ATV

Author: ATVLive

  • ​”Më ftuan – tani po më sulmojnë”: Gazetari i bisedës në Signal flet për BBC

    ​”Më ftuan – tani po më sulmojnë”: Gazetari i bisedës në Signal flet për BBC

    Kur Jeffrey Goldberg publikoi një histori bombastike që përshkruante si disa nga zyrtarët më të lartë të SHBA-së ndanë gabimisht informacione të ndjeshme me të, ai fitoi lajmin më të madh të vitit. Redaktori i The Atlantic gjithashtu u bë shënjestra kryesore për çdo zyrtar të lartë të administratës Trump në Uashington.

    “Kjo është lëvizja e tyre. Kurrë nuk mbrohen, vetëm sulmojnë”, tha Goldberg.

    “Unë po rrija, duke u marrë me punët e mia. Më ftojnë në këtë bisedë në Signal dhe tani po më sulmojnë si një të pabesë, nuk e kuptoj fare”, shtoi ai.

    Në ditët e fundit, ai është quajtur “dështim” dhe “shpagë” nga Presidenti Trump, si dhe gënjeshtar dhe “pleh” nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Michael Waltz, i cili duket se e shtoi gabimisht Goldberg në një bisedë grupi më herët këtë muaj.

    Goldberg shpjegoi se gjithçka nisi kur ai mori një mesazh në telefonin e tij nga një llogari e quajtur Waltz në aplikacionin Signal, i cili përdoret për mesazhe të kriptuara. Pas kësaj, ai u gjet në një bisedë grupi me zyrtarë të lartë të sigurisë kombëtare të SHBA-së, ku ata diskutonin operacione ushtarake të ndjeshme.

    Pasi të gjitha këto, Waltz mori përgjegjësinë për gabimin dhe kërkoi një hetim nga Elon Musk, por Goldberg i bëri një shaka kësaj kërkese, shkruan BBC.

    Në historinë e tij, Goldberg mbajti të fshehur detajet e operacionit të bombardimit, por pas refuzimit të administratës për të pranuar informacione të ndjeshme, ai vendosi të publikojë mesazhet e plota. Ai e quajti atë informacion të ndjeshëm dhe planifikim të luftës, përcjell KosovaPress.

    Goldberg ka qenë shpesh në shënjestër të kritikave të Presidentit Trump, veçanërisht pas një historie të vitit 2020 që përshkruante komente të Trump për ushtarët e rënë si “budallenj” dhe “dështim”.

    Pavarësisht sulmeve personale, Goldberg e sheh këtë si një lëvizje të zakonshme të administratës, ku nuk mbron por sulmon. Ai e cilësoi incidentin si një dështim të rëndë të menaxhimit të informacionit dhe ka pasur diskutime për dy standardet e përgjegjësisë për liderët në administratën Trump.

  • ​Rikthehet Superliga, nis me derbin e madh gjilanas

    ​Rikthehet Superliga, nis me derbin e madh gjilanas

    Pas pushimit për shkak të ndeshjeve të kombëtareve, Superliga e Kosovës në futboll rikthehet me ecurinë e saj të këtij edicioni me ndeshjet e xhiros së 26-të, raporton KosovaPress.

    Ndeshja e parë e kësaj xhiroje do të zhvillohet sot dhe do të ballafaqohen Drita dhe Gjilani në derbin e madh të qytetit të Gjilanit.

    Drita që tashmë me një dorë ka prekur titullin e kampionit pas ka krijuar distancë prej 11 pikëve nga ndjekësi i parë që është Ballkani, do të kërkojë tri pikë të reja për ta bërë kështu edhe më të lehtë rrugëtimin në javët e fundit të kampionatit, nga ana tjetër, Gjilani që e nisi shumë dobët sezonin, tashmë ka ri-gjetur formën dhe momentalisht ka 35 pikë në vendin e katërt dhe synon së paku pozitën e tretë që dërgon në garat evropiane sezonin e ardhshëm, shkruan KosovaPress.

    Kjo ndeshje do të zhvillohet nga ora 14:00 në stadiumin me bari sintetik në Gjilan.

  • Mbyllja e Tik-Tok-ut në Shqipëri, Rama apel qytetarëve të shmangin VPN-në: Hakerat do bëjnë namin

    Mbyllja e Tik-Tok-ut në Shqipëri, Rama apel qytetarëve të shmangin VPN-në: Hakerat do bëjnë namin

    Kryeministri Edi Rama, gjatë rubrikës “Sy m’ sy”, konfirmoi se procedura për mbylljen e Tik-Tok-un në Shqipëri ka përfunduar. Ai theksoi se qytetarët duhet të shmangin përdorimin e VPN-në, pasi kjo mund të rrezikojë sigurinë e të dhënave personale nga hackerat:

    “Mënyra për t’ju shmangur bllokimit duke përdorur VPN-në falas është shumë e rrezikshme pasi dihet botërisht se hackerat bëjnë namin në grabitjen e të dhënave të telefonit.”Rama shtoi se Tik-Tok-u do të hapet përsëri kur kompania kineze të vendosë filtra për mbrojtjen e të rinjve, duke kërkuar durim nga qytetarët deri në realizimin e programit të ri: “Duroni pa Tik-Tok-un për ca kohë deri kur të përfundojmë programin e përbashkët me kompaninë”.

    Përsa i përket pagës minimale, Rama njoftoi se do të rritet në 500 euro, duke filluar nga janari 2026: “Nga 1 janar 2026, paga minimale në vend do të bëhet nga 400 euro në 500 euro.”Ai theksoi se gjatë mandatit të tij paga mesatare ka pasur rritje të konsiderueshme: “Kur ne morëm detyrën, paga mesatare në sektorin publik ishte 372 euro, sot në 2024 e mbyllim me 1 mijë euro paga mesatare.”

    Po ashtu, ai theksoi rëndësinë e drejtësisë dhe barazisë para ligjit, duke shtuar se reforma në drejtësi është një arritje historike e Partisë Socialiste. Rama u shpreh: “Kjo është bëma më e madhe dhe më historike e PS-së, e forcës që qeveris vendin, dhe që udhëhiqet nga unë me vendosshmërinë më të madhe që drejtësia të bëjë drejtësi”.

  • Çfarë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve?

    Çfarë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve?

    Pasditen e 27 marsit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të bëjë certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit, duke i hapur kështu rrugë formimit të institucioneve të reja.

    Certifikimi bëhet pasi kanë kaluar të gjitha afatet e ankesave të partive dhe kandidatëve për deputetë në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme.

    Procedurat për formimin e institucioneve të reja janë të parapara në Kushtetutë dhe ligje të tjera.

    Fillimisht, para se të certifikohen rezultatet, anëtarët e Qeverisë aktuale të udhëhequr nga Albin Kurti, që kanë fituar votat e mjaftueshme për postin e deputetit, sipas Ligjit për qeverinë, duhet të japin dorëheqje “para ditës së certifikimit”.

    Partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, është fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit.

    Konstituimi i Kuvendit të ri të Kosovës

    Menjëherë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve hapi i parë nuk është formimi i Qeverisë, por ai i konstituimit të përbërjes së re parlamentare.

    Sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duhet që brenda 30 ditësh të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit.

    Gjatë kësaj seance, deputetët e rinj bëjnë betimin dhe më pas zgjedhin kryetarët dhe nënkryetarët.

    Posti i kryetarit të Kuvendit i takon partisë së parë në zgjedhje, në këtë rast LVV-së. Ndërkaq, partitë më të mëdha politike propozojnë një kandidat për nënkryetar, por edhe deputetët e komunitetit serb dhe ata të komuniteteve joshumicë, duhet të propozojnë nga një deputet për postin e nënkryetarit.

    Kryetari dhe nënkryetarët zgjidhen me shumicë të votave. Seanca konstituive, sipas Rregullores së Kuvendit, përfundon me zgjedhjen e tyre.

    “Ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë”, thuhet në Nenin 12, pika 5 e Rregullores së Kuvendit.

    Kufizimi i kompetencave të ekzekutivit aktual

    Me konsitituimin e Kuvendit, hapet rruga për formimin e ekzekutivit të ri. Por, në këtë periudhë të ndërmjetme – pra nga konstituimi i përbërjes së re parlamentare e deri te formimi i ekzekutivit të ri – Qeverisë aktuale i kufizohen kompetencat.

    Këto kufizime parashihen në nenin 31 të Ligjit për Qeverinë.

    Në këtë nen thuhet se Qeveria nuk ka të drejtë të miratojë nisma apo të nënshkruajë marrëveshje ndërkombëtare, për të cilat kërkohet ratifikimi i Kuvendit, nuk mund të miratojë ligje, strategji e koncept-dokumente, nuk mund të propozojë kandidatë për poste të caktuara, e as të emërojë njerëz në pozita publike.

    Qeveria e re

    Në këtë periudhë, presidentja Osmani, sipas ligjeve obligohet të nominojë partinë fituese si mandatare për formimin e Qeverisë së re.

    Kabineti qeveritar i propozuar duhet t’i sigurojë votat e 61 deputetëve.

    Sipas rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ-ja më 15 mars, LVV-ja ka fituar 42.30 për qind, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 20.95 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 18.27 për qind.

    Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate me 7.06 për qind.

    Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka siguruar 4.26 për qind të votave.

    Me këto përqindje, LVV-ja i ka siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja, 24 sosh, LDK, 20 vende, Lista Serbe nëntë vende dhe koalicioni AAK-Nisma, tetë vende.

    Pra, i bie që asnjëra parti nuk do të mund të formojë vetëm Qeverinë, por për ekzekutivin e ri do të duhet të formohen koalicione.

    Sa i përket koalicioneve, LVV-ja ka thënë se preferon ta formojë Qeverinë me partitë joshumicë – të cilat kanë dhjetë ulëse të garantuara në Kuvendin e Kosovës.

    Partitë e mëdha shqiptare po ashtu janë shprehur kundër bashkëpunimit për ekzekutivin e ri me LVV-në. Por, Kurti ka shprehur bindjen se do të udhëheqë qeverinë e re.

    Megjithatë, nëse LVV-ja dështon të sigurojë mbështetjen e 61 deputetëve, atëherë presidentja Osmani është e obliguar që brenda dhjetë ditësh të ftojë në konsultime partitë politike.

    Pas konsultimeve, është në diskrecionin e saj për të vendosur për mandatarin e ri, nëse ai dëshmon se ka numrat për të formuar ekzekutivin.

    Mandatari më pas i ka 15 ditë kohë që t’i paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.

    Por, nëse Qeveria nuk formohet as pas tentimit të dytë, atëherë presidentja Osmani, sipas nenit 95 të Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë.

    Zgjedhjet e 9 shkurtit ishin zgjedhjet e para të rregullta parlamentare të mbajtura në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë.

  • Marrëveshja ushtarake Shqipëri -Kosovë -Kroaci, ministri Vengu ka dy fjalë për Vuçiqin

    Marrëveshja ushtarake Shqipëri -Kosovë -Kroaci, ministri Vengu ka dy fjalë për Vuçiqin

    Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, ka shpjeguar në A2 CNN, detaje të marrëveshjes ushtarake 3-palëshe mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë.

    Vengu tha se marrëveshja mes 3 vendeve ka parime shumë të qarta, të cilat sipas tij, bazohen në prioritetet strategjike të BE-së në rajon.

    Ai tha gjithashtu se ka edhe elementë të tjerë në marrëveshje, që kanë të bëjnë me rigjenerimin e industrisë ushtarake në vendet tona. Vengu shtoi se jemi duke synuar mundësinë e prokurimit të përbashkët të mjeteve, pajisjeve dhe sistemeve të mbrojtjes.

    Ministri shtoi gjithashtu se marrëveshja mes tre vendeve është një iniciativë e hapur dhe ftoi edhe Serbinë që të behej pjesë e saj, teksa tha më tej se Beogradi dhe Presidenti Vuçiç ka qenë paragjykues për këto nisma.

    “Shqipëria si vend amë ka përgjegjësi përtej shqiptarëve të Kosovës, por edhe për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi e Serbisë. Marrëveshja jonë ka parime shumë të qarta. Bazohet mbi kompasin dhe prioritetet strategjike të BE në rajon, mbi prioritetet strategjike të NATO-s në rajon dhe është thjeshtë një kërkesë për më shumë vëmendje të të dyja këtyre entiteteve përsa i përket sigurisë në rajon, siç e lexon Kroacia, Shqipëria dhe Kosova.

    E dyta ne kemi edhe elementë të tjerë në marrëveshje, që kanë të bëjnë me rigjenerimin e industrisë ushtarake në vendet tona. Jemi duke synuar mundësinë e prokurimit të përbashkët të mjeteve, pajisjeve dhe sistemeve të mbrojtjes. Kjo pasi e gjithë Europa është në një situatë ku duhet të rrisim shpenzimet ushtarake për efekt të sigurisë kolektive.

    Dhe ne nuk mund ta konsiderojmë të plotë mekanizmin e sigurisë kolektive, duke e lënë Kosovën mënjanë këtyre mekanizmave. Kjo është një iniciativë e hapur, që nëse vende të tjera të rajonit, përfshirë edhe Serbinë, kanë dëshirë që t’i atashohen këtij mekanizmi, patjetër që e kanë mundësinë që t’i atashohen këtij mekanizmi.

    Më bën të kuptoj nga të gjitha këto lexime që kam parë dhe reagime të përfaqësuesve të ndryshëm në Serbi, që ata nuk e dëshirojnë një gjë të tillë, e paragjykojnë çdo bashkëpunim të palëve të tjera për vetëmbrojtjen e tyre dhe jo kundra Serbisë”, tha Vengu.

  • Trump njofton tarifa 25 për qind për makinat e importuara në SHBA

    Trump njofton tarifa 25 për qind për makinat e importuara në SHBA

    Presidenti i SHBA-sw Donald Trump ka njoftuar taksa të reja të importit prej 25% për makinat dhe pjesët e makinave që vijnë në SHBA, një lëvizje që kërcënon të zgjerojë luftën tregtare globale. Tarifat e fundit do të hyjnë në fuqi më 2 prill, dita e “çlirimit të Amerikës” siç e përcaktoi presidenti, kur do të vendosen detyrime reciproke edhe ndaj 15 vendeve.

    Për manjatin, masa do të shërbejë për të stimuluar prodhimin vendas, por rrezikon të rëndojë financat e prodhuesve të makinave që varen nga zinxhirët e furnizimit global dhe të rezultojë në kosto më të larta për konsumatorët amerikanë. Kjo është ajo çfarë mendojnë tregjet, të cilat reaguan shumë keq ndaj lajmit: Wall Street u mbyll në të kuqe edhe para njoftimit zyrtar dhe ra më tej më pas, ndërsa shumica e aksioneve të prodhuesve të makinave lanë rreth 2-3% në terren, nga General Motors te Stellantis. Masa e presidentit amerikan mund të shkaktojë gjithashtu përplasje të mëtejshme tregtare me Bashkimin Evropian, në veçanti vende si Gjermania dhe Italia, por edhe Japonia dhe Koreja e Jugut. Pothuajse gjysma e të gjitha automjeteve të shitura në Shtetet e Bashkuara janë të importuara, siç janë pothuajse 60% e pjesëve të automjeteve të montuara në SHBA.

    Trump tha se ishte i sigurt se këto masa do të favorizojnë kthimin e prodhimit të makinave në Shtetet e Bashkuara dhe mohoi se ato janë një favor për mikun e tij Elon Musk, Teslat e të cilit tashmë janë prodhuar në fabrikat amerikane.

    “Ai kurrë nuk më ka kwrkuar asgjë,” u përgjigj presidenti kur u pyet nga gazetarët në Zyrën Ovale. Nuk dihet nëse pjesët e këmbimit të makinave do të përjashtohen nga detyrimet, e sigurt është se ato do të jenë “të përhershme”, “përveç atyre ekzistuese” dhe do të hyjnë në fuqi më 2 prill. “Dita e Çlirimit”, kur do të shpallen tarifa reciproke pwr 15 vendet me të cilat SHBA ka disbalancën më të madhe tregtare, përfshirë vendet e BE-së.

    Manjati pohoi se Shtetet e Bashkuara do të fitojnë nga këto masa nga 600 milionë në një trilion në dy vjet.

    “Na trajtoi shumë keq”, përsëriti Trump i cili pak ditë më parë i cilësoi “evropianët si parazitë”. Komisioni Evropian thotë se tarifat do të jenë rreth “20%” dhe do të godasin të 27 vendet në bllok. Në bisedimet e tij me Sekretarin Amerikan të Tregtisë, Howard Lutnick, Përfaqësuesin e Tregtisë Jamieson Greer dhe Kevin Hassett, drejtor i Këshillit Kombëtar Ekonomik, Komisioneri i Tregtisë Maros Sefcovic paralajmëroi se një tarifë prej 20% për importet nga BE do të ishte “shkatërruese” për bllokun, tani gjithçka që mbetet është të presim deri të martën e ardhshme vendimin për të zbuluar.

    Evropa tashmë ka hartuar një paketë prej 26 miliardë eurosh të detyrimeve, e cila do të zbatohet nga 12 prilli. Disa nga tarifat u shtynë nga 1 prilli nga frika e një reagimi edhe më të ashpër nga Uashingtoni. Franca, për shembull, e bindi Brukselin që të shtyjë taksën e saj prej 50% mbi burbonin pasi Trump tha se do të godiste shampanjën dhe verën me tarifa 200% në këmbim.

  • Pas njohjes së Kosovës nga Kenia, Serbia reagon: Akt armiqësor

    Pas njohjes së Kosovës nga Kenia, Serbia reagon: Akt armiqësor

    Serbia e ka konsideruar një “akt armiqësor” njohjen e Kosovës nga Kenia dhe ka paralajmëruar se do të marrë “të gjitha masat e nevojshme diplomatike” ndaj këtij akti.

    “Veprimi i Kenias për ta njohur shtetin e Kosovës përbën shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe cenim të drejtpërdrejtë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, tha ministria e Jashtme e Serbisë në një reagim.

    Serbia po ashtu pretendon se me këtë veprim, Kenia “e ka shkelur edhe Kartën e OKB-së”. Kjo njohje, sipas Beogradit zyrtar “minon gjithashtu përpjekjet për dialog konstruktiv, stabilitet rajonal dhe respektimin e rendit juridik ndërkombëtar”.

    Serbisë i ka bërë përshtypje edhe fakti që Kenia i është referuar edhe vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për çështjen e pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar si “të pabazuar”.

    Në reagim po ashtu u tha se vendimi i Kenias do të ndikojë në marrëdhëniet e këtij shteti me Serbinë.

    Serbia në përfundim të reagimit pretendon se në tetë vitet e fundit “28 shtete kanë tërhequr ose pezulluar njohjen e pavarësisë” së Kosovës, dhe se vetëm “dy shtete të reja e kanë njohur”.

    “Shumica e qartë e bashkësisë ndërkombëtare, ligji dhe drejtësia janë në anën e Serbisë. Serbia mbetet e përkushtuar për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial me të gjitha mjetet diplomatike dhe juridike në dispozicion”, thuhet në fund të këtij reagimi.

  • Studentët protestues në Serbi përdorin narrativin shtetëror për bombardimet e NATO-s

    Studentët protestues në Serbi përdorin narrativin shtetëror për bombardimet e NATO-s

    Protesta e studentëve dhe qytetarëve para godinës së dëmtuar të ish-Shtabit të Përgjithshëm në qendër të Beogradit, më 24 mars 2025, në 26 vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s.

    Protesta e studentëve dhe qytetarëve para godinës së dëmtuar të ish-Shtabit të Përgjithshëm në qendër të Beogradit, më 24 mars 2025, në 26 vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s.

    Njëzet e gjashtë vjet pas bombardimeve të NATO-s në Republikën Federale të Jugosllavisë, në Serbi mbetet gjerësisht i përhapur narrativi për mijëra civilë të vrarë, ashtu si edhe pjesëtarë të forcave të armatosura.

    Kjo u pa edhe në protestën që u organizua nga studentët në Beograd, përpara godinës së ish-Shtabit të Përgjithshëm, më 24 mars – në përvjetorin e 26-të të fillimit të bombardimeve.

    Në thirrjen për tubim, të cilën studentët e publikuan në faqen në Instagram “Studentët në bllokadë”, thuhej se gjatë 78 ditëve bombardime, u vranë 2.500 civilë dhe 1.031 pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë.

    Ata iu referuan të dhënave të Ministrisë serbe të Mbrojtjes, sipas të cilave nga bombardimet humbën jetën edhe 89 fëmijë.

    Këto të dhëna, me disa variacione, janë përmendur ndër vite në ceremonitë zyrtare me rastin e përvjetorëve të fillimit të ndërhyrjes së NATO-s.

    Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH), gjatë pothuajse tre muajve bombardime kanë humbur jetën gjithsej 756 persona.

    Nga ta, 451 kanë qenë civilë, ndër të cilët 217 shqiptarë, 204 serbë dhe 30 romë apo pjesëtarë të grupeve të tjera etnike.

    Sa u përket viktimave nga radhët e forcave të armatosura, 276 kanë qenë pjesëtarë të Ushtrisë së Jugosllavisë apo të MPB-së së Serbisë, ndërsa 29 pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Këto janë të dhënat më të besueshme për viktimat e sulmeve ajrore të NATO-s në vitin 1999. Për vite me radhë kemi ftuar publikun që, nëse dikush ka ndonjë të dhënë për ndonjë viktimë, të na e japë, por askush nuk është lajmëruar”, thotë për Radion Evropa e Lirë Natasha Kandiq, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare.

    Në një raport të publikuar në vitin 2014, janë paraqitur emrat dhe mbiemrat e viktimave, përkatësia etnike, data e lindjes, si dhe vendi dhe data e vdekjes.

    Çfarë kanë thënë zyrtarët e Serbisë?

    Të dhënat për numrin e viktimave që i ka paraqitur udhëheqja shtetërore serbe ndër vite, kanë ndryshuar.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në shënimin e 25-vjetorit të fillimit të bombardimeve, në vitin 2024, deklaroi se janë vrarë 79 fëmijë, 2.500 njerëz – “jo vetëm civilë, por edhe ushtarë e policë”.

    Në një fjalim para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në shtator të vitit 2023, Vuçiq tha se në ’99-tën janë vrarë disa mijëra civilë dhe ushtarë.

    Në një ngjarje përkujtimore, me rastin e bombardimeve të NATO-s në vitin 2021, u tha se janë vrarë rreth 4.000 civilë.

    Ky numër ishte pak më ndryshe në vitin 2017, kur Vuçiq deklaroi se janë vrarë më shumë se 2.000 civilë dhe pothuajse 1.000 ushtarë dhe policë.

    Koordinatorja e Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian, Bojana Selakoviq, thekson se narrativi për 2.500 civilë të vrarë dhe mbi 1.000 ushtarë të vrarë, ka vazhduar për faktin se nuk ekzistojnë të dhëna shtetërore për numrin e viktimave.

    “Këtë nuk e ka bërë asnjë qeveri që nga viti 1999”, thotë Selakoviq, duke kujtuar se hulumtimi i vetëm është bërë nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

    Sipas saj, narrativi për një numër më të madh viktimash përdoret për t’i mobilizuar njerëzit mbi baza të ndjenjës kombëtare.

    “Kjo është një praktikë e shpeshtë – të flitet me shifra pa evidencë zyrtare, të mos flitet për fakte, por për ndonjë lloj konstrukti, ndërtimi, në mënyrë që të mbahet gjallë ajo përmasë e viktimës, e cila, në fakt, është thelbësore në atë narrativ dhe shërben për një lloj manipulimi ndaj njerëzve”, thotë ajo.

    Gjeneratat që nuk i mbajnë mend bombardimet

    Narrativin për mijëra civilë të vrarë e kanë vazhduar edhe studentët në bllokadë.

    Studentja Dunja Stanojkoviq lexoi deklaratën, në të cilën thuhej se “më 24 mars, 1999, u bombardua një shtet, dhe deri më sot askush nuk ka dhënë përgjegjësi”.

    “U bë e qartë se parimet e së drejtës ndërkombëtare nuk vlejnë njësoj për të gjithë”, thuhej në deklaratën e studentëve.

    Radio Evropa e Lirë nuk arriti të marrë përgjigje me shkrim nga grupi “Studentët në bllokadë”, lidhur me mënyrën se si informohen për ngjarjet që lidhen me bombardimet e NATO-s më 1999, dhe nëse kanë dijeni për të dhënat e publikuara nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

    Bojana Sellakoviq vlerëson se studentët në bllokadë kanë vendosur të dalin me këto të dhëna, për të mbledhur një numër më të madh njerëzish në protestën para Shtabit të Përgjithshëm.

    Ajo thekson se narrativin për bombardimet e shpërndan pushteti dhe kujton se bëhet fjalë për gjenerata që nuk e mbajnë mend atë periudhë.

    “Ata kanë mësuar për këtë nga narrativët shtetërorë, kanë mësuar në shkolla, sepse ky është narrativ që përdoret në sistemin arsimor… kanë mësuar edhe nga mediat për këtë. Marrë parasysh se, në një mënyrë, u janë nënshtruar mekanizmave që pushteti i ka përdorur gjatë gjithë këtyre viteve, për të diskredituar njerëz në hapësirën publike, ata, thjesht, nuk i konsiderojnë relevante burimet e tjera”, shpjegon Sellakoviq.

    Një fushatë ajrore në mbrojtje të njerëzimit

    Kandiq mendon se gjeneratat e reja nuk dinë pothuajse asgjë për vuajtjet e popullsisë joserbe gjatë bombardimeve të NATO-s, ndaj as që e vënë në dyshim informacionin që paraqesin zyrtarët serbë.

    “Ata nuk e dinë që ekzistojnë edhe të dhëna të tjera që janë të verifikuara me emër dhe mbiemër, përveç numrave që i japin përfaqësuesit e institucioneve shtetërore”, thotë Kandiq.

    Edhe më pak, sipas saj, dinë për krimet e luftës që i kanë kryer pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë së Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës, në luftën e viteve 1998 dhe 1999.

    Ndërhyrja e NATO-s filloi pas raporteve për krimet e kryera nga njësitë policore dhe ushtarake serbe ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë.

    Intervenimi u krye pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara – gjë që përbënte një precedent.

    Në narrativin zyrtar të Serbisë theksohet vetëm ky aspekt, ndërsa për përndjekjen sistematike të popullsisë shqiptare në Kosovë nuk thuhet gjë.

    Krimet e forcave serbe janë vërtetuar me aktgjykime të Tribunalit të Hagës.

    Kandiq thotë se shpreson se do të vijë një kohë kur gjeneratat e reja do të fillojnë të vënë në dyshim narrativin zyrtar për luftën në Kosovë dhe bombardimet e vitit 1999.

    “Mendoj se është jashtëzakonisht me rëndësi që këta të rinj të orientohen drejt të dhënave dhe fakteve të vërtetuara përmes hulumtimit dhe që janë nxjerrë nga një analizë e kujdesshme e të gjitha dokumenteve gjyqësore. Përmes rrjeteve sociale i kam ftuar të bashkohen me disa nga projektet tona të reja, që do t’i ndihmojnë pikërisht në fitimin e njohurive për luftërat e viteve ’90”, thotë Kandiq.

    Hulumtimi i Fondit për të Drejtën Humanitare

    Fondi për të Drejtën Humanitare ka filluar hulumtimin për viktimat menjëherë pas bombardimeve të NATO-s. Hulumtuesit, sipas Kandiqit, kanë kaluar nëpër 35.000 burime. Të dhënat e para që ka publikuar ky fond, janë bazuar ekskluzivisht në burime mediatike.

    “Atëherë mediat publikonin të dhëna zyrtare që duhej të ishin të aprovuara më parë. Këto burime mediatike ishin të përqendruara vetëm në viktimat në Serbinë qendrore. Nuk kishte asnjë të dhënë që tregonte se kishte pasur sulme edhe ndaj shqiptarëve në Kosovë”, thotë Kandiq.

    Ajo shton se në hulumtimet e mëvonshme është konstatuar se numri i viktimave ishte disi më i madh në mesin e popullatës shqiptare. Sipas themelueses së Fondit për të Drejtën Humanitare, ata kanë humbur jetën kryesisht në rrethana të veçanta.

    “Zakonisht bëhej fjalë për kolona të popullatës që më parë ishte dëbuar drejt Shqipërisë. Këto kolona gjithmonë ishin nën përcjelljen e policisë. Kurrë nuk është folur për këtë në media dhe asnjë përfaqësues i autoriteteve në Serbi nuk i ka përmendur viktimat shqiptare nga sulmet ajrore”, thotë Kandiq.

    Për mënyrën se si narrativi zyrtar i shtetit serb është selektiv në lidhje me viktimat gjatë bombardimeve, flasin edhe të dhënat për fëmijët e vrarë.

    Sipas të dhënave që japin zyrtarët shtetërorë, numri i fëmijëve të vrarë varion nga 79 deri në 89. Fëmijët me përkatësi kombëtare shqiptare, në këtë rast, zakonisht nuk përmenden fare.

    Të dhënat e Fondit për të Drejtën Humanitare tregojnë se nga bombardimet e NATO-s kanë humbur jetën gjithsej 81 fëmijë nën moshën 16-vjeçare.

    Numri më i madh i viktimave në një sulm është regjistruar më 13 maj, 1999, në fshatin Korishë në Kosovë, ku janë vrarë 29 fëmijë.

    “Deri më tani është konstatuar se të gjithë ata fëmijë ishin nga fshatra prej nga ishte dëbuar popullata shqiptare. Ata ishin drejtuar kah kufiri me Shqipërinë. Policia e Serbisë i kishte drejtuar në një ndërtesë të vjetër ushtarake për ta kaluar natën aty dhe që të nesërmen të vazhdonin rrugën për në Shqipëri. Gjatë natës ndodhi sulmi i aviacionit të NATO-s”, thotë Kandiq.

    Sellakoviq thekson se, nëse shteti do t’i publikonte emrat dhe mbiemrat e të vrarëve gjatë bombardimeve, do të shihej se një numër i konsiderueshëm i tyre ishin shqiptarë.

    “Atëherë do të binte narrativi se viktimat e NATO-s janë vetëm serbë dhe se NATO-ja është një organizatë e drejtuar kundër serbëve. Ne e dimë se si është përdorur ky narrativ gjatë gjithë këtyre 20 e ca viteve – për ta orientuar qartë kursin e politikës së jashtme të Serbisë”, thotë Sellakoviq.

    Veteranët dhe studentët

    Në protestën para ish-Shtabit të Përgjithshëm, studentëve dhe qytetarëve iu bashkuan edhe veteranët e Brigadës së 63-të Parashutiste. Ata, edhe më herët, kanë mbështetur protestat e studentëve, që kanë nisur prej fundit të nëntorit.

    Protesta në Kragujevc më 15 shkurt 2025, në të cilën ishin të pranishëm edhe veteranët e Brigadës së 63-të të Parashutës së Ushtrisë Serbe.

    Anëtarët e shoqatës së veteranëve u kanë ofruar ndihmë studentëve në ruajtjen e rendit edhe gjatë protestës së madhe në Beograd më 15 mars, kur në kryeqytet u mblodhën disa qindra mijëra njerëz.

    “Duke pasur parasysh se ato njësi kanë reputacionin e mbrojtjes së interesave kombëtare, studentët ndoshta nuk shohin asgjë të keqe nga përfshirja e tyre. Thjesht, nuk janë të informuar për atë që kanë bërë ata njerëz dhe sa problematike ka qenë”, thotë Sellakoviq.

    Pjesëtarët e Brigadës së 63-të Parashutiste kanë marrë pjesë në të gjitha luftërat në hapësirën e ish-Jugosllavisë, gjatë viteve ’90.

    Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare, në aktgjykimet gjyqësore përmendet pjesëmarrja e tyre në aksionin “Reka”, në prill të vitit 1999.

    Gjatë këtij aksioni ndodhi krimi më masiv në Kosovë, kur mbi 300 pjesëtarë të komunitetit shqiptar nga fshati Mejë u ndanë nga familjet dhe u vranë në rrugën për në Gjakovë.

    Në aktgjykimet ndaj gjeneralëve të atëhershëm të Ushtrisë Jugosllave, Nebojsha Pavkoviq dhe Vlladimir Llazareviq, për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë, nuk përmendet përgjegjësia e komandantëve apo shefave të shtabit të Brigadës së 63-të Parashutiste. Në ato aktakuza, fokusi ishte te krerët ushtarakë të Ushtrisë Jugosllave.

    Tubimi para Shtabit të Përgjithshëm ishte pjesë e protestave disamujore në Serbi, me të cilat kërkohet përgjegjësi për vdekjen e 16 personave nga shembja e një kulmi betoni në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit.

    Protestat po udhëhiqen nga studentët, të cilët, për më shumë se katër muaj, bllokojnë dhjetëra fakultete në të gjithë Serbinë. /Radio Evropa e lirë

  • Revista kroate demanton Vuçiqin: Marrëveshja Kosovë –Shqipëri – Kroaci u koordinua me ShBA-të dhe NATO-n

    Revista kroate demanton Vuçiqin: Marrëveshja Kosovë –Shqipëri – Kroaci u koordinua me ShBA-të dhe NATO-n

    Kosova, Shqipëria dhe Kroacia, javën e kaluar nënshkruan në Tiranë një marrëveshje bashkëpunimi ushtarake.

    Për këtë, Serbia reagoi ashpër, duke thënë se është dashur të pyetet ajo, se ka shkelur një marrëveshje të vitit 1996, se është kundër Serbisë, dhe se u bë pa dijeninë e ShBA-së dhe NATO-s.

    Mirëpo, ministrat e mbrojtjes nga shtetet nënshkruese, thanë se marrëveshja nuk ka për cak askënd, por synon forcimin e sigurisë në vendet respektive dhe ka për qëllim bashkëpunimin në aspektin e sigurisë mes vendeve nënshkruese, raporton Klankosova.

    E revista kroate “Nacional”, ka hedhur poshtë edhe pretendimin e Beogradit zyrtar se ajo u bë pa aminin e ShBA-së dhe të NATO-s.

    “Bashkëpunimi i ri ushtarak mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, për të cilin ministri i mbrojtjes, Ivan Anushiq, javën e kaluar udhëtoi në Tiranë për të nënshkruar deklaratën me ministrin e mbrojtjes të Shqipërisë, Pirro Vengu dhe atë të Kosovës, Ejup Maqedonci, është dakorduar, ose më saktë u koordinua, me administratën e presidentit amerikan Donald Trump dhe me udhëheqjen e NATO-s”.

    Këtë, revista kroate “Nacional” thotë t’ua ketë ka konfirmuar jozyrtarisht një burim i lartë pranë Ministrisë së Mbrojtjes të Kroacisë.

    I pyetur nëse ishte e vërtetë që deklarata ishte rënë dakord me liderët e ShBA-së dhe të NATO-s, një burim i rangut të lartë pranë Ministrisë së Mbrojtjes të Kroacisë, shpjegoi:

    “Mund t’ju them se deklarata është koordinuar me ata me të cilët është dashur të koordinohet, që janë lojtarët e fortë brenda NATO-s dhe se kushdo që duhet të ishte në dijeni të kësaj nisme kroate, është i njohur me të”, ka thënë ky burim për “Nacional”.

    Ky informacion mohon drejtpërdrejt deklaratën e presidentit serb Alleksandar Vuçiq, i cili u tërbua nga nënshkrimi i deklaratës dhe madje tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje ishte shkelje e të ashtuquajturës marrëveshje nënrajonale për kontrollin e armëve të vitit 1996 dhe se Kroacia dhe Shqipëria pothuajse “me siguri nuk e informuan NATO-n për gjithçka”.

    Ministria e punëve të jashtme e Serbisë tha se “kjo iniciativë, e cila po zbatohet pa Serbinë, por me Prishtinën, paraqet një provokim të hapur dhe një shpërfillje të madhe të realitetit në terren”.

  • Qytetarët të pezmatuar për shtrenjtimin e rrymës: Me pension 120 euro si ia del në krye?!

    Qytetarët të pezmatuar për shtrenjtimin e rrymës: Me pension 120 euro si ia del në krye?!

    Paralajmërimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) se çmimi i energjisë elektrike do të rritet 15 për qind vazhdon të shkaktojë pakënaqësi ndër qytetarë.

    Në komunikim me Agjencinë e lajmeve Ekonomia Online qytetarët e shfaqin hapur pezmin e tyre. Shtrenjtimin e rrymës e konsiderojnë një barrë të padurueshme për buxhetin e tyre familjar.

    Qytetarët kërkojnë që rritja e çmimit të energjisë të mos bëhet ose së paku të ketë masa nga Qeveria për të mbështetur ata me të ardhura më të ulëta, si pensionistët.

    Qytetari Vesel Veseli thotë se kjo do të ndikojë negativisht në përballimin e shpenzimeve të përditshme, duke e bërë edhe më të vështirë mbijetesën për shumë familje.

    “Kjo është një rritje e papërballueshme për shumicën e familjeve tona, kur dihet çfarë buxheti familjar kanë. Është e papranueshme dhe rritje imponuese. Për ta përballuar disi qytetarët këtë rritje të çmimeve dhe pë ta zbutur këtë gjendje duhet që organet e Qeverisë të marrin masa sociale, duke i ngritur pensionet dhe ndihmat sociale. Një pensionist që sot e ka pensionin 120 euro si do t’ia del?!”, shprehet Veseli.

    Një tjetër qytetar Murat Gërbeshi po ashtu shprehu shqetësimin se rritja e çmimit të energjisë elektrike do të shkaktojë një rritje zinxhirore të çmimeve, duke e vështirësuar jetesën.

    “Rritet çmimi i energjisë dhe shkojnë e të gjitha çmimet rriten. Nuk e di se çka janë duke bërë. Qe tri herë që e rrit çmimin ky zotëria i Vetëvendosjes. Nuk e di se si do ia qes fundin. Po si nuk ndikon?! Do të shkojnë të gjithë çmimet zinxhir të rriten. Nuk kemi çfarë të bëjmë”, ka thënë ai.

    Edhe qytetari Bajram Demaj kërkoi që energjia elektrike të mos shtrenjtohet, pasi për pensionistët është i pamundur përballimi i kostos së jetesës.

    “Nuk duhet të shtrenjtohet energjia elektrike. Duhet të kane parasysh standardin e popullatës, sidomos pensionet. Me një pension nuk mund t’ia dalë njeriu. Është mirë të mos ketë shtrenjtim. Do të vijë fatura e rrymës diku 70 – 100 euro. A të blesh barna a të paguash qira?! Nuk mund t’ia dalë njeriu assesi. Kërkesa është që të mos shtrenjtohet energjia, popullata duhet të jetë e zgjuar, të protestojë që mos të rritet energjia elektrike”.

    Tashmë Grupi “Asnjë cent ma shumë” paralajmëroi se do të mbajë protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, të shtunën më 5 prill në Prishtinë. Protesta do të nisë nga ora 15:00 në sheshin “Skënderbe”. Në njoftim thuhet se protestohet kundër rritjes së tarifave për 15 për qind, kundër varfërisë energjetike, për zë qytetar dhe transparencë si dhe për tarifa të drejta dhe jetë me dinjitet./EO/