ATV

Author: ATVLive

  • Nisin hetime penale ndaj Lëvizjes për Braktisjen e fesë Islame

    Nisin hetime penale ndaj Lëvizjes për Braktisjen e fesë Islame

    Para disa ditësh në Deçan u tubuan rreth 70 persona me iniciativë për krijimin e Lëvizjes për Braktisjen e fesë Islame.

    Por disa ditë pas themelimit të kësaj lëvizje është iniciuar hetime lidhur veprimtarisë së saj këtë për Paparacin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi.

    “Ne si prokurori që nga paraqitja publike e këtyre qytetarëve dhe iniciativës së tyre, e kemi monitoruar në vazhdimësi dhe njëkohësisht sot, Prokuroria Themelore e Pejës ka hapur rast, për verifikim të asaj nëse ka elemente të veprës penale të nxitjes së urrejtjes apo mos durimit dhe varësisht nga ajo çka mund të rezultojë do të ndërmerren edhe hapat dhe veprimet e mëtutjeshme”, tha Nikçi.

    Pas nisjes së kësaj lëvizje doli me një reagim Këshilli i Bashkësisë Islame të Kosovës.

    BIK, Dega në Deçan, tha shprehu indinjatë me formimin e lëvizjes, për të cilën tha se “s’ka qëllime të mira për shoqërinë tonë”.

    “Këshilli i Bashkësisë Islame në Deçan, shpreh indinjatën e thellë lidhur me formimin e të ashtuquajturës “Lëvizje për braktisjen e fesë islame”, meqë siç u pa e u dëgjua, ajo s’ka qëllime të mira për shoqërinë tonë. Aty vërehen elemente përçarëse dhe nxitje të urrejtjes ndër-fetare, si dhe mosdurim fetar dhe njerëzor”, tha BIK.

  • ​Kurti nis takimet me udhëheqësit evropianë

    ​Kurti nis takimet me udhëheqësit evropianë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nisi takimet me udhëheqësit evropianë, në margjina të një samiti të BE-së në Bruksel.

    Takime të tilla pritet të zhvillojë ndaras edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, ato janë vazhdimësi e procesit që filloi fundjavën e kaluar, kur e ashtuquajtura “pesëshe e madhe” e të dërguarve perëndimorë vizitoi Prishtinën dhe Beogradin.

    “Ideja është që këto takime të zhvillohen në margjinat e samitit të BE-së, në mbështetje të kthimit në dialog. Mesazhi i BE-së është se presim që të dyja palët, Serbia dhe Kosova, t’iu kthehen menjëherë dhe pa pengesa detyrimeve që dalin nga dialogu, të punohet menjëherë për uljen e tensioneve dhe rifillimin e dialogut”, tha Stano.

    Kurti dhe Vuçiq po priten veç e veç nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.

    Në takime do të jetë i pranishëm edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, si dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

    Stano tha se ndonjë takim mes Kurtit dhe Vuçiqit, tash për tash, nuk është planifikuar.

    Por, disa burime diplomatike në Bruksel thanë se takimi i tyre i përbashkët do të varet nga takimi me udhëheqësit evropianë.

    Përfaqësuesit e këtyre të fundit janë pjesë e “pesëshes së madhe” që vizitoi Prishtinën dhe Beogradin më 21 tetor dhe u paraqiti një plan për normalizimin e marrëdhënieve.

    Stano konfirmoi se plani përmban një “propozim modern evropian” për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ndërsa, sipas burimeve të BE-së, nga Serbia kërkon të konfirmojë mbështetjen e saj për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve.

    Qeveria e Kosovës tha se Kurti është pajtuar që ky plan të jetë “korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate”.

    Kurti dhe Vuçiq u takuan për herë të fundit më 14 shtator, por pa ndonjë përparim.

    Dhjetë ditë më vonë ndodhi sulmi në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë një zyrtar policor.

    Gjatë përleshjeve, që nxitën shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon, u vranë edhe tre sulmues serbë.

    Duke folur për gazetën britanike, Financial Times, më 25 tetor, Kurti tha se “nëse nuk do të ketë dënime dhe sanksione ndaj Serbisë pas asaj që ka bërë, definitivisht nuk do të ketë dialog”.

    Ky proces që synon normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë nisi në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së.

    Palët arritën dhjetëra marrëveshje për këtë qëllim, por shumë prej tyre nuk u zbatuan kurrë.

    Një nga to është edhe ajo për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    Edhe pse ka marrëveshje nga viti 2013 për të, zyrtarët në Prishtinë thonë se e tillë siç është, do të ndikonte keq në funksionalitetin e shtetit dhe kanë dalë me disa propozime të tjera për rregullimin e çështjeve të komuniteteve pakicë.

    Por, si BE-ja, ashtu edhe SHBA-ja e rritën së voni trysninë mbi Kosovën për të formuar Asociacionin.

    Derisa nga SHBA-ja thonë se ai duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, për BE-në çështja se si bëhet Asociacioni dhe si do të operojë, duhet të diskutohet në dialog. /REL

  • ​Mustafa: Qeveria “zhvillimin e hovshëm ekonomik” duhej ta ndante me shërbyesit civilë

    ​Mustafa: Qeveria “zhvillimin e hovshëm ekonomik” duhej ta ndante me shërbyesit civilë

    Deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Besian Mustafa deklaroi se gjatë mandatit të qeverisë aktuale, investimet kapitale janë minimale.

    Sipas tij, inflacioni në produktet ushqimore gjatë këtyre tri viteve është mbi 100 për qind. Teksa komentoi deklaratat e udhëheqësve për zhvillim të hovshëm ekonomik, Mustafa në seancën e jashtëzakonshme tha se një gjë e tillë do të duhej të ndahej me shërbyesit civilë në vend.

    Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputeti Mustafa tha se është fatkeqësi që sa herë diskutohen tema të rëndësishme, partia në pushtet refuzon të debatojë.

    “Në këto tri vite të këtij pushteti, në mënyrë kumulative inflacioni ka kaluar shifrën mbi 20 për qind. Ndërkaq, nëse e analizojmë inflacionin te produktet esenciale në shumicën e tyre, ajo tejkalon edhe normën prej 100 për qind. Pra, inflacioni te produktet ushqimore në këto tri vite është mbi 100 për qind, tek energjia mbi 100 për qind, te derivatet gati 100 për qind shtrenjtim në këto tri vitet e kaluara. Nëse flasim pastaj për punën, ose thënë ndryshe për mos punën e qeverisë, në këto tri vite investimet kapitale ose realizimi i tyre krahas buxhetit të planifikuar është minimal. Në secilin vit është keq e më keq, realizimi i investimeve kapitale”, deklaroi Mustafa, përcjell kp.

    Tutje, Mustafa tha se skemat sociale të qeverisë nuk ofrojnë zhvillim ekonomik e as zgjidhje afatgjate.

    “Një qeveri, e cila ka deklaruar se kanë arritur një zhvillim të pashembullt, e këtu e them me cinizëm ose e vlerësoj me cinizëm deklaratën e tyre, këtë zhvillim të hovshëm në thonjëza ekonomik, janë të pa vullnetshëm ta ndajnë me qytetarët e tyre ose me shërbyesit civilë të tyre, që nëse është e vërtetë që kanë arritur përmes projekteve të kësaj qeverie, të kenë një zhvillim të pashembullt ekonomik, mos të harrojnë që këta shërbyes civilë janë ata të cilët e kanë realizuar vizionin e tyre, programin e tyre. Të paktën, do të duhej që të ndanin këtë zhvillim të hovshëm ose të pashembullt ekonomik me po këta zyrtarë që u kanë ekzekutuar këtë vizion”, shtoi ai.

    Seanca e jashtëzakonshme me debatin parlamentar të ftuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po vazhdon, ndërkohë që të pranishëm nuk janë edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

  • ​Opozita skeptike për takimin e sotëm në Bruksel

    ​Opozita skeptike për takimin e sotëm në Bruksel

    Deputetët opozitarë shprehen skeptik për takimin e sotëm të kryeministrit të vendit, Albin Kurti me liderët evropianë. Të njëjtit akuzojnë Kurtin për mostransparencë lidhur me përmbajtjen e “propozimit modern evropian” për draft-statusin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ata kërkojnë nga shefi i ekzekutivit të dalë me sqarime sa i përket këtij plani.

    Deputeti i PDK-së Xhavit Haliti, tha se duhet të vazhdojnë takimet në mënyrë që të ulen tensionet, porse shton se nga takimi i sotëm përveç akuzave që do të hedhin të dy palët, nuk pret diçka tjetër të mirë për vendin.

    Ai po ashtu tha se pengesë për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani janë qëndrimet e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

    “Ajo që është më rëndësi është se ka rifilluar njëfarë mënyre përafrimi ose janë rivendosur prapë kontakte mes dy vendeve. Është e domosdoshme që të bisedohet, siç thonë më mirë të bisedohet me vite se sa të luftohet veç një ditë. Sot unë besoj që të dytë në këto takime të ndara do ta akuzojnë njëri-tjetrin. Unë nuk pres diçka, pres që të vazhdojë ky dialog. Të vazhdojnë takimet, që të ulen tensionet dhe që të mos luaj asnjëri, e në veçanti Vuçiqi me të ardhmen e Kosovës. Sepse ai është mësuar çdo herë të akuzojë Kosovën e cila gjoja nuk po i zbaton marrëveshjet. E vërteta është që pengesë për moszbatimin e marrëveshje janë qëndrimet e Serbisë, qëndrimet e presidentit të Serbisë, i cili në vazhdimësi përpiqet të minojë përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për të arritur tek një marrëveshje”, tha Haliti.

    Ndërkaq, deputetja nga radhët e LDK-së, Rrezarta Krasniqi tha se sipas planit, kryeministri Kurti do e pranojë themelimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe. E njëjta, derisa e quan “tradhtar”, shton se më e udhës do të ishte që të informoheshin nga vet kryeministri Kurti për draft-statusin.

    “Takimin që është sot e kemi parë vetëm përmes mediave dhe atë planin që kanë dorëzuar emisarët që kanë qenë të shtunën, ne nuk kemi informacione tjera. E rrugës do të ishte që kryeministri Kurti të vijë në Kuvendin e Kosovës të tregojë për atë plan. Mirëpo, ky proces i dialogut nuk ka pasur aspak transparencë, mirëpo po presim çfarë po ndodh sot. Në atë plan thuhet se ka të bëjë me mbajtjen e zgjedhjeve në vëri, gjithashtu është i përfshirë edhe Asociacioni, pra, Zajednica ku më herët kryeministri Kurti i ka quajtur tradhtar ata që janë marrë në vitin 2013 dhe 2015, mirëpo tani siç shihet në atë dokument më duket se është pranuar, sepse vet takimi që ka me ta sot, mendoj se ai do ta pranojë Asociacionin që dikur e ka quajtur Zajednicë”, thaKrasniqi.

    Se kryeministri nuk është transparent, e thotë edhe deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj. E njëjta kërkon nga Kurti që marrëveshja të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

    “Është një proces komplet jotransparent, sepse ne nuk e kemi atë draftin që është prezantuar nga emisarët që kanë qenë në Prishtinë, nuk është bërë publik ai draft. Ne tërthorazi kemi dëgjuar nga liderët e partive në pushtet a është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës se çka do të pranohet. Neve nuk na befasojnë edhe ndryshimet e kryeministrit Kurti që ka thënë se ‘pa i vendosur Serbisë sanksione nuk do të dialogojmë, e po ashtu deri në daljen e raportit në ngjarjes e Banjskës’, mirëpo për ne gjitha këto ndryshimet e kryeministrit, Kurtit nuk janë rastësi, sepse e ka bërë të kundërtën, pra ka dialoguar. Të shohim çfarë po ndodh, nuk ka ardhur të raportojë në Kuvend, nuk ka thirr liderët opozitarë, gjithë ky proces është një mjegull. Ajo që kërkojmë është që marrëveshja të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të respektohet sovraniteti e integriteti i Kosovës”, tha Kadriaj.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohen sot ndaras me liderë të caktuar të Bashkimit Evropian.

    Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i cili ka deklaruar se të enjten në Bruksel nuk do të ketë takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Ai theksoi po ashtu se presin që të dyja palët, Serbia dhe Kosova, të kthehen menjëherë dhe pa kushte në përmbushjen e detyrimeve të tyre që rrjedhin nga dialogu, të fillojnë menjëherë dhe pa kushte të punojnë për de-përshkallëzimin ose të vazhdojnë punën për de-përshkallëzim.

    Qeveria e Kosovës ka njoftuar se kryeministri Kurti në margjinat e samitit të liderëve të shteteve anëtare të BE-së, do takojë liderët e Gjermanisë, Olaf Scholz, Francës, Emmanuel Macron, e të Italisë Giorgia Meloni, si dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen. /KP

  • ​Kosova me ngritje rekorde në ranglistën e FIFA-s

    ​Kosova me ngritje rekorde në ranglistën e FIFA-s

    Sikurse Shqipëria, edhe Kosova ka shënuar ngritje të ndjeshme në renditjen e re të publikuar nga FIFA.

    Kosova ka kaluar nga vendi i 111-të në pozitën e 105-të, duke pasur 1190.74 pikë pas fitores ndaj Andorrës në muajin tetor.

    Përveç Kosovës, ngritje ka shënuar edhe kombëtarja e Shqipërisë, e cila ka kaluar tri pozita në renditjen e re të FIFA-s.

    Argjentina vazhdon kryesimin, e ndjekur nga Franca e dyta, Brazili i treti, Anglia e katërta dhe Belgjika si e pesta në pesë pozitat e para të pandryshuara.

  • Hoxha: Nuk ka konfirmim zyrtar që Kurti ka pranuar plan të ri

    Hoxha: Nuk ka konfirmim zyrtar që Kurti ka pranuar plan të ri

    Kryeredaktori i ATV-së, Leart Hoxha, në emisionin A LIVE, tha se nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar që kryeministri Kurti ka pranuar ndonjë plan të ri, pasi që ky i fundit, sipas Hoxhës, është duke insistuar te plani i zbatimit të marrëveshjes së Ohrit.

    “Për shkak se afatet e Ohrit janë shkelë edhe s’janë respektu, edhe ai aneks mirë ka qenë atë ditë, kemi shku krejt në Ohër, kemi qenë dyqind gazetarë, s’ka dalë asgjë prej asaj pune, për shkak se u shkel aneksi, kanë qenë afate prej 150 ditëve për Konferencë të Donatorëve, ka kalu në gusht, e tjerë e tjerë, situata që e kemi është që duhet të vendosen afatet e reja, edhe nëse edhe sot vendosen afate edhe shkelen, atëherë mund të flasim për pasoja. Por, a u pranu plani i ri në momentin që ka takime, pritet që një plan ndoshta të mos jetë dokument, ndoshta të mos kemi diçka çfarë kemi pasë në Ohër, po këta lider, duhet të merren vesh për do data edhe për do veprime, përndryshe s’kish pasë fort kuptim çka është të ndodhë sot”, tha Hoxha. /atvlive.tv

  • Përfundon protesta kundër ndërprerjes së punimeve në “Rrugën A”

    Përfundon protesta kundër ndërprerjes së punimeve në “Rrugën A”

    Ka përfunduar protesta në lagjen Kalabria në Prishtinë, përmes të cilës kundërshtua vendimi për ndërprerjen e punimeve në projektin “Rruga A”.

    Përveç pezullimit të punimeve në projektin “Rruga A”, qytetarët protestuan edhe për planin e ndërtimit të kësaj lagjeje që nuk po votohet ne Kuvendin Komunal të Prishtinës.

    Kujtojmë se ditë më parë, Gjykata Komerciale ka marrë vendim pezullimin e projektit të ndërtimit të Rrugës A.

    Vendimi është nxjerrë të martën për shkak të ankesës së një operatori ekonomik kundër tenderit.

    Komercialja e ka vlerësuar të bazuar ankesën e kompanisë ‘Pro & Co Group’ dhe e ka shtyrë ekzekutimin e vendimit.

    “Gjykata po ashtu vlerësoi se shtyrja e ekzekutimit të vendimit dhe pezullimi i aktivitetit të prokurimit “Ndërtimi i Rrugës A – Pjesa e parë”, me numër të prokurimit 616-22-7096-5-1-2, iniciuar nga Autoriteti Kontraktues Komuna e Prishtinës, deri në shqyrtimin e pretendimeve të ngritura për shkeljet e pretenduara procedural është më se i duhur që të ruhet interesi publik”, thuhet në vendimin e Komerciales.

    Punimet do të ndërpriten deri në shqyrtimin e pretendimeve të ngritura për shkeljet e pretenduara në procesin e tenderit. /atvlive.tv

  • Universiteti Drake nderon Osmanin me çmimin për Qytetari Globale

    Universiteti Drake nderon Osmanin me çmimin për Qytetari Globale

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, aktualisht ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku është duke e zhvilluar ditën e dytë të vizitës së saj në Iowa.

    Sot, Universiteti Drake, një institucion prestigjioz i njohur për promovimin e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit global, vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të Presidentes Osmani duke i dhënë asaj çmimin e çmuar të Qytetarisë Globale.

    Ky vlerësim është një dëshmi e përkushtimit të saj të palëkundur për të nxitur bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të avokuar për çështje globale gjatë mandatit të saj si presidente e Kosovës.

    Çmimi Global i Qytetarisë është një nder i dalluar që u jepet individëve që kanë demonstruar përkushtim të jashtëzakonshëm për promovimin e unitetit, gjithëpërfshirjes dhe respektit të ndërsjellë në skenën e politikës globale. /atvlive.tv

  • Ministria e Bujqësisë pezullon nga puna Fehmi Gecin

    Ministria e Bujqësisë pezullon nga puna Fehmi Gecin

    Drejtor i Institutit Bujqësor të Pejës, Fehmi Geci, është pezulluar nga puna nga Ministria e Bujqësisë, raporton ATV.

    Për më shumë detaje, do të njoftoheni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në ora 19:00.

  • ​Osmani: Kosova, historia më e madhe e suksesit të politikës së jashtme amerikane

    ​Osmani: Kosova, historia më e madhe e suksesit të politikës së jashtme amerikane

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se sulmi terrorist më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit ishte akt i agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, që kishte synim aneksimin e veriut.

    Në ditën e dytë të vizitës së saj në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Osmani tha se Kosova është rezultati dhe historia më e madhe e suksesit të politikës së jashtme amerikane.

    Në një ligjëratë para studentëve të Universitetit Drake, e para e vendit akuzoi Serbinë se po dëshiron të nxisë luftë në rajon.

    “Ne asnjëherë nuk i kemi karakterizuar këto si tensione mes Kosovës dhe Serbisë, sepse nuk po sulmojmë askënd, ne jemi në shtëpinë tonë dhe po sulmohemi. Ajo që ndodhi më 24 shtator ishte kulmi i një akti të rëndë agresioni që Serbia po i bënte popullit të Kosovës brenda territorit tonë dhe atë ditë ishin një numër i grupeve terroriste që hynë në Kosovë me numër të madh armësh, armë të shkallës ushtarake me të cilat planifikonin të aneksonin veriun e Kosovës. Policia jonë ka vepruar me shumë profesionalizëm dhe ka penguar aktin e agresionit që në minutat e para të tij. Por, nëse ne nuk do të ishim aq efektivë në fillim, padyshim që ata do të kishin qenë efektiv në afrimin gjithnjë e më shumë brenda veriut të Kosovës dhe aneksimin e pjesëve të territorit tonë. Sigurisht që atëherë do të detyroheshim të përgjigjeshim dhe kjo do të destabilizonte jo vetëm Kosovën, por pjesën tjetër të rajonit… Ai ishte një plan që destabilizoi të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe na ktheu në vitet ’90, të mbushura me dhunë. Fatkeqësisht, këtë dëshiron Serbia. Ajo është ende e udhëhequr nga mendësia e viteve ’90. Ata duan të rrëmbejnë territorin nga fqinjët e tyre, duan të shkaktojnë më shumë vuajtje dhe luftë. Ne duam të mbrojmë paqen dhe stabilitetin në vendin tonë dhe më gjerë, sepse e dimë se sa vuajti populli ynë dhe sa vuajtën të gjithë të tjerët në rajon për shkak të mendësisë që ekzistonte në Serbi në vitet ’90”, theksoi Osmani.

    Përkitazi me këtë, Osmani, tha se angazhimi më i madh i trupave të NATO-s në Kosovë do të bëjë që mos të lejohen të hyjnë njerëz të armatosur në territorin e vendit.

    “Ajo që po bëjmë tani është se po rrisim nivelin e sigurisë dhe kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sepse të kesh një kufi të sigurt është një aspekt themelor i mos lejimit të njerëzve të armatosur, automjeteve të armatosura dhe armëve që të hyjnë në Kosovë në mënyrë që ata mund të shkaktojë dhunë, dhe së dyti ne kemi më shumë trupa të NATO-s tani në Kosovë që po na ndihmojnë të merremi me këtë. Pra, dua të them se kur Serbia sulmon, ajo jo vetëm që po rrezikon jetën e popullit të Kosovës, por po rrezikon edhe jetën e ushtarëve amerikanë që shërbejnë në Kosovë, në shumicën e rasteve kjo do të thotë anëtarët e Gardës Kombëtare të Iowa-s, pra, ata po rrezikojnë edhe popullin e Shteteve të Bashkuara”, shtoi ajo.

    Në anën tjetër, Osmani tha se Kosova është rezultat dhe historia më e madhe e suksesit të politikës së jashtme amerikane.

    “Kosova është rezultat dhe historia më e madhe e suksesit të politikës së jashtme amerikane, ne jemi të lirë, të pavarur dhe demokraci për shkak të investimeve të SHBA-së në vendin tonë. Putini në çdo konferencë për shtyp thotë se ‘do t’ju dëshmoj se Kosova është një dështim amerikan’. Pra, për të, është një luftë kundër Amerikës. Ai po na sulmon sepse dëshiron të të sulmojë ty (Amerikën). Pra, Kosova është një histori suksesi, është kaq e rëndësishme për t’u mbrojtur dhe ruajtur sepse në fund të fundit duke destabilizuar pjesën tonë të botës, Rusia dëshiron të hapë një front të ri kundër Perëndimit, një front të ri kundër Amerikës, dhe ne nuk duhet të lejojmë ndodh. Pra, ne duhet të jemi në këtë së bashku. Dhe në këtë rast, parandalimi është thelbësor”, theksoi Osmani.

    Gjatë qëndrimit në Iowa të ShBA-së, Osmani u prit ne takim edhe nga kryetari i qytetit Norwalk, Tom Philips, nga i cili u nderua me Çelësin e Qytetit dhe Yllin e Norwalkit.

    Ajo pati edhe një bashkëbisedim me kryetaret e qyteteve të binjakëzuara me disa nga qytetet e Kosovës, ku u zotuan që marrëdhëniet ndërmjet qyteteve, shkollave dhe bizneseve të Iowa-s e të Kosovës, do të vazhdojnë të thellohen, duke forcuar më tej dhe duke i bërë kështu lidhjet midis popujve tanë edhe më të fuqishme.

    Osmani takoi edhe diasporën shqiptare në Iowa ku iu falënderua atyre për mbështetjen ndaj atdheut.

    Presidentja Osmani po qëndron për një vizitë zyrtare disaditore në Iowa të ShBA-së.