ATV

Author: ATVLive

  • ​Edicioni i ri në basketboll, parashikohet garë e fortë mes “Top 4”

    ​Edicioni i ri në basketboll, parashikohet garë e fortë mes “Top 4”

    Të premten do të nisë edicioni i ri garues i Superligës së Kosovës në basketboll, me tetë skuadrat pjesëmarrëse që veçse testuan kapacitetet e tyre në finalet e Superkupës së Kosovës, e cila në fund i takoi Trepçës.

    Njohësit e basketbollit vendorë konsiderojnë se pjesa e epërme e tabelës do të ketë pamjen e njëjtë më atë të sezonit të kaluar, me Trepçën, Pejën, Prishtinën dhe Golden Eagle Yllin si skuadrat që synojnë titullin e kampionit.

    Trajneri dhe analisti Ismet Ferati thotë për KosovaPress se Trepça është skuadra më e përgatitur në prag të sezonit të ri, derisa vlerëson se përbërjen më të fortë në organikë e ka Golden Eagle Ylli.

    “Dihet që këtu Peja, Trepça, Prishtina dhe Ylli janë ekipe më stabile dhe më serioze, ndërsa pas tyre mendoj që do të jenë Prizreni, Bashkimi dhe Vëllaznimi të cilat do të luftojnë për vendet pesë dhe gjashtë që shkojnë në play-off edhe si ekipin e tetë e shoh Istogun i cili fatkeqësisht edhe pse është sezoni i parë e kemi parë që me përforcime nuk janë mirë… Unë si rival shumë të denjë e shoh ekipin e Yllit sepse në gjysmëfinale kam parë që ‘rosterin’ e kanë shumë serioz dhe trajnerin shumë të mirë dhe me përvojë. Tek Peja, nuk e kamë parë ende komponimin e ekipit edhe pse trajneri Hadar së bashku me trajnerin Beqiragic janë trajnerët më të mirë në basketbollin e Kosovës, problemi i tyre do të jetë komponimi… Prishtina është gjithmonë pretendente për titull, ende nuk e kemi parë Prishtinën e vërtetë… Ndërsa Trepçën prapë e shoh si ekipin më të përgatitur në fillim të kampionatit”, theksoi Ferati.

    Edhe për ish-basketbollistin Valentin Spaqi, ajo që njihet si “Top 4” (Trepça, Peja, Prishtina, Golden Eagle Ylli) do të luftojnë deri në fund për titull, por bën thirrje që të mos nënvlerësohen edhe Bashkimi e Vëllaznimi.

    “Duke parë investimet, organizimet, Prishtina ka filluar shumë herët, Trepça ka filluar shumë herët, Peja po ashtu, do të thotë prapë katërshja e madhe, duke shtuar edhe Yllin këtu, po ndahet disi tabela. Këto janë katër skuadra që do të synojnë mendoj nga fillimi, pastaj aty është Bashkimi, Vëllaznimi, kjo pjesa e poshtme e tabelës ku unë mendoj që normalisht edhe ato nuk janë skuadra për t’u nënvlerësuar, por kanë filluar më vonë, janë konsoliduar më vonë… Kështu që përafërsisht skuadrat janë definuar dhe pastaj t’i shohim lojërat e para”, tha Spaqi.

    Ndërkohë ish-drejtori sportiv i KB Pejës dhe menaxheri i Përfaqësueses së Kosovës në basketboll, Adriatik Rraci, ka thënë se edicionin 2023/24 në Superligën e Kosovës në basketboll do të jetë shumë më cilësorë se sa ai i viti ta kaluar.

    “Duke i pasur parasysh përforcimet e ekipeve, mirëpo edhe ndeshjet e Superkupës që u zhvilluan tani, po besoj që ekipet janë mjaftueshëm të përgatitura, të gjitha ekipet kanë sjellë lojtarë cilësorë. Po besojmë që tashmë veçse e dimë, ekipet si Trepça. Peja, Prishtina, Ylli edhe po shpresoj shumë Bashkimi, Ponte Prizreni, Vëllaznimi dhe Istogu t’iu bashkëngjiten dhe të tregojnë ndeshje cilësore dhe duke krahasuar me vitin e kaluar, po besoj që Vëllaznimi ka me qenë befasia më e këndshme e sezonit, gjë të cilën presim që edhe Istogu gjatë këtij rrugëtimi të përforcohet dhe të jetë njëri nga konkurrentët e kësaj lige”, tha Rraci.

    Sa i përket çështjes së prezencës së tifozëve në palestra, Rraci bëri të ditur se po vazhdojnë diskutimet brenda Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe se së shpejti do të merret një vendim nëse ata do të lejohen në ndeshjet e basketbollit apo jo.

  • ​59 aeroplanë dhe 6 anije me mjete ndihme mbërrijnë në Libi

    ​59 aeroplanë dhe 6 anije me mjete ndihme mbërrijnë në Libi

    Të paktën 59 avionë me mallra ndihmese nga 24 vende kanë zbritur në Libi për të ndihmuar njerëzit e prekur nga përmbytjet vdekjeprurëse, tha qeveria e unitetit libian të mërkurën vonë.

    Në një deklaratë, ekipi i urgjencës i qeverisë tha se gjashtë anije të ngarkuara me materiale ndihme mbërritën gjithashtu në Libi, por nuk dha detaje të mëtejshme, shkruan AA, transmeton KosovaPress.

    Deklarata vuri në dukje se ndihma e fundit përfshinte 150 tonë ndihma humanitare nga organizata “Turkish Red Crescent” dhe një aeroplan mallrash nga Arabia Saudite që transportonte 90 tonë ushqim dhe materiale strehimi.

    Sipas shifrave të OKB-së, rreth 4,000 njerëz kanë vdekur në të gjithë Libinë për shkak të përmbytjeve shkatërruese të 10 shtatorit, ndërsa më shumë se 40,000 njerëz janë zhvendosur.

  • ​Dështon votimi i projektit “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”

    ​Dështon votimi i projektit “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”

    Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum të mjaftueshëm për të votuar projektin për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”.

    Vetëm 72 deputetë kanë marrë pjesë në votim, që është numër i pamjaftueshëm sa i përket votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.

    Në votim nuk kanë marrë pjesë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës e ka mbështetur këtë marrëveshje.

    Derisa ka kërkuar votuat e deputetëve, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka treguar se projekti ndahet në tri faza dhe ndër të tjera përfshinë rinovimin e binarëve dhe riparimin e tuneleve.

    “Projekti i rehabilitimit të linjës hekurudhore 10, i cili projekt do të lejojë operimin e kësaj hekurudhe deri në 100 km/h në shumicën e seksioneve të linjës në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Projekti është i ndarë në tri faza, faze e parë është nga Hani i Elezit në Fushë Kosovë, faza e dytë nga Fushë Kosova në Mitrovicë dhe faza e tretë është nga Mitrovicas në Leshak, dhe përfshinë rinovimin e binarëve, riparimin e tuneleve dhe urave dhe instalimin pajisjeve të telekomunikacionet”, tha ai.

    Ndërsa shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se nuk ja vlen të votohen marrëveshje të tilla në kohën kur Kosovës i janë vendosur masa nga Bashkimi Evropian.

    “Kjo javë është edhe java e Kombeve të Bashkuara, ku gjithë liderët nga mbarë bota marrin pjesë në javën e Kombeve të Bashkuara, përderisa Republika e Kosovës e ka një kryeministër të izoluar i cili pothuajse është prej të vetmëve nga vendet e Evropës dhe Ballkanit Perëndimor i cili nuk merr pjesë. Pra jemi vend i sanksionuar, jemi vend që po izolohemi çdo ditë e më tepër dhe nuk ka kurrfarë kuptimi të marrim pjesë në votimin e kësaj marrëveshje”, tha Tahiri.

    Në anën tjetër, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, është shprehur kritik ndaj qeverisë së i përket masave të BE-së por ka bërë te ditur se deputetët e kësaj partie e mbështesin këtë marrëveshje ndërkombëtare.

    “Ne si grup parlamentar e mbështesim këtë marrëveshje ndërkombëtare, ky projekt ka shtatë-tetë vite që ka nisur të realizohet, më vjen mirë që po shkon drejt finalizimit së paku pjesës së financimit. Dëgjova kryetari ne komisionit për buxhet që bëri thirrje që ta votojmë të lëmë anash pezmin, ne e kemi pezmin me mënyrën si jeni duke e menaxhuar vendin, si i keni sjell sanksionet, por nuk kemi pezëm me projektet e rëndësisë kombëtare”, tha Hoti.

    Pas dështimit në votim, kjo pikë e rendit të ditës është bartur në seancën e ardhshme.

    Në këtë seancë ka dështuar të miratohet edhe propozim-rezoluta për punën 2 vjeçare të qeverisë. Në seancën plenare për këtë rezolutë kanë votuar 19 deputetë, 49 kundër dhe tre të tjerë kanë abstenuar.

    Kjo rezolutë ishte hartuar në prill të këtij viti.

    Para hedhjes në votim të kësaj rezolute, shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se vazhdon problemi me zhvillim ekonomik si dhe saga me dialog.

    “Ne më 21 shkurt në muajin e dytë të këtij viti kemi kërkuar që të debatohet për prioritetet e kësaj qeverie, fatkeqësisht asgjë nga rezoluta jonë që është ngritur nuk është arrit, vazhdon problemi me zhvillim ekonomik, vazhdon dështimi total i ligjit të pagave, vlerës së koeficientit, vazhdon saga me dialog”, ka thënë Tahiri./KosovaPress

  • Milanoviq në OKB bëri thirrje për njohjen e Kosovës

    Milanoviq në OKB bëri thirrje për njohjen e Kosovës

    Presidenti kroat Zoran Milanoviq gjatë fjalimit të tij në sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara bëri thirrje për njohjen e Kosovës dhe ndryshimin e ligjit zgjedhor në Bosnje dhe Hercegovinë.

    E për këtë ka shkruar kryetari i shoqatës së miqësisë japoneze-kosovare, Micky Haxhiislami, i cili ka shprehur edhe mirënjohje ndaj presidentit kroat.

    “Faleminderit ~ thank you ~ hvala lijepa gospodine predsjedniče! Presidenti i Kroacisë, z. Zoran Milanoviq, dje në seancën e 78-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje për njohjen e Kosovës si anëtare e OKB-së”, ka shkruar ai.

    Ndryshe, Milanoviq të mërkurën shprehu shqetësimin për ngjarjet e fundit në raportet Kosovë-Serbi.

    Ai njëherish bëri thirrje për depërshkallëzimin e tensioneve, por edhe për njohjen universale të Kosovës si anëtare e plotë e bashkësisë ndërkombëtare.

  • Drejtoresha e ARrShU-së ankohet se kompanitë e ujësjellësit s’u kanë dërguar të dhëna të sakta

    Drejtoresha e ARrShU-së ankohet se kompanitë e ujësjellësit s’u kanë dërguar të dhëna të sakta

    Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka diskutuar të etjen për performancën e ndërmarrjeve të ujësjellësit, raporton Ekonomia Online.

    Drejtoresha e Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARrShU), Hajrie Morina, tha se kanë kërkuar këtë takim që të konsultohet në lidhje me publikim e raportit të performancës për vitin 2022.

    Sipas saj, nga raportet e fundit të dhënat e raportuar nga ndërmarrjet nuk janë të sakat dhe janë në dilemë se a duhet që të publikohet ky raport apo jo.

    Ajo tha se që nga viti 2021 kanë kërkua që ndërmarrjet të vendosin ujëmatësit në pika që ata i shfrytëzojnë, po shumica prej tyre nuk kanë vepruar kështu, për këtë Rregullatori i’u ka dhënë përsëri afat që deri në prill të vendosen matësit.

    E sipas saj, nga raportet e fundit del që prodhimi i ujit për disa kompani është me i madh se që është deklaruar deri tash.

    “Ne e kemi parë të nevojshme me u taku me ju sepse ndodhemi pare një situate jo të lehtë që lidhet me raportimet e të dhënave të performancës, ne kemi kërkuar që kjo të jetë e mbyllur për medië. Ne kemi qenë në fazën e draftimit ku kanë dal disa të dhëna që na qesin në dilemë se a me publiku a jo raportin. Ne qysh se kemi ardhur në si menaxhment i ri në fund të viti 2021 kemi kërkuar nga ndërmarrjet instalim të ujëmatësve në të gjitha pikat që ata i shfrytëzojnë. E kemi marr prapë një aktivitet që më i pa a i plotësojnë standardet, ju kemi dhënë prapë afat që deri në prill të viti 2023 në gjitha pika që ata i shfrytëzojnë të kenë të instaluar ujë matës”.

    “Ky aktivitet që e kemi ndërmarr po rrjedh që prodhimi ujit për disa kompani është me i madh se që është deklaruar deri tash që gjë na dërgon në ndryshim të të dhënave. Dilema është na kur po e dimë që të dhënat janë të pa sakta ato që janë raportuat në 2022 jemi në dilemë si me dhënë raportin kur të dhënat janë të pasakta”, tha ajo.

    E pyetur nga kryesuesi i këtij Komisioni për gjendjen reale të raporti dhe veprimet që i kanë ndërmarr me këtë situatë, ajo tha se disa ndërmarrje janë në proces të ndëshkimit.

    “Sa i përket masave që i kemi ndërmarr, fillimisht kemi punuara në draftimin e autoritet ku aty kemi kërkuar që mu fuqizuar autoritet edhe në aspektin e ndëshkimeve ligji ka mbet më draft. Me Pejën është marr vendimi që mu ndëshkuar për mos vendosjen e matësve. Plani është që për katër ndërmarrje është me marr masa ndëshkuese por edhe Prishtina e Gjilani nuk do të ju shpejtojnë ndëshkimeve”, tha ajo.

    Deputeti i LDK-së, Driton Selmanj tha se është e udhës që të ftohen udhëheqësit e ndërmarrjeve që të shihet se a i kanë përmbushur premtimet.

    Deputeti i AAK-së Pal Lekaj, tha se kjo është një situatë shumë shqetësuese.

    “Duhet të jemi shumë të shqetësuar për veprimet që i bëjnë shefat e këtyre ndërmarrjeve. Nuk guxojmë tani me humb një vit kur ne kemi shpresuar që do të jetë një vit i suksesshëm. Kjo është një gjendje alarmante, nuk ka gjendje më të rëndë se sa me u mundu me ulë të dhëna”.

    “Duhet që të jetë shqetësuese për këtë Qeveri, duhet të shkarkohen të gjitha bordet që kanë tentuar që të fshehin të dhënat reale. Nëse ka ndodh kjo nuk di si të veprohet kjo. Për mua nuk guxojmë që t’i fshehin ato të dhëna çfarë do që të jenë. Ne jemi shkuar në një gjendje më të rëndë se sa e kemi pasur”, tha ai, raporton EO.

    Drejtoresha tha se historikisht këto të dhëna janë publikuar gabim dhe se sektori i ujit është sektori më i vështirë për t’u menaxhuar.

  • Miratohet në lexim të dytë projektligji për parandalimin e dhunës në familje

    Miratohet në lexim të dytë projektligji për parandalimin e dhunës në familje

    Është miratuar në shqyrtim të dytë Projektligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore.

    Për miratimin e këtij projektligji kanë votuar 62 deputetë. S’kishte asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

  • Nuk votohet Rezoluta e AAK-së për punën dyvjeçare të Qeverisë

    Nuk votohet Rezoluta e AAK-së për punën dyvjeçare të Qeverisë

    Shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës kanë votuar kundër një rezolute të propozuar nga AAK.

    Kanë qenë 49 deputetë që kanë votuar kundër, 19 pro dhe 3 kanë abstenuar.

    Rezoluta ka qenë e propozuar për punën dyvjeçare të qeverisë, që do të thotë se nuk është hedhur në votim që nga fillimi i vitit.

    “Më 21 shkurt kemi kërkuar që të debatohet për prioritetet e qeverisë. Fatkeqësisht asgjë nga rezoluta jonë nuk është arritur. Vazhdojnë problemet si me zhvillim ekonomik, Ligjin e Pagave dhe saga me dialogun”, është shprehur deputeti Besnik Tahiri, duke kërkuar që s’kishte kuptim që rezoluta të mos hidhej në votim.

  • S’ka kuorum, dështon votimi i një marrëveshje ndërkombëtare

    S’ka kuorum, dështon votimi i një marrëveshje ndërkombëtare

    Ka dështuar të votohet marrëveshja ndërkombëtare për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”.

    Në sallë ishin 82 deputetë të mjaftueshëm për të nisur procedurën e votimit, por jo të gjithë morën pjesë në votim.

    Kryetari Glauk Konjufca tha se mungon kuorumi, prandaj kjo pikë do të votohet në seancë tjetër.

    “Janë vetëm 72 vota, s’janë të mjaftueshme për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Prandaj, kjo i bartet një seance të re”, tha Konjufca.

    Këtë marrëveshje refuzoi ta votojë Grupi Parlamentar i PDK-së, ndërsa ai i LDK-së ishte pro.

  • Përfaqësuesi i ambasadës gjermane: Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa Ballkanin Perëndimor

    Përfaqësuesi i ambasadës gjermane: Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa Ballkanin Perëndimor

    Në ditën e dytë të Samitit të Paqes dhe Demokracisë, është mbajtur Paneli IV “Ruajtja e Demokracisë: Adresimi i praktikave të prapambetura dhe joliberale në Ballkanin Perëndimor”, përcjell EO.

    Matthias Conrad, nga ambasada gjermane në Kosovë, përmendi tensionet në veri dhe rastin e tentim-revokimit të licencës së mediumit Klan Kosova nga ana e Ministrisë së Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Tregtisë.

    Ai ritheksoi se sa është e rëndësishme që të punohet sa më shumë në drejtim të ruajtjes së demokracisë dhe se Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa Ballkanin Perëndimor.

    “Ka progres në disa fusha, dhe regres në disa të tjera. Kosova ka pasur ulje-ngritjet e veta, përmendur këtu rritjen e tensioneve në veri, sfidën për licencën e Klan Kosovës, atë të prokurorisë. Pa Ballkanin Perëndimor BE-ja mbetet e pa kompletuar”.

    “BE-ja vetë duhet të jetë gati për raundin e ardhshëm të zgjerimit. Shoqëria civile ka zë të fortë dhe duhet ta bëjë zërin e vetë që të dëgjohet. Mungesa e një rruge të qartë drejt BE-së ka krijuar sentiment jo të lehtë në këtë aspekt”.

    “Në këtë periudhë ku demokracia po sfidohet, jo vetëm në nivelin global, duhet vazhduar të punohet sa më shumë. Kemi shumë punë për të bërë, sepse këto procese kërkojnë angazhim të madh. Kjo konferencë është shumë e rëndësishme pikërisht për këtë”, u shpreh Matthias Conrad.

    Paneli u moderuar nga Visar Xhambazi, prej “Sbunker”, që janë edhe njëri prej organizatorëve të Samiti.

  • Von Cramon: Këtë Serbi s’mund ta pranojmë në BE, të zgjedhë Moskën apo Brukselin

    Von Cramon: Këtë Serbi s’mund ta pranojmë në BE, të zgjedhë Moskën apo Brukselin

    Nëse Serbia nuk dëshiron të anëtarësohet në BE dhe në vend të kësaj preferon të ushqejë marrëdhëniet e saj me Rusinë, BE-ja nuk duhet ta detyrojë atë, tha eurodeputetja dhe raportuesja në Parlamentin Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, në një intervistë për Euractiv, duke e adresuar edhe çështjen e shqiptarëve në jug të Serbisë për pasivizimin e adresave.

    “Nëse Serbia nuk dëshiron të anëtarësohet në BE, ne nuk duhet t’i detyrojmë. Ndoshta ata duan të qëndrojnë jashtë dhe të shohin se si të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor anëtarësohen në BE. Është vendimi i tyre”, tha von Cramon. Von Cramon e ka theksuar edhe ndihmën që Bashkimi Evropian ia jep Serbisë. “Por që t’i shtysh me zor dhe t’iu bësh oferta aktraktive, pse pra Serbia ka interesa më të mëdha për të punuar me Rusinë”, tha ajo.

    Eurodeputetja ka marrë për bazë raportet e Serbisë me Kosovën për të dëshmuar se Serbia nuk është një vend i përshtatshëm për të punuar me të në BE.

    “Por kur bëhet fjalë për Kosovën, mendoj se tani është koha për të kapërcyer këtë retorikë të vjetër shumë, shumë agresive, këtë qasje të tmerrshme nacionaliste. Me këtë, ne nuk mund të punojmë së bashku në Bashkimin Evropian, nuk mund të pranojmë një vend që ende jeton në të kaluarën dhe ende jeton me këto narrativa të vjetra”, shpjegoi ajo. Von Cramon tha se ajo më parë mendonte se Serbia kishte interes për t’u anëtarësuar në BE dhe për t’u bërë një lojtar aktiv në procesin e anëtarësimit, por ngjarjet e fundit, duke përfshirë përkeqësimin e marrëdhënieve me Kosovën, kanë hedhur dyshime për këtë. “Por ne duhet të shohim dhe duhet të vlerësojmë se muaji i fundit nuk ka shkuar në këtë drejtim. Dhe pas një kohe, ndoshta duhet të bëjmë një pushim,” tha ajo. Von Cramon vuri në dukje edhe mënyrën se si i trajton Serbia gazetarët, mediat, sundimin e ligjit dhe çështje të tjera. Por eurodeputetja shtoi se duhet të ketë më shumë kritika ndaj Serbisë, veçanërisht në lidhje me BE-në.

    Deputetët e Parlamentit Evropian në vazhdimësi kanë bërë thirrje që Serbia të bashkohet me Perëndimin dhe të largohet nga Rusia në politikën e jashtme. Por Serbia ka injoruar këto thirrje dhe në situatën aktuale gjeopolitike ajo ka intensifikuar edhe më shumë raportet me Rusinë, të cilës nuk i ka vendosur sanksione siç kanë bërë shtetet e Perëndimit. Në raportin për Serbinë, eurodeputetët thonë se negociatat e pranimit me Beogradin duhet të avancojnë vetëm nëse vendi përputhet me sanksionet e BE kundër Rusisë dhe bën përparim të rëndësishëm në reformat e lidhura me BE. Eurodeputetët theksuan rëndësinë e harmonizimit me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, veçanërisht në lidhje me luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

    Parlamenti Evropian është i shqetësuar për uljen e fundit të mbështetjes publike për anëtarësimin në BE në Serbi, të cilën ata e konsiderojnë si rezultat i retorikës politike të gjatë anti-BE/pro-ruse të përhapur përmes mediave të kontrolluara nga qeveria dhe zyrtarët qeveritarë.Sipas raportit, ky ishte rezultat i një dështimi të madh nga përfaqësuesit e qeverisë për t’u përballur dhe për t’u pajtuar me të kaluarën e Serbisë. Eurodeputetët duan që BE të rishqyrtojë masën e ndihmës së saj financiare për Serbinë nëse mbështetja për politikat antidemokratike vazhdon dhe i bëjnë thirrje Komisionit Evropian të sigurojë që të gjitha shpenzimet e BE-së të jenë plotësisht në përputhje me qëllimet dhe interesat strategjike të BE-së.