ATV

Author: ATVLive

  • ​Nis punimet samiti i OSBE-së në Shkup

    ​Nis punimet samiti i OSBE-së në Shkup

    Sot në Shkup nis punimet samiti i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), me pjesëmarrjen e diplomatëve të 57 vendeve anëtare të organizatës, përfshirë shefin e diplomacisë ruse, Sergei Lavrov.

    Lavrov arriti në kryeqytetin maqedonas, Shkup, në orët e para të 30 nëntorit.

    Pjesëmarrja e diplomatit rus u mundësua nga Shkupi dhe Sofja që pezulluan përkohësisht sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian për fluturimet e avionëve rusë për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës.

    Kjo ka shkaktuar debate e reagime të shumta, nëse Rusia me pjesëmarrjen në këtë samit, po përfiton dhe forcon pozitën e saj në skenën ndërkombëtare, përkundër pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.

    Ukraina dhe shtetet baltike në shenjë pakënaqësie nuk kanë dërguar ministrat e Punëve të Jashtme në Këshillin Ministror.

    Punimet e Samitit kanë nisur jozyrtarisht të mërkurën në mbrëmje, me një darkë joformale dhe fotografi familjare, në epiqendër të së cilës ishte sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, por jo edhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov pasi avioni me të cilin ai fluturonte ende nuk kishte arritur në Shkup.

    Kryediplomati amerikan pas darkës joformale është larguar nga Shkupi duke shmangur kështu praninë e tij në një sallë me homologun e tij rus, Lavrov.

    Pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe kryesuesin e OSBE-së, Bujar Osmani, diplomati amerikan ka përgëzuar Maqedoninë e Veriut për kryesimin me sukses të OSBE-në, ndërsa mirëpriti edhe përzgjedhjen Maltës si kryesuesen e radhës me këtë organizatës gjatë vitit 2024.

    “Ju keni bërë një punë jashtëzakonisht të mirë, keni arritur të zgjeroni misionin e OSBE-së, pavarësisht pengesave të mëdha. Më vjen mirë që Malta do të marrë stafetën. Ne kemi një partneritet strategjik që është vërtet i fokusuar në punën që bëjmë së bashku si aleatë dhe partnerë, por edhe në punën që bëjmë bashkërisht në nivel dypalësh”, tha Blinken.

    Ministri i Jashtëm Osmani e falënderoi Blinkenin për mbështetjen e jashtëzakonshme, siç tha, gjatë kryesimit të OSBE-së, ndërsa e njoftoi për “zgjidhjen e sfidave kritike ekzistenciale për kryesimin e OSBE-së në vitin 2024”.

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, nuk bëri komente tjera rreth takimit të Këshillit të Ministrave të OSBE-së dhe pjesëmarrjes së ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, në të.

    Por, komente mbi pjesëmarrjen e diplomatit rus bëri përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, gjithashtu pjesëmarrës në darkën joformale të Këshillit Ministror të OSBE-së.

    Borrell tha se “ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, duhet të dëgjojë nga pjesëmarrësit në Këshillin Ministror të OSBE-së në Shkup se pse Rusia është e izoluar dhe e sanksionuar dhe duhet t’ia përcjellë mesazhet Kremlinit”.

    Shefi i diplomacisë evropiane tha se i kupton vendet si Ukraina, Estonia, Letonia dhe Lituania, të cilat vendosën ta bojkotojnë samitin për shkak të pjesëmarrjes së Lavrovit, por edhe Shkupin për vendimin e tij për t’ia mundësuar pjesëmarrjen zyrtarit rus.

    “Unë e kuptoj që disa vende pjesëmarrëse nuk ishin të kënaqura me vendimin tuaj për të marrë pjesë ministri Lavrov, e kuptoj, sepse me luftën e paligjshme të Rusisë kundër Ukrainës, ajo po minon të njëjtat parime të OSBE-së dhe po i shkel ligjet, dhe për këtë arsye po përballet me sanksione ndërkombëtare dhe izolim. Megjithatë, vendimi juaj për të lejuar pjesëmarrjen e Lavrovit është në përputhje me qëllimin tonë të përbashkët, për të mbajtur gjallë multilateralizmin”, tha Borrell.

    Zyrtari i lartë evropian tha se e mirëpret marrëveshjen që Malta të jetë kryesuese e OSBE-së për vitin 2024 dhe shtoi se beson se vendimi do të konfirmohet në samitin e Shkupit.

    Njëjtë, sikur sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, edhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, pas takimit joformal është larguar nga Shkupi për të shmangur një takim me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov.

    Gjatë punimeve të samitit, përveç vendimit për kryesuesin e radhës me OSBE-në, pjesëmarrësit duhet të miratojnë edhe vendimet tjera, si buxhetin dhe të caktojnë drejtuesit në pozitat kyçe të organizatës.

    Në ditën e parë të Këshillit, të enjten, është paraparë nënshkrimi i deklaratës së përbashkët për luftën kundër korrupsionit në Evropën Juglindore përmes kthimit të pronave dhe përdorimit të digjitalizimit. Ndërsa, tema e dytë ka të bëjë me ndikimin e ndryshimeve klimatike në sigurinë e njerëzve në shtetet që janë pjesë e OSBE-së.

    Takimi dyditor i Këshillit Ministror të OSBE-së është ngjarja më e madhe diplomatike që është zhvilluar ndonjëherë në Maqedoninë e Veriut.

    Autoritetet maqedonase kanë ndërmarrë masa të shtuara të sigurisë duke kufizuar qarkullimin në pjesët kryesore të Shkupit, ndërsa është shpallur edhe ditë pushimi në kryeqytet. /REL

  • Sulmohet një person zyrtar në Jarinje

    Sulmohet një person zyrtar në Jarinje

    Një zyrtar policor është sulmuar nga një person i cili teksa po kontrollohej në pikën kufitare në Jarinje, kishte rezultuar të jetë person i kërkuar. Rasti raportohet të ketë ndodhur të mërkurën.

    Një zyrtar policor është sulmuar nga një person i cili teksa po kontrollohej në pikën kufitare në Jarinje, kishte rezultuar të jetë person i kërkuar.

    I njëjti ka arritur ta hap derën e automjetit duke shtyrë policin dhe ka arritur të kalojë në anën tjetër të kufirit, nga pala serbe.

    Në raportin 24-orësh të policisë ky rast është cilësuar “sulm ndaj personit zyrtar”.

    Rasti është në procedurë hetimore.

    “Gjatë kontrollit dhe verifikimit në pikën kufitare, i dyshuari mashkull serb kosovar ka rezultuar person i kërkuar (në sistemin BMS), i njëjti ka arritur të hap derën e automjetit dhe duke shtyrë policin ka arritur të largohet dhe të kalojë në anën tjetër të palës serbe. Është njoftuar prokurori, rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raport.

  • Mbyllet sërish për publikun gjykimi ndaj të akuzuarve për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi

    Mbyllet sërish për publikun gjykimi ndaj të akuzuarve për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi

    Seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Jeton dhe Nexhat Vllasaliu po akuzohen për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi, është mbyllur sërish për publikun.

    Nga zyra e kryetares së trupit gjykues, Medie Bytyqi, bënë të ditur se edhe seanca e sotme mbyllet për publikun me kërkesë të prokurorit Armend Hamiti, ku pritet të dëshmojë dëshmitari D.K., dhe një tjetër dëshmitare, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Arsyetimi për mbylljen e seancës ishte se gjatë këtyre dëshmive, mund të jepen të dhëna që i përkasin jetës personale dhe familjare.

    Edhe seanca e 5 tetorit 2023, ishte mbyllur për të njëjtat arsye.

    Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e 14 nëntorit 2022.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ngarkohen se prej periudhës 9 janar 2021 deri më 8 prill 2021, në bashkëkryerje pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta të dëmtuarin, Bedri Rexhepi, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore. Fillimisht, thuhet se i kishin ndarë rolet dhe planifikuar veprimet dhe Jeton Vllasaliu duke shfrytëzuar besimin që i dëmtuari/i ndjeri Rexhepi kishte ndaj tij, e vë në lajthitje të njëjtin, ashtu që duke filluar nga 9 janar 2021, i kishte ofruar për shitje dy vetura, një “Range Rover” dhe një “BMW X3”, për vlerën prej 30 mijë euro.

    Aktakuza thotë se i pandehuri Jeton, më 8 prill 2021 të dëmtuarin Rexhepi e dërgon në fshatin Vllasali në shtëpinë e të pandehurit Nexhat ku paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij, e më pas i pandehuri Jeton në mënyre tinëzare e privon nga jeta Rexhepin, duke menduar se ka me vete shumën e të hollave dhe atë në vlerë prej 30 mijë euro, siç edhe ishin marrë vesh për shitjen e veturave, e më pas kufomën e të ndjerit e dërgon në katin e tretë të shtëpisë. Të nesërmen, thuhet se së bashku e marrin kufomën dhe i pandehuri Nexhat e varros për t’i zhdukur gjurmët.

    Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe “Dëmtim i varreve apo kufomave”.

  • IPK ka filluar një hetim preliminar për të vlerësuar reagimin policor në menaxhimin e protestës së djeshme

    IPK ka filluar një hetim preliminar për të vlerësuar reagimin policor në menaxhimin e protestës së djeshme

    Hetuesit e IPK-së sipas detyrës zyrtare (ex officio) kanë filluar një hetim preliminar për të vlerësuar reagimin policor në menaxhimin e protestës së djeshme në Prishtinë që ndërlidhet me vizitën e Kryetares së Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale.

    Lidhur me reagimin policor gjatë menaxhimit të protestës ka pasur ankesa dhe reagime publike edhe nga gazetarë të ndryshëm si dhe vet Asosiacionit të Gazetarëve të Kosovës.

    Hetuesit e IPK-së aktualisht janë në fazën e grumbullimit të informacioneve dhe analizimit të pamjeve të ndryshme përfshirë edhe ato që tashmë janë publikuar.

  • Vushtrria mirëpret “Takimet e poeteshave shqiptare” – Fituese e edicionit të 41-të është Leonora Lokaj

    Vushtrria mirëpret “Takimet e poeteshave shqiptare” – Fituese e edicionit të 41-të është Leonora Lokaj

    Në Vushtrri është mbajtur edicioni i 41-të tradicional mbarëshqiptar i poezisë “Takimet e poeteshave shqiptare”, i cili ka mbledhur poeteshat nga të gjitha trojet shqiptare, raporton Ekonomia Online.

    Në këtë eveniment kulturor-artistik, pjesëmarrës ishin 21 poetesha të cilat recituan poezitë e tyre dhe u vlerësuan nga një juri profesionale.

    Në hapje të manifestimit garues, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka folur se si ky festival tradicional i poezisë është mbajtur për dekada të tëra nëpër periudha të vështira.

    Idrizi tha se Vushtrria mund të quhet qytet i poezisë.

    “Jam shumë i nderuar që sonte në prezencën tuaj i shpalli të hapura festivalin e poezisë, festival i cili kishte filluar në kohërat më të vështira përmes vargjeve të shkruara, përmes kësaj gjinie të bukur letrare në atë kohë të vështirë të shpreh rezistencën e kësaj pjese të intelektualëve për të vazhduar për t’u bërë tradicional, që i mbledh poeteshat shqiptare anë kënd globit për të sjellë poezinë e bukur shqipe”, u shpreh Idrizi.

    Fituese e këtij edicioni u shpall Leonora Lokaj me poezinë e titulluar “Kallnorët e dhimbtes”.

    Ajo, për Ekonomia Online u shpreh e lumtur që arriti të shpallet fituese në mesin e 21 poeteshave.

    “Po sot pata fatin në mesin e të gjitha këtyre poeteve që unë ta marr trofeun kryesor dhe është një motiv shtesë drejtë veprimtarisë kulturore. Poezia ime ‘Kallnorët e dhimbtes’ i kushtohet një muaji të veçantë që secili gjatë jetës mund ta përjetojë një humbje dhe të jetojë gjatë gjithë jetës duke mos e harruar nga shpirti”.

  • Çitaku për vrasjet në Prishtinë: Dikush duhet të japë përgjegjësi për këtë shkallë të pasigurisë

    Çitaku për vrasjet në Prishtinë: Dikush duhet të japë përgjegjësi për këtë shkallë të pasigurisë

    Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka reaguar pas rastit të dy vrasjeve të mërkurën mbrëma në Prishtinë.

    Çitaku ka thënë se dikush duhet të japë përgjegjësi për këtë shkallë të pasigurisë.

    “Dy vrasje brenda natës në kryeqytet. Përtej dhimbjes dhe solidaritetit me familjarët e viktimave, dikush duhet të japë përgjegjësi për këtë shkallë të pasigurisë. Vrasje, plaçkitje, rrahje gjithandej. E tmerrshme..”, ka shkruar ajo.

  • Vdes ish-sekretari amerikan i Shtetit, Henry Kissinger

    Vdes ish-sekretari amerikan i Shtetit, Henry Kissinger

    Ka vdekur ish-sekretari i shtetit, Henry Kissinger. Ai ka vdekur në shtëpinë e tij në Connecticut të mërkurën, sipas një deklarate nga Kissinger Associates Inc.

    Politikani veteran kishte ndikim të madh në politikën e jashtme amerikane nën presidentët Richard Nixon dhe Gerald Ford.

    I lindur në Gjermani në vitin 1923, Kissinger u largua nga regjimi nazist me familjen e tij si adoleshent dhe u vendos në SHBA në vitin 1938.

    Gjatë tetë vjetëve si këshilltar për sigurinë kombëtare dhe sekretar shteti, Kissinger u përfshi në ngjarje të mëdha të politikës së jashtme, duke përfshirë shembullin e parë të “diplomacisë së anijes” që kërkon paqen në Lindjen e Mesme, negociatat sekrete me Kinën për të ‘shkrirë’ marrëdhëniet midis superfuqive në zhvillim dhe nxitja e bisedimeve të paqes në Paris për t’i dhënë fund konfliktit të Vietnamit.

    Në vitin 1973 ai u nderua bashkërisht me Çmimin Nobel për Paqen për përpjekjet e tij për të negociuar përfundimin e Luftës së Vietnamit.

    Kissinger i cili mbajti postin e këshilltarit të sigurisë kombëtare dhe sekretarit të shtetit nën dy presidentë la një gjurmë të pashlyeshme në politikën e jashtme të SHBA dhe i dha atij një Nobel të diskutueshëm “Çmimi i Paqes”.

    Megjithatë, Kissinger, së bashku me presidentin Nixon, mbajtën gjithashtu peshën kryesore të kritikave nga aleatët e SHBA-së pas rënies së Saigonit nga forcat vietnameze të veriut në vitin 1975, pasi personeli i mbetur amerikan u largua nga ai që tani njihet si Ho Chi Minh City.

    Ndikimi i tij mbi diplomacinë amerikane – i cili vazhdoi shumë kohë pasi ai la detyrën – nuk ka qenë pa polemika dhe disa aktivistë kërkuan që ai të ndiqej penalisht për krime lufte.

  • Vrasja e gruas së ish-këshilltarit të Pacollit, Policia jep detaje

    Vrasja e gruas së ish-këshilltarit të Pacollit, Policia jep detaje

    Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë për vrasjen e Liridona Murselit mbrëmjen e së mërkurës.

    Siç njofton policia, tashmë e ndjera derisa ka qenë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre me veturë, një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe është ka qëlluar me armë zjarri.

    “Raportohet se viktima femër kosovare, derisa ka qenë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre me veturë, një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe është qëlluar me armë zjarri për vdekje. Lidhur me rastin është intervistuar bashkëshorti i saj, dëshmitari mashkull kosovar i cili kishte arritur të largohet nga vetura me dy fëmijët e tyre. Njësit relevante policore, prokurori dhe ndihma e shpejtë urgjente kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga mjeku është konstatuar vdekja e viktimës. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion” thuhet në raportin e Policisë.

  • AGK kërkon nga IPK të hetojë brutalitetin e policisë ndaj pjesëtarëve të medies

    AGK kërkon nga IPK të hetojë brutalitetin e policisë ndaj pjesëtarëve të medies

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i bën thirrje Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) që të hetojë urgjentisht të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, që kanë kaluar kompetencat e tyre duke penguar punën profesionale të anëtarëve të mediave gjatë protestës së sotme kundër vizitës së Ekaterina Trendafilova.

    Pamje dhe fotografi të reja kanë shfaqur brutalitetin a paprecedent, me të cilin janë ballafaquar sot gazetarët, fotografët dhe pjesëtarë të tjerë të mediave, gjatë protestës së PSD-së kundër kreut të Dhomave të Specializuara.

    Në një reagim për media AGK thotë se në njërën prej tyre shihet se si shtyhet me forcë kameramani i Zërit të Amerikës, Bujar Sylejmani, i cili ishte duke kryer punën e vet profesionale.

    Përballë kësaj dhune të paprecedent të drejtuar ndaj pjesëtarëve të medies, AGK fton Policinë e Kosovës të tregojë profesionalizëm në ballafaqimin me situata të tilla, dhe të mos bëjë në asnjë formë cak gazetarët e kameramanët, duke i lejuar ata që të papenguar të bëjnë punën e tyre në informim të publikut.

  • Vritet një grua në Prishtinë

    Vritet një grua në Prishtinë

    Një vrasje e rëndë ka ndodhur sonte në Prishtinë, më saktësisht në rrugën “Dalip Alshiqi” ku si pasojë e të shtënave me armë ka humbur jetën një grua.

    Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës Flora Ahmeti, e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi, se pas informatave për të shtëna me armë rreth orës 20:20, kanë gjetur viktimën në një veturë pa shenja jete.

    “Rreth orës 20:20, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Policia si dhe mjekët emergjent, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në një veturë kanë hasë një person pa shenja jete. Vdekjen e viktimës (femër) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Mbështetur në informacionet e para, dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri. Policia në koordinim me prokurorinë, ka nisur hetim dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit”.