ATV

Author: ATVLive

  • ​Vullkani indonezian shpërthen sërish, përpjekjet për evakuim janë ndërprerë

    ​Vullkani indonezian shpërthen sërish, përpjekjet për evakuim janë ndërprerë

    Një vullkan në Sumatrën Perëndimore të Indonezisë shpërtheu sërish të martën, duke detyruar zyrtarët të ndërpresin përpjekjet e evakuimit në zonat e prekura.

    Sipas autoriteteve lokale, gjatë dy ditëve të fundit, kanë ndodhur 46 shpërthime, ndërsa një tjetër shpërthim ka ndodhur herët të martën, raportoi Antara News.

    Të paktën 11 alpinistë kanë vdekur për shkak të shpërthimit të vullkanit pranë malit Merapi, një nga vullkanet më aktivë në botë në Sumatrën Perëndimore. Ka raporte për gjashtë vdekje të tjera në mesin e gjithsej 35 alpinistëve që mbetën të bllokuar kur vullkani shpërtheu.

    Autoritetet po punojnë për gjetjen e 12 të tjerëve.

    Shpërthimi i vullkanit filloi në orën 14:54 sipas kohës lokale (0754 GMT) të dielën, duke dërguar hirin e nxehtë dhe mbeturinat e tjera vullkanike 3 kilometra në qiell.

    12 nga 35 alpinistë u evakuuan në mënyrë të sigurt dhe u shtruan në spital.

    Njëmbëdhjetë të tjerë u deklaruan të vdekur dhe trupat e tyre po i zbresin nga mali, ndërsa kërkimet për 12 të tjerë po vazhdojnë.

    Mali Merapi është 2,891 metra i lartë dhe ndodhet në ishullin e Sumatrës, ku autoritetet i kanë ndaluar prej kohësh banorët dhe turistët të ecin brenda një rrezeje prej tre kilometrash në afërsi të tij. /AA

  • ​YouTube-ri Trevor Jacob u burgos pasi rrëzoi aeroplanin për shikime

    ​YouTube-ri Trevor Jacob u burgos pasi rrëzoi aeroplanin për shikime

    Një YouTuber është burgosur për gjashtë muaj për rrëzimin e qëllimshëm të aeroplanit të tij për shikime, dhe më pas ka gënjyer për këtë para hetuesve amerikanë.

    Trevor Jacob, 30-vjeç, postoi videon e rrëzimit të avionit në dhjetor 2021, duke lënë të kuptohet se ishte një aksident. Ai u hodh nga avioni duke incizuar me telefon, dhe zbriti me parashutë në tokë.

    Klipi është parë miliona herë.

    Në një marrëveshje për pranimin e fajësisë, Jacob tha se ai e filmoi videon si pjesë e një marrëveshjeje sponsorizimi produkti.

    Ai u deklarua fajtor në fillim të këtij viti për një akuzë të krimit të shkatërrimit dhe fshehjes së provave me qëllimin për të penguar një hetim federal.

    Jacob “me shumë mundësi e ka kryer këtë vepër për të firuar në mediat sociale, për të pasur lajme për të, dhe për të përfituar financiarisht”, thanë të hënën prokurorët federalë në Kaliforni.

    “Megjithatë, kjo lloj sjelljeje “guximtare” nuk mund të tolerohet”, thanë zyrtarët.

    Në nëntor të vitit 2021, Jacob u nis nga një aeroport të Santa Barbara, Kaliforni, me një fluturim të vetëm me kamera të montuara në aeroplanin e tij. Bashkë me kamerat, Jacob ka marrë me vete një parashutë, si dhe një shkop selfie.

    Ai “nuk kishte ndërmend të arrinte destinacionin e tij, por në vend të kësaj planifikoi të tërhiqej nga avioni i tij gjatë fluturimit dhe të incizoje veten duke u hedhur me parashutë në tokë dhe të incizonte aeroplanin e tij teksa u rrëzua”, tha Zyra e Prokurorit të SHBA për Qarkun Qendror të Kalifornisë.

    Avioni u rrëzua në Pyllin Kombëtar të Los Padres 35 minuta pas ngritjes. Jacob u ngjit në vend dhe gjeti pamjet.

    Ai më pas ngarkoi videon me titull “Unë rrëzova aeroplanin tim” në YouTube më 23 dhjetor, e cila përmbante një promovim për një kompani kuletash, thanë prokurorët.

    Disa shikues ishin skeptikë për rrëzimin, duke vënë në dukje se Jacob tashmë kishte veshur një parashutë dhe nuk bëri asnjë përpjekje për të ulur avionin në mënyrë të sigurt.

    Videoja mori pothuajse tre milionë shikime përpara se të hiqej. /BBC

  • ​”Nuk ka zona të sigurta në Gaza”

    ​”Nuk ka zona të sigurta në Gaza”

    Zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder, i cili ishte në Gaza deri në fillim të kësaj jave, ka ndarë mendimin e tij mbi situatën në Gaza me Newsday të BBC-së.

    Ushtria izraelite tha se po lëshonte fletëpalosje me kode QR që “hapin një hartë që udhëzon banorët e Gazës drejt zonave më të sigurta”, por Elder vëren se ndërprerjet në rrjetin elektrik do të thotë se shumë nuk do të kenë telefona funksionalë për të skanuar kodet.

    Ai thotë gjithashtu se të ashtuquajturat “zona të sigurta” janë një “rrëfim i rremë i rrezikshëm”: “Këto janë pjesë të vogla toke djerrë. Nuk kanë ujë, nuk kanë strehim nga i ftohti, nuk kanë kanalizime”.

    “Nëse do të evakuoni me forcë njerëzit, nuk mund të dërgoni qindra mijëra njerëz në vendet ku nuk ka ujë dhe nuk ka tualete. Me të vërtetë dua të them pa tualete. Në çdo cep që isha, kishte 5000 njerëz të tjerë që do të shfaqeshin brenda natës. Ata nuk kanë një tualet të vetëm, nuk kanë një pikë ujë”.

    Elder thotë se një mjek vendas i tha se “zonat e sigurta do të bëhen zona sëmundjesh”.

    “E vetmja siguri në Gaza tani është që ferri të ndalojë të bjerë shi nga qielli”, thotë Elder. /BBC

  • ​Llapi i fortë për Phoenix, Malisheva nuk gabon kundër Kikës

    ​Llapi i fortë për Phoenix, Malisheva nuk gabon kundër Kikës

    Kanë përfunduar dy ndeshjet e sotme të Kupës së Kosovës, të vlefshme këto për fazën e 1/16-ës së kësaj gare.

    Pas plot 90’ minutave lojë të zhvilluara në stadiumin “Zahir Pajaziti”, Llapi e ka mposhtur 4:1 skuadrën e Phoenix, raporton KosovaPress.

    Golat për Llapin i shënuan Hamdi Namani (minuta e 29’), Elvir Gashijan (minuta e 66’), Arbnor Ramadani (minuta e 80’) dhe Mërfim Cërnavërni (minuta e 84’), kurse golin e nderit te Phoenix e realizoi Enis Miranaj (minuta e 85’).

    Ndërkaq, krahas kësaj ndeshje u zhvillua edhe përballja tjetër e raundit të dytë të këtyre kualifikimeve, ku Malisheva e mposhti 3:2 skuadrën e Kikës.

    Me fitoret e sotme, Llapi e Malisheva kalojnë në 1/8-ën e Kupës së Kosovës.

  • Rezultatet e testit PISA – Vjen reagimi i Jasharajt: Mos ta drejtojmë gishtin vetëm te mësimdhënësit

    Rezultatet e testit PISA – Vjen reagimi i Jasharajt: Mos ta drejtojmë gishtin vetëm te mësimdhënësit

    Kosova është renditur pothuajse në vendet e fundit në rezultatet e testit të PISA-s për vitin 2022.

    Kosova ka zënë vendin e 78-të nga 80 shtete pjesëmarrëse, pra ka rënie nga viti 2018 për 11 pikë.

    Vendi ka zënë pozitën e 76-të për lexim, 77-të për shkencë si dhe pozitën e 74-të për matematikë.

    Për këtë rezultat që është arritur në testin PISA ka folur kryetari i Sindikatës së bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj.

    Sipas tij, kjo është shqetësuese, por se gishti nuk duhet të drejtohet vetëm tek njëra palë, pra tek mësimdhënësit.

    “Rezultatet që u publikuan në media sot janë shqetësuese dhe askush nuk mund të ndihet mirë veçmas ne që jemi të ndërlidhur drejtpërdrejtë me sistemin arsimor, por uroj që të mos ndodhë si herëve të kaluara që një javë rresht të drejtohet gishti vetëm në një anë, uroj të mos ketë deklaratë të ashpra ndaj njërës palë, në këtë rast vetëm ndaj mësimdhënësve”, është shprehur Jasharaj për Front Online.

    Jasharaj, ka kërkuar që të gjitha palët që janë të përfshira në arsim duhet të ulen të diskutojnë dhe të gjejnë problemin se çfarë po ndodhë.

    E, jo për një javë rresht të fyhet, të shahet e të drejtohet gishti vetëm nga mësimdhënësit.

    “Uroj që MAShT-i të organizojë konferenca me të gjitha palët, me akademinë e shkencave, me ekspertët e arsimit, me SBASHK-un, me prindërit, pra me të gjithë që të ulemi dhe të shohim ku janë problemet në arsimin tonë që po dalim kaq keq ne testin PISA i cili është vetëm njëri nga instrumentet matëse. Mbase nxënësit nuk po gjinden si duhet në këtë test, mbase kurrikula nuk korrespondon me kërkesat e testit PISA. Pra, duhet të ulemi e jo një javë të fyhemi e të shahemi e të bëjmë me gisht vetëm nga mësuesi e nga shkolla por të ulemi bashkë dhe të shohim cilat janë defektet”, ka shtuar ndër të tjera i pari i SBAShK-ut.

    Sipas tij, nëse fyerjet dhe sharjet vazhdojnë sikurse herën e kaluar, atëherë rezultatet do të jenë përsëri të njëjta.

    Jasharaj e ripërsërit edhe njëherë se me shkumës e shpuza, pa llaptop e projektor në shkolla vështirë se mund të ketë rezultate.

    “Me shkumës dhe shpuza dhe me rastin siç ndodhi sivjet me shpërndarjen e librave, pa llaptop e projektor vështirë se mund të arrijmë rezultate që do të dëshironim ti kemi ngase nxënësit e Kosovës jashtë po dëshmohen tepër inteligjent, por këtu mund të jetë fajtor, kurrikula, tekstet shkollore, mund të jenë kushtet që i kanë. Nuk po dua t’i mbroj mësimdhënësit, pro duke u ulur bashkë me ta, duke u ulur me të gjitha palët besoj se mund të arrijmë një gjendje krejt tjetër edhe në testin Pisa por edhe në përpjekje tjera të vazhdueshme për rritje të cilësisë”, ka thënë ai.

    Rezultatet e testit “PISA 2022” janë publikuar të martën, ndërsa u prezantuan nga Ministria e Arsimit në një konferencë për media.

    Ministrja e këtij dikasteri, Arbërie Nagavci, tha se rezultatet kanë qenë të pritshme.

    “Rezultatet të cilat janë bërë publike kanë qenë të pritshme, duke marrë parasysh që e kemi pasur një situatë pas pandemisë, ku mësimi është zhvilluar me probleme. Kjo ka qenë e pritshme. Këtu e shtojmë që pandemia ka sjell sfida të tjera të mësimdhënësit e nxënësit për shkak të mungesës së kushteve. Këtu e shtojmë edhe ndërrimin e qeverisjeve. Por, ne e kemi pasur fokus në zhvillimin e politikave për përmirësimin e cilësisë në arsim”, ka thënë Nagavci në një konferencë për shtyp.

    PISA është studim ndërkombëtar i arsimit që vlerëson kompetencat e nxënësve 15-vjeçar në lexim, matematikë dhe shkencë.

  • Ish-ministrja e Arsimit, Bajrami: Rezultatet e PISA-s, të pritshme

    Ish-ministrja e Arsimit, Bajrami: Rezultatet e PISA-s, të pritshme

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se rezultatet e Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA), që e rendisin Kosovën në vendin e 76-të janë të pritshme.

    Ish-ministrja e Arsimit, ka theksuar se në tri vitet e fundit viti shkollor ka nisur me një muaj vonesë.

    Ajo ka renditur në katër pika, arsyet që sipas saj kanë ndikuar që Kosova të dalë kaq poshtë:

    “1. Ministrja e Arsimit punën e parë si ministre e ka bërë duke shkelur Kushtetutën me kthimin prapa të reformës në arsim që e pati nisur Komuna e Kamenicës. 2. Veprimi i dytë i Nagavcit dhe i gjithë Qeverisë ka qenë mposhtja e SBASHK-ut dhe jo ngritja e cilësisë në arsim. Këtë betejë Qeveri-SBASHK e kanë paguar nxënësit, duke humbur mijëra orë mësimore”, ka shkruar Bajrami.

    “3. Shkelësja e Kushtetutës, pra ministrja Nagavci, bëri eksperimentin tjetër këtë vit me libra. Dhe, jemi në fund të gjysmëvjetorit të parë dhe ende ka nxënës që shkon me libra të pakompletuar në shkollë. 4. Sot, kur po e komentojmë këtë rezultat të PISA-s, MASHT-i me të dhëna të veta konfirmon se në vendin tonë rreth 73% e paraleleve dhe 33 % e shkollave nuk i plotësojnë kriteret ligjore për zhvillim të mësimit dhe ministrja ende s’ka ndërmarrë asnjë veprim për riorganizimin e rrjetit të shkollave”, ka shtuar ajo.

  • ​PISA publikon rezultatet, Kosova pothuajse e fundit në listë

    ​PISA publikon rezultatet, Kosova pothuajse e fundit në listë

    PISA ka publikuar rezultatet e testit për vitin 2022, me Kosovën që ka zënë vendin e 76-të nga 80 shtetet pjesëmarrës për lexim, kurse vendin e 77 për shkencë.

    Pak më mirë, Kosova ka performuar në matematikë, duke u renditur vë vendin e 73-të nga 80 shtetet pjesëmarrëse.

    Rezultatet e testit janë publikuar të martën, ndërsa u prezantuan nga Ministria e Arsimit në një konferencë për media.

    Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA) është një vlerësim ndërkombëtar i aftësive dhe njohurive të 15-vjeçarëve. PISA vlerëson performancën e nxënësve mbi detyrat e jetës reale që konsiderohen të rëndësishme për pjesëmarrje efektive në shoqërinë e të rriturve dhe për mësimin gjatë gjithë jetës.

    PISA është një projekt i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD. Në Irlandë, projekti menaxhohet nga Qendra e Kërkimit Arsimor në emër të Departamentit të Edukimit dhe Aftësive.

  • Babai i dorasit të Liridonës: Nëse Graniti e ka bërë këtë vepër, është i vdekur për mua

    Babai i dorasit të Liridonës: Nëse Graniti e ka bërë këtë vepër, është i vdekur për mua

    Mursel Plava, babai i dorasit në vrasjen e Liridona Ademajt, Granit Plavës, ka thënë se djali i tij është i vdekur për të.

    Ai ka treguar se Graniti jetonte vetëm me gruan dhe fëmijët e tij, ndërsa ai vetë në Kroaci dhe se kishte dy ditë që kishte ardhur në Kosovë.

    “Është shumë e vështirë për tri shtëpitë. Nuk po mundem as me paramendu. Nuk mund ta besoj që djali im e ka bërë këtë. I them hetuesisë ta çojnë deri në fund, si ka ardhur deri te kjo, kush ka qenë iniciator. Me marrë dënimin e merituar”, tha ai.

    “Kurrë se kisha menduar që e bënë atë punë. Nëse Graniti e ka bo këtë rast le ta merr dënimin e merituar”, tha ai.

    “Gruaja e tij është e tronditur, nuk po mundet me besu. Nuk e kam takuar. Nuk du me shku me taku, du mu qetësu, nuk jam në gjendje me taku”, tha ai për Indeksonline.

    “Nëse Graniti e ka bërë këtë vepër, është i vdekur për mua, është i vdekur për jetë”, tha babai i dorasit.

    Ai gjithashtu i ka shprehur ngushëllime familjes së të ndjerës.

  • Testi PISA: Mali i Zi ka arritur rezultatet më të këqija që nga viti 2012

    Testi PISA: Mali i Zi ka arritur rezultatet më të këqija që nga viti 2012

    Në testin PISA të kryer në vitin 2022, Mali i Zi ka arritur rezultatet më të këqija që nga viti 2012, sipas të dhënave të sapo publikuara nga OECD.

    Në testim morën pjesë 5793 nxënës nga 63 shkolla malazeze. Këtë vit morën pjesë nxënës pesëmbëdhjetëvjeçarë nga 80 vende të botës.

    Në të njëjtën kohë, rezultatet janë më të këqijat që nga viti 2012 në të tri fushat që mbuluan testet – matematikë, lexim dhe shkencë.

    Shumë nën mesataren e anëtarëve të OECD

    Në të gjitha fushat, studentët tanë kanë një numër pikësh dukshëm më të ulët krahasuar me mesataren në vendet e OECD.

    Nxënësit 15 vjeçarë në Mal të Zi kishin 406 pikë në matematikë, ndërsa mesatarja në nivelin e OECD është 472. E njëjta gjë është në lexim (405 pikë Mali i Zi – 476 pikë mesatarja e OECD), dhe rezultati më i keq është në shkencë. (403 pikë Mali i Zi – 485 pikë mesatarja e OECD).

    Kështu, Mali i Zi është i 54-ti nga 80 vende në matematikë, i 56-ti në lexim dhe i 62-ti në shkencë.

    Fëmijët nga Singapori kanë rezultatet më të mira

    Kur bëhet fjalë për matematikën, fëmijët nga Singapori kanë rezultatet më të mira (575 pikë), ndërsa Mali i Zi është 406.

    Fëmijët nga Singapori gjithashtu kishin rezultatet më të mira në lexim (543), të ndjekur nga Irlanda (516) dhe Japonia (516). Për kujtesë, rezultati ynë është 405.

    Singapori kryeson gjithashtu në shkencë (561), përpara Japonisë (547).

    Estonia dhe Irlanda kanë rezultatin më të mirë, deri tani më të ulët për vendet e rajonit tonë

    Për sa i përket Evropës, studentët më të mirë në matematikë janë nga Estonia (510), Zvicra (508) dhe Holanda (493). Studentët në Maqedoninë e Veriut (389), Shqipëri (368) dhe Kosovë (355) kanë rezultatet më të ulëta.

    Në lexim, nxënësit nga Irlanda kishin rezultatin më të mirë (516), të ndjekur nga Estonia (511) dhe Finlanda (490). Studentët nga Maqedonia e Veriut (359), Shqipëria (358) dhe Kosova (342) kanë performancën më modeste në atë fushë.

    Kur bëhet fjalë për shkencën, rezultatet më të mira i kanë fëmijët nga Estonia (526), ​​Finlanda (511) dhe Irlanda (504), ndërsa më të këqijat nxënësit nga Maqedonia e Veriut (380), Shqipëria (376) dhe Kosova (357).

  • Rezultatet në PISA, Molliqaj: “Qeveria Kurti bëjnë matematikë veç për hesape të veta, më keq se në 2018”

    Rezultatet në PISA, Molliqaj: “Qeveria Kurti bëjnë matematikë veç për hesape të veta, më keq se në 2018”

    Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj ka kritikuar Qeverinë Kurti pas rezultateve në testin PISA, ku Kosova u rendit në vendet e fundit, shkruan Reporteri.net.

    Molliqaj ka thënë se Qeveria Kurti bëjnë matematikë veç për hesape të veta.

    “Andaj, rezultatet e PISA nuk mund të mbeten vetëm numra; ato janë aktakuzë për një qeveri që i shërben vetëm një qytetari dhe një koalicioni të vogël ministrash e deputetësh për më shumë privilegje, më shumë begati. Një mentalitet i tillë e përjetëson dhe riprodhon gjendjen e rëndë në arsim në fund të listës”, ka shkruar mes tjerash ai.

    Reagimi i plotë:

    Këta bëjnë matematikë veç për hesape t’veta

    Rezultatet katastrofale të testit PISA po nxjerrin në pah indiferencën e qeverisë së shpresës për çfarëdo investimi afatgjatë, nëse nuk është investim në spektaklin e liderit. Asnjë lëvizje për të ndryshuar këtë gjendje, për të tjerët që s’janë në rrethin e ngushtë të lidershipit. Së pari Villat në Marigona, pastaj klasat e çerdhet? E njohim këtë skenar.

    Është ditur në krye të herës kur e dekoroi Nagavcin me pozitën e Ministres. Dekorim për besnikërinë partiake, asgjë më shumë. Rezultati në PISA është veç më i keq sesa në vitin 2018. U konfirmua kur e pengoi reformën në arsim në Kamenicë.

    A e keni vërejtur se si bash në arsim, zëvendësministrat njëri pas tjetrit japin dorëheqje, vasalja e Kurtit vazhdon monotoninë. 5 çerdhe nga 160 të premtuara. Shpërfillja totale nga ana e qeverisë për të investuar në arsim shihet prej larg.

    Andaj, rezultatet e PISA nuk mund të mbeten vetëm numra; ato janë aktakuzë për një qeveri që i shërben vetëm një qytetari dhe një koalicioni të vogël ministrash e deputetësh për më shumë privilegje, më shumë begati. Një mentalitet i tillë e përjetëson dhe riprodhon gjendjen e rëndë në arsim në fund të listës.

    Foto Ilustrim: Vrapimi i Nagavcit pas nderimeve e i pushtetit pas votave, pengoi reformën më të rëndësishme në arsim në Kosovë.