ATV

Author: ATVLive

  • Pjesën e dytë të Provimit të Maturës e kaluan vetëm 57.1 për qind të nxënësve

    Pjesën e dytë të Provimit të Maturës e kaluan vetëm 57.1 për qind të nxënësve

    Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), ka publikuar rezultatet e Provimit Shtetëror të Maturës të afatit të dytë, sipas të cilave kalueshmëria është 57.1 përqind.

    MASHTI, ka njoftuar se Këshilli Shtetëror i Maturës ka bërë të ditur se nga 6670 nxënës që kanë paraqitur provimin, në test kanë hyrë 5366, nga të cilët 3064 e kanë arritur kriterin e kalueshmërisë.

    “Po ashtu, Këshilli ka konstatuar se i gjithë procesi i testimit ka shkuar në rregull, ndërsa gjatë procesit të administrimit ka pasur tentime për kopjim nga disa nxënës dhe si pasojë e posedimit dhe përdorimit të telefonit, 13 nxënës janë përjashtuar nga testi”, thuhet në njoftim.

    Matura shtetërore (pjesa e dytë) është mbajtur më 26 gusht 2023 në 30 komuna të Kosovës, ku nxënësit i janë nënshtruar testimit në 68 qendra të testimi.

  • “U godit me mjete të forta” – Dyshimi për vrasjen e Saime Domazetit nga familjarët, Prokuroria ka një njoftim

    “U godit me mjete të forta” – Dyshimi për vrasjen e Saime Domazetit nga familjarët, Prokuroria ka një njoftim

    Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka urdhëruar ndalim 48-orësh për N.A, e dyshuar për vrasjen e Saime Domazetit.

    Sipas njoftimit të Prokurorisë, këta të fundit kanë arritur të sigurojnë prova materiale që dëshmojnë se e ndjera është goditur disa herë në pjesë të ndryshme të trupit.

    “Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik se lidhur me rastin e vdekjes së viktimës S.D., në fshatin Kuk – Komuna e Dragashit, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe ekzaminimeve mjeko-ligjore të viktimës, kemi arritur të sigurojmë prova materiale relevante lidhur me rastin, që vërtetojnë dyshimin e bazuar se e dyshuara N.A., e ka goditur disa herë më mjete të forta viktimën në pjesë të ndryshme të trupit, ku si pasojë ka ardhur deri te vdekja e viktimës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    “Në rastin konkret e njejta, dyshohet për veprën penale “Vrasje e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Me urdhër të prokurorit e njëjta është ndaluar për 48 orë. Për veprimet tjera hetimore, prokuroria do t’ju mbajë të informuar”, përfundon njoftimi.

  • Osmani takon Ramën: Bashkë mund të hapim rrugën për integrim

    Osmani takon Ramën: Bashkë mund të hapim rrugën për integrim

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar edhe me kryeministrin Edi Rama, në kuadër të vizitës zyrtare të saj në Shqipëri. Pas këtij takimi, ajo deklaroi se dy vendet mund të hapin rrugën për integrim.

    Osmani ka deklaruar se me Ramën kishte një bisedë përmbajtjesore rreth aspiratës së përbashkët evropiane të të dy vendeve.

    “Me Kryeministrin Edi Rama pata një bisedë përmbajtjesore rreth aspiratës së përbashkët evropiane të Kosovës dhe Shqipërisë. Duke punuar së bashku, Kosova dhe Shqipëria mund të hapin rrugën për një të ardhme më të ndritshme dhe më të integruar”, ka thënë Osmani.

    Në komunikatën për media thuhet se të dy liderët shprehën përkushtimin për fuqizimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë si dhe për të punuar së bashku në përmbushjen e objektivave të përbashkëta, të cilët ndërlidhen me rrugëtimin euroatlantik.

    “Në këtë kontekst, presidentja Osmani, theksoi është në interesin e të dy shteteve dhe atë rajonal që të ketë një koordinim të ndërsjellë në politikën e jashtme, në funksion të integrimit të të dy shteteve në familjen euroatlantike.

    Ndërkaq në raport me procesin e dialogut me Serbinë, presidentja Osmani tha se Kosova është palë konstruktive, teksa potencoi se njohja reciproke, ruajtja e integritetit territorial, sovranitetit, rendit kushtetues dhe funksionalitetit institucional të Republikës së Kosovës duhet të jenë rezultati i këtij procesi.

    Presidentja Osmani dhe kryeministri Rama shprehën optimizmin e tyre për të ardhmen e marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri dhe vunë theksin në potencialin për rritje të bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të dyanshëm.

  • LDK-ja paralajmëron kallëzim penal ndaj Nagavcit – “Shkaktoi dëme ekonomike e emocionale”

    LDK-ja paralajmëron kallëzim penal ndaj Nagavcit – “Shkaktoi dëme ekonomike e emocionale”

    Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka paralajmëruar kallëzim penal ndaj ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, lidhur me vendimin për subvencionim të teksteve shkollore, raporton EO.

    Gashi këtë vendim e ka quajtur anti-ligjor, teksa Qeverinë e ka quajtur të paaftë për ta menaxhuar situatën e teksteve shkollore.

    Në një konferencë për medie, Gashi ka thënë se ky “keqmenaxhim” u ka shkaktuar dëme ekonomike e emocionale prindërve.

    “Ata u sollën në mënyrë jo institucionale, duke i pamundësuar Kuvendit që të shohë se ku janë problemet në lidhje me librat dhe cilat janë veprimet dhe mosveprimet që i ka bërë Qeveria”.

    “Qeveria është në shkelje të ligjit për tekste shkollore dhe në shkelje të ligjit parauniversitar. Kjo është një shkelje shumë e rëndë që Ministria po e bën dhe për këtë do të përballen sipas gjitha gjasave edhe me ndjekje penale ministrja e Arsimit”.

    “Mendoj që paaftësia e qeverisë për ta menaxhuar këtë proces ka shkaktuar një dëm të madh ekonomik dhe dëm emocional për prindërit dhe nxënësit i cili është dëm pariparueshëm”, ka thënë ai.

  • Tahiri: Kjo Qeveri krijon shpenzime në kurriz të qytetarëve, do të bëjmë çmos ta rrëzojmë

    Tahiri: Kjo Qeveri krijon shpenzime në kurriz të qytetarëve, do të bëjmë çmos ta rrëzojmë

    Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se vendimi i fundit i Qeverisë për librat ka qenë goditja e fundit për arsimin në Kosovë, raporton EO.

    Ai ka thënë se do të bëjnë çmos që ta rrezojnë këtë qeveri, sepse ajo “krijon shpenzime në kurriz të qytetarëve dhe nuk bën asnjë punë të mirë”.

    Tahiri ka pasur kritika edhe për mungesën e mazhorancës në seancën e jashtëzakonshme, ku pritej të diskutohej për furnizimin me tekste shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe të mesëm të ulët.

    Siç tha ai në një konferencë për medie, sesioni vjeshtor është dashur të fillojë me diskutimin për tekstet shkollore, por kjo nuk ndodhi për fajin e VV-së.

    “Besoj që nuk ka gjë më të arsyeshme sesa sot të hapej sesioni vjeshtor për një çështje e që e prek ardhmërinë e vendit tonë dhe që prek rreth 210 mijë nxënës. Pra janë e ardhmja jonë dhe ju po e shihni që tani e tutje nuk ka asnjë gjë të vetme që kjo legjislaturë të vazhdojë punën. Janë duke e degraduar punën në çdo rrafsh”.

    “Goditja e fundit është goditja që i dhanë arsimit, dhe ata nuk u turpëruan nga ne që nuk erdhën në seancë por u turpëruan nga prindërit e nxënësit sepse kjo ishte e tmerrshme atë që e dëgjuam në konferencë për medie. Ne do të bëjmë çmos që këtë legjislaturë ta dërgojmë në shtëpi sepse kjo legjislaturë krijon shpenzime në kurriz të qytetarëve dhe nuk bën asnjë punë të mirë”, u shpreh Tahiri.

  • ​Dëshmitari kundër Thaçit dhe të tjerëve: Gjatë luftës përkrahnim LDK-në, sot e adhuroj Kurtin

    ​Dëshmitari kundër Thaçit dhe të tjerëve: Gjatë luftës përkrahnim LDK-në, sot e adhuroj Kurtin

    Dëshmitari i njëzetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve, ka folur për një familjar të zhdukur e për të cilin pretendon se ishte marrë nga anëtarë të UÇK-së. Arsyet për këtë, në gjykatore u tha se kishin të bënin me xhelozinë në fshat si dhe faktin që ai ishte përkrahës i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Dëshmitari i mbrojtur i cili mban kodin 4368, ka thënë se ai dhe familja e tij gjatë periudhës së luftës kishin përkrahur hapur LDK-në.

    Por sot, derisa është përgjigjur në pyetjet e avokatit të Rexhep Selimit, Eric Tully, ka thënë se nuk është mbështetës i kësaj partie por i kryeministrit Albin Kurti.

    Avokati Tully: Ju po ashtu keni thënë se mbase ky inati që ka ekzistuar në fshat mbase ishte për shkak të mbështetjes së LDK-së, mbase mbështetja e LDK-së ka bërë që të arrestohej i afërmi 1. Në deklaratën e dhënë për ZPS-në, në pyetjen pse beson që donin ta likuidonin, ju keni thënë ‘Kishte ca gjëra që ishin bërë bashkë, për shembull fakti që ishte me LDK-në, kishte edhe një inat nga njerëzit në fshat kundër tij’.

    Dëshmitari: Sot nuk jam i LDK-së, jam i Vetëvendosjes, i Albin Kurtit, sepse ka ardhur një njëri prej qielli, ka ardhur një njëri shumë i zgjuar, Vjosa Osmani, jam përkrah këtyre, nuk jam më për LDK-në.

    Ndërsa në pyetjet e avokatit të ish-presidentit Thaçi, Gregory Kehoe, dëshmitari është përgjigjur edhe për një rast kur sipas tij kishte shkuar për të takuar Adem Demaçin, por i njëjti sipas tij nuk i kishte pranuar.

    Ai ka thënë se aty kishte parë edhe Albin Kurtin.

    Avokati Kehoe: Pra shkuat të takoni Demaçin së bashku me personin 2, shkuat për të folur me Demaçin dhe Kurtin, ju keni folur edhe me Kurtin i cili ishte asistent i Demaçit, kështu ka qenë?

    Dëshmitari: Demaçi nuk ka dalë prej zyrës vetëm….Kurtin e adhuroj sot se është kryeministër shumë i mirë por nuk kam pasur muhabete me Kurtin, as me Thaçin, Demaçi nuk na ka pranuar, se e diti situatën ku është dhe nuk na ka pranuar.

    Avokati Kehoe: Por me Kurtin u takuat, çfarë marrëdhënie kishit me Kurtin.

    Prokurorja Hackler: kundërshtojmë i nderuar gjykatës sepse tha që nuk u takua me Kurtin.

    Avokati Kehoe: E patë Kurtin kur ishit aty?

    Dëshmitari: E pash por pa biseduar, nuk biseduam.

    Avokati Kehoe: Çfarë marrëdhëniesh kishit me Kurtin?

    Dëshmitari … (Përmbajtje e redaktuar)

    Derisa është përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes, dëshmitari ka thënë se shtëpia e tij ishte garantuar nga forcat serbe.

    Pjesë të mëdha të dëshmisë së tij gjykata i ka transmetuar me përmbajtje të redaktuar apo janë dhënë në seancë private.

    Gjithashtu seanca është mbyllur sa herë që pyetjet kanë pasur të bëjnë me emra të personave të tjerë.

    Gjatë intervistimit nga avokati Kehoe, në gjykatore është shfaqur një dokument i cili nuk është dhënë edhe për publikun.

    Ndërsa ai i ka papërmendur dëshmitarit deklaratat e tij të dhëna më parë.

    Avokati Kehoe: Thuhet që kidnapimi dyshohet që është bërë nga xhelozia, thuhet i afërmi 1, një shqiptar i Kosovës dhe disa djem që punojnë jashtë vendit, kurr nuk kanë pasur ndonjë interes në politikë dhe këtë e ka thënë hapur, ai nuk di të lexojë dhe as të shkruajë por kishte shumë influencë në fshatin e tij. A është fakt ky, a ja keni thënë këtij institucioni këtë gjë, që ai nuk kishte fare interes në politikë dhe këtë e ka pas thënë hapur?

    Dëshmitari: Unë jo, nuk e di kush e ka thënë këtë.

    Pas kësaj seanca ka vijuar e mbyllur, për t’u hapur pastaj me pyetjet e avokatit Kehoe lidhur me kidnapimin që pretendohet se i është bërë familjarit të tij.

    Dëshmitari ka thënë se të afërmit e tij, “numri 1” dhe “numri 2” u kishin dhënë para serbëve për të mos e futur në burg “numrin 2”.

    Ai gjithashtu ka thënë se “numri 1” është përfshirë edhe në rastet me fshatarë të tjerë për të kuptuar se sa para donin serbët.

    Dëshmitari: (Numri 2) Ky ka qenë azil politik në Francë, kur është kthyer prej Francës, donin me mbyll në burg serbët me numrin 2, ai ka qenë azil politik, e kemi ble një traktor për me shpëtu këtë prej burgut… Kanë ardhur të shtëpia na kanë bastisë, për numrin dy që ka ardhur prej Francës, e gjetën një aparat të madh e morën serbët atë aparatin. Ne u kemi dhënë para serbëve, nuk u kemi dhënë shqiptarëve në atë kohë.

    Ndërsa avokati Tully ka përmendur deklaratat e dëshmitarit, të dhëna ditë më parë në konferencën përgatitore me ZPS-në, por për të njëjtat ai ka thënë se nuk i kujtohen.

    Avokati Eric: Ju përshkruani gjendjen pas arrestimit të të afërmit 1. Ju thoni si më poshtë: Jam i interesuar veçanërisht sa i takon terrorit që ekzistonte tek vendasit. Kur u pyet sa i takon pjesës së raportit që thotë që kidnapimi kishte si qëllim të vinte një shembull për të tjerët dhe për të nxitur pak terrorin ndërmjet vendasve, 4368 tha që ai nuk mendon që kidnapimi çoi në frikë, megjithëse disa fshatarë ishin të shqetësuar lidhur me këtë dhe thanë ‘o Zot, mund të më vijë edhe mua radha ndonjëherë’. Pastaj në fund fare thuhet që 4368 tha që ne nuk ishim një familje që mburreshim, dhe qëllimi i tyre ishte t’i ulnin kokën atyre personave si puna jonë. Pyetja ime është kjo, a ju kujtohet të keni thënë këtë?

    Dëshmitari: Nuk e kam thënë këtë gjë, nuk më kujtohet.

    Avokati: Dëshmitar, kjo ka ndodhur dy ditë më parë, ka dhënë një shënim përgatitor për këtë seancë, prokuroria, dhe kjo është ajo çfarë thuhet në shënimin përgatitore të prokurorisë.

    Kjo seancë po karakterizohet me redaktime të shumta si dhe mbyllje për publikun.

    Gjithashtu, disa pjesë të dëshmisë së dëshmitarit nuk janë kuptuar për shkak të modifikimit të tepërt të zërit./KosovaPress

  • ​Begaj: Në Asamblenë e OKB-së do të kem në fokus çështjet e njohjes së Kosovës

    ​Begaj: Në Asamblenë e OKB-së do të kem në fokus çështjet e njohjes së Kosovës

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj deklaroi sot (e hënë) se askush nuk mund të çuditet pse Kosova është prioritet kombëtar dhe se në të gjitha takimet e tij ka kërkuar njohjen e Kosovës. Ai u shpreh se Kosova duhet të ketë koordinim të ngushtë dhe më të mirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, shkruan KosovaPress.

    Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, Begaj theksoi se pjesëmarrja e tij në Asamblenë e OKB-së do të ketë në fokus çështjet e njohjes së Kosovës.

    “Vlerësova se pavarësisht provokimeve për të tensionuar situatën në komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës, si dhe ndërhyrjeve hibride nga aktorë të tretë dashakeqës, duhet një koordinim më i ngushtë dhe më i mirë me partnerët tanë kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, për të gjitha veprimet e ndërmarra. Askush nuk mund të vërë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës si dhe të drejtën për të zbatuar ligjet dhe kushtetutën e vendit. Por, koordinimin me partnerët është i domosdoshëm. Në këtë aspekt vlerësova edhe e fundit të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për deeskalimin e situatës. Gjithashtu nënvizova se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur fuqimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës rruga e vetme drejt paqes, normalizimit të marrëdhënieve si dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe atë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, deklaroi Begaj.

    Sa i përket procesit të njohjes së Kosovës, ai shtoi se është i nevojshëm një koordinim dhe bashkërendim më i mirë i punës i institucioneve të të dyja vendeve. Ai theksoi se është detyrë e Shqipërisë që të kërkojë njohje të reja dhe mbështetje për Kosovën.

    “Pjesëmarrja ime në Asamblenë e OKB-së do të ketë në fokus çështjet e njohjes së Kosovës. Vëmendje i kushtuam edhe bashkëpunimit në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe integrimit euroatlantik, ku ndër të tjera shpreha besimin për përmbylljen së shpejti të procesit të liberalizimit të vizave nga BE për qytetarët e Kosovës. Ky është një veprim i vonuar por me shumë rëndësi praktike por edhe morale për gjithë qytetarët e Kosovës”, shtoi ai.

    Në takimin e sotëm me homologen nga Kosova, Begaj shtoi se janë përqendruar në çështjet më të rëndësishme të interesit ndërshtetëror, por edhe nevojës të një koordinimi më të mirë.

    I pari i Shqipërisë theksoi se askush nuk ka pse “çuditet” pse Kosova është prioritet kombëtar i tyre.

    “Theksova gjithashtu se askush nuk ka pse çuditet se përse Kosova është një prioritet kombëtar i Shqipërisë. Kjo ka qenë dhe mbetet devizë e çdo qytetari në Shqipëri, ndaj dhe rikonfirmova edhe një herë mbështetjen time dhe të shtetit shqiptar për Kosovën kudo, në çdo forum rajonal e ndërkombëtar. Një vëmendje të shtuar i kushtuam nevojës së nxitjes së mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik të të dy vendeve. Shpreha kënaqësinë që gradualisht dhe në mënyrë të natyrshme Kosova është bërë një partner mjaft i rëndësishëm për Shqipërinë. Kosova përfaqëson sot realisht tregun e dytë më të rëndësishëm për eksportet shqiptare të mallrave dhe shërbimeve. Gjithashtu shpreha kënaqësinë se sot Kosova renditet si investuesi i tretë më i rëndësishëm ndër vendet e Gadishullit Ballkanik në Shqipëri me një stok investimesh të kënaqshme”, shtoi Begaj.

    E presidentja Vjosa Osmani i ka konsideruar të shkëlqyera raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ajo derisa tha se Serbia po e cenon integritetin territorial të Kosovës, theksoi nevojën që ka vendi për përkrahjen e Shqipërisë.

  • Jasharaj: Eksperimenti i ministres Nagavci për rimbursimin e teksteve shkollore, doli të jetë i gabuar

    Jasharaj: Eksperimenti i ministres Nagavci për rimbursimin e teksteve shkollore, doli të jetë i gabuar

    Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin A LIVE në ATV, tha se eksperimenti i Qeverisë për rimbursimin e teksteve shkollore doli të jetë i gabuar dhe po e cënon fillimin e mbartë të vitit shkollor.

    “Kam qenë nga njerëzit më të lumtur kur kam marrë raporte nga komunat se kolegët e mi, pra punëtorët e arsimit, nuk kanë kërkesa për ndonjë veprim sindikal dhe kemi shpresuar se vitin shkollor 2023/2024 më në fund do ta fillojmë mirë e mbarë, por dy konferenca me mediat e zonjës Nagavci treguan se kjo nuk do të ndodhë. E kam fjalën te eksperimenti i gabuar për tekstet shkollore, ngase buxheti i Kosovës duhet ndarë me kohë për libra dhe na ishte thënë fillimisht se do të kemi nëpër shkolla libra 1-5 dhe mësimdhënësit do të gjenden disi me tekstet e vitit të kaluar 6-9.Ky eksperiment doli të jetë i gabuar dhe po e cënon fillimin e mbartë të vitit shkollor”, u shpreh Jasharaj.

    Ai thotë se ka edhe informacione nga terreni se libraritë janë të mbushura me plot prindër, për shkak se në qyteza të vogla nuk ka librari dhe për blerjen e librave, prindërve iu është dashur të drejtohen nëpër qytete të mëdha.

    “Kjo ka mund të mos ndodhë dhe arsyetimi se po ruhet buxheti e po bëhet transparencë nuk qëndron ngase po bëhet rimbursimi, siç është thënë, dhe prindërit janë në dy halle. Halli i parë për të parë a po bëhet rimbursimi për të shkuar atje nëse dinë të aplikojnë për të shkuar te bankomatet për të pritur, pastaj për të shkuar në librari dhe kemi mijëra prindër që janë në gjendje tepër të vështirë ekonomike, kemi prindër që nuk kanë fare xhirollogari, lexova në media se paska edhe raste që i kanë xhirollogaritë e bllokuara fatkeqësisht, por edhe ata që nuk kanë fare xhirollogari dhe tani sidomos këta që punojnë në sektorin privat, po edhe në publik do ta kenë vështirë të shkojnë nga komuna apo qyteza e tyre për të pritur në radhë për të marrë libra, aq më keq zonja Nagavci ka deklaruar se prindërit duhet të komunikojnë me mësimdhënësit për të parë se shkolla e caktuar për të cilat libra është orientuar dhe pra e kemi një vit shkollor që fillon me vështirësi”, tha Jasharaj.

    Sipas tij, problemi më i madh qëndron në mungesën e gatishmërisë së ministres Nagavci për t’u takuar e komunikuar me SHBASHK-un.

    “Unë e di se mësimdhënësit e di se edhe DKA-të, shkolla përgjegjësi kanë bërë gjithë përgatitjet teknike brenda mundësive të veta dhe ky eksperiment nuk është dashur të ndodhë dhe po nëse kanë menduar ta bëjnë është dashur të dihet që në maj, por atë që po e them në emër të SBASHK-ut, problemi më i madh qëndron në mungesën e mirëkuptimit, gjegjësisht mungesën e gatishmërisë së zonjës Nagavci për t’u takuar, për të komunikuar me SBASHK-un që janë përfaqësues të tërë mësimdhënësve dhe punëtorëve tjerë”, u shpreh Jasharaj. /atvlive.tv

    Më shumë detaje rreth kësaj çështje i gjeni në emisionin “A LIVE”, të cilin e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Osmani: Serbia po na e sfidon integritetin territorial, kemi nevojë për Shqipërinë

    ​Osmani: Serbia po na e sfidon integritetin territorial, kemi nevojë për Shqipërinë

    Të shkëlqyera i ka konsideruar presidentja Vjosa Osmani, raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ajo deklaroi se angazhohet për tejkalimin e çdo lloj mospajtimi të momentit mes kryeministrit Kurti dhe Rama. Kështu u shpreh ajo pas takimit me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, për çka tha se kryefjala e kësaj vizite është bashkërendimi për një strategji dhe veprim të unifikuar të politikës së jashtme. E presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj deklaroi se askush nuk mund të çuditet pse Kosova është prioritet kombëtar dhe se në të gjitha takimet e tij ka kërkuar njohjen e Kosovës. Ai u shpreh se Kosova duhet të ketë koordinim të ngushtë dhe më të mirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

    Presidentja Vjosa Osmani tha se Kosova ka nevojë për mbështetjen e Shqipërisë, qw të bëhet zë në të gjitha instancat ndërkombëtare, raporton KosovaPress.

    “Kryefjala e vizitës sime është bashkërendimi për një strategji dhe veprim të unifikuar të politikës së jashtme. Siç e dini, dy muaj më parë, shtetet tona nënshkruan edhe 13 marrëveshje në fusha të ndryshme nga siguria, drejtësia, arsimi, kultura e bujqësia. Në dy vitet e fundit janë nënshkruar 41 marrëveshje qeveritare, ndërministrore, ndërinstitucionale. Ato synojnë fuqizimin e shteteve tona dhe njëkohësisht lehtësimin e jetës së qytetarëve në dy shtetet. Bashkëpunimi ekonomik është i një rëndësie të madhe për qytetarët tanë. Prandaj edhe duhet dhe mund ta krijojmë një shkëmbim edhe më dinamik, nga i cili përfitojnë edhe bizneset por edhe qytetarët”, deklaroi Osmani.

    Kryetarja e shtetit shtoi se janë të vendosur për të kontribuar në funksion të paqes dhe stabilitetit, të cilat siç tha ajo, po rrezikohen nga Rusia dhe satelitët e saj në rajon. Osmani deklaroi se Kosova sot përballet me sfidimin më të madh të sigurisë në 25 vjetët e fundit.

    “Përderisa politika shtetërore e Serbisë vazhdimisht po e sfidon integritetin territorial të Kosovës dhe angazhohet në agresion institucional kundër Kosovës në baza të rregullta, ne do të kemi nevojë për përkrahjen e Shqipërisë, e po ashtu për përkrahjen e aleatëve dhe partnerëve euroatlantikë dhe natyrisht që pajtohem me presidentin Begaj që koordinimi me miqtë dhe aleatët tanë është parakusht për suksesin tonë kudo e kurdo. Dialogu me Serbinë është duke vazhduar por natyrisht që rruga e vetme që sjell paqen, stabilitetin afatgjatë në gjithë rajonin tonë është atëherë kur rezultati përfundimtar është njohja reciproke dhe ruajtja e integritetit territorial, sovranitetit, rendit kushtetues dhe funksionalitetit të brendshëm të Republikës së Kosovës”, shtoi presidentja e vendit.

    Në konferencë për media, Osmani theksoi se synim shtetëror dhe strategjik mbetet anëtarësimi në NATO dhe Bashkim Evropian, si dhe në të gjitha organizatat tjera ndërkombëtare.

    Tutje, ajo komentoi edhe raportet mes kryeministrave të të dyjave vende, ku tha se relacionet mes të dyja vendeve janë “mes motrash”.

    “Relacionet mes Kosovës dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera. Ne herë i quajmë vëllazërore, por mua më pëlqen t’i quaj relacione mes motrash. Sepse është relacioni më i sinqertë që ekziston. Relacionet mes Kosovës dhe Shqipërisë mund të fuqizohen edhe më tej, mund dhe do ta rrisim koordinimin mes nesh. Sepse është në interes të të dyja shteteve, në interes të kombit tonë, por në interes edhe të paqes dhe stabilitetit afatgjatë…Nuk është situata në veri ajo që ka acaruar dialogun Kosovë-Serbi, është Serbia ajo që gjithnjë acaron situatën në rajonin tonë nëpërmjet sulmeve të njëpasnjëshme ndaj Kosovës. Nuk ka javë që kalon që dikush nga Serbia nuk gjuan me armë policët e Kosovës që janë në territorin e Republikës së Kosovës”, theksoi ajo.

    Megjithatë, ajo komentoi edhe raportet e kreyminstrave Albin Kurti dhe Edi Rama, pwr çka shtoi se çdo diskutim i momentit që mund të ketë involvuar mospajtime është tejkaluar.

    “Si presidente angazhohem që të tejkalojmë çdo lloj mospajtimi të momentit që ekziston, por nuk e shoh as si tragjike, as diçka që na pengon të ecim përpara në këtë qëllim të përbashkët, atë që ju e përmendet si diskutime apo acarim”, u shpreh ajo.

    Edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj tha se nuk kanë rëndësi mosmarrëveshjet e momentit.

    “Nuk ka rëndësi mosmarrëveshjet e momentit. Vizita e presidentes Osmani sot në Shqipëri tregon që ne jemi bashkë për çështje të rëndësishme të interesit ndërshtetëror, por gjithashtu jemi bashkë për të përçuar atë që si komb kemi, frymën evropiane dhe euroatlantike. Rrugëtimi ynë është në një kah, ky rrugëtim është i sigurtë, është i ndryshëm nga Serbia. Nuk mund të vazhdojmë më të mendojmë që jemi në lindje, ne do të vazhdojmë të jemi një në rrugëtimin tonë drejt perëndimit. Nuk mendoj që ka vend për tu shqetësuar, absolutisht ka vend për të përmirësuar këtë koordinim ndërinstitucional që zëri i Kosovës të dëgjohet në çdo forum, në çdo organizëm”, tha ai në konferencë për media.

    Ai shtoi se karakteri strategjik i marrëdhënieve mes të dyja vendeve ka një rol unik për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe perspektivën euroatlantike.

    Presidentja Vjosa Osmani sot dhe nesër do të qëndrojë për vizitë në Shqipëri. Ajo u prit me ceremoni shtetërore në ambientet e Presidencës së Shqipërisë. Ajo do të takohet edhe me kryeparlamentaren Lindita Nikolla dhe me kryeministrin Edi Rama. Po ashtu, do t’ia dorëzojë dekretin e nënshtetësisë së Kosovës, shkrimtarit me famë botërore, Ismail Kadare. /KP

  • ​Marrëveshja për grurin, Erdogan takon Putinin në Rusi

    ​Marrëveshja për grurin, Erdogan takon Putinin në Rusi

    Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan të hënën u nis për në qytetin bregdetar rus të Soçit për të takuar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

    Gjatë vizitës së tij njëditore të punës, Erdogan do të diskutojë çështje aktuale rajonale dhe globale, si dhe marrëdhëniet Turqi-Rusi me Putinin, shkruan AA, transmeton KosovaPress.

    Rikthimi i marrëveshjes historike të grurit të vitit të kaluar në Detin e Zi që ndihmoi në lehtësimin e krizës globale të ushqimit do të jetë gjithashtu në agjendën e tyre, të cilët do të mbajnë konferencë të përbashkët shtypi më vonë.

    Pasi Rusia pezulloi pjesëmarrjen e saj në marrëveshjen e eksportit të grurit në Ukrainë, të ndërmjetësuar nga Turqia dhe OKB-ja, Ankaraja vazhdon përpjekjet e saj për rifillimin e marrëveshjes.

    Moska është ankuar se Perëndimi nuk i ka përmbushur detyrimet e veta në lidhje me eksportet e drithërave të Rusisë dhe se drithi i mjaftueshëm ukrainas po shkonte në shtetet në nevojë. Ai thotë se kufizimet në pagesa, logjistikë dhe sigurime kanë qenë një pengesë për dërgesat e saj.

    Duke konfirmuar rëndësinë e përmbushjes së kërkesave të Rusisë për eksportin e drithit, Turqia thotë se nuk ka alternativë ndaj kësaj nisme.

    Ankaraja ka kryer përpjekje intensive diplomatike për rivendosjen e marrëveshjes së korrikut 2022 dhe gjithashtu i ka bërë thirrje Kievit dhe Moskës që t’i japin fund luftës përmes negociatave.

    Në korrik, Erdogan u takua gjithashtu me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Stamboll për të diskutuar çështjet.