, tha Gajtani-Osmankaq. /atvlive.tv

    Më shumë detaje rreth kësaj çështje i gjeni në emisionin “A LIVE”, të cilin e gjeni në videon më poshtë: