ATV

Author: ATVLive

  • ​Vuçiq nga Shkupi flet për takimin e 14 shtatorit: Sot nuk u grindëm

    ​Vuçiq nga Shkupi flet për takimin e 14 shtatorit: Sot nuk u grindëm

    Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, deklaroi nga Shkupi ku mori pjesë në Samitin e Brdo-Brionit se “nuk e di nëse do të jetë e vështirë” në takimin e së enjtes në Bruksel ku pritet të takohet me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti në kuadër të dialogut mes dy vendeve.

    Ish-ministri i Millosheviqit deklaroi se asnjëherë nuk është lehtë në të tilla takime pasi edhe Brukseli e mbështet pavarësinë e Kosovës.

    “Nuk e di se a do të jetë e vështirë, kjo është gjithçka që mund t’ju them sepse nuk është se ka qenë e lehtë, prandaj po flasim me Albin Kurtin, sepse po flasim me përfaqësuesit e Brukselit, të cilët e dini se çfarëdo që të thonë ata gjithmonë do ta mbështesin pavarësinë e Kosovës në një mënyrë apo tjetër, kështu që për ne është gjithmonë e vështirë, çfarë të bëjmë”, tha Vuçiq para gazetarëve.

    Në lidhje me takimin e sotëm në kuadër të Samitit të Brdo-Brionit, ku mori pjesë edhe presidentja Osmani, ai tha se “ka qenë ditë e qetë” pasi janë dakorduar që çështjet me Republikën e Kosovës t’i diskutojnë në Bruksel.

    Sot patëm një takim në kuadër të nismës Brdo-Brioni, falënderues për mikpritjen e miqve tanë maqedonas dhe presidentit Pendarovski, si dhe zonjës Pirc Musar, presidentes të Sllovenisë dhe Zoran Milanoviq, të cilët po përpiqen të bëjnë më të mirën për të gjetur një emërues të përbashkët, folëm për të ardhmen evropiane për disa është entuziazmi më i madh e për disa është më pak, gjithsesi mendoj se sot ishte një diskutim shumë i drejtë dhe konstruktiv, nuk pati debate dhe grindje të mëdha, pasi Prishtina dhe problemet tona i lamë për të enjten dhe me Brukselin, ndaj sot folëm më shumë për vetë rajonin dhe Ballkanin perëndimor drejt Bashkimit Evropian se për çdo gjë tjetër”, tha Vuçiq.

    Në samitin e Brdo-Brionit Kosovës dhe Serbisë iu bë thirrje që të mos ndërpresin komunikimin, përderisa takimi në Maqedoninë e Veriut u fokusua në integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.

  • Një person aksidentalisht ndezi zjarr në varrezat ortodokse serbe në Ferizaj

    Një person aksidentalisht ndezi zjarr në varrezat ortodokse serbe në Ferizaj

    I dyshuar B.G. aksidentalisht e ka shkaktuar një zjarr në rrugën “Sali Çeku”, përkatësisht në varrezat ortodokse serbe në Ferizaj.

    Në njoftimin e policisë thuhet se është njoftuar Brigada e Zjarrëfikësve në Ferizaj, të cilët kanë dalë në vendin e incidentit dhe e kanë shuar zjarrin nga disa barishte.

    “Më herët patrulla policore kishte vërejtur një person, i cili kishte ndezur qirinjtë në tokë dhe nga aty zjarri ishte zgjeruar. Hetuesit policor të stacionit në Ferizaj i kanë marr veprimet e nevojshme dhe kanë identifikuar të dyshuarin B.G, mashkull, shtetas i Serbisë, i moshës 78 vjeçare, i cili siç ka deklaruar, aksidentalisht gjatë ritualit në varrezat ortodokse serbe ka ndezur qirinjtë dhe për pasojë është shkaktuar zjarri, ndërsa nuk janë shkaktuar dëme tjera materiale”.

    “I dyshuari është intervistuar nga policët hetues dhe sipas udhëzimeve të prokurorit kujdestar të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ndaj të dyshuarit është iniciuar Shënim Zyrtar dhe i njëjti është liruar”, thuhet në njoftim.

  • ​Begaj: Anëtarësimi në BE do të bëhet realitet për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor

    ​Begaj: Anëtarësimi në BE do të bëhet realitet për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, është shprehur optimist se objektivi strategjik për hyrjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian do të bëhet realitet. Pas takimit me liderët e shteteve në kuadër të Procesit Bërdo Brujini, Begaj tha se ky takim vjen në një moment të rëndësishëm.

    Duke përmendur situatën gjeopolitike të lidhur me agresionin rus në Ukrainë, Begaj tha se të qenurit bashkë për të diskutuar sfidat të cilat duhet t’i përballojnë vendet e Ballkanit Perëndimor, është shumë e rëndësishme.

    “Ky takim i sotëm vjen në një moment të rëndësishëm siç e dimë nga situata gjeopolitike e cila është e lidhur me agresionin rus në Ukrainë, dhe natyrisht të qenurit bashkë për të diskutuar rreth sfidave të cilat duhet të përballojnë vendet e Ballkanit Perëndimor është një gjë jashtëzakonisht e rëndësishme. Sfidat janë gati të njëjta në të gjitha vendete Ballkanit Perëndimor, dhe çështjet që u trajtuan gjatë këtij samiti kishin të bënin me procesin e itnegrimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor kishte të bënte me disa çështje sensitive për popujt tanë qe janë të lidhura me rininë, me emigrimin, dhe po ashtu me sfidat e lidhura me ndryshimet klimatike. Unë i përkas atij brezi që jam optimist dhe objektivi strategjik i te qenurit anëtar i BE për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëhet realitet”, ka thënë Begaj para gazetarëve.

    Në fund të takimit që u mbajt me dyer të mbyllura, krerët e shteteve të Procesit Brdo-Brijuni miratuan një deklaratë të përbashkët, duke nënvizuar nevojën e përshpejtimit të procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimin dhe koordinimin për përballimin së bashku të efekteve nga ndryshimet klimatike, si dhe krijimin e projekteve dhe të programeve të përbashkëta për zbutjen e efekteve të migrimit të të rinjve nga vendet e rajonit./KP

  • Komandanti i Koshares komenton tatuazhin e Mirlind Dakut, ka një mesazh për të rinjtë

    Komandanti i Koshares komenton tatuazhin e Mirlind Dakut, ka një mesazh për të rinjtë

    Ish-komandanti i UÇK-së në Koshare, Hisen Berisha, në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin ‘A LIVE’ në ATV, ka komentuar tatuazhin e futbollistit Mirlind Daku, të cilin ky i fundit e ka bërë në shpinën e tij ku shkruan “KATANA” që është nofka e komandantit Agim Ramadani, numrin 138 dhe këmbën të vendosur mbi gur, simboli që thyerjes së kufirit që ndau shqiptarët për rreth 100 vjet.

    Berisha tha se çdo hero që bëhet idol i të rinjve, tregon se liria ka me u trashëgu nëpër breza dhe kjo është e mirë shumë e madhe.

    “Fakti që të rinjtë i vlerësojnë heronjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të thotë që e vlerësojnë edhe lirinë. Prandaj, çdo hero që bëhet idol i të rinjve, tregon se liria ka me u trashëgu nëpër breza dhe kjo është e mirë shumë e madhe. Unë mendoj se kjo duhet të jetë pjesë edhe e edukimit dhe arsimimit të nxënësve tanë, të rinjve tanë mbi vlerat dhe sistemin e vlerave që duhet ta ketë shteti dhe kombi i ynë, e cila deri sot nuk i ka, prandaj edhe kemi këtë dis-harmoninë shoqërore, nuk dihet kush qëndron, çfarë piedestali. Pra, një komb, një shtet që nuk ka sistem të vlerave nacionale të kodifikuara, pastaj ka edhe të papritura ku nuk dihet kush qëndron ku, prandaj ndodhin edhe fyerje, rrënimi i tyre dhe kjo nënkupton dhe rrënimin e identitetit të asaj që je vetvetja”, tha Berisha. /atvlive.tv

  • Konjufca: Roli i Gjermanisë në dialogun Kosovë – Serbi jashtëzakonisht i rëndësishëm

    Konjufca: Roli i Gjermanisë në dialogun Kosovë – Serbi jashtëzakonisht i rëndësishëm

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga shefi i Kabinetit Ilir Kërçeli dhe këshilltarët, ka pritur sot në takim deputetin Michael Roth, njëherësh kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman.

    Gjatë takimit u bisedua për zhvillimet politike në vend dhe rajon, proceset integruese, mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave parlamentare, si dhe çështje të tjera me interes të përbashkët.

    Kryetari Konjufca i shprehu mirënjohje deputetit Roth për angazhimin dhe qëndrimet e tij parimore karshi zhvillimeve aktuale në rajonin tonë, si dhe për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë dhe vazhdon t’i jep Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit e të integrimit në institucionet euro-atlantike dhe organizata e mekanizma ndërkombëtarë.

    Duke i vlerësuar të shkëlqyera marrëdhëniet dypalëshe, Kryetari i Kuvendit po ashtu theksoi se Gjermania mike është aleat strategjik dhe partner i rëndësishëm i Republikës së Kosovës. Njëkohësisht ai shprehu gatishmërinë për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe e vlerësoi shumë të rëndësishme përkrahjen e Gjermanisë kundrejt proceseve të cilat i ka përpara shteti ynë.

    Ndërsa deputeti dhe kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman, Michael Roth, e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen, duke rikonfirmuar mbështetjen e Republikës Federale të Gjermanisë për Republikën e Kosovës.

  • FSK nderon viktimat e 11 shtatorit në SHBA

    FSK nderon viktimat e 11 shtatorit në SHBA

    Ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë nderuar viktimat e sulmit të 11 shtatorit, që kanë ndodhur 22 vite më parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Sipas njoftimit, “sot në të gjitha kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, u rreshtuan ushtarë, nënoficerë e oficerë të Kosovës duke lëshuar flamujt në gjysmë shtizë, për të qenë më afër familjeve e popullit amerikan siç ishin ata me ne në kohët më të vështira”.

  • Grafiti “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” shfaqet në Mitrovicë të Veriut

    Grafiti “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” shfaqet në Mitrovicë të Veriut

    Një grafit ku shkruan “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” është shfaqur në oborrin e Shkollës Teknike në Mitrovicë të Veriut. Grafiti, i shkruar me shkronja cirilike, është ngjyrosur me ngjyrat e flamurit të Serbisë.

    Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se për përmbajtjen e këtij grafiti, autoritetet e rendit janë informuar përmes rrjeteve sociale.

    Ai tha se policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po konsultohet me prokurorin për këtë rast.

    Që nga fundi i korrikut, grafite me mbishkrim të tillë janë shfaqur në Beograd dhe qytete të tjera në Serbi. Një grafit i tillë është parë në gushtë edhe në Banja Llukë të Bosnje e Hercegovinës.

    Grafiti është krijuar nga tifozët e klubit të futbollit Crvena Zvezda, pas një ndeshjeje miqësore me klubin italian Fiorentina më 26 korrik në Beograd.

    Mesazhi i grafitit është pjesë e një kënge popullore të kënduar nga mitropoliti Amfilohije i Kishës Ortodokse Serbe dhe peshkopi Atanasije.

    Në shkurt të këtij viti, aktivistët e organizatës Iniciativa e të Rinjve për të Drejta të Njeriut dhe Asociacioni Krokodili, e ngjyrosën me të kuqe këtë grafit në Sheshin Slavija të Beogradit.

    Mirëpo, ai është rikrijuar në atë vend, dhe disa vende tjera në Beograd.

  • ​Osmani në takimin Bërdo-Brijuni: Interes strategjik që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat nga BE

    ​Osmani në takimin Bërdo-Brijuni: Interes strategjik që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat nga BE

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova është e vendosur për të vazhduar me reforma dinamike që forcojnë më tej demokracinë, mbështesin sundimin e ligjit si dhe rrisin standardet e jetesës për të gjithë qytetarët.

    Derisa ka folur në takim vjetor të liderëve të rajonit në kuadër të Procesit Bërdo-Brijuni, Osmani ka thënë se është me rëndësi që Kosova të ecë përpara edhe me statusin e vendit kandidat në BE “në përputhje me zotimin e BE-së për perspektivë anëtarësimi për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor”.

    Osmani ka theksuar se Kosova ka shënuar hapa të ndjeshëm suksesi në disa aspekte, transmeton KP.

    “Kosova është një partner i besueshëm, një fqinj i mirë dhe një partner që punon shumë. Prandaj, mundësia për një lëvizshmëri më të madhe të qytetarëve tanë në zonën Schengen, është gjithashtu një mundësi e madhe për t’ua vërtetuar këtë të gjithëve në BE”, ka thënë Osmani.

    Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani ka përmendur edhe përparimin në indekset ndërkombëtare që kanë të bëjnë me luftimin e krimit dhe korrupsionit, të drejtat e njeriut dhe fushën e teknologjisë informative.

  • ​Auditorja e Përgjithshme: Kemi evidentuar 51 raste të dyshimta gjatë vitit të kaluar

    ​Auditorja e Përgjithshme: Kemi evidentuar 51 raste të dyshimta gjatë vitit të kaluar

    Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se kanë evidentuar 51 raste të dyshimta për vepra penale gjatë vitit 2022.

    Ajo në një konferencë për media tha se të gjitha këto raste i kanë dërguar në Prokurorinë e Shtetit për hetime të mëtejme.

    Sipas saj, rastet e identifikuara janë kryesisht nga fusha e prokurimit, lidhja e kontratave dhe shpenzimet në kategorinë mallra dhe shërbime.

    “Kemi evidentuar 51 raste të dyshimit të cilat i kemi dërguar në Prokurori të Shtetit për analizë dhe hetime të mëtejme. Përveç këtyre 51 rasteve të evidentuara në prokurori janë dërguar edhe dy raporte në tërësi për shkak të çështjeve të ndërlidhura. Rastet janë kryesisht nga fusha e prokurimit publik, lidhja e kontratave, shpenzimet e në kategorinë mallra dhe shpenzime ku janë identifikuar 36 raste. Ndërkaq, tetë raste janë identifikuar në kategorinë e subvencioneve dhe transfereve si dhe shtatë raste në fushën e punësimit. Menjëherë pas dërgimit të rasteve Zyra e Kryeprokuror të Shtetit ka konfirmuar pranimin informacionit dhe ka informuar shpërndarjen e tyre në zyrat përkatëse tek shtatë prokurorit themelore”, tha ajo.

    Ajo shtoi se këto raste të dyshimta më shumë i takojnë nivelit lokal.

    “Rastet që i kemi dërguar në prokurori shtrihen në pothuajse të gjitha organizatat buxhetore, si në nivelin qendror ashtu edhe në nivelin lokal. Po ashtu edhe tek ndërmarrjen publike, por ajo çka mund të konfirmojë është se pjesa më e madhe e rasteve që i kemi dërguar tek prokurori për hetime të mëtejme i takojnë nivelit lokal”, deklaroi ajo.

    Ajo bëri të ditur se gjatë vitit 2022 kanë bërë 15 auditime të institucioneve të ndryshme, derisa përmendi efikasitetin e institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

    Spanca tha se në bazë të raportit final del se institucionet nuk kanë pasur rezultate të kënaqshme të trajtimit të dhunës në familje.

    “Gjetjet e këtij auditimi tregojnë se edhe pse organet përgjegjëse publike kanë ndërmarrë një sërë veprimesh për trajtimin e rasteve të dhunës në familje nuk janë arritur rezultate të kënaqshme për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave. Ka mangësi në angazhimin e adekuat të burimeve njerëzore, në procedurat e monitorimit dhe mbështetjen e viktimave dhe rehabilitimit. Policia gjatë intervenimit reagon në kohë optimale mirëpo janë identifikuar dobësi në angazhim të hetuesve policorë, mungesë të procedurave për urdhrat mbrojtjes, mos përcjelljes informatës tek mbrojtësit e viktimave dhe si dobësi në regjistrimin e rasteve”, përfundoi ajo.

    Raporti i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2022 pritet të shkojë për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës./KP

  • Ministri i Turizmit nga Izraeli, takohet me deputetët e Kuvendit

    Ministri i Turizmit nga Izraeli, takohet me deputetët e Kuvendit

    Grupi i Miqësisë Kosovë-Izrael i Kuvendit të Republikës së Kosovës ka pritur në takim ministrin e Turizmit nga Izraeli, Haim Katz, raporton Ekonomia Online.

    Takimi i këtij grupi me ministri izraelit është duke mbajtur në objektin e Kuvendit të Kosovës, përderisa mediet janë lejuar të marrin vetëm pamje.

    Gjatë ditës Katz, është pritur në Ministrin e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nga ministrja Rozeta Hajdari, me këtë rast dy ministrat gjatë këtij takimi nënshkruan Deklaratën e Përbashkët ndërmjet MINT dhe Ministrisë së Turizmit të Shtetit të Izraelit për bashkëpunimin në fushën e turizmit.

    Kjo marrëveshje ka për qëllim forcimin e lidhjes ndërmjet dy vendeve duke ndihmuar në zhvillimin e turizmit në përputhje me parimet e respektit reciprok dhe barazisë.

    Deklarata e Përbashkët parasheh edhe shkëmbimin e informacionit mbi inovacionin dhe digjitalizimin e turizmit dhe ekspertizës me synimin për të krijuar një partneritet të qëndrueshëm me theks në sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe sipërmarrjet fillestare që operojnë në industrinë e turizmit e po ashtu edhe shkëmbimin e të dhënave dhe statistikave që do të përmirësojnë përvojën e udhëtimit për të dyja vendet.