ATV

Author: ATVLive

  • OKB: Mbi 700 milionë njerëz nuk e dinë nëse do të ushqehen më

    OKB: Mbi 700 milionë njerëz nuk e dinë nëse do të ushqehen më

    Një krizë globale e urisë i ka lënë më shumë se 700 milionë persona me dilemat nëse apo kur do të mund të ushqehen sërish, ka thënë shefja e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ushqim, Cindy McCain.

    Ajo ka thënë në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së se për shkak të mungesës së fondeve, agjencia është detyruar që t’i ndalë shumë ndihma për miliona persona dhe se “shkurtime tjera do të ndodhin shpejt”.

    “Ne jemi duke jetuar tani me një seri të krizave afatgjata, të cilat do të vazhdojnë të rrisin nevojën për ndihma humanitare. Ky është realiteti i ri i komunitetit humanitar – normalja e re – dhe do ta vazhdojmë të përballemi me situata të tilla edhe në vjetët që po vijnë”.

    Shefja e kësaj agjencie – e veja e senatorit të ndjerë amerikan John McCain – ka thënë se vlerësohet që gati 47 milionë njerëz në mbi 50 shtete janë vetëm një hap larg urisë dhe 45 milionë fëmijë nën moshën pesëvjeçare besohet se po përballen me kequshqim.

    Në gjetjet tjera është përmendur se 783 milionë njerëz në 79 shtete të botës flenë të uritur çdo natë.

    Ndër faktorët kryesorë që kanë çuar në këtë situatë besohet se janë kombinimi i konflikteve, kriza ekonomike, kriza ekstreme dhe rritja e çmimeve.

  • ​OVL e UÇK-së proteston sot

    ​OVL e UÇK-së proteston sot

    Organizata e Veteranëve të Luftës do të mbajë sot protestë për të kundërshtuar bastisjet e fundit ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së.

    Ushtruesi i detyrës i kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka bërë të ditur dje (e enjte) se protesta do të nisë nga ora 12:00 para objektit të EULEX-it në Fushë Kosovë.

    “Jeni dëshmitarë që Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë dhe EULEX-i, janë duke i shqetësuar familjet e bashkëluftëtarëve tanë dhe familjet e dëshmorëve, duke dërguar pa paralajmërim njerëz të panjohur e me kapela në kokë, për gjoja intervistime e duke ua konfiskuar edhe telefonat e tyre personal. Kjo gjë kështu, siç po bëjnë këta të panjohur për ne, po bëhet në shtetin tonë sikur dikur në kohën e pushtuesit, dhe institucionet tona vetëm po heshtin. Prandaj, duke pasur parasysh këtë, ne thërrasim protestë kundër ZPS-së dhe EULEX-it, te selia e tyre në Fushë Kosovë, nesër me datë 15 shtator 2023, ora 12:00. Ju ftojmë që të merrni pjesë në protestë”, ka shkruar Klinaku.

    Me urdhër të Dhomave të Specializuara, EULEX dje ka bastisur shtëpinë e ish-luftëtarit të UÇK-së, Behar Berisha. Ndërkaq ditëve të fundit u ka sekuestruar telefonat personalë ish-komandantit të Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remit, ish-të burgosurit politik, Nait Hasanit, vëllait të luftëtarit të UÇK-së, Sali Mustafës, si dhe ka bastisur shtëpinë e heronjve Fahri e Bahri Fazliu.

  • Ekspertët: Dialogu Kosovë-Serbi është në ngërç, duhet ndryshuar qasja

    Ekspertët: Dialogu Kosovë-Serbi është në ngërç, duhet ndryshuar qasja

    Njohës të zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor vlerësojnë se takimi i dështuar ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë dëshmoi se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, ka hyrë tashmë në një qark të mbyllur.

    Ekspertë perëndimorë thanë sot se dalja nga kjo situatë mund të bëhet vetëm përmes një procesi të reformuar, me qëllime të qarta dhe një plan të dytë.

    “Nuk jam i befasuar që nuk ka pasur përparim. Është një lloj trajektore e dialogut që ka kohë që është në ngërç. Dhe ky jo domosdoshmërisht vetëm për fajin e ndërmjetësve… sepse suksesi i tyre varet nga palët dhe nëse palët nuk duan të lëvizin në një drejtim të caktuar, atëherë nuk ka për të ndodhur”, i tha Zërit të Amerikës analisti Leon Hartwell pranë Qendrës për Analiza të Politikave Evropiane dhe Shkollës Ekonomike të Londrës

    Analistja Majda Ruge nga Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë tha se ndonëse pritshmëritë ishin që takimi mes zotit Kurti dhe zotit Vuçiç do të krijonte një moment për t’i dhënë kahje të re dhe një kornizë më konstruktive zbatimit të marrëveshjes bazë mes dy vendeve, nuk është për t’u habitur që ai nuk i përmbushi këto pritshmëri.

    “Pse po vazhdojmë të dështojmë? Siç ka thënë Ainshtajni përkufizimi i çmendurisë është të bësh gjithmonë të njëjtën gjë dhe të presësh rezultat tjetër. E tërë korniza e Bashkimit Evropian për ndërmjetësim po vazhdon me të njëjtën qasje ndërkohë që po neglizhon sfidat që nuk do të zhduken nëse nuk e ndryshojmë qasjen. Duhet të shtrojmë pyetjen se çfarë pritet prej Kosovës, çfarë pritet nga Serbia si ofertë ndaj Kosovës dhe sa vëmendje të lartë politike dhe ndikim janë të gatshëm të investojnë Bashkimi Evropian dhe lojtarët e tjerë të jashtëm,” thotë për Zërin e Amerikës, ekspertja Majda Ruge nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë.

    Zonja Ruge thotë se problemi qëndron te dy pikëpamje krejtësisht të ndryshme të Prishtinës dhe Beogradit, në veçanti rreth çështjes së krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, zbatimi i të cilës është shndërruar në pengesën kryesore në këtë proces. Sipas saj, Kryeministri Kurti e konsideron asociacionin si një organizim pa kompetenca ekzekutive, ndërsa presidenti Vuçiç e sheh si një strukturë me kompetenca vendim-marrëse dhe ekzekutive.

    “Kjo është diçka që Prishtina nuk e pranon…sepse e konsideron si një instrument për ndërhyrje politike nga Beogradi në çështjet e Kosovës”, thotë ajo.

    Sipas zotit Hartwell, dështimi i dialogut do të vazhdojë të paraqesë shqetësim për Bashkimin Evropian dhe NATO-n për situatën e tensionuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që u përshkallëzua pak kohë pas pajtimit të dyja palëve me marrëveshjen bazë mes përplasjeve të dhunshme në komunat veriore të Kosovës. Sipas tij, në të ardhmen të afërt, bashkësia ndërkombëtare do të përqëndrohet tek frenimi i përshkallëzimit të mëtejshëm. Por në të ardhmen afatgjatë, sipas zotit Hartwell, dështimi i dialogut do të ketë pasoja për Kosovën dhe Serbinë në rrugën e tyre evropiane dhe do t’i detyrojë të dyja vendet të jetojnë në një gjendje të vazhdueshme pasigurie.

    “Dialogu nuk ka qëllim të qartë. Bashkimi Evropian flet për ‘normalizim,’ por ky koncept nuk ka asnjë kuptim… Ndërmjetësit duhet të jenë më të qartë se çfarë duan të arrijnë. Janë dy çështje rreth këtij konflikti që duhet pasur parasysh. Siguria dhe respektimi i sovranitetit të Kosovës. Pastaj, ndërmjetësit nuk e kanë një plan të dytë. Po ta kuptonin se dialogu është në ngërç, do t’i ndihmonte që të tregojnë më shumë imagjinatë për të arritur qëllimet kryesore nga këto negociata. Nuk mund të negociosh vetëm sa për të arritur një marrëveshje. Negocion për të arritur një qëllim. Ata duhet ta bëjnë të qartë këtë.”

    Zoti Hartwell thotë se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet të kalibrojnë qasjen e ndëshkimeve dhe shpërblimeve.

    “Kur situata u përshkallëzua në veri, Kosova u ndëshkua duke u përjashtuar nga stërvitjet me disa anëtarë të NATO-s. Disa javë më vonë, në Serbi u mbajt një stërvitje ushtarake ku morën pjesë tetë shtete të NATO-s. Ajo nuk u dënua për dhunën, ndonëse ka lidhje të forta midis regjimit të Vuçiçit dhe partisë kryesore serbe në Kosovë,” theksoi ai.

    Ai mendon se në të ardhmen trysnia do të vazhdojë të shtohet ndaj Kosovës, por se diplomatët perëndimorë duhet të tregohen më të paanshëm në raport me dyja vende.

    “Serbia, në thelb, mban çelësin për t’i dhënë fund kësaj përplasjeje. Po të ishte zoti Vuçiç serioz për arritjen e paqes seriozisht, ai do t’i jepte fund që sot (krizës),” thotë ai.

    Por sipas zonjës Ruge, nuk ka shpresë për ndonjë përparim.

    “E ardhmja do të jetë e njëjtë – një kombinim mes përpjekjesh për të sjellë ndryshime në terren dhe për ta çuar dialogun përpara, me vizita të vazhdueshme në Bruksel, dhe një konferencë tjetër shtypi se përse kemi dështuar të përparojmë dhe me ndonjë përshkallëzim në terren, varësisht se sa seriozë janë aktorët e jashtëm, BE dhe SHBA, për t’i bërë trysni Serbisë që të mos nxisë probleme në veri.”

  • Osmani dhe USAID nënshkruajnë sot marrëveshjen mbi 34 milionë dollarësh

    Osmani dhe USAID nënshkruajnë sot marrëveshjen mbi 34 milionë dollarësh

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe USAID do të nënshkruajnë sot (e premte) marrëveshjen e grantit në vlerë prej 34 milionë e 727 mijë dollarë.

    Sipas njoftimit të Presidencës, marrëveshja e grantit për objektivat zhvillimore do të nënshkruhet në ora 11:00.

    “Amendamenti nr.05 i marrëveshjes së grantit për objektivat zhvillimore do të nënshkruhet nga Presidentja Osmani në emër të Republikës së Kosovës dhe nga U.D drejtoresha e USAID Kerry Monaghan Hogler, në emër të USAID”, thuhet në njoftim.

  • ​Sot Dita Ndërkombëtare e Demokracisë

    ​Sot Dita Ndërkombëtare e Demokracisë

    15 shtatori shënon Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.

    Kjo datë është përcaktuar në vitin 2007, me rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila inkurajon qeveritë që të forcojnë programet kombëtare për promovimin dhe konsolidimin e demokracisë.

    Kjo ditë në vende të ndryshme të botës shënohet me aktivitete të shumta.

  • 25 vjet nga Beteja e Kaqandollit

    25 vjet nga Beteja e Kaqandollit

    Sot bëhen 25 vjet nga beteja e Kaqandollit.

    Beteja e Kaqandollit është njëra ndër betejat më të lavdishme të UÇK-së, jo vetëm në Llap por në tërë Kosovën.

    Beteja e Kaqandollit, ishte beteja e parë frontale në Llap që e zhvilloi UÇK-ja kundër forcave serbe.

    Gjatë kësaj beteje 3 ditore nga radhët e UÇK-ës ranë 7 dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Bekim Maliqi, Bekim Lushaku, Nazmi Zhegrova, Fadil Sejdiu, Habib Zeka, Islam Rekaliu dhe Selim Rekaliu.

  • 22 veturat e reja për vizita mjekësore nëpër shtëpi, Ministria e Shendetesise i bleu me kredi

    22 veturat e reja për vizita mjekësore nëpër shtëpi, Ministria e Shendetesise i bleu me kredi

    Përgatiti: Sara Shehu

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të mërkurën, nëpërmjet një statusi në Facebook, u krenua se Ministria që ai udhëheq do të bëjë shpërndarjen e 22 veturave për vizita mjekësore nëpër shtëpi, për kujdesin ndaj nënave dhe fëmijëve.

    Por ajo që Ministri harroi të nënvizojë në këtë njoftim është se këto vetura janë siguruar nëpërmjet një huamarrje, që ministria e ka marrë nga Banka Botërore, që arrin shifrën e afro 750 mijë eurove.

    Megjithatë, me to stafi i Qendrave të Mjekësisë Familjare do të mund të bëjë vizita shëndetësore shtëpiake për shëndetin e nënave dhe fëmijëve deri në 3 vjeç, edhe në zonat më të thella të vendit.

    Ministria e Shëndetësisë, nëpërmes një përgjigje me shkrim për ATV-në, ka bërë të ditur se ato do të shpërndahen në 30 komuna të vendit.

    “Kostoja financiare për blerjen e 22 veturave është 748,000 Euro. Vizitat në shtëpi për nëna dhe fëmijë ofrohen nga Institucionet e Kujdesit Parësor Shëndetësor. Deri më tani, këto vizita realizohen te këto kategori (nënë dhe fëmijë deri në moshën 3 vjeçe) në 30 komuna. Veturat janë siguruar në bazë të nevojave nga komunat që janë duke i realizuar këto vizita”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

    Sipas Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve, kjo ka qenë një nevojë e kamotshme. Besim Kodra nga kjo shoqatë, thotë se marrja e shërbimeve shëndetësore nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare të fshatrave, është më e vështirë për shkak të mungesës së punëtorëve shëndetësorë dhe furnizimit të pamjaftueshëm me barna nga lista esenciale.

    Ndryshe, programi i vizitave nëpër shtëpi për shëndetin dhe mirëqenien e nënave dhe fëmijëve, ka filluar të zbatohet në Kosovë në vitin 2014. Ky program është i integruar në kujdesin parësor shëndetësor.

  • Hapet Panairi i Punës për Personat me Aftësi të Kufizuara

    Hapet Panairi i Punës për Personat me Aftësi të Kufizuara

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Fortesa Vishesella është e kufizuar në aftësitë fizike që nga lindja. Kështu nuk ia doli të përfshihej në shumë aktivitete.

    Por falë panairit të punës që u hap nga organizata “Save the Children” në Prishtinë, do të ketë mundësi që së paku terapinë mjekësore t’ia sigurojë vetes.

    “Kam aplikuar për një pozitë në administratë me një kompani, në kuadër të panairit që është për t’i punësuar personat me aftësi të kufizuara. Jemi shumë të lumtur që po mundemi me marrë pjesë edhe ne si gjithë të tjerët ndonëse një gjë e tillë është dashur të bëhej prej kohësh”, tha Vishesella.

    Ky panair, kishte për qëllim ofrimin e 90 vendeve të lira të punës të fushave të ndryshme për personat me aftësi të kufizuara, nga më shumë se 30 kompani.

    “Kompania jonë ofron disa pozita pune si asistente, referente për këtë kategori. Aplikimet po vazhdojnë, së pari i marrim të dhënat e tyre e kështu me radhë”, tha Rinora Selimaj, përfaqësuese e organizatës.

    “Edhe kjo kategori ka të drejtën për punësim, andaj jemi mbledhur sot me më shumë se 30 kompani për këtë qëllim”, tha Deniza Simnica, përfaqësuese e “Save the Children”.
    Ndërkaq, organizatorët e panairit thonë se nuk do këtë më barriera mes punëdhënësve dhe personave me aftësi të kufizuara.

    “Jemi shumë të lumtur që do të kenë mundësi të punësohen si të gjithë të tjerët, jemi falënderues edhe bashkëpunëtorëve për këtë projekt”, tha Ahmet Kryeziu, drejtor në organizatën “Save the Children”.

    “Aktivitetet e tilla kanë munguar, andaj ky është një hap i suksesshëm për të gjithë ne, në bashkëpunim me të gjitha bizneset po ia dalim”, tha kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna.

    Të interesuarit, mundësi aplikimi për punë patën deri në orën 16:00.

  • Leposaviqi dhe Zubin Potoku votojnë për anëtarësim në Asociacionin e Komunave të Kosovës

    Leposaviqi dhe Zubin Potoku votojnë për anëtarësim në Asociacionin e Komunave të Kosovës

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Për 109 ditë, kryetari i komunës së Leposaviqit Lulzim Hetemi, nuk ka dalë nga objekti i komunës.

    Ai qëndroi brenda edhe kur asamblistët e Kuvendit Komunal u mblodhën larg objektit të komunës në fshatin e tij të lindjes, për të diskutuar rreth një pike të rëndësishme të rendit të ditës.

    Brenda objektit të shkollës fillore në Bistricë, asamblistët e kuvendit të Leposaviqit votuan për anëtarësimin e kësaj komune në Asociacionin e Komunave të Kosovës.

    Ndonëse, pozita e obligonte ta ftonte këtë grumbullim të Kuvendit Komunal, kryesuesi i Kuvendit të Leposaviqit nga komuniteti serb, abstenoi gjatë votimit.

    Përveç Leposaviqit, më 14 shtator edhe komuna e Zubin Potokut votoi që edhe kjo komunë t’iu bashkohet të tjerave të Kosovës brenda Asociacionit.

    Vendimi i të dyja kuvendeve komunale tashmë do t’i dërgohet Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal për shqyrtim.

    Njëkohësisht partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe ka kundërshtuar veprimet e komunave Leposaviq e Zubin Potok, duke thënë se nuk janë në përputhje me kërkesat e serbëve lokalë.

    Nga katër komunat veriore tashmë ka mbetur vetëm edhe ajo e Zveçanit që ende nuk ka bërë kërkesë të anëtarësohet në Asociacionin e Komunave të Kosovës.

  • Ushtarët e FSK-së, në tetor do të marrin pjesë në ushtrimin “Cambrian Patroll” në Uells

    Ushtarët e FSK-së, në tetor do të marrin pjesë në ushtrimin “Cambrian Patroll” në Uells

    Përgatiti: Armand Hoti

    Një pjesë e tetorit, pritet të jetë rraskapitëse për disa nga ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Ata, nga data gjashtë deri më 15 tetor, do të marrin pjesë në ushtrimin “Cambrian Patroll”, të organizuar nga Ushtria Britanike, që do të mbahet në Uells.

    “Ushtrimi aktualisht përbëhet nga tetë faza, secila prej 48 orësh, në 10 ditë. Çdo patrullë do të përshkojë afërsisht 60, duke mbajtur jo më shumë se 32 kg për person. Ushtrimi është projektuar që të jetë i mundimshëm dhe të gjithë pjesëmarrësit duhet të jenë të përgatitur, si mendërisht, ashtu edhe fizikisht, për sfidën e ardhshme”, thuhet në njoftimin nga “Cambrian Patroll”.

    Ministria e Mbrojtjes, përmes një përgjigje me shkrim për ATV-në, tregoi për avantazhet që ushtrimi në fjalë do të sjellë për ushtarët e FSK-së.

    “Në këtë garë, FSK-ja merr pjesë me një skuadër. Ushtarakët tanë do të përvetësojnë aftësitë e fituara nga ushtrimet dhe trajnimet që ndjekin brenda dhe jashtë FSK-së, do të sfidohen në punën ekipore dhe të përvetësojnë nga njohuritë dhe eksperiencat e shteteve të tjera pjesëmarrëse në garë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes.

    Kadri Kastrati, ish-gjenerali i ushtrisë kosovare, tregon për sfidat që i presin trupat e FSK-së, pjesëmarrëse në këtë ushtrim.

    “Ata me pesha të rënduara në trup, do të ngjiten në lartësi deri në 1000 metra, do të ecin në zona të minuara, do të bëjnë tërheqjen e të plagosurve. Jam krenar me rezultatet që ushtarët tanë kanë korrur në këtë ushtrim apo garë, gjithmonë jemi kthyer me suksese”, tha ish-gjenerali i FSK-së, Kadri Kastrati.

    Ndërsa, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se pjesëmarrja pasqyron marrëdhëniet e forta mes Kosovës dhe Britanisë, në fushën e mbrojtjes, si dhe orientimin e Kosovës drejt NATO-s.

    “Kjo dëshmon faktin që FSK-ja tanimë është në rrugën e saj drejt integrimit në familjen e madhe të NATO-s dhe trajnime të tilla vetëm sa e forcojnë aspektin kuadrovik, sepse vetëm kështu mund të arrihet standardi i kërkuar”, tha Drizan Shala, ekspert i sigurisë.

    Ndërkohë, nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, njoftuan se ushtarët kosovarë janë në fazat e fundit përgatitore para se të nisen drejt Uellsit.

    Trupat e FSK-së, për herë të parë në këtë ushtrim morën pjesë në vitin 2016, ku arritën të siguronin medaljen e artë.