ATV

Author: ATVLive

  • Bastisjet e ZPS-së në Kosovë, Gashi: Fajtore është Qeveria e vitit 2015, atëherë Kurti nuk ka qenë kryeministër

    Bastisjet e ZPS-së në Kosovë, Gashi: Fajtore është Qeveria e vitit 2015, atëherë Kurti nuk ka qenë kryeministër

    Veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot kanë protestuar para bazës së EULEX-it në Fushë Kosovë, për të kundërshtuar bastisjet e Speciales të kryera ditët e fundit në Kosovë. Ata, përmes një aksioni simbolik, kanë hedhur telefona pranë kësaj baze.

    Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, në një prononcim për ATV-në, tha se këto aksione të ZPS-së ndaj ish pjesëtarëve të UÇK-së po ndodhin siç e quan ai, në frymën e Qeverisë së Kosovës.

    Ndaj deklaratave të Molliqajt, ka reaguar avokati Tomë Gashi, i cili në një intervistë ne emisionin A LIVE në ATV, tha se një qeveri ka faj që udhëheqësit e UÇK-së ndodhen në Hagë, dhe kjo qeveri, sipas Gashit, është ajo e vitit 2015 dhe jo e tanishmja.

    “Një qeveri ka faj, definitivisht edhe ka faj shumë, edhe për shkak të asaj qeverie, i kemi udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në burg, në Hagë, për më tepër se tri vite dhe besoj që ajo qeveri dihet fare lehtë se kush ka qenë, ka qenë qeveria e vitit 2015 dhe jo qeveria e tanishme dhe në vitin 2015, secili mundet fare lehtë ta dinë se kush ka qenë në pushtet. Kushdo që ka qenë në pushtet, ne e dimë, ata e dinë, edhe protestuesit, edhe politikanët, edhe secili e din kush ka qenë në pushtet para tetë viteve, por nuk ka qenë Lëvizja Vetëvendosje dhe nuk ka qenë Albin Kurti kryeministër. Në atë kohë Vetëvendosja ka qenë në opozitë dhe kushdo që e mban mend, nëse nuk e mban mend, Google ia përkujton, fare lehtë mund ta gjen edhe në Youtube që Lëvizja Vetëvendosje në momentin kur është votu Gjykata Speciale, saktësisht me 3 gusht vitit 2015, kanë dalë krejtësisht nga Parlamenti i Republikës së Kosovës, edhe në mënyrë demonstrative e kanë lëshuar Parlamentin e Republikës së Kosovës, sepse kanë qenë gjithmonë kundër Gjykatës Speciale, kanë qenë, janë dhe do të jenë kundër Gjykatës Speciale”, tha Gashi.

    Ai tha se tani, detyra e Qeverisë së Kosovës mund të jetë që përmes institucioneve përkatëse të përcjellë shkeljet e të drejtave të njeriut në procesin e gjykimit në Hagë.

    “Momentin kur ratifikohet një marrëveshje e tillë, kur e delegon sovranitetin juridik nga Kosova në një shtet tjetër, që në këtë rast është Holanda, saktësisht qyteti i Hagës, atëherë Qeveria e tanishme që është e Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka fare se çfarë të bëjë. Detyra e Qeverisë është, përmes institucioneve përkatëse të përcjellë shkeljet e të drejtave të njeriut dhe besoj që duhet të reagohet në raste të caktuara, siç ka reaguar edhe vetë kryetari i Parlamentit të Kosovës, zoti Konjufca, i cili ka qenë në vizitë atje dhe ka pasur reagim, do të thotë për shkelje të të drejtave të njeriut”, tha Gashi. /atvlive.tv

  • “I kërkova sa më shumë përfshirje të ndërkombëtarëve për veriun”, Vuçiq njofton për takim me Sarrazinin

    “I kërkova sa më shumë përfshirje të ndërkombëtarëve për veriun”, Vuçiq njofton për takim me Sarrazinin

    Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, është takuar sot me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit të djeshëm në Bruksel.

    Siç ka njoftuar ky i fundit në Instagram, ata kanë folur për këtë takim, situatën në rajon, marrëdhëniet dypalëshe me Gjermaninë, “rrugën europiane të Serbisë dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor”.

    “Diskutuam gjithashtu për përfshirjen të sa më shumë aktorëve relevantë ndërkombëtarë në de-përshkallëzimin e situatës në Kosovë, por edhe për t’i dhënë një vrull të ri integrimit europian të rajonit, i cili do të kontribuonte ndjeshëm në stabilitetin e qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Vuçiq.

    Takimi i djeshëm i nivelit të lartë Kosovë-Serbi përfundoi pa sukses. Kryeministri Kurti ka thënë se u kushtëzua me themelimin e Asociacionit, për shkak të së cilit tha se ka refuzuar.

  • Molliqaj: ZPS po e ndjek UÇK-në, jo krimet në Kosovë

    Molliqaj: ZPS po e ndjek UÇK-në, jo krimet në Kosovë

    Veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë protestuar para bazës së EULEX-it në Fushë Kosovë, për të kundërshtuar bastisjet e Speciales të kryera ditët e fundit në Kosovë.

    Ata në bashkërendim edhe me Partinë Social Demokrate, ndonëse kjo e fundit nuk ka dhënë ndonjë njoftim zyrtar, përmes një aksioni simbolik, kanë hedhur telefona pranë kësaj baze.

    Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, në një prononcim për ATV-në, tha se ajo që ndodhi ditëve të fundit, sipas tij, ka qenë një plaçkitje e paligjshme e pronave të luftëtarëve të lirisë në Kosovë, e cila ka ndodhë nga Gjykata Speciale.

    “Sa herë që një organ që është i thirrur për të vendosur drejtësi dhe ka të pamundur për të bërë një gjë të tillë, atëherë fillojnë përndjekjet e stigmatizimet. Ajo që ka ndodhë ditëve të fundit ka qenë një plaçkitje e paligjshme e pronave të luftëtarëve të lirisë në Kosovë, e cila ka ndodhë nga Gjykata Speciale ose Dhomat e Specializume nën pretekstin për të vendosur drejtësi e për të penguar padrejtësinë që mund të bëjnë ushtarët e UÇK-së. Tani ata i kanë të gjitha provat, i kanë të gjitha materialet, por nuk po mund të vendosin asgjë kundër ushtarëve të UÇK-së”, tha Molliqaj.

    Molliqaj tha se këto veprime të Gjykatës Speciale ndaj ushtarëve të UÇK-së po ndodhin ën frymën e Qeverisë së Kosovës.

    “Gjithë kjo po ndodh në frymën e Qeverisë së Kosovës, e cila është qeveri e vetmja që nuk i ka ngritur të hyrat për invalidët e luftës, nuk i ka ngritur të hyrat për familjarët e dëshmorëve, nuk i ka ngritur ose i ka përjashtuar nga paga minimale veteranët dhe më e zeza prej të gjitha këtyre, ose më e rënda është që, siç edhe e dini nuk i ka financuar as protezat për invalidët e luftës. Nuk është e rastësishme kjo. Nuk ka ndodhë asnjëherë nga asnjë qeveri një veprim i tillë çfarë kjo qeveri po e bën. Prandaj, kemi sulm të drejtpërdrejtë nga Dhomat e Specializume për t’i shantazhuar ushtarët e UÇK-së dhe kemi heshtje edhe denigrim të dinjitetit të kategorive të dalura nga lufta. Besoj që ky është një koordinim i dyanshëm, i dëmshëm dhe i rrezikshëm për ata që ne e quajmë vlerën sublime të shtetit të Kosovës, që është Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, tha Molliqaj.

    Ai tha se ZPS po e ndjekë UÇK-në dhe jo krimet në Kosovë.

    “Nuk është çështje e koordinimit formal dhe marrëveshjes, është çështje e frymës. ZPS-ja po e ndjek UÇK-në, jo krimet në Kosovë. Po i përndjek komandantët e ushtarët e saj, duke ua konfisku pronat e tyre në mënyrë të paligjshme dhe të dhunshme. Ju e dini se siç janë ligjet për konfiskime tilla. Nuk bëhet ashtu siç shkojsh në kafe me ia ngjit telefonin. Nuk është e lejuar asnjëherë. Fillimisht duhet të njoftohet personi, kush janë ata, pse po duan, pastaj përmes procesverbalit konfiskohet telefoni, nuk konfiskohet në mënyra klandestine, ndërsa atë që e thashë, po e përsëris prapë, më thoni ju cilës kategori në Kosovë nuk ju ka arritur paga. Unë t’i përmenda tri prej tyre. Ato janë familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës dhe veteranët janë përjashtu. Dhe mos harroni asnjëherë, që tri vite nuk janë nda fundet për proteza. Nëse veteranët na qenkan të rrejshëm, a janë dëshmorët të rrejshëm? Nëse veteranët na qenkan të rrejshëm ndonjë prej tyre, a janë familjet e dëshmorëve dhe invalidët që kanë proteza të rrejshëm. Pra nuk ka të bëjë me veteranë të rrejshëm, ka të bëjë me përndjekje të kësaj kategorie që po i bëhet nga Qeveria e Kosovës”, tha Molliqaj.

    Ndërsa, kryetari në detyrë i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, në fjalimin e tij para protestuesve, tha se as ZPS as EULEX-i nuk mund t’ua marrë telefonat, pasi sipas tij, për këtë është Policia e Kosovës që mund ta bëjë këtë nëse është e nevojshme.

    “Zyra e Prokurorit të Specializuar e as EULEX-i s’mund të na marrë (telefonat), këtu është Policia e Republikës së Kosovës, jemi shtet. Nëse këta kanë nevojë për telefonat tonë, e bëjnë policia e jonë një shkresë edhe thonë na duhet telefoni për ta konfiskuar, për të hetuar, se s’kanë çka hetojnë. Unë kam tregu që ne flasim në telefona, qofshin ata të thjeshtë apo inteligjentë, ata vazhdimisht janë duke na përgjuar dhe s’kanë nevojë me na i konfisku telefonat sikur hajnat e kriminelët, sepse ka raste kur njerëzve iu kanë shku në tavolina duke pirë kafe, pa i thënë asgjë ia kanë kapë telefonin. A është normale kjo. Prandaj, ne si organizues të kësaj proteste, kemi mëndu që t’ju japim këtyre telefona nëse ju duhen”, tha Klinaku. /atvlive.tv

  • Protesta e OVL-UÇK-së, veteranët hedhin telefonat para bazës së EULEX-it në Fushë Kosovë

    Protesta e OVL-UÇK-së, veteranët hedhin telefonat para bazës së EULEX-it në Fushë Kosovë

    Veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë mbledhur para bazës së EULEX-it në Fushë Kosovë. Përmes protestës, ata po kundërshtojnë bastisjet e Speciales të kryera ditët e fundit në Kosovë.

    Veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë mbledhur para bazës së EULEX-it në Fushë Kosovë.

    Përmes protestës, ata po kundërshtojnë bastisjet e Speciales të kryera ditët e fundit në Kosovë.

    Gjithashtu, telefoni u është konfiskuar ish-komandantit të Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, ish-të burgosurit politik, Nait Hasani, si dhe Arben Mustafës-vëllait të Salih Mustafës i cili është i dënuar në shkallë të parë nga Gjykata Speciale me 26 vjet burgim.

    Kryetari në detyrë i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, në fjalimin e tij para protestuesve, tha se as ZPS as EULEX-i nuk mund t’ua marrë telefonat, pasi sipas tij, për këtë është Policia e Kosovës që mund ta bëjë këtë nëse është e nevojshme.

    “Zyra e Prokurorit të Specializuar e as EULEX-i s’mund të na marrë (telefonat), këtu është Policia e Republikës së Kosovës, jemi shtet. Nëse këta kanë nevojë për telefonat tonë, e bëjnë policia e jonë një shkresë edhe thonë na duhet telefoni për ta konfiskuar, për të hetuar, se s’kanë çka hetojnë. Unë kam tregu që ne flasim në telefona, qofshin ata të thjeshtë apo inteligjentë, ata vazhdimisht janë duke na përgjuar dhe s’kanë nevojë me na i konfisku telefonat sikur hajnat e kriminelët, sepse ka raste kur njerëzve iu kanë shku në tavolina duke pirë kafe, pa i thënë asgjë ia kanë kapë telefonin. A është normale kjo. Prandaj, ne si organizues të kësaj proteste, kemi mëndu që t’ju japim këtyre telefona nëse ju duhen”, tha Klinaku.

    Gjatë protestës u zhvillua edhe një aksion simbolik, ku protestuesit hodhën telefona para bazës së EULEX-it në Fushë Kosovë. /atvlive.tv

  • Kuvendi shënon Ditën e Demokracisë – Konjufca: Të punojmë për aktivizimin e të rinjve duke investuar në edukimin e zhvillimin e tyre

    Kuvendi shënon Ditën e Demokracisë – Konjufca: Të punojmë për aktivizimin e të rinjve duke investuar në edukimin e zhvillimin e tyre

    Kuvendi i Kosovës ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë me ç’rast ka hapur dyert për qytetarët që dëshirojnë të vizitojnë këtë institucion, raporton Ekonomia Online.

    Me këtë rast kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se kjo ditë tregon rëndësinë dhe vlerat që përfaqëson sistemi demokratik i qeverisjes.

    Ai shtoi se duhet të punohet më shumë për aktivizimin sa më të madh të të rinjve duke investuar në edukimin dhe zhvillimin e tyre, ngase sipas tij, një shoqëri demokratike mund të mirëmbahet si e tillë kur çmohet kontributi i gjeneratave të reja.

    Sipas tij, përbërja e legjislaturës aktuale i ndihmon deklaratës së tij, sepse siç ka thënë ai, 15 për qind e deputetëve janë “nën moshën 35 vjeçare që me plot kuptimin e fjalës mund të quhen të rinj”.

    “Gëzohem që çdo vit kjo ditë po shënohet në Kuvend. Këtë ditë po e shënojmë me një lajm të mirë që është anëtarësimi i Kosovës në Partneritetin për qeverisje të hapur. Për ne është arritje e rëndësishme anëtarësimi pas një përpjekje të gjatë që nuk vjen veç me legjislaturën tonë por edhe të atyre të kaluarave. Kjo tregon për pjekurinë e shtetit tonë”.

    “Që nga miratimi i deklaratës globale Kuvendi ka marrë një sërë aktivitetesh dhe masash në funksion të rritjes se transparencës. Kuvendi ka miratuar dy plane të veprimit kjo tregon se punon me standardet më të larta të demokracisë. Ne duhet të punojmë më shumë për aktivizimin sa më të madh të të rinjve duke investuar në edukimin dhe zhvillimin e aftësive të të rinjve tanë. Një shoqëri demokratike mund të mirëmbahet si e tillë kur çmohet kontributi i gjeneratave të reja”.

  • Uragani Lee godet SHBA, shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Maine

    Uragani Lee godet SHBA, shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Maine

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përgatiten të përballen me uraganin Lee. Pas ditëve me shi të rrëmbyeshëm, përmbytje dhe tornado, New England përballet me stuhinë e kategorisë 1 që goditi Bermudan.

    Guvernatori i Maine ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të uraganit të parë në 15 vjet. Ai kërkoi edhe ndihmë federale në përgatitjen për mbërritjen e Lee.

    Priten erëra me shpejtësi deri në 130 kilometra në orë, shoqëruar me reshje të tjera shiu

    Një paralajmërim për stuhi tropikale i lëshuar përgjatë bregut të New England u shtri në veri deri në kufirin e SHBA-së dhe Kanadasë, si edhe për bregdetin e Masaçusets tha qendra e uraganit.

    Zonat në dhe pranë bregdetit do të jenë më të rrezikuara nga dëmtimet e erës dhe ndërprerjet e energjisë./A2/

  • ShBA-ja e ndihmon Kosovën – Osmani e Monagha nënshkruajnë marrëveshje prej rreth 35 milionë €

    ShBA-ja e ndihmon Kosovën – Osmani e Monagha nënshkruajnë marrëveshje prej rreth 35 milionë €

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së USAID-it, Kerry Monaghan Hogler, kanë nënshkruar marrëveshje në vlerë prej 34.72 milionë euro.

    Osmani me këtë rast tha se marrëveshja nënshkruhet në bazë të amendamentit numër 5 të marrëveshjes së grantit.

  • ​Pas kërcënimeve të Radojiqiçit, persona me simbole ruse shpalosin flamuj serbë në veri

    ​Pas kërcënimeve të Radojiqiçit, persona me simbole ruse shpalosin flamuj serbë në veri

    Persona të panjohur të veshur me fanella me simbole ruse, kanë shpalosur të enjten flamuj serbë tek konvikti i studentëve në veri të Mitrovicës.

    Këta flamuj janë vendosur pikërisht në vendin ku më parë kanë shkruar parulla nacionaliste përmes të cilave bënin thirrje për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë.

    KosovaPress mëson se personat në fjalë nuk janë të njohur për vendasit në Mitrovisë të Veriut dhe se disa prej tyre në fanellat e tyre mbanin simbolin e agresionit ushtarak rus në Ukrainë, shkronjën “Z”.

    Kjo ngjarje ka ndodhur menjëherë pas kërcënimeve të të sanksionuarit të ShBA-së, Milan Radojiçiq ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pas takimit të 14 shtatorit në Bruksel.

    “Albin Kurti, si të gjithë pushtuesit, mund të bësh si të duash, por jo sa të duash. Koha do të tregojë se kush do të pësojë dhe do të paguajë në fund. Rroftë Serbia! Rroftë populli serb”, ka kërcënuar Radojiqiç në faqen zyrtare të Listës Serbe në Facebook.

    Ndryshe, KosovaPress ka raportuar disa herë për parulla nacionaliste në veri, e për të cilat ka njoftuar edhe Policia e Kosovës.

  • Ashton: Duhet bërë kompromise për diçka më të madhe

    Ashton: Duhet bërë kompromise për diçka më të madhe

    Ish-përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Catherine Ashton, ka folur të premten në Prishtinë për rëndësinë e bërjes së kompromiseve në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për të arritur diçka më të madhe.

    Në një bashkëbisedim me ish-të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Philip Reeker, Ashton ka folur për vështirësitë në dialogun mes dy vendeve në kohën kur ajo e ka ndërmjetësuar këtë proces 10 vjet më parë.

    “Shpresoj që e kuptoni sa të rëndësishëm jeni për mua”, ka thënë ajo, duke shtuar se beson që e ardhmja e Kosovës do të jetë në Bashkimin Evropian.

    Në diskutimin e organizuar nga Grupi për Ballkanin, për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Ashton ka thënë se dialogu nuk ka qenë kurrë i lehtë, dhe zbatimi i marrëveshjeve është gjithmonë diçka më e vështirë sesa arritja e tyre.

    “Është e rëndësishme që dialogu të shihet si diçka që rrjedh në vazhdimësi, nuk më takon mua, apo Reekrit, ju takon juve. Dialogu ju takon juve dhe Serbisë”, ka thënë Ashton.

    “BE-ja bën vazhdimisht kompromise të brendshme për të fituar diçka më të madhe, por pa hequr dorë nga parimet. Megjithatë, duket gjetur mënyra si mund të bëni ndryshime të vogla për të krijuar diçka më të madhe”.

    Ashton, e cila është në Prishtinë për promovimin e librit të saj “Dhe më pas çka: Rrëfimet e brendshme të diplomacisë së shekullit XIX”, ka thënë se synimi i saj kryesor gjatë ndërmjetësimit të dialogut, ka qenë që t’i përgatisë dy vendet për t’u anëtarësuar në BE.

    Nën ndërmjetësimin e saj, Kosova dhe Serbia e kanë arritur marrëveshjen e parë në kuadër të dialogut, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve.

    Ashton ka thënë se shpreson që dialogu mes dy vendeve do të kalojë në fazë të re, ndonëse e ka përmendur se nuk do të jetë e lehtë.

    “Jam e përkushtuar për dialog dhe për të ndihmuar në për t’iu ndihmuar vendeve në rrugën e tyre drejt BE-së”.

    Rundi i ri i dialogut të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, është mbajtur më 14 shtator.

    Takimi ka përfunduar pa ndonjë rezultat.

    Departamenti amerikan i Shtetit është shprehur i zhgënjyer për një epilog të tillë.

    Ashton ka pasur një këshillë për liderët aktualë që janë pjesë e dialogut – të pyeten se në çfarë drejtimi i shtyn përpara udhëheqësia e tyre.

    “Nëse nuk ju pëlqen diçka që prezantohet, në rregull, por çfarë mund të bëni ju më shumë? Neve na intereson që Brukselit t’i thuhet nuk na pëlqen kjo, por e kemi këtë propozim, kjo është shumë e rëndësishme për ne”.

    Pati zëra kundër prezencës amerikane në dialog

    Ish i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Philip Reeker, ka thënë në Prishtinë se sheh ndryshim të madh në zhvillim të Kosovës, në krahasim me herën e parë kur ka qenë në këtë vend, më shumë se një dekadë më parë.

    Duke e komentuar dialogun, Reeker ka thënë se fillimisht ka pasur zëra që nuk e kanë dëshiruar prezencën amerikane në këtë proces.

    “Herën e parë që udhëtova në Bruksel, më thanë që të ulesha diku në qoshe të dhomës. Në fund të diskutimeve ata më pyesnin për ide e qëndrime të SHBA-së rreth procesit, dhe më pas më ftuan në tavolinë të dialogut”.

    Ai ka thënë se i gjithë përparimi që është arritur mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut, është sepse ato kanë dashur diçka të tillë.

    “Nëse ka pasur sukses është sepse dy palët kanë dashur të ketë sukses, duke i lënë anash emocionet dhe kanë arritur marrëveshje që do të mund të ofronin mundësi më të mira për qytetarët. Prandaj ekziston diplomacia”.

    Ai ka thënë se ekzistenca e BE-së është shembulli më i mirë se çfarë vendimesh duhet të marrin liderët, duke e përmendur se si është formuar blloku evropian – në të mirë të qytetarëve – duke i tejkaluar dallimet që ekzistojnë mes 27 vendeve anëtare.

    “Ajo që ka ndodhur 10 vjet më parë ka qenë e jashtëzakonshme dhe ka treguar se çfarë mund të bëhet”, ka thënë diplomati i pensionuar amerikan, duke iu referuar marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë më 2013.

    Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

    Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar. /REL

  • Vrasje në tentativë në Prishtinë

    Vrasje në tentativë në Prishtinë

    Të enjten rreth orës 11:18, njësitet policore janë njoftuar për të shtëna me armë zjarri në Prishtinë.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë gjetur e konfiskuar 4 gëzhoja, të cilat dyshohet se kanë mbetur si pasojë e të shtënave me armë zjarri nga një veturë në drejtim të një veture tjetër, të cilat ishin larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.

    Nuk raportohet për të lënduar, lidhur me rastin është informuar e konsultuar edhe prokurori. Rasti mbetet nën hetime.