Ndërkohë para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë, duhet të gjejë rrugë për të siguruar një shumicë parlamentare. Ai tha se interesi publik është të ndërtohen kapacitete qeverisëse dhe të formohen institucionet.
Limaj theksoi se Nisma e ka dhënë një mundësi për bashkëpunim, por ka përsëritur qëndrimin se pa një marrëveshje politike nuk do të ketë votë për kryeparlamentarin. Ai kujtoi se edhe dy aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese e konfirmojnë se zgjedhja e udhëheqjes së Kuvendit duhet të bëhet në përputhje me interesin e vendit.
Sipas tij, vetëm një marrëveshje politike mund të prodhojë ndërtimin e institucioneve, ndërsa pa të procesi mbetet i bllokuar.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, pas dështimit të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit akuzoi ish-opozitën se po bllokon formimin e institucioneve.
Ai tha se qëllimi i saj është rikthimi i një modeli të qeverisjes së vitit 2019, ku sipas tij përfshihej edhe Lista Serbe.
Pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit, partitë ish opozitare kanë reaguar ashpër ndaj Lëvizjes Vetëvendosje. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, përsëriti qëndrimin se partia e tij nuk do të votojë asnjë kandidat që ka qenë pjesë e Qeverisë Kurti.
Nga ana tjetër, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, akuzoi Vetëvendosjen se nuk ka interes për formimin e institucioneve. Ajo tha se dy kandidatët e propozuar, Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla, dihej se nuk kishin votat, duke e cilësuar këtë veprim si pengesë për konstituimin e Kuvendit.
Ndërkohë, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e quajti arrogante qasjen e Vetëvendosjes. Sipas saj, seanca duhej të ishte thirrur me kërkim falje, pasi Kushtetuta është shkelur, ndërsa vendi mbahet peng për gjashtë muaj me kandidatura që dihej se nuk do të mbështeteshin nga opozita.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas vazhdimit të seancës konstituive tha se problemi kryesor mbetet mungesa e shumicës parlamentare nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas tij, partia fituese nuk ka numrat e nevojshëm dhe refuzon të bëjë kompromis me partitë e tjera.
Në Kuvendin e Kosovës ka dështuar zgjedhja e Albulena Haxhiut dhe Donika Gërvallës për kryetare të Kuvendit. Në të dy rastet, në votim morën pjesë 116 deputetë, prej të cilëve 57 votuan pro, 56 kundër dhe tre abstenuan.
Seanca e sotme u mbajt pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, që përcakton zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit përmes votimit të hapur. Vendimi thekson se një kandidat mund të propozohet vetëm tri herë në këtë proces dhe pjesëmarrja e deputetëve në votim është e detyrueshme.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, edhe në takimin e sotëm me liderët evropianë, ka deklaruar se ka ndalur gjashtë luftëra që prej se është kthyer në Shtëpinë e Bardhë. Gjatë deklarimeve të mëhershme, në këtë listë ai e ka përfshirë edhe ndaljen e një konflikti të mundshëm mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan Reproteri.net.
Kur u pyet nëse do të kërkonte një armëpushim midis Ukrainës dhe Rusisë përpara se të negociohej një marrëveshje e plotë paqeje, Trump tha se kishte përfunduar gjashtë luftëra që nga hyrja në detyrë, pa e përmendur fare armëpushimin, shkruan BBC.
“I përfundova këto luftëra pa përmendur as fjalën armëpushim”, deklaroi Trump.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, i kishte renditur shtetet për të cilat kishte folur Trump.
“Presidenti tani ka përfunduar konfliktet midis Tajlandës dhe Kamboxhias, Izraelit dhe Iranit, Ruandës dhe Republikës Demokratike të Kongos, Indisë dhe Pakistanit, Serbisë dhe Kosovës, si dhe Egjiptit dhe Etiopisë”, kishte thënë Leavitt.
Konfiktin e mundshëm mes Kosovës dhe Serbisë, Trump kishte thënë se e kishte ndalur me paralajmërimin ndaj dy vendeve që nëse shkonin drejt asaj rruge, nuk do të mund të bënin tregti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e nisi takimin kokë më kokë me presidentin amerikan Donald Trump duke shprehur mirënjohje për një aleate të qetë: zonjën e parë të Shteteve të Bashkuara, Melania Trump.
Edhe pse ajo nuk e shoqëroi bashkëshortin në samitin e javës së kaluar me Vladimir Putinin, Melania dërgoi një letër personale drejtuar presidentit rus. Në të, ajo bëri thirrje për paqe në emër të fëmijëve të Ukrainës dhe Rusisë, të cilët po vuajnë nga lufta.
Zelensky i tha Trumpit se ai dhe bashkëshortja e tij, Olena Zelenska, u prekën nga kjo letër. “Faleminderit shumë për bashkëshorten tuaj, zonjën e parë të SHBA-së,” tha ai, duke i dorëzuar një letër që presidenti amerikan t’ia përcillte Melanias. Me humor, ai shtoi: “Nuk është për ju, është për bashkëshorten tuaj”, duke shkaktuar të qeshura mes Trumpit dhe gazetarëve.
Në letrën e datës 15 gusht drejtuar presidentit rus Vladimir Putin, Melania shkruante: “Çdo fëmijë ka të njëjtat ëndrra të qeta, qoftë i lindur në një fshat të thjeshtë apo në një qytet të madh. Ata ëndërrojnë dashuri, mundësi dhe siguri.”
Melania, e lindur dhe rritur në ish-Jugosllavinë komuniste, u largua fillimviteve ’90 për të ndjekur karrierën e modelimit, në një kohë kur vendi po përfshihej nga luftëra ndëretnike. Sot ajo është shtetase e Sllovenisë. Në letrën e saj, zonja e parë i kërkoi Putinit të mbrojë “pafajësinë e fëmijëve” që po rriten në vende të shkatërruara nga lufta.
“Si prindër, kemi detyrë të ushqejmë shpresën e brezit të ardhshëm. Si liderë, përgjegjësia për fëmijët nuk kufizohet vetëm tek disa. Duhet të krijojmë një botë të denjë për të gjithë – ku çdo njeri të zgjohet në paqe dhe e ardhmja të jetë e sigurt,” shkruante ajo. “Nëse e bëni këtë, nuk i shërbeni vetëm Rusisë, por mbarë njerëzimit. Ju mund ta realizoni këtë me një vendim të vetëm. Është koha.”
Megjithatë, pavarësisht letrës dhe paralajmërimit të Trumpit për “pasoja të rënda” nëse Putini nuk pranonte armëpushim, takimi treorësh i 15 gushtit përfundoi pa marrëveshje. “Nuk ka marrëveshje derisa të ketë marrëveshje,” tha Trump, pasi Putini pretendoi se ishte arritur një “mirëkuptim”. Sërish, presidenti amerikan e vlerësoi samitin si shumë produktiv dhe tha se ishin bërë “përparime të mëdha”.
Pas takimit me Zelenskyn, Trump deklaroi se do të fliste me Putinin pasi të takonte liderët evropianë që shoqëronin presidentin ukrainas në Shtëpinë e Bardhë.
Mes tyre ishin sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidenti finlandez Alexander Stubb, kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kryeministri britanik Keir Starmer.
Liderët u mblodhën për një “fotografi familjare” dhe më pas diskutuan mbi sigurinë e Ukrainës. Zelensky i quajti bisedimet me Trumpin “produktive”, ndërsa presidenti amerikan u tha se do të përpiqej të organizonte një takim të drejtpërdrejtë mes tij dhe Putinit.
Por, gjatë bisedës me liderët evropianë, Trump tërhoqi idenë e një armëpushimi të menjëhershëm, duke lënë të kuptohej se Putini nuk ishte i interesuar. Disa prej liderëve theksuan se negociatat nuk mund të vazhdojnë pa një armëpushim, por Trump këmbënguli se kjo nuk ishte e domosdoshme për të arritur paqe afatgjatë. /atvlive.tv
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit.
Më 8 gusht, Kushtetuesja ka urdhëruar Kuvendin që brenda 30-ditësh të zgjedhë kryeparlamentarin e ri përmes votimit të hapur, duke e hedhur në votim të njëjtin kandidat jo më shumë se tri herë.
Me publikimin e aktgjykimit të plotë, nis edhe rrjedhja e afatit 30-ditor, që nënkupton se deputetët nga sot mund të mblidhen për të konstituuar Kuvendin.
Çështja e trajtuar lidhur me formën e votimit të kryeparlamentarit është ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike. Por, Gjykata tha se kërkesat e lëndëve ndërlidhen edhe me lëndën e dorëzuar paraprakisht nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
“Gjykata konstatoi që kryesuesi i seancës konstituive duhet të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së seancës konstituive, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjidhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 herë për kandidatin/en e njëjtë”, u tha në aktgjykim.
PDK, LDK dhe AAK kanë kundërshtuar vendimin e 1 majit të kryesuesit të seancës, Avni Dehari, i cili ndryshoi formën e votimit për kryeparlamentar nga i hapur në të mbyllur.
“Gjykata rithekson që në rrethanat e rastit konkret, ushtrimi i funksionit të deputetëve të zgjedhur në pajtim me këtë Kushtetutën, ligjet dhe rregullat e procedurës së Kuvendit që rezulton në zgjedhjen e kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit është në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës, dhe i shërben ruajtjes së rendit kushtetues dhe garantimit të funksionimit të institucioneve. Si rrjedhojë, Gjykata sërish nënvizon se nuk ka interes më të mirë të Republikës së Kosovës, se sa organi më i lart përfaqësues të jetë i konstituuar dhe të fillojë sa më parë me funksionimin e tij dhe ushtrimin e kompetencave dhe detyrimeve të tij kushtetuese”, tha Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
“Gjykata sërish vë theksin në përgjegjësinë e deputetëve të zgjedhur të Kuvendit që veprimet e tyre duhet të jenë në pajtim me Kushtetutën dhe frymën e saj dhe të njëjtit të kontribuojnë në mbarëvajtjen dhe bashkërendimin e punëve me interes publik për shtetin”, u shtua në aktgjykim.
Në aktgjykim u tha se seanca e nisur më 15 prill nuk është përmbyllur, pasi nuk janë kaluar edhe dy pika: zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve, të cilat tani duhet të përmbyllen brenda 30 ditësh.
Njoftimi për këtë aktgjykim – i publikuar më 8 gusht – ishte mirëpritur nga partitë që më herët ishin në opozitë, por ishte kritikuar nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, e cila e kishte cilësuar si vendim arbitrar.
Disa orë para publikimit të aktgjykimit të Kushtetueses, kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh udhëheqësi i LVV-së, Albin Kurti, tha se gjithmonë i ka respektuar vendimet e Kushtetueses.
Në aktgjykim nuk përmenden pasojat e mundshme juridike, nëse deputetët nuk e respektojnë aktgjykimin, siç kishin bërë me aktgjykimin paraprak të publikuar më 26 qershor.
“Gjykata, fillimisht vë në dukje që bazuar në paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës, vendimet e saj janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës”, u tha në aktgjykim.
Ish-kapiteni i Manchester United, Wayne Rooney, ka bërë debutimin e tij si komentator televiziv në Angli, duke dhënë komente të forta për sulmuesin suedez Aleksandër Isak.
Rooney kritikoi hapur sjelljen e Isak, i cili aktualisht është në grevë, pasi refuzoi të luante për Newcastle në përpjekje për të detyruar një transferim te Liverpooli.
“Refuzimi për t’u stërvitur do ta bëjë shumë të vështirë rikthimin e tij në fushë. Ai ka një problem me vetëbesimin dhe po ndjek rrugën e gabuar. Ndoshta nuk po këshillohet siç duhet. Klubi që përpiqet ta marrë, në këtë rast Liverpooli, duhet të pyesë veten nëse ky është lloji i lojtarit që ata duan – dikush që braktis shokët e ekipit dhe një klub të madh. Është një mundësi e mirë, por duhet të trajtohet siç duhet,” tha Rooney.
Ish-futbollisti gjithashtu kujtoi kohën kur ai vetë kërkoi largimin nga United në vitin 2010, me interes nga Chelsea, duke theksuar dallimin thelbësor në sjellje: “Kur kërkova të largohem, nuk kam refuzuar kurrë të stërvitem ose të luaj. Sot lojtarët japin gjithçka për klubin dhe tifozët, por shohim një lojtar që refuzon të luajë, pavarësisht kontratës trevjeçare dhe pagës mbi 100,000 £ në javë. Kjo nuk mund të ndodhë.” tha në fund anglezi.
Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, foli për “Canale 5” për merkaton dhe theksoi se skuadra ka bërë një punë të mirë në mesfushë dhe ka rritur nivelin teknik.
“Me Modriç, Jashari dhe Riçin, kemi krijuar një mesfushë më kreative dhe dominuese. Modriç është rritur si tifoz i Milanit dhe u bashkua me dëshirë. Ai sjell eksperiencë dhe kulturë fitoreje,” tha Tare.
Ai shtoi se ekuilibri mes të rinjve dhe lojtarëve me eksperiencë është thelbësor për objektivat e klubit në Itali dhe Europë.