ATV

Author: ATVLive

  • Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Republikës Çeke

    Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Republikës Çeke

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim ambasadorin e ri të Republikës Çeke, Bohumil Mazánek, me rastin e dorëzimit të letrave kredenciale.

    Presidenca njofton se Presidentja Osmani e uroi ambasadorin për detyrën, ndërkaq ambasadori Mazánek, shtoi se nga ana e tij do të ketë edhe angazhim më të madh pas vendimit të Presidentit Çek , Petr Pavel për ngritjen e raporteve diplomatike në nivel të ambasadorëve.

    Në këtë takim, të dy palët theksuan raportet shumë të mira mes dy shteteve tona dhe thellimin e mëtejmë të raporteve tona, me fokus të veçantë në bashkëpunimin ekonomik dhe fusha të tjera të interesit të përbashkët.

    “Presidentja Osmani e falënderoi për kontributin e dhënë nga Republika Çeke lidhur me liberalizimin e vizave si dhe e njoftoi nga afër ambasadorin lidhur me situatën e sigurisë në Kosovë pas aktit të agresionit të kryer në Kosovë nga ana e Serbisë”, përfundon kumtesa.

  • Lista Serbe thotë se është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet e reja në veri

    Lista Serbe thotë se është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet e reja në veri

    Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë të premten se partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetjen e Beogradit, është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet e reja komunale në veri të Kosovës.

    Ai tha gjatë një konference për media në Mitrovicën e Veriut se Lista Serbe e mori këtë vendim në bashkëpunim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Rakiq theksoi se tani “topi është zhvendosur në fushën e Prishtinës”, dhe se pret që në komunat e veriut të Kosovën të thirren sa më parë zgjedhjet e reja.

    “Është e nevojshme që këta kryetarë komunash dhe këtë këshilltarë komunal të rremë, joligjor dhe jolegjitim, që kanë muaj që ngacmojnë qytetarët tanë të japin urgjentisht dorëheqjen dhe të largohen, për të dalë nga godinat tona, sepse nuk janë përfaqësues të popullit tonë. Qëllimi i tyre i vetëm është të ngacmojnë shtetasit tanë”, është shprehur Rakiq.

    Po ashtu Rakiçi ka thënë se vendimet politike janë marrë gjithmonë në koordinim me Beogradin.

    “Kjo është arsyeja pse këtë herë ne do të dëgjojmë këshillën e presidentit Vuçiq dhe sot po dërgojmë një mesazh se jemi gati të marrim pjesë në zgjedhjet në veri të Kosovës dhe Metohisë, dhe kështu të inkurajojmë procesin politik dhe dialogun që do të çonte në përmbushjen e kushteve tona që i kemi theksuar vazhdimisht deri më tani. Kjo është arsyeja pse ne i kërkojmë Prishtinës të shpallë zgjedhje të parakohshme lokale për kryetarë dhe këshilltarë në të katër komunat në veri të Kosovës dhe Metohisë sa më shpejt të jetë e mundur”, është shprehur Rakiq.

  • Trendi i ikjeve të mjekëve nga Kosova, flet kirurgu Shkëlzen Komoni

    Trendi i ikjeve të mjekëve nga Kosova, flet kirurgu Shkëlzen Komoni

    Kirurgu Shkëlzen Komoni, në një intervistë në emisionin A LIVE në ATV, tha se pasiguria ekonomike është tu i shty mjekët të emigrojnë në vendet tjera për një jetë më të dinjitetshme, për kushte më të mira materiale.

    Ai përmendi se në tri vitet e fundit, rreth 500 mjekë kanë emigruar, të cilët kanë shkuar të gatshëm për tu sistemuar në sistemin shëndetësor në vendet evropiane.

    “Mendoj që mungesa e favorshme e vendit të punës edhe pasiguria ekonomike është tu i shty të gjithë me emigrua në vendet tjera për një jetë më të dinjitetshme, për kushte më të mira materiale. Shifra është diku, me sa kam informata, në tri vitet e fundit, rreth 500 mjekë kanë emigruar atje, të cilët janë sistemuar në sistemin evropian, të cilët kanë shkuar të gatshëm, dmth shkollimin e kanë kryer këtu dhe kanë shkuar të gatshëm për tu sistemuar në sistemin shëndetësor”, tha Komoni.

    Sipas tij, nuk është vetëm Kosova, e cila po përballet me ikjen e mjekëve, pasi që siç thotë ai, edhe shtetet e rajonit janë duke u përballuar me këtë fenomen.

    “Mendimi i im është që duhet me e ba një strategji për me e ndalë këtë ike, por nuk është ky fenomen vetëm në Kosovë. Ka ike edhe për rreth shteteve fqinjë. Edhe në Kroaci, me sa kam informata, rreth 200 mjekë kanë ikë brenda këtij viti. E kanë standardin bukur të lartë, prapë kanë shku për kushte më të mira”, tha Komoni. /atvlive.tv

  • Kurti: Investimet në digjitalizim dhe siguri kibernetike kalojnë mbi 80 milionë euro deri në 2025

    Kurti: Investimet në digjitalizim dhe siguri kibernetike kalojnë mbi 80 milionë euro deri në 2025

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se deri në fund të vitit 2025, investimet në e-qeverisje, e-shëndet, digjitalizim në arsim dhe siguri kibernetike në Kosovë do të kalojnë vlerën e 80 milionë euro.

    Këto komente Kurti i bëri gjatë hapjes së edicionit të 12-të të Festivalit të Teknologjisë “KosICT”, organizuar nga Shoqata e Teknologjisë, Informacionit dhe Komunikimit në Kosovë (STIKK), me temën qendrore “Zbuloni kufijtë e rinj”.

    Duke e cilësuar festivalin “KosICT” një dëshmi të rëndësisë së madhe që ka sektori i TIK-ut në vendin tonë, kryeministri Kurti në këtë hapje nënvizoi se digjitalizimi mbetet prioritet i lartë i Qeverisë së Republikës së Kosovës.

    “Deri në fund të vitit 2025, investimet në e-qeverisje, e-shëndet, digjitalizim në arsim dhe siguri kibernetike në Kosovë do të kalojnë vlerën e 80 milionë euro. Në bazë të dokumenteve strategjike që kemi plotësuar, deri në vitin 2027 kjo shifër pritet të arrijë në 130 milionë euro”, tha kryeministri duke shtuar se këto investime përfaqësojnë përkushtimin tonë të palëkundur për të fuqizuar qytetarët dhe bizneset tona, për të nxitur inovacionin dhe për të siguruar që Kosova të kapërcejë në sferën e transformimit digjital.

    Sipas tij, vetëm këtë javë, kanë kanë ndodhur disa momente të jashtëzakonshme në rrugëtimin drejt digjitalizimit, duke potencuar miratimin e Strategjisë së re të e-Qeverisjes 2023-2027, një nismë ambicioze që synon të transformojë ndjeshëm shërbimet publike, si dhe Strategjinë e re të Sigurisë Kibernetike 2023-2027, e cila trajton në mënyrë gjithëpërfshirëse të gjitha aspektet e sigurisë kibernetike

    Sipas një komunikate të Qeverisë, një arritje tjetër të rëndësishme shënon edhe miratimi nga Qeveria i programit 5-vjeçar me Bankën Botërore, i titulluar “Forcimi i qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”, i cili përfshin një kredi prej 18.5 milionë euro që do të financojë mbi 50% të aktiviteteve në planin 3-vjeçar të veprimit të Strategjisë sonë të re për E-Qeverisje.

    “Në këtë sektor premtues, një gurthemel tjetër jetik është edhe programi 5-vjeçar i USAID-it, “Aktiviteti për e-Qeverisje në Kosovë”, me buxhet prej 10.9 milionë dollar, përderisa Qeveria dje miratoi edhe listën e profesionistëve të TIK-ut dhe sigurisë kibernetike të cilët do të kategorizohen si ekspertë përgjegjës për sistemet qeveritare me rëndësi strategjike, si dhe inauguroi Parkun e Teknologjisë Digjitale në Bërnicë me një investim prej 1.2 milionë euro”, tha ai.

    Sivjet nga data 13 deri më 14 tetor, festivali “KosICT” do të mbajë aktivitete me diskutime, ide dhe mundësi për rrjetëzim, gjersa e gjitha do të sillet rreth tri temave kryesore: Inteligjenca Artificiale, Siguria Kibernetike dhe Transformimi Dixhital./KP/

  • Klinaku nga OVL-UÇK-së: Gucati lirohet, Haradinaj jo

    Klinaku nga OVL-UÇK-së: Gucati lirohet, Haradinaj jo

    Ushtruesi i detyrës së Kryetarit të OVL-UÇK’së, Faton Klinaku ka konfirmuar se Hysni Gucati do të lirohet.

    Ai ka thënë se nuk e di formën, pasi për një gjë të tillë duhet parë vendimin.

    Klinaku shtoi se nuk mund të japë më tepër detaje, përveç faktit se brenda dy tre muajve mund të ketë vendim të ri për Nasim Haradinajn.

    “Gucati është liruar. Unë dje e mora vesh. Nuk e di formën. Për këtë duhet parë vendimin. Ajo që di është se Haradinaj nuk është liruar”, pohoi ndër tjerash për lajmi.net.

    Kujtojmë se Gucati është i dënuar me vendim të shkallës së parë të Gjykatës Speciale, ndërsa është i arrestuar që nga viti 2020.

  • Si e parashikoi rezultatin e saktë të ndeshjes Shkurte Fejza?

    Si e parashikoi rezultatin e saktë të ndeshjes Shkurte Fejza?

    Jo vetëm që këndoi këngën “Mora fjalë“, e solli shumë emocione në stadionin “Air Albania”, këngëtarja Shkurte Fejza parashikoi edhe rezultatin e ndeshjes Shqipëri-Çeki.

    Megjithëse tha se është shumë e emocionuar për përformancën e saj, e pyetur nga mediat në Shqipëri para fillimit të lojes, ajo parashikoi dhe rezultatin për të cilën tha se do të përfundojë me rezultat 3 me 0.

    “Rezultati dhe mendimi vjen gjithmonë nga dëshira. Njeriu e humb ndonjëherë ndoshta, por prej dëshirës unë do doja të jetë 3:0 . Neve ta kemi në dorë fitoren, kjo është dëshira ime”, tha ajo pak para fillimit të ndeshjes.

    Ndryshe performanca e këngëtares Shkurte Fejza, elektrizoi 22 mijë tifozë në stadionin “Air Albania”, ndërsa këndoi këngën ‘Mora Fjalë’.

  • Shpallet konkursi për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale

    Shpallet konkursi për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale

    Këshilli i Prokurorial i Kosovës e ka miratuar hapjen e konkursit për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Vendimi në KPK është marrë të premten pasi një ditë më herët ishte vendosur si pikë e rendit të ditës hapja e konkursit për dy pozitat më të larta në Prokurorinë Speciale dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

    Në Panelin Vlerësues për Zgjedhjen e Kryeprokurorit të PSRK-së, KPK ka caktuar anëtarët: Jetish Maloku, Ardian Hajdaraj, Besim Kelmendi, Arian Gashi dhe Agron Beka. Ndërsa, në Komisionin për Rishqyrtim janë caktuar anëtarët: Jehona Grantolli, Ariana Shajkovci dhe Armend Zenelaj.

    Kurse, në Komisionin Vlerësues për Zgjedhjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, KPK ka zgjedhur këta anëtarë: Jetish Maloku, Ariana Shajkovci, Merita Bina-Rugova, Jehona Grantolli dhe Ardian Hajdaraj.

    Ndërsa, në Komisionin për Rishqyrtim janë caktuar anëtarët: Agron Beka, Arian Gashi dhe Besim Kelmendi.

    Në krye të PSRK-së, aktualisht qëndron kryeprokurori Blerim Isufaj, ndërsa në atë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, kryeprokurori Kujtim Munishi.

    Blerim Isufaj ishte zgjedhur në krye të PSRK-së me 23 dhjetor 2019. Ai në këtë pozitë ishte zgjedhur me votat e 10 anëtarëve të KPK-së.

    Po ashtu, edhe kryeprokurori i tanishëm Kujtim Munishi, ishte zgjedhur në krye të Prokurorisë Themelore në Prishtinë me 23 dhjetor 2019.

    Munishi, që paraprakisht kishte qenë si ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ishte zgjedhur në këtë post me 10 vota, si kandidat i vetëm.

    Sipas Rregullores për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe të Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës, KPK shpall konkurs për emërimin e kryeprokurorëve të prokurorive të tjera së paku 60 ditë para skadimit të mandatit të kryeprokurorëve aktual.

    Në rend dite për sot KPK ka planifikuar edhe Themelimi i Panelit Vlerësues dhe Komisionit për Rishqyrtim për emërimin e kryeprokurorëve si dhe njoftimin për pensionim të prokurorëve gjatë muajit nëntor 2023.

  • ​AAK kritikon VV-në për bojkotim të seancave e komisioneve, kërkon të jetë konstruktive

    ​AAK kritikon VV-në për bojkotim të seancave e komisioneve, kërkon të jetë konstruktive

    Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kritikon partinë në pushtet për bojkotimin e seancave parlamentare dhe mbledhjet e Komisioneve në Kuvendin e Kosovës.

    Kryetari i GP të AAK-së, Besnik Tahiri në një konferencë për media theksoi se kjo parti ka argumente të plota që e përgënjeshtrojnë qëndrimin e Vetëvendosjes në raport me opozitën dhe veçanërisht me AAK-në për mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

    “Jemi sot këtu për të prezantuar disa argumente të cilat e përgënjeshtrojnë qëndrimin e shumicës në raport me opozitën dhe në veçanti në raport me Aleancën”, theksoi ai.

    Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj theksoi se është shqetësuese qëndrimi i mazhorancës për të bojkotuar të gjitha kërkesat e opozitës e në veçanti të subjektit tonë të AAK. Për këta ai ka kërkuar nga VV-ja që të jetë kontruktive në Kuvendin e Kosovës.

    “Shqetësimi ynë si Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës dhe qëndrimi i mazhorancës për të bojkotuar të gjitha kërkesat e opozitës e në veçanti të subjektit tonë të AAK-së. në praktikat parlamentare nuk ka ndodhur që mazhoranca apo shumica të bojkotojë seancat parlamentare, e sidomos edhe Komisionet. Neve po na marrin të vetëm drejtë tonën që e kemi demokratike që me pyetje parlamentare, me formimin e Komisioneve hetimore, në Komisionet e përhershme të Kuvendit të Kosovës që të shfaqim kërkesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe mazhoranca duhet të jetë konstruktive dhe jo të na bojkotoj, sepse me bojkotin e tyre po e shemb gurthe melin e shtetit demokratik. Prandaj, ne jemi mjfat të shqetësuar dhe kërkojmë një zgjidhje të kësaj çështje dhe të dominojë arsyeja e interesit të qytetarëve, jo të interesit të subjektit politik që në këtë rast është Lëvizja Vetëvendosje”, theksoi ai.

    Ai më tej shtoi se Grupi Parlamentar i AAK-së ka përkrahur fuqishëm marrëveshjet ndërkombëtare.

    “Ne si Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës me të drejt e themi që i kemi përkrahur fuqishëm marrëveshjet ndërkombëtare dhe ligjet bazike që kanë qenë në favor të qytetarëve të Kosovës. Po numëroj, Grupi Parlamentar i AAK-së ka përkrahur marrëveshjen ndërkombëtare në vlerë prej 830 milionë euro. Dhe ajo që vlen të theksohet, ne kemi përkrahur edhe ligjet bazike që kanë qenë të obligueshme për Kuvendin e Kosovës dhe për qytetarët e Kosovës që përfitojnë nga këto ligje dhe ne pa hezitim i kemi përkrahur. E kemi përkrahur edhe marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit dhe të gjitha qëndrimet e Kosovës që kanë shkuar në favor të shtrirjes së sovranitetit dhe mbrojtjes së integritetit të Kosovës, pa hezitim dhe pa kalkuluar në votë. Andaj, kjo qeveri të gjitha vendimet që po i merr kohëve të fundit më tepër po i merr si vendime elektorale. Kështu që mund të themi që janë të pabaza ato deklarata për mos votimin tonë të marrëveshjeve ndërkombëtare”, tha ai.

    Grupi Parlamentar i VV-së nuk ka marrë pjesë të enjten në seancën e Kuvendit të Kosovës për shqyrtimin e Rezolutës në mbështetje të policisë së Kosovës. Po ashtu për herë të tretë ka dështuar të konstituohet Komisioni hetimor për rezerva shtetërore, ku nuk kishin marrë pjesë deputetët e VV-së.

    VV nuk mori pjesë as sot në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat e Njeriut për shqyrtimin e peticionit të Sindikatës së Policisë së Kosovës.

  • Dyshohet për helmimin e katër fëmijëve në një institucion parashkollor në Istog

    Dyshohet për helmimin e katër fëmijëve në një institucion parashkollor në Istog

    Katër fëmijë në një institucion parashkollor të Istogut dyshohet se janë helmuar ditën e enjte.

    Telegrafi merr vesh se fëmijët ishin në klasë ndërsa papritmas kanë humbur vetëdijen, fëmijët e helmuar janë dërguar urgjent në Spitalin e Pejës, ku edhe po vazhdojnë trajtimin.

    Burimet bëjnë të ditur se inspektorët sanitarë do të bëjnë sot inspektimin e vendit.

  • OKB-ja bën thirrje për ndihmë prej 294 milionë dollarësh për mbi 1 milion njerëz në Gaza

    OKB-ja bën thirrje për ndihmë prej 294 milionë dollarësh për mbi 1 milion njerëz në Gaza

    OKB-ja ka bërë thirrje për ndihmë 294 milionë dollarësh për mbi një milion njerëz në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor.

    “Thirrja kërkon përafërsisht 294 milionë dollarë amerikanë për 77 partnerë humanitarë për të adresuar nevojat më urgjente të 1,260,000 njerëzve në Gaza dhe Bregun Perëndimor”, thanë nga Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) të enjten.

    Thirrja bashkon punën dhe kërkesat e financimit të komunitetit humanitar në rajon, duke përfshirë 13 agjenci të OKB-së, 29 organizata ndërkombëtare joqeveritare (INGO), 35 OJQ kombëtare dhe Shoqërinë e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze (PRCS).

    “UNRWA (Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinë në Lindjen e Afërt) luan një rol unik në OPT, duke shërbyer si ofruesi kryesor i drejtpërdrejtë i shërbimeve bazë – arsimit, shëndetësisë, ndihmave dhe shërbimeve sociale, mbrojtjes, infrastrukturës së kampeve dhe përmirësimit dhe ndihmës emergjente – për 1.5 milionë refugjatë palestinezë të regjistruar në Gaza”, shtoi OCHA.

    “Në Bregun Perëndimor, UNRWA u shërben 1.1 milionë refugjatëve palestinezë dhe personave të tjerë të regjistruar, nga të cilët 890,000 janë refugjatë”, thuhet në deklaratë.

    Të premten, OCHA tha se numri i palestinezëve të zhvendosur në Gaza është rritur në më shumë se 423,000 mes luftimeve të intensifikuara.

    Në një përshkallëzim dramatik të tensioneve në Lindjen e Mesme, forcat izraelite nisën një fushatë të qëndrueshme dhe të fuqishme ushtarake kundër Rripit të Gazës, një përgjigje ndaj një ofensive ushtarake të grupit palestinez Hamas në territoret izraelite.

    Konflikti filloi të shtunën e kaluar kur Hamasi nisi Operacionin ‘Al-Aksa Flood’ kundër Izraelit, një sulm i papritur i shumëfishtë duke përfshirë një breshëri lëshimesh raketash dhe infiltrimesh në Izrael nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit.

    Hamasi tha se operacioni ishte në hakmarrje për sulmin ndaj xhamisë Al-Aksa në Jerusalemin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.

    Ushtria izraelite më pas nisi operacionin ‘Shpatat e Hekurta’ kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës.

    Përgjigja e Izraelit është shtrirë në ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në një zonë që është përfshirë nga një rrethim gjymtues që nga viti 2007. (AA)