ATV

Author: ATVLive

  • ​Kosova me pesë xhudistë në Grand Slam Baku të Azerbajxhanit

    ​Kosova me pesë xhudistë në Grand Slam Baku të Azerbajxhanit

    Ekipi kosovar i xhudos i rikthehet nesër aksionit në garat ndërkombëtare, respektivisht në Azerbajxhan.

    Kosova do të paraqitet me pesë xhudistë në Baku të Azerbajxhanit, ku edhe do të mbahet edicioni i radhës i Grand Slam-it nga data 22 deri më 24 shtator, raporton KosovaPress.

    Kosovën do ta përfaqësojnë Distria Krasniqi në kategorinë deri në 52 kilogramë, Nora Gjakova në kategorinë deri në 57 kilogramë, Laura Fazliu në kategorinë deri në 63 kilogramë, Loriana Kuka në kategorinë deri në 70 kilogramë dhe Akil Gjakova në kategorinë deri në 73 kilogramë.

    Distria dhe Nora Gjakova luajnë nesër, kurse Fazliu, Kuka e Akil Gjakova do të ndeshen pasnesër, respektivisht të shtunën.

    Së bashku me xhudistët tanë kanë udhëtuar edhe trajnerët Majlinda Kelmendi dhe Fatos Tabaku.

    Në Grand Slamin e Bakus do të marrin pjesë 5 kontinente, 62 shtete dhe 452 garues.

  • ​Kurti takon shqiptarët dhe boshnjakët e Serbisë, diskutojnë për reciprocitetin

    ​Kurti takon shqiptarët dhe boshnjakët e Serbisë, diskutojnë për reciprocitetin

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me Këshilltaren Politike, Ardita Sinani pritën në takim Kryetarin e Partisë Aksioni Demokratik në Shanxhak (SDA), Dr. Sulejman Ugljanin, deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, përfaqësuesit politikë boshnjakë në Serbi, Esad Salihovic, Selma Kucevic, Ado Kameniscanin, dhe Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Nevzad Lutfiu.

    Zyra e Kryeministrit njofton se në takim u diskutua për brengat dhe shkeljet të cilat në mënyrë të vazhdueshme i përjetojnë si pakica shqiptare e po ashtu edhe ajo boshnjake në Serbi, dhe për atë se çfarë mund të bëhet së bashku për të përmirësuar këtë gjendje.

    “Përfaqësuesit e Boshnjakëve në Serbi thanë se as ata nuk janë të kënaqur me trajtimin që i bëhet atyre. Parimi i reciprocitetit dhe i simetrisë së të drejtave të pakicave kombëtare në Ballkan Perëndimor, është formula e duhur për arritjen e një paqe të qëndrueshme e afatgjate në rajon”, thuhet në komunikatë.

    Ndër të tjerash, kryeministri Kurti i njoftoi ata për takimet bilaterale dhe trilaterale që u zhvilluan me 14 shtator në Bruksel në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Tema tjera të diskutimit ishin edhe mandatet e garantuara, përfaqësimi i garantuar institucional, pasivizimi i adresave të vendbanimeve, shkelja e të drejtave të pakicave dhe vështirësitë në përdorimin e gjuhës dhe simboleve.

  • ​Osmani takoi presidentin e Letonisë, diskutuan edhe zhvillimet e fundit në Kosovë

    ​Osmani takoi presidentin e Letonisë, diskutuan edhe zhvillimet e fundit në Kosovë

    Presidentja Vjosa Osmani, e cila po qëndron në Nju Jork ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka takuar presidentin e Letonisë, Edgars Rinkēvičs.

    Në takim është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në vend ndërsa Osmani ka theksuar se Kosova mbetët e përkushtuar për paqe dhe siguri afatgjatë.

    “Krahas marrëdhënieve bilaterale, në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë, rajon e më gjerë, me ç’rast Presidentja Osmani ritheksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për paqe dhe siguri afatgjate. Presidentja Osmani ka falënderuar Presidentin Rinkēvičs për mbështetjen e vazhduar të Letonisë për rrugën euroatlantike të Kosovës dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, ka njoftuar Presidenca./KP

  • Stadiumi i Suharekës, publikohet projekti

    Stadiumi i Suharekës, publikohet projekti

    Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj në profilin e tij zyrtar në “Facebook” ka publikuar projektin për stadiumin e qytetit.

    Pas asaj që deklaroi së fundmi ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, që komuna e Suharekës duhet të ketë projektin dhe lokacionin e gatshëm për stadium, reagimi i Muharremajt ishte i shpejtë, raporton KosovaPress.

    Muharremaj zbuloi se ekziston lokacioni si parcelë katastrale në sipërfaqen 16 hektar, që është miratuar nga PZHK dhe HZK.

    Stadiumi i Suharekës pritet të jetë i kategorisë 4 me kapacitet afro 17 mijë ulëse.

    Ndërkaq, Muharremaj tha se i mirëpret zyrtarët nga MKRS për të vazhduar me procedurat e tjera.

  • ​Mjekët në Pulmologji i shpëtojnë jetën një personi pasi kishte gëlltitur kurorë dhëmbësh

    ​Mjekët në Pulmologji i shpëtojnë jetën një personi pasi kishte gëlltitur kurorë dhëmbësh

    Mjekët në Klinikën e Pulmologjisë i kanë shpëtuar jetën një pacienti pasi një kurorë dhëmbësh i kishte depërtuar në rrugët e frymëmarrjes.

    A.D nga Gjakovë ishte dërguar me urgjencë në QKUK pasi gjatë ndërhyrjes stomatologjike kishte gëlltitur kurorën.

    Sipas njoftimit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, mjekët kanë ndërhyrë në mënyrë urgjente përmes bronkoskopisë.

    “Pacientes A.D(1986), nga Gjakova, e cila gjatë ndërhyrjes stomatologjike tek stomatologu, kishte aspiruar një kurorë dhëmbësh, duke i depërtuar në rrugët e frymëmarrjes i ishte keqësuar gjendja shëndetësore, duke e rrezikuar seriozisht shëndetin e saj, me simptoma të frymëmarrjes së vështirësuar dhe kollitje. Me urgjencë ishte sjellur në Klinikën e Pulmologjisë, ku mjekët e klinikës konstatuan se duhet të bëhet ndërhyrje urgjent përmes bronkoskopisë, duke hequr kurorën nga rrugët e frymëmarrjes dhe duke i shpëtuar jetën”, theksohet në njoftimin e ShSKUK-së./KP

  • Kosova së shpejti me të dhëna për shkallën e ndotjes së ajrit nga automjetet

    Kosova së shpejti me të dhëna për shkallën e ndotjes së ajrit nga automjetet

    Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në bashkëpunim me agjencinë japoneze “JICA”, zhvilluan fazën e dytë të projektit për zhvillimin e kapaciteteve për kontrollin e ndotjes së ajrit në Kosovë. Qëllimi është që të krijohet një data bazë me të dhëna dhe të ndërmerren masa varësisht nga rezultati që del nga matjet.

    Zëvendësministri i MMPHI-së, Avni Zogiani, tha se qëllimi i këtij projekti është të hulumtojnë se në çfarë mase të ndotjes së ajrit kontribuon trafiku në përgjithësi.

    “Sot jemi duke i parë, duke vizituar disa pajisje, një projekt për fushën e ajrit, një projekt që ka kohë që është zhvilluar nga ministria dhe agjencia japoneze për bashkëpunim ndërkombëtar, i cili ka për qëllim të kuptojë se në çfarë mase në këtë ndotjen e përgjithshme të ajrit kontribuon trafiku, përkatësisht automjete në trafik. Ato pajisjet që janë të montuara skaj rrugës, ky projekt është bërë në bashkëpunim fantastik me Policinë e Kosovës, natyrisht edhe me departamentet e ministrisë tonë dhe akterë të tjerë. Ne shpresojmë që shumë shpejt do të kemi të dhëna të sakta mbi burimin, mbi atë se çfarë mase janë automjetet kontribuese në mungesën e kualitetit të ajrit në Kosovë”, tha Zogiani.

    Zogiani u shpreh se pret që ky projekt të ketë sukses, derisa potencoi se nëse nga të dhënat që sigurohen nga pajisjet matëse del se ka ndotje të madhe, do të propozohet zëvendësimi i automjeteve me karburante në ato elektrike.

    “Nëse automjetet janë ndotëse, mund ta supozojmë tashmë, por në çfarë mase do ta kuptojmë shpejtë, ndotës shumë të mëdhenj. Atë herë duhet të marrim politika që të shkojmë kah zëvendësimi i automjeteve me karburante me mjete elektrike, me transport elektrik ose zëvendësimi i makinave individuale me transport publik. Politika të cilat, zakonisht kur ndërmerren kanë nevojë për një data bazë të dhënave e aktualisht ‘JICA’, përkatësisht agjencia japoneze për bashkëpunim ndërkombëtar është duke na ndihmuar në krijimin e kësaj data baze”, u shpreh Zogiani.

    Zogiani tha se makinat të cilat do të detektohen se po ndikojnë në prishjen e kualitetit të ajrit, do t’iu nënshtrohen kontrollit teknik, dhe pas ekzaminimeve do t’iu bëhet më dije ngasësve se ku është problemi i automjetit.

    Gjithashtu udhëheqësi i projektit nga agjencioni japonez “JICA”, Kuwahara Fumihiko, tha se kanë në plan të krijojnë data bazën e të dhënave për ndotje.

    “Siç e dimë pra automjetet janë ndotës i madh i mjedisit, është supozim. Kështu që plani jonë edhe i projektit është të matë gazrat e shkarkuara nga automjetet në Kosovë. Kosova fatkeqësisht nuk ka të dhëna të mjaftueshme, kështu që projekti e ka për qëllim të krijojë data bazën që e përmendi zëvendësministri…Është qeveria e Kosovës ajo që ka kërkuar asistencën nga qeveria e Japonisë. Kosova është shtet i ri, 15-20 vjet kështu që ka nevojë ende për asistencë, dhe në të njëjtën kohë Japonia e ka pasur të njëjtën përvojë me ndotjen diku 40-50 vjet përpara, kështu që mund t’ia japim ekspertizën tonë qeverisë së Kosovës, për të përmirësuar procedurat administrative”, tha Fumihiko.

    Kjo është faza e dytë e këtij projekti nga agjencioni japonez “JICA” që ka filluar prej rreth një viti e gjysmë dhe parashihet të përfundojë në fund të vitit 2025.

    Ndërkaq “Projekti për Ngritjen e Kapaciteteve për Menaxhimin e Mbeturinave drejt një Shoqërie të Shëndoshë në Republikën e Kosovës”, i takon fazës së parë, që ka zgjatur rreth pesë vjet./KP

  • Deputeti Gjyshinca takohet me kryeministrin kanadez, flasin rreth zhvillimeve të fundit

    Deputeti Gjyshinca takohet me kryeministrin kanadez, flasin rreth zhvillimeve të fundit

    Deputeti i Vetëvendosjes, Gazmend Gjyshinca ka takuar në kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit në të dyja vende.

    Ai ka treguar se pjesë e këtij takimi dhe bisedave ka qenë edhe kryetari i Partisë Laburiste të Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, si dhe me ekonomistin dhe ish-guvernatorin e Bankës së Anglisë, Mark Carney.

    Postimi i plotë:

    Kënaqësi të bisedojmë me kryeministrin e Kanadasë z. Justin Trudeau, me kryetarin e Partisë Laburiste të Mbretërisë së Bashkuar, z. Keir Starmer, si dhe me ekonomistin dhe ish-guvernatorin e Bankës së Anglisë, z. Mark Carney.

    Folëm për punët që po bëjmë e për zhvillimet e fundit në vendet tona.

    Shpreha mirënjohjen time të jem në mesin e tyre dhe i falenderova për ftesën e bashkëpunimin tonë disa vjeçar tashmë.

  • Gjendet pa shenja jete një 13 vjeçar në Ferizaj, dyshohet se kreu vetëvrasje

    Gjendet pa shenja jete një 13 vjeçar në Ferizaj, dyshohet se kreu vetëvrasje

    Është gjetur pa shenja jete një i mitur në Ferizaj, në rrugën “Imri Neziri”, pasditen e së martes.

    Nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, kanë konfirmuar për Insajderin se viktima është i moshës 13 vjeçare, dhe rastin e kanë cilësuar si vetëvrasje.

    “Viktima është i mitur. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Rasti është iniciuar si ‘Vetëvrasje’, por hetimet po vazhdojnë”, tha zëdhënësja për media nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, Vjosa Bafti.

    Policia e Kosovës ka njoftuar se rasti ka ndodhur rreth orës 16:46, ndërsa nuk dihen shkaqet.

  • ​SHBA, teste falas për Covid për të parandaluar valën e dimrit

    ​SHBA, teste falas për Covid për të parandaluar valën e dimrit

    Administrata Biden do të ofrojë edhe një herë teste falas për Covid për të gjitha familjet amerikane duke filluar nga java e ardhshme.

    Çdo familje do të ketë të drejtë të kërkojë katër teste të shpejta me postë duke filluar nga 25 shtatori përmes faqes së internetit covid.gov.

    Programi, i cili do të kushtojë 600 milionë dollarë, synon të luftojë rritjen dimërore të rasteve me Covid, në mes të përhapjes së varianteve Eris dhe BA.2.86.

    Sekretari i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Xavier Becerra, tha “Ne do të fillojmë edhe një herë programin tonë për t’u ofruar amerikanëve një mundësi për të kërkuar teste”.

    Deri më sot, administrata Biden ka dërguar më shumë se 755 milionë teste falas për Covid në të gjithë SHBA-në, raporton dailymail.

    Programi filloi në fillim të vitit 2022 kur shitësve u mbaruan testet dhe u pezullua në maj pasi administrata shpalli të përfunduar urgjencën e shëndetit publik.

    Testet synohen të përdoren për pjesën tjetër të vitit dhe do të përfshijnë udhëzime për kontrollimin e datave të skadencës.

    Të dhënat më të fundit tregojnë se ka pasur 20,538 pranime me Covid në spitalet amerikane deri më 9 shtator.

    Ka gjithashtu shenja që vdekjet nga Covid kanë filluar të zvogëlohen.

  • ​Shaqiri ndëshkohet me të kuq në ndeshjen Çikago-Kolumbus

    ​Shaqiri ndëshkohet me të kuq në ndeshjen Çikago-Kolumbus

    Ishte një lojë për t’u harruar për Xherdan Shaqirin në ndeshjen e Chicago Fire kundër Columbus.

    Skuadra humbi me rezultat 3-0 dhe Shaqiri është përjashtuar pas 67 minutave lojë. Por jo për shkak të një zëvendësimi, por për shkak të dy kartonëve të verdhë pas dy ndërhyrjeve të gabuara, përcjellë KosovaPress.

    Për Shaqirin ishte vetëm ndëshkimi i dytë në karrierë me karton të kuq. Ta parin ai e mori dymbëdhjetë vjet më parë, kur ishte lojtar i Baselit kundër Spartak Moskës në Ligën e Evropës.

    Pavarësisht humbjes, Çikago nuk i ka humbur ende shpresat e saj në playoff, pavarësisht pesë ndeshjeve pa shënuar. Diferenca me vendin e fundit në playoff është tre pikë. Kanë mbetur edhe pesë ndeshje për t’u zhvilluar.

    Replay of Xherdan Shaqiri Red Card vs Columbus Crew #cf97 pic.twitter.com/KWdZbifp3T

    — Gabrieledegiorgi (@deggio452) September 21, 2023