ATV

Author: ATVLive

  • ​Kosova përfiton grant 9.1 milionë euro për sistemin e ujitjes

    ​Kosova përfiton grant 9.1 milionë euro për sistemin e ujitjes

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Drejtori i Bankës Botërore për Kosovë, Massimiliano Paolucci kanë nënshkruar grantin për projektin “Përmirësimi dhe Rehabilitimi i Sistemeve të Ujitjes”, në vlerë prej 9.15 milionë euro.

    Sipas njoftimit të ministrisë, projekti synon rritjen e efiçiencës në shfrytëzimin e ujit dhe rritjen e rendimentit bujqësor në komunat e Gjakovës, Prizrenit dhe Rahovecit. Gjithashtu, synohet rehabilimi dhe modernizimi i Skemës së Ujitjes Radoniqi-Dukagjini, që renditet ndër investimet prioritare të identifikuara në Master Planin për sektorin e ujitjes në Kosovë.

    “Përfitues kryesor nga ky projekt do të jenë fermerët privat që shfrytëzojnë skemat e ujitjes/kullimit, duke ofruar produkte me cilësi të lartë si për tregun e brendshëm, ashtu edhe për rajonin e Bashkimin Evropian”, thuhet në komunikatë.

    Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, ministri Murati dhe drejtori Paolucci vlerësuan lartë bashkëpunimin e suksesshëm ndër vite, duke theksuar se investimet e tilla në sektorin e ujitjes pritet ta bëjnë sektorin bujqësor më konkurrues dhe inovativ, të bazuar teknologji e standarde moderne.

    “Vlen të përmendet se fondet e këtij granti janë kontribut i Bashkimit Evropian, ndërsa administrohen nga Banka Botërore”, thuhet në njoftim.

    MFPT mbetet e përkushtuar në implementimin e projekteve e politikave me interes strategjik për vendin, në linjë me Programin e Qeverisë.

  • Kombëtarja shqiptare iu kthehet sot ushtrimeve për t’u bërë gati për ndeshjen e dytë të tetorit

    Kombëtarja shqiptare iu kthehet sot ushtrimeve për t’u bërë gati për ndeshjen e dytë të tetorit

    Kombëtarja shqiptare e regjistroi mbrëmë një fitore të madhe ndaj Republikës Çeke, pas së cilës iu afrua kualifikimit në Euro 2024.

    E sot, Kuqezinjtë do t’ju kthehen ushtrimeve, ndërsa Federata Shqiptare e Futbollit njofton se lojtarët do të ushtrojnë nga ora 16:30 në Shtëpinë e Futbollit, shkruan “Gazeta Express”.

    Shqipëria këto ditë do të ushtrojë për t’u bërë gati për ndeshjen miqësore me Bullgarinë, të cilën do ta zhvillojë të martën tjetër, respektivisht më 17 tetor nga ora 18:00 në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

    Kuqezinjtë më pas në nëntor do t’i zhvillojnë edhe dy ndeshjet e fundit të fazës eliminatore për Euro 2024, kundër Moldavisë dhe ndaj Ishujve Faroe, kur edhe mund ta sigurojnë edhe matematikisht kualifikimin në Kampionat Evropian.

  • Dioqeza e Rashkës i përgjigjet Çekut: Dëmet në Manastir s’kanë prekur pjesën historike, do t’i rregullojmë vet

    Dioqeza e Rashkës i përgjigjet Çekut: Dëmet në Manastir s’kanë prekur pjesën historike, do t’i rregullojmë vet

    Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit i kanë kthyer përgjigje letrës së ministrit të Kulturës, Hajrullah Çeku, për punën e renovimit të Manastrit të Banjskës pas sulmit të 24 shtatorit.

    Nga kjo Diqoezë pretendojnë se dëmtimet e 24 shtatorit s’kanë prekur Kishën apo seksionin historik, dhe se përfshijnë vetëm një derë metalike e kohëve të fundit dhe pjesën jashtë kompleksit kryesor të Manastirit. Prandaj në reagim thonë se Dioqeza ka siguruar fondet nga Manastiri Hilandar dhe se së shpejti do të riparohen dëmet.

    “Duke qenë se dëmi i Manastirit të Banjskës më 24 shtator nuk u shkaktua në kishë ose në seksionin historik, por përfshinte një portë metalike të thyer me origjinë të kohëve të fundit dhe dëmtime në konakun jashtë kompleksit kryesor të manastirit, duke kërkuar riparime bravandreqës dhe zdrukthtari, ne e gjykojmë të nevojshme. për të informuar opinionin se Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit tashmë ka siguruar mjetet e nevojshme për këto riparime, falë një donacioni nga Fondacioni i Manastirit Hilandar dhe se së shpejti do të riparohen dëmet”, thuhet në përgjigjen e tyre.

    Çeku kur kishte bërë publike letrën e tij, kishte thën se Qeveria e Kosovës po e konkretizon edhe zyrtarisht zotimin e saj të 27 shtatorit për sanimin e dëmeve në Manastirin e Banjskës të shkaktuara nga sulmi i 24 shtatorit.

    “Zotimin e dhënë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të datës 27 shtator 2023 për sanimin e dëmeve në Manastirin e Banjskës në Zveçan, të shkaktuara nga sulmi terrorist i datës 24 shtator, po e konkretizojmë më shkresën zyrtare drejtuar Dioqezës Rashkë – Prizren. Konform detyrimeve, autorizimeve kushtetuese dhe ligjore ftojmë autoritetet e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë për bashkërendim të veprimeve deri në ndërhyrjet e nevojshme restauruese për sanimin e dëmeve në këtë aset të trashëgimisë kulturore”, kishte shkruar Çeku.

  • BQK anëtarësohet në Programin RAMP të Thesarit të Bankës Botërore

    BQK anëtarësohet në Programin RAMP të Thesarit të Bankës Botërore

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili ka nënshkruar me zëvëndëspresidentin e Bankës Botërore dhe njëherësh drejtor i Thesarit, Jorge Familiar, marrëveshjen për anëtarësimin e BQK-së në Programin e Partneritetit për Këshillimin dhe Menaxhimin e Rezervave (RAMP) me Thesarin e Bankës Botërore (BB).

    Guvernatori Ismaili pas nënshkrimit të kësaj Marrëveshjeje, ka thënë se me anëtarësimin e BQK-së në këtë program është arritur një progres i rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Kosovës me Grupin e Bankës Botërore.

    “Kjo Marrëveshje shënon një progres të rëndësishëm në marrëdhëniet e bashkëpunimit në mes të Grupit të Bankës Botërore dhe Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës. Jemi të lumtur që po anëtarësohemi në Programin RAMP dhe po ashtu që jemi banka e parë qendrore të cilave iu ofrohet kjo mundësi e re e Marrëveshjes për anëtarësim”, citohet në komunikatë Ismaili.

    Sipas guvernatorit Ismaili, anëtarësimi në Programin “Reserve Advisory and Management Partnership” (RAMP) do t’i mundësojë BQK-së, që të përfitojë nga ekspertiza e BB-së dhe të fuqizojë kapacitetet e saj në menaxhimin e mjeteve dhe rezervave.

    “Për më tepër, ky anëtarësim do t’i mundësojë BQK-së të përfitojë nga eksperienca e gjerë e Bankës Botërore në menaxhimin e rezervave dhe do të na ndihmojë që t’i fuqizojmë kapacitetet tona në fusha tjera të ndërlidhura”, ka potencuar i pari i BQK-së, gjatë takimeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe BB-së në Marakesh.

    Ndërsa, zëvëndëspresidenti dhe drejtori i Thesarit të Bankës Botërore, Jorge Familiar ka theksuar se e mirëpret anëtarësimin e BQK-së në Programin RAMP.

    “Kemi nderin të mirëpresim Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës si anëtarin më të ri të Programit RAMP që mbështetet nga Fondi i Mirëbesimit”, ka theksuar zëvëndëspresidenti Familiar.

    “Si menaxhuesi më i madh i aseteve në komunitetin e zhvillimit, me vlerë të aseteve prej mbi 82 miliardë dollarë nën menaxhim, Banka Botërore është e përkushtuar të avancojë menaxhimin e aseteve publike në mbarë botën. Gjithashtu jemi të kënaqur nga bujaria e Agjencisë Norvegjeze për Bashkëpunim Zhvillimor (NORAD), e cila do të lejojë Programin RAMP të zgjerojë ndikimin e tij botëror”, përfundon ai.

    Funksioni i menaxhimit të aseteve luan një rol kyç në stabilitetin afatgjatë të BQK-së dhe ky program do të kontribuojë në avancimit e këtij funksioni përkitazi me objektivat e institucionit më të lartë financiar në Republikën e Kosovës.

    Në komunikatë thuhet se BQK-ja është banka e parë qendrore, të cilës i ofrohet kjo formë e re e anëtarësimit e krijuar së fundi, e mbështetur përmes Fondit Shumëpalësh të Mirëbesimit (Multi-Donor Trust Fund) të mundësuar nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (BNRZH), pjesë e Grupit të BB-së.

    RAMP është themeluar më 2001, që i ofrohet bankave qendrore dhe institucioneve të kualifikuara nga BNZHR-ja. Programi është dizajnuar për të ngritur kapacitetet dhe ekspertizën për institucionet përfituese në fushën e menaxhimit të mjeteve dhe fushat e tjera të ndërlidhura, si menaxhimi i rrezikut, raportimit financiar, teknologjisë informative si dhe të aspektit ligjor.

    Deri më tani nga Programi RAMP, mbi 100 institucione publike dhe banka qendrore janë këshilluar në këtë fushë dhe mbi 5,000 punonjës publik dhe ekspert të menaxhimit të mjeteve janë trajtuar me taktikat me të mira botërore.

  • Haga s’konfirmon nëse ka liruar Gucatin: Nëse merret vendim, bëhet publik në faqen tonë

    Haga s’konfirmon nëse ka liruar Gucatin: Nëse merret vendim, bëhet publik në faqen tonë

    Ushtruesi i Detyrës së Kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku ka thënë sot se Gjykata Speciale e ka liruar nga burgu, Hysni Gucatin.

    Megjithatë nga Schveningeni s’kanë dhënë ndonjë konfirmim, duke thënë se nëse do të ketë vendim publik për këtë çështje, ai do të bëhet publik në faqen e Dhomave të Specializuara.

    “Nëse dhe kur nxirret një vendim publik për këtë çështje, ai do të jetë i disponueshëm në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara”, ka thënë një zëdhënës i Speciales për Express.

    Dhomat e Specializuara i kanë shpallur fajtorë Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn për pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 eurosh.

    Në dënim atyre iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Ata gjenden në paraburgim prej shtatorit të vitit 2020.

  • Një mozaik i rrallë romak zbulohet në Durrës

    Një mozaik i rrallë romak zbulohet në Durrës

    Gjatë rindërtimit të shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti” në Durrës, janë zbuluar gjetje arkeologjike tepër të rëndësishme si për nga tipologjia, ashtu edhe me vetë historinë e zhvillimit të qytetit antik.

    Bëhet fjalë për një bazament kolone, fragmente muresh, fragmente potenciale të pikturës murale e fragmente mermeri, që nga vlerësimi paraprak përkojnë me elemente tipike të strukturës së një vile romak.

    “Por gjetja kryesore është një mozaik floreal, që nëntoka e ka ruajtur në një gjendje mjaft të mirë, i periudhës së hershme perandorake romake, që në fazën aktuale, mendohet të mbulojë një sipërfaqe prej afro 30 m2. Hulumtimi i mëtejshëm pritet të zbulojë edhe elemente të tjerë të rëndësishëm të sitit arkeologjik”, ka shkruar ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti.

    Sipas saj, pas këtij zbulimi do të realizohet gërmimi arkeologjik i hapur me qëllim evidentimin e plotë të këtij siti, në vijim të së cilit do të vlerësohet ecuria e mëtejshme e projektit dhe destinacionin final të materialeve arkeologjike.

  • Trajkoviq: Vuçiq fajëson serbët e Kosovës për kolapsin e tij politik

    Trajkoviq: Vuçiq fajëson serbët e Kosovës për kolapsin e tij politik

    Politikania Rada Trajkoviq deklaroi se presidenti serb Aleksandar Vuçiq fajëson serbët e Kosovës për kolapsin e politikës së tij ndaj Kosovës.

    Trajkoviq tha se serbët në Kosovë në dhjetë vitet e fundit janë detyruar të zbatojnë të gjitha urdhrat nga Beogradi.

    Sipas saj, lista Srpska ka ndjekur vetëm interesat e Vuçiqit dhe zbatimin e marrëveshjes nga Brukseli.

    “Pretendimi i Vuçiqit në TV Prva se serbët, rreth 4000 prej tyre, janë larguar vetë nga institucionet e Kosovës vitin e kaluar nuk është i saktë. “Serbët u detyruan të largoheshin nga institucionet për shkak se Beogradi ua kishte kërkuar një gjë të tillë përmes Listës Serbe, edhe pse paraprakisht ishin të detyruar të integrohen në sistemin e Kosovës”, tha ajo.

    Ajo shtoi se në Beograd janë shpërblyer ish-pjesëtarët e policisë së Kosovës me kombësi serbe.

    Ka theksuar se serbët në Kosovë kanë qenë të pamundur që në mënyrë të pavarur të marrin vendim për largim nga institucionet e Kosovës.

    “Megjithatë, tani po shohim një strategji të re të Aleksandar Vuçiqit me qëllim që të largohet nga serbët në Kosovë, edhe pse ata po i zbatonin të gjitha vendimet e tij. Personat kryesorë për ekzekutimin e urdhrave të Vuçiqit në Kosovë ishin Milan Radoiçiq dhe Lista Srpska. Lista serbe në thelb ishte një kazan i rrjedhës së punës për integrimin e serbëve në sistemin e Kosovës, për të cilën u pajtua në Bruksel”, vlerësoi Trajkoviq.

    E pyetur se pse presidenti Vuçiq po ia kthen shpinën serbëve në Kosovë, Trajkoviq tha se Vuçiq ia la fatin e serbëve autoriteteve në Prishtinë.

    U pyet edhe nëse Vuçiq do t’i mbijetojë politikisht kolapsit të politikës së tij ndaj Kosovës, Trajkoviq tha se kjo varet nga vetëdija dhe përgjegjësia e serbëve.

    “Nuk varet nga bashkësia ndërkombëtare, por nga vetëdija dhe përgjegjësia e serbëve për territorin për të cilin ata kryesisht betohen retorikisht se është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”, ka përfunduar Trajkoviq.

  • Nënshkruhet udhëzues për parandalimin e kryerjes së veprave penale nga nxënësit në Kosovë

    Nënshkruhet udhëzues për parandalimin e kryerjes së veprave penale nga nxënësit në Kosovë

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, bashkë me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, kanë nënshkruar një udhëzues sipas të cilit do të parandalohen kryerjet e veprave penale nga nxënësit.

    “Me Ministren Nagavci, nënshkruam Udhëzuesin për ndërmjetësimin ndërmjet bashkëmoshatarëve në kontekstin shkollor, i hartuar nga MD në bashkëpunim me MASHTI me mbështetjen e ekspertëve të Terres de Hommes”, shkroi Haxhiu në Facebook.

    Synimet e këtij Udhëzuesi janë si në vijim:

    Nxitja dhe përkrahja e ndërmjetësimit si metodë e përshtatshme e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dhe konflikteve ndërmjet bashkëmoshatarëve në institucionet e arsimit para-universitar, mosmarrëveshjeve dhe konflikteve të shkaktuara si rezultat i dhunës

    🔹Parandalimi i kryerjes së veprave penale nga nxënësit, veçanërisht të nxënësve/fëmijëve nën moshën e përgjegjësisë penale (fëmijëve që nuk i kanë mbushur katërmbëdhjetë (14) vjet).

    ➡️ Udhëzuesi vlen për të gjithë ata të cilët mund të kontribuojnë dhe veprojnë si ndërmjetësues për të zgjidhur konfliktet dhe mosmarrëveshjet midis bashkëmoshatarëve si: nxënësve dhe mësimdhënësve, drejtorëve të shkollave, prindërve, të afërmeve ose personave tjerë.

  • Peci me homologun letonez diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit

    Peci me homologun letonez diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit

    Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci u takua me homologun e tij, Ministrin e Bujqësisë të Letonisë, Armands Krauze me të cilin zhvilluan një bisedë të frytshme rreth bashkëpunimit në sektorin e bujqësisë, por edhe në thellimin e bashkëpunimit të deritanishëm në sektorin e pylltarisë.

    Gjatë këtij takimi, Ministri Peci theksoi se me Letoninë ndajmë vlera të përbashkëta për sa i përket bujqësisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm të këtij sektori. “Me ministrin Krauze u dakorduam që shumë shpejt ta zyrtarizojmë bashkëpunimin mes vendeve tona përmes një Marrëveshjeje të Mirëkuptimit në mënyrë që përmes projekteve të përbashkëta, të kemi qasje në fondet mbështetëse evropiane e ndërkombëtare”, tha mes tjerash ministri Peci i cili njëkohësisht edhe e ftoi homologun e tij, ministrin Krauze për vizitë në Kosovë në mënyrë që të ketë një pasqyrim më të mirë të potencialit agro-ekonomik të vendit tonë.

    Tutje, Ministri i BPZhR-së, Faton Peci shtoi se Kosova dhe vendet e Baltikut ndajnë edhe rrezikun e përbashkët të fqinjëve agresorë përpos vlerave të përbashkëta njerëzore, andaj edhe nevoja për bashkëpunim ndërshtetëror është më e shprehur dhe duhet të intensifikohet.

  • Gërxhaliu: Qeveria po i diskriminon shërbyesit civilë, pa marrëveshje me Serbinë s’ka stabilitet ekonomik

    Gërxhaliu: Qeveria po i diskriminon shërbyesit civilë, pa marrëveshje me Serbinë s’ka stabilitet ekonomik

    Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu e ka quajtur qasje diskriminuese të Qeverisë vendimin e fundit që 80 mijë shërbyesve civil mos t’u paguhen shtesat për tre muaj. Shtesat për tre muajt e fundit të këtij viti do të ndahen vetëm për gjashtë institucione: ShSKUK, PK, MSh, ATK, Doganën, IPK dhe ShKK.

    Ai i tha Ekonomia Online se kjo është demotivuese, prandaj edhe duhet që të mendohet më shumë për qytetarë dhe të punësuarit.

    “Është shqetësues vendimi i fundit për shërbyesit civil, të mos paguhen shtesa është një qasje diskriminuese është një qasje selektive, dhe e tëra kjo ndikon shumë më tepër në aspektin demotivues, ndaj besojë që në këtë drejtim do të këtë dialog më të avancuara, është koha ku duhet të mendohet më tepër për qytetarë dhe të punësuar”.

    Sipas tij, ekonomia kosovare ka mbetur nën hijen e agjendës politike, madje thotë se pa arritjen e një marrëveshje Kosovë-Serbi nuk do të ketë stabilitet, raporton EO.

    “Kemi një inflacioni i cili është shqetësues dhe ka trendë të rritjes, kemi ngritje çmimeve në mënyre të pa kontrolluara fal një ekonomie spekulativë, po e shohim së efektet e luftërave të fundit do të reflektohen në ekonomi, besoj që është koha ku duhet të mendohet më tepër për qytetarë, ne veçanti për të punësuarit qofte sektorin privat, qoftë në sektorin publik”.

    “Është e vërtete që ekonomia kosovare ka mbete nën hijen e agjendës politike, duhet të kuptojmë që nuk mund të këtë rimëkëmbje ekonomike dhe zhvillim, deri sa mos të këtë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, si mund të kemi ekonomi të mirëfillte përderisa do të jemi në sanksione apo masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian”.