ATV

Author: ATVLive

  • Superliga e Kosovës: Gjilani përballet me Ballkanin në ndeshjen e fundit të xhiros së parë

    Superliga e Kosovës: Gjilani përballet me Ballkanin në ndeshjen e fundit të xhiros së parë

    Elita e futbollit kosovar vazhdon sot pasdite me një përballje interesante mes Gjilanit dhe Ballkanit, që zhvillohet në stadiumin e qytetit në Gjilan.

    Kjo ndeshje shënon përmbylljen e xhiros së parë të sezonit të ri në Superligën e Kosovës, me të dyja skuadrat që synojnë ta nisin kampionatin me fitore.

    Gjilani ka qenë ndër skuadrat më aktive gjatë afatit kalimtar veror, duke sjellë përforcime të rëndësishme në ekip, ndërsa Ballkani – kampion i shumëfishtë në vitet e fundit – mbetet një kundërshtar serioz dhe i fortë.

    Një duel i fortë pritet sot, në një sezon që parashikohet të jetë mjaft konkurrues dhe emocionues.

    Ndeshja fillon në orën 16:30.

  • Kristjan Asllani drejt largimit nga Interi, Bologna bën presion për transferimin

    Kristjan Asllani drejt largimit nga Interi, Bologna bën presion për transferimin

    Pas tre sezoneve në radhët e Interit, aventura e mesfushorit shqiptar Kristjan Asllani pritet të përfundojë. Klubi zikaltër i ka bërë të ditur lojtarit se nuk bën më pjesë në planet e skuadrës për sezonin e ri.

    Asllani është i vendosur të qëndrojë në Serie A, dhe në këtë drejtim, Bologna është ekipi që po tregon interes konkret për shërbimet e tij. Interi synon ta shesë për një shumë rreth 16 milionë euro dhe të ruajë një përqindje nga fitimi i mundshëm në një shitje të ardhshme.

    Java në vijim pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e 22-vjeçarit, ndërsa Bologna po përpiqet ta mbyllë sa më parë marrëveshjen, përpara startit të kampionatit.

  • Lukaku dëmtohet, Napoli kërkon sulmues të ri

    Lukaku dëmtohet, Napoli kërkon sulmues të ri

    Sulmuesi Romelu Lukaku ka pësuar një dëmtim të rëndë në kofshë gjatë miqësores ndaj Olympiacosit, çka mund ta mbajë jashtë fushave deri në nëntor.

    Napoli ka konfirmuar lëndimin e belgut dhe është në pritje të skanimeve të mëtejshme.

    Si pasojë, trajneri Antonio Conte mund të rikthehet në merkato për një sulmues qendre. Në listën e mundshme janë Zirkzee, Mateta, Dovbyk dhe Kristovic.

     

  • Radovan Vishkoviq jep dorëheqje nga posti i kryeministrit të Republikës Sërpska

    Radovan Vishkoviq jep dorëheqje nga posti i kryeministrit të Republikës Sërpska

    Radovan Vishkoviq, kryeministër i entitetit të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska, dha dorëheqje nga posti i tij të hënën, më 18 gusht.

    Ai është anëtar i Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur, të udhëhequr nga Millorad Dodik.

    Vishkoviq ishte në krye të Qeverisë së Republikës Sërpska që nga viti 2018, ndërsa mandatin e tij opozita shpesh e ka kritikuar për mënyrën e menaxhimit të resurseve të entitetit, për dhe qasjen ndaj institucioneve të Bosnje e Hercegovinës.

    Që nga korriku i vitit 2023, Vishkoviq gjendet në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shkak të kërcënimeve ndaj Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, dhe cenimit të sovranitetit të Bosnje e Hercegovinës.

    Siç pati bërë të ditur atëherë Departamenti amerikan i Thesarit, Vishkoviq është një nga udhëheqësit në RS, i cili mban përgjegjësi “për nxitjen e miratimit të ligjeve në Kuvendin Popullor të Republikës Sërpska, me të cilat vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës shpallen të pazbatueshme në RS, duke penguar dhe rrezikuar kështu zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit”.

    Këto sanksione përfshijnë ndalimin e hyrjes në SHBA dhe ngrirjen e pasurisë që gjendet nën juridiksionin e tyre.

    Vishkoviq është gjithashtu një nga të dyshuarit në hetimin e Prokurorisë së Bosnje e Hercegovinës për veprën penale të sulmit ndaj rendit kushtetues.

    Për të njëjtën vepër akuzohen edhe Dodik, president i Republikës Sërpska, si dhe Nenad Stevandiq, kryetar i parlamentit të entitetit.

  • Poeti Lulzim Tafa pjesë e ekspozitës ndërkombëtare poetike “Shi Xu” në Shangai të Kinës

    Poeti Lulzim Tafa pjesë e ekspozitës ndërkombëtare poetike “Shi Xu” në Shangai të Kinës

    Poezitë e poetit të mirënjohur kosovar Lulzim Tafa janë përzgjedhur krahas poezive të 100 poetëve botërorë që po marrin pjesë në ekspozitën ndërkombëtare poetike me titull “Shi Xu” (Fije Poetike), e cila po mbahet në qytetin e kulturës, Shangai të Kinës. Ekspozita, e që nisi më 13 gusht, do të qëndrojë e hapur deri më 17 shtator 2025 në Bibliotekën e Qytetit të Shangait, një qytet me mbi 24 milionë banorë, i njohur për pasurinë dhe shumëllojshmërinë kulturore.

    Vargjet e poetit Lulzim Tafa u prezantuan në Shangai krahas figurave më të njohura botërore të letërsisë si Paul Celan, Dylan Thomas, e Rabindranath Tagore, si dhe poetë të tjerë klasik e modernë nga Kina dhe e gjithë bota.

    Si pjesë e Panairit të Librit të Shangait 2025, ekspozita “Shi Xu” është një ndër ngjarjet më të rëndësishme poetike në Shangai dhe ka për qëllim të eksplorojë fuqinë shëruese të poezisë për shpirtin, duke ndërthurur poezi me instalacione artistike dhe interaktive. Kjo iniciativë kulturore fokusohet në mbështetjen e shëndetit mendor, duke u ofruar vizitorëve një eksperiencë e cila kërkon përfshirje të thelluar në poezi dhe ndërtim të forcës së brendshme.

    Biblioteka e Qytetit të Shangait, e njohur edhe si “Kështjella e Vogël e Shangait” me arkitekturën e saj të jashtëzakonshme dhe historinë e pasur, po mirëpret ekspozitën në një ambient që nxit dhe promovon trashëgiminë kulturore dhe inovacionin artistik.

    Ekspozita përmban edhe elemente të veçanta interaktive, siç janë kabinat klasike të telefonit ku vizitorët mund të lexojnë poezi të ndryshme nga poetë nga anembanë bota, duke krijuar kështu një ndjesi të paharruar për lexuesit e poezisë.

    Kjo ngjarje ka një rëndësi të veçantë për letërsinë shqipe, pasi promovon vlerat shpirtërore dhe kulturore të poezisë sonë në një qytet me rëndësi të madhe kulturore, siç është Shangai.

    Lulzim Tafa është njeri prej poeteve më të njohur dhe më të përkthyer të letërsisë shqipe në botë.

  • NLB Banka bëhet Sponsor Gjeneral i FC Prishtina

    NLB Banka bëhet Sponsor Gjeneral i FC Prishtina

    Me shumë entuziazëm dhe krenari, NLB Banka zyrtarizoi sot vazhdimin e partneritetit me klubin më të vjetër dhe më të njohur të futbollit në Kosovë – FC Prishtina, duke u bërë Sponsor Gjeneral i klubit për sezonin e ri.

    Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes u mbajt sot, ku morën pjesë z. Rahman Haradini, President i FC Prishtina, dhe z. Gem Maloku, Kryetar i Bordit Udhëheqës në NLB Banka.

    “NLB Banka ka besuar gjithmonë në fuqinë e sportit për të bashkuar njerëzit dhe për të frymëzuar komunitetin. Jemi të lumtur që përmes këtij partneriteti po kontribuojmë në zhvillimin e futbollit vendor dhe po mbështesim një klub me histori të pasur dhe ambicie të mëdha,” tha z. Maloku gjatë ceremonisë.

    Nga ana e tij, Presidenti i FC Prishtina, z. Rahman Haradini, u shpreh: “Ky bashkëpunim me NLB Banka ka qenë një shtyllë e rëndësishme për klubin tonë. Mbështetja e tyre na ka ndihmuar të rrisim kapacitetet tona dhe të synojmë rezultate të larta, jo vetëm në garat vendore, por edhe në ato ndërkombëtare.”

    Ky partneritet i fuqizuar është dëshmi e angazhimit strategjik të NLB Banka për të investuar në sport, si një mjet për zhvillim shoqëror, frymëzim dhe bashkim komunitar. Banka vazhdoi të tregojë se është më shumë se një institucion financiar – është një partner i vërtetë i komunitetit.

  • Ne jemi liderë! – Krijim i jashtëzakonshëm me AI nga studentët e shkencave kompjuterike të kolegjit AAB

    Ne jemi liderë! – Krijim i jashtëzakonshëm me AI nga studentët e shkencave kompjuterike të kolegjit AAB

    Një projekt kreativ dhe frymëzues është realizuar nga studentët e shkencave kompjuterike të Kolegjit AAB, të cilët kanë krijuar një video unike duke përdorur teknologjinë më të avancuar të inteligjencës artificiale (AI).

    Me mesazhin e fuqishëm “Ne jemi liderë!”, kjo video përfaqëson shpirtin inovativ, ambicien dhe përkushtimin e të rinjve drejt së ardhmes digjitale.

    Krijimi pasqyron jo vetëm aftësitë teknike të studentëve, por edhe vizionin e kolegjit AAB për të përgatitur liderët e së nesërmes.

    Për të parë projektin klikoni KËTU.

  • Për shkak të kushteve të shtuara të kërcënimit, nisma rajonale për menaxhimin e zjarreve në nivel peizazhi në Ballkanin Perëndimor është duke u zbatuar aktualisht

    Për shkak të kushteve të shtuara të kërcënimit, nisma rajonale për menaxhimin e zjarreve në nivel peizazhi në Ballkanin Perëndimor është duke u zbatuar aktualisht

    Zjarret në peizazh përbëjnë një kërcënim serioz dhe një sfidë gjithnjë në rritje për rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke lënë pasoja afatgjata në ekosisteme, komunitete dhe ekonomi. Përmes koordinimit të përmirësuar rajonal dhe veprimit të përbashkët nga ministritë kompetente, Programi për Menaxhimin e Zjarreve në Peizazh në Ballkanin Perëndimor hedh themelet për rritjen e ndërgjegjësimit publik mbi rreziqet nga zjarret në peizazh dhe forcimin e qëndrueshmërisë së peizazhit përmes menaxhimit të qëndrueshëm të ekosistemit.

    Në vend që të mbështetet vetëm në qasjet tradicionale që fokusohen ekskluzivisht te shuarja e zjarreve, programi zbaton konceptin e menaxhimit të integruar të zjarreve në peizazh — duke nxitur bashkëpunimin ndërsektorial, forcimin e kapaciteteve vendore dhe ndërtimin e peizazheve të qëndrueshme që janë në gjendje të përballen në mënyrë efektive me kërcënimet nga zjarret.

    Parandalimi është kryefjala e kësaj nisme, me synimin për të siguruar një menaxhim të qëndrueshëm të burimeve natyrore në mënyrë që të mbrohen njëkohësisht njerëzit dhe ekosistemet. Qëllimi është krijimi i peizazheve dhe komuniteteve të qëndrueshme ndaj zjarrit, të cilat do të vazhdojnë ta çojnë përpara këtë nismë edhe në të ardhmen, në nivel rajonal.

    Nisma rajonale mbështetet nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, si partner strategjik dhe përfshin aktivitete edukative, zhvillim politikash dhe angazhim praktik në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

    Natyra është përgjegjësi e përbashkët, dhe çdo hap drejt parandalimit bën një ndryshim të rëndësishëm. Mbi 95% e zjarreve të peizazheve në rajon shkaktohen nga pakujdesia njerëzore — një fakt që tregon qartë se zgjidhjet janë në duart tona. Programi bën thirrje për ndërgjegjësim, pjesëmarrje dhe përgjegjësi kolektive për të mbrojtur peizazhet tona dhe për të siguruar një të ardhme të sigurt për brezat që vijnë. Përmes përpjekjeve të përbashkëta dhe një vizioni afatgjatë, mund të ndjekim një qëllim ambicioz, por të arritshëm: zero zjarre të shkaktuara nga faktorë njerëzorë.

    Falë mbështetjes së vazhdueshme dhe partneritetit me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, kjo nismë po ndërton një themel të fortë për ndikim afatgjatë dhe të qëndrueshëm në rajon. Ne besojmë fort se një veprim i vetëm mund të ndryshojë gjithçka.

  • Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë: Maqedonia e Veriut duhet të reagoi me përgjegjësi institucionale

    Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë: Maqedonia e Veriut duhet të reagoi me përgjegjësi institucionale

    Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh shqetësimin e thellë për incidentin e shëmtuar me thirrje të urrejtjes ndaj shqiptarëve gjatë ndeshjes së basketbollit në Kumanovë, një zhvillim i papranueshëm që cenon frymën e bashkëjetesës dhe harmonisë ndëretnike në Maqedoninë e Veriut.

    Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk janë pakicë për t’u përçmuar, por një faktor i pamohueshëm stabiliteti, një pjesë thelbësore e shoqërisë dhe shtetit. Ata janë bashkëthemelues të rendit demokratik dhe institucional të këtij vendi, dhe jo subjekt frikësimi apo përjashtimi.

    Aq më shqetësuese është heshtja e drejtuesve shtetërorë maqedonas përballë këtij episodi.

    Kjo heshtje është shqetësuese, jo vetëm për shqiptarët, por për të ardhmen demokratike të vet Maqedonisë së Veriut. Udhëheqja maqedonase nuk duhet të ndjekë shembullin përçarës e destabilizues të Vuçiçit në rajon, por duhet të dëshmojë maturi, përgjegjësi dhe vizion shtetformues.

    Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk janë problemi, ata janë të vetëdijshëm për rolin e tyre historik dhe aktual si garantë të bashkëjetesës dhe mbështetës të perspektivës euroatlantike të vendit. Prandaj, reagimi institucional ndaj gjuhës së urrejtjes nuk është vetëm detyrim moral, por një domosdoshmëri politike për të garantuar stabilitetin dhe bashkëjetesën në një shoqëri të barabartë dhe demokratike.

    Sot më shumë se kurrë, kërkohet vendosmëri, përfshirje dhe respekt i ndërsjellë, si rruga e vetme drejt një të ardhmeje të përbashkët në paqe dhe dinjitet.

  • NLB Banka shpall fituesen e kampanjës “Paguaj me kartelë NLB VISA” – Udhëtim magjik në Budapest për të ndjekur garën Red Bull Formula!

    NLB Banka shpall fituesen e kampanjës “Paguaj me kartelë NLB VISA” – Udhëtim magjik në Budapest për të ndjekur garën Red Bull Formula!

    Me kënaqësi ju njoftojmë se Blerta Brahimaj është fituesja e kampanjës më emocionuese të verës, “Paguaj me kartelë NLB VISA”! Falë bashkëpunimit me Visa, klientët tanë patën mundësinë të fitojnë një përvojë të paharrueshme – udhëtim për dy persona në Budapest për të ndjekur nga afër garën ikonike Red Bull Formula.

    Gjatë periudhës së kampanjës, të gjithë klientët që realizuan 7 transaksione në javë me shumë totale prej 70€, u përfshinë automatikisht në lojën shpërblyese.

    NLB Banka falënderon të gjithë klientët që morën pjesë dhe vazhdon të sjellë kampanja inovative që shpërblejnë besimin dhe përdorimin e kartelave moderne bankare.

    Paguaj me kartelë, fito eksperienca që mbahen mend gjithë jetën!