Pas katër shtyrjeve, 1 nëntori u vendos si datë për fillimin e regjistrimit të popullsisë.
Por ky proces do të presë edhe për pak kohë, pasi që në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, ende mungojnë tabletët me të cilët ishte menduar të zhvillohej ky proces.
“Kemi shumë probleme në furnizim me tabletë, gjë që e pamundëson që regjistrimi të fillojë më 1 nëntor”, tha Avni Kastrati, drejtor i Departamentit për Statistika Sociale dhe të Popullsisë.
Për mosfillimin e këtij procesi, Drejtori i Departamentit për Statistika Sociale dhe të popullsisë e ka njoftuar edhe Qeverinë, mirëpo prej saj ende nuk e ka marrë një përgjigje.
“Para disa javëve është bërë një kërkesë ndaj Qeverisë, për shkak të çështjeve teknike, por ka edhe aspekte të tjera që regjistrimi të bëhet me kohë, Qeveria është duke e bërë shqyrtimin që të ndërrohet kjo datë”, tha Kastrati.
Ekzekutivi nuk ktheu përgjigje as në pyetjet e televizionit. Mirëpo, për këtë çështje nuk kanë informacione as anëtarët e Komisionit për Buxhet, i cili monitoron punën e ASK-së.
Pas dështimit të furnizimit me tabletë nga operatori ekonomik “BOTEK SHPK”, një kontratë e re u nënshkrua në vlerë mbi 1 milion e 100 mijë euro, vetëm para pesë ditëve me kompaninë “Aritech”, prej së cilës ASK-ja pret që furnizimin me këto pajisë digjitale të bëjë brenda dy javëve.
Po bëhet pothuajse 1 javë prej kur uji për qytetarët e Prishtinës që furnizohen nga liqeni i Badocit, është i papijshëm.
Por edhe për disa ditë gjendja do të jetë e njëjtë.
ATV-ja mëson nga burimet brenda IKSHPK-së, se vlera e Manganit vazhdon të jetë e njëjtë si para dy ditëve.
Sipas profesorit të departamentit të Kimisë, Ilir Shehu, për uljen e vlerës së Manganit nevojiten së paku 2 javë.
Ndërkaq, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka bërë të ditur se nuk ka nevojë për shqetësim, derisa bën apel që të përfillen rekomandimet.
Derisa vlerat e shtuara të manganit në ujin e Liqenit të Badocit vijnë si pasojë e faktorëve natyrorë dhe njerëzorë, aktualisht, sipas IKSHPK-së, uji mund të përdoret për pastrim, mirëmbajtje të higjienës dhe të ambienteve të banimit.
Pak para se të bëhet një vit prej kur dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre në Gjykatën Themelore të Mitrovicës së Veriut, Liljana Stefanovic e Nikolla Kabashiq janë shkarkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Procedurat disiplinore ndaj ish-kryetares së Gjykatës dhe ndaj udhëheqësit të divizionit të Apelit në veri, kishin nisur vitin e kaluar, kur ata kishin marrë pjesë në organizimet e Listës Serbe kundër vendimeve të Qeverisë.
Vendimin për shkarkimin e Stefanovicit e Kabashiqit, KGJK-ja e kishte marrë në korrik, por asnjëri nuk e shfrytëzoi të drejtën e ankesës në Gjykatën Supreme.
KGJK-ja është duke e hetuar edhe zv.administratorin e Gjykatës në veri, Marko Jakshiq.
Ndërkohë, KGJK-ja ende nuk i ka aprovuar dorëheqjet e pjesës tjetër të stafit të gjykatës.
Sipas kryesuesit, secili që ka konsumuar shkelje disiplinore mund të shkarkohet.
Stevanovic dhe Kabashiq, bashkë me gjyqtarët e tjerë dhe stafin administrativ të Gjykatës, i ishin bashkuar banorëve lokalë në pjesën veriore për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë për targa dhe të suspendimit të ish-drejtorit të Policisë për këtë rajon, Nenad Gjuriq, duke dhënë edhe dorëheqje nga pozitat e tyre.
Dorëheqje nga pozitat e tyre më 7 nëntor të vitit të kaluar dhanë edhe zyrtarët policorë të nacionalitet serb dhe ata të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës.
Ndërkohë, Stevanovic ishte ndëshkuar edhe kur kishte marrë pjesë vitin e kaluar në takimin e thirrur nga presidenti serb Aleksandar Vucic, në Beograd bashkë me Listën Serbe për të diskutuar rreth situatës në Kosovë.
Për klientë, zyra e ish-përmbaruesit Ilir Mulhaxha, të mërkurën, qe e mbyllur tërë ditën.
Dera e vendit të punës të të suspenduarit nga Ministria e Drejtësisë u hap vetëm për komisionin e krijuar nga po ky dikaster, i cili do t’i evidentonte lëndët, para se t’ua bartte përmbaruesve të tjerë.
Mulhaxha vendimin e konsideron politik dhe të padrejtë.
“Unë jam viktimë e këtij procesi. Po i shihni lëndët. Po presim vendimin për transferin e lëndëve, të cilin e konsideroj të paligjshëm. Vetëm se i kam zbatu vendimet gjyqësore të gjykatës së arbitrazhit”, tha Mulhaxha.
Derisa komisioni po vazhdonte evidentimin e mbi 4000 lëndëve, avokatët e Mulhaxhës dorëzuan ankesë në Gjykatën Kushtetuese.
“Mulhaxha është shkarku vetëm se ka zbatu një vendim të Gjykatës Komerciale të Kosovës. Besojmë se Gjykata Kushtetuese do t’i aprovojë argumentet tona”, tha Ylli Zeka, avokat i Ilir Mulhaxhës.
Ilir Mulhaxha u shkarkua më 28 shkurt të këtij viti, me vendim të Ministrisë së Drejtësisë, të cilin e kishte nënshkruar zëvendësministri Blerim Sallahu.
Arsye kryesore, sipas vendimit, ishin shkeljet disiplinore të cilat i kishte evidentuar Komisioni Disiplinor në punën e përmbaruesit, që është edhe vëlla i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosjes, Fatmire Mulhaxha – Kollçaku.
Për vazhdimin e diskutimeve për planin e ri për dialogun, pjesë e të cilit është asociacioni, apo forma e vetë-menaxhimit të komunitetit serb, kryeministri Albin Kurti do të zhvillojë takime me liderët e BE-së, Gjermanisë, Francës dhe Italisë.
Në margjina të Këshillit Evropian në Bruksel, të enjten, kryeministri do të takojë presidenten Ursula Von Der Lyen, kancelarin Olaf Scholz, presidentin Emmanuel Macron dhe kryeministren Giorigia Meloni.
“Takimi do të jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët, gjatë vizitës së tyre në Prishtinë, me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike, bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7”, thuhet në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit.
Duke u pajtuar me planin e ri të prezantuar nga pesë emisarët në fundjavë, Kurti shprehu gatishmërinë për vazhdimin e diskutimeve, siç theksohet, “në linjë me parimin e gjithëpërfshirjes”.
“Kryeministri Kurti ka shprehur dakordimin e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali, e cila do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, thuhet më tej në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit.
Pa treguar modelin e propozuar për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se ai nuk bie ndesh me Kushtetutën.
“Në një shikim sipërfaqësor, është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe kurrfarë niveli i pushtetit në Kosovë”, tha Konjufca.
Ndërsa, pa dhënë detaje për “propozim-modelin modern evropian” për Asociacionin, BE-ja konfirmoi se kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë do të kenë takime të ndara – dhe jo një të përbashkët të nivelit të lartë.
“Liderët, presidenti i Serbisë dhe kryeministri i Kosovës janë ftuar të vijnë në Bruksel për një seri të takimeve individuale me liderë të caktuar evropianë. Në këtë fazë nuk do të lëshohem në detaje logjistike, do t’i publikojmë ato më vonë. Por, ideja është që të kemi këto takime në margjinat e Këshillit Evropian në mbështetje të kthimit në dialog, sepse ky është mesazhi kryesor i BE-së, mesazhi i 27-shes së BE-së me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, siç është dërguar nga Përfaqësuesi i Posaçëm dhe kolegët e tij në fundjavë. Ne presim që Serbia dhe Kosova të kthehen menjëherë dhe pa kushte në përmbushjen e obligimeve të tyre që dalin nga dialogu. Menjëherë dhe pa kushte të nisin ose të vazhdojnë të punojnë për deeskalimin, si dhe urgjentisht dhe pa asnjë kusht të ri-angazhohen në dialog”, ka thënë zëdhënësi i BE-së për punë të jashtme dhe siguri, Peter Stano.
Zëdhënësi për Punë të Jashtme dhe Siguri i BE-së konfirmoi se Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, do të informojë liderët e shteteve anëtare në takimin e Këshillit Evropian lidhur me dialogun dhe raportet Kosovë – Serbi.
Këshilli, po ashtu, pritet të shqyrtojë draft-konkluzionet lidhur me dialogun dhe raportet Kosovë – Serbi.
Lista serbe të martën ndryshoi strukturën udhëheqëse të saj. Megjithatë, emrat e rinj që morën poste brenda partisë, tashmë janë të njohur në skenën politike kosovare.
Dy ish-ministra në qeveritë e kaluara në Kosovë, Ivan Todosijeviq e Dalibor Jevtiq, ky i fundit edhe ish zv/kryeministër i Qeverisë për disa vjet, morën poste drejtuese.
Jevtiq do të jetë nënkryetar i Listës Serbe, ndërkaq Todosijeviq anëtar i kryesisë. Të dy për një kohë ishin ndjekur edhe nga organet e drejtësisë në Kosovë.
Todosijeviq akuzohej për nxitje të urrejtjes, pasi mohoi masakrën e Reçakut, ndërkohë, Jevtiq ishte përballur me akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare, sa ishte ministër për komunitete dhe kthim.
Përveç tyre, pjesë e kryesisë janë edhe dy ish-deputetë të Kuvendit të Kosovës, Sllavko Simiq dhe Verica Qeraniq.
Jashtë kryesisë nuk mbetën as 3 ish-kryetarë të komunave, përfshirë atë të Zveçanit, Dragisha Milloviq, Sërgjan Popoviq, ish-kryetar i Graçanicës dhe Sërgjan Vulloviq i Zubin Potokut.
Brenda kryesisë do të jenë edhe Sasha Milloshevic, ish-nënkryetar i listës serbe dhe Nemanja Bishevac (ish-Kryetar i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut).
Ndërkohë, njëra prej figurave më kryesore brenda partisë, ish-nënkryetari Igor Simiq, tashmë do të jetë vetëm zyrtar për marrëdhënie me publikun.
Ndërkohë, për atë që drejtoi këtë parti për 10 vjet rresht nuk u tha se do të marrë ndonjë post të ri. Megjithatë, me gjithë ndryshimet, vlerësohet se përsëri duhet parë ligjshmëria e veprimtarisë politike të listës serbe.
“Institucionet e Kosovës, Listën Serbe duhet të shqyrtojnë me shumë kujdes sa i përket ligjshmërisë së veprimtarisë së saj politike dhe të drejtës së saj për të garuar në zgjedhje. Shpallja e zgjedhjeve është proces që kërkon kohë. Procesi më i rëndësishëm është ai i sigurisë”, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Sipas kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, me këtë veprim Lista Serbe nuk mund ta pastrojë veten nga përgjegjësia e sulmit më Banjskë.
Ditë më para, para se ta ndërronte kryesinë, Lista Serbe tregoi gatishmëri për mbajtje të zgjedhjeve në katër komunat veriore, komuna këto që i lëshuan me dëshirë në nëntor të vitit të kaluar, kur braktisën institucionet e Kosovës.
Një muaj pas sulmit në Banjskë, në të cilin u vra rreshteri Afrim Bunjaku, bastisjet në katër komunat veriore janë duke vazhduar.
Policia e Kosovës, të mërkurën, kreu kontrolle në 8 lokacione.
Gjatë ditës u raportua se policia kreu bastisje në banesën e Vladimir Toliqit, njërit nga pjesëtarët e grupit terrorist, i cili kishte mbetur i plagosur gjatë sulmit në Banjskë dhe më pas ishte arrestuar.
Megjithatë, kjo nuk u konfirmua nga zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, i cili tha se hetimi për ngjarjen e 24 shtatorit është delikat.
Ndonëse, të mërkurën nuk u arrestua askush, gjatë një muaji hetime e bastisje, policia ka konfiskuar sasi të mëdha armatimi – nga granatahedhësit deri tek eksplozivët.
Pjesë e municionit të sekuestruar para një jave, ishte edhe një minë kundër këmbësorisë e tipit MRUD, me llojin e të cilës dyshohet se u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
Sipas disa informacioneve të konfirmuara, që nga 24 shtatori janë kontrolluar rreth 30 lokacione.
Nevrij Ademi nga Tetova, në emisionin STUDIO A në ATV, ka rrëfyer një histori te tije shumë emocionale.
Ai madje ka treguar se deri në moshën 14-vjeçare nuk e dinte se gruaja e cila e kishte rritur, në fakt ishte njerka e tij dhe jo nëna biologjike.
Historia e takimit të tij të parë me nënën biologjike është sa tejet prekëse.
I riu tregon se si në dasmën e tij, nëna kishte refuzuar të shkonte, por më pas, ajo i kishte bërë befasinë, për të cilën thotë se nuk do ta harrojë tërë jetën.
Rrëfimin e plotë të tij e gjeni në videon më poshtë:
Misioni i OSBE-së në Kosovë e ka publikuar raportin e fundit në të cilin thuhet se përdorimi i tepruar i paraburgimit është çështje globale që paraqet shqetësim për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, ndërsa edhe Kosova përballet me sfida të ngjashme.
Sipas kësaj, duhet të bëhen përpjekje për të përmirësuar cilësinë e arsyetimeve në kërkesat e prokurorisë, parashtresat e mbrojtjes dhe vendimet gjyqësore përpara se të vendoset kjo masë.
“Raporti vë në dukje praktika pozitive në sistemin e drejtësisë, krahasuar me konstatimet në raportet e mëparshme të OSBE-së, si për shembull respektimi i afateve procedurale dhe sigurimi i përfaqësimit të të gjithë të pandehurve me avokatë në seancat e paraburgimit. Megjithatë, raporti po ashtu vë në dukje brenga, duke përfshirë mungesën e shfrytëzimit të alternativave ndaj paraburgimit (si lirimi me dorëzani), arsyetimin e pamjaftueshëm në vendimet për paraburgim, si dhe dështimin në individualizim të vendimeve në rastet ku ka disa të pandehur, thuhet në njoftim.
“Raporti përfundon me rekomandime specifike të shënjestruara për palët më kryesore të drejtësisë, sidomos për sa i përket trajnimit dhe zgjerimit të alternativave të disponueshme ndaj paraburgimit në fazën paraprake”.
Raporti ka analizuar 70 seanca të “paraburgimit” të monitoruara nga Misioni në mbarë Kosovën në vitin 2022, nëntë vendime të apelit në vitin 2023, në lidhje me pajtueshmërinë me standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë dhe të të drejtave të njeriut.
Misioni do ta pasojë publikimin e raportit me diskutime në tryeza të rrumbullakëta me palët homologe të drejtësisë në mbarë Kosovën, për të diskutuar gjetjet dhe rekomandimet.