ATV

Author: ATVLive

  • Serbët e veriut i drejtohen KQZ-së, paraqesin kërkesë për peticion

    Serbët e veriut i drejtohen KQZ-së, paraqesin kërkesë për peticion

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Tre muaj pas hartimit të Udhëzimit Administrativ, banorët serbë në katër komunat veriore kanë dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesat për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë përmes peticionit.

    “Mund të konfirmoj se gjatë ditës, kemi pranuar katër e-maile, tri prej të cilave kanë të bashkëngjitur, të plotësuar formularin për inicimin e kërkesës për largimin e kryetarit të Komunës nga funksioni”, i ka thënë ATV-së zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    Grupe të qytetarëve serbë, fillimisht kërkesat për peticion tentuan t’i dorëzojnë në Kuvendet Komunale përkatëse, por siç pretendojnë ata, autoritetet lokale kanë refuzuar “iniciativën” e tyre.

    “Ne erdhëm në cilësinë e qytetarëve për të dorëzuar iniciativën për shkarkimin e kryetarit të Komunës së Mitrovicës Veriore. Njësoj ndodhi edhe në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Pas disa orësh, negociatash me organet e komunës nuk ia dolëm të dorëzojmë këtë peticion. Iniciativa jonë u refuzua”, tha Sanja Krtinic, qytetare .

    “Kjo çfarë ndodhi është shkelje brutale e të drejtave të njeriut. Ne nuk ia dolëm të paraqesim një kërkesë të thjeshtë në recepsionin e komunës si përfaqësues të qytetarëve serbë në veri”, tha Milan Milosavljevic, qytetar.

    Megjithatë, ky pretendim u mohua nga Kryetari i Kuvendit komunal në Mitrovicë të Veriut, Nexhat Uglanin.

    Ndërkohë, kryetari i Zubin Potokut më shumë preferon një marrëveshje politike sesa shkarkimin përmes peticionit.

    Sidoqoftë, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal tha se nuk është në dijeni për kërkesat që kanë paraqitur serbët në veri të Kosovës për inicimin e peticionit.

    Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal qysh në muajin shtator publikoi udhëzimin administrativ, i cili u mundësonte qytetarëve të dorëzojnë peticion për shkarkim të kryetarëve të komunave në veri.

    Ndryshe, faktori ndërkombëtar, dorëheqjen e kryetarëve shqiptarë e kishte theksuar si rrugë më të shpejtë, për mbajtjen e zgjedhjeve në veri.

    Më shumë detaje gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Në kujtim të Liridona Ademajt ndizen qirinj edhe në Kaçanik

    Në kujtim të Liridona Ademajt ndizen qirinj edhe në Kaçanik

    Sonte para objektit të Shtëpisë së Kulturës “Xheladin Kurtaj” në Kaçanik, janë ndezur qirinj në kujtim të Liridona Ademajt, e vrarë në Sinidoll të Prishtinës, më 29 nëntor.

    Aktiviteti u organizua nga Grupi Joformal i Grave Asambleiste të Komunës së Kaçanikut, ndërsa morën pjesë edhe anëtare nga ekzekutivi komunal dhe qytetarë të tjerë.

    Përmes këtij aktiviteti, u shpreh solidarizimi me familjen Ademaj dhe me të gjithë qytetarët e vendit, të cilët u tronditën nga kjo ngjarje e rëndë.

  • Vjen në Kosovë batalioni i Forcave Rezervë Operacionale të NATO-s

    Vjen në Kosovë batalioni i Forcave Rezervë Operacionale të NATO-s

    Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë të ditur se Italia ka dislokuar trupa shtesë të tyre në Kosovë.

    KFOR-i bëri të ditur se trupat shtesë i përkasin batalionit italian të Forcave Rezervë Operacionale të NATO-s.

    “Batalioni italian nga Forca Rezervë Operacionale e NATO-s është dislokuar në Kosovë, si pjesë e misionit paqeruajtës të NATO-s – KFOR”, thuhet në njoftim.

    Ata nuk kanë bërë të ditur numrin e saktë të ushtarëve italianë që janë dislokuar në Kosovë, teksa Zvicra ishte shteti i fundit që e ka shtuar numrin e pjesëtarëve të KFOR-it në vend.

  • Protesta kundër vrasjes së grave, hedhet ngjyrë e kuqe para kordonit të policisë

    Protesta kundër vrasjes së grave, hedhet ngjyrë e kuqe para kordonit të policisë

    Protesta e nisur në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë, e organizuar nga Kolektivi për Veprim Feminist, kundër vrasjes së grave, është zhvendosur tani përballë stacionit policor “Qendra”. Protestuesit kanë hedhur ngjyrë të kuqe para kordonit të policisë teksa kanë kërkuar drejtësi për vrasjen e Liridonës.

    Protesta deri tani ka kaluar pa incidente ndërsa policia ka bllokuar edhe qarkullimin e automjeteve ne rrugën “Luan Haradinaj”.

    Protesta e nxitur nga vrasja e 30-vjeçares Liridona Ademaj me porosi të bashkëshortit të saj, Naim Murselit, nisi me thirrjet “Liri, barazi, solidaritet”.

  • Halitjaha përfundon dëshminë: Liri çlirimtarëve

    Halitjaha përfundon dëshminë: Liri çlirimtarëve

    Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit të 36-të të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), në çështjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Sadik Halitjaha është dëgjuar edhe sot nga trupi gjykues, derisa është marrë në pyetje nga trupi gjykues dhe mbrojtja.

    Ish-oficeri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pas përfundimit të dëshmisë së tij uroi lirinë e ish-krerëve që po mbahen në Hagë.

    “Uroj që kam dhënë një kontribut sado pak modest. Besoj që kanë qenë korrekte dëshmitë e mia dhe i uroj sukses këtij procesi. Liri çlirimtarëve”, përfundoi ai.

    Dëshmitari gjatë pyetjes së mbrojtjes Gregory Kehoe tha se gjatë luftës është takuar vetëm dy herë me Hashim Thaçin.

    Kehoe: Dëshmitar, pra ju asnjëherë nuk e keni parë Hashim Thaçin në Shtabin e Përgjithshëm, apo jo?

    Halitjaha: Budakovë edhe njëherë rastësisht e kam taku, nuk më kujtohet data në oborr të Shtabit tek çezma, tek kroni. Më larg, nga distanca, më larg se me juve. Dy herë e kam parë krejt gjatë luftës”, tha dëshmitari.

    Kehoe pyeti edhe për Blerim Kuçin, për të cilin Halitjaha tha se ka ikur rreth datës 22 apo 34 gusht 1998 nga Kosova.

    Kehoe: Fakti qëndron që Blerim Kuçi e dezertoi pozitën, i gjendur përballë sulmit serb në shtator të vitit 1998, apo nuk është kështu?

    Salitjaha: Data nuk mund të jetë 11 shtator, por ofensiva e madhe serbe ka qenë me 22 gusht 23, 24 dhe 25 gusht. Në këtë ofensivë ata kanë dezertuar, ata që përmendet. 11 shtatori është vonë, nuk e di ku kanë qëndruar deri më 11 shtator. Unë me sa e di në gusht, më së largu 24 gusht, ai nuk ka qenë më në Kosovë. Ai ka qenë komandant brigade, unë kam qenë komandant batalioni. Bile porosia e tij e fundit ka qenë ‘kujdes për civilët na kanë mbetur pa mbrojtje, nëse mundesh me ndërkombëtarët diku me Kryqin e Kuq. Nuk e kam dëgjuar kurrë më radiolidhjen e tij prej 24 gushtit”, u përgjigj ai.

    Gjatë pasdites ka nisur dëshmia e ish-zyrtares së OSBE-së në Kosovë, Sandra Mitchell.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

    Ish-krerët e UÇK-së po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. /kp

  • Evropiani i xhudos në Prishtinë, Kuka: Kjo paralajmëron epokë të re për ne

    Evropiani i xhudos në Prishtinë, Kuka: Kjo paralajmëron epokë të re për ne

    Në kuadër të programit “Kosova, shtet i xhudos”, Federata e Xhudos e Kosovës do ta organizojë për herë të parë Kampionatin e Hapur Evropian të Xhudos “European Judo Championships Open Prishtina 2023”.

    Finalet e këtij Evropianit do të organizohen në Prishtinë më datën 16 dhjetor, raporton KosovaPress.

    E me këtë rast, ka folur presidenti i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka i cili organizimin e këtij Evropiani në Prishtinë e cilësoi si një epokë të re për shtetin tonë.

    “Kampionati Evropian paralajmëron një epokë të re për ne në disa aspekte: për herë të parë në Kosovë do të organizohet një turne ndërkombëtar i xhudos të klasës së përgjithshme. Xhudo ka qenë prej kohësh një sport kombëtar. Ajo që na ka munguar deri më tani është një turne në vendin tonë ku yjet tanë mund të shfaqen para publikut vendas. Është koha ta ndryshojmë këtë”, tha Agron Kuka.

    Kampionati i Hapur Evropian i Xhudos, “European Championships Open”, organizohet në kuadër të programit shtetëror, “Kosova, shtet i xhudos” nga Federata e Xhudos e Kosovës, dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Federatës Evropiane të Xhudos.

  • ​Ky është arsyetimi i ministres së Arsimit për rezultatet e dobëta në testin PISA

    ​Ky është arsyetimi i ministres së Arsimit për rezultatet e dobëta në testin PISA

    Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se shkaktar i rezultateve të dobëta të vendit tonë në testin PISA, janë kryesisht për shkak të problemeve që ka shkaktuar pandemia në mësimdhënie dhe mësim nxënie, por shtoi se janë edhe shumë faktor të tjerë që do të mundësonte rezultate të dëshiruara.

    Kosova është renditur pothuajse në vendet e fundit në rezultatet e testit të PISA-s për vitin 2022. Kosova ka zënë vendin e 76-të nga 80 shtete pjesëmarrëse për lexim, vendin e 77-të nga 80 për shkencë dhe më së miri ka performuar në matematikë, duke u renditur e 74-ta nga 80 vende. Matematika llogaritet si lënda kryesore në renditje.

    Rezultatet e testit “PISA 2022” u publikuan të martën, në të cilat Kosova ka shënuar rënie në krahasim me vitin 2018, kur edhe ky test u mbajt për herë të fundit.

    “Në vitin 2022 kemi pas një situatë pas pandemisë me një adaptim dy vjeçare ku mësimi zhvillohej me vështirësi të mëdha nga distanca me ndërprerje jo të vogla dhe kjo ka ndikuar që për shkak të situatës me pandeminë, nxënësit kanë pësuar rënie në mësim nxënie dhe këto janë dëshmuar në studime të ndryshme. Kjo është treguar edhe në rezultatet e testit Pisa në përgjithësi, jo vetëm në vendet e rajonit por edhe te ne…në të gjitha vendet që kanë qenë pjesëmarrëse këtu, kanë pas rënie në krahasim me vetveten dhe përgjithësisht dhe beso se nëse i shmangim faktorët vendor në Kosovë që mund të kenë ndikuar, pandemia është faktori i përbashkët për të gjitha këto vende që ka ndikuar te këto rezultate që u prezantuan tashmë. Gjithsesi me politikat tona ne synojmë që të sjellim deri te përmirësimi i rezultateve dhe nuk mund të them se është një faktor por mendoj se ka më shumë se një faktor që ka ndikuar në këto rezultate”, ka thënë Nagavci.

    Ajo ka përmendur ndryshimet në legjislativ dhe mbështetjen që kanë bërë për shkollat dhe presin që të shohin rezultatet e para në vitin 2025.

    Kosova nuk ka regjistruar rezultate të mira në testin PISA ndër vite.

  • Kryetari i Prishtinës publikon propozimin për faljen e tatimit në pronë

    Kryetari i Prishtinës publikon propozimin për faljen e tatimit në pronë

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka publikuar të martën propozimin e tij për faljen e tatimit në pronë për vitin 2023.

    Kryetari Rama ka propozuar që çdo ndryshim i vlerës së tatimit në pronë nga viti 2022 në vitin 2023, prej 0 deri në 100 euro të falet.

    “Pra, nëse një pronë ka pasur tatimin 50 euro në vitin 2022 dhe në vitin 2023 është kalkuluar ta ketë 70 euro, atëherë falja do të jetë 20 euro”, thuhet në propozimin e tij.

    Sipas tij, nëse një pronë ka pasur tatimin 120 euro në vitin 2022 dhe në vitin 2023 është kalkuluar ta ketë 300 euro, atëherë falja do të jetë 100 euro.

    “Ky propozim do t’u ndihmojë të gjithë qytetarëve të Prishtinës, dhe nuk do të dëmtojë qëndrueshmërinë buxhetore të Kryeqytetit. Njëherësh, nuk do të cenojë mundësinë e zhvillimit dhe transformimit të mirëfilltë të Kryeqytetit për të mirën e të gjithëve, prandaj lus secilin asamblist, pa dallim, që në seancën e radhës të votojë PËR”, ka shkruar Rama.

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar se më 7 dhjetor (e enjte) në orën15:00, Kuvendi Komunal do të mban seancë të jashtëzakonshme, me të vetëm pikë të rendit të ditës, “Propozim-vendimi për faljen e tatimit në pronë për pronën e paluajtshme për vitin tatimor 2023”.

  • ​“E ndjej dhimbjen, trupi po flet për mua”, Suarez me rrëfim prekës

    ​“E ndjej dhimbjen, trupi po flet për mua”, Suarez me rrëfim prekës

    Ish-sulmuesi i Liverpoolit, Luis Suarez ka bërë të ditur se ai mund të jetë afër pensionimit, pasi që u përshëndet me klubin e Gremios.

    Suarez ka qenë në formë të mirë që prej se iu bashkua skuadrës braziliane në fillim të vitit, pas rikthimit që e kishte te klubi i fëmijërisë, Nacional, raporton KosovaPress.

    Suarez ka shënuar 24 gola dhe ka regjistruar 17 asistime në 52 ndeshje për Gremion, me paraqitjet e tija që i siguruan një rikthim në Kombëtaren e Uruguait.

    Gjatë grumbullimit të fundit me kombëtaren, Suarez ndau admirimin e tij për sulmuesin e Liverpoolit, Darwin Nunez, pasi që 36 vjeçari u rikthye te Uruguai për herë të parë që prej Kupës së Botës Katar 2022. Sidoqoftë, duket se Suarez është i pasigurt se sa do të zgjas karriera e tij, pasi që shënoi kundër Vasco de Gamas në ndeshjen finale për Gremion.

    “Mund ta ndjej dhimbjen, trupi im po flet për mua. Unë dua ta shijoj dhe më pas do të vendos për veten time pas një karriere të gjatë. Më duhet të pushoj, ta shijoj familjen time, dhe më pas fati do ta dijë se ku do të jem në të ardhmen”, tha Suarez.

    Ish-lojtari i Liverpoolit fillimisht nënshkroi një marrëveshje dyvjeçare me Gremio në janar, por u konfirmua në verë se ai kishte rënë dakord të shkurtonte kontratën e tij deri në fund të sezonit 2023. U përfol se kjo mund të jetë për shkak të dëshirës për t’u bashkuar me ish-bashkëlojtarin e Barcelonës Lionel Messin në Inter Miami. Megjithatë, në një intervistë ekskluzive me radiostacionin uruguaian “Sport 890”, Suarez rrëfeu se i duhej të merrte ilaçe për të luajtur ndeshjet.

    “Ditë para çdo ndeshje unë marr tre pilula, dhe disa orë para se të luajë unë marrë një injeksion. Nëse jo, unë nuk mund të luaj, prandaj çaloj. Më duhet të mendoj se në pesë vitet e ardhshme nuk do mund të luajë një ndeshje me 5 lojtarë me shokët e mi. E vërteta është se hapat e parë në mëngjes janë tejet të dhimbshëm. Çdo kush që më sheh mua mendon se është e pamundur për mua të luajë një ndeshje futbolli. Djali im më thotë të luajë me të dhe unë nuk mundem”, tha Suarez.

  • ​Plagoset punonjësi në Elbasan, arrestohet një 72-vjeçar

    ​Plagoset punonjësi në Elbasan, arrestohet një 72-vjeçar

    Një 71-vjeçar me detyre drejtues teknik në kompaninë e përpunimit të hidrokarbureve në Elbasan është arrestuar.

    Mbi të rëndon vepra penale “Shkelja e rregullave të sigurisë në punë”. Një ditë më parë në këtë kompani është plagosur një 45-vjeçar i cili ishte duke punuar në një strukture metalike dhe është rrezuar. 45-vjeçari vazhdon të jetë në spital nën kujdesin mjekësor.

    “Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmë, për shtetasin F. M., 45-vjeç, që ishte paraqitur në spital, për të marrë mjekim, pasi ishte rrëzuar nga një strukturë metalike, gjatë kohës që kishte qenë duke punuar në një firmë për përpunimin e hidrokarbureve, në fshatin Balldren, informojmë se në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasin F.P., 71 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë drejtues teknik në firmën e hidrokarbureve në të cilën ishte punësuar shtetasi F. M., i cili vijon të jetë në kujdesin e mjekëve”, thuhet në njoftimin e policisë. /tch