Një person është arrestuar pasi dyshohet se e ka sulmuar seksualisht një grua. Rasti është iniciuar si “sulm seksual”, njoftoi policia e Kosovës.
“Me 09.04.2025 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se e ka sulmuar seksualisht viktimën femër kosovare. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sot në Kosovë pritet të mbajë mot i vranët, por herë-herë me diell.
“Do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin nga -3 °C deri në -1°C, ndërsa maksimalet nga 6°C deri në 9°C. Do të fryjë erë e lehtë kryesisht nga drejtimi i verilindjes”, njoftoi Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.
Sot shënohen 26 vjet nga Beteja e Koshares, një nga përballjet më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës për liri.
Homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Koshares” do të bëjë edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti.
Më 9 prill 1999, luftëtarët e UÇK-së, të udhëhequr nga Brigada 138 “Agim Ramadani”, arritën të thyejnë kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke hapur rrugën për furnizimin me armatim dhe mbështetje logjistike.
Kjo betejë, e cila zgjati deri më 10 qershor 1999, u zhvillua në kushte të vështira, por me një vendosmëri të jashtëzakonshme nga luftëtarët shqiptarë.
Thyerja e kufirit jo vetëm që kishte rëndësi strategjike, por edhe simbolike, duke shënuar një hap të madh drejt çlirimit të Kosovës.
Kryetarja e partisë ‘Alternativa’, Mimoza Kusari-Lila, në emisionin CONTEXT në ATV, komentoi deklaratën e Kryeministrit Albin Kurti, i cili e quajti opozitën “hajvan”, duke thënë se kjo nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një diskursi të vazhdueshëm ofendues.
Sipas saj, gjuha e përdorur nga Kurti dhe deputetët e pozitës ka qenë prezente gjatë gjithë mandatit dhe ka prodhuar tensione e përplasje në Kuvend.
“Gjuha e cila është përdorur në vazhdimësi – edhe kjo pa përjashtim – ka pasë implikime të ndryshme. Kjo nuk është veç gjuhë e fushatës, kjo ka qenë gjuhë e legjislaturës së shtetit. Nëse i keni përcjellë seancat e Kuvendit, ka shku deri te përleshja fizike”, tha Kusari-Lila.
Ajo shtoi se ofendimet dhe linçimet ndaj deputetëve, si nga pozita ashtu edhe nga opozita, kanë qenë të vazhdueshme dhe jo të kufizuara vetëm te rasti i fundit.
“Nuk kemi tuj fol për diçka e cila erdh përnjëherë, edhe vetëm Kryeministri Kurti e pat atë gjuhë. Çka jemi ballafaqu na si deputetë, edhe si deputete, edhe të pozitës… ofendimet, linçimet, deklarimet – besa-besa edhe deri te ‘tradhtarë’, ‘bashkëpunëtorë të Serbisë’ e të tjera. Ajo ka qenë konstante”, deklaroi Kusari-Lila.
Deklaratën e plotë të Mimoza Kusari-Lilës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Kryetarja e partisë ‘Alternativa’, Mimoza Kusari-Lila, në emisionin CONTEXT në ATV, ka dhënë një deklaratë ekskluzive, duke bërë të ditur se nuk do të jetë më në krye të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ajo tha se këtë vendim tashmë e ka komunikuar me kryetarin e Vetëvendosjes dhe me vetë grupin parlamentar, duke thënë se nuk ka pasur ndonjë kërkesë tjetër për post apo pozicion.
“Unë ia kam komuniku edhe kryetarit të Vetëvendosjes, edhe grupit parlamentar që më nuk e marr drejtimin e grupit. Më nuk ka pasë bajtje me pretendim për ndonjë post tjetër, absolutisht, as ndonjë kërkesë të veçantë. Por që unë e kam mendu edhe herën e parë kur më është ofru në vitin 2021 nga vetë kryeministri, atëherë kom mendu që është pozitë që i takon Lëvizjes Vetëvendosje”, deklaroi Kusari-Lila.
Ajo shtoi se drejtimi i grupit parlamentar duhet t’i takojë dikujt nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, pasi shumica e deputetëve janë pjesë e këtij subjekti.
“Shumica e deputetëve, tash nga 48, janë 41 të Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa ne tjerët jemi të dy subjekteve – Guxo edhe Alternativa. Prandaj, unë besoj që kushdo që e pretendon ose kushdo që e dëshiron këtë pozitë e ka të lirë. Është për subjekt për diskutim, nuk ka të bëjë me ambicie ose me projektime të mia, absolutisht jo”, tha Kusari-Lila.
Deklaratën e plotë të Mimoza Kusari-Lilës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Kryetarja e partisë ‘Alternativa’, Mimoza Kusari-Lila, në emisionin CONTEXT në ATV, reagoi sërish ndaj akuzave për komunikim të saj me Milan Radoiçiqin, duke i cilësuar ato si të fabrikuara dhe të montuara nga Lista Serbe pas largimit të tyre nga Kuvendi.
Ajo tha se Lista Serbe ka dalë nga Kuvendi në vitin 2022 dhe se komunikimi që i atribuohet asaj është publikuar vetëm pas sulmit në Banjskë, duke thënë se për këtë ka ngritur kallëzim penal.
“Lista Serbe ka dalë prej Kuvendit, nuk ka marrë pjesë më prej qershorit të vitit 2022. Në nëntor të vitit 2022 kanë dorëzu mandatet, kanë dhënë dorëheqje të gjithë, përfshirë edhe policë, gjyqtarë, prokurorë… Komunikimet e para kur kanë dalë kanë qenë 15 muaj pasi Lista Serbe nuk ka qenë më në Kuvend. Ai komunikim, unë e kam ngritë kallëzim penal edhe për atë komunikim, dhe ekziston dosja në prokurori. Kallëzimin e parë penal e kam bërë më 1 gusht 2023”, deklaroi Kusari-Lila.
Ajo akuzoi edhe mediat, duke thënë se kanë publikuar material të fabrikuar, pa e vënë në dyshim burimin e tij, ndërsa mohoi çdo bisedë me Radoiçiqin.
“Prapë, fatkeqësisht, mediume kosovare, shqiptare në Prishtinë kanë qitë material të fabrikuar, në të cilin kinse unë flas me Radoçiqin. Unë i qëndroj të njëjtave fjalë që i kam thënë natën e parë, natën e dytë dhe natën e tretë në studio, dhe i qëndroj me përgjegjësi edhe penale. Ajo është komplet me regji e redaktume. Si mundet dikush me e qitë në maj ose qershor të vitit 2024 dhe askush mos ta bëjë pyetjen: kush ua dha këtë material?”, tha Kusari-Lila.
Deklaratën e plotë të Mimoza Kusari-Lilës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Kryetarja e partisë ‘Alternativa’, Mimoza Kusari-Lila, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se opozita nuk mund të formojë shumicën e re parlamentare, pasi disa nga përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë tashmë janë deklaruar se nuk do t’i bashkohen asaj.
Ajo tha se përkundër kalkulimeve për 61 vota, opozita nuk mund t’i llogarisë votat e partive joshumicë, të cilat janë deklaruar në mbështetje të Kurtit.
“Opozita me arritë këtu, nëse ia arrin, që mandatar i dytë kur po thotë, po mbërrijmë 52, prej të cilave nuk i ka 4–5 të komuniteteve joshumicë, të cilat veç kanë deklaru – ministri në detyrë aktual, Elbert Krasniqi, zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, Partia Demokratike Turke – që e mbështesin Kryeministrin Kurti dhe që do të jenë në Qeveri dhe jo domosdoshmërish do të shkojnë me alternativën tjetër. Atëherë, ku janë votat tjera?”, deklaroi Kusari-Lila.
Ajo shtoi se nuk mjafton të bëhen vetëm llogari matematikore, sepse është e paqartë prej kujt pritet të vijnë votat për ndërrim të pushtetit.
Deklaratën e plotë të Mimoza Kusari-Lilës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Kryetarja e partisë ‘Alternativa’, Mimoza Kusari-Lila, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se në veri të Kosovës është bërë një punë e madhe për shtrirjen e sovranitetit dhe për luftimin e bandave kriminale, por sfidat me ndikimin e Serbisë vazhdojnë.
Ajo tha se ngjarjet e fundit në Kosovë nuk janë të izoluara dhe nuk janë vetëm përgjegjësi e institucioneve të sigurisë, por e të gjithë spektrit politik që ka kërkuar besimin qytetar.
“Ngjarjet e fundit të cilat kanë ndodhë nuk janë ngjarje të izolume, të cilat mundem me thonë se janë veç pjesë e organeve të sigurisë, po janë ngjarje të cilat janë përgjegjësi e të gjithë neve, të cilët kemi kërku besim për me vendos për këtë vend… është bërë një punë tepër e madhe edhe me shtrirjen e sovranitetit edhe të integritetit në veri, me luftimin e bandave dhe strukturave kriminale, me mbylljen e rrugëve ilegale, me shtrimin e rrugëve dhe lidhjen me rrjetë në veri të vendit”, deklaroi Kusari-Lila.
Sipas saj, prezenca e institucioneve në veri është rritur ndjeshëm, por Serbia vazhdon të përpiqet ta dëmtojë sovranitetin e Kosovës.
“Është bo një punë koxha e madhe në krijimin e prezencës së institucioneve shtetërore me të gjitha në veri të vendit. Por ajo çfarë po ndodhë është se po ballafaqohesh me një shtet i cili sulmin dhe damin ndaj integritetit, sovranitetit, vendit nuk e kanë ndalë kurrë. Natyrisht që e ka pak ma vështirë tash, por që tash ne s’mundemi me thonë e tash jemi të lirum prej kësaj përgjegjësie”, tha Kusari-Lila.
Deklaratën e plotë të Mimoza Kusari-Lilës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Kryetarja e partisë ‘Alternativa’, Mimoza Kusari-Lila, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se pavarësisht sulmeve të shumta ndaj saj ndër vite, ajo e ka parë angazhimin politik si një përgjegjësi publike që shkon përtej ndjenjave personale.
Duke folur mbi përvojën e saj personale në politikë, Kusari-Lila tha se sulmet ndaj saj janë të dokumentuara edhe statistikisht dhe se përkundër tyre, ajo ka vazhduar me përkushtim detyrën që e ka marrë.
“Po e them edhe prej përvojës personale, si gruaja më e sulmuar historikisht – jo tash, edhe e konfirmuar statistikisht – e së fundmi në raport me historinë, s’po shkojmë mbrapa, po shkojmë veç vitin e fundit… e mos flasni vit përpara, ka qenë jeta. Edhe prapë, që në këtë post nuk jemi vetëm për vete, ose nuk jemi për njëfarë forme për komoditetin tonë. Je për me kry një punë që është pak më e vështirë dhe që shkon përtej veç asaj se si po ndihna në këtë moment”, tha Kusari-Lila.
Ajo tha se politikanët nuk duhet të udhëhiqen nga ndjesitë momentale, por nga përgjegjësia për të përfaqësuar qytetarët dhe për të ndërtuar institucione të qëndrueshme.
“A po ndihna më e lënduar, apo ndihna e sulmuar, apo po e ndij që kam një obligim – përderisa e kam kërku besimin. Edhe përderisa gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës e kanë sovranitetin, integritetin dhe mbrojtjen e interesit shtetëror, unë mendoj që për mandatin e qeverisë së re duhet me pasë një reflektim tepër serioz”, deklaroi Kusari-Lila.
Deklaratën e plotë të Mimoza Kusari-Lilës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: