ATV

Author: ATVLive

  • ​“Dita pa makina”, qytetarët kanë mundësi të shfrytëzojnë trotineta e biçikleta falas

    ​“Dita pa makina”, qytetarët kanë mundësi të shfrytëzojnë trotineta e biçikleta falas

    Me aktivitete të ndryshme po shënohet “Dita Ndërkombëtare Pa Makina”, në Prishtinë, ditë kjo e cila synon sensibilizimin e njerëzve që të shmangin makinat e tyre.

    Në kuadër të kësaj dite Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkë organizim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Policinë e Kosovës, Komunën e Prishtinës, OJQ-në “Marakli t’biçiklave”, kanë shënuar këtë ditë duke bërë thirrje sa më shumë qytetarëve që të përdorin mjete që nuk e ndotin ambientin. Me ç ‘rast në kryeqytet nga ora 10:00 deri në orën 15:00, është mbyllur edhe rruga për qarkullim të veturave rruga “Dëshmorët e kombit”, nga bulevardi “Xhorxh Bush”, deri te Rrethi i Flamurit.

    Ndërkaq, qytetarët kanë mundësi të marrin pa pagesë, njërën nga 160 biçikletat ose 60 trotinetet për qarkullim nga fillimi i kësaj rruge deri në fund rrethi i Flamurit.

    Besmir Kokollari nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, derisa ka treguar qëllimin e këtij aktiviteti, bëri kërkesë gjithë qytetarëve që të shfrytëzojnë sa më shumë mjete që nuk e ndotin ambientin.

    “Qëllimi i kësaj dite botërore është që të ulim ndotjen që shkaktohet nga makinat duke përdorur biçikletat, trotinetet elektrik, duke përdorur makinat elektrike, gjithashtu duke e promovuar përdorimin e transportit publik i cili e ofron ndjenjën e komunitetit por të njëjtën kohë edhe shkakton sa më pak ndotje dhe një ashtu si ministri kemi bërë kërkesë për çdo vit edhe këtë vit të përdorim sa më pak makinën, të përdorim biçikletat, të përdorim trotinetet elektrik dhe mjetet tjera alternative të cilat shkaktojnë sa më pak ndotje në mënyrë që të kemi ajër sa më të pastër për qytetarët e Kosovës”, tha Kokollari.

    Pëllumb Bajqinofci, përfaqësues nga Komuna e Prishtinës, tha se nuk mjafton një ditë në vit për promovimin e lëvizjes alternative në kryeqytet. Ai ka shtuar se komuna është duke punuar që të rregullojë infrastrukturën e nevojshme për biçikleta dhe trotinet.

    “Nuk mjafton një ditë në vit për promovimin e lëvizjes alternative në kryeqytet. Kryeqyteti përkundër vështirësive që i ka më rritjen e banoreve edhe përkundër asaj se biçikleta për para ka qenë një mjetë i cili më shumë është shfrytëzuat për rekreacion. Kemi filluar me vetëdijesim që disa vite në promovimin e biçikletës si formë e transportit. Andaj sigurisht që me ndihmën e gjitha organeve të tjera, kryeqyteti është duke tentuar të rregullojë edhe atë pjesën e shtegut për biçikleta. Jemi afër rregullimit edhe të aprovimit të rregullores për trotinet, lirimin e hapësirave publike para se të dalim në lëvizje motorike, lirimin e trotuareve për këmbësor”, tha Bajqinofci.

    Berat Rakovica nga OJQ-në “Marakli t’biçiklave”, shprehet se më mirë do të ishte që të mos mbyllen rrugët, por që të krijohet infrastruktura e duhur që rrugët të jenë të shfrytëzuat edhe nga makinat edhe nga biçikletat.

    “Krejt çka kisha pas dëshirë si përfaqësues i komunitetit të çiklisteve Merakli t’biçikletave, është që kjo ditë mos të shënohet vetëm një herë në vit, mos me pas nevojë më i mbyll rrugët, por t’i shfrytëzojmë ato se bashku me makinat. Pra të përdorën rrugët e njëjta apo me shenjëzime adekuat edhe nga çiklistë apo dhe trotinetet”, tha ai.

    Drejtori i drejtorisë regjionale të Prishtinës nga Policia e Kosovës, Basri Shabani, tha se PK-ja, ka marrë të gjitha masat operative që të sigurohen qytetarët gjatë këtij aktiviteti.

    “Ne kemi qenë si PK në kontakt të vazhdueshme me këshillin organizativ dhe të gjitha kërkesat që kanë dalë nga këshilli organizativ, ne i kemi përkrahë. I kemi marrë masat operative që sot t’i sigurojmë edhe qytetar edhe pjesëmarrësit në këtë aktivitet”, tha ai.

    Mes tjerash, përfaqësuesi nga komuna, Bajqinofci i pyetur se nëse mbyllja e kësaj rruge është një testim, që kjo të bëhet në të ardhmen, siç është premtuar nga kryetari Përparim Rama, tha se ky nuk është një test por që ka lidhje vetëm me promovimin e lëvizjes së lirë.

    “Sigurisht jo nuk e shohim si test, nuk ka lidhje. Realisht ka lidhje me premtimin e kryetarit Rama gjatë fushatës elektorale, ju e dini shumë mirë se kryetari Rama është duke qëndruar parapa premtimi të tij. Synimi i tij, ka qenë se do të jetë këmbësori i para e pastaj format e tjera të lëvizjes dhe automjete dhe format e tjera të fundit. Dita e sotme kalimi nëpër këtë bulevardin Dëshmoret e Kombit ka lidhje vetëm me promovimin e asaj lëvizje së lirë. Pajtohem plotësisht me Beratin Marakli t’biçiklave, ku thotë se nuk mjafton vetëm një ditë edhe nuk kemi nevojë me mbyll rrugë për lëvizjen e biçikletave, po tentojmë të krijojmë shtigje të reja ku biçikleta do të jetë pjesë e komunikacionit dhe nuk do ti pengoj të tjerët”, shtoi Bajqinofci.

    Po ashtu, në shënim të kësaj dite nga ora 19:30 do të shfaqet filmi “Bike on Cinema” në Parkun e Tokbashqës. /KP

  • ​SHBA dhe Shqipëria me konsultime për mbrojtjen në Tiranë

    ​SHBA dhe Shqipëria me konsultime për mbrojtjen në Tiranë

    Zëvendësndihmës Sekretari i Mbrojtjes për Politikat Evropiane dhe të NATO-s, Spencer Boyer bashkëkryesoi konsultimet dypalëshe në fushën e Mbrojtjes SHBA-Shqipëri në Tiranë, me Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Mbrojtjes, Gelardina Prodani, njoftoi sot ambasada e SHBA në Tiranë.

    Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi mbajti fjalën e hapjes.

    Delegacionet ndanë këndvështrimet mbi klimën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht pas pushtimit të pajustifikuar dhe brutal të Ukrainës nga Rusia.

    Palët diskutuan gjithashtu bashkëpunimin e vazhdueshëm dypalësh në fushën e sigurisë, i cili synon zhvillimin e aftësive të ushtrisë shqiptare për këmbësorinë, forcat ajrore dhe kontrollin e municioneve shpërthyese, si dhe mbrojtjen kibernetike.

    Gjithashtu, u diskutuan përpjekjet për të rritur kapacitetin institucional të Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë për menaxhimin e efektshëm të logjistikës dhe burimeve, si dhe rekrutimin dhe mbajtjen e personelit.

    Aktiviteti kulmoi me nënshkrimin nga bashkëkryesuesit të një dokumenti kuadër, i cili synon të drejtojë zbatimin e vazhdueshëm të nismave dypalëshe të bashkëpunimit për sigurinë.

    Udhëheqësit ripohuan rëndësinë e partneritetit strategjik SHBA-Shqipëri për të mbrojtur vlerat e përbashkëta dhe çuar përpara të interesave të përbashkëta në fushën e sigurisë.

  • ​Zyrtare: Gjermania bëhet me trajner të ri

    ​Zyrtare: Gjermania bëhet me trajner të ri

    Federata Gjermane e Futbollit e ka konfirmuar sot trajnerin e ri, i cili do të merr drejtimin e Kombëtares së Gjermanisë.

    Julian Nagelsmann është trajneri i ri i Gjermanisë dhe do ta drejtojë kombëtaren në Kampionatin Evropian të verës së ardhshme, raporton KosovaPress.

    36 vjeçari ka nënshkruar një kontratë deri më 31 korrik të 2024.

    Nagelsmann është pasardhësi i Hansi Flick, i cili u shkarkua nga detyra e trajnerit më 10 shtator.

  • ​ZRrE-ja nuk arrin të inkasojë borxhin nga Termokos

    ​ZRrE-ja nuk arrin të inkasojë borxhin nga Termokos

    Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për vitin 2022.Në raportin e auditimit të paraqitur nga deputetja e AAK-së, Albana Bytyçi doli më pah tri parregullsi në ZRrE.

    Sipas saj, në raport potencohet se ZRrE-ja nuk ka inkasuar taksat vjetore për disa vite nga ndërmarrja publike në Prishtinë, Termokos, nuk e ka bërë regjistrimin e pasurisë për vitin 2022 dhe po ashtu nuk është përdorur sistemi E-pasuria.

    “Sipas konkluzionit tonë transaksionet e kryera në procesin e ekzekutimit të buxhetit të ZRrE-së kanë qenë në të gjitha aspektet materiale në pajtueshmëri me kriteret e përcaktuara të auditimit që burojnë nga legjislacioni i zbatueshëm për subjektin e audituar në kontekstin e përdorimit të burimeve financiare”, tha ajo.

    Në arsyetimin e tij, drejtori i bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, tha se borxhi i Termokosit është gjatë viteve 2009-2012, që sipas tij në atë periudhë gjendja financiare e ngrohtores së kryeqytetit ka qenë e keqe.

    Ai arsyetoi edhe mos regjistrimin e pasurisë për vitin 2022 të ZRrE-së dhe po ashtu mospërdorimin e sistemit “E-pasuria” që është theksuar në raportin e auditorit.

    “Gjatë vitit 2022, ZRrE-ja ka pasur të hyra rreth 1 milion e 174 mijë euro, prej të cilave vetëm 708 mijë euro janë shpenzuar nga ana e ZRrE-së, ndërsa mbi 400 mijë euro janë kthyer në buxhetin e Kosovës. Për me përshkruar shumë shkurt ky buxhet 700 mijë euro ka pasur paga dhe mëditje në 92 për qind, pasi dihet që ZRrE-ja ka qenë më dy anëtarë të bordit jo të kompletuar. Mallra dhe shërbime janë 97 për qind, ndërsa shpenzimet komunale varet nga taksat komunale…Ne kemi pranuar këto tri gjetje të cilat kanë qenë nga ana e auditorit. Një prej gjetjeve ka qenë mos regjistrimi i pasurisë. Pasi investimet që janë realizuar 99 për qind janë në IT dhe arsyeja kryesore që s’janë regjistruar është se ju e dini që ka pasur një keqpërdorim në Ministrinë e Financave dhe ajo shtrënguar procesin e qasjes”, tha ai.

    Megjithatë, deputetja e LVV-së, Mirlinda Tishukaj-Sadiku, tha se ZRrE-ja është dashur të merr veprime ligjore për inkasimin e borxhit nga Termokos.

    “Tash kompania është në gjendje më të mirë financiare, pasi këtë vit po i shtohen edhe 40 mijë konsumatorë dhe të hyrat do të jenë më të larta. Borxhi është borxh, pavarësisht rënies dhe ngritjes financiare. Besoj se ligjërisht jeni të obliguar për të çuar rastin në gjykatë apo tek përmbaruesi privat”, tha ajo.

    Në anën tjetër, deputetë të tjerë nga mazhoranca i dhanë mbështetje bordit të ZRrE-së, derisa potencuan se disa nga parregullsitë e paraqitura nga auditori janë më shumë teknike./KosovaPress/

  • Osmani: Heqja e masave të BE-së, mundëson rifillimin konstruktiv të dialogut

    Osmani: Heqja e masave të BE-së, mundëson rifillimin konstruktiv të dialogut

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në Neë York, ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka zhvilluar një takim me zëvendëskëshilltarin për Siguri Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jon Finer, ku ka thënë se Kosova ka ndërmarrë hapa për të depërshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës dhe është e përkushtuar të punojë me aleatët, në veçanti me SHBA, për të adresuar sfidat e sigurisë.

    Sipas Presidentes Osmani, në kohën kur siguria në Ballkanin Perëndimor dhe në të gjithë kontinentin evropian po sfidohet, roli i SHBA-ve është vendimtar për të ruajtur paqen dhe sigurinë.

    Në këtë kontekst, Osmani theksoi se pavarësisht zhvillimeve aktuale politike dhe të sigurisë në rajon, Kosova mbetet e përkushtuar për paqe, dialog dhe partneritet.

    “Jemi të përkushtuar për thellimin e marrëdhënieve me SHBA-në në nivel strategjik. Kemi nevojë për më shumë bashkëpunim politik, sikurse edhe në sferën e sigurisë për t`i mbrojtur arritjet e përbashkëta”, ka theksuar Presidentja Osmani.

    Prandaj, sipas Osmani, anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe në BE është në funksion të paqes e stabilitetit në rajon e më gjerë.

    Sipas një komunikate të Presicencës, në një pjesë të takimit, u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë.

    Presidentja Osmani tha se Kosova ka ndërmarrë hapa për të depërshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës dhe është e përkushtuar të punojë me aleatët, në veçanti me SHBA, për të adresuar sfidat e sigurisë.

    Sipas Presidentes Osmani, Kosova është e përkushtuar për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2023.

    “Heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës do ta mundësojë rifillimin konstruktiv të dialogut, teksa roli i SHBA-ve, është përcaktues në dialog”, ka theksuar Presidentja Osmani.

  • ​Distria lufton për të artën në Grand Slam të Azerbajxhanit

    ​Distria lufton për të artën në Grand Slam të Azerbajxhanit

    Distria lufton për të artën në Grand Slam të Azerbajxhanit

    Xhudistja jonë, Distria Krasniqi i ka siguruar Kosovës medalje në Grand Slam-in që po mbahet në Baku të Azerbajxhanit.

    Në kategorinë deri në 52 kilogramë, Krasniqi raundin e parë e kaloi pa luftë, kurse në të dytin e mposhti xhudisten brazilian, Jessica Pereira, raporton KosovaPress.

    Distria vazhdoi me fitore edhe në çerekfinale, ku e mposhti marokenen Soumiya Iraoui, fitore kjo e cila ia siguroi gjysmëfinalen.

    Në gjysmëfinale, Krasniqi shënoi fitore ndaj italianes, Odette Giuffrida, kurse tani në finale do të luajë kundër xhudistes nga Japonia, Kisumi Omori.

  • ​Detaje si mund të përfitoni nga thirrja për subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje

    ​Detaje si mund të përfitoni nga thirrja për subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje

    Ministria e Ekonomisë sot ka shpallur thirrjen publike për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje për shtëpi dhe banesa të financuara nga Bashkimi Evropian (BE).

    Masat e prezantuara sot nga Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Alessandro Bianciardi nga Zyra e BE-së në Kosovë, synojnë mbështetjen e konsumatorëve familjarë, në veçanti konsumatorët në nevojë si investimi në instalimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje.

    Detaje rreth suvencionimit:

    Pompë termike;

    Kondicioner/ klimë efiçiente (pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë);

    Kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket);

    Stufa individuale me biomasë.

    Vlera e subvencionimit për një pajisje pompë termike është tridhjetë përqind (30%) e vlerës investive, apo deri në 2000.00 €.

    Kondicioner/ klimë (pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë), vlera e subvencionimit për një pajisje është dyzet përqind (40%) e vlerës investive, apo deri në 400.00 €. Për prindërit vetushqyes gjashtëdhjetë përqind (60%) e vlerës investive dhe deri në 550.00 €. Për qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria I & II) subvencionohet gjashtëdhjetë përqind (60%) e vlerës investive dhe deri në 550.00 €.

    Kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket), subvencionohet shtatëdhjetë përqind (70%) e vlerës investive dhe deri në 1200.00 €.

    Ndërsa, stufa individuale me biomasë, vlera e subvencionimit për një (1) pajisje është shtatëdhjetë përqind (70%) e vlerës investive dhe deri në 435.00 €. Për prindërit vetushqyes nëntëdhjetë përqind (90%) e vlerës investive dhe deri në 560.00 €. Për qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria I & II) subvencionohet nëntëdhjetë përqind (90%) e vlerës investive dhe deri në 560.00 €.

    Pajisjet që blihen para datës së shpalljes së thirrjes nuk do të subvencionohen.

    Afati për aplikim është gjashtëdhjetë (60) ditë kalendarike, nga dita që hapet thirrja, pra deri më datën 22 nëntor 2023.

    Ata qe kanë qenë përfitues të subvencionit për blerjen e pajisjeve ngrohëse efiçiente të thirrjes publike Nr.02/2022, më datë 06.10.2022, ose thirrjes publike Nr. 03/2022, më datë 18.11.2022, nuk kanë të drejtë aplikimi për subvencionim për pajisjet ngrohëse efiçiente në kuadër të kësaj thirrje.

    Aplikimi për subvencionim bëhet online përmes platformës e-Kosova: https://ekosova.rks-gov.net/472

    Informatat e plota të thirrjes mund t’i gjeni në linkun:

    https://me.rks-gov.net/wp-content/uploads/2023/09/Thirrje-publike-Investimi-ne-pajisje-ngrohese-eficiente.pdf

    Për më shumë informacione dhe sqarime shtesë rreth fazave të aplikimit mund të drejtoheni me shkrim në email adresën: [email protected]

    Apo të kontaktoni në numrat e telefonit: 038 200 215 89 / 038 200 215 55, nga e hëna deri të premten, duke filluar nga ora: 08:30-12:00 dhe nga ora 13:00-16:00.

  • Dalin foto të reja të Lulzim Hetemit nga një mbledhje në Komunën e Leposaviqit

    Dalin foto të reja të Lulzim Hetemit nga një mbledhje në Komunën e Leposaviqit

    Zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri ka publikuar fotografi të reja të kryetarit të komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi që nga maji është i ngujuar brenda objektit të komunës.

    Nga maji, ai paraqitjet publike i ka pasur të rralla.

    Vokrri tha se me Hetemin kanë mbajtur mbledhje teksa shtoi se kanë marrë edhe vendime.

    “Patëm kënaqësinë të jemi të jemi mysafirë në mesin e kabinetit të kryetarit të Komunës së Leposaviqit z. Lulzim Hetemi gjatë mbledhjes së radhës e cila zgjati deri në mbrëmje. Vendimet e rëndësishme e të qëndrueshme mirren bashkë.

    Qytetarët e Leposaviqit do të kenë qeverisje serioze siq nuk e kanë pasur më parë, në shërbim të tyre”, tha ai.

  • Dita Ndërkombëtare Pa Makina – qytetarët me biçikleta e trotinetë e shfrytëzojnë sheshin deri te rrethi i Flamurit

    Dita Ndërkombëtare Pa Makina – qytetarët me biçikleta e trotinetë e shfrytëzojnë sheshin deri te rrethi i Flamurit

    Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkë organizim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Policinë e Kosovës, Komunën e Prishtinës, OJQ-në “Marakli t’biçiklave”, kanë shënuar “Ditën Ndërkombëtare Pa Makina”, raporton EO.

    Me këtë rast në kryeqytet nga ora 10:00 deri në orën 15:00 është mbyllur edhe rruga për qarkullim të veturave rruga “Dëshmorët e kombit” nga bulevardi “Xhorxh Bush”, deri te Rrethi i Flamurit.

    E qytetarët e pranishëm kanë mundësi të marrin pa pagesë, njërën nga 160 biçikletat ose 60 trotinetët për qarkullim nga fillimi i kësaj rruge deri në fund rrethi i Flamurit.

  • AKB: Mbi 250 mijë bashkatdhetarë ishin gjatë verës në Kosovë, shpenzuan 750 milionë euro

    AKB: Mbi 250 mijë bashkatdhetarë ishin gjatë verës në Kosovë, shpenzuan 750 milionë euro

    Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), ka mbajtur konferencë për medie me temën: “Kontributi ekonomik i Diasporës Kosovare, Vera 2023”. Gjithashtu ka prezantuar studimi hulumtues rreth efektit ekonomik të diasporës për periudhën 15 qershor deri më 15 shtator, raporton Ekonomia Online.

    Kreu i AKB-së, Agim Shahini, tha se në këtë periudhë në Kosovë kanë ardhur mbi 250 mijë bashkatdhetarë, të cilët gjatë qëndrimit dy javor të tyre kanë shpenzuar rreth 2 750 euro.

    Sipas tij, 1 000 deri 3 000 euro shpenzuan 55% e tyre, 3 000 deri në 5 000 35% dhe mbi 5 mijë 5% e mërgimtarëve, duke sqaruar se të gjitha shpenzimet kapin vlerën e 750 milionë eurove.

    Shahini pohoi se në pushime, dasma, fejesa dhe ahengje shkuan rreth 55% e këtyre mjeteve, patundshmëri e meremetim rreth 30% dhe të tjera 15%.

    “Ishin mbi 250 mijë bashkatdhetarë erdhën së paku një herë në Kosovë. Ata që vijnë në javë në muaj janë rreth 1 milion”.

    “Ata qëndruan përafërsisht 2 javë. Ata thanë se kanë shpenzuat 1 000 deri 3 000 euro 55% e tyre, 3 000 deri në 5 000 35%, mbi 5 mijë 5%. Mërgata shpenzoi 2 750 euro përafërsisht në Kosovë gjatë qëndrimit në Kosovë. 750 milionë shpenzoi para kesh në Kosovë këtë verë, kjo është infuzioni më i madh i dhënë ekonomisë”.

    “Por ku shkuan këto para, shkuan në pushime, dasma, fejesa dhe ahengje rreth 55%, patundshmëri e meremetim rreth 30%, të tjera 15%. Ata mbeten fuqia e vetme që bënë shpenzime të mëdha në Kosovë. 2.5 miliardë euro në vit llogaritet se sjellin këtu duke përfshirë të gjitha dërgesat, makinat, investime edhe pret kesh kur ata vijën në Kosovë”.

    Lumnije Ajdini, nga AKB-ja tha se diaspora meriton më shumë vëmendje nga institucionet në mënyrë që mjete e tyre të përdoren edhe për investime, raporton EO.