ATV

Author: ATVLive

  • ​Mjeku tregon gjendjen e personit të plagosur në Podujevë

    ​Mjeku tregon gjendjen e personit të plagosur në Podujevë

    Bedri Hyseni nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Podujevë, tha për KosovaPress se viktima e plagosur po merr trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Ndërsa lidhur me 30 vjeçarin që ka ndërruar jetë, tha se në vendin e ngjarjes e kishin gjetur pa shenja jete.

    Hyseni tha se viktima që ka ndërruar jetë ka pasur plagë me armë zjarri.

    “Në momentin kur kemi arrit në vend të ngjarjes, personi që ka qenë i shtrirë me gjakderdhje prej koke ka pas plagë me armë zjarri, ka qenë pa shenja jete. Ndërsa personi tjetër, femër, është plagosur me armë zjarri në bark në anën majtë, këtë e kemi dërguar me shpejtësi në Prishtinë, me shenja jetë, momentalisht është në gjendje të rregullt, vazhdon trajtimi atje”, tha ai.

    Një 30-vjeçar është vrarë mesditën e sotme në Podujevë. Ndërsa një tjetër ka ka mbetur i plagosur.

    Rasti tragjik ka ndodhur sot rreth orës 12:30, derisa fillimisht është raportuar për gjuajtje me armë zjarri, në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë./KP

  • ​Numri i të vdekurve nga tërmeti në Marok ka arritur në afër 2500

    ​Numri i të vdekurve nga tërmeti në Marok ka arritur në afër 2500

    Numri i të vdekurve nga tërmeti vdekjeprurës në Marok është rritur në 2 mijë e 497 persona, sipas Ministrisë së Brendshme të këtij vendi.

    Në një deklaratë, ministria tha se 2 mijë e 476 persona të tjerë u plagosën në tërmetin me magnitudë 7 që goditi vendin e Afrikës Veriore të premten vonë.

    Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) tha se epiqendra e tërmetit, i cili goditi pak pas orës 23:00, sipas kohës lokale, ishte 75 kilometra (46.6 milje) në juglindje të Marrakech, në një thellësi prej 18.5 kilometrash, raporton aa.

    Dëme masive u raportuan në Marrakech, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, nga tërmeti vdekjeprurës.

    Ekipet e shpëtimit vazhduan të hënën kërkimin për personat e zhdukur të bllokuar nën rrënoja për të katërtën ditë pas tërmetit shkatërrues.

    Një numër njerëzish u nxorrën nga ekipet e shpëtimit nga rrënojat e ndërtesave të shembura në zona të ndryshme të goditura nga tërmeti, sipas një reporteri të Anadolu.

    Disa ekipe të huaja të shpëtimit kanë mbërritur tashmë në vend për t’u bashkuar në përpjekjet e kërkimit për të mbijetuarit.

    Maroku deri më tani ka pranuar oferta ndihme nga Spanja, MB, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

    Të dielën, qeveria marokene hapi një llogari të veçantë me thesarin dhe Bankën e Marokut për të marrë donacione për viktimat e tërmetit.

    Tërmeti ishte më i forti që goditi vendin e Afrikës së Veriut në shekullin e fundit, sipas Institutit Kombëtar Gjeofizik të Marokut.

  • ​Sesioni vjeshtor i Kuvendit – opozita e ndarë rreth votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare

    ​Sesioni vjeshtor i Kuvendit – opozita e ndarë rreth votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare

    Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancën e parë plenare për sesionin vjeshtor të enjten, më 14 shtator. Përveç seancës së rregullt plenare, të zgjedhurit e popullit do të mbajnë edhe debatin parlamentar për çështjen e sigurimit të teksteve shkollore nga qeveria, seancë kjo që dështoi të mbahet javën e kaluar.

    Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të hënën, nga mazhoranca thanë se presin një sesion të mbarë vjeshtor të legjislativit, kurse opozitarët kritikuan pushtetin se ka polarizuar jetën parlamentare në Kuvend. Madje, në PDK thanë se nuk do të votojnë asnjë projektligj dhe marrëveshje ndërkombëtare. Votimin për marrëveshje ndërkombëtare e vënë në dyshim edhe nga LDK-ja të cilët thanë se do të varet nga sjellja e pushtetit sesi do ta orientojnë vendimmarrjen.

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se në seancën e së enjtes kanë tërhequr disa projektligje nga rendi i ditës, përfshirë Projektligjin për zyrtarët publikë për të cilin tashmë ka një vendim nga Gjykata Kushtetuese si dhe Projektligjin për Këshillin Prokurorial, i cili është dërguar për vlerësim në Komisionin e Venecias.

    “Ne si përfaqësues të pozitës presim një sesion të mbarë vjeshtor. Natyrisht opozita ka format e veta të opozitarizmit. Nga ana e pozitës presim që me përkushtim dhe angazhim maksimal të vazhdojmë me shqyrtimin e pikave të cilat janë bartur edhe nga sesioni pranveror por edhe të tjerat që do të vijnë në ndërkohë. Besoj se kemi shumë punë për të bërë dhe nuk kemi kohë për të humbur në shtyrjen e këtyre seancave dhe këtyre pikave”, tha ajo.

    Kritik ndaj mazhorancës u shpreh shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili tha se të njëjtit nuk do të ketë asnjë lloj përkrahje në Kuvend.

    Ai shtoi se do të votojnë në Kuvend vetëm për shpërndarjen e legjislativit ose rrëzimin e ekzekutivit.

    “Jemi dakorduar që nga ky moment të mos votojmë asnjë projektligj dhe marrëveshje ndërkombëtare që do të vjen në Kuvend nga Qeveria Kurti. Çdo votim i yni do t’ia zgjaste jetën kësaj qeverie që po e mban vendin tonë të sanksionuar. Nuk ka asnjë arsye të vetme për ta ndërruar këtë qëndrim. Ne do të votojmë vetëm për shpërndarjen e Kuvendit dhe rrëzimin e kësaj qeverie. Prandaj nuk ka mundësi të tjera që ne të votojmë”, theksoi Tahiri.

    Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj tha se pozita nuk ka disponim të mirë për të mbajtur seanca plenare.

    Ai përmendi nevojën për formimin e një komisioni hetimor parlamentar për çështjen e rezervave shtetërore, derisa tha se votimi i çfarëdo marrëveshjeje ndërkombëtare do të varet nga sjellja e pushtetit.

    “Ju e dini që LDK-ja ka përkrahur marrëveshjet ndërkombëtare, nuk ka përkrahur ato të cilat vetëm bëhen sa për sy e faqe. Njëra ndër to është edhe moszhvillimi i skemës sociale… Marrëveshje të tjera atëherë kur nuk kanë marrë votën e LDK-së kanë qenë sjellja oportuniste e kësaj qeverie ose sjellja demagogjike në kuptimin e të gjitha proceseve të saj, e cila ka dëmtuar edhe kolegjialitetin në kuptimin institucional dhe kushtetues. Në fund të fundit ne përfaqësojmë qytetarë të Kosovës dhe interesat e tyre. Karshi kësaj sjellje do të jenë edhe vendimet e LDK-së”, deklaroi Zemaj.

    Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se mazhoranca ka dështuar në Kuvend gjatë tërë vitit.

    Ai tha se gjatë sesionit vjeshtor do të iniciojnë një nismë legjislative për rritjen e koeficientit të Ligjit për paga.

    “Nëntë muaj të Kuvendit të vitit 2023 kanë qenë muajt dhe periudha realisht më e dështuar dhe më pak rezultate që mund të kujtohet në Kuvend. Paramendoni kemi një shumicë parlamentare e cila ka mbi 50 për qind dhe iu lus qytetarëve të kujtojnë se a dinë ndonjë ligj që ka ndiku në jetën pozitive të qytetarit…Ne si GP jemi duke punuar që për sektorin publik të iniciojmë një nismë legjislative e cila do të amendamentin Ligjin për Buxhet dhe që lidhet me koeficientin e pagave për zyrtarëve publik. Koeficienti që është tash është i zvogëlimit të pagave dhe jo rritjes së tyre”, tha Tahiri.

    Sot ka nisur sesioni vjeshtor i Kuvendit, pas pushimit veror të deputetëve që nga 28 korriku./KP/

  • U mposhtën dje nga Kombëtarja shqiptare – Federata polake shkarkon Fernardo Santos-in

    U mposhtën dje nga Kombëtarja shqiptare – Federata polake shkarkon Fernardo Santos-in

    Nuk reziston më shumë se 24 orë pas humbjes së Tiranës trajneri Fernando Santos në stolin e Polonisë. Tekniku portugez i Polonisë është shkarkuar nga detyra për shkak të rezultateve të dobëta.

    5 ndeshje nga të cilat 3 humbje dhe 2 fitore dhe vendi i katërt në grupin E të eleminatioreve të Euro 2024 kanë shtyrë drejtuesit e federatës polake të marrin vendimin ekstrem menjëherë pasi Santos shkeli në Varshavë pas ndeshjes me Shqipërinë.

    Pas disfatës 2-0 në “Arenën Kombëtare”, Polonia i komplikoi shumë pozitat ne grupin E ku ka zbritur në vendin e katërt dhe tashmë duhet të fitojë tre ndeshjet e mbetura për të synuar europianin e Gjermanisë.

  • Roth në Qeveri, takohet me kryeministrin Kurti

    Roth në Qeveri, takohet me kryeministrin Kurti

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim kryesuesin e Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Gjerman, Michael Roth, raporton Ekonomia Online.

    Takimi është mbajtur në ndërtesën e Qeverisë dhe mediat janë lejuar që të marrin vetëm pamje në oborrin e ekzekutivit.

    Gjatë ditës Roth, është takuar me deputetët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, përderisa ka paralajmëruar se do të takohet edhe me kreun e Kuvendit Glauk Konjufca dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

  • Dëshmon me masa mbrojtëse dëshmitari i 23-të në Hagë

    Dëshmon me masa mbrojtëse dëshmitari i 23-të në Hagë

    Në Gjykatën Speciale ka filluar dëshmia e dëshmitarit të 23-të. Ai po dëshmon me video-lidhje dhe me masa mbrojtëse.

    Pjesa më e madhe e dëshmisë së tij do të jetë e mbyllur për publikun.

    Sot ka vazhduar me një pjesë të dëshmisë edhe dëshmitari 22, Fred Abrahams.

  • Kurti në 22-vjetorin e 11 Shtatorit: Terrorizmi u godit globalisht, por mbetet kërcënim i paparashikueshëm

    Kurti në 22-vjetorin e 11 Shtatorit: Terrorizmi u godit globalisht, por mbetet kërcënim i paparashikueshëm

    Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar sulmin terrorist të 11 Shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerkës në 22-vjetorin e kësaj ngjarjeje.

    “Si rrallë herë ndonjë epokë gjatë historisë, mijëvjeçari i tretë i erës sonë mori mbiemër duke fituar epitet qysh në fillim të tij. Cilësori “terrorizëm” u bë një nga fjalët kyçe të fillimshekullit XXI, këtu e 22 vite më parë, kur avionë civilë të marrë peng nga terroristë, u drejtuan mbi Kullat Binjake në Nju Jork, duke i shembur ato gjatë kryerjes së sulmit terrorist që shkaktoi tronditje globale dhe pati ndikimin më të shumëanshëm të kohës sonë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

    Sipas Kurtit, terrorizmi është goditur shumë në nivel global, ndonëse mbetet kërcënim i paparashikueshëm për sugiruinë botërore.

    “22 vite pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, Al-Kaida është më e dobët se kurrë më parë, ndërkohë që i është vrarë lideri i dikurshëm Osama bin Laden si dhe i janë kufizuar shumëfish mundësitë dhe hapësirat e veprimit. Terrorizmi në nivel global ka marrë shumë goditje, por ai vazhdon të mbetet një nga kërcënimet më të paparashikueshme për sigurinë botërore, një kërcënim i atillë që nuk duhet të injorohet dhe që duhet konsideruar në çdo përllogaritje të vigjilencës së institucioneve shtetërore të sigurisë”.

    “Demokracia dhe drejtësia, barazia dhe pluralizmi, liritë dhe të drejtat, thajnë çdo kënetë ku mbin terrorizmi”.

  • Nënshkruhet Deklarata e Përbashkët për Bashkëpunim në Fushën e Turizmit me Shtetin e Izraelit

    Nënshkruhet Deklarata e Përbashkët për Bashkëpunim në Fushën e Turizmit me Shtetin e Izraelit

    Ministri i Turizmit të Izraelit, Haim Katz, është pritur sot në Ministrin e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nga Ministrja Rozeta Hajdari, me këtë rast dy ministrat gjatë këtij takimi nënshkruan Deklaratën e Përbashkët ndërmjet MINT dhe Ministrisë së Turizmit të Shtetit të Izraelit për bashkëpunimin në fushën e turizmit, ka njoftuar MINT.

    Kjo marrëveshje ka për qëllim forcimin e lidhjes ndërmjet dy vendeve duke ndihmuar në zhvillimin e turizmit në përputhje me parimet e respektit reciprok dhe barazisë.

    Ministrja Hajdari, tha se ky është një shans i jashtëzakonshëm për të eksploruar shumë fusha të reja bashkëpunimi, përfshirë pjesëmarrjen në ekspozita, panaire, konferenca, dhe ngjarje të tjera që do të promovojnë bukuritë natyrore dhe kulturën e të dyja vendeve.

    Deklarata e Përbashkët parasheh edhe shkëmbimin e informacionit mbi inovacionin dhe digjitalizimin e turizmit dhe ekspertizës me synimin për të krijuar një partneritet të qëndrueshëm me theks në sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe sipërmarrjet fillestare që operojnë në industrinë e turizmit e po ashtu edhe shkëmbimin e të dhënave dhe statistikave që do të përmirësojnë përvojën e udhëtimit për të dyja vendet.

    Nxitja e bashkëpunimit institucional ndërmjet Autoriteteve Kombëtare të Turizmit dhe nxitja e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë ndërmjet agjencive të udhëtimit dhe institucioneve të tjera në fushën e turizmit, është gjithashtu e rëndësisë së veçantë.

    Po ashtu, Deklarata e Përbashkët parasheh edhe nxitjen e bashkëpunimit në kuadër të Organizatës Botërore të Turizmit (UNWTO) si dhe organizatave të tjera ndërkombëtare të lidhura me turizmin si dhe në fushën e edukimit turistik, duke nxitur shkëmbimin e informacionit përkatës me qëllim krijimin e kushteve për të mundësuar shkëmbimin e përvojës praktike në fushën e edukimit, trajnimit dhe të mësuarit, me theks të veçantë në ngritjen e aftësive dhe rikualifikimit.

    Kjo ngjarje është një hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit të ngushtë në fushën e turizmit në mes të Republikës së Kosovës dhe Izraelit.

    Pas vizitës që Ministrja Rozeta Hajdari, muaj më parë kishte realizuar në Izrael, Ministri Katz, po realizon një vizitë në Kosovë ku do të zhvillojë takime të ndara me krerët më të lartë shtetëror.

  • Begaj nga Shkupi: Integrimi i rajonit në BE mund të arrihet me forcimin e bashkëpunimit

    Begaj nga Shkupi: Integrimi i rajonit në BE mund të arrihet me forcimin e bashkëpunimit

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili po merr pjesë në Procesin e Brdo Brijunit në Shkup, ka thënë se integrimi i Ballkanit Perëndimor mund të arrihet vetëm me anë të forcimit të bashkëpunimit.

    Begaj potencoi që të inkurajohen vlerat evropiane, ku të rinjtë të ndihen optimistë për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre.

    “Në Shkup për takimin e radhës të liderëve të procesit të Brdo-Brijunit. Përshpejtimi i procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE mund të arrihet vetëm përmes forcimit të bashkëpunimit rajonal, të udhëhequr nga siguria dhe stabiliteti”, shkroi Begaj në rrjetin social Facebook.

    “Të inkurajojmë vlerat europiane, ku të rinjtë tanë të ndihen optimistë për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre”.

  • Rasti i rëndë në Podujevë: Personi tjetër që u plagos është gruaja e të vrarit, u qëllua duke vrapuar

    Rasti i rëndë në Podujevë: Personi tjetër që u plagos është gruaja e të vrarit, u qëllua duke vrapuar

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Podujevë, ku ka pasur të shtëna me armë zjarr dhe për pasojë një person ka mbetur i vrarë dhe një tjetër është plagosur. Policia tashmë e ka konfirmuar rastin, teksa vdekjen e viktimës e ka kotuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

    Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije për Sinjalin se bëhet fjalë për Valmir Breznicën, i cili nuk ka arritur t’iu bëjë ballë plagëve dhe ka vdekur.

    Sinjalizuesit e Sinjalit kanë bërë me dije se gruaja që u plagos ka qenë bashkë me të ndjerin në momentin kritik, ashtu që posa ka nisur të vrapojë kur janë dëgjuar të shtënat, është qëlluar edhe ajo.

    Lajmin tashmë e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia e Kosovës, me ç’rast kanë bërë të ditur se po ndërmarrjen veprimet e nevojshme për identifikimin e personave të dyshuar.

    “Sot rreth orës 12:30, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri, në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para të marra nga mjekët emergjent është konfirmuar se një person është pa shenja jete ndërkaq një tjetër ka mbetur i plagosur.

    Aktualisht policia po vijon punën me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore, me qëllim të zbardhjes së rrethanave të ngjarjes si dhe identifikimin e të dyshuarve.”