ATV

Author: ATVLive

  • Gjumi jocilësor – faktori kryesor që i bën njerëzit të plaken më shpejt

    Gjumi jocilësor – faktori kryesor që i bën njerëzit të plaken më shpejt

    Një mjek i njohur thekson se problemi nr. 1 që mund t’ju bëjë të plakeni më shpejt është gjumi me cilësi të dobët.

    Dr. Neil Paulvin, një mjek për mjekësinë rigjeneruese, shpjegoi rëndësinë e gjumit në një artikull për CNBC.

    Pushimi i mirë gjatë natës është thelbësor për ata që shpresojnë të plaken më mirë (dhe më ngadalë), theksoi ai.

    Gjumi është thelbësor për shëndetin, sipas Fondacionit Kombëtar të Gjumit. Fondacioni zbuloi se pothuajse 7 nga 10 persona që raportuan gjumë të dobët përjetuan nivele të buta ose më të larta të simptomave depresive.

    Faktorët gjenetikë dhe zgjedhjet e stilit të jetesës, si pirja e duhanit, dieta dhe konsumimi i alkoolit, gjithashtu mund të ndikojnë në plakje por Paulvin tha se gjumi i keq “është gabimi nr. 1 që do t’ju bëjë të plakeni më shpejt”.

    Pse gjumi është kaq i rëndësishëm?

    Trupi shërohet dhe punon për të ruajtur shëndetin fizik gjatë gjumit, sipas Institutit Kombëtar të Zemrës, Mushkërive dhe Gjakut në Amerikë.

    Me kalimin e kohës, gjumi i keq mund të nxisë probleme kronike shëndetësore dhe të ndikojë në zemrën, metabolizmin dhe sistemin imunitar.

    Mungesa e gjumit mund të shkaktojë rrudha dhe plakje të parakohshme të lëkurës, tha Paulvin, duke shtuar se ai gjithashtu mund të përbëjë rreziqe serioze, siç është një rrezik më i lartë i zhvillimit të demencës.

    Ai rekomandon se mbajtja e një orari të qëndrueshëm të gjumit, ekspozimi ndaj dritës së diellit pas zgjimit dhe kufizimi i kafeinës mund të përmirësojë gjumin e natës.

  • Vrasja që tronditi Prizrenin: Ky është 48-vjeçari që u qëllua për vdekje – I dyshuari akoma në arrati

    Vrasja që tronditi Prizrenin: Ky është 48-vjeçari që u qëllua për vdekje – I dyshuari akoma në arrati

    Një ngjarje e rëndë tronditi të hënën Prizrenin, ku në orët e pasdites, për motive akoma të panjohura, 48-vjeçari Beqir Morina u vra nga i dyshuari Aziz Gashi.

    Krimi ndodhi në lagjen “Arbana” dhe dyshohet se 50-vjeçari përdori një pushkë automatike për ta kryer vrasjen dhe më pas u zhduk nga vendi i ngjarjes. Policia e ka shpallur Gashin në kërkim, kurse trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

    Gjithçka dyshohet se ndodhi pak para orës 19:00, kur u dëgjuan disa krisma armësh nga një veturë në lëvizje. I dyshuari Gashi, i cili është nga fshati Sferkë i Klinës dyshohet se gjuajti shtatë herë në drejtim të viktimës, të cilin e la të vdekur në vend.

    Sipas një dëshmitari të rastit, i cili thotë se e ka parë momentin kritik, 50-vjeçari ka kryer aktin në prani të gruas dhe fëmijës së viktimës.

    “Njëri doli prej Taureg-ut, në sy të gruas e të fëmijës e vrajti njeriun, e la për toke. Nuk po dihet pse, veç atë burrin e njoh, punojke në ndërtim ai, i Malishevës. Në sy të gruas, në sy të fëmijës e ka gjujtë, me kallash. Edhe atë djalin e vet, nëpër mure t’u ikë prej plumbit…”, tregoi njëri nga dëshmitarët e rastit për Sinjalin.

    Teksa hetimet për zbardhjen e rrethanave të vrasjes po vazhdojnë, Policia akoma nuk ka rënë në gjurmët e të dyshuarit, i cili mbrëmë i shpëtoi prangave duke ikur.

    Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar togeri i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

    “Rreth orës 18:46 është raportuar për të shtëna me armë zjarri në lagjen Arbana. I dyshuari nga automjeti në lëvizje ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një personi tjetër. Është komnstatuar vdekja e viktimës në vendin e ngjarjes. Viktima është mashkull shqiptar i moshës rreth 48 vjeçar dhe i dyshimti është rreth moshës 50-55 vjeçare. I dyshuari është në kërkim nga Policia. Policia bashkë me njësinë e forenzikës janë në vendin e ngjarjes”, tha Bytyqi.

  • Lajçaku për takimin me Kurtin dhe Vuçiqin: Marrëveshjet mbeten të vlefshme dhe duhet të zbatohen pa vonesë

    Lajçaku për takimin me Kurtin dhe Vuçiqin: Marrëveshjet mbeten të vlefshme dhe duhet të zbatohen pa vonesë

    I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka dhënë detaje në lidhje me takimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Lajçaku, mes tjerash, potencoi se u ka kujtuar dy liderëve se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog duhet të zbatohen pa asnjë kusht apo vonesë.

    “Në Bled jam takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti. Folëm për përgatitjet për takimin e radhës të dialogut të nivelit të lartë në shtator, me fokus normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e deklaratës së BE-së të datës 3 qershor. Unë gjithashtu ngrita shqetësimet e mia për situatën në veri të Kosovës”, shkroi Lajçak.

    Emisari evropian potencoi se me Vuçiqin ka biseduar për uljen e tensioneve në veri dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale.

    “Nga Bled, fluturova për në Beograd, ku u takova me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. Folëm në detaje për përpjekjet për uljen e tensioneve dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, si dhe zbatimin e të gjitha Marrëveshjeve të Dialogut”, vazhdoi ai.

    Ai theksoi në fund se janë duke vazhduar përgatitjet për takimin e radhës në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

    “U kujtova të dy liderëve se të gjitha marrëveshjet e Dialogut mbeten të vlefshme dhe detyruese për të dyja palët dhe duhet të zbatohen plotësisht pa asnjë kusht apo vonesë. Diskutimet tona do të vazhdojnë dhe ne po përgatitemi për takimin e liderëve në Bruksel më 14 shtator për një raund tjetër bisedimesh në nivelin më të lartë”.

  • Bizneset në Kosovë fillojnë të rekrutojnë punëtorë të huaj

    Bizneset në Kosovë fillojnë të rekrutojnë punëtorë të huaj

    Dilemat për largim të një pjese të punëtorëve nga vendi, nga 1 janar i 2024-s, kur është paraparë të liberalizohen vizat, kanë shtyrë bizneset që të gjejnë alternativa të tjera në mënyrë që të mos mbesin pa staf.

    Shumë kompani po merren me procedurat e rekrutimit të punëtorëve nga vendet aziatike si Bangladeshi e Nepali.

    “Disa biznese veçse kanë filluar të kontraktojnë edhe punëtorë jashtë vendit, e sidomos pjesa e bizneseve të gastronomisë”, tha për RTK-në Hysen Sogojeva, kryetar i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit.

    Nga Ministria e Punëve të Jashtme kanë thënë për emisionin Ekonomiks se nga janari 2022 deri në qershor të këtij viti, kanë aprovuar 381 viza pune, ndërsa 165 janë refuzuar.

    “Më së shumti kërkesa për viza pune në Kosovë janë pranuar nga Bangladeshi, India, Nepali, Egjipti Filipinet, Pakistani dhe Bosnja”, kanë thënë nga MJD.

    Megjithatë, punësimi i të huajve nuk do të jetë një zgjidhje afatgjate për bizneset.

    “Duke u bazuar në ligjin nr.04/L-205 për Agjencinë e Punësimit të Kosovës, Agjencia ka mandat të lëshojë vetëm leje pune afatshkurtra për të huajt, deri në 90 ditë brenda çdo periudhe prej 180 ditëve brenda 1 viti”.

    “Kosova nuk ka ndonjë ligj të veçantë për këtë çështje sa i përket ardhjes së punëtorëve nga jashtë”, tha Sami Istrefi, njohës i çështjeve juridike.

    Por, si shkojnë procedurat për rekrutimin e këtyre punëtorëve tregoi për RTK-në, Zana Beqiri, drejtoreshë ekzekutive e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

    “Migrimi afatshkurtër është i mundshëm. Është i mundshëm edhe natyralizimi, pastaj bashkimi familjar dhe është i mundshëm edhe migrimi për çështje ekonomike dhe biznesore. Por në të shumtën e rasteve po shohim se binzeset po i pajisin punëtorët nga jashtë me vizë afatgjatë për biznes dhe me leje qëndrimi, e cila ua garanton edhe lejen e punës”, tha ajo.

    Bizneset disa herë kanë ngritur shqetësime se po u rrezikohet funksionimi në mungesë të stafit. Ato druajnë se pas janarit do të jenë në krizë për punëtorë, andaj punësimi i të huajve shihet si zgjidhje./RTK

  • Nagavci për librat e afro 6 vjeçarëve: Pagesa u bëhet pas verifikimit të rasteve

    Nagavci për librat e afro 6 vjeçarëve: Pagesa u bëhet pas verifikimit të rasteve

    Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, u deklarua disa herë mbi procesin e pajisjes me tekste shkollore me vendim të ri, për nxënësit që nisnin vitin e ri shkollor.

    Anise mbi këtë çështje pati mjaftueshëm ankesa, Nagavci specifikisht është përgjigjur edhe për një shqetësim të prindërve të cilët fëmijët e tyre janë afro gjashtëvjeçar, dhe sistemi nuk u pranon aplikimin për rumbursim mjetesh.

    ”Sa i përket rasteve kur nxënësit janë 5 vjeç, pagesa do të bëhet pas verifikimit të rasteve”, është shprehur ajo në një reagim të saj në facebook.

    Madje siç specifikon ministrja, për këtë arsye mundësia e aplikimit për subvencionim, mbetet e hapur deri në fund të muajit shtator.

    ”Mundësia për të aplikuar do të jetë e hapur deri në fund të muajit shtator, me qëllim që asnjë nxënës të mos mbetet pa u pajisur me tekste shkollore”.

  • Kryeministri Rama sot e pret presidenten Osmani në drekë zyrtare

    Kryeministri Rama sot e pret presidenten Osmani në drekë zyrtare

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Shqipëri për vizitë dy ditore.

    Gjatë kësaj vizite, ajo do të takohet edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

    Pas takimit, Osmani me delegacionin e saj do të priten në drekë zyrtare nga Rama.

    Presidentja poashtu do të pritet në takim edhe nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.

  • Presidentja Osmani nesër i dorëzon shkrimtarit Ismail Kadare dekretin e nënshtetësisë së Kosovës

    Presidentja Osmani nesër i dorëzon shkrimtarit Ismail Kadare dekretin e nënshtetësisë së Kosovës

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka udhëtuar sot për në Shqipëri për një vizitë shtetërore dyditore.

    Në kuadër të qëndrimit të saj atje, presidentja Osmani në një ceremoni do t’ia dorëzojë dekretin e nënshtetësisë së Kosovës, shkrimtarit të njohur me famë botërore, Ismail Kadaresë.

    Më 1 gusht të këtij viti, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pati nënshkruar dekretin me të cilin shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, i jepet nënshtetësia e Republikës së Kosovës.

  • Zgjedhjet përmes peticionit nuk pritet të zgjidhin situatën në veri të Kosovës

    Zgjedhjet përmes peticionit nuk pritet të zgjidhin situatën në veri të Kosovës

    Qeveria e Kosovës pritet që gjatë javës së ardhshme të përfundojnë aktet nënligjore që i hapin rrugë peticionit për shkarkimin e kryetarëve në veri të Kosovës dhe shpalljes së zgjedhjeve të reja.

    Nëpërmjet këtij dokumenti pritet të përcaktohen rregullat se si të organizohet peticioni, që do t’u mundësonte qytetarëve të komunave shkarkimin e kryetarëve të tyre.

    Por analistë shqiptarë e serbë thonë se peticioni nuk pritet të zgjidh problemin në veri të Kosovës.

    Politologu serb nga Mitrovica e Veriut, Ognjen Gogiç, thotë për Zërin e Amerikës se serbët nuk do t’i nënshtrohen peticionit pasi sipas tij ata nuk dëshirojnë të marrin pjesë në çfarëdo zgjedhje pa u përmbushur kërkesat e tyre.

    “Pra komuniteti serb në veri nuk dëshiron të marr pjesë në zgjedhjet e reja pavarësisht se në çfarë mënyre do të shkohet qoftë përmes peticionit apo qoftë përmes dorëheqjes së kryetarëve të komunave. Sa i përket peticionit serbët nuk do të marrin pjesë për të mbledhur nënshkrimet sepse kjo do të thotë kthim në institucionet e Kosovës gjë që ende nuk dëshirojnë sespe nuk janë përmbushur ende disa kushte që janë paraqitur”, tha ai.

    Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se dokumenti i qeverisë nuk është i mjaftueshëm për të mundësuar zhvillimin e procedurave dhe se bie ndesh me ligjin për Vetëqeverisje lokale. Ai thotë se shkuarja në zgjedhje përmes peticionit do të zvarrisë procesin e zgjedhjeve në tërësi.

    “Problematikë është fakti që duhet që për të administruar një proces i tillë në tërësi dhe për të pasur kryetarë të rinj në komunat veriore mund të na duhen të paktën katër deri në gjashtë muaj kohë në rast se ndiqen të gjitha procedurat nominale siç parashihen me udhëzim administrativ dhe pastaj në bazë të normave dhe standardeve ndërkombëtare se brenda çfarë periudhe duhet të organizohet procesi i votimit për largimin e kryetarëve”, tha ai.

    Zgjedhjet e reja në veri janë pjesë e hapave për uljen e tensioneve që shpërthyen pasi kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit të bojkotuara nga serbët, u dërguan në zyrat e komunave veriore me mbështetjen e policisë.

    Cakolli thotë se zgjidhja më e mirë do të ishte dorëheqja e kryetarëve aktual pasi që përmes peticionit nuk ka asnjë siguri që pjesëmarrja e komunitetit serb për largimin e kryetarëve mund të pasohet edhe me pjesëmarrje në zgjedhjen e kryetarëve të rinj.

    “Kësisoj do të mund të arrijmë në pikën kur edhe pse administrohet një proces i votimit dhe kryhen procedurat në fakt vetëm kthehemi në pikën e njejtë ku potencialisht zgjedhen kryetarët e rinj nga radhët e komuniteteve tjera përveç atyre serbe e që pastaj pritet prapë të shkarkohen nga ana e qytetarëve serbë duke ditur sa kompakt ata janë në aspektin demografik por edhe atë të nxitjes nga ana e Listës Serbe apo Beogradit zyrtarë për të votuar për largimin e kryetarëve aktual të komunave”, tha ai.

    Në fillim të muajit qershor Bashkimi Evropian kërkoi uljen e tensioneve përmes pezullimit të operacioneve policore në veri, zhvendosjes së kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës.

    Qeveria e Kosovës tashmë ka përgjysmuar praninë e njësive të policisë në ndërtesat komunale në veri dhe është pajtuar për organizimin e zgjedhjeve të reja.

    Politologu Gogiç thotë se udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë po dëshirojnë të mbajnë sa më gjatë krizën në veri në mënyrë që të mos përmbushin detyrimet për të cilat janë zotuar.

    “Pra edhe njërit edhe tjetrit i konvenon kjo situatë pasi që nuk është më shumë dramatike, kështu që tani është e durueshme, nuk është në atë nivel që mund të ndodhin disa incidente të dhunshme, mendoj se kjo është për Prishtinën, serbët në veri dhe Beogradin situatë më e favorshme sepse kjo situatë në veri u mundëson edhe Beogradit edhe Prishtinës të mos përmbushin detyrimet që dalin nga marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit”, tha ai.

    Gogiç thotë se mënyra më e mirë për tejkalimin e krizës në veri të Kosovës është përmes rritjes së trysnisë nga vendet perëndimore duke pezulluar liberalimin e vizave për Serbinë dhe Kosovën.

    Bashkimi Evropian ka paralajmëruar për 14 shtator një takim të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, ku do të kërkohen zgjidhje për situatën aktuale ndërmjet të dyja vendeve./VOA

  • Analisti Jakshiq: Një Serbi nën drejtimin e Aleksandar Vuçiqit nuk e meriton të jetë pjesë e BE-së

    Analisti Jakshiq: Një Serbi nën drejtimin e Aleksandar Vuçiqit nuk e meriton të jetë pjesë e BE-së

    Kjo lloj Serbie që drejtohet nga Aleksandar Vuçiq nuk e meriton të jetë pjese e Bashkimit Evropian (BE), konsideron analisti serb i politikës së jashtme Boshko Jakshiq.

    Jakshiq shton se Serbia nuk po bën asgjë për t’iu afruar BE-së.

    “Presidenti [Aleksandar] Vuçiq lavdëron BE-në kur vijnë disa investime, por nuk më kujtohet të ketë folur për vlerat e bllokut evropian, demokracinë liberale, sundimin e ligjit apo të drejtat e njeriut”, ka theksuar Jakshiq.

    Ndërsa, koordinatorja e Konventës Kombëtare për BE-në, Bojana Selakoviq vlerëson se Serbia duhet t’i bashkëngjitet vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, për rrugën evropiane.

    Selakoviq duke komentuar deklaratën e presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, për hyrjen e shteteve të Ballkanit në BE deri në vitin 2030, ka thënë se është optimale periudha për negociata kur bëhet fjalë për të gjithë kapitujt.

    “Ky paralajmërim është real, nëse secili do ta bëjë punën e tij, sepse pesë deri në shtatë vjet janë optimale për negociata kur bëhet fjalë për të gjithë kapitujt”, ka përfunduar Selakoviq.

    Ditë më parë, Michel ka bërë thirrje që viti 2030 të caktohet si afati deri kur BE-ja dhe vendet kandidate të jenë të gatshëm për zgjerim.

    Gjatë fjalimit në Forumin Strategjik të Bledit, Michel përsëriti disa herë se tash e tutje vendeve kandidate duhet referuar si “vende të ardhshme anëtare të BE-së”.

    Vendeve të Ballkanit Perëndimor u është premtuar perspektivë evropiane prej vitit 2003, në një samit në Selanik. Nga ajo kohë, vetëm Kroacia nga vendet e rajonit është anëtarësuar në BE, në vitin 2013.

  • Osmani për vizitë nga nesër në Shqipëri, kjo është agjenda

    Osmani për vizitë nga nesër në Shqipëri, kjo është agjenda

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj do të presë me ftesë të tij në Tiranë, në një vizitë shtetërore në datat 4-5 shtator 2023 Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

    Osmani do të pritet me një ceremoni shtetërore në ambientet e Presidencës së Shqipërisë, derisa lidhur me këtë vizitë është publikuar agjenda e plotë:

    10:00 – Ceremonia Zyrtare e Mirëseardhjes në Institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

    Vijohet me takimin mes dy Presidentëve dhe më pas takimin e zgjeruar mes delegacioneve.
    11:40 – 12:05 Konferencë për shtyp e dy presidentëve.

    Përgjatë qëndrimit në Shqipëri, Presidentja Osmani ka parashikuar edhe takime të tjera të nivelit të lartë.

    Kjo është vizita e parë e Presidentes së Kosovës që nga koha kur kreu i shtetit Bajram Begaj mori detyrën./Euronews.al/