ATV

Author: ATVLive

  • Autoritetet e Kosovës e refuzojnë kërkesën e ministrit serb të Shëndetësisë për vizitë në Mitrovicë

    Autoritetet e Kosovës e refuzojnë kërkesën e ministrit serb të Shëndetësisë për vizitë në Mitrovicë

    Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka njoftuar se ia ka refuzuar kërkesën për vizitë në Kosovë ministrit të Shëndetësisë të Serbisë.

    Sipas MPJD-së, ky vendim është marrë bazuar në reciprocitet, pasi Serbia ka refuzuar vizitën e ministrit të Kulturës të Kosovës, Hajrulla Çeku, në Preshevë.

    “Qasja e Kosovës mbetet e bazuar në reciprocitetin dhe respektimin e rendit të saj kushtetues. Pas refuzimit të Serbisë për të lejuar ministrin Hajrulla Çeku ta vizitojë Preshevën, Kosova ka refuzuar kërkesën për vizitë të ministrit të Shëndetësisë të Serbisë. Trajtimi i drejtë dhe i barabartë është thelbësor”- thuhet në njoftimin e Ministrisë të lëshuar më 26.03.2025.

  • Reuters: Kenia e njeh Kosovën si shtet të pavarur, hapi i parë i tillë në pesë vjet

    Reuters: Kenia e njeh Kosovën si shtet të pavarur, hapi i parë i tillë në pesë vjet

    Kenia e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur, vendi i parë që e ka bërë këtë pas gati pesë vitesh përpjekjesh të ngecura për të fituar njohje të mëtejshme ndërkombëtare, shkruan Reuters.

    Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara për shkak të kundërshtimit nga Serbia dhe aleatët e saj, duke përfshirë edhe Rusinë dhe Kinën, mbajtësit e vetos së OKB-së.

    Mbi 110 vende, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shumicën e vendeve evropiane, e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

    Njoftimin e ka bërë ish-presidenti i Kosovës Behgjet Pacolli, i cili në faqen e tij në Facebook ka shpërndarë foto me presidentin kenian, William Ruto, teksa ka nënshkruar letrën e njohjes.

    “Kam shkuar derë më derë, zyrë më zyrë, vetëm me një qëllim – që të dëgjohet zëri dhe e drejta e popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe sovranitet”, tha Pacolli, duke shtuar se për këtë ka lobuar që nga viti 2009.

    Shteti i fundit që e njohu Kosovën si shtet ishte Izraeli në shtator të vitit 2020.

  • KQZ sot pritet të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit

    KQZ sot pritet të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit

    Komisioni Qendror i Zgjedhje të enjten pritet të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

    Mbledhja është paraparë të mbahet nga ora 16:00.

    Në rend dite është edhe zëvendësimi i deputetëve të zgjedhur të cilët kanë hequr dorë.

    Të mërkurën Gjykata Supreme ka përfunduar shqyrtimin e ankesave të fundit të cilat i ka refuzuar.

    Nga ana tjetër Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se ka autorizuar Policinë e Kosovës për mbledhjen e fakteve për pretendimet për manipulim të votave me postë nga diaspora.

    Më 15 mars, KQZ mori vendim për shpalljen e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat janë mbajtur më 9 shkurt 2025.

    Sipas këtyre rezultateve Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalw e para me mbi 390.000 vota apo 42.30 për qind.

    E dyta ka dalë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me mbi 190.000 vota, apo 20.95 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me mbi 170.000 mijë vota, apo 18.27 për qind.

    Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Social-demokrate me mbi 66.000 vota apo 7.06 për qind.

    Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka siguruar mbi 39.000 vota apo 4.26 për qind.

  • Vrasjet tragjike në Vushtrri, policia kryen kontrolle në tri shkolla

    Vrasjet tragjike në Vushtrri, policia kryen kontrolle në tri shkolla

    Policia e Kosovës sot ka kryer kontrolle në tre shkolla tw Vushtrrisë, pas vrasjeve tragjike që kanë ndodhur jo shumë ditë më parë.

    Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka bërë të ditur se kontrollet janë kryer në këto tri shkolla: SHMT “Lutfi Musiqi”, SHMP “Bahri Haxha” dhe Gjimnazin “Eqrem Çabej”.

    I pari i komunës ka potencuar se kontrollet janë realizuar me qëllim të verifikimit të sigurisë dhe për t’u siguruar që nuk kishte asnjë kërcënim të mundshëm për nxënësit dhe mësimdhënësit.

    Tutje, në njoftim shkruhet se gjatë këtyre kontrolleve, nuk është hasur asgjë e dyshimtë.

    “Kjo është pjesë e një serie masash që do të vazhdojmë të implementojmë për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët dhe për të luftuar çdo formë të dhunës dhe pasigurisë. Ne do të qëndrojmë të angazhuar për të ofruar mbështetje dhe siguri për komunitetin tonë”, ka deklaruar ai.

  • ​Italia trupa në Ukrainë vetëm nën misionin e OKB-së

    ​Italia trupa në Ukrainë vetëm nën misionin e OKB-së

    Italia do të dërgojë trupa në Ukrainë vetëm nën një mision të OKB-së, deklaroi sot shefi i diplomacisë italiane.

    Antonio Tajani, pas një samiti të qeverisë në Romë, gjithashtu argumentoi se propozimi i kryeministres Giorgia Meloni për t’i dhënë Ukrainës garancitë e sigurisë të ngjashme me nenin 5 të NATO-s, mbetet një opsion i mundshëm.

    “Italia mendon se trupat duhet të dërgohen në Ukrainë vetëm për të kontrolluar një armëpushim të ardhshëm vetëm nën flamurin e OKB-së. Është kushti i vetëm për ne,” tha Tajani, raporton KosovaPress.

    Ai theksoi gjithashtu se ka një konsensus mes partive të koalicionit për qëndrimin që do të promovojë Meloni gjatë takimit të nesërm.

    Neni 5, i parë si shtylla e mbrojtjes kolektive të NATO-s, thotë se një sulm ndaj një anëtari konsiderohet sulm ndaj të gjithëve. Më 6 mars, Meloni propozoi që NATO mund të zgjeronte mbrojtjen e Nenit 5 për Ukrainën pa i dhënë asaj anëtarësimin e plotë në aleancën ushtarake, transmeton AA.

    Udhëheqësit botërorë do të mblidhen në Paris të enjten për një samit të lartë mbi Ukrainën dhe për të hedhur bazat për garancitë afatgjata të sigurisë.

    Sipas Pallatit Élysée, pritet të marrin pjesë 31 vende, duke përfshirë aleatët e NATO-s, shtetet anëtare të BE-së dhe vende jo anëtare të BE-së si Britania e Madhe, Kanadaja dhe Norvegjia.

    Të mërkurën në mbrëmje, Macron do të presë presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Paris për një darkë pune përpara samitit.

    “Franca do ta bëjë prioritetin e saj kryesor ndjekjen dhe përforcimin e mbështetjes ushtarake dhe financiare për Ukrainën”, tha Pallati Élysée në një deklaratë dërguar shtypit.

    Qëllimi kryesor i samitit është të finalizojë ato garanci të sigurisë që kombet evropiane janë të gatshme të ofrojnë – duke përfshirë nëse ata do të konsiderojnë vendosjen e trupave paqeruajtëse në terren në Ukrainë, ende e përfshirë në pushtimin në shkallë të plotë të Rusisë, tashmë në vitin e katërt.

    Franca, Britania e Madhe dhe Ukraina thuhet gjithashtu se po punojnë për paraqitjen e një traktati paqeje në SHBA, i cili ka të ngjarë të diskutohet të enjten.

    Vendet që bien dakord për këtë marrëveshje do të formonin një “koalicion të vullnetarëve”.

    Samiti i së enjtes vjen në një moment kyç pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan se kishin ndërmjetësuar një armëpushim midis Rusisë dhe Ukrainës në Detin e Zi.

  • ​Policia ushtarake e FSK-së trajnohet në Kroaci

    ​Policia ushtarake e FSK-së trajnohet në Kroaci

    Policia ushtarake e Forcës së Sigurisë së Kosovës realizoi trajnim të përbashkët me policinë ushtarake të Kroacisë, në kuadër të bashkëpunimit bilateral.

    Fokusi i trajnimit, sipas FSK-së, ishte në fushën e Mbrojtjes së Afërt dhe Anti-Terrorizmit, me qëllim përmirësimin e aftësive të personelit të dy forcave policore në menaxhimin e situatave të sigurisë dhe luftimin e kërcënimeve të mundshme.

    “Gjatë trajnimit, janë zhvilluar aktivitete intensive që kanë përfshirë qitje me armë të shkurtra dhe të gjata [ditën dhe natën], si dhe skenarë të ndryshëm për pastrimin e objekteve, ngasjen e automjeteve në poligonin përkatës me pengesa dhe shoqërimi-sigurimi i VIP gjatë ecjes në natyrë”, njoftoi FSK-ja të mërkurën.

    Përveç trajnimit intensiv, gjatë kësaj periudhe është realizuar një shkëmbim përvojash dhe njohurish mes dy palëve pjesëmarrëse.

    FSK-ja tha se ky aktivitet i përbashkët është një hap i rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve dhe intensifikimin e bashkëpunimit të vazhdueshëm në mes të Policisë Ushtarake të FSK-së, dhe asaj të Kroacisë./KP

  • ​4 ushtarë amerikanë të zhdukur në Lituani

    ​4 ushtarë amerikanë të zhdukur në Lituani

    Katër ushtarë të ushtrisë amerikane janë zhdukur gjatë një stërvitjeje rutinë në vendin baltik të Lituanisë, thanë sot zyrtarët ushtarakë.

    Një operacion shumëkombësh kërkimi është duke u zhvilluar aktualisht në Pabrade pranë kryeqytetit Vilnius, sipas zyrës së marrëdhënieve publike të komandës së Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë, raporton AA, përcjell KosovaPress.

    Ushtarët, të gjithë nga Brigada e Parë, Divizioni i 3-të i Këmbësorisë, po bënin stërvitje rutinë në zonën ushtarake kur ndodhi incidenti, tha zyra në një deklaratë.

    “Unë do të doja të falënderoja personalisht Forcat e Armatosura të Lituanisë dhe reaguesit e parë që na erdhën shpejt në ndihmë në operacionet tona të kërkimit,” tha gjenerallejtënant Charles Costanza, gjenerali komandues i Korpusit V.

    “Është kjo lloj pune në grup dhe mbështetje që ilustron rëndësinë e partneritetit tonë dhe humanizmin tonë, pavarësisht nga flamujt që mbajmë mbi supe.”

    Zyrtarët ushtarakë nuk kanë bërë të ditur identitetin e ushtarëve të zhdukur, ndërsa hetuesit shqyrtojnë rrethanat e zhdukjes së tyre.

    Forcat amerikane marrin pjesë në mënyrë rutinore në stërvitje të përbashkëta stërvitore me aleatët e NATO-s në Lituani, një vend i vogël me një popullsi prej rreth 1.9 milionë banorësh, i vendosur midis Rusisë dhe Detit Baltik.

  • ​LVV reagon pas vendimit të Supremes

    ​LVV reagon pas vendimit të Supremes

    Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka reaguar pasi Gjykata Supreme i refuzoi si të pabazuara dy ankesat e fundit lidhur me procesin zgjedhor.

    Ai shkroi se Lëvizja Vetëvendosja do të parashtrojë kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Gjykatës Supreme në Gjykatë Kushtetuese.

    “Do të kërkojmë edhe masën e përkohshme ndaj një vendimi absurd dhe të ndikueshëm politikisht”, tha Sallahu në një postim në Facebook të mërkurën më 26 mars.

    “Kemi informacione nga brenda se diskutimi përgjatë vendimit në Supreme ka qenë kryekëput politik dhe larg të qenit juridik e ligjor gjë që tregon pak a shumë për natyrën e vendimit. Por, si Lëvizje Vetëvendosje. Do të ndjekim të gjitha hallkat ligjore në mënyrë që të sjellim drejtësi për këtë skemë krimi e manipulimi”, shkroi ai.

    Supremja refuzoi të martën ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Partisë demokratike të Ashkalinjve.

    “Dy ankesat e pranuara me datë 21 mars 2025, një ankesë nga Lëvizja Vetëvendosje, e ushtruar kundër vendimit të PZAP-se, dhe një ankesë nga Koalicioni PDAK-LPB, e ushtruar kundër vendimit të PZAP-se, janë refuzuar si të pabazuara”, thuhet në faqen zyrtare të gjykatës.

    Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar ankesë më 21 mars në Supreme, kundër vendimit të PZAP-së ku u rrëzua ankesa e tyre për anulim të votave me postë të LDK-së si dhe kërkesën për rivotim me postë, transmeton KosovaPress.

    E zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha më herët për KosovaPress se varësisht prej vendimmarrjes së Supremes, do t’i zbatojnë ato nëse kanë detyrime për KQZ-në dhe pastaj do të mund të procedojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.

    Certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit do t’i hapte rrugë rrjedhjes së afateve ligjore për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

    Në bazë të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 42.30 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës 20.95 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27 për qind, koalicioni AAK-Nisma 7.06 për qind.

    Në bazë të këtyre shifrave, Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 48 deputetë, PDK 24, LDK 20, AAK-Nisma 8 si dhe komunitetet jo shumicë 20 deputetë.

    Sipas rezultateve, asnjë parti nuk mund ta formojë e vetme qeverinë, shkruan KosovaPress.

  • Riarmatimi më i madh nga Lufta e Ftohtë, Suedia rrit shpenzimet e mbrojtjes

    Riarmatimi më i madh nga Lufta e Ftohtë, Suedia rrit shpenzimet e mbrojtjes

    Suedia njoftoi sot një shtesë prej 300 miliardë korona (30 miliardë dollarë) në shpenzimet e mbrojtjes për riarmatimin më të madh që nga Lufta e Ftohtë.

    “Bëhet fjalë për një investim të mbrojtjes të financuar nga kredia nga ky vit deri në vitin 2030 deri në vitin 2035 që mund të arrijë në një total prej rreth 300 miliardë korona,” tha kryeministri Ulf Kristersson në një konferencë për media, raporton televizioni SVT, përcjell KP.

    Kristersson pohoi se ata ranë dakord të investonin në shpenzime të reja të mbrojtjes ushtarake për të shmangur “shkurtimin e nevojave të rëndësishme të mirëqenies ose investimeve në sigurinë e brendshme”.

    “Ky do të jetë riarmatimi më i madh që nga Lufta e Ftohtë,” nënvizoi ai.

    Si pjesë e amendamentit të ardhshëm të buxhetit të pranverës, u prezantua gjithashtu një paketë rreth 9 milionë dollarësh për të luftuar kërcënimet hibride.

    U raportua gjithashtu se qeveria do të ndajë rreth 1.5 miliardë dollarë nga buxheti i vitit 2026 për këtë vit, si pjesë e mbështetjes vjetore ushtarake prej 2.5 miliardë dollarësh për Ukrainën për 2024-2026.

  • ​Katër vrasje për tri ditë

    ​Katër vrasje për tri ditë

    Numri i madh i armëve pa leje në duart e qytetarëve po shihet një prej problemeve kryesore në Kosovë.

    Vetëm në tre ditët e fundit kanë ndodhur katër vrasje – në tri raste të ndara – si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

    Policia e Kosovës tha për KosovaPress se vetëm gjatë vitit 2024 janë konfiskuar 1746 armë, ndërkaq një vit më herët numri ishte 1392 armë.

    Vrasjet e ditëve të fundit po konsiderohen alarm për institucionet që të ndërmarrin veprime për të parandaluar raste të tilla.

    Psikologu klinik, Ilir Havolli tregon disa faktorë që sipas tij ndikojnë në rritjen e rasteve të tilla.

    “Është [vrasja] një fenomen mjaft shqetësues që po ngjanë në vendin tonë. Dhe janë disa nga faktorët psikologjik që ndikojnë siç është impulisiviteti, pastaj çrregullimet e pa trajtuar të shëndetit mendor, janë konflikte e pa zgjidhura, janë mungesa aftësive të përballimit mekanizmave të shëndetshëm. Kur kjo ndodh në periudhë kaq të shkurtër, atëherë kjo ka edhe efektin imitues, kur një akte dhune e nxitë dhe ndikon edhe në realizmin e akteve tjera të dhunës. Kjo ka ndërlidhje të përbashkët duke filluar nga faktorët social, pastaj nga problemet ekonomike nga pa mundësia e trajtimit me kohë të çrregullimeve apo vështirësive të ndryshme të shëndetit mendor”, thotë Havolli.

    Ndërkaq, sociologu Labinot Konushevci thotë se çështja e sigurisë duhet të shndërrohet në prioritet nacional dhe shtetëror, dhe siç thotë ai, rast të tilla nuk duhet të kalojnë si çështje statistikore.

    “Natyrisht që ne jetojmë në një shoqëri që po manifeston frustrimin nëpër forma brutale dhe nuk po i përdorë mekanizmat e vetëkontrollit dhe të inteligjencës emocionale për të parandaluar dhunën, dhe kjo tregon që çështja sigurisë duhet të shndërrohet në prioritet nacional dhe shtetëror, pra nuk është çështje teknike apo statistikore ku ne merremi dy-tre ditë me një rast, edhe vajtojmë, pastaj harrohet ajo dhe faktikisht dhuna është bërë ciklike te ne. Është një cikël shumë fatkeq edhe famëkeq për ne. Por ka shumë faktorë, nga këndvështrimi sociologjik, ne duhet të shohim që shoqëritë që kanë prirje dhune, faktikisht kanë mungesë të inteligjencës sociale, mungesa e komunikimit racional ose kur njerëzit e shohin dhunën si mjet komunikimi për zgjedh një problem, dhe mungesa e inteligjencës emocionale që është arma më e fortë e njerëzve që kanë, ose që ndeshen me situata të palakueshme”, thotë ai.

    Të dielën më 23 mars në Vushtrri ka vdekur një 19-vjeçar i cili dyshohet të jetë vrarë nga një bashkëmoshatar i tij.

    I dyshuari e ka pranuar fajësinë dhe ndodhet në paraburgim.

    Një tjetër vrasje – kjo e dyfishtë – ka ndodhur një ditë më vonë, më 24 mars, gjithashtu në Vushtrri.

    Lidhur me ketë rast, dyshohet se një burrë në fshatin Stanoc ka vrarë një grua e më pas vetën.

    Vrasja tjetër ka ndodhur të martën mbrëma, më 25 mars në Prishtinë, transmeton KosovaPress.

    Ngjarja e rëndë ka ndodhur në rrugën “Rrustem Hyseni”. Një person ka vdekur dhe një tjetër është plagosur. I dyshuari për këtë rast ndodhet në arrati.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti bëri thirrje të mërkurën për veprim të menjëhershëm institucional dhe reflektim shoqëror, duke theksuar se organet e rendit duhet të trajtojnë me seriozitet rastet dhe të sigurojnë drejtësi për viktimat.