ATV

Author: ATVLive

  • Leposaviq: Ndalohet serbi që hyri ilegalisht në Kosovë me veturë me produkte ushqimore e tekstil

    Leposaviq: Ndalohet serbi që hyri ilegalisht në Kosovë me veturë me produkte ushqimore e tekstil

    Policia në Jashanicë të Leposaviqit ka ndaluar një veturë me vozitës serb që dyshohet se është futur në territorin e Kosovës duke iu shmangur pikëkalimeve të rregullta kufitare.

    Sipas policisë, në veturë ka pasur të ngarkuara produkte ushqimore dhe tekstil, për të cilat dyshohet të jenë mallra të kontrabanduara.

    “Lidhur me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti i lartcekur dhe të procedohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

  • Arrestohen pasi sulmuan dy policë në Graçanicë

    Arrestohen pasi sulmuan dy policë në Graçanicë

    Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Graçanicë, pasi të njëjtit dyshohet se kishin sulmuar dy zyrtarë policorë teksa po kryenin detyrën e tyre.

    Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se zyrtarët policorë kanë pranuar tretman mjekësor.

    “Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore dhe prokurori kujdestar i cili ndaj të dyshuarve ka caktuar masën e ndalimit për 48 orë dhe nën mbikëqyrjen e njësitit policor kompetent kanë pranuar tretman mjekësor”, thuhet aty.

    Rasti është hapur si “Pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare & sulm ndaj personit zyrtarë”.

    Rasti nën hetime

  • Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania kritikojnë Iranin për pasurimin e uraniumit

    Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania kritikojnë Iranin për pasurimin e uraniumit

    Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania kritikuan Iranin për shkeljen e zotimit të tij në lidhje me pasurimin e uraniumit.

    Të tri vendet evropiane dhanë një deklaratë të përbashkët për Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) mbi zbatimin e angazhimeve të Iranit në kuadër të Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPoA) të mërkurën, shkruan aa, transmeton KosovaPress.

    “Fatkeqësisht, veprimet e Iranit mbeten në shkelje të qartë të zotimeve të tij në JCPoA dhe synimeve të deklaruara”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se Teherani vazhdoi të përshkallëzojë programin e tij bërthamor në “një nivel alarmues qartësisht përtej justifikimit të besueshëm civil”.

    Ata gjithashtu vunë në dukje se Irani nuk i përmbushi angazhimet e tij për transparencë.

    “Raportet e IAEA tregojnë se Irani ka vazhduar të akumulojë uranium të pasuruar shumë përtej kufijve të JCPoA, në 5%, 20% dhe, më alarmante, në 60%. Kjo do të thotë se pesha e rezervave të uraniumit të pasuruar të Iranit tani është mbi 18 herë më shumë se sasia e lejuar sipas JCPoA”, theksuan të tre vendet, duke thënë se do të ndërmarrin hapa diplomatikë për të “parandaluar Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore”.

    Një grup tjetër prej 63 vendeve nënshkroi të enjten një deklaratë të përbashkët duke denoncuar mungesën e bashkëpunimit të Iranit për Marrëveshjen e Masave Mbrojtëse të NPT.

    Ata i kërkuan Iranit që të “sqarojë dhe zgjidhë këto çështje në një mënyrë të kënaqshme për IAEA”.

    Në një deklaratë të veçantë, SHBA u bashkua me tre vendet evropiane për të kujtuar se Irani bëri zotime më 4 mars, në lidhje me çështjet e masave mbrojtëse.

    Nuk ka pasur përparim, thuhej në deklaratë dhe shtoi se: “Në vend të kësaj, Irani vazhdon në refuzimin e tij të qëllimshëm për t’u angazhuar seriozisht me agjencinë (IAEA).

    Më vonë, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, lëshoi një deklaratë pasi mori një letër nga ministrat e jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në lidhje me zbatimin e Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPoA).

    “Siç është kërkuar, ua kam shpërndarë letrën pjesëmarrësve të tjerë të JCPoA, përkatësisht Kinës, Iranit dhe Federatës Ruse”, tha Borrell, duke shtuar se do të konsultohet me të gjithë pjesëmarrësit e JCPoA për rrugën përpara si koordinator.

    JCPoA, e njohur gjithashtu si marrëveshja bërthamore e Iranit, u nënshkrua në vitin 2015 midis Iranit dhe P5+1, pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kinës, Francës, Rusisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA-së, plus Gjermanisë së bashku me BE-së.

    Sipas marrëveshjes, Teherani është zotuar të kufizojë aktivitetin e tij bërthamor për qëllime civile, dhe në këmbim të kësaj, fuqitë botërore ranë dakord të heqin sanksionet e tyre ekonomike kundër Iranit.

  • Vdes prezantuesja dhe komediania e BBC-së

    Vdes prezantuesja dhe komediania e BBC-së

    Prezantuesja dhe komediania, Maddy Anholt ka vdekur në moshën 35-vjeçare pasi një vit më parë u diagnostikua me kancer në tru.

    Anholt i kaloi javët e saj të fundit në shtëpinë e prindërve të saj në Devon, tha familja e saj, raporton BBC.

    “Me dhimbje të thellë njoftojmë vdekjen e Maddy Anholt, vajzës sonë të dashur, e cila u largua nga kjo botë të mërkurën më 13 shtator, në moshën 35-vjeçare”, thuhet në njoftimin e familjes.

  • Ambasadori i Austrisë në zyrat e EULEX, pritet nga Barbano

    Ambasadori i Austrisë në zyrat e EULEX, pritet nga Barbano

    Ambasadori i ri i Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, ka qëndruar për vizitë në zyrat qendrore të misionit të EULEX.

    Ai është pritur nga drejtuesi i këtij misioni, Giovanni Pietro Barbano.

    “Austria vijon ta mbështesë punën dhe aktivitetet e misionit për çfarë ne kemi vlerësim t lartë”, ka shkruar Barbano.

  • Mblidhet KQZ-ja, nuk dihet a diskutohet për Udhëzimin Administrativ për zgjedhjet në veriun e Kosovës

    Mblidhet KQZ-ja, nuk dihet a diskutohet për Udhëzimin Administrativ për zgjedhjet në veriun e Kosovës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të mbajë mbledhjen e rregullt.

    Sipas rendit të ditës të shpërndarë për mediat nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, askund nuk është paraparë që të diskutohet lidhur me Udhëzimin Administrativ të nxjerrë nga Ministria e Pushtetit Lokal për largimin e kryetarëve nga funksioni i tyre.

  • Vetura e konfiskuar e Burdushit iu dha në shfrytëzim MPB-së, drejtori thotë se vetura të tilla marrin të gjitha institucionet shtetërore

    Vetura e konfiskuar e Burdushit iu dha në shfrytëzim MPB-së, drejtori thotë se vetura të tilla marrin të gjitha institucionet shtetërore

    Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), ditë më parë është pajisur me një veturë të tipit LAND Range Rover, veturë kjo e cila ishte konfiskuar nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar.

    Kjo veturë së bashku edhe me dy të tjera, i takonin Hysri Peqanit i njohur si “Burdushi”, të cilat iu konfiskuan pas arrestimit të tij.

    Drejtori i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar, Fadil Bunjaku në një intervistë për Telegrafin ka thënë se vetura të tilla të konfiskuara u janë dhënë në shfrytëzim të gjitha institucioneve shtetërore, e jo vetëm MPB-së.

    E lajmin që bëri bujë për veturën e Peqanit, Bunjaku e ka arsyetuar me faktin se është person publik.

    “Në fakt njeriu pak më i njohur dhe ka bërë ndikim mediatik, përndryshe kerri i është dhënë ministrisë dhe normal e vozit kabineti, stafi dhe kushdo që ka nevojë. Nuk ka marr automjet vetëm Xhelal Sveçla, por të gjitha ministritë dhe institucionet tjera. Sepse përveç ligji që e lejon dhënien në shfrytëzim të institucioneve është nxjerr dhe një memorandum i bashkëpunimit me Kryeprokurorit të Shtetit, Këshillit Gjyqësorë dhe Këshillit Prokurorial ku thuhet që mjetet të jepen në shfrytëzim sa më shumë institucioneve të Kosovës për shkak të kursimeve buxhetore”, ka shpjeguar Bunjaku.

    Sipas tij, vetura e konfiskuara u jepen institucioneve në shfrytëzim të përhershëm

    “Ato automjete regjistrohen në emër të atij institucioni të cilit i jepet në mënyrë të përhershme”, tha ndër të tjera drejtori Bunjaku.

    Ndryshe, edhe nga MPB-ja kishin konfirmuar për Telegrafin se vetura e lartpërmendur tashmë është në shfrytëzim.

    “MPB për shkak të mungesës së veturave ka kërkuar nga agjencia dy vetura dhe kërkesa jonë është aprovuar për një veturë që tashmë është në përdorim nga Ministria, sipas dispozitave të parapara ligjore”, kishte thënë zëdhënësja e MPB-së, Nora Fetoshi.

    Ajo pati thënë se edhe veturat e tjera të konfiskuara u jepen në shfrytëzim institucioneve të ndryshme të shtetit.

    Sipas ligjeve aktuale, konfiskimi i pasurisë nënkupton marrjen e përhershme të pasurisë që është fituar në mënyrë të kundërligjshme, sipas urdhrit të formës së prerë nga gjykata kompetente apo organi tjetër kompetent, kurse sekuestrimi nënkupton marrjen e pasurisë nga organi kompetent deri në vendimin e prerë të gjykatës.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 21 gusht 2023, e ka urdhëruar Burdushin që më 18 shtator 2023 të paraqitet në Shërbimin Korrektues të Republikës së Kosovës, në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, për të filluar mbajtjen e dënimit me burgim.

  • Ashton e Reeker në Kosovë, pjesë e një konference për dialogun

    Ashton e Reeker në Kosovë, pjesë e një konference për dialogun

    Grupi për Ballkan do të mbajë sot një konferencë në Prishtinë me titull “Dialogu me Serbinë: Mësime nga e kaluara për të ardhmen e procesit” nga ora 09:30.

    Sipas njoftimit, në këtë konferencë do të marrin pjesë baronesha Catherine Ashton dhe ish-ambasadori amerikan në Maqedoni të Veriut, Philip Reeker.

    Po ashtu, bëhet e ditur se diskutimi do të shoqërohet me promovimin e librit të ish-ndërmjetëses së BE-së në dialogun Kosovë – Serbi, Ashton, me titull “Dhe pastaj çfarë? Brenda tregimeve të diplomacisë së shekullit 21”.

  • Kim Jong Un viziton fabrikën e avionëve luftarakë në Rusi

    Kim Jong Un viziton fabrikën e avionëve luftarakë në Rusi

    Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, vazhdoi vizitën e tij disaditore në Rusi të premten, duke shkuar në një fabrikë avionësh në qytetin lindor të Komsomolsk-on-Amur, sipas mediave shtetërore ruse, pasi të dy palët thanë se bashkëpunimi ushtarak ishte një mundësi.

    Objekti është fabrika më e madhe e prodhimit të aviacionit në vend dhe ndërton dhe zhvillon avionë luftarakë, përfshirë Su-35S, raportoi media shtetërore TASS, shkruan CNN, transmeton Klan Kosova.

    Kim gjithashtu pritet të udhëtojë në qytetin port të Vladivostok ku do të shikojë aftësitë ushtarake të Flotës së Paqësorit të Rusisë, tha presidenti rus Vladimir Putin për agjencinë shtetërore të lajmeve Rusia 1.

    Kjo vizitë erdhi pasi Putin tha se Rusia po shqyrton dhe diskuton një bashkëpunim ushtarak me Korenë e Veriut.

    Takimi pesë-orësh i së mërkurës në Kozmodromin Vostochny sinjalizoi marrëdhënie më të ngushta midis dy vendeve, që të dyja përballen me izolim ndërkombëtar – Moska për pushtimin e Ukrainës dhe Pheniani për programin e saj të armëve bërthamore dhe raketave balistike.

    Kremlini tha të enjten se Putini kishte pranuar ftesën e Kim për të vizituar Korenë e Veriut dhe se ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov do të vizitonte gjithashtu vendin në tetor, sipas zëdhënësit Dmitry Peskov.

  • Rikthehen infektimet dhe vdekjet me Covid–19 në Kosovë, infektologu Tolaj thotë se virusi mund të jetë përjetësisht në mesin tonë

    Rikthehen infektimet dhe vdekjet me Covid–19 në Kosovë, infektologu Tolaj thotë se virusi mund të jetë përjetësisht në mesin tonë

    Virusi Covid-19 është rikthyer sërish në Kosovë.

    Të mërkurën, Instituti i Shëndetësisë Publike ka njoftuar, se brenda dy javëve, 67 persona janë infektuar me COVID dhe një person ka vdekur.

    Se a mund të përkeqësohet situata në Kosovë me këtë virus, për Front Online ka folur infektologu, Ilir Tolaj.

    Ai tha se mund të rritën rastet edhe më shumë se kaq.

    Tolaj thotë se Covid-19 mund të jetë i përjetshëm në mesin tonë.

    “Po është e mundur. Covid-19 tash është sëmundje endemike e cila do të jetë për një kohë të gjatë në mesin tonë ndoshta edhe përjetësisht. Rrjedhimisht do të kemi periudha kur numri i të infektuarve do të shtohet dhe periudha kur ky numër do të jetë më i vogël”, tha Tolaj për Front Online.

    Sipas tij, ky lloj i infektimit mund të krijohet edhe në sezonalitet.

    “Është e mundur që në të ardhmen të krijohet edhe një ecuri e caktuar brenda vitit një sezonalitet i caktuar dhe e gjithë kjo është krejtësisht normale kur është fjala për këto lloj infeksionesh”, ka thënë Tolaj.

    Këto janë moshat që  po i prek virusi Covid-19

    Infektologu Ilir Tolaj ka treguar se rastet e fundit të paraqitura me Covid -19 janë të variantit Omicron.

    “Në dy vitet e fundit mbizotëron nën variantet e ndryshme të variantit Omicron. Në përgjithësi janë nën variante që shkaktojnë infeksione të lehta”, tha Tolaj.

    Moshat e shtyra dhe personat me probleme kronike sipas Tolajt, janë më të prekurit.

    “Nuk ka grup moshe më shumë ose më pak të prekur nga COVID-i. Janë moshat e shtyra dhe ata me probleme shëndetësore kronike që mund të shfaqin simptoma më shumë e në raste edhe më serioze”, tregoi Tolaj.

    Infektologu Tolaj tregon simptomat që po i shkakton infektimi me Covid-19

    Infektologu Ilir Tolaj ka treguar për Front Online disa nga simptomat e coronavirusit që është përhapur sërish në vend.

    “Simptomat janë ato të cilat tashmë janë të njohura për COVID me përjashtim se problemet me frymëmarrje janë shumë pak ose aspak prezentë. Simptomat tjera janë të shprehura me intensitet më të ulët në përgjithësi shumica e këtyre infeksioneve tash ose janë asimptomatike ose kanë një simptomatologji dhe ecuri të lehtë. Për këtë arsye edhe shumica e të infektuarve e kalojnë pa ditur se janë sërish të infektuar apo e kalojnë në këmbë e me pak simptoma”, theksoi ai.

    Ky është njoftimi i Institutit për Shëndetësisë Publike lidhur me situatën epidemiologjike në Kosovë:

    Në dy javët e fundit (30.08.2023 – 12.09.2023) janë raportuar 67 raste pozitive dhe 1 rast i vdekjes me COVID-19.

    Sipas grup-moshave rezulton se numri më i madh i rasteve i takojnë grup-moshave 50-59 vjeç (me 16 raste) dhe 60-69 vjeç (me 15 raste) me moshë mesatare 52 vjeç.

    Prej rasteve të konfirmuara me COVID-19, sipas komunave rezulton se numri më i madh i rasteve është raportuar nga komuna e Prishtinës (25 raste), Pejës (8 raste) dhe Gjakovës (7 raste) kurse incidenca më e lartë e rasteve është raportuar në komunën e Prishtinës me 13 raste në 100,000 banorë dhe Kaçanikut me 12 raste në 100,000 banorë.

    Përkundër rasteve të shënuara së fundi, situata epidemiologjike në Republikën e Kosovës me COVID-19 mbetet e qetë, ndërsa qytetarët që manifestojnë shenja të infeksionit këshillohen të testohen dhe konsultohen me mjekun për çdo dyshim në COVID-19.