ATV

Hapet Panairi i Punës për Personat me Aftësi të Kufizuara

Written by

in

Përgatiti: Pranvera Krasniqi

Fortesa Vishesella është e kufizuar në aftësitë fizike që nga lindja. Kështu nuk ia doli të përfshihej në shumë aktivitete.

Por falë panairit të punës që u hap nga organizata “Save the Children” në Prishtinë, do të ketë mundësi që së paku terapinë mjekësore t’ia sigurojë vetes.

“Kam aplikuar për një pozitë në administratë me një kompani, në kuadër të panairit që është për t’i punësuar personat me aftësi të kufizuara. Jemi shumë të lumtur që po mundemi me marrë pjesë edhe ne si gjithë të tjerët ndonëse një gjë e tillë është dashur të bëhej prej kohësh”, tha Vishesella.

Ky panair, kishte për qëllim ofrimin e 90 vendeve të lira të punës të fushave të ndryshme për personat me aftësi të kufizuara, nga më shumë se 30 kompani.

“Kompania jonë ofron disa pozita pune si asistente, referente për këtë kategori. Aplikimet po vazhdojnë, së pari i marrim të dhënat e tyre e kështu me radhë”, tha Rinora Selimaj, përfaqësuese e organizatës.

“Edhe kjo kategori ka të drejtën për punësim, andaj jemi mbledhur sot me më shumë se 30 kompani për këtë qëllim”, tha Deniza Simnica, përfaqësuese e “Save the Children”.
Ndërkaq, organizatorët e panairit thonë se nuk do këtë më barriera mes punëdhënësve dhe personave me aftësi të kufizuara.

“Jemi shumë të lumtur që do të kenë mundësi të punësohen si të gjithë të tjerët, jemi falënderues edhe bashkëpunëtorëve për këtë projekt”, tha Ahmet Kryeziu, drejtor në organizatën “Save the Children”.

“Aktivitetet e tilla kanë munguar, andaj ky është një hap i suksesshëm për të gjithë ne, në bashkëpunim me të gjitha bizneset po ia dalim”, tha kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna.

Të interesuarit, mundësi aplikimi për punë patën deri në orën 16:00.

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *